Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se SHBA-ja dhe NATO-ja nuk duan konflikt me Rusinë dhe se kriza në Ukrainë nuk është fillimi i një Lufte të re të Ftohtë.
Obama i ka bërë këto komente gjatë fjalimit të tij në Galerinë e Arteve të Bukura në Bruksel.
Presidenti amerikan ka thënë se krahasimi i Kosovës me situatën në Krime, është i papërshtatshëm, për shkak se njerëzit në Kosovë janë vrarë me vite të tëra, para se NATO-ja të merrte aksionin e saj. “NATO-ja ka ndërhyrë vetëm pasi njerëzit në Kosovë janë brutalizuar dhe vrarë sistematikisht me vite të tëra”, ka thënë Obama.
Ai ka kujtuar se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj vetëm pas konsultimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Një gjë e tillë, sipas Obamës, as përafërsisht nuk ka ndodhur në Krime.
“Nuk ka asnjë dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë… Udhëheqja e Rusisë është duke sfiduar të vërtetat dhe duke bërë përpjekje të rishkruajë hartat”, ka theksuar presidenti i SHBA-së.
Sipas tij, veprimet e Rusisë në Ukrainë paraqesin një “moment global të provës”. Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk kanë asnjë interes në kontrollimin e Ukrainës dhe se SHBA e NATO nuk kërkojnë konflikt me Rusinë. “Kjo nuk është një tjetër Luftë e Ftohtë në të cilën jemi duke hyrë. Në fund të fundit, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk udhëheq asnjë bllok të shteteve, anjë ideologji globale”, është shprehur Obama.
Ai ka pranuar se situata në Ukrainë nuk ka përgjigje të lehta, por ka thënë se çdo vend i NATO-s duhet të ndajë një pjesë të barrës së mbrojtjes. Obama po ashtu ka thënë se është “absurde” të mendohet se SHBA-ja ka bërë konspiracion me “fashistët” në Ukrainë – nocion ky që përdor Rusia për aktivistët që janë çuar kundër regjimit të ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych.
“Nuk ka qenë Amerika ajo që ka mbushur Maidanin me njerëz, kanë qenë ukrainasit”, ka thënë Obama.
Ai po ashtu ka pranuar se nuk ka asnjë mënyrë për të larguar Rusinë nga Krimeja, por ka thënë se për aq kohë sa SHBA-ja dhe aleatët e saj mbeten të bashkuar, “populli rus do ta kuptojë se nuk mund të arrijë sigurinë, begatinë dhe statusin që kërkon”.
Obama ka përsëritur paralajmërimet se nëse udhëheqja ruse vazhdon në të njëjtin drejtim, ajo do të izolohet edhe më shumë.
Krimeja – gadishulli jugor i Ukrainës – është aneksuar këtë muaj nga Rusia, pas një referendumi të cilin Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar si të paligjshëm.(Ne foto: Në Suharekë dhe në Krushë të Vogël të mërkurën u bë rivarrimi i 46 personave, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, që rezultonin të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në Suharekë ishin 27 arkivole, kurse në Krushë të Vogël 19. Kosova numëron edhe 1700 persona të pagjetur që nga lufta e fundit )