Nga Behlul Jashari/Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike në Byronë e USAID-it, për Evropë dhe Euroazi, Thomas Rhodes, deklaroi sot gjatë një takimi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Fadil Ismajli, se “USAID do të vazhdojë mbështetjen e projekteve zhvillimore në Kosovë”. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në takim u vlerësua bashkëpunimi që kjo ministri ka me USAID-in, respektivisht në fushën e zhvillimit ekonomik siç janë projektet e efiçiencës së energjisë dhe termocentraleve. Ministri Ismajli prezantoi arritjet e deritanishme të MZHE-së dhe masat që janë ndërmarrë, që të ecet përpara me projektet energjetike si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa falënderoi USAID-in për mbështetjen që ka ofruar. Në takim u diskutua vazhdimi i bashkëpunimit mes MZHE –së dhe USAID-it duke financuar kështu projekte, të cilat ndikojnë në ekonominë e vendit, përmirësimin e shërbimeve dhe mirëqenien e qytetarëve.
NE I THEMI”JO” GJYKATES SPECIALE KUNDER KRIMEVE TE LUFTES NE KOSOVE
Deklaratë për mjetet e informimit e Shoqatës “Atlantiku” me seli në New York të SHBA-së/
Në mbledhjen e saj mbajtur me 22 prill 2014 në New York Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”, e cila përfshinë veteranët e Batalionit “Atlantiku” që luftoi në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe qindra simpatizues shqiptaro-amerikanë në mbarë Amerikën, vendosi të dalë me këtë deklaratë për media mbi planin për Gjykatën Speciale kundër Krimeve të Luftës në Kosovë./
Ne si shqiptaro-amerikanë iu bashkëngjitëm luftës së UÇK-së dhe NATO-s kundër regjimit pushtues serb për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e fashizmit të Milosheviqit. Agresori në Kosovë ka qenë shteti serb dhe shteti serb duhet të jep llogari për vrasjet, dëmet dhe shkatërrimet që solli lufta. Në historinë e luftërave çlirimtare nuk ka ndodhur ndonjëherë të themelohet Gjykatë Speciale për palën çlirimtare, por për atë agresore dhe pushtuese. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë që ka respektuar të gjitha ligjet dhe konventat ndërkombëtare dhe ka kaluar edhe nëpër shoshitjen e drejtësisë ndërkombëtare në sistemin e Tribunalit të Hagës, prandaj formimi i një Gjykate Speciale për Kosovën është një sulm politik që si qëllim ka kontrollimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës, disiplinimin dhe frikësimin e popullit të saj që të veprojë duke u bazuar në vullnetin dhe të drejtat e tij sovrane. Mijëra krime serbe në Kosovë kanë mbetur të pa hetuara. Këto krime dhe krimet nga kushdo qoftë duhet të hetohen dhe gjykohen nga sistemi i drejtësisë së Kosovës. Mos lejoni lojëra politike me luftën çlirimtare dhe sakrificat titanike të popullit shqiptar për liri sepse kështu do të preket e kaluara e lavdishme por edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës. UÇK dhe NATO kanë qenë aleate në çlirimin e Kosovës dhe asnjëra nuk kanë kryer krime lufte. Ne si organizatë e veteranëve të luftëtarëve të UÇK-së nga Amerika i themi JO Gjykatës Speciale dhe thërrasim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe sidomos qeveritarët e Kosovës të mos i nënshtrohen imponimit të askujt dhe t’i thonë JO Gjykatës Speciale.
Kryesia e Shoqatës “Atlantiku”
New York
SHBA
Zbulohen dokumente të reja të Administratës Clinton (1999): Shfaqini krimet serbe në Kosovë
Mediat amerikane kanë publikuar rreth 2500 dokumente nga koha kur Bill Clinton ishte president i SHBA-ve. Në mesin e tyre gjendeshin komunikimet konfidenciale me këshilltarët e tij, përkitazi me Serbinë, të quajtura “Unaza rreth Serbisë”. Telegrafi ju sjellë përmbajtjen e këtyre letrave.
Këshilltarët analizojnë televizivet lokale, të cilat ata i konsiderojnë të përshtatshme për propagandë dhe ku mund t’i investojnë paratë, meqë në këto televizione transmetohej vetëm muzika, seritë e huaja, filmat e vjetër, e asnjë program informativ.
“Plani ishte që të punësojnë dhe të paguajnë gazetarët që në këto stacione televizive të fillojnë të prodhojnë programe të lajmeve. Sinjalet e këtyre stacioneve televizive kanë mbuluar territorin Mitrovicë-Prishtinë-Ferizaj. Ato ishin në pronësi të firmave, qendrat e të cilave ishin në Beograd, ndërsa përfaqësuese ishte Dragana Dojcinovic”, thuhet në dokumente.
Në dokumente gjendet edhe komunikimi i këshilltarëve, ku përmendet xhirimi i filmit për krimet e serbëve në Kosovë. Në komunikime ka marrë pjesë edhe Mona Sutphen, ish shefe e kabinetit të presidentit Barack Obama.
Në emailin me emrin “Letër nga Levini” (Carl Levin, senator demokrat), që është dërguar nga ana e Jane Stromseth në disa adresa, e ku ishte edhe Mona Sutphen, thuhet se Jane ka biseduar me zyrën për krime lufte të Departamentit të Shtetit për idenë për një dokumentar në Kosovë.
“Departamenti i Shtetit për një kohë të gjatë është duke menduar për këtë ide. Në fillim dukej tërheqëse, por pastaj u tha se nuk është ide e mirë, për dy arsye: (1) shpenzimet janë të mëdha dhe (2) dokumentari amerikan mund të rrezikojë të shihet si propagandë, pa marrë parasysh se sa me kujdes do të punohej”, thuhet në email.
Sutphen thotë se ndoshta ndonjë OJQ do ta mbështeste filmin, dhe pyet nëse George Soros, nëse Levin ka vullnet, do të mund të siguronte fonde për këtë.
Në korrespondencë të mëtejshme, Samuel Berger, këshilltari i Clintonit për politikë të Jashtme, ka marrë një letër nga Levini me sugjerimin që SHBA-të të bëjnë dokumentar që flet për krimet në Kosovë. Në kuadër të emailave është dërguar letër tek Bergeri, tek Levini, ku Bergeri falënderon Levinin për raportin që ia ka dërguar pas vizitës së mëparshme në Kosovë.
“Mbështetja e Kongresit për politikën tonë në Kosovë është kritike për rajonin që është i rëndësishëm për vendin tonë.
Unë do ta marrë seriozisht në konsideratë konceptin e një filmi dokumentar për krime lufte në Kosovë, dhe do t’ia përcjelli stafit të gjitha informatat. Në ndërkohë mos harroni se servisi në gjuhën serbe i Zërit të Marikës, Radios Evropa e Lirë dhe ‘Unaza rreth Serbisë’ do të përcjellin lajmet, përfshirë emisionet për krimet në Kosovë.
Kemi menduar edhe në aspektin rajonal, pasi presidenti ka në plan të vizitojë një konferencë në Sarajevë javën e ardhshme (takimi i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore). Kjo do të tregojë se klima më e mirë për investime, të drejtat e njeriut dhe demokraci mund të rezultojnë në një jetë më të mirë në rajon. Milosevici (Slobodan), natyrisht nuk do të marrë pjesë dhe mungesa e Serbisë do të forcojë izolimin e tij dhe të vizionit të tij të shterur për rajonin.
Unë pajtohem me ju se ka ende shumë për të bërë sa i përket Kosovës. Besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kapërcejnë të gjitha pengesat dhe atë me ndihmën tuaj dhe me ndihmën e Kombeve të Bashkuara dhe popujt e organizatat tjera”, thuhet në letrën drejtuar Levinit. /Telegrafi/
Obama: Njerëzit në Kosovë vriteshin sistematikisht, para aksionit të NATO-s
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se SHBA-ja dhe NATO-ja nuk duan konflikt me Rusinë dhe se kriza në Ukrainë nuk është fillimi i një Lufte të re të Ftohtë.
Obama i ka bërë këto komente gjatë fjalimit të tij në Galerinë e Arteve të Bukura në Bruksel.
Presidenti amerikan ka thënë se krahasimi i Kosovës me situatën në Krime, është i papërshtatshëm, për shkak se njerëzit në Kosovë janë vrarë me vite të tëra, para se NATO-ja të merrte aksionin e saj. “NATO-ja ka ndërhyrë vetëm pasi njerëzit në Kosovë janë brutalizuar dhe vrarë sistematikisht me vite të tëra”, ka thënë Obama.
Ai ka kujtuar se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj vetëm pas konsultimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Një gjë e tillë, sipas Obamës, as përafërsisht nuk ka ndodhur në Krime.
“Nuk ka asnjë dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë… Udhëheqja e Rusisë është duke sfiduar të vërtetat dhe duke bërë përpjekje të rishkruajë hartat”, ka theksuar presidenti i SHBA-së.
Sipas tij, veprimet e Rusisë në Ukrainë paraqesin një “moment global të provës”. Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk kanë asnjë interes në kontrollimin e Ukrainës dhe se SHBA e NATO nuk kërkojnë konflikt me Rusinë. “Kjo nuk është një tjetër Luftë e Ftohtë në të cilën jemi duke hyrë. Në fund të fundit, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk udhëheq asnjë bllok të shteteve, anjë ideologji globale”, është shprehur Obama.
Ai ka pranuar se situata në Ukrainë nuk ka përgjigje të lehta, por ka thënë se çdo vend i NATO-s duhet të ndajë një pjesë të barrës së mbrojtjes. Obama po ashtu ka thënë se është “absurde” të mendohet se SHBA-ja ka bërë konspiracion me “fashistët” në Ukrainë – nocion ky që përdor Rusia për aktivistët që janë çuar kundër regjimit të ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych.
“Nuk ka qenë Amerika ajo që ka mbushur Maidanin me njerëz, kanë qenë ukrainasit”, ka thënë Obama.
Ai po ashtu ka pranuar se nuk ka asnjë mënyrë për të larguar Rusinë nga Krimeja, por ka thënë se për aq kohë sa SHBA-ja dhe aleatët e saj mbeten të bashkuar, “populli rus do ta kuptojë se nuk mund të arrijë sigurinë, begatinë dhe statusin që kërkon”.
Obama ka përsëritur paralajmërimet se nëse udhëheqja ruse vazhdon në të njëjtin drejtim, ajo do të izolohet edhe më shumë.
Krimeja – gadishulli jugor i Ukrainës – është aneksuar këtë muaj nga Rusia, pas një referendumi të cilin Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar si të paligjshëm.(Ne foto: Në Suharekë dhe në Krushë të Vogël të mërkurën u bë rivarrimi i 46 personave, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, që rezultonin të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në Suharekë ishin 27 arkivole, kurse në Krushë të Vogël 19. Kosova numëron edhe 1700 persona të pagjetur që nga lufta e fundit )
Kosovë: Identifikohen mbetjet mortore të 46 personave të zhdukur gjatë luftës
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bën të ditur se me rastin e identifikimit të mbetjeve mortore të 46 personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 –’99 në Kosovë, sot në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzim i mbetjeve mortore të 27 personave të identifikuar, të rasteve nga komuna e Suharekës, tek familjarët e tyre.
Nesër, në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzimi tek familjarët e tyre i mbetjeve mortore të 19 personave të identifikuar, të rasteve nga Krusha e Vogël.
Ndërsa ceremonitë e rivarrimit, do të organizohen në 26 mars 2014, me rastin e shënimit të 15 Vjetorit – të Masakrave në fshatrat e Prizrenit dhe Suharekës.
Kosova më se 15 vjet pas luftës vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të më se 1700 qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë rivendosur nga familjarët në këtë muaj marsi në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë, në sheshin qendror të Prishtinës.
Qeveria e Republikës së Kosovës u ka bërë thërrje autoriteteve të Serbisë dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni tek autoritetet serbe për ofrimin e informacioneve për fatin dhe vendndodhjen e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur, gjatë luftës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 17
- 18
- 19
- 20
- 21
- 22
- Next Page »