Libri: Neki Lulaj: “Kodi i Tokës”, poezi-Tiranë, 2015)/
nga Sejdi BERISHA/
Veprat e atyre të cilët në mërgatë e diasporë krijojnë e veprojnë, e që tok me punën digjen e përcëllohen për dheun e atdheun, me mallin për njeriun e kombin, janë të peshës dhe të këndimit të veçantë.Është kështu, sepse, janë të vetëdijshëm se “stinët ikin e sillen si akrepa ore me turravrapin kohë”. Për këtë arsye, vargu i tyre është i mbrumur por edhe i katandisur gjithandej stinëve, të cilat frikshëm dhe shpejtë ikin e rrugëtojnë mbi binarët pa stacion ndaljeje, edhe me rrapllimë të çuditshme, që rrugët i shndërrojnë në tablo pikturash dhe faqe periudhash historike, reflektojnë motet e trishta, që janë vulë e pasqyrë e trakullimave të jetës së njeriut, e cila i ngjanë ujëvarës së etur e të zemëruar nga hilet, premtimet e mashtrimet, të cilat njeriut nuk i hiqen dot qafet.
Jehu i vargut si provokim për ta përjetësuar thelbin e mallit, mendjes dhe të jetës së njeriut
I tillë është edhe krijuesi Neki Lulaj, i cili tërë ndijimin e vet shpirtëror e shndërron në këngë e në fat, në lumturi, në mall e dhembje të njeriut, e që kurrë nuk ngopet as me atë që e këndon dhe as me atë që e lartëson atdheun dhe njeriun, mbase, edhe njerëzoren. Dhe, duke e kërkuar fatin, pse jo edhe veten, ai ligjëron me një peshë krenarie por edhe hidhërimi, për të treguar se gjithmonë, njeriu edhe pse në tokën e vetë, është plot droje për të marrë frymë lirshëm, për të kënduar pa frikë dhe për ta përqafuar çdo pëllëmbë dheu pa e pasur tkurrjen shoqërues zemre e shpirti, as ndrydhjen dhe pamundësinë ëndrrën për ta rrëfyer e treguar lirshëm deri në fund. Për këtë arsye, autori, nuk reflekton vetëm këtë segment jete, por, sikur edhe provokon për të hyrë brenda në histori, në thelbin e mendjes dhe të jetës së njeriut: “Në majë të gishtërinjve ecja në mes të zgërbonjave të lisave/Me një fener në mes pyllit lëviz unë dhe era me drojë…”! Dhe, pikërisht për këtë, në poezinë “Fatin e kërkoja”, në mes tjerash ligjëron: “Frikësohesha se mos jam vonuar në vend e në kohë”.
Historia, fati dhe shpejtimi për ta zënë atë hapin e hapit të jetës, popullin gjithnjë e ka shndërruar në kujdestar të çuditshëm, në besimtar të pathyer, por edhe në pritje fati, që bukën, vetë ta prodhojë e ta gatuajë, sepse, kështu atëherë, buka edhe me lëng hahet dhe është shumë më e shijshme se çdo gjellë tjetër.
Poezia e Neki Lulajt, është gjithnjë si diçka që i ngjanë mishit e thonit, që nuk ndahen, por janë fuqimisht të lidhur. Kështu, ai, është pjesë e çdo lëvizjeje të kohës, e cila është apo mund të jetë e lumtur e krenare, por edhe e dhembshme, ngase ai jeton e frymon në kurbet. Për këtë, më së miri dëshmojnë edhe vargjet: “Në ndarje e putha fort fytyrën tënde flakë zjarri/Ishin trishtim kur ktheva të të puth fort tek balli/Me afshin e dashurisë prindërore në kurbetin e egër/…E sot… sot sërish u ktheva ndryshe, nënë e hyjnizuar”.
Pra, kjo është ajo pesha e formulës historike e jetës, e cila shpeshherë ngelet e pazbërthyer, apo edhe si copë akulli në zemër për rrjedhat dhe pamëshirën e kohës. Në këtë formë, autori i librit “Kodi i Tokës” ligjëron edhe në shumë poezi të tjera, që nganjëherë i ngjajnë mbështjellësit të pazakontë me shkronja rënduar e mbuluar, e ndonjëherë, edhe çarçafit të bardhë si qenari, që i përngjanë dëlirësisë e nganjëherë edhe qefinit, të cilin njeriu ynë e kishte pjesë të pandarë trupi, ngase, jetës nuk i dihet, e në tokën e përcëlluar duhet prehur pa dhembje, plot bardhësi dhe pa gabime!
Kështu, vargëzimi zgjatë dorën dhe prek çdo gjë, edhe plagët e kurbetit, edhe përrallat dhe ëndrrat e realizuara e të parealizuara, që shkaktojnë zjarrmi në faqet e brishta të historisë por edhe në mungesën e dëshmive nganjëherë të skutavura e të fshehura, të cilat, edhe ato flasin në mënyrën e vetë, krenohen e qortojnë vend e vendbanim, për çdo kohë e cep kohe: “Për Çamërinë time kam zjarr, kam këngë e mallin e pasosur/Për Çamërinë bëhem palcë guri që kurrë nuk thahet në breza”!
Faktori kohë, asnjëherë nuk përjashtohet nga fokusi i mendjes dhe i përkushtimit për rrjedhat e ndritshme, shpeshherë të çuditshme gjatë shekujve viterreptë e ndonjëherë edhe vite repana e të shkulur nga erëra e stuhi, të shpëlara nga hiena e fantomë krijesash.
Të gjitha këto, shpirtërisht e kanë detyruar autorin të rri kujdestar i regjistrimit të çdo rrjedhe jete, të cilat rrjedha, edhe kur bashkojnë, ato, prapë e kanë atë drojën e ndarjes, që pastaj shkakton gjithçka që e përlanë, e forcon dhe e kthjellë mendjen e secilit, pra, edhe të autorit, për të qenë ai që e vë në dritë regjistrimin e rrjedhave të cilat e ndërtojnë kullën e çuditshme, ku, edhe aty qëndron poeti si roje për ta penguar mbase edhe për ta ngulfatur kohën që quhet ikje! Prandaj, atë, me arsye e shohim në vorbullën e vlimeve të mendimeve: “Në një pus të pafund më kalërojnë mendimet/Si një skile nate më lebetitin e më zënë shtigjet/Ku një lumë, o sa shpejtë hyri nën Urën e Pritjes/E nuk u çmallëm dot as me varrezat se erdhi koha për ikje”!
Rrugëtimi në kurbet udhë e pafund me peshën dhe mesazhin e kuvendimit poetik edhe me vetveten
Kështu ligjërohet, kështu është ligjëruar pothuajse në të gjitha kohërat. Prandaj, në një mënyrë, krijimtaria në diasporë, pra, edhe ajo e Neki Lulajt, pasqyron tablo interesante, të rëndësishme por të dhembshme të jetës së shqiptarëve në kurbet, në diasporë, e cila i ngjanë udhës dhe rrugëtimit të pafund, të mos them biblik, nëpër shekuj, për çfarë, edhe shumë kohë përpara është shkruar e kënduar përflakshëm për kurbetin. Poetët, janë djegur e përcëlluar në vargun e tyre, që është edhe pasqyrë e njeriut të tokës së shqipeve.
Mërgimtarin, e më shumë krijuesin në dhé të huaj, e kapërthejnë dhe e mundojnë shumë ngjarje e rrjedha të ndryshme, të dhembshme e të ndritshme të cilat kanë ndodhur e duhet të realizohen e shënohen në vendlindje. Për këtë arsye, shpeshherë, në pamundësi për të folur e debatuar me të tjerët, poeti flet e kuvendon me vetveten, gjithnjë për të thënë, treguar e për të qortuar gjithçka, ama bash gjithçka.
Autori flet e flet me vetveten, në fakt, me njerëzit, me popullin, me nënat e baballarët, me vëllezërit e motrat, me fëmijët e foshnjat: “Mbi gurët graniti gravuar ishin emrat që na mungojnë/Lindur në data, muaj e vite të ndryshme të jetës fluturore/Ardhmërinë e kishin në supet që kohëve iu rëndojnë/Pavdekësinë e kishin sa datë të shenjtë engjëllore”. Pra, kjo që thuhet në vargje, bëhet si një mllo, si një bos vreri në gjoks, i cili shndërrohet në lidhje që i bën varg e varg të gjitha ngjarjet përmes këndimit poetik, i bën fjalë të zjarrta e të urta, që përkundër dufit, shpërthejnë e nxjerrin kokë si amanet baballarësh e gjyshërish, që shtrihen e daktisen nëpër letra e libra ndonjëherë të ndrydhura e të rënduara me pluhur kohërash. Andaj, autori, sikur i ka hetuar apo i ka ndjerë ecjet jo të lehta dhe shumë të rënda, për çfarë thotë: “Shtigjeve patëm stërkëmbëza, prita e kurthe/Pelegrinazhi dardan nuk e ndali marshin/…Në frëngji kullash hetuam rilindjen e vetvetes”!
Ndoshta, edhe nga këtu imponohet trandja e zemërimi për ta gjetur atë pikën e hapjes dhe të mbylljes të të gjitha rrugëve dhe shtigjeve, që mund të quhet kod, e në këtë rast, autori e shpërndanë dhe në të njëjtën kohë edhe kërkon kodin e tokës.
Sa sfiduese është një gjë e tillë, sa i dhembshëm është ëndërrimi dhe mundi për t’ia qëlluar një aritmetike të tillë poetike, që filozofinë e jetës e shndërron në kod, i cili, padyshim është plasës e përplasës i vetë njeriut, duke mbërthyer brendapërbrenda shumë çelësa që i ngjajnë jetës dhe vetëm çelësit të jetës! Këtë katandisje shpirti e hasim pothuajse tek të gjitha poezitë, por në forma të ndryshme, ku ditët, vitet e motet shndërrohen si në dritë madhështie.
Shëtitja sa në Tiranë, sa tek këndimi i Mjedës, sa tek kënga e pakryer, tek kodra e deri tek gjaku i derdhur, sa tek shëtitja buzë detit Jon dhe në Çamëri, Lulaj bëhet pelegrin i veçantë, kurse me vargun e tij ngreh shtrat lumi, me të cilin thua se ujitë e freskon çdo pëllëmbë e cep toke, e, me mallin që ka, flet e tregon për çdo gjë e për gjithçka në unazë rrethore, kurse, njeriun e atdheun i vë sipër koke, në zemër e në mendje. Për çfarë edhe ligjëron: “Atdheun tim faqebardhë/E kam shpirt, e kam xhan/Atdheun e kam krushk/…E kam arterien e shpirtit/E kam Teutë e Dardan/… E kam përkrenare të Gjergjit/E flamur të Vlorës motër/E kam ferexhe të Nënë Terezës/… E kam betim të ushtarit/E kam sakrificën e Prekazit/E kam Betejën e Logjës/E kam gurin e gjakosur të Koshares…”! Pra, ky është kodi i tokës, kodi i atdheut të tij. Dhe tash, sikur i tërë vendi, por edhe vendlindja e, janë vend i pushimit shpirtëror, por, edhe temë ende e pazgjidhur, e cila njeriun e detyron të ecën nëpër kohë si mbi teh shpate, por duke i kënduar këngët që shkrepin dritë e madhështi, edhe pse disa sosh ende janë të pa kënduara!
Poezia dhe zëri i poetit si antologji e krenarisë dhe e dhembjeve
Prandaj, autori na përkujton shumëçka, më ç’rast vargun e bën pritje dhe revoltë: “Pse, hesht ti, pulëbardhë pa gojë?/Pse vazhdon fluturimin në Vlorë?/Pse je pajtuar ti me heshtjen?/Nuk të lemi ty të gjorën të heshtur/Se të bëhemi urë e pararoje, të kem motër/Të gjakut arbëror”! Më pastaj, në rrjedhën e këndimit poetik, autori bëhet heshtje e lutjes për rrëfimet që janë ditë, javë, vit, decenie e diçka më shumë, të cilat e përvëlojnë me mallin për vatrën ku është lindur. Por, jo vetëm kaq. Sepse, këto rrjedhime sikur i ngjajnë vjetarëve dhe antologjive të dhembjeve, ngase, mërgimi është plaga më e vjetër, e cila vetëm ndonjëherë bie në gjumë, por kurrë nuk shërohet: “Athua a jemi shumë që boll jemi të tërë jashtë/E nga këtu mallohem për gurishtën për ferrë e shkarpa/Për gurrën e ujit në mes të fshatit ku i mbushnim kanatat/Për baltën e rrugëve të boshatisura e shirat e gjata”.
Por, nuk është vetëm kjo plagë-prush. Fati i njeriut edhe sot është plot damka, trembje e me rrugë të ngushtimit shpirtëror, që edhe në këtë shekull kanë gjeneruar baladën e ikjes: “Ç’janë këta grumbuj burra gra e fëmijë fytyrë ngrirë/E këto duar krah e qafë mbrëmjeve në errësirë?/Në stacionin e takimeve ardhjeve e shkuarjeve/Ikje ndarje gjëmë, britma, lot, vaje lamtumirë/… Heeej, nxënësit i lanë bosh klasat, mësueset e shoqet e shkollës/E lanë në gjysmë Abetaren tabelën e shumëzimit/Foshnja s’arriti ta mësojë as betimin e ushtarit të panjohur/As ngjyrën e flamurit, as alfabetin e Manastirit”!
E tmerrshme dhe e rëndë kjo histori, kjo pasqyrë dheu e atdheu, që na prezanton poeti.
Me vargje të tilla dhe të ngjashme është i mbërthyer i tërë libri, dhe thua se të gjitha janë si atlas i një gjeografie shpirtërore. Mirëpo, krijuesi e din dhe është i vetëdijshëm se kombi i tij nuk është i dënuar nga Zoti. Dhe, dua të them, se pikërisht në këtë duhet kërkuar shkaktarin e mëkateve dhe të të gjitha të këqijave edhe brenda vetvetes. Sepse, siç thotë Franz Kafka: “E hidhur nuk paska qenë jeta, por njerëzit”!
Mërgimtarët, pra, edhe shkrimtarët nga atje, përveç këndimit të flaktë, ata kanë dëshirë edhe t’i fusin në një arkë të fildishtë (nëse ekziston diku ajo) të gjitha kujtimet për vendlindjen, për atdheun e për kombin, mu si nusja pajën që e ruan deri në fund të fundit të jetës. Edhe pse brenda kësaj arke, plakën rrëfime, ëndrra të parealizuara, dhembje e lot, moçnisen edhe shumë fjalë kurrë të pathëna, e bëhet rrëmujë historia…!
Dhe tash, Kodi i Tokës…! Po, kush mund ta gjej apo të ia qëllojë këtij çelësi të artë e të çoroditur në të njëjtën kohë?! Këtë duhet ta bëjë vetë njeriu, duke e praruar jetën me lumturinë dhe me njerëzoren. E ky, ndoshta është kodi, kodi i tokës, i mendjes së njeriut, e cila gjë më së shumti i nevojitet pikërisht njeriut të vendit tonë, të tokës sonë të lashtë e të shenjtë. E, poezia është një prej çelësave, që bën mrekulli, sa që edhe kohërat çmendën…! Dhe se, puna përkushtuese në këtë vepër të Neki Lulajt, sikur plotësisht puthitet me mendimin e Ernest Hemingway: “Të shkruarit është gjë e lehtë. Gjithë ç’të duhet është të ulesh para makinës së shkrimit dhe të pikosh gjak”!
“NOSTALGJI” DHE “SI JANE POETET” NE SOFREN E DIELLIT
Neki Lulaj-Gjermani/
NOSTALGJI/
Mendja sonte me dremiti përgjumshëm leqeve të shpirtit/
Shkoi poshtë e lart mbi disa kalldrëme ne disa kthesa jete/
Në odat me një llampë gazi si pasqyrë eca nëpër kate kujtimi/
Në ato qilare pa dritë, në dritë hëne gjeja dashurinë si rreze./
Tingujt bashkë me erën me përcjellin hapat e opingave të çara
Mbi gurë baltë e në një llohë vjeshte fytyrën ma pickonte
Hijet i mbaja fort e më fort me dorë si disa lule bore të bardha
Si një shkop magjik që e mbajnë pleqtë kur u ikin vitet në hone
U zgjua zogu bukurisht nga kjo nostalgji e çukisur rinore
Duke i fshehur në cergën e territ netët na rritën në ikje.
Me dorën e ngrohtë përkdheli ballin sit ë ishte leqe baritore
Janë vargmalet e dashurisë plot përrenj lumej gurra freskie.
U ngjitëm kaltërsive mes rreshtave te bjeshkës së gjelbëruar
Hojet rinore ushqehen me mjaltë, me fjalë e fllad dashurie
A do të di edhe unë ta kem kur u duhej dashuria si e munguar
Fjalët janë atllarë të pashaluar ,hapa e javë në kalendarin në ikje.
Fjalët mëndafsh, janë copëza dashuri që sinorët përvëlojnë
Fjalët janë kuaj të pashaluar për shkallët e shpirtit të uritur
Nuk plaken e janë lumë që ujin e vrullshëm nuk e shteron.
Fjalët janë hoje mjalti, nostalgji për të mirin e njeriun e ditur
….
SI JANË POETËT
Poetët janë si një pyll plot me bore, si një agim
Si një fushë me ullinj plot gjethe e me kokrra.
Degët iu lakohen nga pesha e rëndë e begatisë
Kanë bukurinë që ua njeh guri, lulja dhe shqota.
Poetët jaë erë behari apo dhe vjeshtë pa gjethe në tufane
I zbardhëron edhe bora e parë i zbukuron urimi
Poetet janë aktitektë urash mbi detra e oqeane
Që lidhin botën me magjinë e vargut dritërrëzëllimi.
Ata janë si kështjella madhore katallanësh si përralla.
Me plot shkallë, rrasa, tjegulla, bedena, gur e mure.
Portat i kanë shumë te mëdha te gjëra e të gjata.
Janë kala me mure, frëngji apo petale në lule.
Janë bletarë që shpërndajnë hojin e fjalëve të ëmbla
Janë poleni i lules ku bleta e thith dhe e bën mjaltë
Bukuri e botës dhe gurë margaritari si në ëndrra
Dashuron të dashurit e shlodh në udhë çdo shtegtar
Poetet janë dritë që fle në prehërin e hënës
E në gurrat e fjalës së tij shuhet etja dhe uria.
Ata janë edhe engjëj që rrinë në mjegullën e dendur.
Kanë kalanë e fjalëve me shkallë ku preket gjithësia.
Janë engjëj dhe bujq duarartë që krasisin vargje
Strofat ua u kafshojnë zanorët rrallë e më rrallë..
Bashkëtingëlloret ju rrëshqasin valët e Bunës në harqe
Janë gryka burimi plot shkumb e ujë që duket si ujëvarë.
Vegon ylli tek ta ku etjen e shuajmë brez pas brezi
Tek ta janë Migjeni, Naimi, Noli, Mjeda, Çajupi e Poradeci.
TRUPIN E ZEMËR NË BOLETIN
(Kushtuar rivarrimit të heroit të Kombit Isa Boletini në 10 qershor 2015)/
Nga Neki LULAJ-Gjermani/
Në vitet si shekuj pa fjetur ishin eshtrat në ato thasë të bekuar/
Hedhin shtatin hijet e gardhit kurorë për trinat me metafora/
Me patkonj e thumba në këmbë veshkëmishën e praruar/
Dritë myshku e zbehtë në natën që ndriton në kohëra/
O mallkim i pritjes me misteret që dynden nga trualli i përgjakur/
Luftuan stëgjyshërit e shpesh morën një pëllëmbë tokë me gurë në varre/
Në cepin e atdheut Ismaili Qemali le të ligjërojë në Vlorën e bajrakut/
E Isa i gjallë prek vatrën e gjakosur në kullën gurlegjendare/
Të çmallet në prehërin e nënë Lokes mitrovicare në qiell e në tokë
Kah po sillet mokra, ky Ibër që gurgullon me dhimbje mes kodrave
Bajgora, Kosova e Boletini ofshajnë duke puthur tokën në Vlorë
E mbtërit e Londës koburen ta sjellin sa gjithë thesari i kohërave
Dora le t‘i varet në Vlorë, në gryka Sharri, në Kosovën e lirë
Pa u tutur nga merimangat që thurin miliona rrjeta me shpresa
Prek drurët, magjen e bukës dhe mokrat e lashtë në një mulli
Heu, sa gjatë fjeti koburja nën jastëkun e hasmit në breza.
Kullëgura e Boletinit ka hapur dyert e zemrës dhe krahët, frëngjitë
E paska gëzimin për ta gostitur gjeneralin e vet në Konakun e lashtë
Tingujt e këmbanave të viteve Isën e presin në konak si të ishte bir
Era gërgatëse pluhurin e dekadave të shkuara e lëpin ditë e natë.
Dielli hedh rrezen e paqartë e zogjtë në kaçube ngrinë zërat e cicërimën
Mokrat e mullirit e presin të zotin të mbuluar me miellin e bardhë
Virtualet le të zgjojnë nostalgjinë e pinjollëve të Boletinëve
Në vatrat e fëmijërisë nëpër vatrat e reja të ndezin zjarr.
Zgjaste sërish dorën e fortë të burrit , o Gjenerali me kobure
Këtu nga Boletini në këtë qershor foli Evropës, o mentar!
Mos u mbyshin kurrë në mote dyert e kësaj kulle
Mos u thaftë kujtesa për ty , si bari i korrur në livadh!
Sot degët e manit në themelet e kullës nxjerrin melodinë.
Po kthehet Isa Boletini në Boletin me rindezjen e ëndrrës së lirisë
TE FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT
Neki Lulaj/Gjermani/
POETËT/
..Poetët …janë skulptorët me tamtha engjëllorë
/
Që fjalës së latuar i japin ngjyrë e kaltërsi /
Janë Pelegrinët që duan të gjithë një Zotit
/
Që i bashkojnë etnitë në një shtëpi
…./
Para furtunave janë zogjt të rebeluar/
Që në botë nuk duan dhunë, por vetëm miqësi
/…..
Poetët janë fjalëpakë e gojëëmblit e bekuar
/
Ata janë pëllumbat e paqes në gjithësi
….. /
Poetët, të urtit janë cicëronë në parajsë
/
Që i ligjërojnë shpirtit, Antikës dhe lashtësisë
./
Janë degë gjethëmbajtës, lisa me trupa të gjatë
/
Jetojnë në çerdhën e muzës, në Universin e yllësisë
/
Janë mendjendriturit e kombit, të butë si fildishi/
Që lehtë thyhen si kristali, si cegemi i borës nën diell
……/
fluturojnë lehtë në krahët e praruar të dritës/
Shtëpitë e shtretërit i kanë mes resh, në qiell
…..janë shtatë zanorët e gjuhës në tetë notat e Pentagramit/
Që gjithmonë i bashkon vetëm një vetëtimë, një ortek
…..janë rojtarët e natës në shoqërinë e muzës si kristali
/
Që bëjnë roje nderi kur të tjerët bëjnë gjumin në dyshek/
Janë parlamentarët e fjalës dhe të mendimit të lirë
/
Janë shkëndija yjesh të panumërt që jetojnë në harbim
…./
janë digat e larta mbi lumenj, janë rrezet e diellit të dlirë
…./
janë shtegtarë, avokatët e zëshëm të Atdhemirit tim
/
DASHURIA
Dashuria është si vapori i pandalur i Ismail Qemalit
/
I bën ballë shtrëngatës, furtunës me borë e shi
/
Dashuria i than kënetat e i bën në çast lulishte malli
/
I hapë rrugët e pakalueshme, për dy krahëror në përjeëtsi
/
Dashuria është pishë që i ndez ëndrrat e fjetura
/
Peisazh me lulishte që i rrënon muret e heshtjes sfilitëse
/
Është dritë e fortë në të gjitha vitet me orët të paprekura
/
Është diçka që nuk vyshket në solemnitetin e pritjes
Është diçka qe fluturon mbi pellgjet e hënës së bukur
/
Të etur ujin e pijnë në brrokat e saj të bekimit
/
Buzëqeshjen e ka të art si të korrat e grunoreve të fushës
/
Bukurinë e ka të ngrohtë si duart e buta të përqafimit
NË NDARJE
(Me rastin e gjashtë vjetorit të vdekjës së Nënës)
Më forcë dashurie shtërngova supet e tua në ndarje me dhimbje
E tamthat e gishtërinjëve puthën kockat e shpatulla pleqërie
Aty e kuptova se të ka rrethuar gardhi i bardhë i dobësisë
E ti kurrë s’na tregove vitin e lindjes as atë shtatin tërë hijësi
Mbaheshe e fortë si Lokëmadhja e Micit të Malësisë…..
Në ndarje e putha fort fytyrën tënde flakë zjarri
E ballin plot me rrudha e gavrova në zemër
Ishin trishtim kur ktheva të të puth fort të tek balli
Me afshin e dashurisë prindërore në kurbetin e egër
Rrugëve vorbull te pa njohura të botës pa gjuhë..
E sot…..sot sërish u ktheva ndryshe nënë e hyjnizuar
Më mungoi pritja jote e zakonshme tek dyert në oborr
Ishte muaj prill, por çdo gjë më si akull është akulluar
Të gjeta në dhomën e pritjes pa frymë e pa gojë
Të putha fort, ftohet fytyrën tënde me të bukur si të Monalizës
Si pa dashje lotët më rrodhën me tradhëtuan ndjenjat
Ranë si një shi prilli mbi fytyrën tënde e u thanë nga dashuris
Humbën si shkopinjtë që i merr një ditë vrullshëm rrjedha
E unë tjerrë kujtimet në furkën e j……
KOSOVA BURG NË ISHULL
Mbështes kokën e lodhur
mbi gurët e praruar të këtij burgu në ishull të stolisur.
Ulur
pranë cungut të lisit antik plot me gjethe e degë të njoma.
E lisi
i ka rrenjët thellë në zemrën e tokës së braktisur
E mbi tokë
rreth e për qark, kufi livadhe, gardhiqe, bjeshkë e pllaja
Dëgjoj
këto urdhëra Evrope e për dëshirat e kësaj lavirjeje plakë
Eh..
këto gjymtyrët e mia të rraskapitura mbi brazdë plisi
Kudo
në trojet antike flet shqip kulla muri, kroejt, gurët e çdo varr.
Lulet dafina,
lëshojnë rrënjë mes eshtrash e thithin gjakun e çdo martiri
Themelet flasin shqip
E mbi tokë ka kufi, gardhiqe, lumenj e bardhësi plisi
Në troje tona
Me urdhëra Evrope në themelet e vjetra frymojnë shqip
Këtu
në qëndrojmë fortë të izoluar ne ishullin e Evropës vit pas viti
Ky burg ,kjo qanakala..
kjo gjendje i shkon për shtati lavirës së Karpateve saktësisht.
Më trishton
Kjo zymtësi trishtuese kjo kohë ciklopësh, kjo ikje e grishje
këto kërcnime ordinerresh
Ngulfatje dëshirash
Si, për çudi, edhe idhujt u thinjën, u zbardhën si baca.
E engjëjt
mbi krahët e shqipës u nisën fluturimin në vite.
A ka shpresë
të dalim nga burgu i ishullit të Evropës si të dilni nga vatha?
Pyes, pyes e klith si shqiponjaaaaa në qielin e dlirë.
LUAN CIPI/
MIRËNJOHJE NGA NXËNËSIT/
Kam qenë mësues për njëzet vjet,
Nuk them kushedi, ç’mrekulli kam bërë,
Po, kur një nxënës më përshëndet,
Në nur e gaz mbulohem i tërë,
Kujtoj i përtërirë në vitet e rinisë
Djelmoshat, që parakalojnë paradë,
Dalloj mes tyre pjesëtarë të qeverisë,
Shkencëtarë, dijetarë e drejtues të lart.
Kënaqem për ndonjë, thuajse të harruar,
Kur ai më shkruan me dashuri e mall,
Edhe pse kontinenteve, vetmuar e mërguar,
Ndofta në shqetësim, në mundim e në hall.
Mirënjohja, krye virtyt, vlerë të madhe merr,
Si stafetë e artë, udhëton e shkon dorë për dorë,
Përcillet te Shqiptarë ndër breza, derë më derë,
Rrugëton, valëvitet flamur, a shtrohet kurorë.
Me zanafillë te katragjyshat, gjyshat e prindi,
Mirënjohja, mbart mirësi të hershme që i shton
Me respekt për origjinën dhe vendin ku lindi,
Kjo traditë madhështore dhe në botë na nderon.
Kur këtë e shoh dhe e ndjej, zemra më gjallohet,
Mendoj se, sado pak, këtu është dhe thërrimja ime,
Kur këta djem ruajnë gjuhën, doket dhe zakonet,
Në shpirt thellë diçka u ka ngelur nga ato mësime.
Tiranë, më 04.04.2015
CINGËRISJE MBI KOKË
nga Luan Çipi
Gjej diku tim bir ndër fotografi
Të ketë dalë, qoftë dhe midis shokësh
Dhe shikimin drejtë dërgoj te ai,
Kërkoj e klikoj midis fotoshopësh.
Atë e shkëpus dhe e heq mënjanë,
Që ta shoh veçmas dhe sa më të bukur,
Ndihem i kënaqur: Shihni, shesh-mejdan,
A ka më të pashëm, a ka më të dukur?
Po, është pjella ime dhe i vetmi djalë,
E kam të mërguar, ndihem i vetmuar
Dhe pse, një të thërritur dielli pa dalë,
Ai, vjen fluturim në të perënduar.
E kujtoj për ditë, me të loz e qesh
Djali, mijëra milje larg në Amerikë,
Trikos i marr erë dhe pastaj e vesh,
Jam plakur më duket. Të iki, s’kam frikë!
Pleqërisë i trembem, po ajo nuk pyet:
Kam këto mendime, pra, ajo ka ardhur,
Me gjuhën e mallit, mosha po më flet,
Cingërisin mbi kokë leshurat e zbardhur.
MISTERET NA I VRANË SHPRESAT
MISTERET NA I VRANË SHPRESAT/
Nga Neki LULAJ-GJERMANI/
Nuk di pse po dalim nga djepi, pse po ikum nëpër male..?/
Rrugëve të pa krye labirintheve po kalojmë edhe kufij/
Në klasë me ngelën kujtimet rinore, çanta me libra dhe fletore/
Merrni të gjitha se misteret mi vrarë shpresat e unë më nuk do vi/
Në ju pyettë kujdestari i klasës për mua,……?/
I thuani se ka ikur mbëmë me ndërskemcat e territ/
Ne ju pyettë edhe drejtoresha e shkollës drejtë i tregoni,…!/
Në autobusin mister hypi me plotë moshatar për ti zenë misteret/
Në ju pyettë ajo Bjondja bukuroshja “E Byrektorës”për mua
E rrugës së heroit ”Zahir Pajaziti”
I thuani se iku me lotë ne sy e me një mall shpirti shtërnguar
Thirrje në ërrësirë që s’ pati guxim me të thenë fjalën” të dua ”
Mos me pyetni për rrugëtimin ne labirinthitn misterioz
Se ata që na vranë e na dogjën dje sonte po na ugurëzojnë
Buzë kënetës në kufi stom pyellit krrupnajë me ferra të dendur
Paguani haraqin e thyene qafen për ne Hungari……..
Kilometra rrugë kaptova brigjeve , prroskave e shtreterve të lumejve
Heca pa pushuar ,rrugëve te misterta shpresat ne kërkim
Por kur u diktuam nga rojet me uniforma “Bjonden e harrova”
Maltretime fyerje nençmime të policisë që nuk kanë përshkrim,……
Heeeej ore ju,. Me të mirët e mi,! mos e braktisni djepin shqip te Atësisë
Se atje kurrë nuk shtjerrën endërrat e thurura e idealet e herojve
Rrini ne parajsëne Engjëjve qe e bekuan perenditë
Se atje do buroi energjija hyjnore e sërish çdo gjë do të rilindë….!
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- …
- 7
- Next Page »