• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VLERËSIM NGA INDIA PËR LIBRIN E AUTORIT GËZIM ALPION “NENË TEREZA-SHENJTËRESHA DHE KOMBI I SAJ”

April 14, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam murgeshë Katolike. Për nga thirrja, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e shqiptuara nga Nënë Tereza, e cila jetën e saj ia përkushtoi të varfërve, anë e mbanë botës.

Vitin që kaloi, shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”, ka botuar librin në anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit dhe akademikut, Dr. Gëzim Alpion. Profesori Alpion jep mësim në Universitetin e Birmingham-it në Departamentin e Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë të këtij universiteti, ndër më të njohurit në botë. I specializuar në disa fusha akademike, Dr. Alpion, gjatë viteve, e ka dalluar veten si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.  Libri i tij i fundit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, është vlerësuar nga shumë ekspertë të fushës dhe akademikë botërorë dhe është pritur jashtzakonisht mirë edhe nga lexuesit e shumtë në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në shumë vende të botës ku anglishtja përdoret si gjuhë zyrtare ose gjysëm zyrtare, përfshir nën-kontinentin indian.  

Vlerësimi më i fundit që më ra në dorë kohët e fundit vjen, pikërisht, nga India. Në të vërtetë, ishte në Kalkuta të Indisë, ku Nenë Tereza filloi dhe ku zhvilloi veprimtarinë e saj me mmotrat e urdhërit që ajo themeloi, “Missionaries of Charity”, me misonin për tu kujdesur për më të varfërit, për të uriturit, për të sëmurët dhe të pastrehuarit, sakatët, të verbërit dhe për të gjithë ata persona që, për një arsye ose për një tjetër, i ka përjashtuar shoqëria ku ata jetojnë.  Ose siç shprehej vet Nënë Tereza për misionin e saj, për tu kujdesur për, “më të varfërit e të varfërve” në botë.  Por para se të ç’vendosej në Kalkuta, Nenë Tereza ka udhëtuar për në Darjeeling të Bengalit Verior për një takim vjetor shpirtëror të Kuvendit të saj, një udhëtim ky që ajo thenë se kishte ndjerë atë që e ka cilësuar si, “thirrja brenda thirrjes”.  “Një thirrje që ajo e ka konsideruar si një kërkesë nga Jezusi për të dalë nga Kuvendi me qëllim për t’u kujdesur për më të varfërit e shoqërisë”. Prandaj, është me vend që vlerësimi më i fundit i veprës së Dr. Gëzim Alpion vjen, pikërisht, nga qyteti Darjeeling i shtetit Bengali Perëndimor të Indisë, atje ku Nenë Tereza, në shtator të vitit 1946, iu përgjigj “thirrjes brenda thirrjes” dhe vendosi  që jetën e saj t’ia kushtonte kujdesit për “më të varfërit e të varfërve”, jo vetëm në Indi, por gjatë dekadave të ardhëshme, veprimtaria e Nenë Terezës dhe motrave të saja, u përhap edhe në disa vende anë e mbanë e botës.  

Autori i vlerësimit më të fundit të librit, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit Dr. Gëzim Alpion, botuar kohët e fundit nga Shtëpia botuese Bloomsbury (me zyra në Londër, Nju Jork, Nju Deli dhe Sidni), është Paul Cheruthottupuram, që njihet me emërin C.C. Paul, i cili aktualisht jeton dhe vepron në qytetin Darjeeling të Bengalit Perëndimor.

                                                 C.M. Paul

C.M. Paul, përveç rolit të tij fetar si prift i Urdhërit Katolik Salezian të themeluesit Don Bosko, gjatë karierës së tij ai ka shërbyer edhe në detyra të ndryshme, përfshirë gazetarinë dhe ka pasur raste të shumta që ai ka bashkpunuar edhe me Nenë Terezen, në veprimtarinë e saj në shërbimin e pa kursyer ndaj të varfërve. Në kapacitetin e tij edhe si gazetar dhe themelues i radio-televizionit salezian në Darjeeling, C.C. Paul ka mbledhur materiale dhe dokumentacion mbi “Mbulimin e veprimtarisë së Nenë Terezës në gazetat e Kalkutës nga viti 1946-1962”, për të hedhur dritë mbi veprimtarinë bamirëse të Nenë Terezës në atë periudhë në Kalkutë. 

Në vlerësimin e tij të librit të Profesorit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, Gëzim Alpion, C.C. Paul shkruan se për një banor si unë i qytetit Darjeeling — një qytet ky aq i lidhur ngusht me “thirrjen brenda një thirrjeje” të murgeshës shqiptare – libri i fundit mbi Nenë Terezën, “ofron  një lexim interesant, pasi jep informacione të panjohura deri më tani për Shënjtëreshën”, Nenë Terezën, shkruan C.M. Paul.  Ai e cilëson Dr. Gëzim Alpion-in si, “ndoshta akademikun dhe ekspertin më autoritativ mbi jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës, i cili argumenton”, shton prifti Indian, “se jeta e Nenë Terezës dhe historia e Kombit të saj, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet e bashk-kombasve të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.  Është hera e parë”, vazhdon autori indian, “që një autor që shkruan për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës përpiqet t’i nterpretojë traumat, sfidat dhe sukeseset e saja, të këtij personi due kësaj misionarje duke eksploruar influencën, deri më tani të injoruar, të trashëgimisë së saj etnokulturore dhe shpirtërore”, në jetën dhe veprimtarinë e nenë Terezës. 

Libri prej 284 faqesh kushtuar Nenë Terezës– botuar nga Shtëpia botuese Bloomsbury, dega e Indisë — përqendrohet, sipas C.M. Paul, edhe në ndërlidhjet që ekzistojnë midis individit dhe shoqërisë, në kryqëzimin midis biografisë dhe historisë, si dhe në transformimin e sfidave personale të Nenë Terezës në një subjekt debatesh dhe diskutimesh publike.

Materiali i librit është i organizuar në tre pjesë dhe ndahet në 15 kapituj, gjithsejt. Kapitulli i parë trajton pyetjen se, “Kush janë Shqiptarët e Nenë Terezës?”, një ekspoze, thotë autori në vlerësimin e tij, “të historisë së Atdheut të murgeshës, nga periudha e Ilirëve e deri në periudhën post-moderne”.  Pjesa e dytë e librit ka të bejë me “Rrënjët Shqiptare të Nenë Terezës dhe vitet e saja kur ka jetuar në Shkup”, që sipas C.M. Paul, “materiali meriton lëvdata, pasi pjesa më e madhe e të dhënave dhe analizave duket se janë publikuar për herë të parë”, në librin e Profesor Gëzim Alpion.

Pjesa e tretë e librit të Dr. Gëzim Alpion për Nenë Terezen botuar në anglisht vitin që kaloi, trajton “Marrëdhëniet e Nenë Terezës dhe të Kombit Shqiptar edhe me Selinë e Shenjtë (Vatikanin), ku flitet për personalitetin e murgeshës shqiptare, veprimtarinë dhe trashëgiminë e saj parë nga dy kend-veshtrime: roli i rëndësishëm që ka luajtur Vatikani në jetën e Nenë Terezës dhe në përspektivën e dytë, në librin e tij, Dr. Alpion vlerëson marrëdhëniet e saja me vendlindjen dhe me njerëzit me të cilët ka kaluar jetën e fëmijërisë në Shkup – një histori kjo prej vitit 1910 e deri në kalimin në amëshim të Nenë Terezës, në vitin 1997. 

Në artikullin vlerësues të librit të Profesor Gëzim Alpion, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj” – shkrim i botuar kohët e fundit në median indiane, të priftit salezian nga India, C.M. Paul – informohen lexuesit në gjuhën anglisht se në kapitullin e fundit të librit, krahasohen kontrastet midis Nenë Terezës dhe heroit legjendar të Kombit shqiptar Gjergj Kastrotit-Skenderbe, dy personaliteteve më të njohura shqiptare ç’prej shekullit të 15-të, thuhet në këtë vlerësim.

C.M.Paul vlerëson më në fund veprën e Dr. Gëzim Alpion, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar në anglisht nga Shtëpia botuese, Bloomsbury India 2020, si “një libër origjinal, i kuptueshëm, i mirë studiuar…libër i cili me siguri do të bëhet një vepër udhërrëfyese për trashëgiminë, për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës”, në përgjithësi, përfundon C.M. Paul vlerësimin e tij të veprës së autorit anglo-shqiptar, Dr. Gëzim Alpion, Profesorit të njohur të Universitetit britanik, Birmingham.

Frank Shkreli

                         Mother TeresaLibri mbresëlenës në anglisht “Nenë Tereza: Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, me autor Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmigham në Angli

Autori i librit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, Profesor Dr. Gëzim Alpion duke folur për jetën dhe veërimtarinë e Nenë Terezës  

Nga një takim (via Zoom) tetorin që kaloi, organizuar nga Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare në Londër, Z. Stepehen Nash, në mbledhjen vjetore të kësaj shoqate, në të cilën folësi kryesor ishte Prof. Dr. Gëzim Alpion, i ftuar i posaçëm, për të ligjëruar mbi librin e tij më të ri, kushtuar Nënë Terezës. Biseda e Prof. Alpion titullohej: “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nënë Terezës drejt Shenjtërisë”, (“From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood”).

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Gezim Alpion, Nene Tereza

Nënë Tereza: Nënë e jetës, dashurisë dhe e paqes

August 26, 2020 by dgreca

Disa mendime me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-

Nga Don Lush Gjergji-

Nëna e jetës-

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979).

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës, dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes, varfëria dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Shërimi i vetmisë është dashuria”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin…”.

Nëna e dashurisë

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

Nëna e paqes

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”. “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”  “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi. Ajo e shëron vetminë”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen, si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore./drita.info

Filed Under: ESSE Tagged With: don Lush Gjergji, Nene Tereza

INDIFERENTIZMI I SHQIPTARËVE NDAJ NËNË TEREZËS!?

August 17, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

Disa ditë më parë shkrova një artikull për shqiptaro-amerikanin Lekë Gojçaj i cili ndërroi jetë javën që kaloi në Nju Jork, për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e tij prej bamirësi, përfshir, ndër të tjera, edhe ndërtimin e disa shtatoreve të Nënë Terezës, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në librin e tij, “Shtatoret e Përjetësisë”, Lekë Gojçaj flet për sponsorizimin (me vëllain e tij Pashkon) të disa shtatoreve kushtuar Shenjëtreshës Nenë Terezës, në trojet shqiptare dhe në Amerikë.  Këtë, vëllëzërit Gojçaj e bënë si pjesë e përpjekjeve të tyre për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të Kombit Shqiptar, një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në informacionin që sot konsiderohet si “fake news”, që përhapej nga sllavët e jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar.  Nga libri nuk është krejtësisht e qartë se pse ata nuk ndërtuan një shtatore kushtuar Nenë Terezës në Shqipëri.

Megjithkëtë, duhet thenë prej fillimit, se Shqipëria vërtetë e ka nderuar Nenë Terezën me një ditë kushtuar asaj –Dita e Nenë Terezës – e shpallur festë publike.  Aeroporti i Tiranës, mban emrin, Aeroporti Ndërkombëtar Nenë Tereza, sheshi i dytë më i madh në Tiranë, quhet Sheshi Nënë Tereza dhe spitali më i madh civil në Tiranë mban gjithashtu emrin e saj.  Prandaj ka giasë që indiferentizmi ndaj statujës ose statujave të saj në Shqipëri është më shumë një pa kujdesje, ose një braktisje e përgjegjësive nga entet përkatëse qeveritare, që shfaqet edhe ndaj shumë monumenteve historike të personaliteteve të tjera shqiptare (por jo ndaj monumenteve të huajve në Shqipëri).

Sidoqoftë, edhe në Shqipëri ka dy shtatore të Nenë Terezës të sponsorizuara, me sa dijë unë, nga autoritetet shqiptare.  Njëra shtatore e Nënë Terezës ishte vendosur, fillimisht, në një skutë pranë universitetit të Tiranës dhe në sheshin që mban emrin e saj në kryeqytetin shqiptar.  Gjithmonë kur vizitoja Tiranën, gjatë viteve, nuk hezitoja të shkoja andej pranë universitetit për të parë, “gjëndjen e Nënë Terezës në Atdheun e saj”, gjëndje e cila nuk ndryshonte, nga viti në vit, ashtu e “veshur” me shkurret që e rrethonin dhe nuk ndryshonte as për nga indiferentizmi i hapët që tregohej ndaj asaj shtatorjeje, që ishte vendosur në një skutë që mezi shihej nga kalimtarët, por në qendër të Tiranës.  Për t’i ra shkurt bisedës, kishte edhe një përmendore tjetër të Nënë Terezës – ajo që ishte vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.  OK, busti që ishte tek universiteti, i ç’vendosur prej atje është vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar në Tiranë — se dikujt nuk i pëlqente ajo statujë që ishte vendosur aty më parë.  Atëherë, ajo statuja gjigante e Nenë Terezës që dominonte hyrjen tek aeroporti Rinas (më vonë aeroporti Nënë Tereza), është ç’vendosur prej aeroportit, për t’i lëshuar vendin statujës së Nënë Terezës që ishte pranë Universitetit të Tiranës. Në këtë ndërkohë, për një periudhë, duke mos ditur ç’të bënin me të, statuja e aeroportit ishte hedhur në një depo, së bashku me disa statuja të kohës së komunizmit. 

Por saga e kësaj statuje nuk mbaron këtu.  Kërkoj ndjesë nëse e konfuzova lexuesin. Nuk di nëse e shpjegova si duhet deri këtu, po qëndroni gjithnjë me mua, i dashur lexues?  OK. Statuja që ka qenë në Rinas nxirret më në fund nga depoja ku ishte hedhur dhe transportohet nga Tirana në Qafë Thanë, në kryqëzimin e rrugëve mbi liqenin e Pogradecit, ose liqenin e Ohrit, ku qendron edhe sot.  E tani, kemi ardhur, pikërisht, tek subjekti i këtij shkrimi.

Siç duket, të frymëzuar nga dy shkrimet e fundit që kam bërë për Nenë Terezën: nga vlerësimi i librit të Prof. Gëzim Alpion mbi Nenë Terezën, muajin e kaluar https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/, dhe nga shkrimi disa ditë më parë mbi librin e Lekë Gojçajt për Shtatoret e Përjetësisë, https://telegraf.al/opinion/nderroi-jete-leke-gojcaj-i-shtatoreve-te-perjetesis — kanë nxitur lexuesit të më dërgojnë komente dhe foto nga vendi ku është vendosur përmendorja e Nenë Terezës, në Qafë Thanë, pasi, thanë ata, shpesh kalojnë nga kjo rrugë ku është vendosur Përemendorja e Shenjtëreshës shqiptare.  Fotot flasin për një braktisje të dukshme dhe mungesë kujdesjeje nga entet qeveritare që janë përgjegjëse për monumente të tilla të kulturës shqiptare, përfshir Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Prenjasit, e tjera.

Lexuesit, që kalojnë andej shpesh, janë të revoltuar se përemendorja e Nënë Terezes e vendosur në atë kryqësim rrugësh, madje as nuk identifikohet me emrin e saj, as edhe me ndonjë thënje identifikuese të saj. Sugjerim: “Gjithmonë, shpirtërisht, jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira…”, është shprehur Nënë Tereza siç sugjeron edhe titulli i librit, “E kam në zemër popullin tim Shqiptar”, sipas biografit të Nënë Terezës, të Përndershmit Dom Lush Gjergjit.  “Shumë luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas Librit  “E kam në Zemër Popullin tem Shqiptar—Bisedime me Shën Nenën Tereze”, të Dom Lush Gjergjit. https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-e-kam-ne-zemer-popullin-tem-shqiptar/  Aty qendron busti i Nënë Terezës, i vendosur ku kryqësohet rruga për në kufi midis Maqedonisë e Shqipërisë – ashtu pa emër dhe pa identitet.  “Aty Nënë Tereza, vazhdon të duket si një punonjëse trafiku.  Dikush që nuk e di kush është, vështirë të besoj se ajo është Nënë Tereza”, më shkruan i zemëruar një lexues nga Shqipëria që kalon andej shpeh dhe vazhdon: “Nuk ka emër, bari është i djegur e shpesh era hedh në këmbet e saj mbeturina e qese.  E trishtë por e vërtetë!  Nuk di, nuk di ta shpjegoj.  Ndërkohë që ruajmë monumente të emrave që nuk njohim apo që kanë dëmtuar Shqipërinë…nuk dimë të respektojmë ato që realisht e lartësojnë këtë vend”, shkruan lexuesi, me të drejtë i acaruar për ato që ka parë.

Sipas rrugëtarve, statuja e Nënë Terezës është vendosur pranë rrugës majtas që të drejton për në kufirin Shqipëri Maqedoni e Veriut, për të shkuar në Pogradec e më tej në kufirin me Greqinë duhet të marësh drejt, shkruajnë lexuesit.  Këtu ngrihet, sipas tyre, busti i Nënë Terezës që duket sikur i jep bekimin e saj kujdo që kalon aty.  Ata e përshkruajnë shtatoren aty, të rrethuar vetëm nga një bar i thatë e disa bimë shkure, mbeturinat janë hedhur sa andej ketej. “E trishtë, por e vërtetë”, shprehet lexuesi, duke shtuar se, “Nuk besoj se kjo gjë ndodh në ndonjë vend tjetër të botës.  Çdo vend tjetër do krenohej me këtë figurë që nuk ka ngurruar kurrë të thotë që ka gjak shqiptari!”

Vërtetë e trishtë gjëndja e shtatores së Nënë Terezës në Qafë Thanë.  Qendron atz, e braktisur nga entet e kulturës shqiptare, pa emër e pa identitet! Si e huaj, megjithëse në vend të vet!  Trishtues është indiferentizmi dhe mos kujdesi për monumente të tilla kombëtare, anë e mbanë Shqipërisë.  Duhet të jemi të sinqert, se megjithëse trishtohemi kur shohim monumentin e Nenë Terezës në këtë gjëndje, për fat të keq edhe monumente të tjera në Shqipëri, nuk trajtohen shumë më mirë se ai i Nënë Terezës në Qafë Thanë.  Për këtë indiferentizëm ndaj personaliteteve shqiptare, siç është Nënë Tereza dhe për mos kujdesje ndaj kulturës dhe personave që përbëjnë identitetin dhe historinë e Kombit Shqiptar, dikush duhet të jetë përgjegjës, qoftë në nivel qendror, qoftë atë vendor.  Të pakën, në këtë rast, por edhe në përgjithësi, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të pastruar vendin për rreth përmendores, që sipas fotografive bashkangjitur këtij artikulli të marra nga vendi, para 4-5 ditësh, statuja duket krejtësisht e braktisur, pranë një rruge që tërheq turistë vendas dhe të huaj. Nga fotot, nuk më duket një pamje që i jep nder Shqipërisë dhe as nuk nderon shqiptarët kudo që jemi dhe aq më pak Nënë Terezën, këtë figurë të madhe, që siç u shpreh edhe një lexues, që çdo vend tjetër do të ishte krenar ta kishte.

Jeta në të gjallë e Nënë Terezës ishte një jetë sakrificash të mëdha, pa bujë e në ndihmë të njerëzve në nevojë.  Ndaj edhe nëse fondet për lule apo germa bronzi mungojnë për të identifikuar Nënë Terezën në Qafë Thanë(!!!) emri i Nënë Terezës mund të shkruhet edhe me një grusht gurrësh të mbledhur, aty pranë, në zallin e liqenit.  E kjo nuk do kërkonte asnjë shpenzim -veç zemrës së bardhë, dashurisë e një vullneti të mirë.  Në kryqëzim të kufijve, ajo qendron shumë bukur aty, por pakkush nga të huajt apo edhe të tjerë e dinë se kush është. Në minimumin, vendosja e emrit për ta identifikuar Nenë Terezën është detyrim, është respekt për veten por edhe për misionin e Nënë Terezës, një mision fisnik që duhet të vazhdojë.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Indiferentizmi i shqiptareve, Nene Tereza

KUR NËNË TEREZA, ME FËMIJËT NDËR DUAR, KËRKONTE PUSHIMIN E LUFTËS NË LIBAN

August 6, 2020 by dgreca

Bejruti, Nënë Tereza, pushimi i luftës dhe një dramë–

Nga Prend BUZHALA –

Bejruti pësoi një tragjedi të rëndë, me humbjen e rreth 100 jetëve, me plagosjen e lëndimet e mijëra të tjerëve nga shpërthimet e fuqishme që ndodhën ditën e djeshme. Ngjarje e dhimbshme. Njerëzit vullnetmirë ndiejnë me viktimat e kësaj tragjedie.

1.Libani na e kujton Pashko Vasën si guvernator të tij, kur gjatë shekullit XIX aty kishin shpërthyer protesta e kryengritjet antiturke dhe Fuqitë e Mëdha në marrëveshje me Turqinë otomane e emërojnë guvernator, meqë ky shtet përbëhet nga disa religjione e etni (mysliman, të krishterë, hebrenj, etj). Pas vitit 1948, dmth pas Luftës arabo-izraelite, Libani bëhet vendstrehim i 110 mijë refugjatëve palestinezë, e këtyre pastaj iu shtohen edhe të tjerë pas konfliktit të vitit 1967.

2.Por me Bejrutin e Libanit ndërlidhet edhe një ngjarje, në dukje e parëndësishme, por tejet domethënës. Është fjala për vizitën e Nënës Tereze në Bejrut. Por në çafër kohe po bëhej kjo vizitë dhe me çfarë qëllimi? Meqenëse pas Luftës së Dytë Botërore përjetoi një zhvillim e përparim, ky zhvillim u ndërpre gjatë viteve 1975-1990, kur shpërtheu lufta civile, ku merrnin pjesë edhe fraksione myslimane e të krishtera, pastaj forcat e armatosura palestineze që u vendosën në Liban (Hezbolah etj), e ku ato ndihmoheshin nga Izraeli e Siria. Me një fjalë, të gjithë kundër të gjithëve. Më 1982 Nëna Tereze, në një gjendje të kaosit të tillë të një luftë të pashembullt, arrin në Bejrut përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, për t’i shpëtuar fëmijët hendikapatë, me nevoja të veçanta, nga një spital i shëndetit mental në Kampin e refugjatëve në Sabra. Shtypi i kohës e përshkruan këtë ngjarje:

“Fytyra e saj e rrudhur u përhap me një bujë të madhe, kur hyri në Spitalin Mendor Dar al-Ajaza al-Islamia dhe filloi të përqafojë fëmijët, të grumbulluar në një grup në dysheme.”

Tashmë e afirmuar me Çmimin Nobel për Paqe, më 1979, ajo po kryente një vepër të guximshme. Jo thjesht vetëm për tërheqjen e atyre fëmijëve nga vatrat e luftës, sa edhe për një veprim tejet domethënës: PALËT NDËRLUFTUESE I PUSHOJNË LUFTIMET, SA QËNDROI ATY NËNA TEREZE!

Armët pushojnë, fëmijët tërhiqen.

Se me çfarë përpjekjesh e kontaktesh ajo kishte arritur të hynte e ta kryente veprën e saj, kjo është një tjetër histori më vete! Një shkrimtar libanez (nga radhët e druzëve), dëshmitar i asaj ngjarjeje, thotë se ajo, përmes besimit dhe lutjes, arriti ta fitonte armëpushim për t’i evakuuar fëmijët e të gjitha religjioneve etnive: “Nënë Tereza foli me një prift dhe një oficer, në një vend që mund të jetë një manastir ose një zyrë, për atë që duhet të ndodhë të nesërmen. ‘Unë mendoj se Kisha duhet të jetë e pranishme në këtë kohë,’ u thotë Nënë Tereza dy burrave të ulur para saj. ‘sepse ne nuk merremi me politikë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të pranishëm.’

Ishte kjo një logjikë e shenjtë, natyrisht.

Prifti: ‘Kjo është një ide e mirë, por ju duhet t’i kuptoni rrethanat, Nënë.. Dy javë më parë, një prift u vra. Është kaos atje. Rreziku është shumë i madh.’

Nënë Tereza: ‘Por Ati, nuk është ide. Unë besoj se është detyra jonë. Ne duhet të shkojmë dhe t’i marrim fëmijët një nga një. Rrezikimi i jetës sonë është sipas rregullit të gjërave. Të gjitha për Jezusin. Të gjitha për Jezusin. Ju shikoni, unë kam parë gjithmonë gjëra në këtë dritë. Një kohë të gjatë, kur zgjodha personin e parë (nga një rrugë në Kalkuta), nëse nuk do ta kisha bërë atë herën e parë, nuk do të kisha marr 42,000 pas kjo. Një nga një, unë mendoj … ‘ “ (shënon ai autor që quhet Amal Makarem).

Ishte ky një veprim që u quajt vizitë heroike.

Nga shtypi i kohës: “E pyetur për përshtypjet e saj, Nënë Tereza tha: ” Unë kurrë nuk kam qenë në luftë, por kam parë uri dhe vdekje. Po pyesja veten time, çfarë ndiejnë ata kur e bëjnë këtë. Nuk e kuptoj. Ata janë të gjithë bij të Perëndisë. Pse ata e bëjnë atë, unë nuk e kuptoj. ”

Ky autor përshkruan situatat apokaliptike si të rrathëve danteskë të ferrit të atij gushti 1982. Izraelitët bombardonin pandërprerë nga ajri e nga toka: “Aeroporti Ndërkombëtar i Bejrutit ishte i mbyllur, kishte rreth 500 të vdekur, kryesisht civilë, dhe po aq të plagosur. Në kryeqytetin e rrethuar, furnizimet me ujë dhe ushqime po mbaronin. Shumë lagje ishin pa energji elektrike…. ishin njëqind fëmijë myslimanë spastikë dhe me lëndime mendore, ishin braktisur nga stafi i një jetimoreje të vendosur në pjesën perëndimore të Bejrutit, ishin pa ushqim, pa përkujdesje, pa higjienë. Disa ishin duke vdekur.”

Kontaktet e kësaj Nëne me përfaqësues ambasadash (amerikane etj), përfaqësues libanezë etj. ishin të ethshme, të pandërprera për disa ditë. “Armëpushimi i negociuar nga Philip Habib, por i arritur me anë të besimit, ishte i vërtetë. Një Beirut relativisht i qetë. I gjithë shtypi ndërkombëtar ishte në katin e parë të ndërtesës së KNKK-së….

Një kafe, një gotë ujë, pak sanduiç, Nëna Tereze nuk pranoi gjithçka, tha Amal Makarem. Nuk kishte kohë për të humbur. Konvoji i ICRC me një autobus dhe një xhip të Kryqit të Kuq të Libanit u nis për në jetimoren islamike. Një nga një, siç është bërë gjithmonë me Nënën Tereze, 36 fëmijë spastikë, krejtësisht të dobët, u morën dhe u futën në makina. Disa thonë se ishin 60 fëmijë. Sidoqoftë, sipas një zyrtari të KNKK-së, ‘stafi i infermierisë i kishte braktisur ata. Spitali vetë ishte goditur nga predhat, dhe kishte vdekje. Fëmijët kishin mbetur pa kujdes, pa ushqim. Deri në ardhjen e Nënës Tereze, askush nuk kishte menduar me të vërtetë të merrte përsipër përgjegjësinë për ta”.

Dëshmitari që u përmend më lart, Amal Makarem, thotë: “Çfarëdo gjëje që mund të quhet magjike, e mrekullueshme kjo ishte e mundshme me Nënën Tereze,” i cili ishte dëshmitar i evakuimit me dy faza. “Ajo ishte një forcë e vërtetë e natyrës. Ishte e mjaftueshme që ajo kaloi natën nga lindja në perëndim. Në të kundërt, nuk mund t’i përshkruaj fëmijët që ajo i shpëtoi. Ata ishin me aftësi të kufizuara mendore, por ajo që është e tmerrshme, ishte se ne gjetëm edhe fëmijë normalë në atë grup e që, përmes mimikës, silleshin si fëmijë me mendje të kufizuar. Nëna Tereza i mori në krahë… e ata papritmas u bënë të hareshëm në krahët e saj si lulet, u bënë të tjera qenie, si kur dikush që i jep pak ujë një luleje.”

Kronikat e kohës shënojnë: “Më 21 gusht, u nënshkrua një armëpushim përfundimtar, nën të cilin, pas bisedimeve të mundimshme të mbikëqyrura nga Philip Habib, PLO u largua nga Bejrut. Mjerisht, do të pasonin episodet e përgjakshme, si vrasja e Presidentit të zgjedhur Bashir Gemayel dhe masakrat e Sabra dhe Shatila.”

3.Shpesh miqve ua kam përmendur një dorëshkrim timin me këtë tematikë. E përmenda këtë fakt edhe për një arsye personale: gjatë viteve ’90, në vlugun e lëvizjeve të mëdha të kohës, shpesh, i strukur me libra e dorëshkrime pranë makinës së shkrimit, kisha nisur ta bëja një dorëshkrim për Nënën Tereze me këtë tematikë: për fuqinë e saj për t’i fashitur armët e urrejtjes dhe luftën! Dorëshkrimi u shndërrua në një vepër dramaturgjike, me copëza ende të pa ngjitura. Ishte, mbase, një sugjestion artistik: a mund të ndërhyhej që të shpëtonte Kosova nga katastrofa e masakrat që po e pritnin?! Aso kohe ne ishim në dijeni për interesimet e saj që të shpëtohet Kosova. Dinim për interesimet e saj drejtuar administratës amerikane e Papa Gjon Palit II për shpëtimin e Kosovës. Por lufta shpërtheu, kurse Nëna Tereze kishte vdekur disa muaj përpara! Me rastin e sulmit mbi Jasharët, nga Klina dërguam një apel Papës Gjon Pali II që të shpëtohet populli i Drencisë e të ndërhyjnë ata që e kanë forcën në dorë. Apeli, i nënshkruar nga Pal Canaj dhe unë, i bërë në emër të Forumit të Intelektualëve Shqiptarë “Luigj Gurakuqi” të Klinës, iu dërgua “Rilindjes”/”Bujkut” dhe Radio Vatikani e radiot tjera e lexuan një javë ditë rresht! Mirëpo, vetë Bill Clinton dëshmon se e kishte mbajtur amanetin e saj për shpëtimin e Kosovës!

(Intermeco: Muaji gusht 1982 personalisht ndërlidhet me një ngjarje timen personale: gjatë atij muaji (ishte i gjashti muaj në izolim total keqtrajtues në burgun politik të Pejës), kisha filluar të pështyja gjak!, për shkak të sulmit në mushkëri. Pasi më morën në seancë intervistomi në ora dy të natës, një inspektor sigurimi, që pretendonte të sillej mirë me mua, më pyet se si jam: “Ja, po pështyj gjak”, i them. Më dërguan te një mjek serb e ai tha: “Nema nishta” (“S’ka kurrgjë”)! Më dërguan te mjeku shqiptar. Kur më pa, ai tha: “Unë nuk e marr në dorë, se shikoni çka i keni bërë!” Ngjarjet rrodhën si rrodhën, histori më vete kjo, por kur u lirova nga burgu, mu desh 10 muaj të qëndroja në spital në vjeshtë 1982. Po atë vjeshtë, pas Bejrutit, Nëna Tereze vjen në Kosovë. E viziton Prishtinën, Zllakuqanin e Klinës, Pejën e për të cilat vizita kam shkruar disa herë… Unë, nga spitali, as që kisha mundësi të lëvizja!).

Se a do të arrij personalisht ta mbaj fjalën; që ato copa dorëshkrimesh të kësaj drame letrare (të ndërthurur Liban- Kosovë), “të kompozohen” në një tërësi” (disa pjesë humbën gjatë luftës) e të botohen, – mbetet të shihet. Për hir të kësaj shenjtërie mbi shenjtërinë – që shpirti e besimi i saj ndikonte edhe në ndalimin e luftës edhe në shpëtimin e jetës së njerëzve…/drita.info 

(Gusht 1982 – gusht 2020)

*Fotografia në ballinë: Nënë Tereza me fëmijë në Bejrut

Filed Under: ESSE Tagged With: Bejrut, Nene Tereza, Prend Buzhala

PRESIDENTI RUGOVA: SHTATORJA E NËNËS TEREZE, DHURATË E LEKË GOJÇAJT

August 6, 2020 by dgreca

-Presidenti historik i Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr.Ibrahim Rugova, në 2 Korrik 2002 duke zbuluar  Shtatoren e Nënë Terezës në Prishtinës shprehej me shumë vlerësim e mirënjohje: Kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar. Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze… -Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës/

PRISHTINË, 6 Gusht 2020- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

2 KORRIK 2002: PRESIDENTI RUGOVA NË SHESHIN QENDROR TË PRISHTINËS PËRURON SHTATOREN E NOBELISTES SHQIPTARE NËNË TEREZA, DHURATË E LEKË GOJÇAJT

Në 2 Korrik 2002, ditën e 12 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi, Presidenti historik i Republikës së Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr. Ibrahim Rugova, në Sheshin qendror të Prishtinës, para mijëra qytetarëve, ka zbuluar Shtatoren e Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza. Ishin të pranishëm personalitete të jetës publike, politike e ushtarake të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës.

Para pjesëmarrësve në solemnitet, Presidenti Rugova tha se sot është ditë e madhe për Prishtinën dhe për Kosovën.

“Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, Nënës sonë të dashur.

Këtë shtatore të çmuar po e zbulojmë në Rrugën kryesore të Kryeqytetit, që para sa vjetesh e emëruam me emrin e Nënës Tereze, që e pranoi Prishtina dhe e gjithë Kosova”, tha Presidenti Rugova.

Ai vijoi se, “kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze, që do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”.

“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova.

“Ne ndiehemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”, theksoi ai.

Dr. Rugova tha se kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar.

“Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova.

Presidenti Rugova me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për këtë dhuratë bërë Prishtinës dhe Kosovës, duke madhëruar festën e 2 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Rugova uroi qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës për Shtatoren e Nënës Tereze dhe përmbylli fjalën e tij me lutje-urime bekimi:
-Zoti e bekoftë Nënën Tereze, siç e ka bekuar.
-Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës.

-Zoti i bekoftë SHBA-të.

-Zoti e bekoftë Kosovën.

7 DHJETOR 1995: RRUGËS PËR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS PRESIDENTI RUGOVA TAKON NËNË TEREZËN

Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.

RUGOVA: NËNA TEREZË MË KA FRYMËZUAR SHUMË GJATË KËSAJ KOHE PREJ QË MERREM ME PUNË EDHE TË SHTETIT TË KOSOVËS

“Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.

Ai ka vlerësuar se, Nëna Terezë është sublimim shekullor i kulturës e traditës shqiptare, nënës shqiptare dhe se shenjtërimi i saj është një përjetësim i filozofisë së saj, merr një formë institucionale dhe kanonike.

“Mbas Skenderbeut që ka fut popullin shqiptar në historinë moderne të Evropës e  të  perëndimit e të botës, Nëna Tereze e ka inkuadrur popullin shqiptar sot në universin, në botën globale të sotme që ne identifikohemi me të dhe ajo identifikohet me ne, por është edhe e gjithë njerëzimit dhe ky është ndër kontributet më të madha të Nënës Terezë, që i ka bërë kombit shqiptar, Kosovës, popullit të saj… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë”, është shprehur Presidenti Rugova.

Në punën e Shtetit, ka thënë Presidenti i Kosovës Rugova, unë gjithmonë jam frymëzuar nga vepra e madhe e dashurisë së ushtruar ndaj të afërmit nga Nënë Tereza dhe pandërprerë e kam pasur shembull e ideal timin.

“Mua më ka frymëzuar shumë gjatë kësaj kohe prej që merrem me punë edhe të Shtetit të Kosovës që e kemi formuar Shtetin  modern të Kosovës, pra po bëhen rreth 15 vite, dhe Nënën Terezë e kam pasur si një shembull të dashurisë, të paqes, të mirëkuptimit mes njerëzve, të shërbimit për popullin e vet, për kombin e vet, ka qenë edhe një ideal, një prehje”, ka theksuar Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai ka përkujtuar edhe se, në Kosovë që nga viti 1990 ka funksionuarr shoqata “Nëna Terezë” e cila ka luajtur rolin e një ministrie sociale, ministrie të shëndetësisë…

NË 26 GUSHT 2005 RUGOVA VURI GURTHEMELIN E KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Presidenca e Kosovës tradicionalisht ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare.

Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

4 SHTATOR 2016, FESTË PËR SHQIPTAREN NËNË TEREZA E SHPALLUR SHENJËTORE NGA PAPA FRANÇESKU NË VATIKAN

Në 4 Shtator 2016, në Kosovë ishte atmosferë feste për shqiptaren Nënë Tereza e shpallur atë ditë shenjëtore nga Papa Françesku në Vatikan, në meshën  e shenjtërimit  që u ndoq nëpër familje e kudo në transmetimet televizive.

Papa Françeskut në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, në Vatikan, i kanë shërber edhe diakonët e Kosovës, Don Daniell Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj.

“Ky privilegj i bukur i dy diakonëve të Ipeshkvisë sonë është një shenjë e kujdesit që Selia e Shenjtë tregon për popullin e Nënë Terezës në festën e madhe të 4 shtatorit”, theksonin në Ipeshkvinë e Kosovës.

Në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës.

Nëna Terezë u bë edhe urë lidhëse në mes të shqiptarëve dhe botës.

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të  Amerikës Bill Clinton në Qershor të vitit 2002 ka thënë: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Filed Under: Featured Tagged With: Leke e Pashko Gojcaj, Nene Tereza, President Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT