• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROLI I MEDIAS NË FUSHATËN ELEKTORALE

May 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Disa ditë më pare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pati një takim me përfaqësues të medias shqiptare gjatë të cilit udhëheqsi shqiptar vlerësoi si të pazëvendësueshëm rolin e medias në zhvillimet demokratike të vendit dhe theksoi “kontributin parësor”, të medias në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Roli i medias është gjithmonë aktual, por siç u tha edhe presidenti Nishani përfaqësuesve të medias shqiptare javën që kaloi, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm gjatë fushatës së zgjedhjeve, ndërsa zgjedhësit presin nga media që të informojë publikun mbi politikën, fushatën dhe zgjedhjet, në mënyrë objektive dhe të paanshme. Detyra, dhe në të vërtetë arsyeja se pse ekziston shtypi ose media e lirë sidomos gjatë një fushate elektorale është që t’i japë publicitet fushatës dhe zgjedhjeve demokratike, duke u komunikuar zgjedhësve çështjet me rëndësi me të cilat përballet vendi dhe për të cilat duhet të interesohen votuesit, nëqoftse dëshirojnë të jenë të mirë-informuar se në favor të cilti kandidat ose parti të hedhin votën e tyre.    Nuk është roli i medias që të bindë ose të influencojë votuesit se si ata duhet të votojnë, por kontributi i saj jetik është, që të furnizojë qytetarët me informacione të sakta dhe të paanshme në lidhje me progamin e partive, mbi qendrimet politike të kandidatëve, si edhe mbi vetë procesin elektoral, me qëllim që votuesi në bazë të këtij informacioni — të marrë vet vendimin më të mirë që është i mundur se për cilin kandidat ose parti të votojë.   Në asnjë vend nuk mund të ketë zgjedhje të lira, pa një media të lirë, etike dhe të pavarur.

Natyrisht, se në çdo vend qeveria, opozita dhe përfaqsuesit e tyre, gjithmonë përpiqen të përdorin median për qëllimet e veta, por media duhet të japë kontributin e vet duke luajtur rolin jetësor në përcaktimin e agjendës politike duke theksuar dhe duke u përqendruar jo vetëm në çështjet për të cilat janë të interesuara partitë dhe kandidatët e tyre, por duhet të përpiqet që të influencojë debatin publik mbi çështje për të cilat është i interesuar edhe publiku në shkallë vendore dhe kombëtare.  Shtypi është, si të thuash, mbikqyrës i zhvillimeve politike, dhe nëqoftse e luan këtë rol në mënyrë të ndershme dhe të paanshme, media mund të jetë një forcë pozitive në informimin mbi zhvillimet e vendit dhe të kombit dhe në përgjithësi mund të krijojë një atmosferë më të pranueshme dhe më të njerzishme në marrëdhënjet midis forcave politike dhe  njëkohësisht edhe midis votuesve dhe elitës politike, ashtu që populli të jetë në gjëndje të kuptojë më mirë jo vetëm të drejtat e tij, por edhe që informacioni i paanshëm dhe objektiv ta aftësojë votuesin të marrë vendimin e duhur dhe të mirë-informuar.   Roli i medias është mbi të gjitha roli i saj si burim informacioni, por gjithashtu duhet të luaj edhe rolin e edukuesit.   Në këtë fazë të fushatës zgjedhore, media duhet të angazhohet në edukimin dhe në informimin e votuesit, për procesin zgjedhor dhe për programet  dhe qendrimet e partive dhe kandidatëve mbi çështjet me rëndësi të vendit.

Ky është një rol kryesor i medias!   Rol i pazëvëndsueshëm për funksionimin normal të një vendi demokratik, me përgjegjësi politike dhe shoqërore, por mbi të gjitha përgjegjësi kombëtare.   Mediat e kontrolluara nga partitë politike, nga individë ose grupe të lidhura ngushtë me interesat e partive politike, nuk ushtrojnë këtë përgjegjësi në interes të votuesit as në interesin kombëtar, por vetëm e vetëm në interesin e sponsorizuesit.   E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mediat nën kontrollin e shtetit, të cilat duhet  që të sigurojnë mbulimin e të gjitha palëve në mënyrë të barabartë duke pasur si parim pluralizmin dhe objektivitetin, që duhet të ketë një ent mediatik i cili financohet nga fondet publike.

Respektimi ose jo i lirisë së fjalës dhe të shtypit, jo vetëm gjatë fushatës së zgjedhjeve por edhe në përgjithësi, është një kusht paraprak i një demokracie funksionale, por edhe jë tregues i respektimit ose jo të lirisë së të shprehurit në përgjithësi. Autoritetet kanë përgjëgjsinë morale dhe kombëtare që të respektojnë dhe të inkurarojnë zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura, ndërkohë që organet mediatike, nga ana e tyre, kanë përgjegjësinë e vet për të mbështetur proceset demokratike nepërmjet mbulimit objektiv dhe të paanashëm të  fushatës së zgjedhjeve dhe jo nepërmjet interesash të ngushta partiake, individësh ose grupesh politike, që normalisht nuk kanë të mirën e përbashkët si objektiv të veprimtarisë së tyre por interesat e ngushta e të përkohëshme politike ose ekonomike të tyre.   Ato media mund të jenë të lira por nuk janë të pavarura dhe rrjedhimisht nuk janë as objektive as të paanshme në punën e tyre, karakteristika këto të një shtypi të lire e të pavarur.   Media e pavarur, objektive dhe e paanshme është një e drejtë e qytetarit për të qenë i informuar.

Në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara mbi lirinë e të shprehurit thuhet se, ”Monopolizimi ose përqendrimi i enteve të mediave në duar të një grupi të vogël duhet të mënjanohet në interes të zhvillimit të një pluralizmi pikëpamjesh dhe zërash të ndryshëm.”    Në raportin e fundit organizata Freedom House, tha në lidhje me pavarësinë e medias në Shqipëri,  se “Liria e të shprehurit, në përgjithësi, respektohet në Shqipëri, por përparimi drejtë rritjes së pavarësisë dhe profesionalizmit gazetaresk ka ngecur në vend numëro.”

Legjislacioni shqiptar për zgjedhjet detyron median shtetërore dhe private që të furnizojë shqiptarët me lajme dhe informacion objektiv dhe të paanshëm, të plotë dhe të saktë, në përputhje me parimet e pluralizmit në shpërndarjen e informacionit.    Ligji kërkon gjithashtu që entet mediatike të mbulojnë, në mënyrë të balancuar, të gjithë kandidatët dhe partitë pa dallim.   Në një raport parazgjedhor që bëri në Shqipëri, Marsin që kaloi një delegacion amerikan i Institutit Kombëtar Demokrat (NDI) u bëhet thirrje, “Pronarve të medias, redaktorëve dhe gazetarëve që të marrin masa konkrete mbrenda organizatave të tyre që të zbatojnë (ligjin) dhe të mbrojnë parimet e lirisë dhe të integritetit gazetaresk….”

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se megjithëse Shqipëria nuk është një rast i izoluar që ka nevojë për një media të fortë dhe të pavarur — në një deklaratë për shtyp me këtë rast, ai shtoi se shpreson që, “Kuvendi i Shqipërisë, entet mediatike dhe gazetarët si individë, do të shkojnë përpara me përpjekje të përbashkëta, për të ndërmarrë bërjen e ndryshimeve të nevojshme, të cilat do të avancojnë lirinë e medias në Shqipëri.    E ardhmja e meritueshme e Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet nga një medie e fortë dhe e pavarur”, nënvijoi ai.

Në një demokraci të vërtetë, të gjitha opinionet duhet të kenë mundësi të shpalosen dhe të dëgjohen.   Një gazetë ose një media e çfardo lloji qoftë, elektronike ose e shkruar, që ushtron një gazetari objektive, të paanshme dhe profesionale të një cilësie të lartë, do të tërheq një numër të madh lexuesish dhe shikuesish.   Nga ana tjetër, çdo udhëheqës i përgjegjëshëm si përfaqsues i shtetit duhet të dëgjojë hallet e popullit, nepërmjet medias, e cila duhet të informojë qytetarët në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Konferenca e thirrur nga Presidenti Bujar Nishani, me përfaqsues të shtypit dhe medias javën që kaloi, është një nismë që duhet përkrahur dhe duhet të bëhet shembull dhe faktor i zakonshëm në marrëdhënjet midis udhëheqësve të lartë të shtetit dhe të qeverisë, me përfaqsues të medias.Askujtë nuk i pëlqejnë kritikat për ato që mund të shikohen si të meta ose dështime, por një përfaqsues i popullit është i detyruar të dëgjoj hallet dhe problemet me të cilat përballen qytetarët dhe media e ka për detyrë morale dhe profesionale të informojë qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme, duke u bazuar në standardet më të larta etike të gazetarisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, ne fushaten elektorale, Presidenti Bujar Nishani, roli i medias

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT