• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT TË BASHKUAR PËRSËRI NË VATIKAN RRETH GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBE

November 19, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli /

2 papa13 Papa

Çfarë ndryshimi sjellin 50-vjetë. Ndryshim për më mirë!  Ishte viti 1968 kur Kombi shqiptar shënoi 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut.  Shqiptarët e larguar nga Atdheu prej regjimit komunist të Enver Hoxhës, kishin organizuar me ndihmën e Vatikanit dhe të Papa Palit VI, të Arbëreshëve dhe të komunitetit shqiptar të Romës në atë kohë, të kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me Arbëreshët e Italisë, ceremoni në kujtim të Heroit Kombëtar.  Aty, pa dallim feje as krahine, të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan (me përjashtim të regjimit komunist të Enver Hoxhës) – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre për Fatosin e Madh të Kombit, të cilin Papa Pali i VI, me atë rast e cilësoi si, “Të Përgjithëmonshmin e Fisit Shqiptar”.

Ndryshimi me situatën e vitit 1968, kur ceremonitë për shënimin e atij përvjetori atëherë në Vatikan, u organizuan nga diaspora shqiptare me ndihmën e Vatikanit dhe të Arbëreshve – sivjet në vitin e shpallur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare si Viti Mbarë-Kombëtar i Gjergj Kastriotit Skenderbe – organizimi i ceremonive për të shënuar 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit është bërë nga vet ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit.  Veprimtaria në Vatikan është organizuar nga Shefja e Misionit Diplomatik të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zonja Majlinda Dodaj, në bashkpunim me Vatikanin.  Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe artistë shqiptarë me famë botërore, të cilët në mbrëmje dhanë një shfaqje në Teatrin prestigjoz “Argjentina”, në qendër të Romës, përfshirë yjet e muzikës Dua Lipa, Ermal Meta, Olen Cesari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Rame Lahaj, Elhaida Dani, Lorik Cana, Eno Peci dhe Erza Muqolli, të cilët morën pjesë në koncertin, “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, të cilin e hapi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.  Përveç  pjesëmarrjes së tyre, njoftimet zyrtare bëjnë të ditur se të hënën, një delegacion shqiptar, përfaqsues të të gjitha feve si dhe një grup autoritetesh të larta kishtare dhe politike nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Arbëreshët e Italisë, u takuan me Papa Françeskun, në Vatikan, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Vitin Mbarëkombëtar kushtuar Heroit të Madh të luftës kundër otomanëve. Takimi u mbajt në “Sala Clementina” të Pallatit Apostolik, ku thuhet se ndër zyrtarët e lartë shqiptarë ishin të pranishëm, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi me grupin e përfaqësuesve të parlamentit, Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e të tjerë.  Lajmet bëjnë të ditur se ndër përfaqësuesit e Shqipërisë, i pranishëm ishte edhe Kardinali Ernest Simoni, i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë, i persekutuar nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.

Imzot Xhorxh Frendo, udhëheqsi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë i tha radio Vatikanit se takimi i Papës me shqiptarët në këtë vit kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe tregon, “Jo vetëm solidaritetin tonë me Papën por edhe solidaritetin e Papës me ne, i cili në këtë mënyrë ka dashur të ndajë gëzimin e tij me ne, me rastin e përvjetorit të Heroit Kombëtar Skenderbeut”.  Të gjithë e dimë, shtoi Imzot Xhorxh Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, se “Papa Françesku ka një afërsi shumë të veçantë me popullin shqiptar”.  Ai përmendi faktin se Shqipëria ishte vendi i parë evropian që kishte vizituar Papa Françesku katër vjet më parë, ndërsa theksoi se të njëjtën gjë mund të themi edhe për Papa Gjon Palin e dytë, përsa i përket afërsisë së tij me shqiptarët, i cili gjithashtu tregonte një interesim dhe dashuri të veçantë për shqiptarët, tha udhëheqsi i Kishës Katolike të Shqipërisë në një intervistë me Radio Vatikanin.

Në intervistën e tij, një ditë para takimit të shqiptarëve me Papën, Imzot Frendo e cilësoi vizitën e shqiptarëve në Vatikan dhe takimin e tyre me Papën, me këtë rast, si të një rëndësie të madhe, “sepse në këtë mënyrë është Shqipëria ajo që po shkon në Vatikan, pasi para katër vitesh ishte Vatikani që erdhi në Shqipëri”, kur në Tiranë u gjënd Papa Françesku, e që ishte vizita e tij e parë në një vend evropian, si udhëheqës i Kishës Katolike.Në takimin me delegacioni shqiptar në Pallatin Apostolik, Papa Françesku priti shqiptarët e ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera, përfshirë diasporën me këtë përshëndetje:

 “Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.

Në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Papa Françesku tha se Atdheu i Skenderbeut, “Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore, dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht”, është shprehur udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike.

Sa kënaqësi dhe mallëngjim për të qenë dëshmitar, megjithse nga larg, i këtij takimi mbarë shqiptar në Vatikan, për të shënuar përmbylljen e Vitit të shpallur Mbarë Kombëtar të Shqiptarëve.  Pikërisht aty në Vatikan, ku 50-vjet më parë u shënua 500-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut me pjesëmarrjen e Papës së atëhershëm Palit të VI dhe shumë shiqptarëve nga të gjitha trojet, por të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë Arberëshët e Italisë. Por Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, për arsye që dihen, nuk mori pjesë atëherë.  Kur bën njeriu një krahasim në histori, është me të vërtetë mallëngjim e ngushëllim për të parë sot pjesëmarrjen e një delegacioni zyrtar të Shqipërisë në një pritje të tillë në Vatikan, e për më tepër që merr pjesë në një ceremoni të tillë, organizuar kryesisht nga Ambasada e Tiranës në Selinë e Kishës Katolike dhe Shefja e saj, Zonja Majlinda Dodaj.  Bashkimi i Shqiptarëve është i mundur, siç u shpreh edhe Papa Françesku para delegacionit të shqiptarëve dje në Vatikan, nepërmjet Gjergj Kastriot –Skenderbeut, “Simbolit të padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar” të shqiptarëve!

Festimet kulminuan me një koncert muzikor me titullin përkatës të rastit: “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, ku morën pjesë disa nga muzikantët më të njohur shqiptarë – koncert ky i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në teatrin e njohur, “Argentina”, në Romë,

 

 

 

Fjalimi i plotë i Papa Françeskut mbajtur para delegacionit Mbarë-Shqiptar, në vizitë në Vatikan për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së Skendërbeut — të pranishëm atje në përmbyllje të ceremonive të Vitit 2108, kushtuar nga Shqipëria dhe Kosova, Kujtimit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Gjergj Kastriotit -Skenderbeu.

 

“Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë, vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tuaj Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit.  Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI priti   një përfaqësi të shqiptarëve.

 

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i lidhjeje dhe bashkimit kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

 

 

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit.  Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

 

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

 

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se Heroi Kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

 

Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

 

Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.

 

Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.

 

Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë, në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë.  Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.

 

Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar.  Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.”

Burimi: Radio Vatikani në gjuhën shqip

 

 

Papa Franesku i drejtohet delegacionit të Shqiptarëve

 

 

Imzot Xhorxh Frendo Shefi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me Papa Françeskun

 

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkohen, Frank shkreli, në Vatikan, shqiptaret

SOT, Koncerti për Nënë Terezën në Romë

September 3, 2016 by dgreca

Inva Mula, Ermonela Jaho, Gëzim Mushketa, Rita Ora e artistë të tjerë të mirënjohur shqiptarë janë mbledhur në Romë për të kremtuar së bashku me shqiptarët, që ndodhen në kryeqytetin italian këto ditë, shenjten shqiptare, Nënë Terezën, e cila do të lartohet në nderimet e elterit nesër, 4 shtator, me meshën e kremtuar nga Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në orën 10.30. Pikërisht për këtë koncert, i cili fillon në orën 19.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve.Cilët janë artistët e koncertit të madh shqiptar për Nënë Terezën? Dje, shkuam për të dëgjuar e parë provat e tyre në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve në Romë. Artistët hynin njëri pas tjetrit për të provuar pjesë si “Ave Maria”, “Panis Angelicus”, por edhe “Valsin Hyjnor”, himn kushtuar Nënë Terezës, interpretuar nga e mirënjohura Inva Mula.

Baritoni i njohur Gëzim Myshketa është pa dyshim një nga artistët më interesantë të brezit të vet, por edhe njeri i impenjuar në ndihmën për të varfërit, së bashku me Ermonela Jahon dhe Inva Mulën.

Sopranoja Ermonela Jaho, që me interpretimet e saj të shkëlqyera e ka çuar artin dhe zërin e shqiptarëve në të gjithë botën. është mjë tjetër yll i skenës botërore pjesë e këtij koncerti Jo më larg se 15 shtatori e deri në tetor, ajo do të interpretojë Desdemonën në shfaqjen e operës Otello në Teatrin e Madridit. E njohim edhe përmes Karitasit Shqiptar, me të cilin ka bashkëpunuar disa herë për mbrëmje bamirëse.

Tenori Ramë Lahaj, fitues i çmimit Plaçido Domingo Operalia 2016, është nga Kosova, por flatrat e artit muzikor e kanë çuar në gjithë botën.Sopranoja Elbenita Kajtazi,eshtë nga Mitrovica e Kosovës, por jeton e këndon në Gjermani.  Edhe ajo eshte pjese e koncertit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Artistet qe performojne, i Nene Terezes, në Vatikan, Shenjtërimi

Në Vatikan, meshë për Nënë Terezën

June 17, 2016 by dgreca

-Nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës/

Romë, 17 qershor 2016/ Nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan është mbajtur edhe një meshë për Nënë Terezën, në të cilën edhe një herë është kujtuar jeta, vepra dhe shembulli që ajo ka dhënë për botën.

Njoftimi dërguar nga Roma thekson se, në këtë meshë, përveç presidentit Hashim Thaçi, kanë marrë pjesë edhe shumë përfaqësues të korit diplomatikë në Romë, përfshirë edhe përfaqësuesit diplomatikë të Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Mesha e kremtuar në kishën e Shën Gregorit u udhëhoq nga kardinali Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, i cili është edhe njëri prej deponuesve të mrekullisë së Nënës Terezë, që mundëson shenjtërimin e saj.

Shenjtërimi i Nënës Terezë, sipas presidentit Thaçi, është mesazhi më i mirë që Vatikani bënë për një personalitet që dashurinë dhe shpirtin e saj solidar ia ka dhuruar njerëzimit.

“Ai shpirt solidar, ai mirëkuptim i saj, ato mesazhe të dashurisë, të kujdesit ndaj të gjithëve, ndaj njerëzve me nevojë kudo në botë, tregojnë edhe shpirtin e origjinës së saj, që ka qenë i mishëruar me vlerën e saj humane, njerëzore, që i ka dërguar gjithë botës. Shenjtërimi nuk është vetëm nder për kombin shqiptar, por është nderim edhe për vlerat universale që Nënë Tereza i ka përçuar anë e kënd botës”, ka thënë presidenti Thaçi, për shenjtërimin e Nënës Terezë.

Ati i Shenjtë, Papa Françesku, muaj më parë kishte miratuar dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ceremoni kjo që do të mbahet më 4 shtator të këtij viti në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan./b.j/

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: meshë, në Vatikan, per nene Terezen

PSE SHQIPËRIA NUK KA AMBASADOR NË VATIKAN !?

June 10, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Ne Foto:Ronald Reagan i dorzon Nanës Tereza, Medaljen Presidenciale të Lirisë, në Shtëpinë e Bardhë, me 20 Qershor, 1985./

 ■Me 25 Maji 1945, perfaqsuesi i Vatikanit në Shqipni Imzot Leone G.B. Nigris, nxiret jashtë Shqipnisë nga qeveria sllavokomuniste e Tiranës, që e drejton anadollaku Enver Hoxha. Në vitin 1954, kam njoh Don Mark Hasin, i cili në vitin 1956 më ka tregue per bisedimet e fundit që ka pasë me Imz. Nigris, në hotel “Dajti”, perpara se Ai të largohej perfundimisht nga Shqipnia.

■Shpjegimet e bame nga At Konrrad Gjolaj, në librin “Çinarët” per porositë e Imz. Nigris të lanuna Don Markut, janë shumë të sakta. Don Marku me të vertetë porositë ua kaloi Imz. Gasper Thaçit, Argjipeshkëv i Shkodres, po edhe Imz. Frano Gjinit, Abat i Mirditës, që u ngarkue me postin e Zv. Nuncit Apostolik të Delegacionit të Vatikanit në Shqipni. Detyrë me randsi që u vazhdue me nder nga Imz. Frano Gjini, deri diten që u pushkatue me 11 Mars 1948. Mbas arrestimit të Imz. Gjinit në nandorin e 1946, asht kenë Argjipeshkëv në Tiranë Imz. Vinçenc Prennushi, që u mundue me mbajtë lidhje me anen e misjoneve anglo – amerikane me Vatikanin, po loja e atyne misjoneve në Tiranë, i kushtoi shumë shtrenjtë të gjithë Klerikëve Katolik të Shqipnisë.

■Mbas vitit 1947, kur u arrestue edhe Imz. Prennushi, lidhjet me Vatikanin as, direkt as, indirekt nuk kanë funksionue ma. Po e njajta lojë vazhdoi edhe me ambasaden italiane dhe franceze mbas viteve 1950, kur u bane shumë përpjekje nga Klerikët e Tiranës me u lidhë me Vatikanin per Projektin e Statutit të Kishës Katolike, që aprovonte “shkëputjen e Kishës” nga Papa dhe Vatikani, në vitin 1951. Konferenca e Paqes, në 1952 në Tiranë, ua vuni vulen e turpit të gjitha komuniteteve fetare. Askush nuk asht pendue deri sot!

■Në vitin 1967, “Revolucioni Ideologjik dhe Kulturor”, i drejtuem nga vetë terroristi Enver Hoxha, me pasuesin e tij servil Ramiz Alia, u vulos dhe la dokumentin ma të pakundershtueshem në Shkoder, me “Muzeun Ateist”, një turp i pashembullt në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombtar Gjergj Kastriotit.

■Shqipnia u shpall “Shtet ateist” me të gjitha tiparet e turpit në Europë!

■Shpallja e “Shqipnisë ateiste” nuk ishte aspak formale, po gjatë gjithë periudhës që asht kenë nen thundren sllavokomuniste, ajo ishte model i luftës kunder Fesë, kulturës dhe të gjitha tipareve të Europës Perëndimore, per të cilat u punue deri në vitin 1944.

 1985…RONALD  REAGAN i dorzon Nanës Tereza, Medaljen Presidenciale të Lirisë, në Shtëpinë e Bardhë, me 20 Qershor, 1985.

■Plot mbas 40 vjetësh, Presidenti Amerikan Ronald Reagan “veshtron” nga Shqipnia!

■16 TETOR 1978, Karol VOJTILA zgjidhet Papa i Kishës Katolike në Vatikan.

Fillon takimet me udhëheqës shpirtnor e politik nga gjithë Bota…fillon lidhjet me shumë shtete të mbetuna pezull si ShBA, BRSS, Hungari, Çekosllovaki, Rumani etj…(1990).

20 Mars 1991, vjen per vizitë private Zv/Ministri Claudio Celi, pergjegjës per mardhanje të Vatikanit në KSBE, dhe me rasen e vizitës së Tij në Shkoder, jemi takue në Turizmin e Shkodres, ku kemi shkembye mendime per lidhjet e ardhëshme me Vatikanin.

■22 Gusht 1992, Papa Gjon Pali II ban Apelin e sigurimit Paqës në Ballkan…

■2 Dhjetor 1992, Ramiz Alia shpallë: Shqipnia antare e “Konferencës Islamike”…

■Prill 1993, Paraqet letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte Ambasadori Villy Kamsi.

■25 Prill 1993, PAPA GJON PALI II viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit…

■21 Shtator 2014, PAPA FRANÇESKU, viziton Tiranën në pragun e “rilindjes”…

■Kanë kalue dy vjetë që “Rilindja” e Tiranës nuk gjenë asnjë “Katolik”, me e dergue Ambasador në Vatikan… Mos ndoshta, “ngerrçi” i para 70 vjetëve, që në 1945 na nxori nga Europa per 50 vjetë, na ka marrakotë…e janë ba 25 vjetë që “Shqiptarët” nuk gjejnë ende çelsat e “Dyerve të Europës”…Edhe pse Vatikani asht perballë Shqipnisë!

***

■Kam bindjen se kur ishte Papa Gjon Pali II, me detyren e madhe Fetare në Vatikan, askush ma mirë se Ai, nuk e ka njoh komunizmin shkatrrues të Njerzimit Perparimtar!

■E këte e verteton ma mirë se gjithshka thanja e Tij aktuale per Popullin Shqiptar:

“Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra,

nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!”

Melbourne, Qershor 2016.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, në Vatikan, NUK KA AMBASADOR, PSE SHQIPËRIA

Shkrimtari Visar Zhiti propozohet për ambasador në Vatikan

February 5, 2015 by dgreca

Diplomati dhe shkrimtari Visar Zhiti është emri i propozuar nga qeveria për ambasador në Vatikan. Mësohet se propozimi është paraqitur në zyrën e Presidentit Bujar Nishani, ndërkohë që pritet pranimi apo jo i kandidaturës së tij.
Kandidimi i tij për këtë post, vjen pas refuzimit të emrit të Ardian Ndrecës, propozim edhe ky i qeverisë, i cili u hodh poshtë nga Presidenti Nishani në muajin mars.
Zhiti është shprehur i gatshëm për çdo mision që do t’i jepet. Ndërkohë që pranimi i emrit të tij nga Presidenti apo jo, lidhet me faktin se Nishani ka kërkuar që kandidimet më herët se të propozohen, të konsultohen.
Visar Zhiti është një figurë e moderuar e të djathtës, shkrimtar dhe ish-i persekutuar.
Shkrimtari dhe diplomati Visar Zhiti është gjithashtu ish-ministër i Kulturës në qeverinë Berisha, në periudhën prill-shtator të vitit 2013.
Në vitin 1997, Zhiti ka qenë atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, deri në vitin 1999.
(Ne Foto: Visar Zhiti gjate nje takimi ne Vater)

Filed Under: Kronike Tagged With: në Vatikan, për ambasador, propozohet, Shkrimtari Visar Zhiti

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT