• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndjenja e Shqiptarizmit në vargjet e Naim Frashërit dhe të Pashko Vasës

April 17, 2014 by dgreca

Esse nga Aristotel Mici/
Naim Frashëri në Jug, dhe Pashko Vasa në Veri ishin dy nga zëdhësit më të fortë të idesë patriotike të shqiptarizmit. Tek ideja e bashkimit mbarëkombëtar ata shikonin shpëtimin dhe rilindjen e kombit. Që të dy ata i quanin të dëmshme përçarjet krahinore dhe fetre.
Toleranca fetare e të dy poetëve patriotë, Naimi Frashërit dhe Pashko Vasës, nuk e çudit aspak lexuesin e kohës së Rilindjes, dhe as të kohës së sotme, pasi ajo është edhe tolerancë tradicionale e mbarë kombit, gjë që flet për një psikologji të qytetëruar, për një civilizim mbarëshqiptar. Të dy poetët e përmendur, mbi gjithçka kanë vënë mëmëdhenë. Kështu Pashko Vasa e personifikon “Shqypninë” si një Zonjë madhështore: “Ti ke pas kenë një zonjë randë, Që burrat e dheut të thojshin Nanë”.

Ndërsa Naim Frashëri i drejtohet Nënës Shqipëri me apoteozë, duke u përfalur me përgjërim: “Shqipëri të qofsha falë,/ Të kam mëmë e më ke djalë”.
Në të dy rastet, uni lirik i poetëve, tregon që bijtë e shqipes ta ndjejnë veten si vet poetët.

Konkretisht, heroi lirik i Naimit mëson bashkëkombësit të jenë të bashkuar rreth Nënës Shqipëri, që në radhë të parë Shqipëria të jetë metaforikisht “Parajsa” e tyre, dhe feja të mos i përçajë, se jemi vëllezër të një kombi, të një gjaku, të një gjuhe dhe një bese:
Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak,një gjuhë,një besë.
Të bashkuar dhe jo të ndarë, shqipëtarët do ta shpëtojnë mëmëdhënë, prandaj ai i këshillon bashkëkohësit:
“Lëreni më nj`anë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë”
(Parajsa)
Po është e vetkuptueshme se me këtë këshillë Poeti shtron nevojën e bashkimit kombëtar, duke u ngritur kundër ndasisive fetare, që viheshin re gjithandej. Pra, Naimi, kur thotë “Lëreni më nj’anë fenë”, nuk ngrihet kunder feve dhe as nuk tregohet “atheist”. Për më tepër, për të qënë sa më i vërtetë, pas kësaj porosije, ai bën edhe pak didaktikë :
“Fet` e besët t`i kemi,
Po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë,
Priftër e kllogjër’ e kishë
Nderë që kanë ta kenë,
Po të duan mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë
Dhe tërë Shqipërinë
Kjo ide e Naim Frashërit, që feja të mos na ndajë,që, për Shqipërinë “ t`i lëmë më nj’anë besimet fetare”, për analogji na kujton vetiu thirrjet e famshme të Pashko Vasës në poezinë e tij të njohur “O moj Shqypni, e mjera Shqypni”.
Shqyptar’ me vllazën jeni tuj u vra
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Sa thonë “kam fe”, sa thonm din,
Njeni jam “turk”, tjeteri “latin”;
Do thonë “jam grek”, “shkje” disa tjerë;
Por jeni vllazën t’ gjith more t’ mjerë.

Pra dy autorë të famshëm të Rilindjes kanë ide të njëjta për bashkimin kombëtar, duke kërkuar që ndasitë fetare të mos bëhen pengesë për idealet patriotike. Ideja e shqiptarisë së këtyre dy autorëve të Rilindjes sonë fletë për një dukuri të psikologjisë sonë kombëtare, për atë që shqipëtarët ndjenjën patriotike e kanë të shenjtë dhe mbi gjithçka. Kjo ide e fuqishme e karakterit atdhetar të shqiptarit i pat tërhequr vemëndjen studjuesit austriak J. G. Hahnit, i cili rreth 150 vjet më par, më 1867, siç e thekson edhe Prof. Çabej, kur në veprën e tij shkruante: “Greku dhe vëllahu lirinë politike ia sakrifikon besimit. Shqiptarit i vjen aq rëndë të durojë zgjedhën, sa lirimin nga kjo zgjedhë e paguan me besimin e të parëve” . Më një fjalë, thënë më shkoqur, te shqiptari ndjenja kombëtare qendron e fuqishme dhe mirëkuptimi ndër fetar midis tyre është gjë normale. Aspekt i kësaj dukurie janë edhe martesat midis mijëra e mijëra shqiptarëve me besime të ndryshme, gjë që dëshmon realisht pohimin e Hahnit.
Siç pohojnë studjuesit e letërsisë, poezia e Pashko Vasës “O Moj Shqypni e mjera Shqypni”, gjallëroi jehonën patriotike në kohën e Rilindjes, duke u endur si fletë volante ne vitin 1880 nga një vend me shqiptarë në tjetrin, nga Stambolli, në Bukuresht, në Egjypt e deri tek arbëreshët e Italisë.
Kjo poezi u shkrua me dashurinë për atdheun që dergjej nën thundrën e pushtimit të Perandorisë Otomane të Turqisë. Kjo poezi dallohej nga një notë dhimbjeje për “Nanën Shqypni” si edhe nga grishja drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë ftare dhe për t’u bashkuar në emër të pavarësisë kombëtare:
Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju,
Si vëllazën në një besë shtrengonju !
Dhe mos shikoni kisha e xhamia,
Fe e shqyptarit asht shqyptaria.
”Kjo vjershë luajti një rol të madh për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik” . Thirrje e famshme e Pashko Vasës që të baskohemi si komb, pa u përçarë nga fetë, për analogji, na kujton vargjet e Naim Frashërit të shkruara në vjershën “Parajsa”:
“Lëreni më nj’anë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë”
Po është e qartë për çdo shqiptar se kur poeti thotë “Lëreni më nj’ anë fenë”, ai as nuk është kundër fesë dhe ass nuk flet si atheist, po kërkon si atdhetar, që ndasitë fetare të mos bëhen pengesë për bashkimin e kombit. Pra dy autorë të famshëm të Rilindjes Kombëtare, sipas mënyrës së tyre, kërkojnë që të arrihet bashkimi kombëtar, pa u përçarë nga besimet fetare. Po ndersa për Naim Frashërin rreth këtij problemi nuk bëhen vërejetje, kur ai shkruan: “Lëreni më nj’anë fenë për atdhenë”, Pashko Vasës i bëhen kritika, madje dikush ka kërkuar dhe çkishërimin e tij, duk e quajtur Rilindasin e Madh person antife, mohues të feve dhe dhe zëdhënës të një feje tjetër, të shqiptarizmës. Ta gjykosh kështu këtë personalitet të Rilindjes sonë do të thotë ta nxjerrësh mendimin e tij poetik jashtë nga konteksti historik i zgjimit kombëtar, së dyti, të mos vlerësosh veprën e tij letrare, historike, essistike prej afro një mij faqesh, dhe, së treti të mos kesh para sysh stilistikën, e fjalët e figurshme në krijimin poetik. Studiuesit serizë të letërsisë nuk janë shprehur kundër kësaj poezie, as kundër autorit të saj aq patriot. Pranjdaj duket e çuditshme pse kritika ndaj poezisë “Moj Shqypni e Mjera Shqypni” të Pashko Vsës është zgjuar tani, pas një qind e dyzetë vjetësh që nga koha e publiokimit të saj.
Po të shikosh me kujdes vargjet e poezisë “Moj Shqypni e Mjera Shqypni”, kupton me një herë frymëzimin e autorit dhe mjetet artistike që ai ka përdorur. Ashtu si e thamë, poezia nis me personifikimin e Shqipërisë si një Zonjë e “randë”; në mënyrë metaforike burrat e dheut e “quajshin nanë”. Po poeti do që kjo Nanë t’i ketë kryet lart, prandaj ai u bën grishje gjithë shqiptarëve që të çohen nga gjumi i robërisë turke, duke përdorur fjalë figurative siç është metonimia “Mos shikjoni kisha e xhamia”, thënë ndryshe mos u përçani nga fetë, pra ka të njejtin mendim që shpreh edhe Naim Frashëri “Të lëmë më nj’anë fenë,/ Po të shikojmë mëmëdhenë”. Në vijim të mendimit të tij patriotik, Pashko Vasa vazhdon me vargun tjetër poetike ”Fe e shqyptarit asht shqyptaria”. Kështu në rastin konkret kemi të bëjmë me një shprehje figurative, siç është metonimia, që lejon përdorimin e një fjale, a po shprehjeje, në vend të një tjetre, duke u mbështetur në afrinë kuptimore. Më qartë, autori nuk është ngritur kundër fesë dhë as ka predikuar një “fe tjetër”. Për ta kthjelluar mendimin edhe më shumë , le të kujtojmë dhe disa shprehje të tjera figurative të këtij lloji, siç janë, fjala vjen, “deveja është anija e shkretëtirës”, në këtë rast fjala “deve” , ka një kuptim figurative, është metonimi, se quan veprimin e një qënieje me një tjetër, duke u mbështetur tek aftësija për të transportuar mallra. Po kështu shprehja: “fëmijët janë lulet e jetës”, që me më shumë fjalë do të thotë se ”ashtu si lulet zbukurojnë natyrën, fëmijët zbukurojnë jetën”. Atëherë për analogji të të menduarit poetik edhe fjalët e vargut “fe e shqiptarit asht shqyptaria” marrin ngjyrim emocional sipas figurës letrare të metonimisë . Fjala “fe” në rastin konkret nuk është përdorur për motive teologjike, po për të shprehur poetikisht idealin patriotik të shqiptarit.
Autori duke sublimuar ndjenjën e shqiptarizmit, nuk e mohon as Zotin, as fenë. Kurrë ai nuk ka pasur një synim të tillë. Shenojmë se në veprën e tij letrare Pashko Vasa nuk ka asnjë qendrim antifetar dhe asnjë pretendim për të krijuar ndonjë fe tjetër. Vlen të përmënden për këtë dhe vargjet e fundit të kësaj poezie:
“T’ desim si burrat, që diqën motit.
E mos të marrohna përpara Zotit.”
Pra, autori ka nderim para fronit t Zotit dhe nuk del kundër tij. Për më tepër, në romanin e vet “Bardha e Temalit”, Pashko Vasa na ka dhënë figurën e një prifti human siç është në vepër, At Leonardin, i cili u rri aq pranë malësorëve të vuajtur e të plagosur, duke marrë pjesë në brengat e tyr. E gjykuar në mënyrë simpliste dhe jo estetike, ka pasur raste, që poezia “O Moj Shqypni e Mjera Shqypni” të jetë lexuar në publik e krasitur, ose e “ripunuar”, gjoja për ta bërë dhe më aktuale, gjë që fletë për një mungesë thellimi në kuptimin patriotik të autorit. I bëmë këto komente si argument për të pohuar se akuza kundër rilindasit të famshëm, Pashko Vasës dhe poezisë së tij “Moj Shqypni e Mjera Shqypni” na duket e pambështetur si nga ana logjike dhe e kuptimshmërisë stilistike dhe patriotike.

Filed Under: ESSE Tagged With: Aristotel Mici, dhe të Pashko Vasës, Ndjenja e Shqiptarizmit në vargjet e Naim Frashërit

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT