• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARJAN CUBI NË MES TË AMERIKËS DHE KOSOVËS

June 14, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/ Të dielën më 13 Qershor 2021 në orën 4 pm në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Hartsdale, New York u shfaq dokumentari televiziv “Marjan Cubi në mes të Amerikës dhe Kosovës” i realizuar nga gazetari i shquar i Radio Televizionit Shqiptar Ilir Buçpapaj. Me dhjetëra pjesëmarrrës miq, familjarë, autoritetet më të larta të Vatrës, famullitari i Kishës Dom Pjetër Popaj, gazetarë, studiues, patriotë, veprimtarë e bashkëpunëtorë të Marjan Cubit, nderuan veprimtarinë e lartë patriotike, politike, fetare dhe humanitare të Marjan Cubit dhe familjes së tij. Një dokumentar i gjërë me mbi 2 orë, i realizuar mjeshtrisht nga gazetari Ilir Buçpapaj, përfshin veprimtarinë e Marjan Cubit që nga fëmijëria e tij e deri në ditët e sotme. Në këtë dokumentar u shqaf portreti shumë dimensional i patriotit Marjan Cubi, familjes së tij dhe kontributi i çmuar në Diasporën shqiptare, kontributin e vyer për Kosovën, Shqipërinë dhe kudo ku lakohej interesi kombëtar e çështja kombëtare shqiptare. Veprimtaria në nderim të Marjan Cubit u hap nga djali i Marjanit, Ilir Cubi një patriot veprimtar që e ka shoqëruar Marjanin dhe mbështetur në të gjitha angazhimet dhe vendimmarrjet e tij. Për kontributin e Marjan Cubit si një personalitet fetar foli famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj i cili ndër të tjera tha: “Marjan Cubi është një personalitet atdhetar dhe fetar i jashtëzakonshëm. Ai na bën krenar të gjithëve. Ky dokumentar na gëzon sepse ne përpiqemi të vlerësojmë në një fare mënyre veprimtarinë e jashtëzakonshme që do të mbetet përherë si model dhe respekt ndaj asaj që Marjani na ka dhuruar si model i një patrioti e fetari tepër të përkushtuar. Veprimtaria e tij është një model i veçantë për brezat që vijnë. Në çdo sipërmarrje Marjani ka shkëlqyer, ka dalluar për shpirtin e tij, ndershmërinë dhe përkushtimin si për fe dhe atdhe. Mirënjohje të pakufishme Marjanit për angazhimin fetar dhe detyrat që i ka realizuar me sukses në Kishën tonë. Marjani ishte gjithmonë një njeri shumë i rëndësishëm në Famullinë tonë. Këmbëngulja dhe ndershmëria e Marjanit e kanë bërë një njeri të suksesshëm dhe veprimtar të shquar” cilësoi Dom Pjetër Popaj. Për veprimtarinë patriotike, politike dhe vatrane të Marjan Cubit foli kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i cili ndër të tjera u shpreh: “Jam i lumtur që marr pjesë në këtë promovim shumë emocionues për një njeri me integritet e personalitet të lartë si Marjan Cubi. E njoh prej më shumë se tash 3 dekada Marjanin. Ju garantoj me bindje absolute se është e vështirë të gjesh një njeri kaq patriot, kaq të ndershëm e kaq veprimtar të palodhur në mesin tonë si Marjan Cubi. Ai ka qenë në çdo kohë në krye të demonstratave nga Uashingtoni në New York e deri në Ohajo. Marjan Cubi ishte në krye të demostratave në dobi të çështjes kombëtare sa herë që interesi kombëtar e çështja kombëtare e kërkonte. Presidenti historik i Kosovës Doktor Ibrahim Rugova kishte respekt e vlerësim të veçantë për Marjan Cubin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të interesit kombëtar. Kemi udhëtuar 34 vite së bashku në krye të çështjes kombëtare. Marjani ka qenë kreu i LDK ku së bashku me Agim Rexhajn jemi përpjekur për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Jam i lumtur që e njoh, që e kam mik dhe bashkëpunëtor. Ky është dokumentar i shkëlqyer” përfundoi vlerësimet e tij për Marjan Cubin, kryetari i Vatrës z.Berisha. Gazetari i shquar i Radio Televizionit Shqiptar Ilir Buçpapaj u ndal te kontributi  i Marjan Cubit në çështjen e Kosovës, demostratat në Amerikë për çështjen e Kosovës, rivarrimin e eshtrave të Konicës,  vendosjen e gurëthemelit të Katedrales në Prishtinë, aktivitetin fetar e mbi të gjitha shpirtin shqiptar të Marjan Cubit si një patriot i flaktë e njeri fisnik i Kosovës kreshnike. Z.Buçpapaj e cilësoi Marjan Cubin si një “maratonamak” i çështjes kombëtare, kur për kontributin dhe vlerat e tij, brezat do i jenë mirënjohës. Dokumentari televiziv “Marjan Cubi në mes të Amerikës dhe Kosovës” u hap me fëmijërinë e mundimshme të Marjan Cubit në fshatin e tij të lindjes në Drenoc të Klinës,  shkollimin, shërbimin ushtarak dhe nisma për të njohur vlerat e kombit shqiptar. Një vit jetoi në Libi si emigrant për të punuar e mbajtur familjen. Libia ishte një vuajtje e madhe për Marjanin. Në Austri ditët e muajt ishin plot ëndrra për Marjan Cubin ku në Muzeun e Vjenës pa shpatën e përkrenaren e Skënderbeut e shumë libra të rilindësve të  shquar që e frymëzuan. Më 1974 shkeli në Amerikë në New York ku Manhatani ishte një madhështi, kujton në rrëfimin e tij në dokumentar Marjan Cubi. Kisha dhe besimi në Zot e shtynë gjithmonë përpara Marjanin si një njeri i pastër i drejtë dhe i ndershëm. Sapo erdhi në New York u angazhua me kishën Zoja e Shkodrës ku ishte Kryetar i Këshillit të Kishës ndersa sot është drejtor i Qëndrës Nënë Tereza. Marjani ka dhënë ndihmesë në zhvillimin dhe ruajtjen e traditave kulturore kombëtare. Më 1975 njihet me bashkëshorten Dilën dhe martohen më 28 shkurt 1976. Marjan Cubi merr pjesë rregullisht në demostratat shqiptare me dhjetëra e mijëra shqiptarë në USA për interesat kombëtare të lirisë dhe paqes në Kosovë. Hyrja e NATO-s në Kosovë për ta çliruar nga okupatori serb ishte një moment i madh krenarie e lavdie sipas Marjan Cubit i cili bashkë me miq e shokë, Marjani dha një kontribut të madh me takimet në Capitol Hill e Shtëpinë e Bardhë me kongresmenë e Senatorë. Marjani ishte pjesë e delegacionit të Vatrës në Uashington në shtator të vitit 2020 gjatë bisedimeve Kosovë – Serbi. Marjan Cubi ndalet te vlerësimi i veçantë për doktor Rugovën si arkitekt i shtetit modern dhe pararendës i lirisë e Pavarësisë së Kosovës. Ai tha për Rugovën se ishte një politikan i pazëvendëdësueshëm që luftoi për Kosovën. Dokumentari na njeh me faktin se Marjan Cubi ishte pjesë e delegacionit shqiptar që priti Papa Gjon Pali në Vatikan dhe homazhet për Nënë Terezën kur u largua nga jeta dhe kur u lumturua nga Vatikani. Marjan Cubi mblodhi fonde për kishën Katolike në Prishtinë, kishën Zoja e Shkodrës në New York ku janë mbledhur mbi 2 milion dollarë nga komuniteti shqiptar. Marjan Cubi ishte në Tiranë kur Papa Francesku shpalli të lumtur 38 Martirë të Kishës Katolike. Marjan Cubi dhe familja e tij dha kontributin për ndërtimin e Katedrales së Shën Pali e Shën Pjetrit në Tivar. Një vend të rëndësishëm në dokumentar zë jeta familjare e Marjani Cubit, detaje nga familja e tij e mrekullueshme ku tregohet imtësisht organizimi tradicional i dasmave tipike shqiptare, martesat e fëmijëve të Marjan Cubit, marrëdhënia e veçantë me nipat e mbesat etj. Në dokumentar flasin miq e bashkëpunëtorë prej vitesh të Marjan Cubit. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj deklaroi se Marjan Cubi ishte një besnik dhe përkrahës i madh i Rugovës. “Ishte mik i tij dhe zbatues i filozofisë Rugoviane. Marjani ka kontribuar dhe për UÇK. Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar” – cilësoi z.Rexhaj. Imzot Dom Lush Gjergji deklaroi në dokumentar se Marjan Cubi ka qenë shumë i përkushtuar për çështjen fetare dhe kombëtare ku me miqtë e tij amerikanë ka sensibilizuar për kauzën kombëtare. Një besimtar dhe veprimtar i angazhuar me mish e me shpirt në çdo rast dhe nevojë” – tha Imzot Gjergji. Editori i Diellit Dalip Greca e vlerësoi në këtë mënyrë Marjan Cubin: “Marjani ishte njeriu më i gjetur për të administruar në Vatër si arkëtar. Njeri patriot, i angazhuar dhe shumë punëtor. Marjani ka shpirtin bujar për ta mbajtur gjallë Vatrën. Një njeri i nderuar dhe i respektuar në komunitet” cilësoi z.Greca. Ish kryetari i Vatrës Dritan Mishto vlerëson në dokumentar se: “Marjan Cubi ka një aftësi të rradhë për të ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me bashkëpunëtorët. Ka bërë një menaxhim perfekt të detyrave. Ai ka vënë në dispozicion të Vatrës të gjitha energjitë e tij. Marjani është korrekt, dashamirës, i ndershëm, i papërtuar i paqtë dhe i mençur” shprehet z.Mishto. Përveç të tjerash në dokumentar shfaqet edhe Lek Musolli, Mikel Gojani e shumë miq e shokë të vyer të Marjan Cubit teksa e vlerësojnë dhe çmojnë lart figurën e dimensionin patriotik e njerëzor të Marjan Cubit dhe kontributin e tij e të familjes për Kishën, Kosovën, Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në tërësi. Në dokumentar paraqitet gjithashtu edhe publicistika e Marjan Cubit me karakter fetar dhe atdhetar. Në fund të dokumentarit përshëndetën djali i Marjanit Iliri ku shprehu vlerësime e nderime për pjesëmarrrësit, nipi i Marjanit e familjarë e miq të tij. Një moment shumë i rëndësishëm i kësaj feste për Marjan Cubin ishte vlerësimi me Certefikatë Mirënjohje për “Atdhedashurinë e kontributin e spikatur në lartësimin e vlerave të kombit tonë” prej Shoqatës Shqiptaro-Amerikanë “Skenderbej Inc” të cilën ia dorëzoi kryetari z.Mark Qehaja. Në fund të takimit festiv familja Cubi shtroi një cocktail vëllazëror që i dha mbrëmjes nota patriotike, respekti, vëllazërie, miqësie të veçantë e vlerësimi të madh për Marjan Cubin dhe Familjen e tij.

Ilir Cubi, djali i Marjanit, ka hap promovimin.
Dom Pjeter Popaj, Famullitari i Kishes “Zoja e Shkodres” pershendet para shfaqjes se dokumentarit.
Kryetari i Vatres z. Elmi Berisha, foli rreth veprimtarise se Marjan cubit.
Marjan Cubi me familjen Mrnacaj.
Marjan Cubi me Kryetaret e Vatres Arshi Pipa dhe Agim Karagjozi.
Prijesi historik Dr. Ibrahim Rugova.
Presidenti i Nderit Agim Rexhaj duke fole per veprimtarine e Marjan Cubit ne LDK dhe Vater.
Dom Lush Gjergji: Marjani eshte nga ata veprimatre qe ka luftuar per bashkimin e kokave para se te luftojme per bashkimin e Tokave shqiptare.
Duke ndjeke folesit.
Iliri me Familjen.
Editori me zonjen Fisnike Mrije Mrnacaj.
Kryetari i Shoqates Shqiptaro-Amerikane”Skenderbej” duke i dhuruar “Mirenjohje” veprimtarit Marjan Cubi.

  

Filed Under: Featured Tagged With: DHE KOSOVËS, Marjan Cubi, NË MES, Sokol Paja, TË AMERIKËS

Kosova në Berlinale me filmin NË MES

January 14, 2019 by dgreca

-Samir Karahoda dërgon Kosovën në Berlinale me filmin NË MES. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë/

1 berlinarePRISHTINË, 14 Janar 2019-Gazeta DIELLI/ Sot përmes komunikatës për shtyp Festivali Ndërkombëtar i Filmit BERLINALE njoftoj për pjesëmarrjen e filmit NË MES të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.

1 In Between

Filmi trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njejta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve portretizon  marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz. “Nuk e di si ta përshkruaj ndjenjën dhe gëzimin për vlerësimin e filmit nga një festival siç është Berlinalja, sidomos kur bëhet fjalë për film debutues. Përzemërisht dua të falenderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin të cilët u përkushtuan dhe kontribuan me zemër në formimin e kësaj vepre”, theksoi autori Karahoda. NË MES është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovarë”, në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011. Filmi është prodhim autentik i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoj që ky fakt edhe një herë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare. “Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq profesional është me të vërtet nder dhe privilegj. Edhe pse filmi në fazën fillestare ishte paraparë në formë eksperimentale, Samiri përmes gjuhës filmike me mjeshtri ka arritur t’a pasqyroj kontekstin antropologjik, shoqëror dhe arkitektural të një fenomeni të përhapur në Kosovë”, theksoj producenti Bilibani.

Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.

 

Regjia dhe Drejtor i Fotografisë: Samir Karahoda, Producent: Eroll Bilibani, Montazhi: Enis Saraçi, Dizajner Zëri: Memli Kelmendi, Xhirues Zëri: Gëzim Rama dhe Dizajnere Grafike: Nita Salihu Hoxha.

 

Premiera e filmit në Berlinale do të jetë në 12 Shkurt 2019./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: Kosova në Berlinale, me filmin, NË MES

NË MES TË PYLLIT DO VEMI…

May 26, 2014 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Me Marie Terenzin, një nënë rreth 79 vjeç, e qeshur e tërë humor, u takova në oborrin e vilës së saj në Saugus, Mass. Atë ditë korriku bënte shumë vapë dhe ne mikeshat, unë e Sofia Manthoja propozuam të hynim në pyllin aty pranë. Në fund të oborrit me bar, në një selishtë
të pjerrët, ishte rritur një pyll i vogël bredhash plot freski e hijeshi. Qetësia dhe errësira e pyllit më kujtuan një këngë të moçme korçare. E fillova si me shaka këngën, ndërkaq atë e
pasuan njëherazi edhe Maria me Sofinë. Por, mbi të gjitha, dëgjohej zëri i Maries.
O vemi, o s’vemi
Në mes të pyllit do vemi…
Vazhduam të këndonim edhe dy-tri këngë të tjera korçare e përmetare. Maria, e cila fliste me vështirësi shqip, për habi fjalët e këngëve i shqiptonte shumë mirë.
– Sa mirë i këndoni këngët shqip! – i thashë.
– E dini? – tha ajo e përlotur. Dikur unë hapja programin në Radion “Zëri i Shqipërisë” (Voice of Albania) në Boston, duke kënduar këngë shqip. E para këngë ishte “O moj ti me sytë e zinj”. Dhe, e dini kush më mësoi për këtë? I përndrituri Fan Noli ynë i paharruar.
Sa herë që hapja emisionin me ndonjë këngë shqiptare, e dija dhe e ndieja se atë çast po më dëgjonte edhe Fan Noli…gëzohesha e bëhesha me krahë…
Ndërkaq, Maria u ngrit për të na sjellë diçka për të pirë dhe Sofia, bashkëmoshatarja dhe shoqja më e ngushtë, më tregonte për jetën e saj. Maria ishte lindur në Amerikë më 1917. I ati,
Luigj Pirro dhe e ëma Eftalia Karçini, erdhën në Amerikë nga Përmeti në vitin 1915. I ati kishte një dyqan grocerie, por vdiq shpejt më 1919 nga një epidemi e rëndë gripi. Maria mbaroi shkollën e mesme dhe hyri në punë në fabrikën e këpucëve e më vonë në General Eletric. “Ajo nuk u martua si unë, me burrë shqiptar”, – përfundoi Sofia, – e mori të huaj, italian.”
Maria, që po priste me tabaka në dorë, dëgjoi bisedën dhe, duke qeshur, iu drejtua Sofisë:
– Pse nuk i tregove që unë s’jam vluar si ti me mbles, por me dashuri.
– Domosdo, ta mori mendjen yt shoq, me serenata! – i tha teto Sofia.
– Kush ta ka ngjallur pasionin e këngëve shqiptare? – e pyeta
Marien.
– Ne në shtëpi të gjithë këndonim, – tha ajo. – Unë i bija
mandolinës, im shoq kitarës. Megjithëse burrin e kam patur
italian, ai i pëlqente dhe këngët tona. Ime motër, Viktoria,
këndonte për çdo 28 Nëntor në Boston, kur festonim Ditën e
Flamurit. Atë ditë vishja një jelek të qëndisur që e kishte sjellë
nëna nga Shqipëria.
– Kur vije në Boston për festë, e takoje edhe
Fan Nolin?
– Posi, kushedi sa herë. Kam qenë edhe nëpër darka e
piknikë. Ishte burrë i thjeshtë, i mençur e nuk i pëlqente fancy.
Dëgjoni ç’m’u kujtua: Fan Noli kishte shkruar fjalët e një kënge:
“Nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” dhe im kushëri,
Sokrat Totoni, e kompozoi. Këtë këngë e këndonim rëndom në
ditët e “emrave”, nëpër piknikë dhe në emisionin e radios.
– Si i festonit ditët e “emrave”?
– Ishte një zakon fetar i sjellë nga Shqipëria. Gjithësecili
festonte e kujtonte ditën që i ishte vënë emri. Por, “sebepi” i
“emrit” bënte që të shtoheshin vizitat te familja e njëri-tjetrit,
të takoheshim më dendur e të ruanim zakonet e traditat
shqiptare.
Maries diç iu kujtua e buzëqeshi.
– Në ditët e “emrave”, – vazhdoi ajo, – i zoti i “emrit”
shtronte darkë për mysafirët. Në fillim uleshin burrat, hanin e
pinin e bënin muhabet sa kishin qejf, ndërsa gratë e fëmijët
prisnin të vinte radha e tyre. Ndonjëherë fëmijët i zinte gjumi
pa ngrënë. Këtë traditë të sjellë nga Shqipëria, e respektonim
edhe këtu në Amerikë. Më vonë, e solli koha që zakoni “të
berberosej” e të uleshim që të gjithë në një tavolinë. Kështu
ishte më mirë, se ishim të gjithë së bashku, këndonim e
vallëzonim. Janë kujtime të paharruara.
– Edhe piknikët?
– Oh, yes. Në pikniqe shkonim me bus. Sapo zbrisnim nga
busi, dëgjonim së largu gërnetën e Spiros dhe na lëshonte goja
lëng nga aroma e shishqebapëve dhe nga qengji që piqej në
hell. Janë kujtime shumë, shumë të bukura…
Maria na solli disa fotografi. Në njërën, dalë në një piknik,
midis tyre ndodhej edhe Fan Noli. Ishte një fotografi interesante:
Fan Noli, dalë në profil, i qeshur e gazmor, kishte shtrirë krahun
e djathtë në drejtim të Spiros, i cili i binte gërnetës. (Kjo foto i
bënte jehonë dëshirës, vullnetit e këmbënguljes së Nolit student
kur u regjistrua në New England Conservatory për të marrë
mësime në një fushë të re në atë të muzikës…dhe “Rapsodisë
shqiptare” të kompozuar prej tij.)
Një foto tjetër interesante mbante datën 1938. Fan Noli ndodhej
në rreshtin e parë , midis punonjësve shqiptarë të radios
“Zëri i Shqipërisë” në Boston. Fan Noli ishte me kostum të zi,
me një xhaketë mbërthyer deri lart, ku dallohej jaka e bardhë,
rrethore e priftit.
-Fan Noli ishte bërë si i shtëpisë në radion tone,- thotë Maria,-
Shpesh ne lexonim artikujt e tij botuar nëpër gazeta ose e merrnim
edhe në intervistë. Ishte i thjeshtë, popullor dhe humorin s’e ndante
nga goja. Kur lexoja ndonjë artikull të tij, më dridhej zëri
dhe emocionohesha, sepse e dija që ai më dëgjonte dhe
kushedi sa gabime pikaste.

Tashmë dielli kishte marrë në të perënduar dhe Maria na
ftoi të hynim brenda në vilën moderne tri katëshe. Apartamenti
i saj ishte në katin e parë, ndërsa në të dy katet e tjera banonte
çdonjëri nga djemtë e saj.
– Maria është grua nikoqire, – më sqaroi teto Sofia – dhe po
ashtu i ka mësuar edhe djemtë e saj. Ata kanë një fabrikë në
Worborn, Mass., për pjesë këmbimi për pajisjet elektroshtëpiake.
Tani fabrikën e kanë zgjeruar. Në zyrat e saj punon edhe Maria,
dy-tri ditë në javë. Ajo është profesioniste në kompjuter.

Kur hymë brenda, në dhomën e ndenjes, Maria, ishte ulur
pranë kompjuterit me dy nipat e vegjël dhe ndiqte programin.
– Po ua mësoj kompjuterin nipave, – tha ajo. – E dini? Ky
më i vogli është tre vjeç dhe mëson për bukuri.
Atë çast u afruan për të na përshëndetur djali i Maries,
Stefani, dhe nusja e tij. Nga mënyra e sjelljes së tyre kuptova se
sa shumë e donin dhe e respektonin nënë Marien.
– Sapo mësova se ju jeni një biznesmen, – i fola anglisht
Stefanit. – Me sa keni dëgjuar nga nëna juaj për Shqipërinë, a
keni ndonjë kureshtje a interes ta vizitoni e ta njihni më afër?
– Sigurisht, – tha ai, – po të kisha kohë të lirë. E di çka?
Nënën e kam shqiptare, babanë italian, gruan nga Santa
Domingoja. Të trija vendlindjet i kam të shtrenjta. Ku të shkoj
më parë?
– Domethënë, i thashë Maries, – këta dy nipçet e vegjël
s’merret vesh çfarë gjaku kanë.
– Merrem unë me ata, – tha Maria, – me siguri do të marrin
shumë nga gjaku im.
– Çfarë u mësoni atyre?
– Shumë gjëra të bukura: këngë, përralla e lodra shqiptare.
Ju ndoshta qeshni. Unë me nipat luajmë letra, “kollçinë”. Kur
jeshë shumë e vogël, prindërit i kishin sjellë nga Shqipëria letrat
e bixhozit dhe “kollçina” ishte loja e parë që mësonim ne fëmijët.
Ajo diç u bëri me shenjë nipave dhe ata u afruan e na
treguan disa fletë me vizatime. Në njërën prej tyre kishin
vizatuar një vapor me flamur shqiptar.
– Me këtë vapor ka udhëtuar stërgjyshi nga Shqipëria në
Amerikë, – tha nipi më i vogël duke përdorur një fjalor gjysmë
anglisht e gjysmë spanjisht.
– I kanë vizatuar vetë, – tha Maria, – por i kam ndihmuar
edhe unë.

Në bibliotekë e kudo gjendeshin piktura, portrete,
punime të vogla në reliev etj, të pikturuara nga duart e arta të
Maries. Kureshtjen filloi të ma hiqte dalëngadalë Sofia.
– Që kur ishte 5 vjeç, Maria filloi të vizatonte, – tha ajo, –
portretin e nënës e të babait, pastaj me radhë njerëzit e farefisit,
fëmijë, lule, kafshë etj.
Por, ato që të linin gojëhapur, ishin pikturat e bëra me gurë
të vegjël, të ngjashëm me fiçorët e lumit. Ishte një mënyrë
origjinale e pikturimit e zbuluar vetëm nga Maria.
– Qysh e vogël, – shpjegoi ajo, – mblidhja nëpër plazhe gurë
të lëmuar dhe vizatoja mbi ta portrete, kostume kombëtare
shqiptare, panorama etj.
Ajo na tregoi disa syresh. “Kali dhe kalorësi” të pikturuar
në një copë të vogël guri sa një kopsë, dukeshin të zmadhuar
nga xhami i rrumbullakët ku ishte fiksuar guri. Ishin punime
aq fine, sa dukej e pabesueshme t’i kishte punuar dora e njeriut.
-Kjo është kopje,- tha Maria,- origjinalin e “Shën Gjergjit
mbi kalë” , ia kam dhuruar Fan Nolit ditën e Shën Gjergjit.
Ai e vlerësoi shumë punën time, u gëzua kur ia dhurova e
më premtoi se do ta mbante në tavolinën e punës…

– Para disa vjetësh, – vazhdoi ajo, – erdhën në shtëpi gazetarët
e Televizionit, të cilët filmuan dhe dhanë një program prej 20
minutash për pikturat e mia në gur.
– Kur e ke bërë shkollën për pikturë? – pyetën ata.
Ajo qeshi. Nuk kishte kryer asnjë shkollë për pikturë. Kishte
vetëm talentin dhe dëshirën të krijonte vepra të bukura.
– Vazhdon akoma të pikturosh?
– Tani do të të them një gjë! – tha ajo tepër e mallëngjyer. –
Këto vitet e fundit pikturoja më rrallë…, për punë të
syve…pleqëria…Por që kur keni filluar të vini ju njerëzit e rinj
nga Shqipëria, unë kam ndryshuar… për Perëndi! Më vijnë e
më takojnë kushërinj që kanë pasur baballarët në Amerikë.
Kur i shikoj, thërres emrin e babait të tyre. Sa u ngjajnë! Ju po
na sillni gjak të ri prej vatanit, moj bijë. Po na rinoni dhe ne.
Sytë e mi tani shohin më mirë e më ka hipur damari prapë të
pikturoj. Jam me fat që rroj akoma e shoh shqiptarë të rinj! …
Po ti… a më bën një nder? – më tha Maria me sy lutës.
– Sigurisht, – i thashë. – Në qoftë se e kam të mundur.
– Tërë jetën kam pasur një dëshirë që nuk m’u plotësua. I
kam shumë qejf malet. Nga prindërit kam dëgjuar se Shqipëria
ka male e pyje të bukura. Atje doja të pikturoja një peisazh.
Por tani është vonë. Jam në pleqëri e nuk udhëtoj dot. Mos të
ndodhet ndonjë fotografi shqiptare me male, të ma huash për
ca kohë?
– Posi, u kujtova unë, – më kanë dërguar nga Shqipëria një
kartolinë me pyllin e ahut, në fshatin tim, në Dardhë. Unë do
të ta jap me gjithë qejf dhe kam besim se ti, zonja Marie, me
ato sytë e zinj, do ta pikturosh pyllin po aq bukur sa ç’këndon
edhe këngën “…Në mes të pyllit do vemi!…”

Filed Under: ESSE Tagged With: DO VEMI…Rozi Theohari, NË MES, TË PYLLIT

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT