Ngjarje e jetuar/
Nga Gëzim Zilja/
Atë kohë isha deputet i Kuvendit Popullor dhe detyra më bënte të takoja mjaft njerëz, që më tregonin hallet e tyre dhe më bënin kërkesa nga më të thjeshtat deri te më të çuditshmet. Kërkesat ishin të njejtat: punësimi i gruas, djalit, nipit, padrejtësitë e gjykatave në dhënien e vendimeve, e rregjistrimit të pronave në hipotekë e gjithfarë padrejtësish të tjera të shoqërisë në atë tranzicion të pafundëm. Këto më shkaktonin një lodhje dhe trishtim të madh. Nuk kuptoj edhe sot nuk e kuptoj pse zyra e deputetit duhet të kthehej në një zyrë të mirfilltë pune dhe ankesash. Një ditë erdhi një miku im i vjetër i fëminisë, njeri i drejtë, i ndershëm dhe fare i pa ngatërruar në atë marramendje të shfrenuar, ku të gjithë rendnin, për mbijetesë, disa për favore e disa për para.
– Dalim jashtë-, më thotë. – Nuk mund ta bëj muhabetin në zyrë. Kam një hall të madh ku jam pleksur kot së koti.
Ngrita kokën dhe e pashë në fytyrë. Pashë dy sy të lodhur, ku trishtimi prej kohësh ishte ulur këmbëkryq.
– Dakord- iu përgjigja. – Hajde pas orës katër. Jam i mbytur në punë. Pimë një kafe dhe çmallemi se kemi kohë pa u parë.
Buzëqeshi hidhur dhe u largua duke më parë me sytë e ulur, që shprehnin haptazi mosbesim. Në orën katër e gjysëm kur po dilja nga godina e pashë poshtë shkallëve, duke pirë cigare. E thirra në emër dhe pas dhjetë minutash u gjendëm në një nga kafenetë pranë bregdetit.
Këmbyem disa fjalë ashtu kot më kot por duke kuptuar që e kishte të vështirë, hyra drejt në temë:
-Po hë-! i thashë duke qeshur më shumë për të shtensionuar situatën.
– Ma thuaj hallin që ke se ti nuk je nga ata që vjen kollaj për t’u ankuar nëpër zyra.
– Vallahi nuk di nga të filloj-, vazhdoi me sytë e ulur. Dukej qartë që halli ishte i madh.
-Filloje nga të duash. Të shikojmë se ç’mund të bëjmë me aq sa kemi në dorë.
– Mirë e ke ti po si t’ia filloj unë? Më ka pickuar gjarpri atje ku nuk thuhet. Më duket se në trup më qarkullon vetëm helm e jo gjak.
Prapë nuk i ngriti sytë dhe rrinte i menduar. Nuk i fola derisa ngriti kokën dhe mu drejtua:
– E mban mend nipin tim inxhinier, atë djalin e vëllait që më vdiq shpejt, e qysh fëmijë e mbaja pas vetes? Tani është bërë goxha burrë dhe ka ca kohë që është martuar. Nusen nuk e ka nga qyteti ynë. Ka mbaruar mesuesi dhe po përpiqeshim ta punësonim në ndonjë shkollë. Nuk të erdha se e di që është shumë e vështirë. Nuk doja të të të bija më qafë. Më thanë që drejtori është i ri por pa paguar diçka nën dorë nuk bëhet fjalë për punësim. Atëherë mora përsipër një rol që do e luaja për herë të parë në jetën time. Kisha ca para mënjanë të kursyera ashtu çika-çika ca nga rroga e ca nga ato që më dërgonin të afërmit në emigracion. Pa i thënë askujt, madje as gruas, duke dashur të ndihmojë nipin që ti e di, e kam pasur shumë për zemër, i shkova drejtorit të DAR-it në zyrë. Ishte një burrë rreth të dyzetave, i veshur bukur, në kostum e kollare, rruar parfumosur dhe energjik në dukje.
– Ju çfarë halli keni-? mu drejtua me një mirësjellje të shtirur.
Pasi iu prezantova hyra direkt në temë. I thashë:
– E di sesi janë këto punë dhe kam hequr mënjanë tre mijë euro, që nusja e nipit të punësohet në një nga shkollë, këtu në qytet. Por nëse duhen më shumë e bisedojmë sërish-, përfundova.
Mu duk se kisha hequr një mal nga kurrizi. Nuk e kuptova që më kishin mbuluar djersët. Kurrë në jetën time s’kisha dhënë e as kisha marrë ryshfet. Ata që më çuan atje ma kishin bërë të lehtë:
-Mjafton t’i tregosh paratë dhe halli yt merr fund. Mirpo pasi nxorra ato fjalë nuk isha më i sigurt dhe mendimet filluan të më ngatërroheshin.
Po të mos ishin të vërteta ato që thuheshin për të? Po sikur në një cast të më thoshte: Me kë flet ti kështu? Hajt qërohu i pa turp! Ose mund të më quante provokator, të thërriste policinë dhe të më denonconte. Po njeriu që kisha përballë nuk po ndihej fare. Në një çast shikimet tona u kryqëzuan. Sytë e akullt të atij njeriu po më vrojtonin gjithandej me një gjakftohtësi kriminale. Mu duk vetja si send që ai po e çmonte sesa vlente. Nuk më la të hapja gojën.
– Do ta rregullojmë xhaxha-, më tha. Mori disa të dhëna që i shkroi në bllokun e tij dhe mu drejtua sërish me ata sytë e thatë, pa kurrfarë lëngu: Brenda muajit do të të thërras vetë. Bisedojmë sërish-, e la muhabetin të hapur. Bëra sikur e harrova zarfin dhe u ngrita të ikja.
– Merri, ato merri-, më tha qetë-qetë. –Këtu do të jemi. Të mbarojmë punën njëherë.
Ato fjalë i kuptova që pagesën do ta bëja pasi të më më punësonte nusen e nipit.
– Jam në pritje-, i bëra me shenjë, duke i lënë të nënkuptonte që paratë mund t’i merte kur të donte.
U ndjeva i poshtëruar, i keqpërdorur por edhe i lehtësuar. Kisha bërë një pazar të pistë. Vërtetë do të paguaja por ama nusja e nipit do të punësohej për gjithë jetën. Nipit i thashë që brenda muajit nusja do të fillonte punë se po më ndihmonte një miku im deputet. Sigurisht nuk i tregova që punësimi kushtonte tremijë euro dhe ndoshta më shumë. Ti e njeh more mik, e mban mend nipin tim, sa i urtë dhe i drejt është. Vetëm më tha: Xhaxha nuk kam fjalë për të të falënderuar. Po bën më shumë sesa do të bënte im atë nëse do të ishte gjallë. Po edhe nusja po përgatitet për konkursin…
Vazhdova të ndiqja me vëmendje tregimin e tij që i dihej tashmë përfundimi: Kishte paguar paratë, ndoshta mund t’i kishte kërkuar edhe ndonjë mijëshe tjetër dhe nusja e nipit kishte filluar punë.
Nuk mu durua dhe i thashë:
– Po pse ke ardhur te mua or mik? Ti vetë i ke vajtur, vetë i ke dhënë paratë? Në këtë rast ligji u dënon të dyve pothuajse njëlloj.
Qemali qeshi hidhur, ma bëri me dorë që të kisha durim dhe vazhdoi.
– Kaloi një muaj e gjysëm dhe megjithëse i dhashë numrin e telefonit nuk më njoftoi për asgjë. Çdo ditë shikoja zarfin me eurot fringo të reja por telefoni nuk më ra. Një ditë si zakonisht në pritje të telefonatës së premtuar, duke pirë kafen e mëngjesit në klubin e lagjes dëgjoj pas krahëve të mi:
– I fortë paske qenë o Qemal, thëngjill i mbuluar. Po si ore e fute nusen e nipit në punë dhe ku, në mes të qyetit dhe nuk na the një fjalë. Tinëzar i madh paske qenë.
Nuk po kuptoja asgjë ç’po më thoshte, duke bërë të pakënaqurin.
-Çne-, i thashë. – Kam bër një bisedë me drejtorin e DAR-it por nuk kam marrë ende përgjigje .
-Ore leri ato se ata kanë qenë si shkollë edhe për eskursion andej nga bregdeti i Durrësit-, këmbëguli. U ndodha i papërgatitur nga fjalët që më ranë shumë rëndë.
-Ti këtë punë bën gjithmonë, llapaqen ke qenë gjithë jetën. Lere atë muhabet se pastaj zemërohem e nuk ndahemi mirë bashkë-. I fola më shumë për të dalë nga situata e sikletshme që më vunë fjalët e tij.
– Mirë ore mire, po pyet një herë se ti nuk e ditke fare që nusja e nipit ka filluar punë…
Fjalët e tij më kafshuan si ata qentë që nuk lehin fare, veç kur ndjen dhëmbët e futura në pulpën e këmbës dhe ulërin i tmerruar nga frika dhe dhimbja. Pastaj kërkon të shpëtosh dhe t’ía mbathësh sa më parë, duke u ulur instiktivisht për ta kapur një hu a një gur për ta trembur.
Nuk vajta në shtëpi derisa të mblidhja veten por si duket paskish qenë e vështirë. Dikur aty nga pasditja hyra në shtëpi. Gruaja me atë humorin e saj të veçantë, duke më parë të vrenjtur e të menduar, më thotë:
– E nga ka rënë shi që je bër qull se këtej nga ne diell ka bër gjithë kohën.
E pashë në sy por nuk mund t’i shmangesha.
–Ashtu më doli një punë por nuk ka lidhje me familjen tonë. Punë llafazanësh e pijanecësh,- u përpoqa ta kaloja gjendjen.
Ajo nuk foli më, e sigurt se si zakonisht do t’ia thosha nëse ishte një ndodhi që mund t’i interesonte. Tani pas një javë pa gjumë erdha te ti për të qarë hallin meqë merresh me politikë dhe të dëgjohet llafi.
– E ç’mund të bëj unë -? iu përgjegja krejt i papërgatitur.
– Nuk e di se ç’mund të bësh ti… Të kam shok dhe s’mund t’ia thosha njeriu tjetër prandaj mendova të ta tregoja ty. Tani më duket se kam hequr një të keqe të madhe nga shpirti. Sinqerisht ndjehem i lehtësuar.
– Po nipi di gjë-? më shpëtuan fjalët për të cilat u bëra pishman sa i nxorra nga goja.
– E ç’rëndësi ka? Pastaj ti e di që ai është njeri shumë i ndershëm, por i plogët. Ai mendon se e shoqja e meriton dhe ka fituar konkursin… Se… zhvillohen dhe konkurse e kupton ti? Unë e besoj atë që ka ngjarë. Logjika ime mund të gjejë shtigje sa të dojë për të shpëtuar nderin e nipit por instikti dhe vetëdija më bëjnë të jem fare i qartë. Ajo ka ndodhur. Në këmbim të një vendi pune, nusja e nipit ka ngritur këmbët përpjetë, me qejf apo e detyruar, këtë nuk e them dot. Pastaj llogje mund të bëjmë sa të duam. Prandaj nuk më telefonon ai bir kurve dhe nuk m’i kërkon paratë. Nuk di si janë takuar e si janë marrë vesh apo si e kanë bërë pazarin. Kisha dëgjuar plot nga këto histori me rryshfete e kurvërira, ca i kisha besuar e ca jo, por kur të ndodh te shtëpia tënde qënka e rëndë plumb. Të duket sikur bota fillon e rrotullohet krejt ndryshe e kurrë si më parë. Sytë iu rëmbushën nga lotët. Nga syri i djathtë i rrëshqiti si rruazë e tejdukshme një pikë loti që as u mundua ta fshijë.
-Mirë që po na marrin paratë por po na shkërdhejnë dhe nuset në këmbim të bukës së gojës!?
Nuk ishte rati i parë që dëgjoja palavira të tilla… Ndjeva një revoltë të brendshme dhe kuptova që në atë ngjarje isha i përfshirë, të paktën moralisht si përfaqësues i popullit. Pas dy dekadash në të ashtuquajturën demokraci, kjo farë e keqe ishte shtuar shumë. Metastazet e saj kanceroze po përhapeshin me shpejtësi në të gjitha strukturat drejtuese të shtetit.
Ashtu i inatosur dhe i revoltuar, mora në telefon sekretaren e kryeministrit.
– Jam Tanush T.-, thashë sekretares. Dua një takim urgjent me kryeministrin.
Pas pak nga ana tjetër më erdhi zëri miklues i sekretares së Kryeministrit, të cilën e njihja në rrethana pune.
- Kryeminstri ju pret në zyrë kurdo që të vini sot ose nesër. Kryeministri më priti menjëherë dhe më ofroi kafe.- Një raki më mirë por nuk di sesi do të qetësohem.- Më lidh me ministrin e arsimit menjëherë,- urdhëroi sekretaren e vet. Pa dhënë asnjë sqarim artikuloi këto fjalë.Ashtu u bë. E hoqën nga puna si drejtor të DAR-it, brenda ditës dhe e çuan në një shkollë, si mësues të thjeshtë. Gjeta një lloj ngushëllimi por ama, ai nxitim i Kryeministrit nuk më la shije të mirë edhe pse atë qelbësirë e qëruan nga puna.
- Gjashtë muaj më vonë u riemërua në po atë detyrë si drejtor i DAR-it të qytetit dhe vazhdoi të merrte rryshfete si më parë. Këtë herë shkova te ministri, i cili katër vjet kujdesej vetëm për tenderat, për festat dhe për prerje shiritash, kur inaugurohej apo meremetohej ndonjë shkollë e re.
- – Zoti ministër, X-i, drejtori i DAR-it në qytetin Y, të pushohet menjëherë nga puna. Të qërohet!
- I rashë fare shkurt. I fola qartë, shkoqur, ashpër. Më dëgjoi me vëmendje pa më ndërprerë, duke u nxirë në fytyrë, të paktën ashtu mu duk mua.
- – Apo do një raki-, shtoi – se ti e heq nga pak.
- – Nesër, nesër në mëngjes…
- Më thanë që keni riemëruar sërish në detyrë X-in- i fola ashpër. As mori mundimin të më sajdiste duke më thënë të paktën të ulesha në karrige siç bëri kryeministri gjashtë muaj më parë. Më hodhi një vështrim hetues mbi syzet prej miopi me skelet floriri dhe mu përgjigj:
- Po – , duke më parë tashmë në një mënyrë të tillë sikur të më thoshte: Kjo nuk është puna jote, ç’më çan kokën e më vjen në zyrë?
- E mban mend që e ke pushuar nga puna me urdhër të kryeministrit?
- Si nuk e mbaj?,- qeshi me ironi.
- E atëherë?
- E atëherë, e morëm sërish në punë se kishim nevojë për të.- E di kryeministri që ti e ke riemëruar në detyrë?- Jo nuk kam zoti ministër-, i thashë.
- Mu duk vetja si ai pushi i plepit që mbush rrugët dhe hendeqet e qyteteve në fillim pranvere, që endet në mënyrë kaotike sipas korrenteve dhe drejtimit të erërave, duke bezdisur orë e çast kalimtarët. Po më rëndonte pa masë kartoni i deputetit, që e kisha me vete. Nuk po kuptoja përse më duhej dhe për çfarë mund të më hynte në punë në të ardhmen…
- – Po ti si thua që unë emëroj titullarë pa dijeninë e tij? Gjë tjetër keni zoti deputet…? Kam një mal me punë…
- Doja t’i thoshja nuk mund të gjenit dot një burrë tjetër, por nga goja më dolën fjalë të tjera.