Nga Abdurahim Ashiku-Athinë/
“Unë e dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën”. Kjo urtësi ka udhëtuar mijëra vjet pa u ndryshuar, pa shtuar apo pakësuar gjë.
Unë e dua Presidentin, Kryeministrin, edhe pse tash nëntëmbëdhjetë vjet nuk kam votuar. Ata, dua apo s’dua unë, janë drejtuesit e vendit tim, Shqipërisë që e dua mbi gjithçka. Por më shumë se ata unë dua të vërtetën.
Presidenti i vendit tim doli në fillimjavë me zë dhe figurë dhe kërkoi që në 25 vjetorin e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës të bëheshin një sërë veprimtarish në dënim të diktaturës.
Jam me të. Le të hapen dosjet për të gjithë dhe le të bëhet një gjykim popullor për “pastrim shpirtrash” dhe një gjykim penal për të gjithë ata që kanë bërë krime.
Flitet për dosjet e Sigurimit të Shtetit por nuk flitet për DOSJET E GJYQEVE TË SHTETIT.
Këta të fundit, në hetime dhe në gjykime, janë cekur dhe bërë publikë në shkrime gazetash e në emisione televizive vetëm (mbase gaboj) për anëtarë të byrosë politike dhe ushtarakë të lartë që ranë ndesh me diktatorin dhe u pushkatuan, u burgosën apo internuan. Dhe këta (mbase përsëri gaboj) janë nxitur më tepër nga pasardhës të tyre që diktatura ua preu rrugën e jetës luksoze që bënin në prehrin e prindërve të tyre e që, majtas apo djathtas, morën ofiqe zyrtare deri në deputetë e ministra.
Presidenti i Republikës, vazhdon të flasë për mos dekretimin e Visar Zhitit si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vatikan duke mos dhënë asnjë arsye të pranueshme. Ai vazhdon të ngulë këmbë si “mushka në pasarelë” me sloganin “Nuk më kanë pyetur!!!” duke hedhur një mjegull të dendur për të kaluarën e personit.
Në nomenklaturën e lartë shtetërore e veçanërisht në atë gjyqësore, ka një numër jo të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh që kanë vënë firmat dhe kanë dënuar njerëz nga me shumë vite burgim deri në vdekje e varje publike.
Për ta, për gjyqet e bëra, për dënimet e dhëna, për etikën e qëndrimit të tyre në gjyqësor dhe prokurori, nuk kemi dëgjuar, parë e lexuar për hapjen e dosjeve të gjykimeve të tyre.
Presidenti ynë në fillimjavë tha se… “Do t’i sugjeroja Parlamentit shqiptar që me ligj të veçantë të kishim një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Kjo datë mund të ishte në diskutim, padyshim, në Parlament, por dhe me grupe të tjera të interesit. Mund të ishte fare mirë dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Por, mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit: mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile.
Në se për ekzekutimin e “22 intelektualëve më 27 shkurt 1951, pas të ashtuquajturës ‘bombë në Ambasadën sovjetike’, ku 22 intelektualë pa proces hetimor, pa proces gjyqësor, me një vendim partie u seleksionuan dhe u ekzekutuan me një plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët” biem dakord me Presidentin, për Havzi Nelën, ka një proces gjyqësor, ka gjykatës që janë gjallë (madje në sistemin gjyqësor apo politik më të lartë), ka edhe dëshmitarë në procesin e gjykimit dhe dënimit me varje publike.
Që personi në fjalë (apo kushdo tjetër) të kishte emër të përveçëm në “një datë, një ditë, e cila të ishte dita e përkujtimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri” duhet të hapet dosja e gjykimit të tij, të thirren dëshmitarët e gjyqit për të përgënjeshtruar publikisht ato që kanë thënë dhe të shpallet i pafajshëm ligjërisht. Nuk e di në se këtë gjë do ta bëjë polici që mori plumb në kokë e siç deklaronte disa vite më parë nga Fajzat e Kukësit në mjetet e komunikimit masiv: “Buka e dhënë ma shpëtoi jetën”…
Nuk është vetëm rasti i “një date, një dite… por rastet “ditë për ditë” të lidhjes së dëshmitarëve të rremë me “karrige në pushtet”, rastet e lidhjes së gjykatësve dhe prokurorëve keqpërdorësh të ligjit me “karrige në gjyqësor” që ka kohë që i bëjnë karshillëk shoqërisë.
Hapja e dosjeve të gjyqeve të diktaturës (besoj më të paprekura se dosjet e sigurimit) është hap i madh i pastrimit të shtetit dhe të shoqërisë, i frymëmarrjes me oksigjen të plotë i demokracisë në Shqipëri.
Le ta bëjmë pa hezitim edhe këtë.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 shkurt 2015
NGA PATRIOTËT MË MENDJE NDRITUR QË KA QITË NDONJËHERË KOMBI SHQIPTAR
Nga Frank Shkreli/
Javën e parë të Korrikut pata nderin të merrja pjesë nëpromovimin e librit, “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807-1957, libër ky i botuar në tre vëllime, i studiuesit Ndriçim Kulla. Është ky një botim shumë i dobishëm dhe i rëndësishëm për brezin e tashëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, sepse vëllimet janë një përmbledhje e mendimeve të nja 75 intelektualëve të kombit shqiptar të periudhës që mbulon sepse shumë prej tyre ishin të ndaluar nga regjimi komunist.Vepra e Zotit Kulla është botuar nga Shtëpia Botuese, “Plejad.Është me rëndësi dhe tepër e dobishme botimi i këtyre vëllimeve në këtë kohë, sepse këta intelektualë patriotë, ndërkohë që Shqipëria siguroi kohët e fundit statusin e kandidatit, pothuaj të gjithë dëshmojnë se shqiptarët e kanë vendin aty, në Europë, shpirtërisht dhe gjeografikisht. Të gjitha shkrimet e tyre në gazeta dhe revista të kohës kur jetonin, i përkasin brezave të shqiptarëve që mund të thuhet se ishin të pafat, dhe të cilët megjithë virtytet e tyre të larta patriotike dhe intelektuale, jetuan dhe vuajtën, ndërkohë që shumë prej tyre e pësuan keq, madje edhe me jetë për qëndrimet e tyre, gjatë periudhave historike të cilat qenë orëzeza për kombin shqiptar, siç ishte regjimi brutal komunist i gjysëm shekullit të kaluar. Shumë prej tyre, fatkeqsisht u zhdukën nga regjimi komunist si përfaqsues të mendimit të pavarur dhe si mbështetës të fjalës së lire.Siç mund të shihet nga mendimet e tyre të përfaqësuara në këto vëllime, dhe ndonëse jetuan dhe vepruan në tallazet më të vështira të historisë kombëtare –ata ishin ndër atdhetarët më të spikatur dhe njëkohësishtata ishin në radhët e disa prej mbrojtësve më të dalluar të idealeve dhe të interesave kombëtare të shqiptarëvetë të gjitha kohërave.Ishin këta të cilët promovuan idealet dhe vlerat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që frymëzimi i të cilëve çoi më në fund edhe në pavarësinë e shqiptarëve. Megjithëse shumë prej tyre jetuan dhe vepruan jashtë atdheut, shpesh të ndjekur e të përbuzur, megjithëkëte ata kurrë nuk e ndërprenë veprimtarinë e tyre në të mirën e kombit shqiptar.
Për t’i nderuar si të tillë,si fëner të dijës kombëtare, si burra dhe largpamës që ishin, në promovimin e kësaj enciklopedie mendimesh shqiptare, mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani, përfshirë ndër të tjerë edhe Zotin Bujar Leskaj, Kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, si dhe një numër personalitetetsh të ndryshme nga jeta kulturore dhe akademike, studiues, gazetarë dhe publicistë.
Në fillim të ceremonisë sëpromovimit, Presidenti Nishani vlerësoi veprën tre-vëllimore të studiesit Ndriçim Kulla, si përfaqsuesi më i lartë i shtetit, duke thënë se botimi është ndër më të rëndësishmet e viteve të fundit, i cili për nga rëndësia, “me siguri shënon një gur kilometrik në rrugën e editorisëshqipe”, duke shtuar se, “për herë të parë, në një përmbledhje të shkëlqyer i jepen lexuesit shqiptar në mënyrë të sintetizuar, fragmente të çmuara të 75 intelektualëve të ndritur në të gjitha fazat e jetës disa shekullore të mendimit të inteligjencës së shqiptarëve.”
Telashet historike të kombit shqiptar nuk e lënë atë kurrë rehat, aty në trojet e veta. Duke folur për këtë dhe për kontributin që kanë dhënë intelektualët shqiptarë në mbijetesën e kombit, si dhe për fatin e keq të këtyre breznive të pa fat, Presidenti Nishani theksoi se fati i keq i gjeopolitikës i përplasi gjithmonë në ballafaqime tragjike me perandoritë dhe barbaritë e kohës dhe shtoi se, “Ata nuk patën luksin që të shijonin intervale të gjata lirie e begatie, por dijtën që të ruanin instinktin e mbijetesës, madje edhe në vitet më të errëta”. “Në këtë panoramë të tentativës së përhershme për eliminim kombëtar, duke filluar aty nga fundi i Mesjetës” tha Zoti Nishani,“nisën të ndriçojnë disa yje të rralla mendimi, të cilat artikuluan për herë të parë në shqip vetëdijen e ekzistencës sonë.Ne duhet t’u jemi përherë në jetë mirënjohës Buzukut, Bogdanit, Budit, e të tjerve, që janë pionerët, me të cilët zë fill potenciali shprehës i mendimit shqip”, përfundoi vlerësimin e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Zoti Bujar Nishani.
Këto tre vëllime, siç thotë edhe Profesor Ksenofon Krisafi në vlerësimine tij –studiuesi Ndriçim Kulla, këtyre simboleve të shënjta të mendimit shqiptar u ka ndërtuar, sipas tij, një “muze në kuptimin figurativ të fjalës, në formën e një botimi përmbledhës, kishte trokitur ora që ata, të grupuar në eksponentët e një krestomacie, t’i flisnin njëri-tjetrit dhe të komunikonin kronologjikisht, që lexuesi ta shijonte të plotë mozaikun shumëngjyrësh të mendimit shqiptar në çdo etapë, që kur nisi të kultivohej ai”.
Përfaqsuesit e këtyre mendimeve, ose më mirë të themi testamentet e disa prej më të ndriturve të mendimit shqiptar, sipas tre vëllimeve të “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar 1807-1957” të studiuesit Ndriçim Kulla, janë këta: Gjon Gazulli, Marlin Barleti, Engjëll Mashi, Xhuzepe Krispi, Vincenso Dorsa, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, Sami Frashëri, Shahin Kolonja, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Lazër Shantoja, At Ambroz Malaskaj, Visarion Xhuvani, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, I Përndershmi Fan Stilian Noli, Eqërem bej Vlora, Branko Merxhani, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Krist Maloki, At Xhiuseppe (Zef) Valentini, Profesor Ernest Koliqi, Gaetano Petrotta, Karl Gurakuqi, Jorgji Meksi, Vangjel Kola, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Hafiz Ali Kraja, Ismet Toto, Safet Butka, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Zef Mala, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Donat Kurti, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, At Marian Serdani, Filip Fishta, Profesor Eqrem Çabej, Athanas Gegaj, Ilo Mitkë Qafzezi, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Floqi, Mustafa Kruja, Osman Myderizi, Zef Mark Harapi, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Gazulli, At Bernadin Palaj, Dom Gaspër Gurakuqi, Jakov Milaj, Dom Ndoc Suma, Gjon Kasmi, Mitrush Kuteli, At Justin Rrota, Mati Logoreci, Profesor Martin Camaj, Namik Resuli, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani, ndër të tjerë.
Është kjo një listë që të bën të pyetësh vetveten, se cili do të kishte qenë fati i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve po të kishin mbizotëruar mendimet e këtyre patriotëve. Si do ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre pro-perëndimore? A e humbi luftën ajka e kulturës dhe e mendimit shqiptar që paraqitet në këtë Enciklopedi në krahasim me një ideologji sllavo-aziatike, apo pikëpamjet e tyre janë gjithnjë frymëzuese për brezat e sotëm dhe të ardhëshëm të kombit shqiptar?
Më kujtohet me një rast, kur isha si refugjat në Romë, më 1970, duke biseduar me Profesor Ernest Koliqin mbi humbjen e nacionalizimit shqiptar dhe mbi fitoren e komunistëve në Shqipëri dhe në Europën Lindore, si dhe për fatin me të cilin u përballuan intelektualët e përndjekur siç ishte ai, si rrjedhim i fitores së komunizmit në kontinentin europian. Profesori i nderuar, i cili radhitet me plot të drejtë në listën e mendimtarëve të Enciklopedisë së përgatitur nga Ndriçim Kulla, dhe i cili njihet përveë tjerash për kontributin e tij në hapjen e shkollave të para shqipe anë e mbanë trojeve të kombit shqiptar, tha me optimizëm: Edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbe humbi mbasi habiti botën me luftën dhe fitoret e tija kundër osmanëve. Megjithëkëtë, vepra e heroit kombëtar, tha Profesor Koliqi, nuk u shua.Përkundrazi, shtoi ai, ajo sot e asaj dite vazhdon të lëshojë rreze dritë gjithnjë e më tepër. Kështu, përfundoi ai, humbjet tona do të jenë të përkohshme, pasi mendimet dhe ideologjia e patriotëve të vëretetë do të këthehen përsëri në dobi të atdheut, jetën dhe veprat e tyre, të cilit ata ia kushtuan.
Ndriçim Kulla
Kështu mendon edhe autori i “Enciklopedisë Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1897-1957”, Zoti Ndriçim Kulla, i cili shprehet se kjo përmbledhje e mendimit shqiptar, duhet të ketë kontribuar edhe në “baticën e mendimit demokratik” të 20-viteve të fundit në Shqipëridhe si e tillë, shprehet autori, duke shërbyer si pararëndsja më e denjë dhe më e përpiktë, do të dijë të marrë mendimet shqiptare të pasqyruara në këto vëllime, “të cilat kanë hedhur filiza të shëndetshëm gjatë këryre viteve, për t’i lartuar ato në pemë të mëdha e të patundura, duke u bazuar në udhëheqjen shpirtërore, morale dhe ideore të këtyre shëmbujve të mëdhej….për të ndërtuar një Shqipëri tjetër…të dijës e të përparimit.”
Ky do të ishte nderimi më i madh ndaj këtyre apostujve të kombit që kanë dalur ndonjëherë nga gjiri i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar.I këtyre mendje ndriturve dhe njëherazi edhe kundërshtarëve më të flakët të atyre që donin të shuanin dhe të mohonin traditat më të shëndosha shqiptare. Ndriçim Kulla ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm në panteonin e mendimit shqiptar duke e përmbledhur në një botim të vetëm pasqyrimin e vërtetë të karakteristikave të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha kohërave, duke na kujtuar se na ishte njëherë Shqipëria e vlerave.