• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË PRAGUN E 100 VJETORIT TË 10 SHKOLLAVE TË PARA SHQIPE NË RRETHIN E VLORËS

July 8, 2013 by dgreca

NGA KUJTIMET E MURAT TËRBAÇIT DHE MUÇO DELOS PËR “KOMBIARËT” E VLORES/

nga Albert R. HABAZAJ/ studiues

 Nga studimi i historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim njohuri të reja dhe plotësojmë dijet tona për ata pishtarë dhe flamurtarë të Vendit të Shqipeve, të cilët u përpoqën si ata, për ta nxjerrë Shqipërinë nga guvat e errëta në dritë të mirësisë. Në ballë të kësaj lëvizjeje përparimtare e çlirimtare nga peshat e rënda të pushtimeve, ravijëzohet si parësor roli dhe kontributi i burrave me “gramë”, njerëzve të shkolluar, mësuesve të shkollave të para shqipe. Viti 2013 përkon me 100 vjetorin e hapjes së shkollave të para shqipe në rrethin e Vlorës. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më  1912, qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi një kujdes të veçantë arsimimit të popullit me gjuhën amtare. Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në thirrjen drejtuar mësuesve theksonte: “çështja e arsimit ka një rëndësi kryesore për rilindjen e kombit shqiptar…” Sipas vendimit të qeverisë së Vlorës, në vitin shkollor 1913 – 1914, u çelën 10 shkolla shqipe, 1 në qytet dhe 9 në fshatra, dhe, konkretisht në Kaninë, Tërbaç, Dukat,Vranisht, Kudhës, Tragjas, Oshëtimë,Drashovicë dhe Smokthinë. Viti shkollor filloi më 16 shtator 1913. Halim Xhelo ka qenë mësuesi i parë që çeli shkollën e parë shqipe në Matogjinin e largët të krahinëzës së Smokthinës. Mësues i parë i shkollës shqipe në Tërbaç u emërua Murat Miftari. Një ndër pishtarët e dritës ishte edhe Muço Delo, që me shtegun e dijes, hapur nga arsimtari shëtitës e patriot, Mihal Peço, qe arsimuar në Kolegjin e Shën Mitër Koronës, në Kalabrinë Arbëreshe, matanë detit. Përhapësit e arsimit kombëtar në Vlorë, si filiza të gjelbër të Bredhit të Lartë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mbushur me dritërim dituror e humanist, të gjithë ata, stafetëmbajtës të Kostandin Kristoforidhit, Sami Frashërit e Naimit të Madh, Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Babë Dudë Karbunara, Jani Minga, Hamit Lumi, etj., edhe sot, pas një shekulli, na duket sikur i drejtohen vargmaleve të Vetëtimës dhe Këndrevicës, për t’u thënë: “Na hapni pak vend të bëjmë dritë edhe ne bashkë me diellin, që të ngrohim njerëzit tanë të mirë,që të bëhemi si pjesëtarët e tjerë të familjes së madhe  e të përbashkët europiane…!”

Mundësia dhe fati më ndihmuan të gërmoj në arkivat personalë të Murat Tërbaçit dhe Muço Delos, dy prej atyre mësuesve atdhetarë të fillimshekullit të XX, nga të cilat, mendoj se vlen të publikohen këto informacione burimore që kam përgatitur për gazetën “Dielli”, edhe si homazh për ata mësues me eshtër kombëtare, që duhet t’u falemi me nderim dhe respektin ndaj tyre, ta tregojmë duke vijuar misionin  e tyre fisnik në kushtet e sotme të edukimit, të përparimit dhe të zhvillimit. Murat Tërbaçi është edhe një nga 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Luftës Çlirimtare të Vlorës, 1920, një nga 12 figurat simbolike të kësaj epopeje, në ballë të së cilës printe Osmën Haxhi Muhameti, Ezhdërhaja Osmën NURI, siç e mban mend kujtesa popullore.

Qysh në shekullin XIX, mjaft përfaqësues nga paria e Tërbaçit, sikurse edhe mesaplikas të tjerë të Lumit të Vlorës, kurveleshas, himariotë e burra të dëgjuar të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, që luftuan me shpirt, me pushkë e penë, për Mëmëdhenë, ishin të lidhur me “Kombiarët” e Vlorës, Delvinës, Gjirokastrës, Frashërit, Beratit e Janinës.

Në kujtimet e Murat Tërbaçit, flitet  dhe për ndikimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këtë fshat malor. Midis atyre, që Mustafa Pashë Vlora dërgoi në Labëri e Tërbaç, për të mbështetur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ishin dhe Avdulla Nota, Sulejman Aliko e Musa Bodo. Sipas porosisë së Mustafa Pashë Vlorës dhe një tartari (korieri, lajmëtar) të dërguar nga Himara prej Odise Kasnecit, nga Tërbaçi u mobilizuan 35 vetë në luftën kundër grekut në Lëkurës, më 1879.

Këto lidhje me “Kombiarët” e Vlorës vazhduan dhe në fillim të shekullit XX. Në motet 1900 – 1907, në Tërbaç, Mesaplik, Brataj, Bolenë,Vranisht, Kallarat e Dukat kanë ardhur si mësonjës shëtitës Beqir Velo, Kristo Karbunara, Hamit Lumi, Peço Kauri, Ibrahim Avdullau dhe Elmas Kanina.

Sipas Murat Miftarit, në shtator – tetor 1908: “Na thirri Alem Mehmeti në konakët e tij në Tragjas, ku gjetëm Ibrahim Avdullaun, Hamza Isain, Zaçe Xhelon e Ymer Radhimën,

( nga Tërbaçi kanë qenë Murat Tërbaçi, Laze Malo e Xhezo Balo). Këtu u bisedua  për dy çështje të mëdha:

E para qe për mbështetjen e Ismail Qemalit si deputet në parlamentin xhonturk. Pas takimit të Tragjasit, erdhi në Tërbaç Eqrem bej Vlora me suitën e tij në shtëpi të Kapo Miftarit, i cili kërkoi votat për babain e tij, Syrja bej Vlora, por ne i qëndruam Ismail Qemalit dhe bisedës që kishim bërë dhe fjalës që kishim dhënë më përpara  në Tragjas.

Çështja e dytë ishte që “Shoqëria e Përhapjes së Shkollave Shqipe”, që ishte formuar pas fitores së “Xhonëve” (1908), të merrte një emër të ri: Klubi “Labëria” i Vlorës, ku nga Tërbaçi morën pjesë pesë vetë.

Gjatë muajve shtator – tetor (1908), të gjithë njerëzia e Tërbaçit, Bratit, Vranishtit, Mesaplikut, gjer në Kudhës – Grehot, votuan për Ismail Beun. Këtë  e nxiti më tej ardhja e Ismail Qemalit në Mesaplik. Në Kuvend të Mesaplikut, në emër të popullit të Tërbaçit fola unë (Murat Miftar Habazaj Tërbaçi – shënimi im, A. H.), pas Memo Metes, Zaçe Xhelos e Pasho Ramadanit.

Edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë e qeverisë së Ismail Qemalit, ne, mesaplikasit bashkëpunuam shumë me Ibrahim Abdullahun, Aristidh Rucin, Ahmet Xhafën, Ali Asllanin, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin dhe Ymer Çelon.

Më 1913, Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit, vizitoi shkollën e Matogjinit, ku ishte mësues HalimXhelo. Atë e shoqëronin Zaçe Xhelo, Memo Mete Brati, Toto Hosi, Jani Minga e Ibrahim Abdullau. U bë darkë në Mesaplik për Luigj Gurakuqin, në konak të Zaçe Xhelos, ku nga Tërbaçi morëm pjesë unë, [Murati], Xhezo Balo, si dhe 25 shpirt të tjerë (nga krahina).

Luigj Gurakuqi na lexoi urdhërin e Ismail Beut për të mbledhur vetëdashës dhe për të forcuar frontin e Janinës.

Pas ca ditëve, në Va të Tërbaçit (Ura e Vaut), u organizua një kuvend i madh nga tërë krahina, ku morën pjesë dhe personalitete kombëtare, si Mehmet Pashë Dëralla, ministër i Luftës dhe Nexhip Draga, gjeneral, delegat, deputet i Kosovës, si dhe shoqëruesit e tyre Ibrahim Abdullau, Hamza Isai e Sali Hallkokondi. Në mbledhjen e Urës së Vaut, si përfaqësues i qeverisë së Vlorës, për të drejtuar vetëdashësit për në frontet e luftimit, u caktua Memo Mete Brati. Trimërinë e I. Abdullaut, H. Isait, I. Çelos, A. Mehmetit, ne tërbaçiotët, e kishim njohur qysh më 1911 -’12, qysh në të ngriturit krye kundër xhonturqëve në Vlorë e Mallakastër, si dhe në Kuvendin e Urës së  Drashovicës. Mehmet Pashë Tetovari me përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës u ftuan nga Laze Malua, në konak të tij, ku u bë një darkë e madhe burrash.

Më 1914 u ndodha  në fshat, kur mua e Laze Malos na dërgoi një kartë Bexhet Shapati

( kushëri i Çajupit të madh) e Ibrahim Abdullai, me anën e Sali Hallkokondit nga Vranishti, ku na thoshnin: “Këto ditë u sos prej Evropës Ismail Beu dhe po prënjtet në shtëpinë e Xhemil Vlorës. Për të qarë hallet e vatanit, lutemi të vini në Vlorë më 15 të korrikut, në shesh të Namazgjasë (tek është Sahati sot – shënimi im, A.H.), ku do të mblidhet populli i krahinës. Me besë: Bexhet Shapati, Ibrahim Abdullau”.

Në këtë mbledhje, më 15 të korrikut, kur Ismail Beu u kthye nga takimi me princ Vidin, në Durrës, u bë një kuvend i madh me përfaqësonjës të të gjitha viseve jugore të Shqipërisë (rreth 2000 vetë), ku u xgjodh Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, ku dhe unë,  Murat Tërbaçi, bëja pjesë në këtë Komision.

Në kohët më pas , me “Kombiarët” e Vlorës kam marrë pjesë në Komitetin e Vlorës dhe në hartimin e protestave e memorandumeve drejtuar Konferencave të Paqit.

Në Kongresin e Lushnjës, sipas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe shpirti organizator i  Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullaun, Dhimitër Qypin, Spiro Kolekën e Osman Haxhiun, që morën pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandat delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të shkonin në Lushnjë…

Mjaft interesante për Lëvizjen Kombëtare në Vlorë janë dhe kujtimet e veteranit të arsimit kombëtar, Muço Delo. Ndër të tjera, në këto kujtime mësuesi hero nënvizon:

“Ne, tërbaçasit kemi patur mjaft bashkëluftëtarë nga Vlora dhe krahinat e tjera, në kohët e zeza të robërisë turke e italiane, për fatin e Atdheut si Osman Haxhiu, Ibrahim Abdullau, Imer Radhima, Abaz Mezin, Halim Risilia, Duro Shaska, Zaçe Xhelo, Alem Mehmeti, Hamza Isai e Ali Asllani.

Motet 1917-1918, kur kishte rënë gripi spanjoll dhe ushtria italiane na kishte prerë rrugët e shtigjet për të vajtur në Vlorë, kur ishin arrestuar 25 vetë nga krahina e Mesaplikut e dergjeshin në burgjet italiane për “trazirat në Mesaplik”, na thirrën në Vlorë disa mësonjës e parësi te Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Hamza Isai për të organizuar festimin e ditës së Flamurit, kundër pushtuesit italian. Ne kërkuam ndihmë nga Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Ibrahim Abdullau dhe morëm në Picar edhe drithë falas, pasi katundi ishte pa bukë.

Në organizimin e Luftës së Vlorës, më 1920, të deleguar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, përpara se të krijohej çeta e Tërbaçit, erdhën e na folën IbrahimAbdullai dhe Imer Çelua; erdhi dhe Halim Xhelua që po kthehej nga Kurveleshi, na foli si ai, e pastaj u formua çeta jonë, me komandant Selman Hysenin dhe zëvendës Selam Habazin e Selman Alikon.

Ibrahim Abdullau ka marrë pjesë në federatën “Atdheu” dhe ishte zëvendës i Avni Rustemit, si dhe, në vitet 1923 -’24, në shoqërinë “Bashkimi”. Sipas kujtimeve të Murat Tërbaçit e të Muço Delos dhe tërbaçiotëve të tjerë, këto figura të shquara të atdhetarisë së Vlorës kanë lojtur një rol të veçantë për gjallërimin e Lëvizjes Kombëtare në Tërbaç e Labëri. Ndërkohë një meritë të padiskutueshme për skalitjen historike të porteteve të këtyre pishtarëve të Lirisë dhe Diturisë në Vlorë e më gjerë ka Buldozeri i Kulturës Kombëtare, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.

 *Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.  Vlorë, më 08. 07. 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Albert R Habazaj, ne prag te 100 vjetorit, ne Vlore, te 10 shkollave, te para shqipe

DY FOTOGRAFË SHKODRANË NË VLORË

March 24, 2013 by dgreca

Nga Qerim Vrioni, Studiues*/

 Dihet se Shkodra dhe Korça janë dy qendrat historike të zhvillimit të Fotografisë Shqiptare. Prej këtej, po më tepër nga e para, nëpërmjet mjeshtërve fotografë, ajo u përhap dhe në qytetet të tjera të vendit. Edhe në Vlorë fotografët e parë shqiptarë, ishin shkodranët, Kol Maca dhe Gjon Rrota. Një “lidhje” të hershme të Vlorës me fotografinë përbën fakti i vjelë nga shtypi, se italiani Pietro Marubbi, nga vitet 1853-54, ka qëndruar disa kohë në qytetin bregdetar, po pa u marrë me fotografi, mandej shkoi në Shkodër, ku shkroi hapat e para të fotografisë shqiptare.

Për shkrimin e mëposhtëm, duhet të falënderoj dhe miqtë e mi, Pirro Stefa, Darling Vlora dhe Endrit Musaj për ndihmesën e tyre.

Nga të dhënat e deritanishme mësohet se Kol Maca mbahet si fotografi i parë shqiptar në Vlorë. Sipas studiuesit nga Shkodra Ndoc Gurashi (tetor 2012), Kol Maca e ka mësuar mjeshtërinë e fotografimit në atelienë e Kol Idromenos në Shkodër, ku ka shërbyer si çirak për disa kohë. Gjithashtu, studiuesi i sipërpërmendur shkodran thekson se Maca e ka hapur dyqanin (atelienë) e tij për fotografim në qytetin bregdetar në vitin 1915 dhe ka punuar atje pa ndërprerje deri në vitin 1921. Kjo ndërkohë përputhet me pushtimin e parë italian të Vlorës, ose siç njihet atje, me “Italia e parë“, që shënon edhe disa ndërtime të cilat qëndrojnë ende në këmbë, si Sahati dhe Bashkia (ish-konsullata italiane). Vula që ai vendoste pas fotove për popullatën ishte në italisht e në të shkruhej “Nicolo’ Mazza-Fotografo-Valona”, ajo rregullisht është bërë në Itali. Në të, emrin e tij e gjejmë në versionin e plotë të tij, Nikoll, ndërsa diku tjetër e hasim me shkurtimin tjetër, Kolec. Për jetën e tij, me gjithë kërkimet e vazhdueshme, ende nuk dimë shumë gjera. Autori i këtyre radhëve ka gjetur në Itali dy shkrime (faqet përkatëse) të Kol Macës të botuara në revistën e përmuajshme të asaj kohe, “Corriere della Sera” (Milano). Artikulli i parë titullohet “Tra i montanari albanesi” (gusht 1907), i dyti, “Monumenti e costumi albanesi” (maj 1908). Artikujt e mësipërm kanë të bëjnë vetëm me Botën Shqiptare. Ata shquhen për të dhëna të shumta historike, gjeografike, shoqërore dhe etnografike për shqiptarët në përgjithësi dhe malësorët e Veriut në veçanti. Midis shkrimeve, që tregojnë dhe kulturën e autorit, ka mjaft foto, me gjasë të Macës, që ilustrojnë përmbajtjen e tyre.

Gjithsesi, Kol Maca, në studion e tij fotografike në Vlorë, përveç punës rutinë me komunitetin, ka realizuar edhe foto të ngjarjeve të ndryshme politike, shoqërore e fetare të qytetit. Duhet shtuar se Kol Maca është një nga fotoreporterët e parë në shtypin shqiptar, gjë që vërehet në revistat e viteve ’30, sidomos në të përmuajshmen e njohur të kohës, “Minerva”, ku dhe ishte punësuar. Për një kohë të shkurtër ai ka qenë dhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror. Kol Maca ishte dhe pjesëtar i grupit zyrtar të fotografëve të shtypit, që përjetësoi festimet e 25-Vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1937 në Tiranë.(* Te plote lexojeni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: dy fotografe shkodran, ne Vlore, Qerim Vrioni

MONUMENTET E NATYRËS DHE ATRAKSIONE NATYRORE TË VLORËS

December 25, 2012 by dgreca

Ndër monumentet e natyrës janë 16 rrape shekullor,11 shpella,1 ujëvarë,1 deltë detare,1 burim i kripur,2 tarraca detare,2 mbihipje aktive,1 kanion,1lagunë,1 gji,1 falezë,1bokërrimë,1 dunë rëre,1 valë burim i madh/

Nga Gëzim Llojdia/

1. /

Prralli i Verbasit përbënë një objekt natyral. Prralli i Verbasit përbënë një objekt natyral që nuk gjendet në listën e monumenteve natyror të rrethit të Vlorës. Prralli i Verbasit përbënë një objekt natyral, që gjendet në fshatin Verbas të rrethit të Vlorës . Rreth 26 km rrugë nga qyteti i Vlorës drejt zonës së Smokthinës për tu ngjitur në Verbas. Prralli njihet në krejt zonën e Labërisë si një dru i cili formon gjethe në majë të cilave janë shpues,pra gjemba. Bimët janë organizma të gjallë, thuhet në një studim. Prralli i Verbasit është një monument natyre. E përbënë këtë fakt që pozicioni I tij nuk është drejt qiellit por gjysmë i shtrirë. Ky dru ka ecur gjithë jetën e tij shtrirë duke shikuar jo nga lartësia por nga perëndimi. Në kushtet ku ndodhet aktualisht pranë tij është një lapidar me një pllakë me mera. Poshtë është veshur nga fasada e një murri rrethor ndërsa sipër tij është kurora kurora e tij diku në 3-4m. Trupi i bimës ka një përthyerje të vogël. Shkon deri 30-50 cm trashësi. Bima është ruajtur dhe nuk është dëmtuar edhe gjatë ndryshimeve . Lartësia nga toka në pozicion e shtrirë i kalon të 1 m.

E paraqitur në një pozicionim të këtillë ky monument mbete i veçantë madje është një atraksion i rrallë në zonën e Smokthinës .Vet ,Verbasi është pjesë e katundeve të kësaj zone. Tek dokumenti për emërtimet shqipe , toponimet shqiptare të kryera gjatë regjimit të Zogut këtë zonë e gjejmë me këto toponime:(( 42-Smokthinë –Zhgabaj ,41-Ramicë Ramaj , 38-Mesaplik Mesaplik, 37-Matogjinë ,Matogjini, 32-Bashaj –Bashaj.)

Fjala vetë Mesaplik sipas E. Çabej vjen nga fisi i mesapëve që erdhën në këtë trevë nga jugu epirot. Zona e Mesaplikut është njohur për shumë monumente si gjurmë të kulturës së hershme. Përmendtë vendbanimi Cerjes, vend-fortifikim në luginë të Shushicës ,gjurmë të kësaj kalaje gjenden edhe sot,mozaiku i Mesaplikut ,Kaçorrit,ura e Bogdanit. Monumente të tjera natyrore janë përfshirë guri me qiell në fshatin Vranisht,katund që ka shtrirje në rrëzë të Malit përkarshi përtej lumit Shushicë

2.
Prof .Dr Nasip Mecaj ne enciklopedinë e Kurvleshit sjell këto të dhëna:Morfologjia karstike ka përhapje të vogël, ndonëse kushtet natyrore dhe përbërja litologjike e terrenit është tepër e favorshme për zhvillimin e tyre. Ndikim negativ në zhvillimin e tipit të relievit karstik ka luajtur shkalla e lartë e materialeve të patretshme dhe kushtet jo të përshtatshme topografike (pjerrësia e lartë e shpatit) etj. Disa forma karstike sipërfaqësore i vërejmë gjatë kurrizit të malit. Dukuria e tretjes në sipërfaqe është shumë e ngadaltë, për të mos thënë se ky proces ka përfunduar për shkak të izolimit të tyre me material të patretshëm. Më tepër kemi të bëjmë me një karst nëntokësor, sesa sipërfaqësor. Shpati perëndimor në pjesën më të madhe është i pyllëzuar, duke përbërë sektorin më të dendur me pyje të krejt vargut malor. Katet bimore kanë një shpërndarje graduale në drejtim vertikal, duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Sipërfaqen më të madhe e ka brezi i dushkut. Sipër tij vjen brezi i pishës dhe i bredhit, që arrin deri në 1600 m mbi nivelin e detit. Rrobulli ka një areal të vogël përhapjeje. Mbi halorët shtrihen kullotat verore, të pasura me një bimësi barishtore të shumëllojshme, shumica e të cilave janë bimë mjekësore, ku dominojnë çaj i malit, trëndafili i egër, tërfili, trëndelina etj.

3.

Ndër monumentet e natyrës janë 16 rrape shekullor,11 shpella,1 ujëvarë,1 deltë detare,1 burim i kripur,2 tarraca detare,2 mbihipje aktive,1 kanion,1lagunë,1 gji,1 falezë,1bokërrimë,1 dunë rëre,1 valë burim i madh.

Këto objekt natyral në rrethin e Vlorës përbëjnë atraksione. Në Llogora gjendet Pisha Flamur. Në disa katunde gjenden rrepe shekullore që kanë nga një epitete të cilat lidhen me ngjarje të veçanta. Objekte të kësaj natyre kanë edhe një dukuri mistike që i rrethon. Nuk mund të quhen shpërthime gjene tipike por janë produkt i veprimit të forcave natyrore për një kohë shumë të gjatë. Është edhe një fakt tjetër,që ky objekt natyror nuk gjendet i listuar në monumentet e natyrës të rrethit të Vlorës. Lista e monumenteve natyrore të rrethit Vlorë në të shumtën përbëhet nga rrapet madhështor.

Në këtë listë gjenden rrapet e Pilurit, Kudhësit, Palasës , Rrapi i Xhamisë, Çezmës,i lqet e Zarelit rreth gjysmë ha, në Kuç si edhe të Buronjave të cilat përbëjnë një ndër zonat më të bukura si dhe të Izvorit, Tragjasit, Drashovicës,Velcës, Gurës në Smokthinë. Mbetet e “shënuar” pisha Flamur në qafë të Llogarasë . Në afërsi të pikës së Qafë Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante ndikuar edhe nga korrentet e erërave. Një element natyror i veçantë dhe tepër karakteristik i dhe karthet e Tërbacit. Mirëpo një pyetje ngrihet vetiu. A ekzistojnë aktualisht këto objekte monumente të natyrës në rrethin e Vlorës? Rrojnë apo janë zhdukur? Ka edhe një enigmë tjetër ? A i njohin komunat dhe banorët këto objekte të listuara si objekte të cilat mbrohen nga shteti si monumente të rralla të natyrës tonë?Kjo listë do të ishte më e madhe dhe do të përmbante edhe visare që janë zhdukur nga natyra jonë e virgjër. Kumtoj faktin, që specialistët e Universitetit të Gjenevës gjatë listimit të florës dhe faunës në Orikum, gjetën dhe konfirmuan faktin e një bime ende të rrallë, që rritet në këneta dhe laguna ,ndërsa është zhdukur në të gjithë pellgun Mesdheut pas tharjeve të kënetave. Kjo bimë e rrallë u gjend në pjesën jugperëndimore të lagunës së Orikut, e cila kur çel në stinën e lulëzimit dhe buisjes shfaq një ngjyrë të kuqërremtë të hatashme që e mbulon me gjakun e saj të ndezur buzët e lagunës . Momentalisht nuk gjendet në asnjë almanak biologjie dhe as e listuar në florën e kësaj zone.

Lista e monumenteve te natyrës rrethi i Vlorës e cila është ndërtuar në vitin 2003, por që kërkon të ketë ndryshime për dy arsye një pjesë e tyre mund ,mos u gjendet as nishani dhe e dyta për të vendosur në të objekte të tjera të natyrës tonë .
1.Qiparisi i Kambanores se Kishës se Vunoit
2.Lisat e Pilurit
3.Rrapi i Kosmarit Kudhes
4.Rrapi i Palases
5.Rrapi i Shkollës nr.1
6.Rrapi i Xhamisë
7.Rrapi i Çesmes (Mifol)
8.Ilqet i Zarelit me (0,5 ha)
9.Rrapi i Kroit te Madh
10.Rrapi Laze
11.Mbihipja e Çikes
12.Mbihipja aktive e Dukatit
13.Shkeputje e re aktive e Llogorasë
14.Tarraca detare e Kusbabait
15.Tarraca detare e ish-shtëpisë se pushimit te punëtoreve
16.Gjiri dhe shpellat e Grames
17.Bariera Koralore e grykes se Diallit
18.Falezat e Sazanit
19.Shpella e Shëngjergjit ose e Bletës
20.Shpella e Ramices
21.Shpella e Velçes
22.Shpellat e Boderit (Smokthine)
23.Shpella e Haxhi Alise (Iliriane)
24.Shpella e shkruar
25.Shpella e Bilbilenjeve
26.Shpella e Porto Palermos
27.Shpellae Pirateve (Dhërmi)
28.Shpella e Odisese (Surianit)
29.Shpella e Duk Gjonit
30.Kanioni i Gjipese
31.Bokerimat e Vunoit
32.Rrethi i Plakes (Brataj)
33.Ujevara e Ramices
34.Dunat e Nartes
35.Delta e Perroit te Palases
36.Burim i kripur i Bashajt
37.Vali i Vranishtit (burim i madh)
38.Laguna Limopuo
39.Rrepet e Buronjave Kuç
40.Pisha Flamur- Llogara
41.Rrapi Mesaplikut
42.Karthi i Terbaçit
43.Rrapi i Dukatit
44.Rrepet e Izvorit
45.Rrapi i Tragjasit te Vjeter
46.Rrapi i Shenvarvares (Velçe)
47.Rrapi i Gurrave Smokthine
48.Rrapi i Madh ne Bashaj
49.Rrepet e Drashovices
50.Ullinjte e Trubullit ne Karbunare
51.Pylli i Zvernecit

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, monumentet e natyre, ne Vlore

KRYEMINISTRI BERISHA, SHKRUAN NE PERGAMENE PER VLOREN DHE BURRAT E PAVARESISE

November 27, 2012 by dgreca

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha mbërriti në mbrëmjen e 27 Nentorit në Vlorë, për të festuar me qytetarët shpalljen një shekull më parë të pavarësisë. Kryeministri përjetoi me emocion të veçantë pritjen e jashtëzakonshme që iu rezervua nga qytetarët, të cilët e shoqëruan në një pjesë të rrugës nga Levani deri në hyrje të qytetit.

Mes entuziazmit të qytetarëve, Kryeministri Berisha i drejtoi një dedikim të veçantë Vlorës e të gjithë shqiptarëve: “Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë:

Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!”

Ky dedikim i Kryeministrit Berisha, i shkruar në pergamenë, do të vendoset e ruhet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.

Në vijim, Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, personalitete të larta të vendit, nga trevat shqiptare dhe të huaj ndoqën koncertin festiv në sheshin e Flamurit në Vlorë, për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në darkën e shtuar nga Kryetarja e Kuvendit, për të ftuarit.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Berisha, kryeministri, ne Vlore

FATMIR LIMAJ-“QYTETAR NDERI” I VLORËS

November 24, 2012 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA/

 Në sallën e Teatrit “Petro Marko”, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi”, Fatmir Limajt, personalitet i politikës në Kosovë, një prej ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akorduar nga këshilli bashkisë të qytetit të flamurit.

Në  ceremoni ishin të pranishëm edhe bashkëluftëtarë të Limajt, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve të UÇK, qytetarë vlonjate. Në fjalën e vet, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u ndal tek figura dhe kontributi i Limajt për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë një nga personalitetet më të spikatura të UÇK dhe të politikës aktuale. Sipas Gjikës, duke nderuar Fatmir Limajn me titullin “Qytetar Nderi” i Vlorës, qyteti i Flamurit nderon gjithë ata bij e bija të Kosovës që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e saj, të gjithë ata që luftuan për Kosovën martire. “Akordimi i këtij tituli përbën një vlerësim për Fatmirin, ashtu si për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë bashkatdhetarët tanë kudo në botë. Vlerësimi i tij me këtë titull, është vlerësim për kombin shqiptar, është vlerësim për historinë tonë të vjetër dhe të re, është vlerësim për të gjithë patriotët, për të gjithë ata që kanë luftuar për çështjen kombëtare, për të gjithë ata që i thonë Flamurit Flamur, është vlerësim për vetë Shqipërinë dhe Kosovën”, theksoi Gjika. Sipas tij, Fatmir Limaj renditet mes personaliteteve më të shquara të Kosovës, një staturë e shkëlqyer e luftës së saj për çlirim. Është ai që shkëlqeu me mendjen dhe vizionin e vet, duke e gdhendur emrin në faqet më të ndritura të luftës së lavdishme për pavarësinë. Por, akordimi i këtij titulli, shtoi Gjika, është edhe një vlerësim dhe nder që i bëhet Vlorës dhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë. Sepse përfshirja e tij në listën e emrave që na nderojnë në Librin e madh të Nderit, është simbolika më e mirë e dimensioneve të vendit që zë Vlora në historinë e të gjithë shqiptarëve. “Jo më kot, ky titull jepet në përvjetorin e madh të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Kjo përbën edhe domethënien më të kuptimplotë të saj. Sepse të tillë përvjetorë evidentojnë më mirë dhe më shumë njerëzit, kontributet, evidentojnë mesazhet e mëdha që na sjell dhe përcjell më tej historia. Dhe historia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, e Shqipërisë dhe Kosovës, vjen më e kthjellët se kurrë sot, në këtë prag 100 vjetori. Vjen përmes emrave më të ndritur të saj, përmes emrave si Fatmir Limaj me shokë, që kanë ditur sit ë hedhin hapat, kanë ditur e dinë se ku duhet të shkojë Kosova, dinë gjithashtu se cilat janë vlerat tona të përbashkëta”. Për zotin Gjika, 28 Nëntori është një festë për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri, në diasporë. “Kjo ditë na bën të ndihemi më mirë, na bën të ndihemi më besimplotë, na bën të ndihemi më optimistë për gjithçka kemi arritur dhe për atë që do të realizojmë në të ardhmen. Mesazhet e mëdha të 100 Vjetorit ne dimë t’i marrim, ashtu siç edhe dimë t’i përcjellim me përgjegjësinë që na ka ngarkuar historia”, theksoi ai. “Prandaj dhe unë kam kënaqësinë që në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, por, pse jo edhe të të gjithë shqiptarëve t’i dorëzoj këtë titull, duke i thënë: Faleminderit Fatmir për kontributin tënd. Vlora dhe shqiptarët ndihen krenarë me ty i dashur Fatmir

Fatmir Limaj, duke vlerësuar vendimin e këshillit bashkiak të Vlorës për këtë titull, tha se, përmes tij vlerësohet lufta për liri dhe pavarësi e bijve dhe bijave të Kosovës. Kjo, sipas tij, merr një kuptim edhe më të veçantë kur jepet nga qyteti i Flamurit, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë Kombëtare. “Është shumë e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të folur këtu në Vlorë, në qytetin e Flamurit”.

Të udhëtosh në Vlorë, është njëlloj si të udhëtosh për në Mekë, sepse Vlora është Meka e shqiptarëve dhe shqiptarizmit”, shtoi më tej ai. Duke u ndalur tek 28 Nëntori, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare ai theksoi se, “me aktin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u zgjidhën dy çështje në të njëjtën kohë; u shmang rreziku i zhdukjes së shqiptarëve si komb dhe njëkohësisht u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar. Prandaj, nënvizoi ai, Ismail Qemali, quhet babai i shqiptarëve, krahas baballarëve të tyre biologjikë. Sipas Limajt, jo më kot, u zgjodh Vlora për të ngritur Flamurin dhe për të shpallur Pavarësinë. “Bijtë dhe bijat e Vlorës ishin të gatshëm që, me vetmohim të mbronin atë Shqipëri të mbetur me gjakun e tyre”, u shpreh personaliteti i shquar i Kosovës. Ai tha se, sot Shqipëria dhe Kosova janë më afër dhe më të bashkuara se kurrë dhe alternative e vetme mes tyre, mbetet bashkimi. Duke ju drejtuar të pranishmëve ai solli përshëndetjet e djalit të tij dhe një mesazh kuptimplotë të tij, të përcjellë përmes facebook: Prej ditës së sotme unë vetë jam nga Prishtina, ndërsa babanë e kam nga Vlora.
Kryetarja e këshillit bashkiak, Etjona Hoxha, i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi i Vlorës, Fatmir Limajt, ndërkohë që më pas për të pranishmit u kundëuan këngë patriotike. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, si dhe deputeti i kësaj force politike, Dashamir Tahiri.
Titulli “Qytetar Nderi, ju akordua Fatmir Limajt, pak javë më parë me vendim të këshillit bashkiak të Vlorës, krahas 8 personaliteteve të tjera, mes të cilëve Ismail Kadare, Rrexhep Qosja,Rexhep Ferri Ramush Haradinaj, ish Ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers etj

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Fatmir Limaj, Gezim Llojdia, ne Vlore, qytetar Nderi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT