INTERVISTA/ Flet Prof. Selman Sheme: Kongresi i Lushnjes mbetet ngjarja më e rëndësishme në formimin dhe rimëkëmbjen e shtetit shqiptar/
– Një Shqipëri e pavarur me kufijtë e saj etnografik dhe natyror/
– Shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tuf delesh e të bëhen plaçkë/
Albert Z. ZHOLI/
Këto ditë mbushen 98- vjet nga mbajtja e Kongresit të Lushnjës, që njihet si një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kombit tonë. I mbledhur në mbarim të Luftës së Parë Botërore, në një periudhë kritike kur popullit shqiptarë i kanoseshin rreziqe të mëdha, me Kongresin e Lushnjës u vunë themelet e bashkimit të popullit shqiptar për sigurimin e tërësisë tokësore dhe shpëtimin e vendit nga copëtimi dhe aneksimi nga shtetet fqinje.
-Profesor, cilat ishin situatat dhe kushtet politiko-ekonomike në rajon në kohën që u mblodh Kongresi i Lushnjës?
Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, forcat ushtarake të huaja vazhdonin të mbanin të pushtuar pjesë të territorit shqiptar. Italia, duke mbajtur nën kontrollin e saj qeverinë e Durrësit dhe aparatin e saj, synonte të arrinte në konolizimin e vendit. Njëherësh në arenën ndërkombëtare vazhdonin pazarllëqet midis Italisë, Greqisë dhe shtetit të ri Serbo-Kroato-Slloven (që më vonë u emërtua zyrtarisht Jugosllavi) për copëtimin e Shqipërisë.
Për të kënaqur këto pretendime përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Italisë, në Konferencën e Paqes, arritën një marrëveshje që ndiqte gjurmët e Traktatit famëkeq të Londrës të vitit 1915.
Në këtë gjendje kritike për vendin, kur qeveria e Durrësit nuk mund të përfaqësonte aspiratat kombëtare dhe interesat e popullit shqiptar , organizatat e ndryshme patriotike filluan të mobilizojnë masa e gjëra në mbrojtje të pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të atdheut. U bë e ngutshme thirrja e një Kuvendi të ri Kombëtar, i cili të krijonte një qeveri të aftë për të përballuar rrezikun që i kanosej vendit.
Me këto zhvillime u hap rruga për thirrjen e Kuvendit të Lushnjës i cili luajti rol të madh në historinë moderne të Shqipërisë.
-Kush ishte ideja dhe si u vendos për pjesëmarrjen?
Kongresi i Lushnjës u thirr si mbledhje e përgjithshme kombëtare me përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit. Ai u mblodh 98 vjet më parë me 21 janar 1920. Për shkak të vonesës së shumë delegateve punimet e tij u shtynë për një javë dhe u zhvilluan nga data 28-31 janar 1920.
Boshtin qendror të krejt punimeve te kongresit dhe të vendimeve të tij e përbënte ideja e rimëkëmbjes së shtetit shqiptar të ngritur pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash me 28 nëntor 1912. Kongresi u mblodh për të organizuar qëndresën kundër planeve të fuqive të mëdha të Luftës se Parë Botërore, të cilët kishin nxjerrë në treg pavarësinë kombëtare dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Kundër këtyre planeve ai reagoi në dy mënyra :
Së pari; kongresistët me anën e protestave deklaruan se populli shqiptar nuk pranonte planet antishqiptare që thureshin në Konferencën e Paqes
Se dyti; pohuan organizimin e qëndresës së popullsisë kundër vënies në jetë të këtyre planeve.
Në njërën nga protestat që Kongresi i Lushnjës i përcolli Konferencës së Paqes dhe qeverive të Fuqive të Mëdha fituese (Francës, Anglisë , SHBA dhe Italisë) thuhej :-“Shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë të gjitha sakrificat , të derdhin edhe deri pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo vendimi që mund të vërë në rrezik tërësinë dhe pavarësinë e tyre të plotë”.Me mbrojtjen e tërësisë tokësore, këtu, kuptohej ajo tërësi e caktuar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve e gjashtë Fuqive të Mëdha evropiane.
-Kush e përbën programin themelor të Kongresit të Lushnjës?
Mbrojtja e tërësisë territoriale e shtetit shqiptar dhe ruajtja e pavarësisë së tij përbën programin themelor të Kongresit të Lushnjës .
Ndërsa me pavarësi të plotë kuptohej statusi juridik i një shteti plotësisht të pavarur. Rrjedhimisht nuk pranohej vendosja e shtetit shqiptar nën mandatin e Italisë (sikurse ishte parashikuar në planet e Konferencës së Paqes) dhe as në mandatin e asnjë fuqie tjetër të huaj.
Kërkesës për pavarësi të plotë kongresistët dhe organet e larta shtetërore të zgjedhura prej tyre i dhanë një rëndësi të veçantë, aq sa e përfshinë në betimin që këto organe bënë përpara Kongresit.
Ruajtja e pavarësisë dhe mbrojtja e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar ishte programi themelor i Kongresit të Lushnjës, kërkesa këto që dalin në plan të parë dhe me forcë në të gjitha materialet që Kongresi i dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha mbledhur në Versajë. Rreziku i madh që kërcënonte vendin i shtroi ato si detyra parësore. Kjo nuk do të thotë se përfaqësuesit shqiptarë , të mbledhur në Lushnje nuk i hidhnin sytë nga bashkatdhetarët e tyre të shumtë që ishin lënë në vitin 1913 jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Përkundrazi ata do të formulonin hapur këtë aspiratë të tyre dhe të Lëvizjes Kombëtare Mbarëshqiptare. “Kuvendi kërkon një pavarësi të plotë me kufij etnografik dhe natyral, duke korrigjuar kështu padrejtësitë që i janë bërë Shqipërisë nga Kongresi i Berlinit dhe nga Konferenca e Ambasadorëve me 1913”, pohohej në protestat e dërguara Konferencës së Paqes. . Në telegramin që kryetari i Kongresit të Lushnjës Aqif Pashë Elbasani i dërgonte delegacionit të ri shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris thuhej gjithashtu:-“Programi i delegacionit do të jetë mbrojtja e kufijve natyrorë dhe pavarësisë së pakushtëzuar të atdheut shqiptar”. Një udhëzim me pothuajse të njëjtën përmbajtje ju dërgua këtij delegacioni edhe nga qeveria e re që doli nga Kongresi i Lushnjës , në të cilën thuhej:-“Kongresi Kombëtar i Shqipërisë ju ngarkon me këtë program : Një Shqipëri e pavarur me kufijtë e saj etnografik dhe natyror”.
Kjo aspiratë politike dhe territoriale përbënte programin maksimal të Kongresit të Lushnjës, program i cili mbështetej në disa faktorë. Ai bazohej në të drejtën e popullit shqiptar për një jetë kombëtare të lirë dhe të pavarur, në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë 8 vjet më parë (viti1913) si shtet i pavarur dhe sovran dhe në caktimin e kufijve të këtij shteti nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha europiane të kohës. Programi bazohej gjithashtu në faktin se gjatë Luftës së Parë Botërore shteti shqiptar kishte qëndruar neutral sikurse ishte përcaktuar në vitin1913 po nga këto Fuqi.
– Ku bazohej kërkesa për rishikimin e kufijve te shtetit shqiptar
Kërkesa për rishikimin e kufijve te shtetit shqiptar , për zgjerimin e tyre në favor të këtij shteti bazohej në luftën për liri kombëtare që kishin zhvilluar shqiptarët e lënë në kufijtë e shteteve Ballkanike si dhe në respektimin e parimeve të kombësisë dhe te vetëvendosjes se popujve, si parimi bazë për zgjidhjen e drejtë të problemit nacional. Parime të tilla, të njohura edhe më parë, ishin përsëritur me shumë bujë edhe gjatë Luftës së Parë Botërore nga gjithë përfaqësuesit Fuqive të Mëdha fituese, veçanërisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara Uillson. Mirëpo përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha kishin marrë parasysh dhe kishin miratuar pretendimet e tre shteteve fqinje të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë.
Në këto kushte kongresistët e mbledhur në Lushnje u detyruan t’u përsërisnin përfaqësuesve të fuqive fituese të kaluarën historike të popullit shqiptar. Në një prej materialeve që Kongresi i Lushnjës i dërgoi Fuqive të Mëdha thuhej se ky Kongres protestonte “kundër vendimit që dënon një shtet asnjanës dhe të njohur si një nga kombet më të vjetër të Europës, duke bërë që të realizohen kështu qëllimet imperialiste të qeverive fqinje”. Ai protestonte gjithashtu “për shkeljen e parimeve të shpallura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga përfaqësuesve të qeverive të Antantës.
Ky program ishte vazhdim i programit të përcaktuar nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare që në kohën e shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së shtetit të pavarur . Programi ishte formuluar së fundi edhe në Kongresin e Durrësit në dhjetor të vitit 1918. Madje një nga akuzat që Kongresi i Lushnjës i bëri Qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe që e rrezoi atë ishte veprimtaria e kësaj qeverie”jashtë tagrit dhe programit që i asht dhanë prej Kongresit të Durrsit”.
-Si do ta cilësonit Programin e Kongresit të Lushnjës?
Programi i Kongresit të Lushnjës ishte një program thjeshtë kombëtar.Ai kishte karakter mbrojtës dhe këtë aspekt do ta vërtetonte gjithë zhvillimi historik. Kongresi i Lushnjës ofroi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë për Greqinë, Jugosllavinë dhe Italinë. Në materialin dërguar Konferencës së Paqes jepej ky formulim: “Shqipëria s’ka asnjë pretendim tjetër, veç atij që të zërë një vend në Gadishullin e Ballkanit , duke i dhënë fund mjerimeve dhe për të gëzuar një jetë në paq e harmoni me shtetet fqinje”. Këtu nuk kemi të bëjmë me një frazë të thjeshtë dhe me karakter diplomatik. Për Shqipërinë e vogël fqinjësia e mirë kishte një rëndësi shumë të madhe, veçanërisht për kushtet historike të atëhershëm. Fqinjësia e mirë do te thoshte të hiqej dorë nga planet ekspansioniste të këtyre fqinjëve , të njihej prej tyre tërësia territoriale dhe pavarësia e shtetit shqiptar, pa u përzierë në punët e tij të brendshme me qëllime destabilizuese.
-Cila ishte risia që solli ky Kongres?
Kongresi i Lushnjës parashtroi me forcë jo vetëm programin politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare por ai nxiti forcat e brendshme që me mjetet e luftës politike dhe me ato të luftës së armatosur të realizonin programin bazë të tij. Kjo është një risi që shënoi ky Kongres dhe kthesa historike që bëri ai në zhvillimin e ngjarjeve. Fryma luftarake e platformës në të cilën u mbështet Kongresi i Lushnjës si dhe koha tepër kritik kur ai u mblodh dhe zhvilloi punimet u pasqyrua në vendimet e tij, në hartimin e protestave me tone të ashpra si dhe në rrugët që menduan delegatet për t’i mbrojtur ato me çdo mjet . Shqiptarët, thuhej, në protestat që Kongresi i Lushnjës u dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha “dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tuf delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Europës”. Si një Kongres i mbledhur për mbrojtjen e vendit , në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha shtresat e popullsisë (edhe të çifligarëve) ndërsa rolin kryesor e luajtën forcat e borgjezisë përparimtare e demokratike që i dhanë Kongresit edhe tonin.
Për kushtet e rënda politik të jashtme dhe të brendshme në të cilat u mblodh Kongresi , në Lushnje nuk u shtruan dhe nuk mund të shtroheshin për zgjidhe probleme me karakter shoqëror, antifeudal. Megjithatë Kongresi i Lushnjës i hapi rrugën luftës për demokraci në kuptimin se pa vendimet e këtij Kongresi nuk mund të rrezohej Qeveria Durrësit me orientim pro-italian.
Përcaktimi i karakterit të programit dhe i akteve të Kongresit të Lushnjës nuk do të ishte i plotë pa vënë në dukje përmbajtjen e këtyre dokumenteve nga pikëpamja e funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar të parashikuar në to. Studiuesit e historisë së shtetit dhe të së drejtës duke analizuar aktet e Kongresit të Lushnjës, veçanërisht statutin apo kushtetutën e miratuar në të për organizimin e shtetit kanë arritur në përfundimin se ajo përshkohet nga fryma demokratike , pra është një kushtetutë përparimtare për kohën.
-Cili ishte dhe çfarë përmbante dokumenti “Bazat e Kanunores të Këshillit të Lartë”?
Kongresi i Lushnjës, jo vetëm afirmoi pavarësinë e vendit, por mori masa të menjëhershme edhe për organizimin e shtetit shqiptar. Ai përcaktoi parimet kushtetuese të këtij shteti në një dokument të posaçëm të titulluar “Bazat e Kanunores të Këshillit të Lartë”. Ky dokument kishte plotësisht karakterin e kushtetutës apo statutit prej nga doli edhe emri “Statuti i Lushnjës” me të cilin njihet gjerësisht në historinë e shtetit dhe të së drejtës shqiptare.
Statuti i Lushnjës përfaqëson të parën kushtetutë të shtetit shqiptar të miratuar nga një përfaqësi kombëtare. Me gjithë përmbajtjen e tij të shkurtër ai dallohet për frymën demokratike e borgjeze, që ishte mjaft e përhapur për kushtet e kohës dhe la gjurmë të thellë në historinë e shtetit dhe të së drejtës së periudhës 1920-1924 në Shqipëri.
Midis çështjeve juridike, kushtetuese të sanksionuara në Statut, rëndësi të veçantë mori ajo e formës së shtetit. Për një seri faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm Kongresi i Lushnjës sanksiononte në mënyrë të tërthortë ruajtjen e formës monarkiste të qeverisjes së përkohshme të shtetit shqiptar.Për ushtrimin e funksionit të kryetarit të shtetit Kongresi i Lushnjës caktoi një organ kolegjial prej katër vetësh, i cili u quajt Këshilli i Lartë, një organ ky me kompetenca mjaft të kufizuara. Pozita juridike e Këshillit të Lartë ishte ajo e regjencës me të cilën në teorinë juridike kuptojmë realizimin e përkohshëm individual ose kolegjial të kompetencave të kryetarit të shtetit të formës monarkiste të qeverisjes.
Një tjetër organ i lartë i shtetit shqiptar që u vendos të krijohej në Kongresin e Lushnjës ishte Senati, i cili kryente funksionin e organit kushtetues, të Parlamentit të vendit. Ky organ do të kryente veprimtarinë legjislative të shtetit shqiptar. Në mbledhjen e parë të tij ky organ vendosi që të quhej Këshilli Kombëtar.
Organi i tretë i lartë i krijuar në Kongresin e Lushnjës ishte qeveria, zgjedhja e së cilës lidhej me vendimin e Kongresit për rrëzimin e qeverisë antikombëtare të Durrësit. Qeveria e re kryesohej nga Sulejman Delvina. Në programin politik të saj përmbahej “mbrojtja e indipendencës së plotë me të drejta supreme dhe tanesise tokësore të Shqipërisë”.
Duke analizuar pozitën juridike, të tre organeve të larta të shtetit, që u krijuan në Kongresin e Lushnjës, Këshillit të Lartë, Senatit (Këshillit Kombëtar) dhe Qeverisë, vihet re se në formimin e tyre është ndjekur teoria e ndarjes së pushteteve.
Krijimi në Lushnjë i organeve të larta të shtetit shqiptar në mënyrë kaq të plotë , sa nuk ishin kryer nga asnjëri prej dy kongreseve të mëparshme (nga Kongresi historik i Vlorës i nëntorit 1912 dhe as në Kongresine Durrsit të dhjetorit 1918), dëshmon për vizionin që kishin kongresistët e mbledhur në Lushnjë. Në Kuvendin e Vlorës ishte zgjedhur një dhomë përfaqësuesish, prej 18 vetash që u quajt Senat. Në Kongresin e Durrësit ishte vendosur, po ashtu, që të mblidhej një Senat që u thirr ndryshe edhe Pleqësi. Mirëpo Senati i Vlorës dhe i Durrësit nuk u mblodhën asnjëherë. Ndryshe ndodhi me Senatin apo Këshillin Kombëtar të Lushnjës. Në Këshillin Kombëtar përfaqësoheshin të gjitha krahinat e shtetit shqiptar. Me krijimin e tërë piramidës së organeve të larta të shtetit në Lushnjë, në pikëpamjen juridike realizohej pavarësia e plotë e Shqipërisë dhe sovraniteti i saj.
-Çfarë rëndësia patën Vendimet e Kongresit të Lushnjës?
Vendimet e Kongresit të Lushnjës patën rëndësi të madhe për të ardhmen e Shqipërisë. Në Lushnje jo vetëm u përsërit me zë të lartë programi politik me realist i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por u përcaktua mirë edhe drejtimi ku duhej përqëndruar goditja kryesore e kësaj lëvizjeje për të realizuar programin e saj.
Fryma atdhetare që mbizotëronte në punimet e Kongresit dhe që vijoi edhe pas tij u përqafuan nga shtresat e ndryshme të popullsisë, ndërgjegjësimi i të cilave, për castet e vështira që kalonte vendi, krijoi rrethana të përshtatshme për bashkimin dhe mobilizimin e popullit në mbrojtje të atdheut në rrezik.
Për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare u krijua kështu një qendër e vetme drejtuese për të cilën kishte shumë nevojë vendi dhe që i kishte munguar që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemalit.
Kongresi e rivendosi defakto pavarësinë e Shqipërisë. Ai bëri që të ndryshojë imazhi i Shqipërisë edhe në arenën ndërkombëtare në të mirë të saj. Bota demokratike dhe liridashëse mësoi se edhe në rrethana të tilla tepër të vështira dhe kritike shqiptarët treguan gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pavarësinë e vendit dhe shtetin e tyre kombëtar.Me këto vendime të Kongresit të Lushnjës pësoi një goditje të rëndë edhe propaganda antishqiptare që e paraqiste popullin shqiptar si të paaftë për vetëqeverisje dhe shtetformim.
- E dergoi per Dielin Albert Zholi