Publicistikë nga Nebil CIKA(I riu)/*
Shfletime/
f.26- Lugati Enver Hoxha ende në mendësinë tonë
Lugati ynë (Enver Hoxha) vdiq e u varros si “hero’ nga shteti i tij i lugetërve në vitin 1985. U përmbys si bust e monument në vitin 1991 bashkë me shtetin e lugetërve dhe vetëm kaq. Paudhësitë e tij vetëm u listuan e u përmëndën si përralla apo propagandë politike pas përmbysjes, por asskush nuk u mor e nuk i ndëshkoi ato qoftë edhe si masa të përcaktuara nga mitologjia për të mos u kthyer më si lugat.Ata që e përmbysën apo bënë sikur e përmbysën u përqendruan te pushteti dhe të mirat materiale, duke harruar mundësinë e kthimit si lugat. Madje, i harruan edhe këlyshët dhe dishepujt e tyre, madje i bënë edhe bashkëpunëtorë, me të cilët shumë shpejt ndanë edhe pushtetin. Dhe ja ku jemi sërish, me lugatin midis nesh, ditën për diell dhe pinjollët, dishepujt e tij pushtetarë, që festojnë e brohorasin përrreth tij si demonë rreth shejtanit.
f.30
Feja dhe Lugati
Veçanërisht përgjegjës për “ngjalljen e lugatit” janë institucionet dhe udhëheqësit fetarë të vendit. Nuk e di si e përfytyrojnë ata lugatin, anti-Krishtin e anti-Muhametin, dreqin e të birin, por sinonim më të saktë të tij me Enver Hoxhën nuk besoj se mund të gjendet në historinë botërore.Ajo që lugati i bëri fesë, institucioneve dhe besimit të njerëzve kur ishte gjallë me pamjen e njeriut, mjafton për mallkimin e tij të përditshëm, brez pas brezi nga të gjitha besimet, gjë që nuk ka ndodhur deri tani.
f.35
Ende në pushtet ish komunistët
Politika, parlamenti, administrate shtetërore, sistemi i drejtësisë, media, shoqëria civile, etj. janë të mbushura me autorë të krimeve komuniste, gjë që përbën, jo vetëm një padrejtësi të madhe, por edhe një pengesë gjithashtu të tillë.
f.38 Ilir Meta njihet publikisht si nostalgjik i lëvizjes komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, sigurisht, edhe i drejtuesit kryesor të saj diktatorit Hoxha dhe kurrë nuk është kujdesur ta fshehë një gjë të tillë, përkundrazi.
f.47
Komunistët, jo vetëm janë sot zyrtarisht në pushtet, por nuk kanë as turp e frikë ta pohojnë e të nderojnë trashëgiminë e tyre kriminale politike dhe gjenetike.
f.60
Një refleksion I hershëm I z. Edi Rama
Edi Rama në “refleksionet” e tij në vitin 1991 ka shkruar:
Histeria e luftës për pushtet, që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë ka qenë thelbi i çdo lëvizje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile. Pra çështja e pushtetit është argument që zbulon edhe shkakun e tradhëtisë që komunistët i bënë demokracisë dhe kombit shqiptar.
f.68-69
Komunistët perdhosën varret-Hedhja në erë e varrit të Nëns Mbretëreshë në Tiranë, në vitin 1945, shkatërrimi i varrit dhe hedhja e eshtrave në lumin Osum të patriotit dhe firmëtarit të Pavarësisë, Iljaz Bej Vrionit në vitin 1946, në Berat, shkatërrimi i varrit dhe hedhja e eshtrave në lumë të Patër Gjergj Fishtës në Shkodër, tregojnë traditën makabër që politika e majtë përcjell me historinë e saj dhe risjell në aktualitetin e saj sa herë që vjen në pushtet.
..Vrasja dhe tërheqja zvarrë e trupit të Hektorit gjatë Luftës së Trojës, është ngjarja më makabër në veprën e Homerit, në momentin më të lavdishëm historic të grekëve të vjetër, një zakon që e shfaqin hera herës edhe grekët e rinj. Shkulja me traktor e mijëra varreve çifute në Janinë e Selanik në vitin 1944 apo shkatërrimi i një pjese të mirë të varrezave shqiptare në Çamëri, Kostur, Follorinë, Konicë, pas masakrës ndaj çamëve, etj janë padyshim prova që ky zakon barbar ende vazhdon.
Sllavët e vjetër, paraardhës të serbëve kishin zakon të pinin verë me kafkat e armiqve, trupat e të cilëve i gjymtonin e i linin pa varre pas vdekjes. Sjellja e serbëve me trupat e viktimave në Bosnje, Kosovë etj, një pjesë e mirë e të cilave ende nuk janë gjetur, flet sërish për ekzistencën e zakonit të vjetër sllav tek serbët e sotëm, gjë kjo e njohur dhe e pranuar botërisht.
Komunistët si çdo gjë tjetër e morën edhe zakonin e dhunimit të të vdekurve nga krijuesit e tyre sllavo-ortodoksë. Fshehja e trupave të të vrarëve dhe lënia pa vend varri e mijëra personave të konsideruar si armiq të komunizmit, gozhdimi i kufomave, apo lënia varur për disa ditë e deri tek zvarritja pas makinave në rrugët e qyteteve dhe fshatrave kufitare të kufomave të djemve dhe vajzave të vrara në kufi, janë masë dërrmuese provash që dëshmojnë injektimin dhe kthimin në zakon edhe te komunistët shqiptarë të këtij gjesti barbar sllavo-ortodoks.
f.90
“Jemi dy botë të ndryshme”-Jemi dy botë të ndryshme, i tha z. Ditmir Bushati zonjës Jozefina Topalli…Vërtet bota e Topallit është ajo e një ish të përndjekure politike për shkak të kontributit historik të familjes së saj për Shqipërinë dhe rrugën demokratike dhe evropiane të saj. Ndërsa Bushati i takon botës së diktaturës komuniste, izolimit me tela me gjemba të vendit dhe sakrifikimit të tij për interesa të pushtetit.
f.99-102
Gjeneral Rrahman Parllaku
Presidenti Topi dekoroi me titullin “Nderi i Kombit” general Rrahman Parllakun.
Por, “Nderi i Kombit” e nisi luftën si pjesëtar e drejtues i qelizës së parë terroriste, njësitit guerril në Vlorë, përgjegjës për dhjetëra krime nga 1941 deri në 1944. Unë nuk di që njësiti guerril i Vlorës të ketë vrarë ndonjë pushtues, por di me siguri që ka vrarë dhjetëra kundërshtarë nacionalistë, madje edhe komunistë si pjesë e spastrimeve të shpeshta politike në partinë e tyre.
..Rrahman Parllaku ishte komandant i divizionit partizan me komisar Ramiz Alinë që u dërgua nga Enver Hoxha në Kosovë për të shtypur dhe pushtuar Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi nga partizanët jugosllavë. Periudha 1945-1946 shënoi në Kosovë krime e barbari të papara mbi shqiptarët që kulmojnë me Masakrën e Tivarit, ku të paktën 4 mijë shqiptarë u vranë nga forcat jugosllave, pasi ju dorëzuan atyre nga brigadat partizane të Shqipërisë.
…Tashmë është qartësuar roli kriminal dhe tradhëtar i ushtrisë apo partizanëve nga Shqipëria në Kosovë. Ata i prenë në besë vëllezërit e tyre në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, që në besë të Zotit e gjakut të përbashkët kërkuan mbrojtje tek këto brigada, të cilat i dorëzuan tek armata jugosllave, e cila bëri masakër mbi ta.
..Atëhere përse Ramiz Alia konsiderohet me të drejtë si xhelat e tradhëtar, ndërsa ky Parllaku që ka firmosur në krah me të konsiderohet “Nderi i Kombit”. Ç’është kjo logjikë leshi, komandanti trajtohet si hero dhe komisari si kriminel për një krim autorësinë e të cilit e kanë firmosur bashkë.[1]
f.126
Sulmet ndaj Ibrahim Rugovës
Miti i Enver Hoxhës, i ngritur në Kosovë për 50 vjet në mungesë të alternativave të tjera, u shkërmoq me daljen e figurës së Ibrahim Rugovës, kjo është e mjaftueshme për të kuptuar sesa problem përbën për enveristët dhe planet për rehabilitimin e një figure të tillë, diskreditimi i së cilës po tentohet të realizohet me përdorimin në vijë të parë të Demaçit dhe enveristëve të tjerë, ndoshta ende idealistë.
f.130
Nuk është vetëm Rexhep Qosja enverist
Po pranuam Arben Puton në tribunën e përvjetorit të pavarëisë, do të pranojmë edhe Haxhi Qamilin si patriot, por edhe gjyqin special të Enver Hoxhës, ku ai ishte dëshmitar jo si krim, por si drejtësi. Po pranuam Kristo Frashërin, ke pranuar edhe historinë e falsifikuar të Shqipërisë, ku xhaxhai i diktatorit tregohet si firmëtar i pavarësisë, autor i të cilit është edhe z. Frashëri. Po pranuam Kadarenë, duhet të pranojmë “rrënjët e partisë” apo faktin që firma e Enver Hoxhës “ishte vetëtimë”. Po pranuam Dritëro Agollin, do të pranojmë edhe gjithë krimet e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku ai ishte për një kohë të gjatë kryetar, etj.
f.138
Shteti komunist ishte kontrabandist
Gazetari Saviano thotë se në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës zhvillohej kontrabanda e duhanit dhe transporti i tyre për në Itali apo vende të tjera nëpërmjet lidhjes me grupet kriminale të huaja. Kontrabanda e duhanit ishte vetëm një nga aktivitetet e mafies komuniste shqiptare, pasi më vonë ajo kaloi edhe në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, për të mos harruar kontrabandën e armëve, një veprimtari kjo e njohur botërisht. Brezave që jetuan diktaturën, besoj se u kujtohen lulekuqet, kultivimi dhe mbledhja e tyre nën maskën “bimë mjeksore”…Lulekuqja ishte bima mjeksore më me interes, pasi ishte më e shtrënjta nga ato që grumbullonte shteti….Njerëzit që e mblidhnin atë nuk e dinin se ku shkonte ajo. Vonë u mor vesh që ajo përdorej si lëndë e parë e prodhimit të heroinës (të kuqes) dhe se ata ishin marrë për vite të tëra me prodhimin e saj.
f.141
Grupet mafioze të lidhur me ish komunistët
Një nga grupet kriminale më të përfgolura në Shqipëri drejtohej nga pinjollë me lidhje gjaku të drejtuesve shumë të rëndësishëm të Sigurimit të Shtetit, me influencë dhe me lidhje të forta edhe në politikën postkomuniste
f.147
Ar dhe bizhuteri depozituar në bankat e huaja nga qeveria komuniste
Agim Musta ka denoncuar faktin e dokumentuar të një vendimi të Byrosë Politike të KQ PPSH për vendosjen në banka të huaja të sasive të konsiderueshme në ar, argjend e bizhuteri të grabitura prej qytetarëve shqiptarë nga qeveria komuniste, që do të përdoreshin për rimarrjen e pushtetit nga komunistët, nëse ata rrëzoheshin nga pushteti. Ky vendim daton në vitet 60 pas prishjes së diktaturës komuniste shqiptare me Bashkimin Sovjetik, që, me sa duket, u përcoll me frikën e rënies nga pushteti të komunistëve shqiptarë.
Më vonë u zbulua se shteti komunist kishte humbur në spekullimet në bursat ndërkombëatre 4072 kg ar..që ka gjasë përkundrazi, të jenë depozituar për llogari të udhëheqësve komunistë, duke falsifikuar dokumentet.
f.163-167
Qeni Tarti- martiri i pestë
]Të burgosurit e morën që këlysh nga qentë e gjahut të njërit prej komandantëve të parë të Burgut të Spaçit. E rritën, duke ndarë me të ushqimin e pakët, shpeshherë pjesën më të mirë të tij dhe mund të themi që në Spaç Tarti ishte i vetmi mik jo i burgosur i tyre.
Ata u lidhën aq shumë me qenin, por po aq shumë u lidh edhe ai me ta.Ishte një miqësi që në ferrin e Spaçit merrte një rëndësi të veçantë për mijëra mjeranë që ishin mbyllur atje, një pjesë e mirë e tyre për të mos dalë më të gjallë prej tij.
Tarti ishte i vetmi gëzim ose më mirë të themi i vetmi ngushëllim i tyre, e vetmja gjë “njerëzore” në atë vend ku njerëzit ishin shndërruar në kafshë. Tarti ishte miku i të gjithë të burgosurve dhe armiku i njerëzve të qeverisë. Shoqëronte nga burgu në minierë dhe anasjellas të gjitha turnet e të burgosurve, një ritual që e vazhdoi deri ditën e fundit të jetës së tij.
Të burgosurit që e kanë njohur , edhe sot mbushin sytë me lot, kur e kujtojnë dhe disa prej tyre kanë shkruar tregime e poezi për të. Është e pamundur të flasësh me ta për revoltën e Spaçit, pa e kujtuar Tartin me të njëjtën dhëmbushuri e respekt për shokët humanë që u pushkatuan dhe u ndëshkuan në këtë revoltë.
Tarti duket se është për ta më shumë se një dëshmi e masës dhe limitit të krimeve të diktaturës. Ai është njerëzorja dhe fisnikja e manifestuar në shkallën më të lartë nga një kafshë në atë vend ku kafshëria përfaqësohej në mënyrën më harbute e brutale nga njerëzit e qeverisë, nëse do të mund t’i cilësonim dot të tillë.
Tarti kish cilësi vërtet të veçanta, që e bëjnë atë të veçantë për të burgosurit, por edhe për ne që e dëgjojmë atë dhe historinë tragjike të tij. Ai kishte miq, donte e respektonte vetëm të burgosurit. Me të tjerët, që në Spaç ishin njerëzit e qeverisë komuniste, oficerë e ushtarë, gardianë e oficerë të Sigurimit, etj ai ishte gjithnjë agresiv dhe armiqësor. E kuptonte dhe e nuhaste të keqen me një instinkt të jashtëzakonshëm. i njihte njeërzit e qeverisë dhe kur ishin pa uniformnë e u sulej e u lehte sa herë ndodhej pranë tyre. Askush nuk mund ta shpjegojë sesi e bënte ai këtë dallim midis viktimave dhe xhelatëve, por me siguri kjo ishte edhe cilësia më e mirë e më e veçantë e tij.
Komanda dhe rojet e burgut ia kishin “bërë benë” disa herë Tartit, madje kishin tentuar disa herë edhe ta vrisnin, por ai ishte shpëtuar falë kujdesit të të burgosurve.
Tarti, si shumë prej miqve të tij humanë të burgosur, duket se e “mbushi kupën” në revoltën e Spaçit, më 23 maj të vitit 1973, ku duhet thënë se ishte shumë aktiv në përleshjet me forcat e policisë dhe Sigurimit. Ai ishte i pari që iu sul rojeve dhe gardianëve në përleshjen që solli marrjen në kontroll të burgut nga të burgosurit, që çoi në çlirimin për tri ditë të tij; një nga aktet më heroike të rezistencës antikomuniste në Shqipëri.
Po ishte edhe më agresiv në përleshjen gjatë sulmit që ushtria dhe forcat speciale i bënë burgut e që përfundoi me shtypjen e përgjakshme të revoltës, ndoshta më të fortë ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kjo duket e vulosi përfundimisht fatin e tij. Sigurimi, komanda dhe qeveria komuniste kishin siguruar tashmë edhe prova për veprimtarinë armiqësore të Tartit, i cili do të bëhej shumë shpejt ndoshta i pari qen martir në histori.
S’kishte si të ndodhte mdryshe. Ky është një tjetër rekord negativ që vetëm komunistët shqiptarë dhe logjika e tyre nën atë të kafshës, mundër të arrinin.
Sigurisht që ndëshkimi i Tartit u la për në fund, pasi xhelatët mbaruan punë me miqtë e tij njerëzorë. Pushkatuan katër të burgosur dhe arrestuan, torturuan pa mëshirë e dënuan me burgime të rënda dhjetëra të tjerë. Vetë burgu u shpall “burg i dënuar” dhe kushtet e terrorit, dhunës dhe torturës u shumëfishuan duke e bërë Spaçin tmerrin e Shqipërisë, gjë që, me sa duket, ishte edhe qëllimi i ndëshkuesve komunistë.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, në mes të këtij terrori të pashoq, diktatura i kishte rezervuar surprizën, ndoshta më çnjerëzoren të historisë së saj: varjen në litar të Tartit, të vetmit mik jot ë burgosur, ngushëllimin, ndoshta të vetmen lidhje shpirtërore me njerëzoren, familjet dhe fëmijët e tyre, që një pjesë e tyre nuk do t’i shihnin më kurrë.
Varja e Tartit ishte një torturë më vete, një krim që të burgosurit i lëndoi shumë. Edhe sot fytyrat e tyre ligështohen, kur detyrohen të tregojnë për të. Të burgosurit i nxorën në oborrin e burgut, ndërkohë që “gjykataa ushtarake”, e përbërë zyrtarisht nga “qënie humane”, mori vendimin dhe ekzekutoi me vdekje “armikun”, martirin e epestë të revoltës së Spaçit, zyrtarisht një “kafshë”, por që dukshëm qendronte më lart se ekzekutuesit e tij.
“Në emër të Popullit”, Tarti u çua në “trekëmbësh”, ku vazhdoi të luftonte deri në fund. Xhelatët, oficerë e gardianë të burgut, dështuan në tentativën e parë, pasi Tarti, viktima, arriti ta këpuste telin ku qe varur, por, edhe pse ligji ndërkombëatr i fal jetën nëse i dënuari i shpëton plumbit apo litarit, atë e varën përsëri.
Nuk qe hera e parë që komunistët e bënin një gjë të tillë. E kishin bërë me gjyqin special në Tiranë, ku një prej të dënuarve (me gjasë Bahri Omari) u shpëtoi plumbave dhe kërkoi, sipas ligjit, t’i falej jeta, por prokurori ia hodhi vetë trutë në erë.
Litari u këput edhe në ekzekutimin me varje të njërit prej ingjinierëve të kënetës së Maliqit, sërish u kërkua zbatimi i së drejtës ndërkombëtare, por më kot. Atij ia vunë përsëri litarin në fyt dhe e mbytën. Ia kishin mohur këtë të drejtë universale qënieve humane, si mund t’ja lejonin një kafshe!
Pikëllimi i të burgosurve ishte i jashtëzakonshëm. Varja e Tartit do t’u dhëmbte njëlloj e ndoshta më shumë se shokët e vrarë, më shumë se plagët e marra nga torturat dhe vitet e shtuara të burgut.
Cinizmi i shtetit komunist nuk njihte kufi. Për mbrojtjen e pushtetit të tyre, ata nuk do të ndaleshin para asgjëje. Do të vrisnin edhe kafshët të konsideruara si armike të regjimit! Pikërisht kjo ua ndryshon rolet viktimës dhe xhelatëve dhe e bën Tartin, jo vetëm një viktimë të terrorit komunist, por edhe një simbol, një rekord të natyrës kafshërore të diktaturës, njëherazi një provë e mundëssi për të kuptuar sot limitet çnjerëzore e kriminale të komunizmit shqiptar.
f.182
Pushteti dhe ish të përndjekurit
Në zgjedhjet e para demokratike ku Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë ishte e organizuar dhe kompakte, ish të përndjekurit arritën një përfaqësim dinjitoz dhe përcaktues në politikë. Vetëm në radhët e deputetëve të PD-së ishin më shumë se 30 ish të përndjekur, ndërkohë që disa prej tyre, si Pjetër Arbnori, Tomor Dosti, Leka Toto, Uran Butka etj ishin pjesë e rëndësishme e drejtimit politik të PD-së dhe qeverisjes së saj.
f.194- 196
Shkatërrimi I elites kombëtare
Një kombi mund t’i ndodhë një fatkeqësi natyrore apo një luftë, ku mund t’i vriten mijëra e miliona njerëz (gjëra të njohura në histori), por ju keni pësuar një masakër që nuk do të kishte guxuar ta bënte as një pushtues. Ju keni vrarë elitën kombëtare, më të mirët, më të diturit, më patriotët e kombit tuaj. Në këto përmasa nuk e gjen në asnjë vend ish komunist- më thosh një gazetar i huaj ndërsa shihte stendat për krimet e komunizmit në Muzeun Historik Kombëtar.
Të vrasësh elitën e kombit do të thotë t’i presësh kokën vetë kombit, gjë që, siç theksova më lart, nuk kanë guxuar ta bëjnë as pushtuesit më barbarë të këtij vendi. Likuidimi fizik i elitës kombëtare ka qenë një synim parësor i komunistëve shqiptarë që me fillimin e organizimit politik të tyre në vitin 1941, që mori formën e masakrës së vërtetë me futjen e forcave komuniste në Tiranë, pas tërheqjes së trupave gjermane në nëntor të vitit 1944.Të paktën 38 persona të zgjedhur nga elita e kryeqytetit, njerëz publikë dhe me influencë, u rrëmbyen nga banesat e tryre dhe u pushkatuan pa gjyq, duke e kthyer kështu çlirimin e pretenduar nga komunistët në tiparin e një masakre që për 45 vjet do të përgjakte të gjithë Shqipërinë.
Nebil Çika i Vjetri, pat shkruar në “Njëmendësia shqiptare” më 1943: Sikur Francës t’i vareshin 50 filozofët më të mirë, 50 politikanët më të mirë, 50 shkrimtarët më të mirë, 50 industrialistët më të mirë, 50 ushtarakët më të mirë, 50 bujqit më të mirë, ajo nuk do të jetë kjo që është sot.Masakra mbi elitën kombëtare vazhdon me Gjyqin Special, ku firmëtarë të pavarësisë dhe patriotë intelektualë të tjerë u dënuan nga prokurorë me profesionin teneqexhi, vazhdon me pushkatimin e ingjinierëve të kënetës së Maliqit, midis tyre edhe yllin e universitetit të Vjenës, Kujtim Beqirin; me burgosjen dhe vdekjen në internimk të shkrimtares Musine Kokalari; me vrasjen e shkencëtares Sabiha Kasimati; me vrasjen e 21 të tjerëve në masakrën e bombës në ambasadën sovjetike; me pushkatimin e poetëve të Librazhdit, Vilson Blloshmi e Genc Leka; me pushkatimin e përkthyesit Xhelal Koprencka, për të përfunduar në mënyrën më kriminale të mundëshme me varjen në qendër të Kukësit të poetit Havzi Nela, në vitin 1989.
f.204
Profesori Isuf Luzaj
Profesori Isuf Luzaj në veprën “Komunizmi çfarë është?” analizon dhe parashikon zhvillimet para dhe pas komuniste në Shqipëri.
Mblodhi Bardhyl Selimi 23 qershor 2015
[1] Rrahman Parllaku kaloi shumë vite burg gjatë diktaturës dhe pas vitit 1991 ai kryesoi Shoqatën e Veteranëve Demokratë që iu kundërvua Shoqatës së Veteranëve Enveristë. Mbase kjo është arsyeja sipas meje, (Bardhyl Selimi)
Koha e Lugatit- u botua me 2014