Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë forca të specializuara në Irak me synimin për të rritur presionin ndaj militantëve të Shtetit Islamik, sigurisht duke ndihmuar Irakun, ndërkohë që do të kenë mundësi të kryejnë edhe operacione të njëanshme edhe në Siri. Lajmi është bërë i ditur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë kësaj të marte, i cili ka folur gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, në Uashington. “Në bashkëpunim të plotë me qeverinë e Irakut, ne do të dërgojmë një ekspeditë të specializuar forcash shënjestruese, për të ndihmuar forcat irakene dhe ato kurde, të njohur si ‘Peshmerga’, ndërkohë që gjatë këtij misioni do të mund të kryejnë bastisje, të çlirojnë pengje, të mbledhin të dhëna për agjencitë e kundërzbulimit, si dhe të kapin krerët e ISIS”, tha Carter.
Shteti Islamik ka zaptuar territore të mëdha në Irak dhe Siri gjatë verës së vitit 2014. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe me pjesëmarrjen e 65 vendeve të tjera ka zhvilluar një fushatë sulmesh ajrore kundër xhihadistëve në të dy shtetet, Irak e Siri.
Shkodër- Kisha katolike, meshë lutje për paqe në Irak
Nga Gasper MARKU/
SHKODËR, 17 Gusht/ – Kisha Katolike e Shkodrës organizoi paraditen e së dieles një meshë solemne ku duke reaguar ndaj akteve kriminale që po ndodhin kundër besimeve fetare në luftën e Irakut, u ka kërkuar besimtarëve të luten për paqe. Gjatë predikimit që Arqipezhgvi Metropolitan i Dioqezes Shkodër Pult, Angelo Masafra, njëherazi edhe në cilësinë e kryetarit të Konferences Ipezhgvnore të Shqipërisë, bëri përpara besimtarëve të shumtë katolike në katedralen “Shën Shtjefni” të qytetit, duke folur për luften në Irak, dënoi aktet kriminale, që sipas tij, nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve fetare. Me këtë rast, ai i kërkoi besimtarëve, që të gjithë të bashkuar të luten dhe të jenë solidare me Kishën në Irak, për rikthimin e paqes dhe për respektim të të drejtave njerëzore dhe që njerëzit me fe të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe.
Më herët, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe antarët e tij (Komuniteti Musliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane) mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp dënuan aktet e dhunës dhe përndjekjen që po i bëhët popullsisë së krishtere në Irak nga formacionet ushtarake ISIS. ”Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe anetarët e tij po ndjekin me shqetësim situatën që po ndodh këto ditë në Lindjen e Mesme, në mënyrë të veçantë përndjekjen kriminale që terroristët e ISIS në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, madje edhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera, e në mënyrë mizore përndjekjen dhe dëbimin e detyruar me dhunë të të krishterëve irakenë dhe të irakenëve të feve të tjera prej vendit të tyre. Ne dënojmë me forcë akte të tilla kriminale që nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona”, thuhej ndër të tjera në deklarate. Ne emër të Këshillit Ndërfetar i bëhej thirrje edhe faktorit ndërkombëtar të ndërhynte për ndalimin e dhunës dhe shpërnguljen e banorëve të Mosulit dhe rrethinave për shkak të besimit(Gaspër Marku)