• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DEMOKRACIA NUK PRET”, LIBER NGA FRANK SHKRELI

March 30, 2017 by dgreca

   2-Frank-shkreli-2-300x183-11 Libri Frank Shkreli1 TELEGRAF

Ky është titulli i librit të ri nga Frank Shkreli, një përmbledhje e disa artikujve subjektesh të ndryshme, të botuar në gazeta dhe portale në Shqipëri, në Kosovë, në trojet tjera shqiptare dhe në diasporë.  Ky vëllim përmban vetëm rreth 10% të shkrimeve të 10-viteve të fundit të autorit, me shpresë se në vëllimet e ardhëshme do të mund të përfshihen një numër më i madh shkrimesh të përzgjedhura nga më shumë se 800 artikujve të shkruar e të botuar deri tani.

Për sponsorizimin e botimit të këtij vëllimi falënderoj nga zemra gazetën Telegraf në Tiranë, por mbi të gjithë u jam mirënjohës lexuesve që i kanë ndjekur besnikërisht shkrimet e mia gjatë viteve.  Dëshiroj gjithashtu të falënderoj edhe miqtë e mi që patën mirësinë të shkruajnë parathënjet që vijojnë, të librit “Demokracia nuk pret”, Profesor Sami Repishtin, Dr. Elez Biberajn dhe Simon Mirakaj.  U jam mirënjohës gjithashtu për fjalët e tyre fisnike, të shprehura me rastin e botimit të librit, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Alfred Mosiut, Dr. Halim Kosovës, si dhe drejtuesve të gazetës Telegraf, botuesit, Z. Agim Çirakut dhe Drejtorit Ëngjëll Musait.

    KANË THËNË PËR LIBRIN: 

48-repishti-300x212

   PARATHËNJE NGA PROFESOR SAMI REPISHTI PËR LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET”

Paraqitja në publik me këte vëllim të gazetarit, transmetuesit të programeve radio-televizive dhe analistit politik shqiptaro-amerikan, Frank Gjeto Shkreli ashtë nji eveniment me randësi për botën kulturore shqiptare, dhe sidomos për shqiptaro-amerikanët, qoftë për materialin që kemi para nesh, qoftë për autorin që e përgatiti.   Frank Shkreli, i lindun në nji fshat të zonës së Ulqinit (ish Jugosllavi), njihet në mesin tonë si nji i ri me nji të ardhme premtuese që në fillim. Me 1969, emigroi në Itali dhe ma vonë në Shtetet e Bashkueme me familjen e tij. Ai ashtë nji shembull i dhimbshëm i turmave shqiptare që u detyruen me u largue nga trojet e veta stërgjyshore e me marrë rrugët e mërgimit – të ‘kurbetit’ të mallkuem!  –  të breznive të mapareshme.  Familja e tij ka qenë viktimë e ngjarjeve të randa e shpesh herë shkatërrimtare të jetës në vendin e lindjes – lëvizje e çvendosje të imponueme nga jeta e veshtirë e trazimet akoma ma të vështira. Kjo e kalueme ka lanë gjurmët e pashlyeshme në mendjen e tij.

Me origjinë nga “bajraku” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër, krahinë e njohun për qëndresën e banorëve të saj në përpjekje me mbrojtë votrat e tyne, familjet, tokët që e ushqejshin, burrat e Shkrelit u vranë, u sakatuen, u dërmuen nga kamba shtypëse e agresionit sllav sa herë që gjendja ndërkombëtare trazonte jetën paqësore të banorëve fatzez, dhe sa herë që sundimtari i huej – sidomos halldupi i Anadollit që e shtypi për pesë shekuj të gjatë, kalonte nepër ato vise “mik i paftuem” ose “anmik i luftuem”, e mizor për natyrën e tij.  Mbas ikjes tij, Shkreli filloi nji jetë ma të qetë, kur malsori nuk u vra ma me urdhën të “pashës” e të sejmenëve të tij; toka nuk u zaptue nga “spahijtë” e “jeniçerët” dhe kur femia u rrit pa përjetue lufta e ekspedita ndëshkimore. Por, vetëm për nji kohë të shkurtë!

Me 1939, erdhi pushtuesi italian, e i hueji u dynd me ushtri, “mik i paftuem!” Përleshjet gjakesore u rritën çdo ditë me humbje jetë, e pasunie. Kur i hueji u largue me turp, e pritej dita e lirisë e shpëtimit, fati e deshti që Shqipëria të bie nën kambën e Moskovit sllav, pa kondita, pa rezerva.

Nji valë urrejtje mbuloi vendin e në Shkrelin e Frankut u vranë burrat, u internuen gratë e femijtë, u dogjën shtëpitë, e arat e bukës mbeten shkret ose u banë pronë kolektive e shtetnore…! Uria u ba “buka e përditëshme” terrori zëvendsoi qetësinë e vendit e vrau qytetarin kudo që ai e kundërshtoi. Legjone të tana u lëshuen pa mëshirë mbi kurriz të nji popullsie që nuk gjeti shteg tjetër veçse rrugen e mërgimit, largimin nga shtëpia, katundi, bajraku e atdheu i dhunuem. “Refugjatë” pa dëshirë, të padëshiruem, shpesh të përbuzun, turmat e çveshuna e të urituna, morën rrugët e botës që nuk njihshin në kërkim të nji jete te re- që zakonisht as kënaqë as lehtëson! Frank Gjeto Shkreli e familja e tij përfunduen në kampe refugjatësh të Italisë dhe ma vonë arritën në New York Ciy, SHBA, ku Franku, djal i ri, u gjet para nji situate të re, të panjohun, por që premtonte nji të ardhme ma të mirë. Dhe ashtu doli!

Baba Gjeto, nana Mrikë, vllau dhe dy motrat që e shoqnojshin i u vunë punës në vendin e ri, me hov të ri, e shpresa të mëdha qe fatmirësisht nuk i zhgënjyen. Franku nuk u shkurajue! Punë e arsim: dy mjetet ma efektive për sukses, u banë të dy krahët e fortë që e ngritën në sferat ma të nalta të shoqënisë së re amerikane që Franku përqafoi, përkrahu dhe shërbeu me pasion dhe aftësi shembullore.  Frank Gjeto.Shkreli ashtë pa dyshim shëmbulltyra e “refugjatit endacak” qe “…andërronte me qenë i lirë!” simbas premtimit të zonjes “Liberty!” – dhe që arriti me sukses me qenë i lirë, dhe me punue për lirinë e të tjereve, në vendet ku Liria u quejt krim dhe u dënue randë….!

Kontaktet e para, Franku, besimtar me bindje, i mori me klerikët katolikë shqiptarë ne New York City.  Aty gjeti këshillin e fjalën e mirë. Aty gjeti prehjen shpirtënore ne Kishën Katolike Shqiptare dhe në qëndrat e veprimit katolik.  Franku gjeti përsëri familjen e madhe që humbi në Shqiperi, e përqafoi dhe e ndihmoi me aftesitë e tij si editor i revistës “Jeta katolike”.  Studimet e bame në Kroaci në kolegje katolike, studimet e klasikëve, dhe religjion e filozofi, dhanë frytet e para. Frank Gjeto Shkreli fitoi mendjet dhe zemrat e lexuesve!

Viktimë e terrorit komunist pyeste veten: “Si ashtë e mundun që njeriu të damtojë njeriun, vlla e motër, kështu?”  Me ndihmue këte të mjerë, të shtypun, të vorfën, u ba “leitmotivi” i djaloshit Frank. Duhej arsimi. Franku filloi kurset në kolegjet e Hunter-it dhe Lehman-it të New York City-s, dhe u shque me shkrimet e tia në bultinin kolegjor “Meridian” kryesisht me kritikat e tia per rregjimin komunist. I inkurajuem, ai themeloi “The Albanian Youth in Exile” dhe e transformoi atë në nji tribunë të hapun për të rinjtë.

Ne vitin 1974, ai mori kontakt me “Zeri i Amerikes”, ”a life changing opportunity” si e quen ai.  Atëherë, fati i parë pruni të dytin: fejesen me zonjushen 19-vjeçare Victoria Markgjonaj, vajzë e nji familje katolike anti-komuniste që kishte njohë të gjitha peripecitë e mërgimit të dhunëshëm në Shqipëri dhe ish-Jugosllavinë. Franku e quejti “most lucky moment!” dhe ashtu doli!  Tashti me familje dhe i punësuem në administratën amerikane, i paisun edhe me arsim të naltë pranë George Washington University (Washington,DC.) Franku ishte i përgatitun për punën që i kërkohej. Hap mbas hapi ai u ngjit në shkallët ma të nalta te USIA (Information Agency).  Nga folësi në radio ma parë, dhe në TV ma vonë, ai u ba editor, prodhues programi, dhe përgatitës i programit shqip në “Zëri i Amerikës”, si dhe për programet botënore të kësaj agjensie. Tani, ai i dedikoi jetën profesionale administrimit dhe mbikeqyrjes së programeve në fushën e transmetimeve ndërkombëtare, në bashkëpunim me qindëra gazetarë nga Europa e kontinente tjera. Numri i bashkëpunetorëve të tij arriti shifren 250 persona të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Ai ka qenë drejtor, nën-drejtor, këshilltar në nivele të ndryshme te USIA. Roli i tij ka qenë veçanërisht i randësishëm, dhe i çmuem gjatë periudhes se Luftës së Ftohët dhe vitet e luftës në Ballkan (1991-1999) që perfshinë edhe vitet e agresionit millosheviqian në Kosovë. Tue folë për plotësimin e pikësynimeve strategjike dhe objektivave të detyrës se tij, ai shprehet: ”Jam shumë krenar për shërbimet e mia në Administratën Amerikane!” Ka qenë gjatë kesajë periudhe që Frank Gj. Shkreli zgjanoi me sukses programet e Zërit të Amerikës për Europën Qendrore dhe atë të programit shqip. Njikohësisht, ai trasformoi me sukses programet trasmetuese radiofonike në atë televizive që kemi sot.

Për nji reformim ma të plotë, gjatë luftës ballkanike të viteve 90-ta ai hapi programet për Bosnjen dhe Maqedoninë. Kjo ka qenë periudha kur nji grup i kufizuem udheheqsish serbë treguen kriminalitetin e tyne të papërmbajtun për asgjasimin e bosniakëve dhe shqiptarëve të Kosovës. “Lajmet ma të besueshme janë dhanë nga “Zeri i Amerikës”.   Nuk ka dyshim se kontributi i dhanun nga USIA – e posaçërisht nga “Zeri i Amerikës” ka qenë esencial për rrëzimin e sistemit komunist në Bashkimin Sovietik dhe Europen lindore. Gjatë kësaj periudhe Franku ka qenë i angazhuem thellësisht në çdo vendim-marrje të veprimtarive të “Zërit të Amerikës” për Bashkimin Sovjetik dhe Europën lindore- si drejtues i Drejtorisë për Euro-Azinë pranë USIA.

Mbas nji karriere të admirueshme, e shërbimi shembullor, ne vitin 2003, Franku doli ne pension. Por ai mbeti aktiv, me konsultime dhe me shkrime ne organet të ndryshme. Ma vonë, 2005-2007, ai u emnue drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizata ma efektive e lobimit në Washington, D.C.. Njohës i mirë i kryeqytetit amerikan, ai përdori të gjithë burimet e tia me shërbye kauzën e shqiptarëve – kudo në Ballkan- me aftësi e pasion të veçantë.

Gjatë shërbimit e tij, Frank Gj. Shkreli ka qenë edhe përkthyes, interpretues, pranë Departmentit të Shtetit, Departmentit të Mbrojtjes, Bankes Botënore, Fondit Monetar Ndërkombetar, Departmentit të Drejtesise, të Thesarit e tjera institucione të qeverisë amerikane. Në mirënjohje për veprimtarinë e tij të dallueme, ai fitoi dekoratën “Thomas Jefferson Fellowship Award” të dhanë nga USIA.

Nga pikëpamja emocionale, dekorata ma e prekshme per Frankun ka qenë titulli “Qytetar nderi” i Shkrelit, Malësi e Madhe, Shkodër (Shqipëri)…”dekorata ma e çmueshme”.  Simbas tij, “nuk ka nderim ma të madh se ky dekorim”, u shpreh ai.

E gjithë veprimtaria e Frank Gj. Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga disa ide qendrore, si bosht i filozofisë së jetës tij.  Besimi në Zotin dhe besnikeria per Kishën Katolike Apostolike Romane Shqiptare zanë vendin e parë.  Binomi “Fe e Atdhe” i trashiguem nga popullsia katolike shqiptare që në kohët ma të vjetra, e sidomos që në ditet e lavdishme të epokës skenderbegiane, ashtë frymëzimi i tij.  I dyti, dhe i pandashëm, ashtë shërbimi për Atdheun – në rastin e tij: Shqipëria dhe Amerika. E treta, ashtë nji përpjekje koshiente dhe konstante me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri dhe kudo që ajo paraqitet. Dhe këte e ka ba me bindje absolute!

E kaluemja e Frank Gjeto Shkelit në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish Jugoslavinë, tragjedia e popullit shqiptar sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive, poshtënimi i psuem si “shqiptar” në nji shtet sllav, kanë lanë gjurmët e tyne të thella tek i riu Frank dhe nuk janë sherue asnji herë…!   Ato janë “lehtësue” me veprimtarinë e tij në luftë me padrejtësitë e jetueme, me veshtirsitë e kalueme dhe kjo “frymë”lexohet në çdo rresht që ai ka shkrue, në çdo fjalë që ai ka folë, në jetën private dhe atë publike, me zanin e tij të fuqishëm  e me pendën e tij të fortë.

Frank Gjeto Shkreli ka qenë dhe mbetet përherë nji figurë e plotë e veprimtarit që ka punue dhe akoma punon, si nji misionar!

Ridgefield, CT. USA                                          Sami Repishti, Ph.D.

Pedagog në pension

PARATHËNIE NGA DR. ELEZ BIBERAJ PËR LIBRIN “DEMOKRACIA NUK PRET”

Elez-Biberaj-210x160

Frank Shkreli është një gazetar me përvojë të gjatë, me një karrierë të shkëlqyer 30 vjeçare në Zërin e Amerikës. Ai është shquar si një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit, një luftëtar i paepur në kërkim të së vërtetës, dhe nxitës i përhershëm i demokracisë në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e tjera të banuara nga shqiptarë. Franku ka arritur të gjejë një këndvështrim të veçantë, duke u paraqitur lexuesve të tij analiza objektive dhe të thella për shumë çështje të rëndësishme, që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur në shtypin vendor. Duke iu drejtuar shqiptarëve nga një këndveshtrim amerikan, ai pasqyron në mënyrë origjinale debatet dhe shqetësimet e politikanëve, zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë mbi zhvillimet në Ballkan, si dhe të sfidave me të cilat shqiptarët dhe fqinjët e tyre ndeshen në rrugën e vështirë drejt integrimit Euro-Atlantik dhe konsolidimit të rendit demokratik. Një këndvështrim i tillë është edhe më i rëndësishëm sot, pas prirjeve autoritare në ngritje dhe përpjekjeve agresive të Rusisë për të zgjeruar ndikimin politik dhe mediatik në Ballkan, që synon të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të brishta ballkanike.

Shkrimet e Frankut karakterizohen nga një ndjeshmëri e veçantë.  Ai është i shqetësuar për zhvillimet negative në trojet shqiptare – polarizimin politik në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, korrupsionin e përhapur kudo, dhe mungesen e mundësive të barabarta ekonomike.  Por gjithsesi ai është optimist se shqiptarët do të bëjnë zgjedhjet e duhura që në fund të fundit, do t’i ndihmojnë të realizojnë potencialin demokratik, për ta lidhur kombin e tyre në mënyrë të pazgjidhshme me familjen e shoqërive demokratike.

Me këtë përmbledhje të përzgjedhur me kujdes, të veçantë, dhe bindëse, Franku jep një ndihmësë të rëndësishme në debatin politik dhe mediatik shqiptar. Libri i tij do të jetë një burim i pazëvendësueshëm për gazetarët, studentët, dijetarët dhe politikanët.

Dr. Elez Biberaj

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë

Zëri i Amerikës

Uashington

SIMON MIRAKAJ: PARATHËNJE E LIBRIT “DEMOKRACIA NUK PRET”

1 simon mirakaj

Frank Shkrelit — edhe pse larg Atdheut të tij të izoluar nga bota e qytetëruar dhe e lirë — zemra dhe mendja i rrahin dhe nuk e ndalin punën për vendin e tij “të zënë rob” nga diktatura komuniste. Zëri i tij tek Zëri i Amerikës të jepte pakëz dritë dhe shpresë në atë pus të errët dhe të pafundmë në Shqipëri.  Nuk ishin të pakët ata që vraponin për të kapur orën e 8 e 30 minuta, se çfarë do na thoshte Frank Shkreli, Elez Biberaj, Idriz Lamaj e tjerë.  Ishte ai za, ushqimi ma i mirë për ne mbas një pune tmerrësisht të lodhshme e të pasigurisë së ekzistencës tonë. Kontributi i Franit, i këtij personaliteti të diasporës shqiptare është shumë i madh, si në shëmbjen e  komunizmit, po ashtu edhe në pavarësinë e Kosovës.  Me shkrimet e tij, që përçohen nga fryma kombëtare, ai sensibilizoi kancelaritë ndërkombëtare për gjenocidin serb në Kosovë. Tani Frani është prezent në shtypin e shkruar dhe pikërisht te gazeta “Telegraf”.  Për vlerat kombëtare të tij, Komuna e Shkrelit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë e bëri “Qytetarë Nderi” të komunës.  Unë, si lexues, i rregullt, por edhe si mik i familjes ndihem krenar për kontributin e Franit, për çështjet e ndryshme kombëtare. Me këtë rast i uroj shëndet dhe si gjithmonë e falënderoj për kontributin e tij për shtresën e ish-të përndjekurve politikë!

Simon Miraka,

Kryetar i Shoqatës Anti-Komuniste të ish-përndjekurve politikë

 

Filed Under: Analiza Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", liber, Nga Frank Shkreli

NJË LIBËR I RI MBI KOSOVËN

March 7, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Qëndra Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Washington, në një ftesë elektronike njofton se javën e ardhëshme me 11 Mars do të sponsorizoi promovimin e një libri të ri mbi Kosovën me titull: “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, me autor Profesor Elton Skendaj. Profesori Skendaj jep mësim në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit Miami, në Florida të Shteteve të Bashkuara. Në biografinë e tij thuhet se ai kryesisht përqendron kërkimet dhe studimet e tija akademike mbi faktin se si aktorët ndërkombëtarë — siç është rasti i Kosovës – mund të ruajnë dhe të ndërtojnë paqën dhe demokracinë në shoqëritë e pas luftës. Në librin e tij, i cili do të promovohet të mërkurën që vjen në Qëndrën Ndërkombëtare të Studimeve Woodrow Wilson në kryeqytetin amerikan, Profesori Skendaj thuhet se shqyrton rolin e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë në krijimin e burokracive shtetërore dhe të institucioneve demokratike në Kosovën e pas luftës.
Profesori Skendaj — përveç këtij libri që është botuar nga (Cornell University Press and Woodrow Wilson Center Press, 2014) ka kontribuar disa kapituj në libra të ndryshëm të botuar — ka botuar artikuj në revista siç janë Global Governance dhe Problems of Post-communism. Dr. Skendaj, si pjesë e punës së tij akademike, ai është duke bërë gjithashtu edhe hulumtime shkencore mbi korrupsionin dhe mbi reformat anti-korrupsion në vendet e Ballkanit Perëndimor, projekt ky që thuhet se po financohet nga Këshilli Norvegjez i Hulumtimeve. Dr. Skendaj ka marrë doktoraturën nga Universiteti i njohur amerikan Cornell dhe ka punuar me një numër organizatash ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit nga Qëndra Woodrow Wilson, Dr. Elton Skendaj do të paraqesë për të interesuarit, librin e tij të ri mbi Kosovën bazuar në gjurmimet që ai ka bërë në atë vend gjatë një periudhe prej 10-muajsh. Për të arritur në përfundimin se cilat, sipas tij, janë ndërhyrjet nga aktorët ndërkombëtarë që çojnë në sukses ose në dështimin e krijimit të institucioneve të një shteti të ri siç është Kosova, Profesori Skendaj ka përdorur të dhënat zyrtare, analizat dhe informacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe intervista individuale dhe forume grupesh të ndryshme anë e mbanë vendit. Sipas njoftimit, në librin e tijtë sa po botuar, Profesori Skendaj ka arritur në disa rezultate të papritura, të cilat ai do t’I paraqesë për diskutim javën që vjen në Washington, gjatë promovimit të librit të tij, “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, një libër ky i cili thuhet se ve në dukje dhe diskuton përpjekjet e shtetit të ri të Kosovës për krijimin e një force policore, organizimit të qeverisë qëndrore, të gjykatave dhe të shërbimit doganor.
Sipas njoftimit, në studimin e tij, Dr. Skendaj pohon se administrata qendrore dhe gjykatat, të cilat janë themeluar nën autoritetin vendas, kanë rënë pre e korrupsionit, duke sfiduar në këtë mënyrë premisën se në përgjithësi në raste të tilla, vendorët janë më të aftë të drejtojnë punët dhe të qeverisin më mirë se organet ndërkombtare, dhe të sigurinte një qeverisje më efektive nga burokracitë e ndryshme shtetëtore dhe qeveritare të Kosovës. Ndërsa ndërkombëtarët fajësohen, sipas njoftimit mbi promovimin e librit të profesor Skendaj, “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, se me disa vendime që kanë marrë gjatë viteve, aktorët e ndryshëm ndërkombëtarë gjatë këtij procesi, kanë minuar mundësinë e publikut të Kosovës për të mbajtur përgjegjës për punën e tyre, zyrtarët e zgjedhur të institucioneve ndryshme të shtetit të Kosovës.
Libri “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike” i Dr. Elton Skendaj është vlerësuar nga akademikë amerikanë si profesori Alex Gridoriescu i Universitetit Lojola në Çikago, i cili e ka cilësuar atë, “si një libër që ofron një mirëkuptim të masave që duhen marrë për shtetbërjen dhe ofron gjithashtu mësime praktike por të rëndësishme për aktorët ndërkombëtarë që janë të angazhuar në përpjekje të tilla.” Ndërkohë që profesori Aidan Hehir i Universitetit Westminster ka vlerësuar veprën e Dr. Skendajt si një, “Libër të shkruar dhe të hulumtuar shumë mirë, e në të cilin i ofrohen lexuesit hipoteza bindëse mbi nevojën se si — gjatë procesit të shtetbërjes — duhet të mënjanohen disa aspekte të punës së burokracisë duke i izoluar ato nga veprimtaritë politike të ditës”.

Filed Under: Kulture Tagged With: MBI KOSOVËN, Nga Frank Shkreli, nje liber i ri

HARRESA E FAN NOLIT

June 13, 2014 by dgreca

Harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vetë/
NGA FRANK SHKRELI/
Muajin e kaluar u shënjtërua kisha ortodokse shqiptare, “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë ku ishin ftuar shumë udhëheqës botërorë të Kishës Ortodokse dhe ku ishin të pranishëm edhe udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Kjo ishte një ngjarje me rëndësi jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për Shqipërinë. Dhe si e tillë, megjithëse unë ndoshta nuk e kam ndjekur mirë situatën dhe mbase mund të jem gabim, por m’u duk sikur nuk dëgjova të jetë përmendur shumë emëri i Fan Nolit — arkitektit dhe themeluesit të autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Thashë me vete, deklaratat fyese anti-shqiptare të kryepeshkopit serb Irinej në Tiranë ishin tepër të rënda për çdo shqiptar, por “harresa” e Fan Nolit gjatë një ceremonie kaq të rëndësishme për Kishën që ai ka themeluar vet, është e pafalshme.
Harresa zyrtare ndaj rolit që ka luajtur Fan Noli në jetën fetare, politike dhe kulturore të kombit — si kishtar dhe si politikan – nuk ishte e para ndaj tij dhe as ndaj personaliteteve të tjera të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Përballë kësaj atmosfere gjatë shënjtërimit të Kishës Ortodokse në Tiranë, ku me qëllim ose pa qëllim, siç duket u hodhë në harresë roli fetar dhe kombëtar i themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, gati si në hakmarrje fillova të lexoja mbi jetën dhe veprën e Fan Nolit, kështuqë ditët e fundit më ra rasti të lexoj një artikull të gjatë, që kishte shkruar Profesor Arshi Pipa në revistën “Kritika”, më 1944 në Tiranë, revistë kjo që botohej dhe drejtohej prej tij. Artikulli, që më vonë u botua edhe në gazetën “Shqiptari i Lirë” e Komitetit Shqipëria e Lirë në New York, mban titullin, “Fan Noli: Bariu i Popullit”. Si rrjedhim, mendova se ia vlenë që të ndajë disa shënime mbi këtë vlersim të lartë që i bëhet Nolit nga Arshi Pipa, për lexuesit që ndoshta nuk kanë patur rast ta kenë lexuar më parë.
Siç duket, Arshi Pipa i mërzitur nga harresa e deri atëhershme ndaj figurës kombëtare të Nolit u detyrua të shkruante artikullin, sepse sipas tij, figura e Fan Nolit deri atëherë ishte lënë “në heshtje të pameritueme”. Ai e cilëson Nolin si njërin “prej të mëdhëjve tanë, një personalitet politiko-fetar”. “Ai është një përfaqsues i kombit në kuptimin e vërtetë të fjalës”, shkruante Arshi Pipa më 1944.
Duke e quajtur Nolin, “Bari i Popullit”, Profesor Pipa vlerësonte se karakteristikë e fjalimeve dhe të shkrimeve të prelatit shqiptar “është gjithmonë ideali humanitar dhe kombëtar i Fan Nolit” dhe vazhdon duke thënë se, “Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: Atdhe e Njerëzim. Më parë Atdheu!”
Për të bindur lexuesin se roli i Nolit në jetën politike dhe fetare të Shqipërisë nuk duhej qitur në harresë dhe për të pasqyruar njëkohsisht edhe atdhetarizmin e Fan Nolit, Arshi Pipa nxjerrë një paragraf nga një fjalim që Noli kishte mbajtur më 1911 në Amerikë, në një kohë kur, siç thotë ai, nuk kishte Shqipëri, por kishte shqiptarë. “Shqipëria kërkon luftarë. Le të rendim te thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq në flagë të luftës që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shënjtë i Lirisë dhe të vdesim dyke thirrur: Rroftë Shqipëria”. Ishte kjo thirrja e Nolit drejtuar bashkatdhetarve të vet në mërgim më 1911, për t’i shkuar në ndihmë Shqipërisë.
Pipa shkruan se njeriu njihet nga idetë dhe nga ndjenjat e tija dhe shton se idetë e Fan Nolit, mbi disa prej problemeve njerëzore më të rëndësishme, siç janë feja, kombi, qeverisja, janë çështje që Noli i kuptonte shumë mirë”, thotë Profesor Pipa. Noli, shkruan ai, e kishte kuptuar se, “Feja dhe kombësia nuk janë dy ide që përjashtojnë njëra tjetrën. Mjaftë që e para t’i përshtatet së dytës. Feja përfshihet kështu tek kombi, si një rreth më i vogël, në një rreth më të madh…në atdheun shqiptar që i përmbledhë, jo ma si rrathë të dalluem, por si tri unaza të lidhura bashkë me një nye trefish, të pakëputshëm, në mes”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa, në vlerësimin e tij në lidhje me idetë e Nolit përsa i përket kombit dhe rolit që duhet të luajnë fetë në një shoqëri.
Në artikullin e tij, kundër heshtjes dhe harresës së rolit që ka luajtur Fan Noli në historinë e kishtare dhe kombëtare të Shqipërisë, të shkruar 70-jetë më parë në revistën “Kritika” që ai vet botonte në Tiranë — në lidhje me problemet në relacionet komb-fe, — Arshi Pipa citon Nolin të ketë thënë se, “U muar vesh më së fundi se mjerimi ynë s’ish aq në ndryshimin fetar (midis nesh), se sa ndër krerët fetarë të huaj dhe për ata që vepronin si vegla të tyre të vërbëra.” Për hir të fesë nuk ndrrohet kombësia, shkruan Pipa dhe vazhdon të citojë Nolin i cili ka thënë se, “Njeriu mund të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë kombësinë e tij, pa venë në ball një vulë prej tradhëtari”, ka deklaruar Bariu i Popullit, Fan Noli
Arshi Pipa shkruan mbi Fan Nolin-Bariun e Popullit, duke komentuar se, “Feja për Nolin ishte një funksion i kombësisë.” Sipas tij, “Noli u bë prift pse ashtu e donte dobija e atdheut”. Ndërsa në lidhje me gjëndjen aktuale politike të kohës, të cilën Pipa e cilësonte si “lëngatën e vazhdueshme të këtij vendi të vuajtun”, ai e citon Nolin ta ketë përshkruar anarkinë politike të atëhershme duke thënë se, “Këtu, brenda një dite, si me magji – tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar.”
Vazhdon artikullin Arshi Pipa duke cituar nga kushtrimi i Nolit drejtuar shqiptarëve të Amerikës më 1911, në të cilin ai u bënte thirrje atyre të ndihmonin atdhetarët që kishin marrë pushkën kundër pushtuesit turk, “plot sulm e flakë baroti”, duke kritikuar gjithashtu edhe ato që ai quan si “injorancën, mungesën e kulturës dhe mungesën e ‘fundit moral’, siç e quajti Noli. Ndërsa bën pyetje se, “Cili është morali i një kombi? Cila është ajo gjë e cila e bën një komb të rrojë? Është ideja e madhështisë së tij”, përgjigjet Noli, por vijon duke paralajmëruar se, “Ne nuk njohim historinë, traditat tona, për të pasur një ndjenjë të fortë kombësie”, dhe shton se, “madje vet emëri i Skënderbeut ishte i panjohur për ne”, citohet Noli në artikullin e Arshi Pipës. Noli inkurajon bashkatdhetarët në Amerikë se edhe kombi shqiptar ka heronjë siç ka Amerika, Washingtonin dhe përmend Isa Boletinin dhe Marash Ucin, duke shtuar se lufta dhe fitoret e shqiptarëve nuk janë aspak më të vogëla se ato të heroit amerikan, por thekson Noli, ata nuk njihen sepse “nuk ka pasë historianë që t’i shpallte, poetë që t’i këndonte: Shqiptarë që t’i lexojshin…”.
Në artikullin e tij të botuar shtatë dekada më parë, përveçse ve në dukje atdhedashurinë e flakët të Nolit, Arshi Pipa shkruan edhe për “mendësinë e tij ndriçuese, tipikisht humaniste” dhe në mbështetje të kësaj citon nga fjalimin që Fan Noli kishte mbajtur në Korçë më 1923, ku kishte shkuar për të biseduar me korçarët për mënyrën e qeverisjes. Pipa shkruan se Noli u drejtohet korçarëve në mënyrë të paqët, me një bisedë miqësore, të matur e të arsyeshme duke thënë se: “Kam ardhur për herën e dytë në qytetin tuaj të bukur, me gëzim të math që të këmbejmë mendimet mbi çështjen e Kuvendit Themeltar. Kam ardhur të shoh miqë të vjetër dhe të fitonj miq të rinj. Po këtë herë, jo me bekime në të cilat populli përgjigjet amen, por me proponime dhe mendime të cilat do t’ju ftonj t’i peshoni, t’i pëlqeni e t’i vazhdoni.”
Arshi Pipa e cilëson këtë deklaratë të Nolit, si fjalët e një njeriu të ndershëm i cili nuk dëshiron të përfitojë nga petku i tij fetar për të terhequr turmat. “Flet politikani, heshtë kishtari – feja që bëhet vegël e politikës humbë dinjitetin e vet”, shkruante Arshi Pipa në revistën e tij “Kritika” në Tiranën e vitit 1944, duke shtuar se, “Noli ashtë në politikë sikurse në fe: kundër fanaticizmit, kundër demagogjisë: liberal e tolerant gjithmonë.” Arshi Pipa shprehet në shkrimin dedikuar Fan Nolit 70-vjetë më pare, se “historia, shpeshëherë na duket si shumë e verbët, shumë e egër”, sikur don të na thotë se historia nuk e ka trajtuar drejtë Fan Nolin, dhe e përfundon artikullin e tij duke thënë se, “Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të nalta njerëzore. Ata, që ma tepër e kanë dashtë njerzinë, ata janë kryqëzue prej saj”, ka thënë Arshi Pipa, në vlerësimin e rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit në artikullin me titull “Bariu i Popullit”, në numrin 4 të revistës “Kritika” të viti 1944, të drejtuar prej tij.
Fatkeqsisht, duket se kjo hipokrizi për të cilën shkruante Arshi Pipa 70-vjetë më parë vazhdon të mashtrojë edhe sot idealet më të larta njerëzore, politike dhe fetare dhe të shtrembërojë dhe të mohojë historinë. Anashkalimi, ose siç shkruante Arshi Pipa më 1944, “heshtja e pameritueme” ndaj rolit fetar dhe atdhetar të Fan Nolit duket se u zbatua edhe gjatë ceremonisë së shënjtërimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Tiranë, kohët e fundit. Kushdo qofshin ata që e hodhën në heshtje prelatin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse shqiptare, oratorin, diplomatin, letrarin, poetin, muzikologun — Fan Nolit nuk ia ulin as meritat fetare dhe as ato atdhetare dhe as nuk mund t’ia humbin shkëlqësimin e tyre të denjë, as para popullit shqiptar as para botës. Fan Noli mbetet njëri prej viganëve të Rilindjes kombëtare të shqiptarëve, i cili me vetitë e tija të rralla u përpoq dhe kontriboi me sa kishte mundësi për Kishën e vet, të cilën ai themeloi si dhe për Atdheun, për të cilin megjithse në mërgim, jetoi dhe punoi pa kursim. Për këtë, Fan Noli meriton ndër shekuj mirënjohjen, jo vetëm të Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe të mbarë kombit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Harresa e Fan Nolit, Nga Frank Shkreli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT