TIRANË, 5 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ – Shënohet sot 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit edhe sot u zhviluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit nga zyrtarë të shtetit dhe politikës që vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.
Meta: 5 Maji ditë mjaft e rëndësishme për të gjithë shqiptarët
Homazhe diën e sotme ka zhvilluar Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, së bashku me zv/kryeministrin Niko Peleshi, Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe drejtues të tjerë të shtetit.
Në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi 5 Majin si një ditë mjaft të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, të cilët e kujtojnë si dita e mirënjohjes së përjetshme ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit dhe një të ardhme më të mirë.
“Kjo është nuk është një ditë detyrimi dhe angazhimi thjesht për të kujtuar vlerën e perjetshme te deshmoreve, por dhe për të kontribuar që të jemi një vend më i sigurt dhe më i begatë për gjithë qytetarët tane”, u shpreh kreu i Kuvendit.
Basha: Reflektim i PD para gjakut të dëshmorëve
Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës kryen homazhe për nder të dëshmorëve.
Kryedemokrati Basha në një prononcim të shkurtër për mediat tha se kjo është një ditë reflektimi për PD për të vazhduar deri në fitore betejën për një Shqipëri të lirë.
“Sot nderojmë heronjtë, bijtë e këtij kombi që dhanë jetën për liri. Përkulemi me nderim para atyre që dhanë jetën edhe për vlera të tjera, liria nga titania e krimit, liria nga terrorizmi. E sotmja është dhe ditë reflektimi, reflektimi i PD para gjakut të dëshmorëve është vendosmëria për të vazhduar deri në fitore për një Shqpëri të lirë, të njerëzve të lirë. Për një Shqipëri demokratike të çliruar nga krimi dhe korrupsioni”, tha Basha.
Historiku i 5 majit
Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.
Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjate luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.
Ne vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.
Ne vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës