• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA- KRONIKE E AKADEMISE PERKUJTIMORE NE NDERIM TE AKADEMIK MARK KRASNIQI NE NJU JORK

September 7, 2015 by dgreca

-Bashke me Kroniken e veprimtarise perkujtimore edhe fjala e Kryetarit te Vatres dr. Gjon Bucaj, mesazhi i Presidentit te nderit te Vatres, Agim Karagjozi dhe fjala e zv.Kryetarit Agim Rexhaj/

Me 5 shtator 2015 VATRA organizoi nji aktivitet për përkujtimin e akademik Mark Krasniqit, i cili vdiq pak ditë ma parë dhe u vorros në Prishtinë. Perkujtimi u zhvillue ne Royal Regency Hotel dhe filloi para orës 11:30 të ditës dhe zgjati rreth dy orë. Aktiviteti u zhvillue në mënyrë krejt spontane ku, përveç kryetarit Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës, folësit tjerë shprehën kujtime dhe mbresa përsonale për lidhjet miqsore, nga takimet e ndryshme që kanë pasë me Profesorin e njerë. Drejtimi i aktivitetit iu ngarkue zotit Besim Malota i cili ka pasë marrëdhanje të ngushta, edhe familjare, në shpinë e të cilit profesor Krasniqi ka ndejtë të shumtën e kohës sa herë që ka ardhë në Shtetet e Bashkueme. Në fillim ai përshëndeti dhe ngushlloi të pranishmit për humbjen e akademikut të shquem si dhe për dy kolegët tjerë të tij që mbrenda pak ditësh u ndanë nga jeta, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Mbas nji minut heshtje për të tre, ai ftoi kryetarin Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës. Agim Rexhaj mik përsonal shprehi dhimbjen e madhe dhe vlersoi plot emocion humbjen e randë me përshkrime të kontakteve të shumta miqsore që ka pasë. Liridona Malota të cilës profesor Krasniqi i ka dhanë emnin kur ka lindë, në vjetin 1991 ai gjindej në Amerikë “tue kërkue lirinë”, dhe i dha emnin Liridona, emën me të cilin i ati u pajtue me kënaqsi. Harry Bajraktari i cili kishte marrë pjesë në vorrim përshkrou nderimet që Akademikut iu banë në Kosovë dhe solli kujtime nga bashkpunimi me të ndjerin. Ai gjithashtu solli për Vatrën nji ekzemplar të librit të fundit, i cili u botue me shpenzimet e tij në mënyrë të përshpejtueme nji ditë para vdekjes. Idriz Lamaj, Marjan Cubi, Tomë Paloka edhe Mithat Gashi vlersuen lart veprën e profesor Krasniqit dhe përpjekjet e tij të palodhshme deri në fund të jetës për Kosovën, për kombin shqiptar dhe për bashkimin e trojevet etnike. Profesor Mithat Gashi lexoi poezinë “Kosovës” të shkrueme kur autori ishte 22 vjeçar, student në Itali me bursë të Ministrisë së Arsmit të Shqipnisë. Në fund nipi i Profesorit, Martin Krasniqi, falënderoi të pranishmit dhe, prej këtij tubimi, i drejtoi mirënjohjen Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për përcilljen shumë dinjitoze të axhës Mark në pushimin e mbram. Gjatë programit, i cili ishte i lirë dhe folësat u shprehën simbas deshirës së tyne, u treguen disa pjesë filmike të përgatituna mjeshtrisht nga z. Dritan Haxhia, ku fliste vetë Akademik Krasniqi. Në të mramin fragment filmik, për realizimin e botimit të librit të fundit ai falënderon Hajdar Bajrakarin dhe redaktorin Bajrush Morina. Me zanin e lodhun shqiptoi porosinë për shqiptarët: Mos hiqini dorë kurrë nga Bashkimin Kombëtar. 

FJALA E DR.GJON BUÇAJ KRYETAR I VATRES MBAJTUR NE AKADEMINE PERKUJTIMORE/

Në përkujtimin e Akademik Mark Krasniqit – 5 shtator 2015, New York

Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, lindi spontanisht ideja për organizimin e nji përkujtimi këtu, në komunitetin shqiptaroamerikan të New York-ut me rrethe, për të tregue respektin tonë për këtë atdhetar të shquem dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, arsimit dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Fatkeqsisht, lajmet për humbje të randa nga Kosova nuk u ndalen me kaq, mbrenda nji muejit u shuen edhe dy figura të tjera, kolegë e miq të Mark Krasniqit, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Gjithashtu në Kroaci vdiq edhe studiuesi arbëresh, Alekander Stipçeviq, ilirologu ma i madh bashkëkohor.

Në tubimin e sotëm, ata që e njohën nga afër ose e admiruen nga larg profesor Markun, qoftë në Kosovë ose gjatë vizitave të Tij në Amerikë, do të kenë rastin të sjellin kujtime dhe mbresa përsonale, kurse në nji rast të përshtatshem ma vonë, mund të organizohet nji konferencë shkencore, ku do të ndigjojmë studiues dhe njohës të kualifikuem, mbi jetën dhe veprën e këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm.

Megjithatë, lypet që këtu të njifemi, shkurtimisht, me disa të dhana biografike të jetës së tij. Ai lindi me 19 tetor 1920 në katundin Gllaviqicë, që tash thirret shqip Shëngjon, në rrethin e Pejës, në nji familje me origjinë prej krahinës Nikaj e Mertur. Shkollën fillore e kreu në katundin e lindjes, kurse gjimnazin në Prizren më 1941. Prej atij viti deri në 1943 ka studiue letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946 ka studiue Gjeografinë dhe Etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku ka diplomue me 1950. Prej 1950 deri 1961 ka punue në Akademinë e Shkencave në Beograd, asistent e mandej bashkëpunëtor shkencor. Në vitin 1960 ka doktorue në Universitetin e Lubljanës, sepse në Beograd ia refuzuen temën që trajtonte aspekte të ndryshimevet bashkëkohore gjeografike shoqnore në Kosovë. Prej vitit 1961 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri sa pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga arsimi në vitin 1981. Për studentat dhe për kolegët ka mbetë gjithmonë Professor Marku ose Baca Mark, i nderuem dhe i dashtun. Baca Mark e thërriste me respekt edhe President Rugova, të cilit Baca Mark i ndejti gjithmonë përkrahës besnik.

Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, antar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë deri në fund.

Si autor ka shkrue shume libra shkencorë, letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore. Posta e Porositur, Lepuri analfabet; monografitë etnografike Rugova, Lugu i Beranit (koautor), Rrënjët tona etnike, Gjurmë e gjurmime – studime etnografike, Besa në traditën shqiptare, Toleranca në traditën shqiptare dhe Mikpritja në traditën shqiptare, Jehona e Kohës (përmbledhje poezishë për të rritun), Reagime (polemika), janë disa nga titujt e veprave të tij. Ka botue edhe librin Kujtime e Përjetime, me shenime autobiografike, si dhe librin e fundit që doli nga shtypi nji ditë para vdekjes, Porosia ime per shqiptarët: Mos hiqni dorë kurrë nga Bashkimi Kombëtar. Ka ba disa përkthime në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm. Si polemist njifet sidomos me shkrimet që botoi në mprojtje prej sulmeve nga intelektualët shovenista dhe pushtetarët serbë në vitin 1966, me forcën e fakteve dhe të guximit përsonal, si e tregon tema “Qëndrimet shkencore në thumb të politikës antishqiptare”. Guximi i tij ishte mbështetje e fortë morale edhe për intelektualët tjerë shqiptarë të Kosovës në kohë presioni dhe persekutimi. Në vitin 1992 paraqiti raportin “Kosova sot” (Kosova Today) në Senatin Belg në Bruxelles, në mbrojtje të çashtjes së Kosovës. Nji vepër tjetër me vlerë të madhe kombtare asht edhe roli i tij gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Burrë i ndershëm, i sinqertë, i kandshëm në shoqni, i ambël në biseda, cilësi këto që shumë prej jush i keni shijue, patëm kënaqsinë me i shijue ma se nji herë edhe në Vatër. Agim Karagjozi i pat dhurue nji libër me dedikimin:

“Akademik Mark Krasniqit me admirim e mirënjohje për kontributin madhor që ka dhënë kulturës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave të Kosovës. Kujtim nga Vatra.”       

Agim Karagjozi

New York, 20 prill 2004

Akademik Mark Krasniqi ka marrë shumë çmime e vlersime akademike kombëtare e ndërkombtare. Ai asht nderue me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga Presidenti Rugova dhe me medaljen Nderi i Kombit nga President Nishani.

Ai ka meritën e madhe të ngritjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, si inisjatori dhe organizatori i palodhshëm deri në realizimin e qellimit. Kam pasë kënaqsinë me qenë pjesë e publikut të gëzuem në tubimin festiv të asaj dite plot emocion të 28 nandorit 2001 në Sheshin ku u ngrit monumenti.

Bashkimi Kombëtar ishte synim i tij jetsor, ai asht edhe AMANETI i Tij i fundit për shqiptarët.

I letë i qoftë dheu i tokës së ambël të Kosovës!

I paharrueshem qoftë kujtimi i Tij!

FJALA E ZV/KRYETARIT TE VATRES, Z. AGIM REXHAJ NE AKADEMINE PERKUJTIMORE

Miq te nderuar, para se të them diçka për mikun tim, për mikun tonë, të madhin Mark Krasniqin, do t’iu them edhe njëherë ngushëllime, të gjithë juve këtu dhe familjes së tij, ngushëllime për humbjen e të shtrenjtit tonë, të profesorit të pashoq Mark Krasniqi. 
 
Këtu dhe tash, më duhet t’ua them se profesorin e njoh, ashtu siç e njohin gjeneratat e shqiptarëve, që nga fëmijëria ime, qëkur e kam mbajtur me respekt në duar librin antologjik të poezisë shqiptare për fëmijë, “Postën e porositur”, librin me të cilin jemi rritur dhe me porositë e të cilit jemi edukuar ne shqiptarët, që jetonim nën tutelën komuniste, me të cilën kurrë nuk është pajtuar profesor Marku  .
 Por unë, unë kam pasur fatin e madh që profesorin tonë ta njoh tash e një çerek shekulli, që nga viti heroik, një nga vitet më të mëdha të historisë shqiptare, që nga viti i Pajtimit të Shenjtë Kombëtar, që nga viti 1990, kur profesori Mark, bashkë me intelektualët dhe figurat  më të shquara shqiptare, si Anton Çeta, Bajram Kelmendi, Azem Shkreli etj., kishte arritur në New York me një mision të shenjtë, me misionin e pajtimit të shqiptarëve dhe të faljes së gjaqeve.
 Që nga ato ditë të korrikut të vitit 1990, profesor Marku është bërë pjesë e jetës, e preokupimit, e mendimit tim dhe, ashtu siç koha lind dhe krijon personalitetet të mëdha jo rastësisht, ai, bashkë me të madhin e të mëdhenjve, me President Rugovën, si burra të pashoq të shqiptarizmës, u bënë pjesë jo vetëm e jetës sime, por e të gjithë neve që përpiqeshim për Kosovën e për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe për çlirimin e demokratizimin e tyre.
 Dhe, kurdoherë që ndjehesha i pafuqishëm, kurdoherë që punët dhe çështjet e kombit nuk na shkonin mirë dhe ndjehesha i dobësuar, i pashpresë dhe i zhgënjyer, më kujtoheshin këta burra të burrave, Rugova dhe profesor Marku dhe, prapë, ndjehesha me fat, fuqizohesha, trimërohesha dhe bashkë me shokët e mi të punës e të idealit,  vazhdonim rrugën tonë të madhe.
 Shkuarja në amshim e profesor Markut, e njeriut i cili kishte lindur si njeri i kombit dhe për kombin, është një humbje e pazëvendësueshme dhe sot, edhe nëse ligështohem sot ose nesër, unë do ta ndjej mungesën e fjalës së tij, të këshillës së tij, të urtisë së tij, shumë dhe thellë. 
 
Miq të nderuar, sigurisht se unë, po edhe ju, do ta keni në çdo prag-feste një boshllëk, një zbrazëti, dhe ato festat tona, në të cilat i këmbenin urimet dhe mesazhet tona të mbarësisë, Festa e Kërshëndellave, Festa e Pashkëve, Festa e Pavarësisë, e 28 Nëntorit të madh, dhe Festa e Vitit të Ri, nuk do ta kenë më atë ngjyrë dhe atë shije që kishin kur ne këmbenim urimet tona me aq shumë shpresa e përgëzime mbarësie.
 Miq të nderuar, për mua, as vizitat në Prishtinë e në vendlindjen time në Pejë, nuk do të jenë njësoj pa profesor Markun dhe do të jenë më të varfra për shumëçka, sepse atje tash e tutje do të më përcjellë vetëm kujtimi për te, jehona e fjalëve të tij, e humorit të tij të pashoq, e gjesteve dhe e guximit të tij njerëzor e kombëtar. 
 
Zonja dhe zotërinj, megjithëse nuk dua të ligështohem dhe dua t’ia zë pritën vajit e lotit për humbjen e madhe të të madhit, profesor Markut, edhe nëse ligështohem, dua të ma falni, se udhëtimi për në amshim i të shtrenjtit tonë, na lë neve këtu ku jemi, në Amerikë, shqiptarët e tjerë kudo ku janë, në secilin cep të trojeve shqiptare, na lë pra ne shqiptarëve më të varfër, na lë pa demokratin e madh, pa atdhetarin e shtrenjtë, na lë për një hap a për më shumë hapa më larg idealeve të shenjta shqiptare. Sepse ai ishte një nga ato shtyllat e mëdha të kombit, të demokracisë, të pajtimit të njëmendët kombëtar, të pavarësisë dhe përparimit të shqiptarëve.
 
Zonja dhe zotërinj, miq të nderuar, edhe njëherë ngushëllime familjes dhe miqve të profesor Markut, të gjithë juve këtu, për jetë e mot lavdi dhe i qoftë dheu i lehtë.
Agim Rexhaj, 5 Shtator 2015

Filed Under: Vatra Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Gjon Bucaj, me 5 shtator, ne Nju Jork, Vatra perkujtoi

SIMPOZIUM PER 90 VJETORIN E LINDJES TE PROF. SAMI REPISHTI NE NJU JORK

July 19, 2015 by dgreca

Te shtunen me 18 korrik 2015”Miqte e Prof. Sami Repishtit” organizuan nje Simpozium per ta nderuar ate dhe per te evidentuar vlerat e veprimtarise se tij ne sherbim te ceshtjes Kombetare, mbrojtjes te drejtave te njeriut, vlerave edukative si mesimdhenes, si dhe per te evidentuar vlerat e vepres se tij letrare. Veprimtarine e ka moderuar aktivisti i komunitetit Ramadan Gashi. Me pas Dr. Nikolla Qafoku ka sjelle nje pershendetje vleresuese per Prof. Sami Repishtin si edukator, autor, demokrat parimor, intelektual jo konformist, Dr. Elez Biberaj-drejtor i Divizionit te Euroazise ne Zerin e Amerikes, solli kumtesen”Perpjekje per Liri e Pavaresi te Kosoves”, studiuesi Anton Cefa mbajti kumtesen:”Prof. Dr. Sami Repishti ne 90 vjetorin e Lindjes”, Agron Alibali kishte pergatite kumtesen”Nji trajtim i problemit Cam”, ish drejtori i Divizionit te Euroazise ne VOA, gazetari Frank Shkreli mbajti kumtesen”Veprimtaria per te Drejtat e Njeriut”, ndersa Grid Rroji” Mendimi Politik i Dr. Sami Repishtit”. Nje pershendetje te vecante sollen ne Simpozium, Neka Doko, drejtore e Bibliotekes”Fan S. Noli” prane kryekishes Shen Gjergjit ne Boston, biznesmeni Harry Bajraktari dhe gazetari Sinan Kamberaj.Ndersa kengetari Bashkim Pacuku pershendetjen e tij e beri te vecante, interpretim skenik.
Nderkohe ne Simpozium u percollen edhe kumtesa te derguara nga studiues qe nuk ishin te pranishem ne Simpozium: Kumtesen e Fotaq Andrea”Hyrje: Dialektika e Rendit dhe Rebelimit tek Andre Malraux” e sollen ne shqip Bekim Xhaferri ne anglisht Aida Gashi, studimin “Pika Loti-Tregime burgu-Analize” te Dr. Lumira Rroji e percolli Ava D.Safir, J.D; Kumtesen e Dr. Eleni Karamitri”Nen Hijen e Rozafes-Narrative e jetueme” e sollen ne shqip Bekim Xhaferri dhe ne anglisht i biri i Prof. Repishti Dairen Repishti Ph.D.
Ne perfundim te Simpoziumit Prof. Sami Repishti ka falenderuar organizatoret, autoret e kumtesave, pjesmarresit per nderimin qe iu be jetes dhe vepres se tij.
Vperimtarine e ndoqi edhe media e Komunitetit: Zeri i Amerikes me gazetarin Ilir Ikonomi, Gazeta Dielli, Gazeta Illyria, Gazeta Bota Sot, TV 21, TV Kultura Shqiptare.
Kumtesat mund t’i lexoni ne Dielli online.Fotografite i gjeni ne facebook

Filed Under: Komunitet Tagged With: 90 VJETORIN E LINDJES, dalip greca, ne Nju Jork, SIMPOZIUM PER, te Prof. Sami Repishti

KA NDËRRUAR JETË NË NEW YORK GJEKË SINISHTAJ

May 21, 2015 by dgreca

KA NDËRRUAR JETË VETERANI I GJEODEZISË SË KOSOVËS GJEKË SINISHTAJ NË NEW YORK, Më 18 Maj, 2015/
Sot Shqiptarët janë më të varfër për një expert të shquar të Gjeodezisë, pa nje koleg të çmuar, pa nje prind, shok dhe mik, pa Gjeke Sinishtën, i cili papritmas ndërroi jetë në New York. Gjeka rrjedh nga një familje bujare e Këshevës së Malësis sëTuzit. Ky është i vetmi Shqiptar që muar titullin e inxhinierit të diplomuar te Gjeodezisë në Universitetin e Beogradit. Ishte drejtori i parë Shqiptar i cili drejtoi më sukses ish Drejtorinë Komunale te Gjeodezisë dhe Kadastrin të Prishtinës për dy mandate, deri në vittin1984, kur u emërua zavendës drejtor në ish Drejtorin Gjeodete të Kosovës ne te cilën punoi gjerë ne okupomin serb, ne Vitin 1990. Kontributi i Gjekës në leminë e Gjeodezisë është I njohur duke filluar, me aplikimin e gjuhës shqipe në planet, regjistrat, dhe dokumentacionin zyrtar, përmirsimin e struktures kadrovike te drejtorise më ekspertet shqiptar, që në at kohë ishin deficit, me perkushtim në edukimin e brezave te rinjë, dhe ngitje profesionale te gjeodetëve. Më dinjitet rezistoi presionin e përditëshem te politikës hegjemoniste serbomadhe, në tentimin e dhunimit te kulturës dhe te historisë Shqiptare. Nuk lejoi qe Serbija plani perfidë I Serbisë të realizohej ne ndryshimin e toponimet shqipe, në plane, harta dhe evidenca tjera kadastrale.
Gjeka ne Kosovë gëzonte respekt, kishte autoritet, ishte i dashur, gëzohej kur e e quanin Malsor, ishte i dashur per Kosovar, mburrej me trimërin dhe veprat e trimit Ded Gjon Luli, Herojin e Kombit, nga Malësia e Madhe. Ne New York jetoi në dy dekadat e fundit, dhe ishte mjaft aktiv në jetësimin e kauzës Shqiptare. Për shumë shqiptar të cilët patën rast ta takojn Gjekën, ngadhënjyan mbi shumë veshtirësi që kishin, besim e mbi të gjitha.
Gjeka sa jetoj ishte model për një shqiptar, se te jete shok e veqanërisht prind i rall, që shkolloj te tre fëmijet, deri ne titujt me te lart ate “phd”.
Ne do ta kujtojn personalitetin dhe shembëlltyrën e Gjekës si një model të rrallë.
Në amëshim!
Hasan Berisha, Californi

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjeke Sinishta, nderroi jete, ne Nju Jork

REVOLTA E SPAÇIT PËRKUJTOHET E NDEROHET NË NJU JORK

May 19, 2015 by dgreca

Pëllumb Lamaj i vlerësuar dhe nderuar nga Asambleja e Shtetit të Nju Jorkut dhe Këshilli i Bashkisë në NY, deklaroi për Diellin: Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit e Qafë Barit, ky është një vlerësim për të gjithë ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë, por ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve-demagogji e tranzicionit antidemokratik!/
Nga Dalip Greca/
Të dielën me 17 Maj 2015 në Kolegjin Monroe të Nju Jorkut është organizuar një veprimtari nderuese dhe përkujtimore për heronjët, martirët dhe qëndresatrët e Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit.Në përvjetorin e 42 -të Revoltës së Sapçit, Asmableja e Nju Jorkut me sponsorizim të z. Mark Gjonaj, ansambleisti i Distriktit 80-të, si dhe nga Këshilli i Bashkisë të qytetit të Nju Jork-ut-sponsorizuar nga anëtari i këshillit të Bashkisë për distriktin 15, Ritchie Torres, nderuan me proklamatë qëndrestarin e burgjeve të diktaturës komuniste Pëllumb Lamaj. Proklamatën e ka lexuar dhe më pas dorëzuar ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj.
Në Proklamatën nderuse, vlerësohet qëndresa e antikomunistëve shqiptarë, ish të burgosurve politikë si dhe familjeve të internuara në kampet e vuajtjes.Në të shkruhet se Shqipëria u qeveris për 45 vite nga diktatori i pamëshirshëm Enver Hoxha, në regjimin e të cilit mbi 100 mijë shqiptarë u arrestuan, u burgosën, u torturuan, ndërsa familjet e tyre u internuan ose u burgosën në mënyrë të padrejtë, vetëm pse ata mbështetën të dashurit e tyre në luftën për liri. Në Proklamatë evidentohen fakte të tilla si: 5500 burra dhe gra u egzekutuan, ndërsa 100 mijë u burgosën e u internuan. Në mënyrë specifike, veçohet Spaçi, si burgu më i tmerrshëm në Shqipëri, i ndërtuar në vitin 1968, ku të burgosurit punonin deri në vdekje në minierat e bakrit dhe piritit.
Në proklamatë vlerësohet qëndresa e familjeve të ish të burgosurve politikë, që u keqtrajtuan kampeve të internimit ose u burgosën.
Në përfundim të proklamatës shkruhet: Përfundimisht regjimi komunist u rrëzua dhe ata që i mbijetuan burgjeve u liruan dhe mundën të ribashkoheshin me familjet e tyre. Edhe pse shenjat fizike mund të jenë shëruar, plagët mendore dhe kujtimet e zymta, janë ende gjallë sot, prandaj sponsorizuesit e kësaj proklamate, nderojnë të burgosurit Politikë të Shqipërisë dhe familjet e tyre.
Pëllumb Lamaj, i nderuar me Proklamatë, ndjehet i vlerësuar, jo vetëm si individ, por u është mirënjohës sponsorizuesëve për të gjithë bashkëvuajtësit dhe martirët e qëndresës antikomuniste. Në vlerësimin që i bëhet atij si individ, theksohet fakti se jeta e tij ka kaluar mes vuajtjeve. Lamaj që në moshën 8 vjeçare përjetoi arrestimin e të atit dhe kalvarin e vuajtjeve në internim.Në vend të shkollës, lodrave e ëndrrave, Pëllumbi u përball me terrorin komunist. Nënës së tij i duhej të rropatej në puën të rënda për të ushqyer pesë fëmijët me babanë në burg.Në shkollë përbuzej me nofkën”Kulak”, kuptimin e së cilës, nëna do t’ia spjegonte si ekuivalente me togfjalshin”Armik i Popullit”! Kjo do të thoshte izolim dhe se për të nuk kishte vend as në organizatën e rinisë dhe as që mund të vazhdonte shkollën e mesme.Sigurimi u orvat ta provokonte që të bëhej bashkëpunëtor, por ai e refuzoi me neveri. E dinte se pas refuzimit do të vinte arrestimi, dhe nuk vonoi. Liria e kufizuar do të burgosej, kur ai ende nuk i kishte mbushur të 20-tat. Me 1 Mars 1979, Sigurimi i vuri prangat në emër të Popullit, duke e akuzuar si Armik të Popullit! U dënua me 15 vjet në burgun famkeq të Spaçit. Ishte ndër më të rinjët e atij burgu, i cilësuar si më i egri ndër burgjet e diktaturës, që vetë Pëllumbi e krahason me ferrin e Dantes. Bashkëvuajtësit, që ishin bashkë me të në veprimtarinë e përkujtimit të 42 vjetorit të Revoltës së Spaçit, e karaktarizojnë Pëllumbin si një nga qëndrestarët me kuarajo dhe trim për kohën e burgimit. Pëllumbi përjetoi revoltën e Majit të vitit 1984 në Qafë-Bari, ku regjimi nuk i kurseu egzekutimet dhe riburgimet. Një pjesë prej të dënuarëve i çuan në Spaç. Pëllumbi guxoi dhe i ndihmoi disa prej tyre me ushqime. Spiunët njoftuan komandën dhe Pëllumbi e pësoi me tortura çnjerëzore, por nuk u thye.
I pyetur nga Gazeta Dielli se çfarë përbënte takimi që po organizohej me 17 Maj 2015 në një nga Universitetet amerikane në Nju Jork, Pëllumb Lamaj, ndër kritikuesit e rreptë të klasës politike shqiptare, tha: Duam të nderojmë heronjët antikomunistë të Spaçit dhe Qafë Barit. Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit, ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve s’është gjë tjetër, veçse demagogji e tranzicionit antidemokratik me një klasë politike të korruptuar dhe komuniste në krye!
Hasan Baja,qëndrestar i burgjeve, një ndër të zhgënjyerit e demokracisë shqiptare, që pat dhënë dorëheqjen për kod moral që më 1995, për moskompromentim me të korruptuarit (ish Komisar i Policisë në Sarandë), shprehet se ndjehet i zemruar me klasën politike shqiptare, që nuk arriti të integroi kundërshtarët e regjimit komunist, ç’ka përbën dështimin e vetë demokracisë së shartuar shqiptare. Lekë Mirakaj, Zija Lepenica, Fatmir Muja, që ndodheshin në auditorin e Monroe College, ku zhvillohej veprimtaria nderuese dhe përkujtimore e Revoltës së Spaçit, ndjehen të nderuar që ata vetë, ish bashkëvuajtësi i tyre, Pëllumb Lamaj, nderohen nga institucionet Amerikane, dhe e gjithë kauza e tyre kundër komunizmit, vlerësohet e çmohet në vendin e demokracisë, por jo në Shqipëri.
Veprimtaria u organizuar nga “Albanian- American Society Foundation and The Sons and Daughters of Albania in America” dhe është mbështetur nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, The Women’s Organization “Hope & Peace”,”Clasmsmates Forever”, Albanian American Open Hand Association, Akademia e Nju Jork-ut e të tjera.
Moderator i veprimtarisë përkujtimore kushtuar Revoltës së Spaçit ishte Fredi Tollja, pronar “The Producers Club New York. Në fjalën e hapjes moderatori vlerësoi kundërshtarët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, ish të burgosurit politik të regjimit diktatorial, që me sakrificat e tyre, me qëndresën e tyre, sfiduan diktaturën. Tollja, tha se me këtë veprimtari, përkujtojmë dhe nderojmë jetët e ndërprera, nderojmë heroizmin e atyre që guxuan të sfidojnë shtetin komunist në emër të ëndrrës për liri e demokraci.
Esad Rizaj, president i Fondacionit Shoqëria Shqiptaro-Amerikane dhe Bijtë e Bijat e Shqiptarëve në Amerikë, tha se ndjehet i privilegjuar që nderon ish të burgosurin Pëllumb Lamaj dhe të gjithë ish të burgosurit politik të Shqipërisë. Ky, tha ai, është një vlerësim për të gjithë ata që u bugosën,u pushkatuan, u internuan pse luftonin për liri dhe Shqipëri Etnike.
Miqtë e shqiptarëve, amerikanët Stive Kaufman-avokat i njohur dhe profesori Paulo Palombo, në përshëndetjet e tyre kanë vlerësuar qëndresën e antikomunistëve shqiptarë, dhe kanë nderuar ata që dhanë jetën për liri, përballuan torturat, vuajtjet në burgje dhe kampet e internimit.
Një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe themeluesja e Shoqatës”Shokët e Klasës përgjithmonë”, Lindita Hoxha.
Lek Mirakaj, një ndër ish të burgosurit politik, e cilësoi nderimin e ish bashkëvuajtësit Pëllumb Lamaj dhe gjithë të burgosurve politikë shqiptar, si një nderim të jashtzakonshëm. Kjo Proklamatë, tha ai, është dekorata më e lartë që i jepet një ish të përndjekuri politik. Më pas ai vlerësoi qëndresën e ish të burgosurve politik dhe në mënyrë të veçantë martirët dhe qëndrestarët e Revoltës antikomuniste Skënder Daja, Dervish Bejko,Sokol Sokoli, Pal Zefi, Tom Ndoja, Hajri Pashaj dhe shumë të tjerë që pas revoltës u ridënuan.
Mimoza Dajçi, presidente e The Women’s Organization “Hope & Peace”, kërkoi që të pranishmit të çoheshin në këmbë dhe me një minut heshtje të nderonin kujtimin e heronjëve të revoltës.Më pas ajo ka përshkruar revoltën e Spaçit, ndërkohë që ka treguar gjendjen e sotme të ish burgosurve politikë. Dajçi tha se ka kaluar afro çerek shekulli, e akoma të dënuarit politik nuk janë reabilituar duke filluar me dëmshpërblimet, strehimin, shëndetin etj.
Edhe pse disa individëve u ka dalë emri në gazetë për të marrë dëmshperblimet e burgut politik akoma nuk po del fondi nëpër banka për tërheqjen e tyre, apo edhe fondet e kësaj shtrese i përdorin për fushatat e tyre partitë politike. Ka zvarritje dhe burokraci pa fund.Strehimi i ish të përndjekurve është i mjerushëm, u ndanë vite më parë gjatë qeverisjes demokratike disa hyrje tek Kafodi e Vasil Shanto dhe kaq, po pjesa dërmuese? Më pas ajo ka trajtuar dhe hapjen e dosjeve të sigurimit dhe ligjin e munguar të lustracionit.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm edhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, zv/kryetari Asllan Bushati, anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj,Lek Mirakaj, Zef Përndocaj e të tjerë.(Fotografite i gjeni ne Facebook)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, E NDEROHET, ne Nju Jork, Pellumb Lamaj, perkujtohet, Revolta e Spacit

Presidenti Nishani në Nju Jork, për rezolutën kushtuar kombit shqiptar

May 5, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA – New York/
Presidenti i Republikës zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të shënohet 70 vjetori i fitores mbi nazismin – kapitulimin e Gjermanisë/
NEW YORK : Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka mbrritur mbrëm në Nju Jork, për të nisur sot një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është i ftuar për të ndjekur votimin e rezolutës për rolin e kombit shqiptar, në Asamblenë e Nju Jorkut.
Rezoluta e cila përfshinë edhe rolin e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botrore në mbrojtjen e hebrenjëve ku shqiptarët jan njohur si i vetmi vend në botë ku asnjë hebre nuk u dorzuar ose u vra mbasi mori mbrojtjen e shqiptarëve në bazë të Besës shqiptare, një zakon shekullor i shqiptarëve, u kërkua nga anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, i pari shqiptaro amerikan në historinë e diasporës që është zgjedhur në Kuvendin e Nju Jorkut zoti Mark Gjonaj dhe senatori Jeff Klain mik i dëshmuar i shqiptarëve në Nju Jork.
Po gjatë kësaj ceremonie Presidenti i Republikës së Shqipërisë, pritet t’u drejtohet më një fjalë të pranishmëve në punimet e Asamblesë si dhe Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut.
Gjatë qëndrimit në SHBA, kreu i shtetit shqiptarë Nishani do të vizitojë edhe Kolegjin Hebre “Hebrew Union College’, në Nju Jork dhe do të përshëndesë aktivitetin, që do të mbahet në B’nai Jeshurun Sinagogue, me rastin e shpëtimit të Hebrenjeve 70 vjet më parë.
Ky aktivitet mbahet në shenjë vlerësimi ndaj ndihmës që dhanë shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve me kodin e njohur njerëzor Besa.
Kreu i shtetit shqiptar do të mbajë edhe një ligjëratë në Kolegjin e Manhatanit ‘Manhattan College’, me temë: “Mbi tolerancën fetare” dhe do të shfaqet filmi dokumentar Besa.
Në agjendën e Presidentit Nishani përfshihen edhe takime me politikanë të Nju-Jorkut dhe e nderimet me disa tituj te lart të shtetiti shqiptarë, të disa personaliteteve të shquara shqiptaro-amerikane, me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave, kombëtare, dhe humane të shqiptarëve në disporë.
Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e Fondacionit “Raoul Wallenberg”, me organizatën “Sisterhood of Salam” dhe ‘’Ethnic Understanding”, të cilat punojnë në promovimin e dialogut ndërfetar.
Presidentin e shoqëron Zonja e Parë, Odeta Nishani.

Filed Under: Kronike Tagged With: ne Nju Jork, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 14
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT