• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA E DIELLIT- Në kërkim të Fjalës së Urtë

July 29, 2018 by dgreca

ANTON ÇEFA/3-anton-cefa-1

Në kërkim të  Fjalës së  Urtë/

Me nji shkallë qi m’çon jashtë kohe/

Ngjitem shtat fill mbi qiell/

Në kërkim të Fjalës së Urtë,/

U ngjall apo s’u ngjall/

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës/

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem/

Në kërkim të fjalës së urtë/

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë qi dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma të fismin

E ther mendimin e plagës qi lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

A thue nga alkimi e kohës së pakohhë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

*

Ju orkauj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se frut i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej

Shporrnju u tham, si Edgard Poe dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Qi ra e bie nga pema si frut i kalbun

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

*

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Tokai me e djegun

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, ne kerkim, të Fjalës së Urtë

NË KËRKIM TË TË PAPËRLYERVE

March 17, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Fjala i “papërlyer” ose e “papërlyer” mund të ketë një domethënje fetare në veshët e disave, sidmos të krishterëve, por fjalori shqip e përcakton si diçka që nuk është fëlliqur me lyrë a me diçka tjetër, me fjalë të tjera i pastër.  Për më tepër, një person i “papërlyer” është dikush që nuk është përzier a që nuk ka marrë pjesë në një punë të keqe, në një krim, e tjera.  I pastër në sjelljet e qendrimet në punë dhe në shoqëri!   Me biografi të pastër, thekson fjalori, dikush pa asnjë njollë në nder!

A ka Shqipëria njerëz të tillë, “të papërlyer”, të cilët mund dhe duhet të shërbejnë me kompetencë në ministritë dhe dikasteret më të larta të qeverisë dhe të shtetit?   Individë të cilët të pakën fillimisht nuk kanë ndonjë “njollë” që do t’i diskualifikonte nga konsiderimi për një post siç është posti i një ministri në qeveri.  Në fakt, si në shumë raste më përpara, edhe kësaj herë, as këto emërime nuk i shpëtuan sitës së kritikave të opinionit publik.  Opozita dhe grupe të tjera, siç janë grupet e të përndjekurve, kanë kritikuar këto ndryshime në qeveri, për arsye të “biografisë” thonë ata.  Sidomos ata ankohen për të kaluarën e njërit prej kandidatëve, atë të emëruarit për Ministër të Punëve të Mbrendshme.  Kritikët u shprehën se duke emëruar individë që kanë pasur lidhje — në një mënyrë ose në një tjetër — me ish-regjimin e Enver Hoxhës, Kryeministri i vendit po kërcënon “kohezionin shoqëror” dhe “luftën e klasave”, pretendojnë ata.  Kjo mund të jetë ose jo e vërtetë, por ky epizod i fundit tregon rishtas arrogancën e trashëguar të pushtetarëve të atij vendi, të cilët, në emërime të tilla, nuk marrin aspak parasyshë pasojat që kanë vendime të tilla në marrëdhëniet shoqërore të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe as historinë moderne të vendit, sidomos historinë e regjimit komunist në Shqipëri dhe përçarjet që ka shkaktuar ai regjim, pasoja të cilat ndihen edhe sot e kësaj dite.  Në vend që të emërohet personi më pak kontraversial, duket se ka më shumë rëndësi, që kandidatët e emëruar, qofshin ministra, qofshin deputetë — të aprovohen nga partia dhe të marrin bekimin e udhëheqsve të partive monopolizuese të politikës, se sa të jenë individë të përgatitur dhe të ndershëm, e pse jo të “papërlyer”, sipas formulës më sipër, persona që janë të pranueshëm dhe të cilët mbështeten nga një shumicë dërmuese e shqiptarëve, pa marrë parasyshë animet politike.

Pa dashur të futem në vlerësimin e “biografive” ose edhe të meritave dhe aftësive të tyre, pro ose kundër kandidatëve që shoqëria shqiptare i konsideron si të lidhur me ish-sistemin komunist — duket se një pjesë e madhe e publikut i konsideron si problematike kandidaturat e tilla, nga cilado parti qofshin, duke i pranuar si vendime nga lartë.  Edhe nëqoftse kandidatë të tillë i kanë përgatitjet e nevojshme për ato poste, ata mbeten gjithnjë — të pakën në pamje dhe dukuri të parë – si tepër problematike për një vend si Shqipëria me një të kaluar komuniste, si ansjë tjetër në Evropë.   Për një vend anëtar të NATO-s dhe për një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, është e pa pranueshme mos përfshirja në detyra kyçe e të pakën ndonjë pinjolli të përndjekurish të ish-regjimit, pa marrë parasyshë nëse emërimet e ministrave janë të pranueshëme ose jo nga ndërkombëtarët.  Pikëspari, ata duhet të jenë të pranueshëm për popullin shqiptar! Çdo qeveri duhet të jetë përfaqsuese e mbarë shoqërisë dhe kjo duhet të demonstrohet pikëspari për nga anëtarët e saj dhe nga ato që ata përfaqësojnë.

A është e mundur, që pas më shumë se 25 vjetë nga shëmbja e komunizmit, Shqipëria të mos ketë individë të aftë që duhej të konsideroheshin për poste të larta në qeveri e në shtet, e të cilët nuk kanë lidhje me trashëgiminë komuniste, me fjalë të tjera, njerëz të “papërlyer”?   Fatkeqssiht duket sikur të konsiderohesh për një detyrë të lartë, duhet domosdoshmërisht t’i kesh rrënjët, si individ ose si familje, në ish regjimin komunist.  Kjo të bën të kualifikuar për punë të lartë shtetërore.

Unë besoj se Shqipëria ka pasur dhe ka njerëz të përgatitur të kalibrit evropian për të shërbyer jo vetëm në politikë, por në çdo fushë të zhvillimit shoqëror, individë që edhe mund të jenë edukuar në universitetet më të mira perëndimore dhe të cilët nuk kanë pasur lidhje me ish-regjimin komunist.  Pse të mos u jepet këtyre personave rasti dhe mundësia t’i shërbejnë atdheut të vet?   Pse bandat politike dhe oligarkët e partive përjashtojnë njerëz të tillë nga jeta politike — të rinjë e të reja, të aftë dhe të zellshëm për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë, ndryshe dhe më mirë nga ç’kemi parë deri tashti?  Për më tepër, pse mos të jetë ndonjë prej tyre, madje edhe pinjoll i ndonjë familjeje të përndjekurish?  Shqipëria është e të gjithë atyre që jetojnë aty, pa marrë parasyshë historinë komuniste dhe pikpamjet politike.  A po mos vallë ata janë të përjashtuar përgjithmonë dhe përfundimisht nga pjesëmarrja në jetën politike, vetëm e vetëm se biografia e tyre nuk është e “pastër”.  Vazhdim ky i luftës civile, luftës së klasave, të shekullit të kaluar?   I madhi Faik Konica ka paralajmëruar se, “Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).Në një shtet normal demokratik, bëhen sa është e mundur, përpjekje që në qeveri zakonisht të përfaqësohen ose të pakën të pasqyrohen pikpamjet e të gjitha shtresave të shoqërisë, pa dallime politike.   Lindë pyetja se pse edhe sot pas më shumë se një çerek shekulli nga rënja e komunizmit, besnikëria ndaj partisë konsiderohet si më e rëndësishme për të shërbyer në poste qeveritare se sa besnikëria e një kandidati ndaj interesave të Atdheut, sidomos kur bëhen emërime për poste të larta qeveritare?

Që Shqipëria dhe kombi shqiptar të udhëhiqen tani dhe në të ardhmen, nga bijtë dhe bijat më të mira të tij – nga më të papërlyerit — pa marrë parasyshë dallimet në pikpamjet ideologjike dhe politike, siç ka thënë edhe Faik Konica, mbetet shumë për tu bërë. “Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë”. (Albania 2, 1897,   Faik Konica).FAIK-K3 1931 CBS

Ku është dashuria, ku është vëllazëria, ku është bashkpunimi midis shqiptarëve sot për të mirën e mbarë kombit, për të cilën ka bërë thirrje Faik Konica, më shumë se një shekull më parë?  Të ndarë e të përçarë ashtu si edhe në kohën e Konicës, më shumë se 100-vjetë më parë. Kështu nuk shkohet përpara.  Mjaft është mjaft!  Gjithnjë sipas Konicës: “Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity” (dinjitet tragjik), shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës.  Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë?  Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët”, ka shkruar Faik Konica. (Vepra 2, f 78).

Shqiptarët mund të jenë sot ndër popujt më të braktisur nga klasa politike e tyre. U takon vetë shqiptarëve të vendosin se kush dhe cilët janë levantinët e sotëm – jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por anë e mbanë trojeve shqiptare — si individë dhe si parti, të cilët kanë bërë aq shumë për të sjell kombin në situatën jo të favorshme në të cilën gjëndet sot.

Mbetemi gjithnjë në pritje dhe në kërkim të papërlyerve, për një drejtim tjetër!

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, ne kerkim, TË TË PAPËRLYERVE

E VËRTETA HISTORIKE NË KËRKIM TË DRITËS

January 27, 2017 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/ h2 ebrenj            Dy dekretet kundërhebraike, të miratuara më 14 maj 1939, janë marrë nga materialet e përmbledhura në një vëllim të nxjerrë  nga Shtëpia botuese Giuntina e Firences në Itali më 1910, të titulluar “ Hebrejtë në Shqipëri nën fashizmin, një histori për t’u rishkruar”. Titulli përsërit temën e një simpoziumi të mbajtur në janar 2010 në Bari, në të cilin morën pjesë shumë studjues të disiplinave e prejardhjeve të ndryshme. Në mos qofsha i gabuar, në të mori pjesë edhe studjuesi i njohur shqiptar i problemit, prof. Shaban Sinani.

Ndërmjet mjaft kumtesave, të mbajtura aty, është dhe ajo e prof. Michele Sarfattit, i cili, së bashku me studjuesen tjetër prof. Laura Brazzi, është edhe përgatitësi i librit. Vetë fakti i mbajtjes së një simpoziumi në Itali, për çështjen e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është mjaft interesante dhe pozitive. Tema është trajtuar mjaft në këta vite të mbas komunizmit, por për arsye miopie kulturore e vartësie të mendimit shkencor ende nga politika, akoma sot nuk kemi në nivel zyrtar një studim të thelluar e të dokumentuar të dukurisë, që shënon për Shqipërinë një nga faqet më të ndritura të historisë së saj.

Pa hyrë në imtësitë e interpretimeve të ndryshme në këta vite, vërehet se disa studjues të paanshëm, ndër të cilët mendoj se mund të hyjë edhe prof. Sinani, janë munduar t’a paraqesin, edhe me dokumenta të kohës, rolin e politikës nacionaliste shqiptare, faktori vendimtar e më i rëndësishëm shtytës i një fakti, atij të shumfishimit të numurit të hebrejvet në Shqipërinë e kohës së Luftës së Dytë botërore. Fakti që ai rol pranohet me shumë vështirësi nga politika dhe historiografia zyrtare, jo vetëm shqiptare, tregon se titulli i librit, nga është marrë materiali që po botojmë, është mjaft objektiv e domethënës.

“As qeveria e Mbretit Zog, as ato të vendosura gjatë pushtimit italian, nuk e ndaluan dhënien e nënshtetësisëshqiptare hebrejve të huaj. Në kompleks, përfundon Michele Sarfatti “me vullnetin e fashizmit italian, hebrejtë qytetarë shqiptarë në Shqipëriu goditën nga një normativë më pak e fortë e më pak e ndërlikuar se ajo e shpallur nga fashizmi vetë në Itali, kundër hebrejve qytetarë italianë. Duke punuar kështu Roma u suall ndryshe nga si veproi në krahinat ballkanike të aneksuara më 1941 (ku ajo shtriu normativën në fuqi në metropol), apo si bëri Berlini n’Austri, pastaj në Serbi dhe Sofia në Maqedoni.”

Studjuesi italian nuk shkon më tutje në interpretimin e faktit, por na e jep thjeshtë atë. Interpretimi nuk është diçka e vështirë për t’u shtjelluar, qoftë edhe me logjikën më parake. Ka qënë vullneti i drejtuesve nacionalistë shqiptarë, tek të cilët ishte e rrënjosur thellë tradita shumë shekullore shqiptare e mikpritjes dhe e besës, që ngriti një mur të pakalueshëm për mendësinë dhe legjislacionin kriminal të zhdukjes së hebrejvet në të gjithë Evropën e pushtuar nga ushtritë e Boshtit. Ata shqiptarë atdhetarë që vunë në rrezik edhe kokën e tyre për të respektuar botërisht vlerën morale të traditës së popullit të tyre, shpëtuan mijra jetë njerëzish. Emrat e tyre njihen mirë e secili prej tyre i jep dritë Shqipërisë së vogël që, në sajë të tyre, në një nga periudhat më të vështira të historisë së njerëzimit, pati guximin t’i thotë “jo” krimit nazist në truallin e saj, duke lartësuar emrin e “Vendit të shqipeve”.

Fakti që dekretet kundër hebraike u hartuan, u miratuan, por nuk u shpallën e nuk u vunë asjëherë në zbatim në “Dheun e Arbërit”, dëshmon katërcipërisht për shtatin moral t’atij brezi politikanësh shqiptarë, të cilëve Shqipëria komuniste u a ndëshkoi atdhetarizmin e tyre me dënimet me vdekje, në fakt e në mungesë, e me baltën e hedhur mbi kryet e tyre, pa kursim kohe e sasie. Shqiptarët, që shkojnë ballëhapur para botës demokratike çdo 27 janar, nuk kanë ende guximin t’a shohin të vërtetën në sy, t’a njohin e t’a valëvisin atë, kur ajo i nderon.

Për gjysëm shekulli një faqe e ndritur, siç qe shpëtimi i hebrejve, u mbajt e mbyllur në errësirën e katakombave të historiografisë. Në këtë çerek shekulli u mundua të marrë frymë me vështirësi në mjedisin hipokrit e gjysëm mashtrues të pas komunizmit. Ҫdo 27 janar ajo bën thirrje për të dalë nga nëntoka e historisë, për të parë dritën e diellit të së vërtetës, për t’u vënë në Panteonin e merituar të lavdisë shqiptare.

Janar 2017                                             Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: E VËRTETA HISTORIKE, Eugjen Merlika, ne kerkim, TË DRITËS

NË KËRKIM TË NJË DATE TË MUNGUAR

September 29, 2015 by dgreca

NË KËRKIM TË NJË DATE TË MUNGUAR PËR MARTIRËT DHE VIKTIMAT E DIKTATURËS KOMUNISTE/

EDITORIAL I DIELLIT/

Në Shqipërinë tonë postkomuniste, humbja e kujtesës historike mbetet sëmundje e pashëruar në 25 vitet e tranzicionit alla shqiptar. Për 25 vite nuk ka një datë të çlirimit të vendit, por kemi dy të tilla, një për socialistët dhe një për demokratët, kemi një 5 Maj të dëshmorëve të kontestuar (Dita e Qemal Stafës) të papranushëm nga të dy krahët e politikës, por çuditërisht kemi të kontestueshme edhe Ditën Martirëve dhe Viktimave të Diktaturës Komuniste. Është e papranushme që 25 vjet pas përmbysjes të sistemit, Shqipëria jonë, që krahasuar me numrin e popullsisë, ka numrin më të madh të viktimave të sistemit komunist, nuk ka një datë të saktë të përkujtimit të këtyre viktimave, ndërkohë që ka ende të pushkatuar e të pagjetur anë e mbanë Shqipërisë!

Ish Presidenti demokrat Bamir Topi, në vitin 2010 pat dekretuar një ligj të kontestueshëm, ku 20 Shkurti, dita e rrëzimit të përmendores të diktatorit Enver Hoxha, shpallej si dita e viktimave të komunizmit. Presidenti Topi, pat dekretuar ligjin “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”, ku në bazë të atij ligji, të miratuar nga Kuvendi, data 20 shkurt shpallej si dita e “Përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri”.
Mirëpo, përfaqësues të shtresës së ish të përndjekurve politikë, drejtues të sindikatave të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, reaguan duke i kërkuar presidentit Bamir Topi të mos e dekretonte ligjin e propozuar nga qeveria demokratike, që përcaktonte datën 20 shkurt si ditë të përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit.Në argumentin e tyre, kundërshtohej kjo datë sepse “emërtimi qeveritar i 20 shkurtit nuk pasqyronte anën historike të ngjarjes dhe kontributin e madh të popullit shqiptar”. Si gjithëmonë në Shqipërinë tonë oponenca nuk u mor në konsideratë. Fuqia e kartonit!
Me dekretimin nga ana e presidentit Topi,ky vendim pati hyrë në fuqi, dhe siç është bërë zakon në Shqipëri, ndryshimi i qeverive, ndryshimi i mazhorancave,apo dhe i fraksioneve brenda partive, sjellin edhe ndryshime datash përkujtimore a festash Kombëtare.

Presidenti Bujar Nishani, që zuri vendin e paraardhësit Bamir Topi të Partisë së vet, sipas shtypit të Tiranës, kur mbërriti në Presidencë, kërkoi zhbërjen e kësaj date, me argumentin se nuk përfaqësonte realitetin historik.Zoti Nishani, jo vetëm e kundërshtoi 20 Shkurtin si datë përfaqësuese për viktimat e diktaturës, por ai solli aletrnativën e tij, që kjo datë fare mirë mund të zëvendësohej me 27 Shkurtin, e cila i referohej ngjarjes tragjike që kishte lidhje me 27 Shkurtin e vitit 1951, e etiketuar si ” masakra ndaj intelektualëve pas hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike”, ku u masakruan dhe u çuan në plumb, pa proces hetimor, pa proces gjyqsor, me një vendim të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Enver Hoxhës, 22 intelektualë, që u ekzekutuan me plumb pas koke dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.

Në prononcimin e tij për mediat, presidenti Bujar Nishani e la aso kohe problemin të hapur, kur ai shfaqi mendimin se” mund të jenë dhe data të tjera në kalvarin e gjatë të krimeve të komunizmit siç mund të jetë dita e varjes së poetit Havzi Nela, por kjo do të jetë një çështje, e cila duhet të diskutohet nga Parlamenti dhe nga grupet e interesit, të ish-të përndjekurve politikë, të shoqatave të ndryshme të Shoqërisë Civile”, pat thënë publikisht Presidenti Nishani.

Por çfarë ndodhi pas kësaj? Asgjë, vetëm fjalë!

Është e pafalshme që edhe sot e kësaj dite, krahas problemeve të shumta të pazgjidhura për shtresën e ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë, nuk ka një datë historike të pakontestueshme, ku të përkujtohen viktimat e diktaturës komuniste.

Nga ana e saj Europa e ka caktuar një Ditë për Viktimat e sitemit vrasës komunist, siç e kanë dhe të gjitha vendet ish komunsite të Europës Lindore. Kështu psh Bullgaria ka përcaktuar 1 shkurtin si Dita e kujtimit të viktimave të komunizmit. Vendimi për këtë datë përkujtimore në shtetin bullgar u mor në vitin 2011 nga kabineti “Borisov”, i cili miratoi ofertën e dy presidentëve bullgarë, Zhelju Zhelev (1992-1996) dhe Petër Stojanov (1997-2002), të cilët ranë në një mendje për shpalljen e një dite të tillë përkujtimore.

Logjika: “Dita e kujtesës kombëtare nderon viktimat, por në të njëjtën kohë shërben edhe si një pikë mbështetëse për kuptimin më të mirë të ngjarjeve nga e kaluara e afërt, gjë, pa të cilën, nuk mund të ecet përpara si një shtet i lirë, i denjë dhe demokratik në Evropë”-, patën vënë në dukje në letrën e tyre dërguar kryeministrit të atëhershëm Bojko Borisov dy ish presidentët Zhelev dhe Stojanov.Në qendër të kryeqytetit bullgar, Sofjes, është ngritur Memoriali i viktimave të komunizmit, ku përkujtohet kjo datë historike.

Presidentët shqiptarë(pesë pas përmbysjes të diktaturës komuniste-22 Mars 1992) ende nuk e kanë gjetë gjuhën e përbashkët, që dhe Shqipëria ta ketë një Ditë përkujtimore për viktimat diktaturës komuniste, ndërsa në vend të një Memoriali përfaqësues, Shqipëria provokon me bunkerë në mes të Kryeqytetit, ku të përndjekurit kanë kontestuar duke u lidhur me zinxhirë dhe duke protestuar, jo shumë larg në kohë, por gjatë shtatorit 2015..

Në 2 prill të vitit 2013, Parlamenti Europian, shpalli 23 gushtin si Ditën Europiane të Përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, por Shqipëria ende nuk e ka një ditë specifike, të pakontestueshme, edhe pse e kujton këtë ditë europiane, të përcaktuar nga Parlamenti Europian! Në Shqipëri nuk e kundërshtojnë, madje kryeqeveritari bën thirrje per Kujtesë historike ndaj viktimave, por nga e thëna tek e bëra, është në mes një det i tërë!

Shqipërisë më shumë se kushdo shtet tjetër ish komunist i takon që të vlerësojë shtresën e ish të përndjekurve politik. Një shtet i vogël ishte kthyer në një burg gjigand me kundërshtarët e sistemit dhe në gulagë vdekjeprurës për familjet nacionaleste. Në Shqipëri, më shumë se në çdo shtet tjetër, krahasuar me numrin e popullsisë, janë regjistruar 6109 të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit, mes tyre 89 gra; 17900 të dënuar politikë, mes tyre 450 gra; 30383 të internuar, 23 burgje në të gjithë vendin, 48 kampe internimi. Rreth 70 mijë persona ndiqeshin çdo vit nga sigurimi i shtetit! Cili shtet tjetër ish komunist, krahasuar me numrin e popullsisë, përjetoi një tragjedi të përmasave të këtilla? Në vend që shteti demokratik të integrojë plotësisht shtresën e ish të përrndjekurve, të nderojë martirët qëndrestarë dhe viktimat e diktaturës, stimulon rikthimin e simboleve të komunizmit dhe rikthimin e fantazmës të diktatorit, duke i fyer viktimat. Kjo është e dënushme.

Shqipëria i mbetet borxh demokracisë, jo vetëm pse nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e sistemit komunist, jo vetëm pse nuk ka ngritur një monument të denjë për martirët dhe viktimat, por edhe pse fut në Parlament e vesh me pushtet kriminelë e tarfikantë, edhe pse nuk po kryen dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, që mbetet një Amanet i papërmbushur” i martirëve dhe viktimave.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, ne kerkim, per te perndjekurit, te nje date

Mitingu i shkronjave, oratorët u shpallën në kërkim

February 14, 2015 by dgreca

Sipas gazetës, “Lidhja Ortodokse”, shkruar nga Mihal Grameno/
Përgatiti Vepror Hasani/
Dita e 14-ë e shkurtit 1910, do të mbetet e paharruar për kombin shqiptar. Aq më shumë në qytetin t’onë se edhe pas qindra vitesh, korçarët do t’u tregojnë fëmijës së tyre brez pas brezi, që në këtë qytet, më 14 të shkurtit 1910, ka ndodhur një ngjarje historike kombëtare, e cila gjer këtë ditë s’ka patur shembull në mbretërinë Osmanli.
Në këtë ditë, Korça bashkë me kazatë, (rrethet), e saj, dëfteu me të tepër vullnetin e gjithë kombit shqiptar, që do të rronjë në këtë botë nën flamur të osmanllisë, por me nder dhe me gjuhën e tij të ëmbël, që ka thëthirë në qumështin e nënës edhe të shkruar me shkronjat e saj. Në këtë ditë dëfteu që kombi shqiptar, nuk ep leje t’i trazohet njeri gjuhës së tij, asaj gjuhës së bukur me të cilë ka betuar besë për të mprojtur lirinë, konstitucionë dhe nder e mbretërisë.
Duhet pendë të shkruash këtë histori
Duhet pendë e mjeshtëri që të muntnjë të zografisnjë këtë miting të çkëlqyer, në të cilë muar anë më tepër se 12 mijë njerëz. Këta burra shqiptarë, nga të cilët më të shumtët u gjetuan një ditë, me të dëgjuar rrezikun e gjuhës, lanë shtëpitë, lanë punërat, lanë armiqësitë mënjanë, edhe si vëllezër vrapuan në thirrje të organizatorëve të metingut, e të protestojnë ata njerëz të cilët, nga padija ose nakari hodhë mollën e grindjes në mest të vëllazërisë duke na nxjerrë të tjera shkronja për gjuhën tënë. Zër’ i atij populli që bërtiti në breg të Shën Ilisë përfaqëson vullnetin e miliona shqiptarëve, të cilët bashkohen edhe për të mbrojtur gjuhën e shenjtë. Zër’ i popullit, vullnet i Perëndisë! Prandaj na pëlqen të besojmë që ky zë do t’u presë hovin atyreve gllosologëve që na ç’pikën të tjera shkronja… Qeveria konstitucionale, pa dyshim, që do të mbushnjë dëshirën të kombit Shqiptar e për së shpejti shprehim të dëftenjë drejtësin’ e saj që të mos mbetet asnjë ftohtësirë në zemër të shqiptarëve, të cilët janë shtylla edhe më besnikë të mbretërisë
Organizatorët e mitingut
Prej një jave më pare, zotërinjtë Çerçiz bej Zavalani, Mustafa bej Selenica, Stavre Karoli, Xhafer bej Luarasi, Tefik efendi Panariti, Ali bej Frashëri edhe Rakip Efendi Jemenli, organizatorë të mitingut dhanë një thirrje duke ftuar gjithë shqiptarët të mytesarifllëkut, (prefekturës), që të marrën anë në meting që do të mbahet në Korçë, të dielë më 14 të shkurtit. Thirrja u dëgjua me gëzim të madh edhe këtë provuan të ardhurit të tyre me gjithë kohën të shkurtër
Baba Xhemali me 14 dervishlerë
Kolonja djep i ndjenjave kombiare vrapojti madhërisht duke dërguar 2.500 asllanë. Të shtunë, më orën 10, me të ardhur lajmeja (lajmi) që vinë kolonjarët, komiteti me një shumicë të madhe, duke patur “Bandën e Lirisë” përpara, dualë për të pritur miqtë. Me të arirë z. Mihal Grameno, direktori ynë,(drejtori i gazetës “Lidhja ortdodokse”), në emër të komitetit u uron mirë-ardhjen edhe me fjalë të bukura dëften patriotizmën të kolonjarëve. Pastaj në mes të bërtimeve të popullit, rroftë Kolonja me bijt e saj, shkuan duke patur Bandën përpara, në Klub. Gjithë qyteti, burra dhe gra, kishin dalë për të habitur Kolonjarët, të cilët çuditnë botën me taktikën e tyre. Përpara këmbësisë, që ishin radhitur nga 5, ishte Zalo bej Prodani kaluar mbi një at, (kalë), të bukur. Pastaj vinin kalorësit duke patur në krye Shenjtërinë e tij Baba Xhemalë prej Kreshove me 14 dervishë. Na vjen fort keq që nuk mundim gjithë atdhetarët e parësinë t’i numërojmë, prandaj kërkojmë ndjesë gjithë zotërinjve që na shpëtojnë, (s’na kujtohen), emrat.
Atdhetarët
Nga atdhetarët e Kolonjës muntmë të vërejmë këta zotërinj: Abdullah bej Starja, kryesonjës i Klubit të Kolonjës, Sefedin bej Starja, Zalo bej Prodani, Shahin bej Taçi, Galip efendi Navosela, Xhezo dhe Hodo Selenica, Salih bej Butka, Malush bej Skorovoti, Abidin bej Erseka, Mehmet aga Qinami, Selim bej Kotorasi, Mahmut aga, Riza aga edhe Petro Sotir Gostivishti, Zilifkar bej, Maliq bej edhe Teki bej Qafëzezi, Arif bej edhe Rapo bej Elmazi, Refat bej Kozeli, Sali aga Pepellash, Lamçe aga Kamnik, Durmish bej Leshnja, Qazim aga edhe Gjeli Tasi Luarasi, Ibrahim efendi Qesaraka, Zylo bej Kurtesi, Tahir bej Orgockë, Islam bej edhe Zenel bej Lëncka. Reis Mahmud aga Qyteza, (vëllai i Ali efendiut), Aliko, Selimi edhe Rushani agallarë nga Selenica e Pishës, Asan bej Psar i Kolonjës, Musa edhe Fehim Boshanji, Dilaveri Lubonjë, Qenabi Rehovë, Qazim aga Psar i Zi, Naim bej Sheribe, Bilal Rakip Roshanji, Alima Kalinasi, Dajlani, Qazimi, Salih edhe Xhelo agallarë nga Panariti. Ortodoksët të katundit të Treskës, Trebickës, Butkës e gjithë Kolonjës
Pjesëmarrësit e Korçës dhe Pogradecit:
Të dielë në orën tre të mëngjesit vjen lajmeja (lajmi) që fshatrat të Starovës edhe rreth Melçanit vinë, e kështu dualë (dolën) përsëri me Bandën e Lirisë e i pritnë. Nga këta atdhetarë muntmë të vërejmë këta zotërinj: Telah Hasan edhe Telah Sulejman Goskova, Alo Mersin, Tefik Hysen edhe Emin efendi Vinçani, Mustafa Reshit edhe Asan Myslim Porodini, Salih Dalip edhe Mehmet Mustafa Melçani, Sadik Seran edhe Sulejman Ismail Biranji, Maliq Abdul edhe Hysen Abas Vashtmi, Zejnel Ahmet Vloçisht, Emin edhe Rexhep Sulejmani Libonik, Hasim Salih Simir, Hasan edhe Tahir efendi Kolanec, Ahmet aga Djamanec, Ibrahim Hoxhë edhe Ymer Sulejman Klocei, Fetah Shaban, Mustafa bej Goça, Nazif Etem edhe Isa Bickë, Dheçan edhe Qerim Plovishti, Fetah Hodo Sonisht, Ibrahim Kreshovë, Hasan Zejnel Dolan, Xhafer Zvarrisht, Alih Mehmet Lozhan, Xheladin Selcë, Ali Et’hem Qeckë, Musa Babjen, Liman Marjan, Shahin Ali Shurbec, Rexhep Bilal Zboqi, Asim Hasan Beras, Ismail Hajdar Këmbëthekër, Ibrahim edhe Nazif Shkozë, Maksut Mëmël, Kasëm bej, Myrteza bej, edhe Abdullah bej Pirg, Hasan bej Çushli
Baba Hyseni dhe dervishlerët
Edhe këta atdhetarë, gjithë si kolonjarët, ishin radhuar me taktikë, ushtarëkëmbësit përpara edhe kalorësit prapa me flamurë. Përmbi ta çkëlqenin Shenjtëria e tij Baba Hyseni, Dervish Hajdari nga teqe e Turanit edhe 5 dervishlerë të tjerë. Nga numri, tamina, (me hamendje), thomi që ishin tri mijë, me qenë që kryesia (kreu i kolonës) ishte në Kullë të Hirit dhe fundi në Turan
Pjesëmarrësit e Devollit
Pa arrirë në klub vjen lajmi që vjen Devolli, kështu që Banda me pleqësinë shkuan për të pritur këta atdhetarë, të cilët ishin mbledhur në Dishnicë ku u bashkuan edhe me Pojanllinjë të fshatrave qark Korçës. Nga këta atdhetarë muntmë të vërejmë këta zotërinj: Mehmet benë, Dervish Muharremi edhe Hysen bej Bilishti, Hasan efendinë, edhe Hysen efendi Kapshtica, Mehmet aga Bitincka, Emin aga Ponçara, Ali Rakip aga Menkulasi, Islam aga Çipani, Elmaz edhe Gani Hoçishti, Shahin efendi Graca. Ali efendi Baban, Rushan efendi edhe Alim Aga Stropan, Rushan edhe Rexhep Aga Eçmenik, Teqir Aga Pilur, Emin aga edhe Salih efendi, Aliu efendi Vranisht, Alil aga Cangonj, Jonuz dhe Banush nga Zëmblaku, Treni K-din Bodi Malia Sela edhe Andon Stavre Progër, Pandeli Trajan, Nikolla Vasil, mësonjësi Ndoni Ikonomi, Qemal Dervish, Mehmet Haxhi dhe shumë të tjerë. Poloska: Ibrahim bej, Myrteza bej edhe Demir aga, Sadik edhe Mehmet aga Vishotica. Braçanji: Etem aga Kaja, edhe Demir efendi. Verleni: Veli bej, Ali aga Istref, Ismail edhe Banush aga.
Pesë shehlerët e Devollit
Pojani ishte përfaqësuar fort bukur , të gjithë kaluar, nga të cilët shënojmë: Zejnel bejnë, Maliq bejnë, Mehmet bejnë, Isuf Alil aganë, Selim bejnë, Meke bejnë, Besim bejnë edhe Maliq Xhafer aganë. Në krye vinin shenjtëria e tij, shehlerët Qerimi dhe Hasani nga Bilishti, Sheh Rizaj Cangonj, sheh Hyseni Pilur edhe Dervish Ahmet Progri
Starova, Opari dhe Baba Qazimi i Qatromit
Starova ishte përfaqësuar fort bukur si nga muhamedanët ashtu edhe nga të krishterët. Muntmë të vërejme: Istref benë, Ahmet benë, Shahin bej Zagorçanë, Asllan benë, Muhamet benë, zotërinjtë Koçi, Tushi, Sandri Naum, Koli Paci, Tushi Ndinka edhe Simon Jovan. Shenjtëria e tij Baba Qazimi i Qatromit edhe me një shumicë të madhe nga fshatrat e Oparit edhe qark teqesë urdhërojti në miting. Përveç këtyre atdhetarëve që përmentmë më sipër, të tjera çeta stife-stife si mizërija nga fshatrat qark Korçës si të krishterë ashtu edhe myslimanë ardhë në miting. Me një fjalë, mintingu i Korçës do të mbetet një kujtim i paharruar në zemër të çdo shqiptari, edhe një shuplakë për gllosologët e rinj. Nga ky miting qeveria do të vërtetohet, (sigurohet) që ata që çpiknë këtë çështje, nuku kanë asnjë më marrëdhënie me kombin shqiptar, i cili vetë zgjodhi shkronjat e gjuhës së tij.

Marshi i mitingut
Në orën 6, Banda e Lirisë këndon përpara Klubit ku defilonin me radhë gjithë atdhetarët të ardhur që përjashta me flamurë në dorë edhe rregulloheshin pas kazasë secilido në bulevard “Shën Gjergji” nga 10 në sërë. Qyteti gjithë kishte dalë nëpër rrugët, nëpër dritare edhe në ballkonet që të shihnin e të çuditen me një ngjarje që s’e kishin parë kurrë. Në orën 7, Banda e Lirisë këndon për të parën herë marshën e Mitingut, të cilë z profesor Pasakali (Paskuale de Hanibale, kompozitor italian), e bëri për këtë ditë dhe nisen

Baballarë dhe shehlerë
Në krye Band’ e Lirisë me pleqësinë e anëtarët, të gjithë me kongarda edhe me flamur. Kolonjarët me flamurë edhe me Çapare në kraharor shkrruar: “Rroftë abe-ja shqipe!” Pastaj vinin kaluar Shenjëtëri e tyre Baba Hyseni, Baba Qazimi, Baba Xhemali, Sheh Ibrahimi i Korçës, Sheh Qerimi, Sheh Hasani edhe Sheh Hyseni. Përpara tyre z. Belul efendi, kryekatundari i qytetit (kryetari i Bashkisë), i çkëlqyeri atdhetar z. Hafëz Aliu Imam i qytetit, pleqësia me anëtarët e Klubit, pleqësia e Përparimit edhe plot qytetarë.
Pastaj Starova, Devolli Opari e gjithë fshatrat e Korçës. Kështu duke shkuar me një taktikë të çudtitshme përpara yqymetit, arrimë në Shent Ili, që është jashtë Korçës mbi një breg të lartër e fort të bukur. Kur ariti kryeja (kreu) në Shent Ili, fundi ish në bulevardin “Shën Gjergji”, d.m.th. nja dyqillometra. Kur arrinë të gjithë të bregu u mbush si me miza edhe nuk dukeshe tjatër gjësendi përveç një pamoramë prej ato që vetëm piktorët dinë të zografisin. Një erë e hollë prej pranvere i epte një bukuri të veçantë metingut duke lëvizur fustanellat e bardha, me të cilat ishin veshur atdhetarët. Kur mbarojti Banda marshën e mitingut, një buçim i madh u dëgjua: “Rroftë abe-ja shqipe!” edhe pastaj një heshtje zotëronte në breg që të dëgjonin fjalët

Ymer bej Zavalani
Fjalën e parë e merr zoti Ymer beu Zavanani një nga luftëtarët e vjetër. Zotëri e tij tregon gjer e gjatë qysh janë përdorur prej 40 vjet shkronjat shqipe, të cilat sot i rrënjosëm në zemër të kombit shqiptar, i cili i ka atje për zgjim edhe përparim. Këto shkronja,- thotë,- janë lënë nga etrit t’anë edhe kurrë kombi shqiptar do të mos i çkëmbenj, prandaj qeveria bën një faj të madh kur dëgjon ca njerëz intrigantë edhe të paditur, të cilët s’kanë tjatër qëllim përveç të sjellim grindje dhe përçarje midis shqiptarëve të mbretërisë, të së cilës më besnike është kombi shqiptar, më të shumtit nga këta njerëz janë të huaj, -thotë,- siç është myderiz i Korçës, i cili nuku di përveç turçe dhe bullgarçe e kërkon me anë të fesë të trazohet në gjuhën tënë. Ky është, që vjet kur e kishim kryesonjës të nderit në Klub thoshte, që s’është mëkat po të mësohet shqipja me këto shkronja, e tani mallkon! Kjo e ardhura e zotërisë suaj, -mbaron, (fjalën Zavalani), tregon çkoqitur që ini anëtarë të shkronjave shqipe… andja t’i apim qeverisë të kuptonjë që neve s’ndahemi kurrë nga këto shkronja. Rrofshin shkronjat shqipe! Rrofshin!,- ju përgjigjën atdhetarit plak Ymer bej Zavalanit

Sami bej Pojani
Pojani, i cili vëtërisht u kthye nga Klisyra për këtë, (u kthye për mitingun, pasi në Këlcyrë gjendej i sëmurë), duke thënë, që tani dy vjet afër, gjithë në këtë breg u betuam për liri. Po kur u betuam atëherë, me këtë gjuhë edhe me këto shkronja u betuam, andaj edhe sot të betohemi e të japim besë të shqiptarit, që do të vdesëm për këto shkronja! Besa-besë! – u përgjigj gjith’ay rrëmet.
Të tretën fjalë e mori z. Grigor Cilka, i cili thotë, që e ardhura e z. suaj, dëften fort bukur vullnetin edhe dëshirën të gjithë kombit shqiptar, prandaj e drejta është me neve edhe qeveria do të jetë me neve, prandaj gjer mos na epet e drejta që na zotohet konstitucioni, kurrë të mos pushojmë. Të katërtën fjalë e merr bilbili i Korçës, siç e quanin dibranët Hafëz Alinë, me këto fjalë: Vëllezër të dashur, shkronjat arabishte janë të bekuara me qenë se me këto shkronja është shkruar feja e muhamedanëve, por edhe shkronjat shqipe janë të bekura se shkruhet gjuha e kombit tonë, edhe me këto shkronja mund të përparonjë e të qytetërohet. Prandaj vëllezër,- tha,- asnjë mëkat nuku është për këto shkronja dhe asnjë ndalim nuk na ep feja, por sa të mundim të përpiqemi në lulzëim të kombit.
Lutje për shkronjat shqipe
Pastaj bënë një lutje për shkronjat shqipe e mbaron duke bërtitur rroftë mbretëria, rrofshin shkronjat tona. Fjalëve të shenjta të Hafëz Aliut iu përgjigj ushtimi i popullit me një Amin! Amin! Ay amin arriti deri në qiell edhe u përnda mbi gjithë anët të Shqipërisë duke përzier edhe zërat të shqiptarëve, që janë përndarë mbi faqe të dheut. I pesti fjalëtor ishte Nuri Osmani, një nga të rinjtë të Idadijes së Korçës që kanë ikur, (e kishin braktisur shkollën turke), i cili me ca fjalë të nxehta thotë, që edhe paskëtaj etrit tanë do të përpiqen për mbretërinë osmane, prandaj i lutemi qeverisë të na mbushnjë dëshirën duke mos na trazuar shkronjat, që i kemi të shenjta. Rrofshin djemtë e rinj!- ishtë përgjigjja e popullit, se kombi shqiptar dhe mbretëria nga këta prêt shërbime. Fjalën e fundit e merr Ismail M. Gostivishti. (Gazeta “Lidhja Ortodokse” e hënë, 22 shkurt 1910)
(Shënim: Edhe pse oratorët, tek-tuk, e thanë ndonjë fjalë të mirë për qeverinë, pas përfundimit të mitingut ata u shpallën në kërkim nga qeveria turke)
Vepror Hasani

Filed Under: Histori Tagged With: Mitingu i shkronjave, ne kerkim, oratorët, u shpallën, Vepror Hasani

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT