Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pranon se ka gabuar dhe paralajmëron reformë të politikave dhe organizative.
Në një fjalë të mbajtur në takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së, Haradinaj u shpreh se Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
Sot zhvilluam takimin me strukturat e përgjithshme drejtuese të AAK-së, tha kreu i Aleances Haradinaj.
Aleanca nuk do të jetë më e njëjtë, duke më përfshirë edhe mua. Kam bërë gabime në politikë.
Por, do të reformohemi dhe do të ndryshojmë. Fuqishëm dhe pandalshëm. Ky ndryshim do të jetë i plotë: Reformë e politikave dhe reformë organizative.
Ne e vlerësojmë mbështetjen e qytetarëve që na është dhënë për 15 vjet me radhë. Do të angazhohemi për të ndërtuar një momentum të ri. Do të përgatitemi intensivisht për të merituar besimin të plotë dhe të fuqishëm të qytetarëve.
Do të fillojmë menjëherë me punë për të ndërtuar një forcë politike për të gjithë qytetarët e Kosovës, ngado që janë, të të dy gjinive, të të gjitha moshave, të të gjitha profesioneve.
Do ta intensifikojmë qysh tash angazhimin për të ndërtuar ekipin e ri. Kërkoj angazhimin tuaj. Të të gjithëve. Të seciles dhe secilit që ka vendosmëri për të sjellë ndryshimin e vërtetë.
Ne do të ndërtojmë Aleancën e të gjithë qytetarëve të ndershëm dhe të përkushtuar për jetë të mirë. Të të gjithë atyre grave e burrave të Kosovës që besojnë në demokraci, shtet ligjor dhe funksionim të shtetit.
Po ju them krejt publikisht:
– Aleanca nuk ka vend për asnjë shkelës të ligjit.
– Aleanca nuk ka vend për gangsterë që përfitojnë në emër tonin e të Aleancës.
– Aleanca ka vendosur të pastrojë oborrin e vet.
– Aleanca i shpallë të përjashtuar qysh sot këdo që ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo buxhetin qoftë në nivel komunal, qoftë në nivele tjera.
– Për Aleancën, kushdo jashtë strukturës apo brenda strukturës së Aleancës, që mënyrë të jetës e ka haraçin dhe fajdet është kriminel dhe duhet të shkojë në burg.
Po u them sot të gjithë njerëzve të tillë publikisht:
Largoni këmbët e duart larg nga zyrat e strukturat e Aleancës. Nuk na duhet vota juaj, nuk na duhet vota e kriminelëve!
Harrojeni, kushdo që jeni, se mund të silleni me papërgjegjësi para qytetarëve e duke u thirrë në emër të Aleancës. Kushdo, ama kushdo që sillet ashtu, nuk është Aleancë. Nuk ka qenë kurrë Aleancë dhe nuk do ta lejojmë afër nesh.
Personat e tillë duhet ta kenë vendin në burg, jo në Aleancë dhe askund nëpër parti politike. Fatkeqësia është se shteti nuk po funksion, sepse përndryshe të papërgjegjshmit dhe gangsterët do të përballeshin me ligjin!
Po ju them qartë dhe prerë:
Aleanca nuk është streha e profiterëve. Asnjëherë nuk ka qenë, por ndoshta ndokush edhe brenda strukturave të Aleancës nuk e ka kuptuar këtë!
Përkundrazi:
– Aleanca po përgatitet për të ndryshuar Kosovën, por së pari do ta ndryshojmë veten.
– Po e hapim partinë për intelektualë, për profesorë e aktivistë të shoqërisë civile.
– Po e hapim partinë për nivelin më të lartë të dijes në Kosovë.
– Po e hapim partinë për të gjithë.
Anëtari i Aleancës duhet të jetë:
– I ndershëm
– I pakorruptuar
– I sinqertë
– I arsimuar dhe kompetent
– I gatshëm për të shërbyer për popullin.
Ky është anëtari apo anëtarja e Aleancës. Dhe, të tillë Kosova ka shumë. Qytetarët e Kosovës janë të mirë, të ndershëm, punëtorë. E tillë do të jetë Aleanca e Ndryshimit. E mirë, e ndershme, punëtore.
Mentor Quku, Intelektuali shumëdimensional që solli qytetarinë në politikë
Nga Ylli PATA/Ndarja nga jeta, dy ditë më parë e intelektualit të njohur Mentor Quku, ka lënë një boshllëk të konsiderueshëm jo vetëm një jetën e qytetit të Shkodrës, të cilit ai i përkiste, por edhe kulturës shqiptare.
Janë shumë intelektualë dhe studiues shqiptarë që kanë shprehur hidhërimin për shuarjen e profesor Qukut, i cili ka lënë një trashëgimi të rëndësishme shumëdimensionale për vendin.
Mentor Quku, i përket atyre dijetarëve që e konsideronte pasurinë e tij intelektuale si një e mirë që duhet të vihet në dobi të njerëzve, qytetarëve që ai i respektonte dhe u shërbeu.
Një mësues model, që rriti sa e sa gjenerata që nga viti 1954 e deri në vitin 1991, Profesor Mentor Quku, u shërbeu nxënësve të tij duke dhënë në të gjithë Shqipërinë ku punoi, dijen dhe mirësinë e tij intelektuale. U nderua me titullin “Mësues i Merituar”, megjithëse kurrë nuk u pa më sy të mirë nga regjimi komunist.
Si një pinjoll i qytetarisë shkodrane, Mentor Quku, u rreshtua ndër ë parët në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, por me një armë ndryshe nga ajo që ishte “modë” në vitet ’90 të shekullit të shkuar, qytetarinë dhe argumentin intelektual.
Mentor Quku, rithemeloi bashkë me disa bashkëqytetarë të tij të djathtën e persekutuar nga regjimi komunist. Pikërisht në këtë pjesë të kontributit të tij, në politikë, profesor Quku la një trashëgimi briliante që u bë precendent i një politike të qetë e qytetare.
Drejtoi një nga partitë më të vjetra në vend, “Ballin Kombëtar” dhe me një vizion perfekt themeloi dhe udhëhoqi një lëvizje qytetare që frenoi revanshizmin dhe hapi bazat për një politikë ndryshe.
Në vitin 1996, Mentor Quku, bashkë me një grup qytetarësh ish-të përndjekur të regjimit komunist themeloi grupimin politik “E Djathta e Bashkueme Shkodrane”, një lëvizje e cila i kthye në pasqyrën morale të shoqërisë, e cila me sjelljen në politikë të disa njerëzve të mirë e të ndershëm rifuti në politikën shqiptare qytetarinë- dhe triumfoi.
Me një fushatë model, udhëheqësi Mentor Quku, fitoi në zgjedhjet e tetorit 1996, duke konkuruar me Partinë Demokratike, e cila ishte më e fortë se kurrë atëherë. Në krye ë bashkisë së Shkodrës zgjidhet Bahri Boriçi, një pinjoll i një familje me emër por edhe një qytetar model. Kur në atë kohë, si reporter i Shkkodrës për një të përditshme kombëtare e pyeta profesor Qukun pse nuk kandidoi personalisht ai u përgjigj: “Misioni im u krye, pasi risollëm në politikë qytetarinë, por unë kam rrugëtimin tim intelektual”.
Profesor Quku, e arriti një objektiv të jetës së tij duke luftuar me qytetari dhe pa e hequr kurrë të qeshurën dhe gazin. Kurrë, asnjë sharje apo fjalë denigruese për kundërshtarët, por vetëm argument dhe doktrinë. Shkodra e kuptoi dhe e përkrahu Mentor Qukun, i cili më pas u tërhoq në jetën e tij intelektuale në vitin 1997 kur politika u egërsua dhe kur argumenti u braktis. Në skenë dolën të fortët dhe mjetet e egra.
Iu rikthye studimeve të tij, atyre të “rëndave” për të cilat ishte angazhuar prej vitesh. Dhe zgjodhi “Gjigandin e pazbuluar” apo ‘Ajzbergun e Kulturës”, të madhin Ndre Mjeda, për ta sjellë tek shqiptarët me gjithçka ka bërë, gjithçka me detaje, pasi Mjeda njihej vetëm për një pjesë të vogël të veprës së tij.
Dhe me një përjekje titanike studimore e arriti misionin e radhës.
Përgatiti dhe botoi plot 14 vepra studimore me një kolanë të plotë të Ndre Mjedës, duke i lënë kulturës shqiptare, një pasuri të jashtëzakonshme.
Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore “Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku.
Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011). Së fundi atij iu akordua edhe titulli ” Profesor Nderi”, i Universitetit të Shkodrës.