• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja në ikje: Kosovës i duhet kurajë për ndryshim…

April 6, 2016 by dgreca

Jahjaga: Kosovës  i  duhet  ndryshim – dhe  kurajë,  vullneti  dhe  në  veçanti  guximi  për  ta  bërë  këtë  ndryshim  duhet  të  vijë  nga  ju.  Duhet  të  vijë  tani./

Fjalimi i Presidentes Jahjaga para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës/

Ju  falënderoj  për  pjesëmarrjen  tuaj  në  këtë  ngjarje  sot,  me  të  cilën  njëkohësisht  përmbylli  mandatin  tim  pesë vjeçar  si  Presidente  e  Republikës  së  Kosovës.Jam  këtu  me  ju,  sepse  jam  e  bindur  që  çelësi  i  suksesit  tonë  si  shtet  dhe  ndryshimi  i  domosdoshëm  për  ta  rimëkëmbur  Kosovën  është  në  duart  tuaja.  Të  kësaj  gjenerate  të  ulur  këtu  dhe  moshatarëve  tuaj  në  qytetet  e  tjera  dhe  fshatrat  e  Kosovës  që  janë  në  kërkim  të  një  Kosove  që  përmbush  vizionin  për  të  cilin  prindërit,  e  madje  edhe  gjyshërit  tuaj,  kanë  bërë  sakrifica  të  jashtëzakonshme.Ju  e  dini  mirë  se  cilat  kanë  qenë  ato  sakrifica.  Shumë  prej  tyre  që  në  rini  të  hershme  janë  detyruar  të  braktisin  shkollën  për  shkak  të  kushteve  që  familjeve  kosovare  u  kanë  siguruar  vetëm  mbijetesë.

Shumica  e  prindërve  tuaj  kanë  braktisur  karriera  premtuese  për  t’iu  bashkangjitur  rezistencës  paqësore  në  përpjekje  mbinjerëzore  që  të  mos  nënshtrohen,  që  ta  realizojnë  lirinë  me  çdo  kusht  dhe  nën  çdo  rrethanë. Që  fëmijët  e  tyre  të  mos  e  ndajnë  të  njëjtin  fat  e  të  jetuarit  nën  represion,  të  ndrydhur,  të  pabarabartë.  Që  ata  të  mos  e  bartin  të  njëjtën  barrë  për  të  bërë  sakrifica  vetëflijuese,  por  që  më  në  fund  të  ndërprejnë  ciklin  e  padurueshëm  të  dhunës.

Një  pjesë  e  familjeve  tuaja  janë  persekutuar,  janë  dëbuar,  janë  përndjekur,  dhe  janë  vrarë  në  luftë  që  ne  sot  të  ecim  këtyre  korridoreve  të  Universitetit  të  Prishtinës,  që  të  jemi  të  lire  ta  kërkojmë  dijen  dhe  ta  hapim  mendjen  për  të  realizuar  potencialin  tonë  njerëzor.

Që  ne  sot  të  ndërtojmë  institucione  shtetërore.   Që  të  bëjmë  jetë  të  dinjitetshme.  Që  ta  ndërtojmë  Kosovën  e  qëndrueshme.Kërkoj  nga  ju  që  çdo  ditë,  derisa  niseni  për  në  ligjërata  apo  për  të  përgatitur  provimet  në  bibliotekë,  të  kujtoni  këtë  sakrificë,  sepse  vetëm  atëherë  do  ta  kuptojmë  dhe  do  ta  kemi  të  qartë  se  çfarë  çmimi  të  lartë  ka  kjo  liri  e  jonë. Aq  çmimi  të  lartë , sa  që  kurrë  lirinë  të  mos  e  kuptojmë  lehtësisht,  por  që  të  kuptojmë  që  mbi  supet  tona  kemi  një  mision  të  vlefshëm:  që  Kosovën  ta  bëjmë  vend  më  të  mirë.

Në  këto  pesë  vite,  gjatë  të  cilave  kam  pasur  nderin  dhe  privilegjin  të  jem  Presidentja  juaj,  i  kam  parë  nga  afër  disa  fytyra  të  Kosovës. E  kam  parë  një  Kosovë  ende  të  pashëruar,  thellësisht  të  trazuar  nga  plagët  e  një  represioni  të  gjatë  dhe  lufte  të  pamëshirshme.  Të  lodhur  nga  përplasjet,  të  vuajtur,  të  etur  për  drejtësi. E  kam  parë  një  shoqëri  shpesh  të  demoralizuar,  të  hutuar  se  cilat  janë  vlerat  dhe  parimet  shtyllë  mbi  të  cilat  mbështetet  shoqëria  dhe  shteti  ynë.  Të  mëdyshur  se  cilat  çështje  duhet  të  na  bashkojnë,  ku  mund  të  gjejmë  gjuhë  të  përbashkët.

Herë-herë  e  kam  parë një  Kosovë  pesimiste  që  dyshon  që  kemi  vullnet  e  forcë  që  t’i  ndërtojmë  dhe  t’i mbrojmë  idealet  që  duhet  të  na  mobilizojnë  në  ndërtim  të  shtetit  tonë,  që  të  jenë  busullë  e  veprimeve  tona  të  përveçme  dhe  të  përbashkëta  çdo  ditë.

Është  e  vërtetë  se  kam  parë  një  shoqëri  që  po  e  humb durimin  dhe  besimin  në  një  klasë  politike  të  pavëmendshme  që  mund  t’i  përfaqësojë  interesat  e  tyre  dhe  t’iu  sigurojë  një  jetë  më  të  mirë.

Fatkeqësisht  –  dhe  këtë  e  them  me  zemër  të  rënduar  –  e  kam  parë  edhe  një  Kosovë  ku  një  pjesë  e  qytetarëve  të  saj  duan  të  marrin  rrugë  të  pakthim,  të  lodhur  dhe  të  dëshpëruar  nga  premtimi  se  një  ditë  do  të  bëhet  më  mirë.Por,  gjatë  këtyre  pesë  viteve  e  kam  parë  edhe  një  Kosovë  të  jashtëzakonshme  që  jeton  thellë  në  shpirtin  e  qytetarëve  të  saj.

Një  Kosovë  në  të  cilën  me  të  vërtetë  është  më  mire  duke  ju  falënderuar  vullnetit  të  njerëzve  të  saj  për  të  ecur  përpara, për  ta  përqafuar  të  ardhmen  me  optimizëm  dhe  për  të  reflektuar  me  entuziazëm  mbi  këtë  moment  të  rrallë  historik  që  kemi  fatin  ta  jetojmë.

E  kam  parë  një  vend  të  rrethuar  nga  qytetarët  e  vet  me  dashuri  përrallore,  me  një  aurë  frymëzuese,  ku  njerëzit  jo  vetëm  që  janë  të  vendosur  të  jetojnë  por  janë  dhe  këmbëngulës  për  të  realizuar  ambicien  e  tyre  sipërmarrëse,  ku  qytetarët  solidarizohen  me njëri-tjetrin, ku e ndajnë bukën dhe kripën, të mirën e të keqen.

Të  rinj që  me  kreativitet,  pa  shumë  zhurmë,  me  dije  dhe  talent  po  i  thyejnë  kufizimet  e  vëna  pamëshirshëm  përreth  tyre.Një  shoqëri  të  pazbrapsur,  të  pathyer  në  përcaktimin  e  saj  për  t’i  përqafuar  të  gjithë.  Të  vendosur  për  të  ndërtuar,  për  t’u  rimëkëmbur,  për  të  shikuar  përpara.

Dhe  e  kam  parë  një  Kosovë  që  më  jep  më  së  shumti  shpresë.

Ngadalë  por  sigurt  po  e  shoh  të  ngrihet  dhe  të forcohet  një  shoqëri  e  gatshme  për  të  refuzuar  të  keqen  në  çdo  formë  që  ajo shfaqet: që  është  e  zëshme  ndaj  abuzimit  dhe  padrejtësisë,  që  ka  filluar  të  mos  e   toleroj  klientelizmin,  që  do  ta  refuzojë  nepotizmin,  që  do  të  jetë  e  pamëshirshme  ndaj  atyre  që  keqpërdorin  dhe  mbajnë  peng zhvillimin  e  saj.

Një  Kosovë  që  i  kupton  drejt   sfidat  që  i  ka  përpara  e  që  shtrihen  prej  konsolidimit  të  brendshëm  të  demokracisë  dhe  vendosjes  së  pakompromis  të  rendit  dhe  ligjit –  edhe  ndaj  “të  fortëve” –  e  deri  te   anëtarësimi  në  OKB-në  në  një  klimë  jashtëzakonisht  polarizuese  globale.

E  dimë  që  për  t’u  përballur  me  këto  sfida  duhet  shumë  –  shumë –  angazhim  dhe  që  kjo  Kosovë  që  e  synojmë  nuk  bëhet  brenda  natës,  sepse  problemet  tona  nuk  kërkojnë  zgjidhje  të  shpejta.

Nuk  mund  të  kemi  zgjidhje  afatshkurta  për  ekonominë  e  pazhvilluar,  për  papunësinë  e  lartë,  për  shëndetësinë  në  reanimacion  dhe  arsimimin  që  nuk  u  përgjigjet  kërkesave  të  tregut  e  të  kohës.

Kjo  është  Kosova  që  ka  gjetur  zërin  e  saj  dhe  guximin  të  kërkojë  trajtim  të  barabartë,  të  kontribuojë  me  zgjidhje  dhe  të  vazhdojë  ta  meriton  vendin  që  e  ka  fituar  në  tavolinë.

Një  vend  që  ka  filluar  ta  marrë  veten  seriozisht.  I  palëkundur  dhe  pa  dilema  për  rreshtimin  e  tij në  anën  e  drejtë  të  historisë,  i  bindur  dhe  krenar me  atë  që  përfaqëson  dhe  përjetësisht  falënderues  ndaj  Shteteve  të  Bashkuara  të  Amerikës  dhe  shteteve  aleate  evropiane  për  besimin  e  tyre  në  këtë  shoqëri  dhe  këta  njerëz  për  ta  realizuar  këtë  vizion.

Kosovës  i  duhet  ndryshim – dhe  kurajë,  vullneti  dhe  në  veçanti  guximi  për  ta  bërë  këtë  ndryshim  duhet  të  vijë  nga  ju.  Duhet  të  vijë  tani.

Para  nesh  ka  shumë  sfida  dhe  asnjëra  nuk  është  e  lehtë,  prandaj  nuk  kemi  margjinë  për  gabuar  e  as  hapësirë  për  hamendje.  Praktikave  të  shëmtuara  të  sotme  që  janë  përvjedhur  pothuaj  në  secilin  institucion  dhe  në  secilën  sferë  të  jetës  duhet  t’u  japim  fund.

Duhet  t’i  kthejmë  punët  për  së  mbari  në  Kosovë.  Është  koha  e  fundit  që  shteti  ynë  të  bëhet  vend  i  denjë  për  të  jetuar,  me  mobilitet  ekonomik  dhe  politik  që  do  të  jetë  i  mundur  vetëm  kur  sundon  rendi  dhe  ligji  dhe  kur  para  tij  të  jemi  të  barabartë  të  gjithë. Dy  virtyte  na  kanë  karakterizuar  në  këto  dekada  të  rënda  për  familjet  tona:  guximi  dhe  vendosmëria  për  të  ndryshuar  kahun  e  historisë  tonë.  Dhe  ja  sot  falë  kësaj  qëndrueshmërie  të  pashoq  jetojmë  në  shtetin  tonë  të  pavarur. Sot  na  duhet  një  masë  kritike,  të  cilën  besoj  thellësisht  që  njerëzit  e  mirë  të  këtij  vendi  po  e  ndërtojnë,  vullneti  i  të  cilës  për  ta  çuar  Kosovën  në  cakun  e  radhës  do  të  jetë  i  pandalshëm.Kurrë  nuk  duhet  të  rreshtim  së  punuari  që  ta  shohim  këtë  vizion  të  realizuar.

Dhe  tash  në  fund,  më  lejoni  që  të  shpreh  falënderimet  e  mia  për  qytetarët  e  Kosovës,  që  më  kanë  frymëzuar  me  qëndresën  dhe  besimin  në  misionin  e  tyre  për  të  ndërtuar  Kosovën.

Më lejoni që nga kjo foltore të falënderoj familjen time për mbështetjen e pakursyer përgjatë gjithë mandatit. Prindërve të mi të devotshëm dhe bashkëshortit tim Astritit që ishin shtylla ime.

Dua ta falënderoj edhe stafin tim, këshilltaret e mi besnikë që dhanë gjithçka prej vetes, të cilët më ndihmuan në këtë periudhë kritike. Në punën dhe pasionin me të cilin i kryen përgjegjësitë e tyre pashë përkushtimin që qytetarët e Kosovës e kanë për vendin e tyre.Ka qenë nder dhe privilegj të jem Presidentja juaj. Ju përkulem përjetësisht!
Ju faleminderit!

Filed Under: Editorial Tagged With: kurajë, ne ikje: Kosovës i duhet, për ndryshim ?, Presidentja e Kosoves

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT