• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Lumenjtë kthehen në shtëpi”

August 19, 2015 by dgreca

Esse-analizë letrare rreth vëllimit poetik “Lumenjtë kthehen në shtëpi” të Dhimtër Pojanakut./
Nga Raimonda MOISIU/
Poezia në kuptimin gjithpërfshirës është “pjellë e fantazisë” së intimitetit të shpirtit e lidhur ngushtë vetvetiu me gjenezën njerëzore. Poezia është thellësisht metafora e jetës, me sinqeritetin e saj eternal dhe universal. Poezia përmban brenda vetvetes embrionin e një lidhje të çfarëdo motivi apo veprimi, që ekzistojnë në morinë e mundshme të natyrës njerëzore. Poezia është memuari i fjalës, i ëndrrave, i momenteve të lumtura e të trishta, pasioneve, dëshirave, psikikes e shpirtërores. -mes brengës e mallit, nostalgjisë e kujtimit, urtësisë e mencurisë, vlerës e antivlerës, bukurisë e groteskes, vdekjes e jetës, admirimit dhe mirëkuptimit, miqësisë dhe respektit. Poeti kontemporan, i shquar i vargjeve lirike shqiptare Dhimtër Pojanaku botoi vitin që kaloi “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, libër i dalë nga shtëpia botuese Skanderbeg books”, Tiranë, një nga vëllimet poetike më të mirë dhe i vlerësuar bindshëm nga kritika e kohës. Leximi i poezive zbulon simbolikën e thellë dhe temat universale, penën mjeshtërore poetike të Pojanakut, i cili demonstron një përsosmëri të rrallë filozofike dhe ndjeshmëri artistike, ndërton urën emocionale, që bën efektin e qartë në përditshmërinë e jetës së njeriut; mediton ndjeshëm në udhëtimin e trishtë e të lumtur në të përditshmen njerëzore. Pojanaku deklamon idetë nëpërmjet tingujve lirikë dhe artistikë, me natyrën e vërtetë të dashurisë, filozofisë për jetën dhe vazhdimësisë së saj. Që në titull e merr kuptimin e dyfishtë të librit “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, si një frazë që i referohet aktit të vërtetë të kohës, një të kaluar e idealizuar, që i ka shërbyer poetit për të dhënë detajet –peisazhin dhe figuracionin poetik, misionin e gjallimit të jetës, që kalon shpejt, sikundër rrjedhin dhe gurgullojnë lumenjtë, me kohën e për kohën. Ky dualitet që në titull , është metaforë intriguese, meditative dhe elokuente në artin e poezisë, por që Pojanaku e përdor me mjeshtëri artistike dhe filozofike. Lexuesi i kujdesshëm është i vetëdijshëm se poeti me këtë interpretim, ka bërë një marrëveshje në heshtje, beson në ura të padukëshme mes lumenjve dhe shtëpisë në kohë e hapësirë, për të na rrëfyer të vërtetën e gjëndjes shpirtërore. Me anë të mikrofabulave plot ndjenjë dhe emocion, na vetëdijeson se natyra e jetës njerëzore është e pashmangëshme ndaj mplakjes dhe vdekjes, gëzimit dhe hidhërimit. Sido që të jetë, jeta është e bukur, dhe ne duhet ta jetojmë! Poeti Pojanaku është poet thellësisht intuitiv, ai gjen forcën e nevojshme për të qenë autonom, hulumton me humor, ironi, sarkazëm dhe trishtim, duke sfiduar kështu me fuqinë e tij, që lumenjtë me rrjedhën e tyrë të kristaltë kthehen në shtëpi, në cdo kohë e stinë, ngrohtë apo ftohtë, që do të thotë se jeta dhe dashuria ekzistojnë si pjesë e mëmës natyrë, në tokë, ajër, qiell dhe ujë. Pasioni, vitaliteti dhe intimiteti lirik, karakterizojnë penën e tij poetike, “bisedojnë” lirshëm, dhe ndjejnë sensin e një shpirti të trazuar me dhimbjen, mallin dhe dashurinë, që mbartin më shumë se një kuptim; përjetimin e ndjenjës dhe emocionit sa afër , aq edhe larg, emocion i brishtë, i ciltër dhe i fortë. Pojanaku shfrytëzon bindshëm mjeshtërinë e vet artistike e filozofike në konceptimin e vargut poetik, dhe fizionominë e tij, skrupuloz në kërkim të fjalës së bukur, meditimit, ndjeshmërisë së lartë, dhe koloritit të pasur i figurave të goditura metaforike, Pojanaku në cdo varg demonstron ton të ri poetik, në endjen e vargjeve dhe gdhendjen e strofave. Gjatë këtij procesi poetik. me ritëm mbresëlënës, rima, gjuhë të rrjedhëshme, leksik i kujdesshëm, metaforat, tematikë e pasur, harmoninë dhe nga erudicioni i karaktereve, Dhimitër Pojanaku është gjithmonë në veprim-hap shtigje të reja në lirikën shqiptare.
Në vëllimin poetik “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, që në hyrje është dedikimi i poetit për familjen, vecmas dashurive të jetës, bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij. Poezitë janë të mirëvendosura në tre kapituj, me nëntitujt respektivë: “Lojërat e natës”, “…Në dhomat e mbyllura”, dhe “Pastele të harruara”. Vetë poeti Pojanaku mbetet peng i lirisë me veten, me botën që e rrethon dhe traditat e ndryshme të vargut lirik, me fuqi mbresëlënëse e kuptimplotë, përpjekjekjo, për të përfaqësuar realitetin, mitiken dhe ndjenjën, tendencën e lidhur zakonisht me “post-modernen” ose avant gardës, për të komunikuar me botën e brendëshme dhe të jashtëme në më të shumtën e poezive.
“ Përmbi të marrë duhet të jem,/Përderisa,/Shpirtin jap,/Dhe asgjë nuk ndodh./Ende plogështia mbars trishtim,/Ftohtësira virgjëron akuj,/Myshqet rrethojnë me xhelozi gurë./Të marrë duhet të jenë,/hedh shpirtin tim si kaprua,/Të qetësoj egërsirat,/Dhe ato,/Nuk e shohin,/Nuk e përfillin. (poezia “Hire”,f.9, kapitulli -“Lojërat e natës”,). Poeti Pojanaku ka vendosur kuptimin alegorik, që në titullin e kësaj poezie të titulluar “Hire”. Ai ka vendosur shpirtin e tij, për të na rrëfyer fizionominë e realitetit, në konseguencën e mendimit varg pas vargu, përballjen e sinonimeve, dhe në sjelljen e natyrshme të figurave, të cilën Pojanaku e bën si nga afër ashtu edhe nga larg, ku të gjitha shqisat e shpirtit dhe fizike përjetojnë emocionalisht të gjithë faktorët që luajnë rolin e tyre ndaj realitetit, universit njerëzor e shpirtëror dhe dukurive të tyre psikollogjike, besimi në të vërtetën e sfidës për mbijetesë. Autori me mjeshtëri letraro – artistike e filozofike prezanton kontrastet e dy aspekteve të personalitetit të tij poetik. Shpirti i poetit nuk shikon, por vështron ndjeshëm “Hiret”, “për të hedhur shpirtin tim si kaprua”, dhe heton e vepron me cdo shqisë “Të qetësojë egërsirat”, duke motivuar kështu luftën për jetën dhe përmirësimin e të kundërtave në hapësirën e dimensionit njerëzor dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale, që : “nuk e shohin/” dhe “nuk e përfillin”-vargëzon poeti, për të analizuar dhe interpretuar me ndihmën e artit dhe forcën e ndjenjës. Të gjitha shqisat janë në akord me përjetimin emocional, dhe metafiziken e natyrës dhe humanes.
“Nën blozën e shkundur,/Xixëllonja thëngjije,/Moj,flaka katile,/Moj, flaka katile,/Dancojnë e nuk vdesin,/Pilivesat thëngjije,/Moj flaka, katile, /Moj Fla…ka,/Ka…ti…le.”(poezia “Jetë Qyngjesh”, f.31) në këto vargje ndjehet forca shpirtërore dhe forca e tij poetike është se ai krijon vargje thellësisht nën efektet e tij mbi lexuesin, duke përdorur fjalë ndjellëse dhe imazhet në poezinë e tij. Hulumtimi i parreshtur i dualitetit dhe polaritetit të jetës, poeti na i jep me një “incident dramatik natyror” i tensioneve destruktive krijuese të cilat “nën blozën e shkundur”, “dancojnë e nuk vdesin”, poeti përkufizon pikëpamje komplekse dhe intensitetin simbolist, si pozitive ashtu edhe negative, përjetuar mes vargjesh me vizionin meditativ që ekzistojnë mes trupit dhe shpirtit, reales dhe mitikes, qetësisë dhe lëvizjes. Me fuqi të shquar poetike Pojanaku zbulon një botë të cudtishme nëpërmjet “Jetë qyngjesh”-qyngjet në vetvete nënkuptojnë “rrugë apo bulevarde të cuditshme” të populluar nga xixëllonjat, bloza dhe flaka katile, -me të cilat Pojanaku nënkupton shtresat dhe farsat sociale, demonstron idetë e tij nëpërmjet metaforave dhe filozofisë për jetën, figura këto që kanë krijuar negotacionin delikat dhe meditacionin brilant, luftën dhe efektet e saj në hapësirat sociale e qytetare, dhe mendjet njerëzore, pasqyrë jete të fasadës së jashtëme e të brendëshme të “Jetë qyngjesh”. Poeti ka shprehur ndjeshëm mendimin e ndërgjegjshëm e të nënndërgjegjshëm, meditacionin brilant, që na rrëfen se syri dhe shpirti i poetit Pojanaku është ai i një poeti vizionar lirik.
“Loti i ndarjes”-(f.33.)/doli nga guvat e shpirtit,/Dhe u ndal,/Dy gisht nën qerpikë./Trembet,se po ra,/Shkrumbon dhenë./”
Është krijim melankolik –i lindur si rrjedhojë i castit kalimtar trishtimi, meditimi, dilemës e melankolikisë. Autori nëpërmjet emocioneve të tij, i vetëdijshëm në atë që shpreh, Pojanaku legjitimon nga dalin lotët, mbasi ato janë të pranishme në gjithcka tonën që flet për ndjenjën e “identitetit” dhe nevojën tonë për përtëritje. Një përgjigje krejt e natyrëshme për të shprehur kur jemi të lënduar, fizikisht, mendërisht e moralisht, dhe poeti vargëzon:”Xhevahiret e botës,/Fantaksur para tij,/Zgjatin kthetrat,/ Tasakatojnë,/Ta terratisin.”. Pojanaku e di këtë fare mirë dhe na kujton se cdo lot që derdhim, derdhet për një arësye të lumtur apo të trishtë, lotë që derdhen në kohët e frikës dhe tragjedisë, vuajtjes dhe trishtimit, të ndara nga lotët e gëzimit.
“Loti i ndarjes,/Sulmet shpërfill/E,/Shndrit,/Llamburit,/Burin prej përdëllimit./”,
Loti kurrë nuk shpërfillet as injorohet, edhe kur jemi të vetmuar apo të braktisur, por vetë loti “sulmet shpërfill”—thotë autori në një varg,-sepse loti është perla që pastron shpirtin, është mendimi i bukur frymëzues, është burim force dhe inkurajimi. Loti rrjedh edhe kur njeriu është i lumtur përtej fjalëve respekt e dashuri, dhimbjes e lumturisë që merr e jep nga dashuria e trishtë apo e ëmbël, nga gabimet e bukura që bëjmë në jetë dhe forca tërheqëse e tyre për t’i përsëritur ato. Jeta është e tillë që të mbështjell edhe me shqetësimin e dikujt, tëndin, timin, të atij apo asaj, të gjithsecilit nga ne, dhe na jep forcë për të përballuar cdo gjë që shtrihet para nesh, lotët futën në vargjet e ndjenjës, gjëjnë shtegun për të vaditur shpirtin, na cojnë në psherëtimën e thellë, aty ku bashkëjeton dhe ecën shpirti me jetën. Mjeshtëria e këtyre vargjeve të skalitura nga mendja dhe pena e Pojanakut, është përfomanca e arritur e autorit në atë mënyrë që ai i përshtat këto ndikime shpirtërore në stilin e tij artistik, filozofik me përvojat dhe idetë, duke bërë anestezinë e lotit që del nga bukuria e të fshehtat e shpirtit.
“Afër Fundit” (f.69) –“Ai në një qoshe,/Ajo në një tjetër,/Diku në mes,/Dashuria.”/ Poeti Pojanaku zbulon botën e cuditëshme dhe kërkon normalitetit brenda asaj bote dhe brenda ekzistencës, që e duam dhe e ëndërrojmë –brenda dashurisë njerëzore.Për të kuptuar se nuk ekzistojnë vetëm lidhjet dialektite mes njerësve, por dashuria është e gjitha e lidhur me shpirtëroren e psikiken, me metamorfozën e jetës-dhe kjo është pjesë e njerëzores. Pojanaku sheh këtë traditë profetike të shfaqjes së ideve, ndikimeve dhe stil, që evoluon zërin e tij lirik.
“Si tre hire,/Clodhin frymët./Një dorë e padukëshme,/Trazon hirin, të zbulojë misteret e zjarrit…/.”
Poeti Pojanaku komplikon dhe humanizon, bën të prekëshme një gamë të tërë të përvojave jetësore dhe percepton monologun e dashurisë, heshtjes, dhe guximitsë ndjenjës të fortë të dashurisë,- përshkrim i sinqertë i një realiteti melankolik e të lumtur, në qartësinë e shprehjes, imazhet dhe tonin, i thjeshtë emocional, pesimist dhe optimist.
Ka plot poezi të tjera që janë shëmbuj të vlefshme dhe të rëndësishme të talentit të tij poetik, që vërtet meritojnë një analizë serioze. Është jo vetëm besimi im në pikat e forta dhe rëndësinë e poezisë së Pojanakut, por edhe besimi dhe shprehia e kritikës së kohës, e cila e cmon poetin Dhimtër Pojanaku si një poet i shquar i vargjeve lirike shqiptare në traditën letrare dhe letrat shqipe.
“Balada e Flamurit”-titullohet poezia që mbyll vëllimin poetik, “Lumenjtë kthehen në shtëpi”. “C’është ky ajër që të rrethon,/Ai merr frymë, e ti valon,/Nga vjen kjo shqipe e bën fole,/Mbi gjak martiri që dot nuk fle./Po c’qenke ti, o tribunar,/Armikun tund e ivë zjarr,/Ti qenke sa një mijë bori,/O dashuri, o kuqezi./”
Poezia është enthuziazmi i virtytit, dashurisë, dhimbjes, mallit, ndjenjë e ngrohtësi, brishtësi, ironi e sarkazëm, vetëdije dhe guxim, histori, patriotizëm dhe atdhedashuri, qytetari dhe inteligjencë, që janë të lidhura kryesisht me emocione të tilla nën aureolën e njerëzores e dashurisë, vetë poezia duket sikur është një atom në univers që e konsideron natyrën e njeriun thelbësore, nga e cila rrjedhin fjalët e shkruhen vargjet. Poeti Dhimitër Pojanaku është nga poetët më të vlerësuar dhe më me ndikim në letrat shqipe, dhe jo vetëm kaq! Por edhe përtej kufijve! Pena poetike e Pojanakut, konkuron në kompeticione prestigjioze kombëtare, ndërkombëtare dhe europiane, Laureat i shumë Çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ndërsa poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Së fundmi në kompeticionin poetik, “Centro Giovani e Poesia-Triuggio”, mes 548 poetëve nga e gjithë bota, Pojanakut iu akordua Cmimi Special, “Poezia e Popujve”, cmimi që jepet vetëm për poetët më të mirë të huaj. Këto vlerësime dinjitoze nga kritika e kohës e kanë shëndrruar poetin Dhimitër Pojanaku, në protagonistin më të shquar të letrave shqipe, ballkanike dhe europiane dhe tani për tani është dhe mbetet epitoma që mbart pjalmin e artit poetik bashkëkohor dhe vargjeve lirike shqiptare.

Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Gusht 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “Lumenjtë kthehen, NE SHTËPI, Pojanaku, Raimonda Moisiu

Mark Frroku dhe Tom Doshi Shkojnë në Shtëpi

March 28, 2015 by dgreca

Tom Doshi doli duke qeshur nga ambjentet e Gjykates, ndersa Frroku, pa pompozitet. Ka mundesi qe ai te prangoset serish dhe te deportohet per llogari te drejtesise belge, ku akuzohet per vrasje./
E Shtune 28 Mars 2015- Gjykata e Lartë ka vendosur lirimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Froku duke dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie. Lajmin e dhanë avokatët e dy deputetëve, të cilët edhe pse u dha kjo masa u shprehën të pakënaqur.
Deputetët e Tom Doshit, Vladimir Meçi dhe Ferid Muçaj deklaruan se çështjen do ta çojnë në Gjykatn Kushtetuese dhe atë të Strazburgut.
Do të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Strazburgut. Në këtë rast po diksutoheshin kërkesat e Prokurorisë. Masa e arrestit në shtëpi, është i padrejtë dhe i pambështetur në ligj. Ne u njohëm me provat dhe ka prova të tjera që vërtetojnë ato që ka thënë Tom Doshi. Në këto kushte e konsiderojmë vendimin të pabazuar.
Tom Doshi doli duke qeshur nga ambjentet e Gjykates, ndersa Frroku, pa pompozitet. Ka mundesi qe ai te prangoset serish dhe te deportohet per llogari te drejtesise belge, ku akuzohet per vrasje.
Avokatët e Mark Frrokut u shprehen “U vendos arresti shtëpiak, nuk jemi dakord për këtë vendim. Prokuroia i qëndroi qëndrimit të saj, hetimi vijon. Ne do ta kundërshtojmë, pasi Prokuroria ka ushtruar presion. Të gjitha provat janë në favorin tonë.Të gjitha provat ishin në favor të klientiti tonë. Ngjarja është fals dhe klienti nuk ka lidhje me këtë. Por ne jemi të pakënaqur edhe pse trupi gjykues vendosi lirmin e tij.”
Ndërkaq Gjykata pritet të vlerësojë ligjshmërinë e ndalimit nga Prokuroria e Përgjithshme për deputetin Tom Doshi.
I pari që ka mbërritur në organin e gjyqësorit për tu njohur me masën e sigurisë ishte deputeti Mark Frroku.
Rreth orës 12:58 ai ka zbritur nga makina e policisë me pranga ne duar, për tu drejtuar para 5-shes së gjyqtarëve të përcaktuar për këtë çështje.
***
Mark Frroku është deputeti i parë në 25 vitet e demokracisë shqiptare që rrezikon të arrestohet për llogari ektsradimi në një vend tjetër. Belgjika ka kërkuar zyrtarisht prangosjen e deputetit të grupit socialist, por i zgjedhur në Pukë nën siglën e PKD duke e akuzuar për vrasje dhe trafik prostitucioni.
Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se në adresë të Mark Frrokut tashmë i arrestuar për dëshmi të rreme, autoritetet e Brukselit kanë firmosur nëpërmjet Interpolit kërkesën për të zbatuar arrestin ndërkombëtar firmosur prej disa kohësh për të.
Tashmë Prokuroria i ka përcjellë Kuvendit kërkesën për autorizim për arrestimin e deputetit Mark Frroku për këtë akuzë të re.
Pritet që të zbatohet e njëjta procedurë si në rastin e mëparshëm po me arrestimin e Frrokut dhe kolegut Tom Doshi për akuzat e dëshmisë së rreme dhe shtrengimit për dëshmi të rreme.
Këshilli i Mandateve do të mblidhet nesër në orën 16:00 për të vendosur vendosë më pas nëse do të japë lejen për arrestim dhe në momentin kur të jetë kryer e gjithë procedura parlamentare, Mark Frroku do të detyrohet të riprovojë prangat dhe me shumë mundësi edhe ekstradimin për në Belgjikë.
Frroku i dënuar me 10 vjet burg, ngjarja në 1999
Në kërkesën drejtuar Kuvendit thuhet se “Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur akt-akuzën kundër shtetasit Mark Frroku I njohur me identitetin e rremë Besnik Morina, i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05. Mars 1999.
Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim”.
Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim.
Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështje të fillojë në Shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin Tetor 2015.
Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.
Rreth një vit më parë kjo akuzë u përfol mediatikisht, por autoritetet nuk bënë asnjë veprim deri në momentin e fundit kur arrestimi i tij për çeshtjen Doshi riktheu vemendjen belge për të rikërkuar arrestimin e deputetit.
Me një arrestim dhe ekstradim të mundshëm, Mark Frroku rrezikon edhe mandatin e deputetit i cili në rast se ndodh do ti kalojë emrit të tretë në listën e PKD, pasi edhe emri i dytë i kësaj partie është vëllai i burgosur i Mark Frrokut, Arben Frroku që nuk mundet ta përfitojë dot vendin në Kuvend.

Filed Under: Kronike Tagged With: Mark Frroku, NE SHTËPI, Tom Doshi

KTHIMI I ISËS NE SHTËPI

November 6, 2014 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1-Nëse do të kishit mundësi të vizitonit kullën e Isës,pra të heroit Isa Boletinit do të shtangeshit nga befasia.Pra nëse keni mundësi të vizitonit kullën e Herot të Popullit”, luftëtari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të vitit 1911, mbrojtës i trojeve shqiptare në Luftën Ballkanike kundër serbëve, pjesmarrësit Kuvendin e Vlorës. Ardhja e Isës në Vlorë me 400 kalorës u prit me entuziazmë. Duke u vënë në mbështetje të Ismail Qemalit dhe të Qeverisë së Pavarësisë, tregoi botës mbarë se Vlora ishte themeli i Shqipërisë që po rilindte shkruan një gazetë shqiptare.
2-Kulla me gur, me dy kate, me tjegulla të kuqe me oxhak. Është vend pelegrinazhi për të gjithë bijtë e racës shqiptare. Kjo është kulla por mund të quhet edhe mauzoleumi i Boletinajve. S. Hasani mësuesja prej Mitrovice shkoi deri tek kulla e Isës dhe më dërgoi këto fotografi. Aty dot gjeni eshtrat e Isës dhe Boletinajve të tjerë,brenda në kullë në qese. Eshtrat e patriotëve rrinë dhe presin kohën. Eshtrat e atdhetarit dhe heroit Isa Boletini ende të pavarrosura.Këtu janë trupat e Ises.. dhe Boletinajve të tjerë akoma te pa varrosur.. që mbahen në qese…shkruan mësuesja S.Hasani.Sipas burimeve nga shteti i Kosovës eshtrat janë identifikuar dhe do të varrosen në ditën e shënuar të 28nëntorit 2014.
3.Vlora dhe Isa Boletini
Shtatorja e Isa Boletinit, vendosur në sheshin “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, vepër e skulptorit Bujar Elmazi. E lartë 3 metra, vendosur në një piedestal një metër, gjendet në Skelë .
4.
Gani D. Ratkoceri,librin 100 vjet pavarësi te cilin e përuruam në Vlorë në një shkrim te 6 shkurt 1999 sjell të dhëna dokumentare rreth figurës së Isës.Kontributi i Isa Boletinit ne Kryengritjen e Përgjithshme shqiptare te vitit 1912:Udhëheqësi kryesor i kryengritjes ne fjale, atdhetari i madh Hasan Prishtina, ne radhe te pare u takua me heroin Isa Boletini. Ai u konsultua me të, se a do mund te organizonin një kryengritje të përgjithshme në vilajetin e Kosovës ? Isai, jo vetëm iu përgjigj pozitivisht se do të merrte pjesë në kryengritje, por do te kontribuonte për organizimin e saj dhe ashtu veproi. Brenda një kohe të shkurtër Isa Boletini e përgatiti organizimin e kryengritjes në Kosovën veriore dhe në rrethin e Pejës që ka qenë baza e tij. Në krye të një delegacioni të madh ai mori pjesë në Kuvendin e Junikut në maj të atij viti, ku përfaqësoheshin 250 delegate nga Kosova dhe një pjesë e vilajetit te Shkodres të udhëhequr nga Hasan Prishtina.
Unanimisht u vendos t’i shpallej lufte perandorisë osmane për të fituar të drejtat kombëtare. Aty u hartuan edhe kërkesat qe do t’i paraqiteshin qeverise osmane:
Të përcaktohen kufijtë e Shqipërisë
Në Shqipëri te ngrihet flamuri shqiptar
3.Të emërohet një guvernator i përgjithshëm por që të jetë shqiptar
4. Nënpunësit e huaj te hiqen e të zëvendësohen me shqiptare.
5. Gjuha shqipe të jetë gjuhe zyrtare.
Këto kërkesa menjëherë u botuan ne shtypin shqiptar dhe të huaj.
Heroi Isa Boletini, sa mbaroi Kuvendi u nis menjëherë për Mitrovice dhe lëshoi kushtrimin e kryengritjes. Me mijëra luftëtare rrëmbyen armët. Ai si rrufe e çliroi Novi Pazarin ( Tregun e Ri ), e çarmatosi garnizonin osman, i armatosi kryengritësit dhe menjëherë u nis për Mitrovice të cilën e rrethoi. Komandanti i garnizonit osman, ndonëse ishte forcuar shume, sa mori vesh se garnizoni i Tregut te” Ri ishte dorëzuar dhe vete ai ishte i rrethuar, ngriti flamurin e bardhe.
Isa Boletini, pasi çliroi Llapin e Gollakun, ne krye te 15 mije kryengritësve iu afrua Prishtinës. Ajo u rrethua nga te gjitha anet prej forcave te Rrafshit te Dukagjinit qe kryesoheshin nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, dhe nga juglindja nga forcat e Idriz Seferit.
Në këto kushte, komandanti i përgjithshëm Fadil Pasha u detyrua pa lufte ta shpalli kapitullimin. Kështu me 12 korrik u çlirua Prishtina. Populli i priti me një gëzim të papershkruar kryengritësit. Qeveria e Turqve te rinj ra dhe qeveria e re telegrafoi se ishte gati te hynte ne bisedime me shqiptaret lidhur me kërkesat e tyre. Patrioti Hasan Prishtina dërgoi telegram menjëherë në Shqipërinë e veriut, te Mesmen e te jugut qe te nisnin delegatet e tyre ne « Kosove » për te biseduar me delegacionin qeveritar osman qe te ishin te pranishme te gjitha krahinat me kërkesa të përbashkëta. Delegacioni osman nuk i mori parasysh kërkesat e shqiptareve. Kryengritësit marshuan drejt Shkupit dhe e çliruan atë me 14 gusht. Çlirimi i Shkupit bëri që Evropës se shurdhët t’i hapen veshët. Ajo dërgoi urgjent gazetare dhe konsuj t’i aktivizonte ne lidhje me kërkesat e shqiptareve. Shtetet ballkanike, Serbia, Bullgaria, Greqia e Mali i Zi u tronditen ne themel se mos Turqia do te ua njihte shqiptareve autonominë. Ata shpejtuan përgatitjet për të filluar luftën gjoja kundër Turqisë së sfilitur nga kryengritja e shqiptareve e që kishte mbetur vetme si hije ne Rumeli. Qëllimi ishte siç pohon kryeministri i Serbise, Nikolla Pashiq ishte:« Kërkesa e shqiptareve për autonomi e bënte të pashmangshëm luftën me Turqinë », pra copëtimin e Shqipnise. Këtë na e dokumenton me se miri Miss Durham : « Shqiptaret e Kosovës ngritën përsëri krye. Këtë here hynë ne Shkup dhe sipas dëshmitarëve te konsujve te huaj u sollën ne mënyrë shembullore. Kur panë turqit se shqiptaret do të marshonin drejt Manastirit, kërkuan armëpushim dhe pranuan t’i njohin si province autonome vilajetet e Janinës, Kosovës, Shkodres dhe një pjese te vilajetit te Manastirit “Nga triumfi i shqiptareve, shtetet e tjera ballkanike e ndiejnë veten të elektrizuar, sepse secili prej tyre ne mendjen e tije kishte prerë me thike vete një ngastër te Shqipërisë. Të gjitha këto shtete qene bashkuar në një pikë. Shqipëria duhet të copëtohet”.
Pra ai ishte synimi i shteteve ballkanike fqinje. Këtë synim kanë edhe sot. Ata përfituan atëherë se ishim të përçare ne mes veti. Po kështu me sa duket jemi edhe sot. Njeri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Qeveria osmane u detyrua të njohe kërkesat e udhëheqjes se kryengritjes te cilat e çonin Shqipërinë drejt autonomisë politike në katër vilajetet shqiptare. Këta udhëheqës, para se të largoheshin nga Shkupi i bënë një ultimatum qeverise osmane: « Neve do te ikim nga Shkupi, duke i zënë bese fjalës se qeverise. Do te presim deri më 5 shtator. Po të mos mbani premtimet atëherë neve, sado që nuk lamë as ndonjë të besuar nga ana jone do te urdhërojmë përsëri. Nuk do te kërkojmë autonomi por do te ndahemi nga sundimi i perandorisë osmane”.Këtë ultimatum e nënshkruan: Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Islam Spahia, Musa e Jahja Prizreni. Kërkesat e miratuara filluan menjëherë të zbatohen në të katër vilajetet. U organizuan mitingje ku flisnin patriotet për rendësin e kërkesave që do të çonin vendin drejt pavarësisë.”Oratoret – shkruante ne kujtimet e tij”- K. Grameno, -mbajtën fjalime, me anën e te cilëve shpjegonin përmbajtjen e 14 pikave dhe thonin, se këto të drejta do t’i japin popullit shqiptar te gjitha mundësitë për të shkuar drejt progresit dhe ne ngritjen e një shteti shqiptar”.Veprimtaria atdhetare e “Heroit te Popullit” Isa Boletini dhe luftërat e tij te pandërprera gjate 35-vjetëve për liri e pavarësi te kombit tone kundër pushtueseve osmane, sidomos roli i tij si udhëheqës dhe organizator ne dy kryengritjet e mëdha 1910-1912, taktikat dhe strategjitë e jashtëzakonshme që diti t’i zbatojë e që do t’ia kishin zili edhe gjeneralët me akademi ushtarake më të zot të Evropës, bënë që shtypi evropian dhe amerikan ta krahasojnë me figurat me të shquara të popujve, të tyre. Një gazetar i kohës shkruante për heroin: “Titan do ta quaja, gjeneralin e madh te Kosovës”. Gazetat angleze e krahasojnë “Isa Boletinin me Robin Hudin, ato gjermane me Geo Berlingenin, zviceranet me Vilhelm Telin, ato italiane e quajtën Garibaldi i Ballkanit, Fan Noli e krahason me Xhorxh Ëashingtonin etj .Pikërisht në atë kohë shqiptaret kishin filluar kudo t’i zbatonin kërkesat ne fjale dhe te organizoheshin me mirë për një kryengritje të përgjithshme në të katër vilajetet për të fituar pavarësinë. Shtetet shoviniste ballkanike sulmuan në të gjitha anët si bisha te plagosura të katër vilajetet shqiptare për t’i copëtuar ne mes tyre. Heroi Isa Boletini se bashku me forcat e tij ishte nga te paret qe zuri gryken e Mitrovicës për të mbrojtur atdheun nga armatat serbe të cilat e sulmuan Kosovën në të gjitha drejtimet, te armatosura me armët me moderne të kohës. Pas një qëndrese heroike u detyrua te tërhiqet dhe të nisej në krye të 300 kalorësve drejt Durrësit. Atdhetari i shquar Ismail Qemali kishte dërguar telegrame ne Kosove që të niseshin delegate për të marrur pjesë në një kuvend qe do të mbahej në Durrës ose në Vlorë e do të vendoste për fatin e kombit.”Heroi i Popullit” Isa Boletini arriti në Vlorën heroike në çastin më kritik, për të mbrojtur shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar. Shkuarja e tij në Vlore u prit jashtëzakonisht mirë nga populli dhe delegate që kishin nënshkruar aktin e shpalljes se pavarësisë. Ajo duhej të mbrohej me çdo kusht nga ushtria osmane e cila ndodhej ne rrethin e Beratit. Tridhjete mije ushtare, në krye me Xhavit Pashën do ta kalonte ushtrinë në Skele të Vlorës për ta ngarkuar ne vapore. Ushtria pushtuese serbe ndodhej në Lushnjë dhe po e ndiqte ushtrinë osmane këmba- këmbës. Nëse do të kalonte ushtria osmane neper Vlore dhe prapa saj ushtria pushtuese serbe, do ta ulte flamurin kombëtar ashtu siç beri ne Tirane. Patriotet e ngritën flamurin ne 26 nëntor, kurse ushtria serbe e uli Heroi Isa Boletini, në këto rrethana tepër të vështira për kombin lëshoi kushtrimin ne Vlore e në Labëri. Iu përgjigjen me qindra vullnetare të armatosur dhe vetë neë krye të kosovareve zunë bregun e Vjosës. I dërguan fjale Xhavit Pashës për se gjalli, se ai nuk mund te kalonte neper Vlore. Xhavit Pasha u detyrua ta ndërrojë drejtimin për në Seman ku e prisnin anijet. Ushtria serbe nuk kishte aq forca sa ta sulmonte ushtrinë osmane. Po priste te largohej ajo nga Shqipëria e pastaj te marshonte drejt Vlorës. Qeveria e perandorisë austro-hungareze i kishte dhënë fjalën atdhetarit te madh e politikanit të mirënjohur ne gjithë Evropën, Ismail Qemalit se do ta njihte shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë. Ajo i dërgoi telegram urimi Kuvendit te Vlorës dhe qeverise se sapo formuar se e njohu Pavarësinë. Ne anën tjetër qeverise serbe iu dha ultimatum të ndalte menjëherë pushtimin e armatës serbe ma tej. Kosovaret e armatosur, ne krye me heroin Isa Boletini u bënë garda e parë kombëtare për të mbrojtur qeverinë shqiptare të Vlorës. Pasi u qetësua gjendja ne Vlore, Ismail Qemali, në krye të një delegacioni ku bënte pjese edhe Isa Boletini si përfaqësues i vilajetit te Kosovës u nisen ne kryeqytetet e Evropës që të kërkonin njohjen e shtetit me te katër vilajetet shqiptare. Ndalesën e fundit do ta bënin ne Londër. Aty do te behej Konferenca e Ambasadoreve Evropiane me kryetar ministrin e Jashtëm anglez, Eduard Grejn qe do t’i caktonin kufijtë e shtetit shqiptar. Delegacionin e priti vete ministri anglez i cili me humor tha: “Isa beg, ty nuk te mundi me te çarmatose një perandori osmane, ndërsa këtu tek ne te çarmatosi një portier”?Heroi iu përgjigj me krenari: “Jo besa, mua s’ka mund me më çarmatos as Turkia, as Anglia”, dhe e nxori revolen tjetër nga xhamadani i tij i famshëm qe ruhet edhe sot ne Muzeun Kombetar. Në Londër kishin filluar pazarllëqet për caktimin e kufijve tanë. Ambasadoret e Antantes qe ishin pothuaj, të’ Rusisë, Francës e Anglisë kërkonin një shtet te vogël shqiptar e ne anën tjetër austro-Hungaria dhe Gjermania kërkonin një shtet me një territor me te madh shqiptar. Kryetari i Konferencës Grej, hapi hartën e Ballkanit dhe e pa se ku binte Mitrovica: “Isa beg, – i tha! Po te ishte ma afër Mitrovica, për nderin tuaj, unë do ta bashkoja me shtetin shqiptar, veçse qenka larg”. Heroi iu përgjigj: “Unë s’kam ardhur këtu për Mitrovicën time, por kam ardhur për te gjitha tokat shqiptare që të jenë në një shtet”.Delegacioni shqiptar u kthye nga Londra shume i dëshpëruar. E kishte kuptuar se konferenca e Ambasadoreve do te linte shume toka shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Prandaj Isa Boletini, si Anteu edhe njëherë përpiqet te organizoje një kryengritje ne Kosove se bashku me Bajram Currin ne fillim te vitit 1913, pothuaj ne një kohe me kryengritjen e Dibraneve. Kjo u be vetme për t’i dhënë të kuptoje Evropës, se shqiptaret nuk do te pranonin kurrë’ copëtimin e tokave të tyre. Kryengritja përfshiu rrethin e Gjakovës, Rahovecit dhe iu afrua Prizrenit. Në atë kohë Serbia kishte grumbulluar forca të mëdha ushtarake. Shumica e kryengritësve shqiptare ishin te paarmatosur. Megjithë qëndresën e tyre heroike, ne krye me Isa Boletinin, ata u detyruan të tërhiqen. Siç dihet Konferenca e Ambasadoreve në Londër 1912-1913 la jashtë shtetit shqiptar dy të tretat e popullsisë shqiptare dhe te territorit duke i shpërblyer pushtuesit tanë grabitqare, Serbinë, Greqinë e Malin e Zi. Nga kjo padrejtësi qe nuk ka ndodhur me asnjë popull në botë, vuajnë edhe sot shqiptaret te ndare në pesë shtete megjithë luftërat e pandërprera që ata bene për t’u bashkuar. Atdhetari i madh Isa Boletini ndonëse shume i dëshpëruar qe Kosova me vise te tjera mbeten jashtë kufirit të shtetit të vogël shqiptar, përsëri gjen force për te kontribuar për konsolidimin e tij. Isa Boletinin si shqiponje e gjen kudo për te vendosur rregull e qetësi, me shprese se duke e forcuar atë, do te jete një baze e mire ne te ardhmen për te ndihmuar Kosovën e Camerine për t’u bashkuar me Shqipërinë. E gjejmë në Tropojë e Lume kundër hordhive serbe. E gjejmë ne Vlore e në Durrës kundra esatisteve. E gjejmë në Shkodër për ta mbrojtur nga pushtuesit malazez. Megjithëse ishte sëmurë nga ethet e malaria, ai mbeti i papërkulur, gjithmonë një vigan e kurrë nuk mundi askush ta çarmatose. Isa Boletini nuk luftoi për interesa vetjake ndonëse iu premtuan cifliqe e grada gjenerali nga sulltan e xhonturqit nga Serbia e Mali i Zi. Ai i përbuzi ato me neveri. Boletini luftoi 35 vjet për liri e pavarësi kombëtare me arme ne dore, duke zgjuar Evropën e përgjumur e te shurdhet lidhur me ceshtjen shqiptare, duke e detyruar atë ta pranoje se në Ballkan paska një popull shqiptar qe luftoka për te drejta kombëtare e nuk qenka një shtojce e perandorisë Osmane. Ajo qe disa here i ka mposhtur heronjtë tanë, ka qene tradhtia. Kështu ndodhi edhe me heroin Isa Boletini. Me 23-janar 1916, ai u sulmua pabesisht ne mes te Podgoricës nga një grup i madh malazezesh te armatosur. Edhe pse i plagosur rende,« luani» shqiptar nuk ndërroi jete pa e marre hakun e vet duke lënë të vdekur disa prej armiqve shekullore. Ai ra heroikisht për te mos vdekur kurrë duke u kujtuar brez pas brezi. Heroi Isa Boletini ishte shëmbëlltyre e virtyteve me te mira te kombit tone. Veprimtaria e tij mbetet gjithmonë aktuale për brezat dhe shprehja e tij e arte :« Unë jam mire kur është mire Shqipëria »…

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, KTHIMI I ISËS, NE SHTËPI

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT