• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA-VOTA E EMIGRANTIT “PËRRALLË NGA E KALUARA”

February 1, 2017 by dgreca

– Në vend të “Ministrisë së Diasporës bëri “Samitin e Diasporës” !!!

– Shteti shqiptar, ndonëse e premtoi me “betim elektoral”, nuk krijoi Ministrinë e Diasporës, ministri që do të kishte nën kujdes një të tretën e popullsisë së Republikës së Shqipërisë në mërgim, ministri që shteti më i ri në botë, Kosova,e ka./

1 kioska e shtypit

NGA ABDURRAHIM ASHIKU/Po vijnë zgjedhjet kuvendare, katër muaj e 18 ditë kanë mbet…..Ka kohë që nuk flitet për votimin e emigrantëve… Do kohë më parë, në gojën e politikanëve të të gjitha ngjyrave artikuloheshin nota deri në shkallën më të lartë të pentagramit për “Votën e emigrantëve”, madje edhe për “Votën e diasporës” (!)
Është një refren i një kënge me iso e çifteli i dëgjuar dhe i përsëritur tash një çerek shekulli, një zë që as ka ra në veshë të hapur e as ka bërë hap përpara.
Politikës shqiptare nuk i intereson vota e emigrantëve, madje mund të them se i tremb për humbje karrigeje.
Politika shqiptare e ka parë mërgimtarin shqiptarë si lopë goja e së cilës ushqehet larg nëpër botë e gjinjtë rrjedhin qumësht në kovën e tyre. Mërgimtarët shqiptarë  në një punë tejet të lodhshme, pa dinjitet njerëzor, pa identitet civil, të harruar nga shteti, kanë mëkëmbur vendin me një përkushtim të jashtëzakonshëm atdhetar. Nuk ka gurë apo tullë në vendlindje lidhur me llaç që të mos ketë pika djerse dhe gjaku të punës së emigrantëve shqiptarë anë e kënd botës. Shteti të vetmin shqetësim për mërgimtarët në këtë çerek shekulli ka pas postimin e parave, alias remitancave, shumë e cila ka ardhur vazhdimisht në rënie derisa tash përbën shqetësim jo të vogël për rritjen e ekonomisë shqiptare.
Shteti nuk ka qenë dhe nuk është në gjendje që minimalisht në fillim të viteve shkollore tu dërgojë mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe në mërgatë thjesht abetare e jo më të njohë zyrtarisht me ligj gjuhën shqipe në mërgatë, ti regjistrojë mësueset vullnetare në amzën e Ministrisë së Arsimit, madje edhe ti paguajë për punën që bëjnë.
E gjitha kjo një detyrim kushtetues.
Shteti shqiptar, ndonëse e premtoi me “betim elektoral”, nuk krijoi Ministrinë e Diasporës, ministri që do të kishte nën kujdes një të tretën e popullsisë së Republikës së Shqipërisë në mërgim, ministri që shteti më i ri në botë, Kosova, tashmë, që në ditën e parë të krijimit, jo  thjesht e ka, por ka bërë që mërgata kosovare ta ndjejë veten më ngrohtë se sa mërgata shqiptare në akull me shtetin e vet.
Në vend të “Ministrisë së Diasporës bëri “Samitin e Diasporës” !!!
Politikanët shqiptarë, dikur, çdo natë zinin ekranet e vegjël satelitorë me një buzëqeshje të shtirur për “votën e emigrantëve” (!)
Madje, në shërbim të fjalës së tyre jepnin edhe ndonjë variant votimi “me zarfe” kostoja e të cilëve të mërdhin (!)
Dhe ndodhi pardje që heshtja të “prishet”. Evropa me zë e figurë përcolli thirrjen në adresë të shtetit shqiptarë për votimin e emigrantëve. Madje dha edhe një shifër, 2 milionë emigrantë shpërndarë në të pesë kontinentet duhet të votojnë, duhet të thonë fjalën e tyre për demokracinë, për të ardhmen e vendit të tyre…
Por shtrohet pyetja: Ku janë shqiptarët mbi 18 vjeç, të regjistruar në gjendjen civile shqiptare si banorë e njëkohësisht si votues në listat zgjedhore?
Askush nuk mund të japë jo adresë të saktë por as adresë në hava.
Një vit më parë ministri Tahiri deklaronte:
Ka një rëndësi thelbësore ky pr/ligj, pasi i jep mundësi qeverisë të njihet realisht me numrin e emigrantëve, të njihet me vendndodhjet e tyre, si edhe me problematikat që ata kanë, duke na dhënë mundësi të hartojmë politika edhe për to. Regjistri për shqiptarët që jetojnë jashtë është një hap konkret për të garantuar të drejtën e votës për ta. Ligji hedh bazat për të gjithë gamën e shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe hapin e parë për garantimin e së drejtës së votës.
Në dhjetor 2015 kryeministri Rama deklaronte: “ Me këtë projektligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh, si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësirën ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij.
Më
19 shkurt 2016 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 27 vota kundër dhe një abstenim, projektligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Në ligj thuhet: Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë detyrimin e deklarimit fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse, brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji…
”.
I botuar në gazetën zyrtare më 9 mars 2016, ligji 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” parashikonte që brenda 6 muajve nga sot të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë.
Se si duhet të regjistrohen shqiptarët në emigracion akoma nuk është e qartë. Në fakt, ligji i jep Këshillit të Ministrave 30 ditë afat nga hyrja në fuqi që të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa “autoriteteve përgjegjëse” u jepen 90 ditë nga hyrja në fuqi, që “të njoftojnë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për detyrimin e vetë deklarimit të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse”.
Në prill 2016 ministri Tahiri do tu deklaronte emigrantëve shqiptarë në Athinë  “Janë bërë shumë premtime për votën e emigrantëve nga politika, por nuk është bërë asgjë deri më sot. Ne po ndërtojmë një shtet në Shqipëri për tu shërbyer qytetarëve.”
Tash jemi në shkurt 2017, një vit pas miratimit të ligjit. Kanë kaluar 10 muaj nga dalja e ligjit në gazetën zyrtare dhe 6 muaj nga afati i deklaruar më 9 mars 2016… që brenda 6 muajve nga sot të gjithë emigrantët të japin adresat ku jetojnë.
Asnjë fjalë e shkruar në faqet zyrtare të Kryeministrisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme, faqeve të shtypit të shkruar dhe atij elektronik nuk gjendet për fushatën e regjistrimit të adresave të emigrantëve. ASNJË FJALË!
Për të qenë i sigurt pyeta në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë. Përgjigja më erdhi e prerë. As ka filluar regjistrimi dhe as ka ardhur ndonjë udhëzim për zbatimin e ligjit 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Pyes të gjithë “skuadrën politike” që flet e pëllet për “votën e emigrantit” se si mund të votojë një emigrant shqiptar kur ai nuk ka asnjë adresë ?
Për mua, emigrant në vitin e 21-të, votimi i emigrantëve nuk është gjë tjetër veçse një “përrallë nga e kaluara” nga përrallat qeveritare lëshuar në adresë të mërgimtarëve gjatë këtyre 26 vjetëve.
Mund të më thotë ndokush ndonjë fjalë më të përshtatshme?

Abdurahim Ashiku

Athinë, 1 shkurt 2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Abdurrahim Ashiku, nga e kaluara, VOTA E EMIGRANTIT “PËRRALLË

NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”

April 13, 2016 by dgreca

NUK ËSHTË “PËRRALLË NGA E KALUARA”, AJO QË MË TREGOI MIKU IM, HALIL KOPANI…/

Nga Prof.Murat Gecaj/ 

“Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë: vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar…”/ 1.Gjatë kësaj kohe, ne të dy kemi qenë “larg”, por dhe “afër”. Larg, sepse nuk jemi takuar shpesh e të rrimë bashkë, si i thonë fjalës,  as sa për një kafe, por dhe afër, pasi kemi ruajtur dashurinë e respektin e ndërsjelltë ndaj njëri-tjetrit. Nuk po e them për hërë të pare (ketë gjë e dinë mirë edhe bashkëmoshatarë të tjerë) se, kur njeriu shkon në një farë moshe, u pushtokan disa nga nostalgjitë e së shkuarës dhe dëshiron të shohë e takojë sa më shumë kolegë, miq e të njohur të viteve të fëmijërisë dhe të rinisë së tij. Sigurisht, në këtë “listë” përfshihem tani dhe unë.

Me juristin Halil Kopani më lidhin shumë “fije” të së shkuarës sonë, pra siç thotë populli, “kemi ngrënë një thes me kripë bashkë”. Në fillimet e viteve ’50-të, u takuam në mjediset e shkollës ushtarake “Skenderbej”. Unë vija nga malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ai nga ajo e Pukës. Pas mbarimit të maturës, ne shkuam përsëri të pandarë në shkollën e bashkuar të oficerëve. Por, asnjëri nuk i vuri spaletat e saj, se të dy u liruam për arsye shëndetësore. Më tej, unë ndoqa studimet e larta për gjuhë-letërsi dhe ai për jurist. Por, si për habinë tonë, përsëri i ndiqnim studimet në një ndërtesë, pra në atë të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Bile, jorrallë, i kemi bërë leksionet në një auditor ta madh, sidomos ato me karakter politik.

Jeta të merr në rrjedhën e vet dhe ti je i detyruar ta hedhësh “vallen” sipas “muzikës” së saj. Kështu ndodhi dhe me ne të dy. Shërbyem edhe në rrethet e vendlindjeve tona, por u bashkuam prapë në kryeqytetin tonë. Unë në sektorin e shtypit dhe ai në atë të drejtësisë. Gjithashtu, i vazhduam lidhjet tona miqësore. Pra, jemi takuar, kemi biseduar me njëri-tjetrin dhe kemi qarë bashkërisht hallet tona jetësore. Më kujtohet se, kur ai ishte me punë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe unë në Ministrinë e Arsimit e të KUlturës, kishim dhe një koleg të përbashkët. Ky ishte Gani Dizdari, miku im i mirë nga fshati Babinë i Malësisë së Gjakovës (Tropoja).

Jam takuar me Halilin edhe kur ai punoi në Gjykatën e Apelit të Tiranës e në Gjykatën e Lartë, si dhe në Gjykatën Kushtetuese. Që mos ta lodhi lexuesin e këtyre radhëve, shënoj këtu se, në fundin e muajit mars 2010, bëra përurimin e librit tim jetëshkrimor. Megjithëse i pamundur ca nga gjendja shëndetësore, Halili  iu përgjigj me kënaqësi ftesës sime. Bile, u kujdes dhe që të jepej njoftim për këtë veprimtari në Televizionin Shqiptar, gjë për të cilën i jam mirënjohes.

2.Tani po futem “në temë”, pra po e shpjegoj arsyen kryesore, se përse po i shkruaj këto radhë. Pasi u lidhëm paraprakisht me telefon në banesat tona,  disa vite më parë u takova përsëri me mikun e shokun tim, Halil Kopani. Në një lokal te rehatshëm, që njihet Restorant “Durrësi”, pimë bashkë nga një kafe. Siç është e natyrshme, meqenëse kishim kohë pa kuvenduar bashkë, sollëm ndërmend vitet e rinisë në shkollat ushtarake, por dhe të punës sonë, deri sa dolëm në pension. Kujtuam dhe disa shokë tanë të atyre viteve. Sigurisht, nuk lamë mënjanë as temat “e nxehta” të ditës, siç bëjnë rëndom shqiptarët, ku bisedojnë shtruar me njëri-tjetrin.

Por ajo, që dua ta ndaj me lexuesit tani, janë bisedat interesante të Halilit për fëmijërinë e tij, aty në fshatin Kabash të Pukës. Ndër të tjera, ai më tregoi se, pasi mbaroi shkollën fillore në vitet e pasçlirimit, shfaqi dëshirën ta vijonte edhe 7-vjeçaren. Po si të vepronte, pasi në fshatin e tij nuk kishte shkollë të tillë? Pasi u këshillua me të jatin, (më duket quhej Ahmet, se me këtë mbiemër e njihnim ne në shkollë, deri vonë), megjithëse fshatar i pashkollë, ai e mbështeti këtë mendim të tij. Kështu, një ditë mori udhën për në seksionin e arsimit të rrethit. Tani, Halili kujton:

“Më kishte porositur babai që të trokisja në zyrën e shefit të arsimit dhe të prisja, deri sa të fliste dikush nga brenda: -Hyr!  Ashtu veprova dhe, gjate pritjes, zemra më rrihte me forcë. Isha shumë i emocionuar! Kështu, hyra brenda dhe e parashtrova kërkesën time, pra shfaqa dëshirën ta vazhdoja shkollën 7-vjeçare, sigurisht në qytet. Mirëpo, fshati ynë ishte shumë larg dhe ende nuk kishte konvikt. Pra, sikur nuk u gjet rrugëzgjidhja. Atëherë, unë iu luta atyre, në seksionin e arsimit, që të me linin të flija në shkollë dhe kështu të ndiqja mësimet. Ishte pak  më e lehtë kjo, pasi shkolla në atë kohë funksiononte verore. Vërtet ishte diçka e pazakontë, por shefi i arsimit u bind që të strehohesha në mjediset e shkollës…”. 

Më tej, me pyetjet e mia dhe përgjigjet e mikut tim Halil, mora vesh se ai mblodhi një thes me plaçka: një lëkurë deleje, dy plafë (si batanije) leshi, disa ushqime dhe arriti në  shkollën 7-vjeçare. I vinte turp nga nxënësit e tjerë që ta shihnin ashtu ngarkuar, prandaj thesin e tij ia besoi pastrueses së shkollës, deri sa të mbaronte mësimi. Në mbrëmje, ato rroba ai i shtronte mbi bazamentin prej dërrase të tavolinës së mësuesit dhe aty flinte. Si jastek perdori trastën e librave të tij. Ndërsa, e keqja ishte se shkolla nuk kishte as roje nate, që t’ia largonte sadopak frikën. Sigurisht, Halili i vogël kaloi dhe shumë vështirësi për ushqime e tjerë.

Kështu, rodhën jo pa shqetësime: ditë, javë e muaj dhe Halili e mbaroi klasën e pestë dhe më pas të gjashtën e të shtatën. Me kërkesën e dëgës ushtarake të rrethit, atë e dërguan në shkollën ushtarake ”Skënderbej”. Sigurisht, tashmë, iu duk se kishte hyrë në një botë tjetër, ku kishte kushte të mira për fjetje, ushqim e shkollim.

Por. siç thash në hyrje të këtyre pak rradhëve nuk qe e thënë që Halili të bëhej oficer karriere, ndonëse pas shkollës së mesme ushtarake mbaroi edhe Shkollën e Lartë të Oficerave. Kështu, për shkaqe shëndetësore  e nxorën në lirim, me gradën nëntoger rezervë. Pastaj u  kthye në fshat, ku qendroi disa muaj  dhe bëri punë të rëndomta bujqësore. Ai nuk pranoi punën e ofruar nga autoritetet e kohës, magazinier në spitalin e Fushë-Arrësit, ku kishte vetëm 10 shtretër dhe me një rrogë fare të vogël. Sepse kështu dëshmohej një nënvlerësim për kohën, të shkollës së mesme, që ai kishte kryer. Ishte e njohur se, deri në atë vit (1957), vetëm 6 veta nga Puka e  kishin mbaruar arsimin e mesëm. Në vazhdim, mbas katër muajve, Halili u emrua kryereferent i zyrave të gjendjes civile, ku punoi deri sa shkoi për studime në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

3.

Duke e kaluar në “sitë” dhe jetën time, që në fëmijëri dhe në vazhdimësi, nga biseda me mikun tim Halil, përforcova një përfundim: Njeriun duhet ta shoqërojnë gjithnjë në jetë, vullneti, pasioni dhe këmbëngulja për të arritur qëllimin e dëshiruar. Nuk është fjala këtu për poste e karrierë të lartë, por për të qenë “dikushi” në jetë. …Halil Kopani po u afrohet 79 vjetëve, më 1 maj të këtij viti. Duke  sjellë në mendje, si në ekranin e një kinemaje jetën e vet, me “zik-zaket” e saj, tani ndjehet i kënaqur, kur sheh fëmijët e tij, që  kanë mbaruar shollat, janë përfshirë denjësisht në punë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Natyrshëm, ai u flet atyre dhe për udhën e jetës së  vet, sidomos për fëmijërinë e vështirë, që është një mësim i mirë, për pasardhesit e sotëm dhe ata që do të vijnë nesër.

…Ndoshta, dikujt tani, që e lexoi episodin e mësipërm për mikun tim Halil Kopani, mund t’i duket si “përrallë nga e kaluara”?! Por ja, që jeta e shqiptarëve, sidomos në malësitë tona, ka qenë aq e vështirë, sa nuk ka penë gazetari as shkrimtari, që atë ta regjistrojë të saktë në letër.

Tiranë, prill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Halil Kopani, Jo perralle, Murat Gecaj, nga e kaluara

Mesila Doda: Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare, kusht përt’u ndarë nga e kaluara

February 20, 2015 by dgreca

Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, nëpërmjet një postimit sot në statusin e saj Facebook, ka uruar të gjithë shqiptarët për 20 shkurtin dhe në veçanti bashkëmoshatarët që morën pjesë në rrezimin e sistemit diktatorial.
“Uroj që iniciativa për t’u ndarë nga e kaluara të mos nëpërkëmbet nga ata pushtetarë që me drafte paralele për hapje dosjesh pa larguar askënd nga fajtorët nga vendimarrja, synojnë të mbrojnë ish-mëkatarët e dikurshëm që sot vazhdojnë të komandojne sistemin shtetëror, sistemin politik dhe atë të drejtesisë”, u shpreh Doda.
Doda thekson se “javët e ardhshme do shohim se si pjesët politike të së kaluarës do mundohen te shpëtojne veten. Përballë kanë rreth 80% të qytetarëve dhe intelektualet e vendit dhe ato në nivele botërore që kanë depozituar peticionin për hapjen e dosjeve dhe lustracionin. Hapje gjysmake të dosjeve nuk ka dhe nuk mund të ketë. Procesi duhet të jëtë rrenjësor, i drejtë dhe i paanshëm. Procesi i dekomunistizimit do të vazhdojë. Ende një sërë draftesh që kanë në qendër dënimin e sistemit dhe mbajtjen gjallë të memorjes kombëtare po përgatiten nga shoqëria civile, studentët e dhjetorit dhe do vazhdojnë të mbështeten pa rezerva prej meje dhe gjithë deputeteve që e kanë vrarë frikën ndaj se kaluarës dhe së tashmes. Kjo është “Nisma e re”, nismë politike për dekomunizimin e shoqërisë shqiptare, për ndarjen nga krimi politik i së kaluarës dhe krimi i sotëm që vazhdon t’i veshë koracen mbrojtese krimeve të djeshme”.

Filed Under: Opinion Tagged With: kusht përt’u ndarë, Mesila Doda: Dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare, nga e kaluara

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT