Vëzhgim nga Athina/
Nga Abdurahim Ashiku/
SOT, më 5 maj 2014, MBYLLET “TRINA”, fëmijët e mërgimtarëve në Greqi PËRSËRI NË “VATHË”, përsëri në pritje të bamirësisë kristiane greke për një shans radhe, shans që si zakonisht do të vijë në gusht në prag e pas “Panagjisë së 15 Gushtit”.
Në këto njëzet e dy ditë të “trinës” së hapur nuk ndodhi asgjë që të përbëjë lajm. Policia greke hapi “trinën” më 13 prill për ta mbyllë më 5 maj. Të liruarit nga “vatha” shkuan dhe u kthyen me vrap, kësaj radhe me një model të ri ikje dhe kthimi, modelin e çuditshëm të mosvënies së pullës dalje-hyrëse mbi pasaportë (!)
Në hapësirën e këtyre njëzet e dy ditëve lajm në medie bëri udhëtimi në Tiranë i kryekuvendarit të Republikës së Greqisë Majmaraqis, takimi i tij me të gjithë emrat e përveçëm të politikës shqiptare: me Kryekuvendarin Meta, Presidentin Nishani, kryetarin e opozitës Basha, kryeministrin Rama…, takim sipas motivit të vjetër “Erdha-Pashë-Ika…”
Gjuha e krye politikanëve nuk lëvizi në zgavrën e gojës për të shqiptuar burgosjen e pashembullt në ditët e sotme të fëmijëve për fajin se ata kanë të shkruar mbi pasaportë emra që nuk i përmban toponimia e kohës, emra që ndonëse modeli i pasaportës e kërkon të shkruhen në shqip dhe në anglisht, administrata analfabete shqiptare i shkruan si t’ua thotë kaploqja, madje deri atje sa dy germa të gjuhës shqipe i ha me “hotdog”.
Për të mos u ngrënë hakun dhe djersën organizatorëve, në hapësirën e njëzet e dy ditëve, në qendër të Athinës, në sheshin Sintagma, përpara Kuvendit të Republikës së Greqisë u mblodhën disa mërgimtarë, diku te një skuadër futbolli me gjithë rezervat të cilët “protestuan” për toponimet.
Mirë bënë. Nuk u mohohet e drejta njerëzore e protestës. Veçse zëri i saj nuk kaloi më shumë se hapësira e veshëve të të tubuarve. Askush nuk shkroi. Askush nuk filmoi. As zë, as figurë. Nuk kishin pse. Tubimi u bë në adresë të gabuar. Gjetkë duhet të ishin mbledhur. Gjetkë duhet të protestonin.
Greku, në ndalimet që u bën fëmijëve në kufi duke i mërdhirë deri në palcë në pikë kalimet kufitare bën hesapet e veta, hesape që ka tash dy vjet duhet t’i kishte bërë shteti shqiptar, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Brendshme. Hesap shumë i thjeshtë: Janë shkruar pasaportat me gabime toponimike? Tërhiqi dhe bëji ashtu si duhen bërë, si e thonë rregullat dhe ligjet ndërkombëtare. Detyroi të gjithë ata që e shkaktuan këtë precedent të paparë, që i ngrinë së ftohtit fëmijët në kufi, t’i ribëjnë me shpenzimet e tyre, madje të rrinë ca muaj tek “shtatë dritaret”…
Ministria e Brendshme bëri në këtë hapësirë kohore një “autokritikë”. Pranoi se pasaportat e fëmijëve shqiptarë duhen të kenë afat pesëvjeçarë dhe jo dhjetëvjeçar. Caktoi edhe kohë skadimet, edhe pagesën për çdo aplikim. Për toponimet nuk tha asnjë fjalë, qoftë edhe për kortezi, qoftë edhe për ndjesë. Mbase ka menduar se tash fëmijët, me kohë aplikimet çdo pesë vjet, do ta kalojnë edhe tmerrin e përjetuar, do të shkruhen toponimet në rregull.
Mbase…
Megjithatë, miku im, pasaportën e vajzës së tij përcjellë nga ana ime në internet si dëshmi e mbrapshtisë së administratës dhe shtetit përgjegjës për të, më tha se po e zgjidh ndryshe, ashtu siç e ka zgjidhur për djalin. Po aplikon që vajza e tij tre vjeç të marr nënshtetësi greke, të hyjë e të dalë në Shqipëri dhe në të gjithë botën me letërnjoftim e pasaportë greke. Edhe ai, si prind i fëmijës “grek”, shpejt pret të marrë letërnjoftim e pasaportë greke…
Shteti ynë me veprimet dhe mosveprimet e tij i ka hapur rrugë humbjes së dinjitetit, identitetit, mohimit ligjor të të qenit shtetas shqiptar, harrimit të të shkruarit dhe të folurit shqip.
Në pasaportën greke të shkruarat mbi të janë në dy gjuhë: në gjuhën e vendit-greqisht (me germa latine) dhe në gjuhën e botës-anglisht. Një greku i ndalohet ta ketë të shkruar mbi pasaportë Hellas. Detyrimisht duhet ta ketë të shkruar Greece.
Kështu e kërkojnë rregullat e botës, rregullat e Evropës ku duam me ngulm të jemi pjesë me të drejta të plota…
E duam por jo kështu…
SOT më 5 maj 2014 ora 24.00 mbyllet “trina” !
A do të thyhet ndonjëherë?
Është KOHA për ta thyer por…
Kur dhe nga kush?
Athinë 5 maj 2014