• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË ËMËR TË DASHURISË PËR VENDLINDJEN

March 5, 2017 by dgreca

FullSizeRenderNga Fuat MEMELLI/ Para disa ditësh, sinicarë me banim në Korçë,shokë e miq të tyre, u mblodhën në promovimin e librit “Pak dritë në themelet e Sinicës”, me autor Ibrahim Memellin, me profesion mësues. Kishin dëshirë të mësonin si është pasqyruar në faqet e librit, historia e fshatit të tyre të bukur, aty në prehër të maleve , në Devollin e Sipërm.Folën në atë takim dhe vlerësuan përkushtimin e Ibrahimit, sinicarët Stavri Dimashi, Perikli Pano, Marsela Jorgji, etj. Autori i librit, duke falenderuar pjesëmarrësit, theksoi se ishte dashuria për Sinicën dhe sinicarët, ajo që e nxiti per t’u marë me këtë punë të lodhëshme. Veprimtaria u pasqyrua te TV “Korça” dhe TV “Lobi”.

FullSizeRender copyMë në fund, kemi në dorë një libër të plotë për Sinicën dhe sinicarët, fryt i një pune disavjeçare të bashkëfshatarit tonë, Ibrahim Memelli. Është kjo një ngjarje e veçantë, që duhet të na gëzojë. E filloi këtë punë para 7-8 vjetësh por u sëmur dhe e uli pak ritmin. Kërkoi që ta përgatisnim bashkë librin. Në fillim pranova por më pas u largova në Amerikë dhe nuk isha më pranë Sinicës e sinicarëve , të “vilja” të dhëna që kërkonte libri. Më dukej se do t’i hyja padrejtësisht në “pjesë” Ibrahimit duke qënë bashkëautor dhe u tërhoqa. Ai vazhdoi të punojë për barrën që kishte marrë mbi supe, në emër të dashurisë për Sinicën dhe sinicarët. I hyri kësaj pune , pa patur ndonjë mbështetje financiare, siç veprohet në këto raste. Punoi me atë parullën e vjetër: “Me forcat e veta”.unnamed copy 3

Nga Dishnica e Korçës, ku banon prej disa vjetësh, shkoi disa herë në Sinicë, për të “gërmuar” e për të mbledhur copëza të historisë së saj, të lashtësisë, zakoneve e traditave,bujqësisë e blegtorisë, këngëve e valleve , historisë së luftës e të punës ,të burimeve e shkëmbenjve, gjithçkaje të veçantë që ka Sinica jonë. Shkoi në Korçë, Elbasan, Pogradec, Durrës, etj, kudo ku ka sinicarë, për të mbledhur fakte ,dokumenta e fotografi, që kanë të bëjnë me Sinicën e sinicarët. Nuk u tërhoq, edhe kur dikush “nuk ia kishte ngenë të merej me këto punë”. Kontaktoi për këtë qëllim edhe me sinicarë në emigracion si në Amerikë, Greqi, Kanada, Itali, etj. Mblodhi shumë “miell” për të “gatuar” këtë botim. E “siti” disa herë e pastaj e shtroi në “sorfën” e sinicarëve, miqve të tyre e lexuesve të tjerë, për ta “shijuar”. Është një periudhë e gjatë ajo që ka “gërmaur” , që nga lashtësia (afër Sinicës është një vendbanim me emrin Selisht, që i përket shekullit të 7-6 Para Erës së Re) e deri në ditët tona.unnamed copy

Harmonia fetare, një cilësi që spikat në Sinicë mes dy besimeve, të krishterë e myslimanë, është një temë të cilës autroi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, duke e konkretizuar me mjaft fakte. Lidhja me fshatrat fqinë, si Dardhën, Qytezën, Arzën, Mirasin, etj, është një kapitull tjetër , pjesë e këtij libri. Me këto fshatra, e ka bashkuar jo vetëm fqinjësia territoriale, por edhe zakone e tradita të përbashkëta. Sinica, Dardha e Qyteza, kanë mjaft këngë e valle të përbashkëta, siç është ajo e Isuf Arapit, e cila është luajtur në tre këto fshatra. I bashkon edhe xibuni i njëjtë, i cili gjithashtu ka qënë pjesë e veshjes tradicionale të këtyre fshatrave. I ka bashkuar shkolla 7(8) vjeçare e Sinicës, një nga shkollat më të mira në qarkun e Korçës, ku mësonin nxënës nga tre fshatrat. I ka bashkuar edhe puna e përbashkët në një kooperativë.unnamed

Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar autori Kanunores së Shoqërisë Sinicare “Lulëzimi”, hartuar në vitin 1927 nga një grup sinicarësh dhe miratuar nga prefektura e Korçës. Motivi i saj ishte: “Ndihma e birit ndaj vendit të lindjes.” Kjo kanunore, ishte një lloj statuti për fshatin dhe në disa drejtime, ajo ka vlerë aktuale. Figurat e mbi 25 sinicarëve të shquar, që kanë lënë gjurmë me punën e tyre, në Shqipëri e përtej saj, kanë zënë gjithashtu vend në faqet e këtij botimi.unnamed-1

Pjesa e dytë e librit, i kushtohet pemës gjenealogjike të familjeve sinicare. Janë gjithësej 182 familje që autori ka mundur të identifikojë. Ishte kjo një nga punët më të vështira të tij, pasi shumica e familjeve janë larguar nga fshati, disa në qytete të Shqipërisë, e tjerë në emigracion. Ndonjë familje edhe është zhdukur në mjergullën e viteve. Të pakta janë familjet sinicare që e kanë bërë pemën e tyre familjare, pasi kjo kërkon shumë punë. Ibrahimi ynë, mblodhi të dhëna jo për një fis e dy, por për të gjitha familjet sinicare. Vërtet një stërmundim i madh! Duke ditur vështirësitë që kishte kjo punë, mbaj mend që i thashë:” Le ta bëjë vetë çdo familje pemën e vet. Ti vazhdo me pjesët e tjera të librit”. Por, ai nuk më dëgjoi. Dhe bëri mirë. Ja ku kemi tani edhe pemët gjenealogjike të familjeve sinicare. Është kjo një vlerë tjetër e çmuar e këtij libri.

Vërtet vitet e fundit, janë botuar libra të pjesshëm për Sinicën e sinicarët, siç ishte ai i Jorgo Themelit, i Apostol Sterjos (kryesisht familjarë)si dhe libri me kujtime i veteranit, Andrea Themeli, por libri i Ibrahimit, është shumë i plotë. Megjithatë, jo se ky libër ka ezauruar gjithçka për Sinicën e sinicarët. ”Loja “ është e hapur.”Lojtarë” të tjerë , sinicarë apo studjues të ndryshëm, mund ta vazhdojnë këtë punë, duke shtuar një “ruazë” tjetër në “gjerdanin” sinicar. Siç ka thënë një poet:” Në këtë qiell, ka vend për miliarda yje”.

Në emër të dashurisë për Sinicën dhe sinicarët, duhet të vazhdojmë punën në forma të tjera për pasqyrimin e vlerave e traditave të fshatit tonë. Ndërtimi i muzeut të fshatit, një detyrë që na pret. Me kontributin e dhënë nga shumë sinicarë në emigracion e në Shqipëri gjatë vitit 2015, u rikonstruktua çatia e shkollës së vjetër, por kjo është vetëm një pjesë e asaj që duhet bërë. Kontributi duhet të vazhdojë, deri në ndërtimin e plotë të muzeut, ashtu siç bënë dardharët, duke ndërtuar një muze model, jo vetëm për zonën tonë, por për gjithë fshatrat e Shqipërisë. Me një zë të përbashkët, duhet të flasim edhe në pushtetin lokal e atë qëndror, për ndërtimin e rrugës së Sinicës, e cila do t’i japë një frymëmarje të re fshatit. Premtime janë bërë prej shumë vitesh, por, siç thotë populli ”Fjala e mirë e guri në trastë”. Mbase, para zgjedhjeve të këtij viti, do të ketë përsëri premtime dhe kush e di (?!) i vjen rradha edhe kësaj rruge, e cila është ndër të paktat në Devoll që ka mbetur pa regulluar. Bashkia Bilisht ka premtuar të regullojë çatinë e shkollës së re, e cila është dëmtuar qysh në vjeshtën e kaluar. Le të shpresojmë se do ta mbajë fjalën.

Punë të tjera , “të vogla” në dukje por të rëndësishme, mund të bëjmë për Sinicën. Të përgatisim edhe një film dokumentar, të cilin kam dëshirë ta realizoj unë, duke patur edhe ndihmën e sinicarëve. Skenarin e kam gati dhe shpresoj që këtë verë të filloj xhirimet. Po të bashkohemi, mundësitë janë për të bërë shumë gjëra. Dhe shembujt i kemi mes nesh. Ibrahimi punoi disa vjet dhe përgatiti këtë libër. Albert Hysolli, i vetëm harxhoi miliona lek dhe na bëri çezmat e fshatit. Mirënjohje për të dy këta sinicarë! Albert Hysolli, hartoi projektin dhe ndoqi në çdo hap, punën për rikonstruksionin e çatisë së shkollës e më tej për kthimin e saj në muze. Shumë punë mund të bëhen, po ta zgjidhim pak “qesen”, po të afrojmë miq e biznesmenë për të kontribuar, po ta ngremë zërin më shumë edhe në strukturat e pushtetit vendor e qëndror.

Sinica është familja jonë e dytë. Krahas dashurisë e mallit për të, duhet edhe të na dhimbset, pasi ajo i mban sytë nga ne. Le ta ndihmojmë e t’i mbyllim ca plagë. Sinica na thërret . Le ta dëgjojmë zërin e saj! Le ta përtërijmë atë, megjithëse është “plakur e rrudhur” nga largimet. Brezi ynë, fëmijët tanë si dhe pasardhësit e tyre, duhet ta mbajnë ndezur zjarrin e dashurisë për Sinicën, për vendlindjen tonë, djepin që na përkundi.

*Shënime për librin “ Pak dritë në themelet e Sinicës”, me autor Ibrahim Memellin-

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fuat Memelli, Ne emer te Dashurise, PËR VENDLINDJEN, Sinicaret

” N Ë   E M Ë R   T Ë   D A S H U R I S Ë “

February 11, 2016 by dgreca

(Tregim për Shën Valentinin )
NGA SOTIR ATHANASI/
Buqeta me lule qëndronte ende mbi tavolinë. Atë nuk e meritoi as tregimi I fundit që bënte fjalë për sakrificën ditën e Shën Valentinit. Njëzetë kilometra rrugë të përshkuara me këmbë për të takuar të dashurën, u lanë mënjanë e tregimi u rreshtua pranë të tjerave të rëna poshtë si gjethe nga buqeta.  Arsyetimi për t’a vlerësuar ishte jo vetëm llogjik,  por edhe i thjeshtë: Maratonomaku bëri 42 km. e kusur. Vërtet ai shpuri në Athinë lajmin e fitores, por të takosh të dashurën në distancë, mos vallë është më pak triumfuese?
Këtë dëshmi pranuar nga të gjithë, por edhe raskapitjen e  “Maratonomakut-dashnor”, e rrëzoi dikush. Shkaku? Gradiacion I pamjaftueshëm, – tha njëri nga ne që, vazhdimisht metaforat I gjente pranë shishes së rakisë. 
– Sepse të ka ndihmuar hapi I parë që duhet të ketë qënë si I çmëndur, por  veprimi s’qe prej të marri, – tha një I dytë, gjithashtu profesionist në të pirë, por që, kundërtinë e gjërave të dy e nuhasnin dbe dinin t’a argumentonin nga pozicioni I tyre që ua kishte zili çdo mashkull esëll.             Rrëzimi pra, ishte llogjik. Kërkohej e padëgjuara.
Ishim pesë burra dhe të gjithë kishim rrëfyer historitë tona. Secilit nga ne i qe dukur se do të tejshpinte caqet e konturimit në kuotën e buqetës me lule për heroizmin karshi të dashurës së tij.
Kur erdhi ai që do t’a meritonte vërtet këtë trofe-simbol, ( të cilin unë mezi e prisja ), të gjithë, thuajse e harruan shkakun pse ajo orkide zbukuronte dhe ermonte trapezën tonë. Edhe pse  klientela që vinte në lokal do të kthente, mepatjetër kryet nga ne. Zilia e sidomos  lakmia për t’a pasur atë që,  si një fqinjë e dashur për këdo, tundonte gjithkënd.
Se ishte dita e Shën Valentinit dhe kjo ndjehej kudo, sidomos në atë lokal mbushur me rini. Veçse. . .
Dikush madje, i kërkoi një buqetë lule kamarjeres  dhe kur ajo, ngrijti supet e hutuar, ai I tha:
– Të paktën sillna një buzëqeshje t’a vëmë mbi tryezën tonë.  Se është dita e Shën Valentinit.
Por ajo u hutua edhe më shumë për momentin. Kur e kuptoi, u zgërdhi, gjë që nuk kënaqi askënd, aq më pak  klientin. E qeshura e saj ngjante me një trëndafil të zhgaravitur nga shiu e të flakur në rrugë.
Gjithsesi. . . .
Ajo që do të dëgjoni, nuk mund të shpërblehet vetëm me një orkide. Jo. Asnjë kopsht I tërë me lule nuk e përmbush dot këtë rekord të ri e të paarritshëm.
Ne  porositëm birë dhe meze, se të parat I pimë ashtu, thuajse  thatë, ngaqë kamarjeri na kishte sjellë dy pjata mëlçi të përbashkëta.  Kuptohet që njeriu në shërbim u urdhërua të shtonte një racion  edhe për shokun tonë të sapombërritur.
– Është rradha jote të tregosh sakrificën për Shën Valentinin, – I thashë unë
Ai më hodhi një vështrim I befasuar.
– Vërtet s’e keni marrë vesh?
– Jo. Pse? Çfarë duhet të dinim?- bëra të paditurin dhe u bashkova me të tjerët që do të mësonin se ç’kishte ndodhur edhe sepse ai e dinte që Sekuritivi I porsaardhur, ishte baxhanaku im dhe bënte pjesë prej kohësh në shoqërinë tonë, ndonëse i një tjetër profili ai qe.
– Vërtet nuk e dini, apo kërkoni t’ua them unë? – përsëriti pyetjen ai dhe iu drejtua të tjerëve. Kësaj here, mesadukej, kërkonte të bindej që, sekreti nuk kishte dalë nga unë. Dhe nuk u gabua.
Për atë ngjarje, krejtësisht të pazakontë, për të mos thënë të jashtëzakonshme, duhet të fliste vetë i zoti.
Të gjithë ngrijtën supet dhe e siguruan se nuk dinim asgjë të veçantë për të.
– Këtë buqetë me lule do ta shpinit mbi varrin tim në qoftëse ditën e Shën Valentinit të vitit që shkoi, do të qe realizuar kurthi që më ngrijti, ish I burri I asaj që unë dashuroj dhe që do të bëhet së shpejti gruaja ime.
Mënjanë hatërmbetjes pse kishte heshtur një vit të tërë.
Kaq mjafton që të lëmë,  jo vetëm gotat, por edhe mbllaçitjen. Të mprehim veshët e të dëgjojmë.
Gara qëndron ende e hapur për fitoren e orkides . 
Porositë akoma nuk kanë ardhur dhe ne kemi gjithë kohën e mjaftueshme për të dëgjuar historinë.
ishim të ndërgjegjshëm se për emrin e së dashurës, burri I vërtetë, është I heshtur si shkëmbi. Në rastin konkret, edhe pse mund të bëhej përjashtim, ne nuk e kërkonim. Veprimin po.
Këtë atij ne ia kërkonim dhe s’kishte pse t’a mbante të fshehtë.
– Agjensia turistike ku punonte e dashura, ndodhej në katin e shtatë. Kurse, studioja ime e pikturës, siç edhe e dini, është një kat më sipër, por në një psllat dy kuadrate më tyrje.
Për dashurinë tonë, (kështu kujtonim ne )  nuk kishte dijeni njeri tjetër në atë godinë, përveç sekuritivit në hyrje. Edhe ky rastësisht, tek po dilte nga takimi me të dashurën e tij që punonte  në një OJQ-ë, në të njëjtin kat, na pa duke u puthur teksa ajo po më përcillte në ashensor.  Buzëqeshi dhe u largua.
Unë, me ‘të nuk është se kisha ndonjë shoqëri, edhe sepse rastiste ndonjëherë të uleshin në një trapezë, këtu si sot. Kjo më bënte që , gjatë hyrje – daljeve,  nuk ia kurseja përshëndetjet e mirësjelljes me buzëqeshje, si vërsnikë rioshë e tani, si të dashuruar rishtas.
Veçse, më duhet të pohoj që të dyve nuk na pëlqeu kjo. . . , flagrancë, të
tthemi. Se, në fund të fundit e tillë ajo qe.
Sekuritivi e kishte komshie atë dhe fatmirësisht, kur zbrita, ai do të më tregonte, se burri I saj kish një egërsi “të lindur”, do t’a emërtonte ai. Prandaj edhe fqinja ime,  e kishte hedhur dashurinë tek ju, z.piktor, – do të përfundonte fjalinë. 
Sekuritivi, I kishte vënë re  duke u grindur edhe tek zbrisnin nga ashensori. Se e sillte dhe e merrte vetë nga vëndi i punës. Xhelozia e tij e linte ku e ku atë që kemi parë tek Otello.
Të gjitha këto,  nuk është se s’i dija. Mbasi m’i kishte thënë edhe e dashura. Por sidoqoftë, vërtetonin fjalët dhe shkaqet e saj, pse s’mund të vazhdonte jetën me atë njeri. 
– Ji I  kujdesshëm,  por mos iu trëmb, se ai është frikacak dhe, atë që nuk ka guxim të t’a bëjë ty, i zbrazet asaj që ti dashuron.
Kjo  qe porosia e Sekuritivit.
Që kishte dorë, edhe unë e dija. Por, s’mund t’i dilja hapur nga që ai zyrtarisht  ishte i shoqi dhe serioziteti e kërkonte, të zhbëhej si i tillë. Ajo konsiderohej ende grua e martuar pavarësisht se jetonin të ndarë  secili në dhomën e vet, brënda një kulmi.
Kërcënimi se do t’a vriste, po t’a gjente në shoqërinë e dikujt, e tmerronte, me të drejtë, vajzën. ( Se, lavdi Zotit, ende nuk kishin fëmijë ).
Kësaj I trëmbej ajo deri në panik.
Gjyqi do të zhvillohej pas dy ditësh,   dhe unë nuk dëshiroja në asnjë mënyrë, që ajo t’a humbte atë proces të cilin e kishte thuajse të fituar për faj të tij.
Dhe ishim në vigjilje të ditës së Shën Valentinit.
Të nesërmen, unë kisha vajtur aty në kohën e drekës. Në dorë, siç shtë e kuptueshme, mbaja një orkide si kjo që keni vënë këtu mbi tavolinë.
Nuk kishim këmbyer ende mirë përshëndetjet dhe puthjet  e para, kur më bën zile Sekuritivi me të cilin sapo isha ndarë në hyrje, përpara se të merrja ashensorin.
E hapa celularin dhe dëgjoj zërin e tij që folii shkurt, por I alarmuar:
– Avulloju se po vjen nga shkallët  drejt teje!
S’ishte e nevojshme të pyesja se kush. Dihej për kë bëhej fjalë.
Gjëja e parë që më ra në mënd ishte: më paska përgjuar dhe më ka ndjekur nga pas. Xhelozia çfarë nuk bën. S’kishte kohë për fluturime filozofike. Kërkohej shpejtësi, fshehje të provave fluturimthi, nga unë, kërkohej.
Prandaj, së pari rrëmbeva ngutshëm, buqetën e luleve nga tryeza e punës së të  dashurës dhe e vendosa tek ajo  e bashkëpuntores tjetër karshi që, për momentin ishte larguar  me shokun e saj, si gjithë personeli në atë godinë zyrash, si ditë e shënuar që ishte.
Përvoja në shumëkatëshin ku banoj, më kishte bërë që të mbaja çelësin që e hap portën e kafazit të ashensorit kur ai difektohet me njerëz brënda. Nuk duroja dot thirrjet dhe alarmin e banorëve të bashkëmbyllur  në atë kabine metalike. Fakti që gjithë ditën e kaloj në studion time, më bën të dëgjoj, ndonëse jo shpesh,  komplet rastet  difektoze të atij mekanizmi qytetërues.
Angari, por falë asaj përvoje të bezdisshme, gjeta ganxhën e shpëtimit.
Çështja e së dashurës sime me burrin ligjor, zgjidhej nesër dhe rregullohej kështu një gabim biologjik.
Kurse, nderi I saj, me patjetër, duhet të mbrohej sot dhe mbante të pastër e të mbrojtur karakterin e saj moral.
Futa dorën në xhep dhe u sigurova se çelsi I ashensorit, ndodhej aty. Sfida kërkonte çmëndurinë. Unë e pranova atë.
Prandaj, instiktivisht me ngut e një shpajtësi-rrufe,  hapa portën e kafazit të ashensorit dhe u futa brënda. E mbylla atë dhe u kapa në kapriatat metalike. Dija që aty, një ganxhe mund t’i ndryshoje drejtimin që të pengonte ashensorin të ngjitej deri tek unë. E bëra, por a do të funksiononte?
Çështja ime të rrosh, a të mos rrosh, vendosej nga ai çast, menjëherë, aty.
. . . . . . .
Nga ai pus hekurash, shihja makaranë e çelniktë,  tek ulej në njërin krahë dhe kabinën metalike që ngrihej në krahun tjetër. Gjarpri po zbriste poshtë si të të donte të ushqente  përbindëshi I cili po ngjitej lart, drejt meje. 
Zemra  po më rrihte me aq shpejtësi, si të ishte  kthyer në një kundramekanizëm që do të qe në gjëndje të merrte në dorë fatin e jetës sime. Të kryente atë që s’bënin dot as mëndja dhe as krahët e mi. T’a ndalonte atë kosh metalik.
Në një çast, me të dhjetat e sekondit, arsyetova:
mjafton që unë të përqëndroj  shikimin te ajo masë gjigante e cila në një dekikë  të vetëm, m’u duk se nisi rrotullimin mbrapsht. Po.
Ndaloi dhe vetëm atëhere, kraharori im u  mbush me frymë.
Ç’kishte ndodhur? Ndonjë difekt. . . , ?
Apo ishte numurimi kryengulthi I sekondave të jetës sime?
Për një tjetër plasaritje, ( gjithmonë në të dhjetat e mbase qindtat e sekondit ) pashë të gjithë procesin gjyqësor që do të zhvillohej të nesërmen dhe fitorja e të dashurës që mori divorcin për shkak xhelozie dbe jo tradhtisë që mëtonte I shoqi I saj si shkakun e ndarjes.
Dhe, pas kësaj, vërtet ashensori u rinis dbe mua nuk më doli zemra nga kraharori, veçse tani, shpresëmadh te e pandodhura deri më sot e shihja me sy të zgurdulluar që ai të ndalej. Dhe. . .
O Zot i madh, ai u ndali një herë e mirë në katin e gjashtë. Kjo vinte pas dy stacioneve dhe ishte e treta, e vërteta
Frenimi I tij I beftë, çuditërisht më ngjau me hingëllimën e një duzinë kuajsh të stërlodhur,  që tërheqin një karrocë dhe që ndalen njëherësh, për të mos shkelur njeriun që u ka dalë befas përballë. Madje, unë kisha ndjesinë edhe të zmbrapsjes së tyre si shkakun e asaj hingëllime-protestë. Thuhet se kuajt nuk e shkelin kurrë me dëshirën e tyre njeriun. Aq më pak, kur nuk e ndjejnë rrezikshmërinë e tij. Të jetë kjo diçka hyjnore, a si paisje e veçantë për të përballuar të papriturat e jetës? Mundet që t’i ketë paisur Qielli këto qënie të çuditshme edhe me cilësi të tilla huazuar nga njeriu? Apo është zhballancim  që bën natyra për të kompensuar të keqen që mund të detyrohemi të përballojmë nga frymorë
të tillë mostra?
(Ndërhyn autori për të shpjeguar paqartësinë dhe hutimin e Personazhit ):
– Po, miqt e mi. Personazhi ynë, të cilin le ta quajmë Romeo, se dashuria e tij, thuajse një fat të ngjajshëm e një fund tragjik i kishte rezervuar. Është për këtë arsye që, ai me ndërgjeje e priste kështu, t’ia sillte fantazia e tij e trazuar në tru, përfundimin allogjik.
– Thashë unë, – ndërhyri shoku ynë i metaforave me pije. – Vetëm një i çmëndur ngs dashuria, mund të bëjë veprime të tilla. Se dehja nga dashuria, ia kalon të gjitha llojeve të pijeve. Ajo nuk është lëng. E një gjë që s’shtë lëng dhe ti e do, është shpirt që shpirtin tënd kërkon.  Prandaj edhe thuhet për një rioshe tërheqëse:  “ishte e bukur si shpirt”, QËNIA”! Dhe kur ky  shpirt të do siç edhe ti e do, atëhere vjen dehja. Pas saj dashuria,  hyn në garë me çmëndurinë.  Në finale asgjë s’mund të parashikohet.
– E vërteta, miqt e mi – nisi sërish autori, – ishte krejt ndryshe. Dhe ja sepse:
Otello ( le t’a quajmë kështu personazhin tjetër, xhelozin tonë, si mbeturinë e së shkuarës ),
– Atavist,  – ndërhyri e tha dikush,
Otello pra, nuk kishte marrë thikë me vete.:Se atë ia kishte lënë adashit të tij me ngjyrë, por trim.
Otellua  ynë, kishte dinakërinë e Odisesë. Prandaj, hapat e tij, tejet të vrullshme, frenuan te portat e përgjimit.
Aty nis e merr flatra dinakëria e Odisesë. Sapo qe njohur me metodën e nxjerrjes se njerëzve nga ashensori, që praktikonte ky piktor humanist. Si pasojë, mëndja e tij kishte përpunuar likuidimin e kundërshtarit duke përdorur, pikërisht aftësinë e tij shpëtuese.
Diallëzia përherë ka bashkëudhëtuar me mirësinë   në mos për t’a zhbërë, të paktën për t’a baltosur atë, të cilën e quante marrëzi.
– Akoma s’ka lënë, bashkë me shpirtin edhe kockat, pranë asaj që dashuron? – kishte thënë ai me vete dhe e mori ashensorin në katin e dytë. U nis nga shkallët, për t’a rimarrë në të katërtin dhe të gjashtin. Aty, I mbushur me vetësiguri për çfarë do të bënte, mori shkallët për në të shtatin. Ku ishte edhe vëndi I ekzekutimit.
Kur vajti në zyrën e gruas së tij në dorë mbante tufën me lule, përzgjedhja e së cilës i përkiste buqetave që shpien në funerale. Në fytyrë,  kishte maskën e shpërfillësit për atë që pritej të ndodhte, përzier me një buzëqeshje deri në skaj të shtirjes.
– Je gati e dashur? – I tha ai dhe I dha  tufën e luleve.
Ironia e atij shikimi përkthehej në fjalët: “Ke kuriozitetin të shikosh fundin, a budallallëkun e bandillit tënd?
Jargavitja në të folur dhe shtirja si ëmbëlsi, tek ajo përkthehej në ftesë për ekzekutim.
Shpirti I saj, atë sekondë Iu përgjigj:
“Po. Jam gati vetëm të më hiqesh sysh”. Por u përmbajt.
Tjetri s’qe I denjë as për ‘to. Prandaj, e zbehtë në fytyrë e mori
buqetën dhe si  e hodhi në koshin e mbeturinave shkresore i tha:
– Pse erdhe që sot, apo nuk të durohet deri nesër ku do të shihemi në gjyq?
Atij nuk I bëri përshtypje ky refuzim, ose u shtir si I tillë, se mepadurim priste t’i thoshte tjetër gjë.
– Bashk për kësi punësh kam ardhë.  Me të dhanë shkresën e Xhyqit për mos me mungue. Se e di se ti je ADALET femre dhe s’pyet as për asni  xhyqsh.
( Ndërhyn sërish autori për të spjeguar gjuhën e tipit ) :
– Miqt e mi. Në arsyetimet e këtij personazhi mos u çuditni kur shihni karakteristikat e një të dehuri. Jo. Është normal dhe ka gjuhën e tyre që, të diktuar nga rakia, kur duan të thonë ALAMET, për një femër, gjuha e tyre shkon si metatezë e thonë “ADALET femre”.
– Faleminderit, – tha ajo.- por s’ishte aspak e nevojshme se ma solli posta dhe unë mezi pres të të shoh nesër, në atë XHYQSH ( e talli ajo të folurën e tij ) .
Ai vazhdimisht me atë panatyrshmërinë e tij të pasuksesshme kërkonte të fshihte, por edhe të kapardisej me kurthin e ngrijtur fshehtësisht dhe sidomos djallëzisht, për të pangjarën deri tani.
– Marrim ashensorin dhe aty kam me t’a rrëfye NJI SURPRAIZË.
Ajo qeshi me sarkazëm e saj, tejet therëse.
“Do të më mburret, mbase me krimin e përgatitur”,- mendoi ato çaste dhe bashkë me dridhjen e zemrës ndjeu edhe një urrejtje e bindje të re në drejtësinë e vendimit të saj për ndarje. Përbuzja pranë kësaj pretenca qëndonte, neveria gjithashtu.
– Dhe, miqt e mi, ( u ngut të marri fjalën autori e të jepte një shpjegim më lehtësues për atë që do të ndodhte më pas ).
Otello iu drejtua ashensorit e madje shtypi edhe butonin e tij, që ai të vinte nga kati i gjashtë, si armën vrasëse nga qelia.
Asaj më shumë I klithi zemra, se sa zëri ndonëse me të gjithë fuqinë e shpirtit u mundua t’a lëshojë. Se për ‘të, mbërrijta e ashensorit në atë kat, qe baraz me zhbërjen e të dashurit, me humbjen e tij, me vdekjen e saj.
– Jo! Jo të thashë! – qe thirrja me sa kishte në kokë. – Do të ngjitem me këmbë në . . ., atë  GJYQIN E MADH.
Dhe u kthye në zyrë. Nuk arriti t’a mbylli portën, që mbeti për gjysëm hapur.
Mëndjen e kishte te bisturia me të cilën do të priste damarët e  dorës dhe do të shtrihej menjëherë në dysheme. Gjaku nuk e mbajti më në këmbë.
Qe e sigurtë se nuk do  të dëgjonte ulërimën e të dashurit të saj kur t’a zinte si në çark ajo masë e hekurt. Prandaj, parapëlqeu një fund të tillë, të butë për vete.
Nga dritareza e portës së ashensorit dukej koridori i gjatë që ishte gjysëm I ndriçuar, si zakonisht.
Tani isha I bindur se një kat më poshtë tij, qëndronte i pa lëvizur, ashensori, – do të shpjegonte Romeo.
Mrekullia ndodhi. Ajo nuk ishte e ujqërve, siç kemi dëgjuar të ketë ngjarë një, a dy shekulj më parë për të shpëtuar  nga “ujqërit e bardhë”  një zonjë të vërtetë aristokrate.
Romeo jonë pas asaj britma të së dashurës së tij, në vënd që t’i gëzohej kësaj mrekullie, shqetësohet dhe mundohet të shohi nga dritarja pas atij kafazi ku burgosi vetveten.
Vështrimin  atje e kishte  mbajtur gjatë gjithë kohës dhe nuk kuptonte ç’kishte ngjarë.
  I shqetësuar për  Zhuljetën ( le t’a pagëzojmë me këtë emër që I përafron fati I saj ),   Romeo, pas asaj thirrje, që po ia dëgjonte më zërin aq të ëmbël të së dashurës, hapi menjëherë kafazin dhe kur doli jashtë, përplasi portën që u  mbyll me rrapëllëmë.
Ndërkaq, mbërrijti Sekuritivi
Të dy u turrën menjëherë brënda zyrës ku panë Zhuljetën e shtrirë
në dysheme. Gjaku I kishte bërë një njollë të madhe mbi pantallona nga dora që s’rreshtte të rridhte dhe që ajo e kishte vënë mbi këmbë. 
Pranë, burri I saj ligjor me përhumbjen e një dudumi.
Ai nuk ngjante gjithaq me një kriminel. Mbase me një gabim biologjik ai shëmbëllente. Dhe juridiksioni nuk e dimë nëse ka ligje për raste të tilla.
Fytyra e tij e zbehtë si meit, nuk shprehte asgjë, edhe pse qe motivi I një krimi.
Romeo me një lëvizje të shpejtë, mënjanoi dudumin dhe ndërsa hoqi nxitimthi këmishën, e shqeu atë me dhëmbë siç do të dëshironte të bënte  me shkaktarin e kësaj drame dhe I lidhi dorën ëndrrës së tij të nëpërkëmbur. Trëndafilit të zhgaravitur në shi!
Kur u sigurua se pulsi në dorën tjetër punonte  mirë,
e mori Zhuljetën  përpara krahëve të tij  për të zbritur nga shkallët.
Por, s’qe e domosdoshme. Sekuritivi qe lëshuar prej tyre rrufe dhe qe rikthyer  në  katin e shtatë me ashensor.
Kuptohet nga lexuesi ynë I vëmëndshëm se: nuk kishte ndodhur asnjë mrekulli.
Heroi në këtë mes ishte Sekuritivi. Ai e kishte ndjekur rrugën e Otellos me dinakërinë e Odisesë, por me një qëllim tejet human. Ai kishte kujdes që ashensori të mos e kalonte katin e gjashtë. Në këtë pikë, ai uli automatin e siguresave, të cilin e ngrijti kur zbriti poshtë dhe mundi të vijë sërish në katin e shtatë.
Romeo me Zhuljetën përpara duarve, bashkë me Sekutivin u futën në ashensor.
Edhe natyra bën gabime. Burri biollogjik ishte një shëmbëll i gjallë. Ai mbeti përjashta dhe mori shkallët e zbritjes.
Shtatë kate nuk janë shumë. Se mund të ishin edhe shtatëdhjetë e shtatë.
Buqetën e luleve ne menduam se i takonte jo vetëm Romeos, por sidomos  Zhuljetës, të cilën pas kësaj, dëshironim t’a njihnim dhe t’a bënim pjestare të trapezës sonë krijuese, që nuk ka financë më shumë se një orkidë si shpërblim. Prandaj ia dhamë Romeos me kushtin që t’ia shpinte Zhuljetës
Kurse Sekuritivit, i takonte fjongua e saj.
Tek e fundit, detyrën e mbrojtësit të jetëve njerëzore ai ka. Dhe atë, ai bëri shkëlqyeshëm.
Athinë, 7 Shkurt, 2016!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ne emer te Dashurise, Sotir Athanasi, Tregim

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT