ZËRI I DASHURISË PËR NJËRIUN/
– NËNËMADHJA, SHËNJTORJA JONË NËNË TEREZA- /
4 Shtator 2016 ! Një ditë e madhe për krishterimin, një ditë më e madhe për popullin shqiptar. Vajza nga Shkupi i Shqipërisë, Gonxhe Bojaxhiu- Nënë Tereza, shpallet e shënjtë. Dhe i folëm shqip, i kënduam shqip, i thurrëm himne shqip, brenda në Vatikan, vajzat dhe djemtë e talentuar të vendit të Nënë Terezës. Ajo i mblodhi të gjithë “bijtë” e saj, të krishterë dhe muslimanë, ateistë dhe besimtarë, shokë edhe miq, miq dhe “armiq” të njëri – tjetrit në paqe, në këtë ditë të madhe të shënjtërimit të saj. NËNA e madhe Terezë i mblodhi të gjithë duke i këshilluar si përherë t’i jepnin njëri-tjetrit, vendit të tyre dhe Botës, më shumë dashuri, më shumë paqe. Është kaq e thjeshtë dhe e madhe kërkesa e saj, sa mjafton vetëm të duash. Pra çdo gjë varet nga unë, nga ty, nga të gjithë ne. Pra le t’i bindemi Nënëmadhes Terezë dhe ta bëjmë këtë botë të trazuar nga egoizmi, indiferentizmi, etja për para të pista, dhuna, urrejtja, krimi – më të mirë, më të bukur, ku dashuria, bashkëpunimi, etja për të mirën, të bukurën të mos rresht kurrë. Ky është mesazhi që na la Nënë Tereza, ky është shëmbulli i jetës dhe veprës së saj.
Me këtë frymë u mblodhën dje bashkatdhetarët e Nënë Terezës në Filadelfia, në sallën e veprimtarive të Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”. Salla ishte zbukuruar si për një ditë të madhe në nderim të shënjtërimit të Nënë Terezës. Dritan Matraku, Sadik Elshani, Haki Çollaku vazhdonin të bënin diçka deri në minutë e fundit. Në portret i madh i Shënjtores sonë pikturuar nga Odise Lakuriqi zinte vendin kryesor. Një tavolinë me libra të Nënë Terezës dhe të shkruar për të nga autorë të ndryshëm ishin vendosur pranë foltores së sallës. Në sfond Gjergj Kastrioti i madh, Ismail Qemali, më tej Naim Frashëri, Fan Noli… Me atë ç’ka bënë për atdhe dhe popullin e vet, dhe jo vetëm kaq, por edhe për lirinë dhe kulturën evropiane dhe botërore, janë edhe këta shënjtorët e pashpallur të kombit tonë. Le tu falemi edhe atyre.
Nuk ishin pa përvojë zotërinjtë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Ata kishin organizuar edhe më parë veprimtari për Nënë Terezën, edhe kur ishte midis të varfërve dhe të semurëve të Kalkutës, apo diku tjetër, edhe ku u largua prej tyre dhe shkoi në qiell.
Këto ditë është folur dhe shkruar më shumë se kurrë për Nënë Terezën, jo vetëm nga media shqiptare, që është treguar modeste, por nga gjithë mediat botërore. Të gjithë jemi ndjerë mirë. Kombi shqiptar nuk ishte më aq i vogël dhe kufijtë e tij ishin zgjeruar pa fund, në të pesë kontinentet, atje ku kishte dhe ku nuk kishte bashkatdhetarë të saj, se të gjithë biem në një mëndje për sakrificën e saj, për dashurinë që dha, për lutjet që na la trashëgim. Një pasuri e madhe për të gjithë. U bënë bashkë të gjitha racat, dhe besimtarët e feve të ndryshme, jo vetëm të Shqipërisë. A ka më bukur!? Ishte me të vërtetë një ditë e madhe dita e 4 Shtatorit 2016, me një dritë të veçantë, me një frymë të veçantë. U shënjtërua Nënë Tereza. Kjo u ndje edhe midis bashkatdhetarëve në Filadelfia. Ditëve të fundit dukej sikur shënjtërimi i saj ishte kryebiseda e tyre, në të gjitha kafenetë e shqiptarëve në Northeast, në South, në Richmond dhe gjetkë apo në familjet e tyre. Kishte krenari, reflektim dhe më shumë respekt për këtë figurë të madhe të kombit tonë.
Me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare duke përmendur Nënë Terezën shkruan ” Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti, dy personazhet më të mëdhenjë të kombit tonë dhe ndër dy më të mëdhenjtë e Europës e të njerëzimit mbarë, sado të largët të jenë në kohë e sado të ndryshëm të jenë në trajtë, për ne shqiptarët, ka një sublime që i bashkon… . Gjergj Kastrioti simbol i vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian…dhe Nënë Tereza mëshirimi ynë i madh i harmonisë, i përdëllimit dhe dashurisë për popujtë dhe njerëzimin mbarë, janë vlerat tona morale që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh.”
Edhe në veprimtarinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që u zhvillua të dielën e shënjtërimit të Nënë Terezës, u folë me një ndjenjë përkushtimi por edhe ndjesë të secilit përpara fjalës dhe veprës së saj. Kështu foli zoti Dritan Matraku, nënkryetar i shoqatës, që mori fjalën pas hapjes së kësaj mbrëmje nderimi nga kryetari i saj, zoti Tajar Domi. Me këtë frymë folën edhe zotërinjtë Sadik Elshani, Llazar Vero, Eqerem Murataj dhe Lumni Shurdhiqi. Në fund e mori fjalën zoti Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, që recitoi një poezi të tij kushtuar Nënë Terezës. Mund të kishte edhe të tjerë që donin të flisnin. Të gjithë pjesëmarrësit ndjeheshin të frymëzuar dhe donin të thoshin diçka. Dhe me të vërtetë. Kjo u pa edhe gjatë koktejlit që dha shoqata me këtë rast në kafenenë e Qëndrës së saj Kulturore. Bisedat me të njëjtën temë vazhduan deri në fund. Një anëtar i kryesisë së shoqatës falenderoi zoterinjtë Dritan Matraku, Haki Çollaku, Jakup Domi që e pasuruan koktejlin me dhuratat e tyre, një traditë e bukur kjo në këtë shoqatë.
Vjeshta e këtij viti erdhi e mbarë për popullin shqiptar, dhe për Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që nisi me shënjtërimin e Nënë Terezës dhe do të vazhdojme veprimtari të shumta dhe me vlerë për komunitetin shqiptar në Filadelfia. Do të shihemi dhe do të shkruajmë përsëri.
LAVER NIKU
Filadelfia, 4 Shtator 2015