• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Naim Frashëri:Fet’ e besët t’i kemi, Po të ndarë të mos jemi…

March 28, 2016 by dgreca

“Përpara Krishtit”  tek libri  “Lulet  Verës” të N.Frashërit/

 Fet’ e besët t’i kemi,/

Po të ndarë të mos jemi./

Naim Frashëri/

   Esse nga  Aristotel  Mici/MA-USA/

Poeti Naim Frashëri është mendimtari i parë i Rilindjes që hodhi idenë e mirëkuptimit ndërfetrarë dhe të tolerancës fetare në të mirë të unitetit kombëtar, që duket  edhe në librin e tij poetick,“Lulet e Verës”, botuar më 1890. Midis vjershave  të tjera në këtë libër, ndodhet edhe  ajo qe titullohet “Përpara Krishtit”. Për arsyet më naïve kjo vjershë është lënë në harresë prej studjuesve dhe kritikëve letrarë. Mendimi ynë është se kjo vjershë jo vetëm nuk duhej  injoruar, po të  ishte  analizuar  me seriozitet e dashuri. E para, sepse është  pjesë e përrmbledhjes poetike “Lulet e Verës”. Së dyjti,  se me  këtë poezi  qartësohet edhe më shumë ideja rreth humanizmit të Naimi Frashërit si edhe të kuptuarit e filozofisë së tij për personin e sakrificës dhe të martirizimit. Së treti, poezia “Para Krishtit” nuk duhej lënë në harresë edhe për faktin se është  shprehje e  tolerancës fetare e vetë autorit  në të njëjtën kohë, e gjithë lexuesve, pra e mbarë popullit shqiptar.    Kështu Krishti te “Lulet e Verës” nuk është një figurë religjioze, sepse nuk trajton motive fetare, përkundrazi, me personin e Krishtit  poeti jep  mendimtarin humanist, i cili brengoset për vuajtjet e padrejtësitë në shoqëri.

Madhështia e Krishtit në poezi shprehet në thjështësinë e Tij. I thjështë midis të vuajturve, Ai guxonte  të thoshte të vërtëtën për mirësinë,  për të drejtën, për njerinë. Për t`u mësuar njerzëve të vërtetën , ai nuk u tremb deri në sakrifikim, deri në kryqëzim, duke u bërë ashtu  një  Promethe i ri  i njerëzimit. Jo më kot gjithë bota e qytetëruar  e  ndanë Kohën e Vjetër,  të cilën e quan Para Krishtit,  nga Kohën e Re, Pas Krishtit, pra e kthen Krishtin  kështu, si  pragun kohor  më të madh të njerëzimit.Nisur pikërisht nga   akti i martirizimit, Naim Frashëri e shikon  Jezu Krishtin kryesisht si njeri, pra e zbret nga kupola qiellore  dhe e shikon si njeri tokësor.

Djalëth njeriu i Perëndisë

            Fytyra jote  mua më tregon

Ah ! Të keqijat e njerëzisë,

Që ka punuar dhe punon…

Pra fyutyra e vuajtur e Krishtit si martir i tregon poetit mbrapështitë  e njerëzve të ndjekjes  e të përsekutimit që nga Farisenjtë e deri te Juda Iskalioti, qe nga mbret Herodi deri te Pont  Pilati. Fytyra e zbehtë e  Krishtit është një rrëfim i vuajtjeve dhe i  mundimeve njerëzore.

Se kjo fytyrë/Është pasqyrë/ dhe na rrëfenë/E s’na gënjen.

Pamja e dobësuar e Krishtit është pasqyrim i njerëzve të tortruar, fytyrë e njerëzve që kanë vuajtur padrejtësitë e të tjerëve pa asnjë arsye, që janë dënuar për bindjet e tyre të patundura, që për idetë e tyre  kanë shkuar  vetë drejt flijimit, duke sakrifikuar ashtu veten. Dhe poeti e sintetizon këtë imazh  të Krishtit në vargjet e tij:

Gjithë ç’ ka hequr njeriu i mjerë,

                        Nga vet` e  tinë e nga i vëllaj,

                        Që kanë  vrarë e kanë prerë

                        Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.

Dihet nga të gjithë dhe është më se e vërtëtë se në jetën sociale  janë shfaqur  fenomene antihumane, dukuri  të dhimbëshme, që kanë  shkakëtuar tragjedi dhe brenga  shoqërore dhe familiare, ashtu siç thotë vargu i poetit si dënime nga ata : ”Që kanë vrarë e kanë prerë/                                                                                                

Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”                                                                                 

  Dukuri të tilla kanë ndodhur në shekuj, para Krishtit, pas Krishtit , e deri  në ditët tona.

Le të kujtojmë nga historia botërore Galileo Galilenë dhe Xhordano Brunon, Ana Frankun dhe kampet shfarosese të nazitëve hitlerianë, si dhe mijera viktima qe humben jetën , kur u shemben Kullat Binjake me 11 Shtator 2001, në New York,  prej akteve terroriste.  Po kështu na vijnë në mendje nga jeta  në vendin tonë, vrasjet e mësuesve martirë, si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, e Petro  Nini Luarasi, vrasjet e liberatorëve të shquar si Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, martirët  e masakrës së 4 Shkurtit 1944, po ashtu vrasja e viktimave me rastin  e ”hedhjes së bombës” në Ambasadën  Sovjetike në fillim të vitëve `50, po kështu dënimet e rënda për inxhinierët e pasionuar të naftës Koço Plaku, Petraq Xhaçka dhe Enriko Veizi, të gjykuar në gjyqe me dyer të mbyllura, vrasjet  e dëshmorëve të demokracisë në Shkodër me 2 Prill, 1991,  si edhe vrasja e  maskrës  më 21 Jannar 2011 në Tiranë, që janë të gjitha ashtu  si si i përshkruan Poeti  vrasje “Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj”.

Merret vesh se të gjitha këto ngjarje tragjike kanë ndodhur  në kohën pas  Krishtit. Po pamja e  Krishtit në vjershën e Naimit si edhe fjalët e poetit për të na bëjnë të kujtojmë  episode të tilla të ndodhura në kohëra të ndryshme midis njerëzve, si padrejtësi mizore, ashtu si i përfytyron poeti: ”Fytyra jotë më tregon …të këqijat e njerëzisë” dhe më pastaj , po në këtë vjershë:  “…kjo fytyrë është pasqyrë /Dhe na rrëfen/ Gjithë ç` ka hequr njeriu i mjerë/  Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.”

Personifikimi dhe  portretizimi i Jezu Krishtit si njeri real , futja e tij midis  njerëzve  shpreh edhe nderimin që kishtë Naimi për njerinë:

Faltore kemi njerinë,                                                                    

Atje gjejmë edhe Perëndinë.                                                          

Ai besontë dhe kishtë bindjen se:

“Po të nderojë njeriu njerinë,/                                                           

E  ka nderuar edhe Perëndinë”

 Përmes figurës së  Krishtit poeti përpiqet të japë  pamjen e njeriut  të mirë, që i do njerëzit dhe vuan për njerëzinë, prandaj ai i thotë figurës së Krishtit:

Ti u përpoqe për njerëzinë,                                                                                              

Dhe dashurinë e bëre besë/                                                                                         

Njeriut i vure nom miqësinë,

Që kur të lind gjer sa të vdesë.

 Duke medituar para Krishtit, me anë të vargjeve të tij, autori do të hedh dritë rreth përsosmërisë së figurës së njeriut. ”Problemi qenësor i filozofisë  së Naim Frashërit është krijimi i njeriut etik; ai kërkon që çdo njeri, pavarësisht prej fesë, të jetë i kompletuar moralisht”.[1]

Poezia  “Përpara  Krishtit” si gjithë vepra e Naim Frahërit , përshkohet nga  një humanizëm i thellë. I ndikuar prej iluminizmit francez,  si edhe nga  romantika e Viktor Hugoit, poeti Naim Frashëri i shikon me dhembshuri njerëzit në përgjithësi dhe  të varferit në veçanti., siç e verejmë me së miri të  poezia “Varfëria”. Po shpirti i ndijshem i poetit dhembshurohet edhe për një kafshë e për një shpend. Le të kujtojmë  vetëm vargjet  e para të poezisë ”Zogu dhe djali”:

Një zog të bukur zuri një djalë,/Ai po dridhej dhe i thosh ca fjalë:/ Nukë të vjuen keq  që jam i mitur/Si ti, i vogel, e s`jam  dhe rritur. 

Siç shihet gjithë vepra  e Naim Frashërit përshkohet nga  një humanizëm i madh; në çdo varg të tij ndihet prania e njeriut  zemërgjerë e të ndijshëm. Keshtu edhe të  poezia  “Përpara Krishtit” gjejmë një dhembshuri të jashtëzakonshme për njeriun. Po është për të ardhur keq, qe nje studiues  disa dekada përpara në librin e tij “Jeta dhe idetë e Naim Frashërit”, me gjykimin e vet  skematik, ketë humanizem të poetit e quan “abstrakt”. Paradoksi arrin kulmin kur ai po në atë libër rreh të argumentojë se humanizmi i poetit tonë është abstrakt, sepse “njeriu për të cilin bën fjalë  Naimi, është njeri abstrakt , që nuk bën pjesë në asnjë klase”. Pra absurdi filozofik i studiusiot në fjalë të çon tek logjika e mungesës së klasave dhe për rrjedhojë  edhe te mosnjohja e luftës së klasave në veprën e poetit. Absurditeti i autorit të librit të sipërpërmëndur rritetet edhe më shumë kur ai merr të trajtojë poezinë  “Përpara Krishtit”, citon edhe strofën e pestë të saj, por jo pa arsye, nuk shkruan titullin e poezisë. Në vend të atij titulli, pra, “Përpara  Krishtit”, ai ka venë togfjalshin “në një poezi tjetër”… Kështu në të njëjtën kohë, pa titullin e saj, edhe injorohej poezia  po edhe denigrohej.

Me Krishtin e” Luleve të Verës”, siç e thamë edhe më sipër, më tëpër se hyjninë Naim Frashëri përsonifikon njeriun e sakrificës, martirin e drejtësisë, të toloerancës, dhe  të urtësisë; shikon mendimtarin human, që është i gatshëm të flijohet për të mirën  e njeriut dhe përparimin e tij. Ketë kuptim kanë këto vargje:

”Zot ti ke vuar,

Edhe s`ke pushuar,                                                                                                         

Nga njeriu hoqe,

Për të u përpoqe.

Këto vargje të kujtojnë  simbolikën e “Qiririt”, që aludon vetë poetin:

Në mes tuaj kam qëndruar                                                                                                   

 E jam duke përvëluar.                                                                                                        

Që t`u jap pakëz dritë                                                                                                     

 Natën t`ua bëj dite.

Për analogji duhet nënvizuar se është po ajo simbolikë e vetëflijimit edhe te poezija tjetër alegorike “Fyelli”, ku poeti vuan,  rënkon e mallëngjehet për brengat e njerëzisë:

Kraharor e kam çpuar,                                                                                                       

   E kam bërë vrima- vrima

Dhe kam qar` e kam renkuar                                                                                             

Me mijëra psherëtima.

I  përmendëm këto dy motive alegorike të poetikës së Naim Frashërit për të sqaruar edhe më shumë  me anë të anologjisë përkushtimin e madh  të poetit , angazhimin e tij shpirtëror, mendor dhe fizik për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe.

Të poezia  “Përpara Krishtit” si edhe në disa poezi të tjera lirike , N. Frsashëri përjeton  thellë ndjenjën e  flijimit si një Krisht në miniaturë. Pra , te  Krishti i “Luleve të Verës”, te sakrifikimi i tij, duhet të shikojmë, përzjerë  me të, edhe autorin, poetin  që me veprën  dhe fjalën e tij ishte bërë ashtu Apostulli i shqiptarizmes.

Dhe së fundi, si konklusion,  themi  se gjithë poezia “ Përpara Krishtit”, është  shkruar me  frymëzim dhe duhet parë e vlerësuar si pjesë përbërse e  veprës së Naim Frashërit. Kjo poezi mbyllet në pajtim me frymën  panteiste të poetit:

Për  këtë fjalë 

 Të qofsha falë,                                                                                    

Se njerëzia                                                                                   

Ësht’ Perëndia/

Kështu, fuqia hyjnore, ”zjarri i  dashurisë qiellore” është kudo dhe gjithë qenia njerëzore është përzjerë me të, ashtu siç meditonte poeti në filozofinë e tij.

[1] Nga Rexhep Qosja” N.Frashëri”, Vepra 1, “Rilindja”, Prishtinë, 1978,  f.18

Filed Under: ESSE Tagged With: Aristotel Mici, Naim Frashëri:Fet’ e besët t’i kemi, Po të ndarë, të mos jemi...

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT