Gjatë qëndrimit në New York, ministri Hoxhaj ka takuar përfaqësuesit e më shumë se 15 shteteve të akredituara pranë OKB-së me agjendë lobimi dhe anëtarësimi në organizata/
NEW YORK, 2 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar takimet me diplomatë në New York. Përveç takimeve me përfaqësues të shteteve që e kanë njohur pavarësinë, ministri Hoxhaj ka takuar edhe diplomatë të shteteve që nuk e kanë pranuar ende pavarësinë e Kosovës.Në takime me përfaqësuesen e Greqisë, Catherina Boura, me ambasadorin e Izraelit, Danny Danon, të Sudanit Jugor, Joseph Moum Majak Ngor, të Singaporit, Karen Tan, kryediplomati Hoxhaj ka shtruar çështjen e njohjes dhe nevojën që këto vende t’i bashkohen listës prej 111 shteteve që e kanë marrë këtë vendim.
“Ka një gatishmëri në rritje të shteteve hezituese për ta njohur Kosovën. Duhet të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim. Njohjet nga Greqia dhe Izraeli do të ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën në shumë drejtime pasi të dyja vendet kanë ndikim dhe shtrirje të ndryshme gjeografike”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka takuar edhe ambasadorin e Francës, François Delattre, të Italisë, Sebastiano Cardi dhe Finlandës, Kai Sauer, të cilëve u ka kërkuar të përdorin ndikimin e tyre tek vendet mosnjohëse. Temë qendrore e diskutimit ka qenë koordinimi me partnerët ndërkombëtar i anëtarësimit në disa organizata me rëndësi ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në New York, ministri Hoxhaj ka takuar përfaqësuesit e më shumë se 15 shteteve të akredituara pranë OKB-së me agjendë lobimi dhe anëtarësimi në organizata./b.j/