Te enjten ne mbremje me 24 prill kisha të ftuar në Studion e TV Kultura Shqiptare(Albanian Culture TV) në New York, me pronar Adem Belliu, atdhetarin Niko Kirka. Biseda, nisi me një nga datat historike të Prillit, 28 Prilli, ditëthemelimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, që me 28 bëhen plot 102 vjece. Një ndër bashkëthemeluesit e Vatrës ishte edhe Kristo Kirka, ish kryetar i Shoqatës Besa-Besën, ish kryetar i Shoqatës Arsimi, ish menageri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, kryetar i degës nr 1 të Vatrës në Boston, nënkryetar i përgjithshëm i Vatrës, konsull në NY dhe Boston, menaxher i gazetës Shqiptari i Amerikës, deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korcës. Ka dhe një përkim tjetër kjo datë me martirin vatran, 28 prilli është dhe ditëvdekja e bashkëthemeluesit të Vatrës, Kristo Kirkës, i cili u shua në burgun e Burrelit me 28 Prill 1955. Rreth kësaj figure brilante u përqëndrua biseda me të birin, Niko Kirka, ish i përndjekur politik.(DG)
Për Një Të Djathtë Të Vërtetë
NGA NIKO KIRKA/
Nga vitet tetëdhjet të shekullit të kaluar gara e armatimeve midis dy blloqeve ushtarakë-politikë kundërshtarë, NATO, kryesuar nga USA dhe “Perandoria e së keqes”, kryesuar nga URSS, po merrte përmasa të jashtëzakonshme.Barra e shpenzimeve ushtarake po e rëndonte çdo ditë e mëshumë ekonominë e vëndeve pjesmarëse në atë garë. Edhe për ekonominë shumë të shëndoshë amerikane, ajo po bëhej e papërballuëshme, kështu që Presidenti Eisenhauer iu drejtua edhe shteteve të tjerë për të marë pjesë në programin e “Luftës së Yjeve”.Ndërsa për Bashkimin Sovjetik situata ishte tepër e vështirë. Në pamundësi që të gjente burime veç atyre që dispononte vetë dhe duke kufizuar jashtëmase shpenzimet civile për nevojat jetike të popullsisë, udhëheqja sovjetike filloi të shihte se i ishte futur një rruge pa krye.Por këto mëdyshje nuk dilnin në shesh.Në dukje çdo gjë ishte solide, zhvillimi e përparimi vazhdonin në bllokun sovjetik, jeta ishte e lumtur, bash ashtu si dinte ta zbukuronte mjeshtërisht propaganda komuniste.
Megjithatë diçka filloi të ndjehej. Në fund të 1984-ës një delegacion i parlamentit sovjetik bëri një vizitë në Britani. Kryetari i delegacionit, Gorbaçovi, dukej se mbante tjetër qëndrim, sillej ndryshe, fliste ndryshe. Nuk ishte qëndrimi i ngurtë, i ashpër dhe gjuha e vrazhdë, e drunjtë që shfaqnin zakonisht gjerarkët komunistë. Filluan të përdoren fjalë të reja si “gllasnost” e “perestrojka”. Deklarata e Thatcherit se ai po mundohej ta bënte të funksiononte më mirë sistemin e tyre nuk vonoi. Vetë udhëheqja sovjetike pat lënë të kuptohej se regjimi komunist nuk po ecte, pra kish dështuar!
Të gjithë jemi dëshmitarë se si rodhën me shpejtësi ngjarjet deri sa arritëm që edhe në Shqipërinë tonë të mbyllur, Ramiz Alia të bënte ndryshimet e duhura, ndonëse me një vit vonesë që iu desh për të bërë pregatitjet e duhura. Në euforinë e përgjithëshme populli i ngazëllyer që po merrte frymë lirisht, ne të dënuarit e të mallkuarit e regjimit që po dilnim nga zgafellat ku na patën futur, si të vdekur të ringjallur, harruam diçka që ishte fatale dhe është edhe sot për vëndin tone: mashtrimin e tyre të pasosur. Kështu që për të ruajtur sundimin e tyre ishte shumë e lehtë për ta, pa ndonjë brerje ndërgjegjeje, pa asnjë sforcim, brënda natës, ndryshimi nga komunistë në antikomunistë, nga mallkues të sistemit kapitalist në hymnizues të tij, nga përçmues të demokracisë borgjeze në lavdërime të pluralizmit politik, nga mallkues të imperializmit amerikan në b-lëpirës të tij, e kështu me radhë. Dhe për t’i bërë sa më të besueshëm këta antikomunistë të thekur , caktuan një pjesë të tyre, gjoja si nostalgjikë të ideologjisë së tyre, që do të ishin si kundërshtarë politikë të të parëve dhe do të plotësonin kështu skenën politike të demokracisë shqiptare. Kështu do të vazhdonte jeta në vëndin tonë, të sunduar po nga ajo kastë kriminelësh, grabitqarësh dhe hajdutësh, por në kushte të reja.
Por për të qënë më të sigurt për sundimin e tyre në të ardhmen, u përgatitën shumë djallëzisht se si do të vepronin në atë që do të quhej krahu i djathtë i politikës.Duke qënë se pasardhësit e klasës që para 1944-ës drejtonte jetën politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri, ishin thellësisht të atij krahu, sigurisht nuk mund të pranonin bashkëpunimin me ish komunistët të kthyer në antikomunistë. Atëhere u paraqit teza djallëzoree “së keqes më të vogël” dhe u zbatua mashtrimi i madh historic: lëvizja studentore dhe Partia Demokratike që do të përfaqësonin krahun e djathtë politik në vëndin tonë. Në këtë grackë ranë në fillim disa ish të burgosur politikë, mjaft të arsimuar që nuk vinin nga ish kasta e komunizmit shqiptar dhe shumë të tjerë që sinqerisht besuan te parullat antikomuniste që po shpaloste “e djathta” parti demokratike! Megjithse të gjithë jemi dëshmitarë se si u zhvillua jeta politike dhe si rodhën ngjarjet në këta njëzet e ca vjet, mendoj se është e domosdoshme të rikujtojmë dhe të shqyrtojmë më me kujdes disa qëndrime dhe disa akte që detyrimisht të detyrojnë të shtrosh pyetjen: a ka qenë ndonjëherë antikomuniste dhe e djathtë kjo Partia Demokratike?
Qëndrimi që ka mbajtur PD-ja ndaj krimeve të regjimit komunist dhe kriminelëve të atij regjimi është guri i provës. Në vizitën e parë që bëri në Strasburg komunisti-antikomunist Sali Berisha deklaroi se nuk do të bëheshin gjyqe politikë dhe nuk do të krijoheshin gjykata special. Kështu që jo vetëm nuk u dënua asnjë kriminel i atij regjimi me gjithë barbaritë që patën bërë, por nuk iu bë as në tërësi gjyqi politik atij regjimi. Përkundrazi sot ke shumë nga ata në pozita ekonomike e politike që në atë dimrin e 90-91-së as nuk do të guxonin t’i shihnin në ëndër! Pra antikomunizmi i PD-së ishte mashtrim!
Si parti e djathtë ose e qendrës së djathtë, duhet të dilte në mbrojtje të interesave kombëtare sidomos kundër gjallërimit agresiv të shovinizmit grek. Por u bë krejt e kundërta.U pranua gjoja si parti shqiptare partia greke PDNJ që u shpërnda në gjithë Shqipërinë. U lejua çelja e shkollave greke, gjoja për nevojat e minoritetit grek edhe në Korçë, kur dihet historikisht që në prefekturën e Korçës që nga Mesi Urave, në Leskovik dhe deri në Qafën e Thanës nuk ka pasur kurrë asnjë minoritar vëndas. U lejua ngritja e varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke 1940-41, që bëri të mundur të vijnë çdo vit emisarët e shovinizmit grek për të kremtuar festat e tyre! A ka fyerje më të madhe që mund t’i bëhet ndjenjës kombëtare të shqiptarëve?! A mund t’i bënte këto një parti e pozicionuar djathtas, që duhet të ketë në programin e qëllimin e saj mbrojtjen e zhvillimin e vlerave kombëtare?
Me një mëndjelehtësi skandaloze, që pa hezitim mund ta quash tradhëti kombëtare, u negociua dhe u nënshkrua marëveshja për kufirin detar me Greqinë. Aq e pabesueshme ishte pranimi i kërkesave greke, sa ministrja greke Bakojanis e cilësoi këtë akt “një fitore strategjike”! A mund ta bënte këtë një parti e djathtë që një ndër synimet kryesore ka mbrojtjen e interesave kombëtare?! Të mos flasim pastaj për lëshimet e fshehta dhe të hapura bërë sërbëve të Milloshevicit, ku furnizimi me naftë në shkelje të embargos ishte më skandalozi e pastaj favorizimi i bizneseve të tyre në dëm të Kosovës. Kombëtarizëm I thonë këtij?!
Duke marë parasysh përbërjen e popullit shqiptar me besime të ndryshme fetare, rilindasit tanë nxitën e filluan të rrënjosin ndjenjën e tolerancës dhe mirëkuptimit midis komuniteteve të ndryshme fetare. Dhe një faktor shumë i rëndësishëm në këtë drejtim ka qënë Kisha Ortodokse Autoqefale. Autoqefalia ka qenë gur themeli për pavarësinë e Shqipërisë! Dhe këtë thesar të çmuar që na lanë rilindasit, Sali Berisha, në postin e presidentit të vëndit, me një injorancë të pabesueshme të zhvillimeve historike të vëndit të vet, e nëpërkëmbi dhe e dëmtoi rëndë duke ia dorëzuar një të huaji dhe ca më shumë, një emisari të shovinizmit grek që aq shumë e pat luftuar Kishën tonë, duke ia përgjakur rrugën e saj me shumë klerikë martirë. Dhe meqënëse Saliu është njëjsuar me PD-në, lind pyetja e përsëritur: a ka qënë kjo biçim parti e djathtë, mbrojtës e interesave kombëtare?!
Në euforinë e përgjithshme të dimrit 90-91 më të shpresë lindurit ishin ata që mishëronin pjesën më energjike, më të shkathët dhe më të dobishme për vëndin, pra shtresa e të shpronësuar nga regjimi i parazitëve enveristë. Pronarët prisnin që të vihej drejtësia në vënd nga PD-ja si parti e djathtë. Por zhgënjimi erdhi menjëherë. Në vënd që ta abrogonin me të ardhur në pushtet, ata filluan zbatimin e ligjit ramizist mbi tokën të ngritur mbi parimin leninist “toka i takon atij që e punon” dhe ndahet sipas frymëve! Dhe djallëzisht filluan mashtrimin se abrogimi i atij ligji, do ta shtynte fshatarësinë të mos votonte për ta. Dhe këtë e thonin kur kishin fituar tashmë zgjedhjet, në mënyrë plebishitare, bile! Dhe si çekiç, godet pyetja: një parti e djathtë pse synon të fitojë zgjedhjet, të vijë në pushtet dhe të mos zbatojë një program të djathtë?! Përse e kërkon atëhere pushtetin?! Po zhgënjimi do të vazhdonte edhe më tej: nga fundi i prillit 1993 më në fund doli ligji për kthimin e kompensimin e pronave, një ligj keqtrajtues që në titull me cilësimin “ish-pronarët”! I ndërtuar në mënyrë tepër djallëzore synonte ta ndërlikonte për ta bërë të pazgjidhshëm çështjen e pronës. I ndarë nëdy momente “njohja” dhe “kthimi”, mashtronte e tallej me pronarin, sepse ia njihte pronën, por me pretekste të ndryshme nuk ia kthente! Duke shpërndarë disa thërrime aty-këtu, filluan me lloj-lloj truke ligjore duke përvetësuar pronën e pronarëve të ligjshëm me dy synime: të mos lejonin fuqizimin ekonomik e rrjedhimisht politik të asaj shtrese për vokacion e tradicionalisht të djathtë dhe nga ana tjetër të fuqizoheshin vetë ekonomikisht për të mbajtur pushtetin politik. Nuk u ngopën me aq kurrsesi! Mbas 90-ës nxitën një zhvendosje masive të popullatës drejt zonave fushore që grabiti tokat e bashkatdhetarëve të tyre e krijoi qëndra banimi që janë shndruar në zona krimesh e konfliktesh. Dhe kryetari Sali Berisha deklaronte se “jemi krenarë që ata nuk ndërtojnë bidonvila me kartonë e dërrasa, po ndërtime me blloqe betoni”! Mburej ky komunist fanatik me ata banditë që me kosore në dorë erdhën e zaptuan gjënë e tjetrit! Nuk mendojnë se kanë krijuar një armiqësi midis shqiptarësh që do të vazhdojë shumë gjatë, sepse çdokush do tua lërë amanet me shkrim pasardhësve të tij, se sa dhe kush ua ka zaptuar mallin e gjënë. Edhe sot mbas 23 vjetësh ka shumë e shumë pronarë që nuk kanë përfituar asnjë qindarkë nga pasuria stërgjyshore! Pra, duke zbatuar një politikë të tillë, a mund të quhet parti e krahut të djathtë PD-ja?!
Në 90-tën shtresa shoqërore që, në mënyrë natyrale, me të drejtën morale, njerëzore e hyjnore, u ndje e lumturuar, ishte shtresa e ish të burgosurve e të përndjekurve politikë. Të vrarë, të cfilitur, të nëpërkëmbur, të dënuar të jetonin në mjerim, ata po dilnin nga zgafellat, ku i patën futur dhe po e ndjenin se po ringjalleshin. Të bindur se me qëndresën e tyre, duke mos u thyer nga dhuna, pra edhe me kundërshtimin pasiv ndaj diktaturës, ata kishin mbajtur të ndezur atë flakëzë shumë të vogël nga e cila shpërtheu ai flakadan i madh i shpresa të mëdha. Ata besuan sinqerisht dhe mbështetën plotësisht liderat që ua vunë përpara për të udhëhequr rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e regjimit të bazuar mbi lirinë dhe drejtësinë. Po mashtrimi mizor që iu bë atyre, tradhëtia e ndyrë ndaj besimit që ata patën, është një nga qëndrimet më të errëta, më të pabesa, më të neveritshme që kanë ndodhur ndonjëherë në këtë mëmëdhenë tonë. Me ndonjë lëmoshë në dy-tre vitet e para, “komunistët-antikomunistë” i nxorën kthetrat dhe i hodhën tutje ata që vinin nga kjo shtresë. Në vënd të një ndihme morale e politike për t’iu afruar kushteve të barazisë në garën e lirë të ekonomisë së tregut, ata u mënjanuan e u keqtrajtuan dhe për më tepër u përtallën. Po, po! Ndërsa nga partia e vazhdimësisë bolshevike ndjenim të vinte vala e urrejtjes, nga partia e komunistëve demokratë ndjemë hidhësinë e talljes! Kurse kulmin e sjelljes përçmuese ndaj nesh e përjetuam me dëmshpërblimin që i jepet një ish të burgosuri për kohën që ka kaluar nëpër qelira, edhepse ka qënë i pafajshëm. Megjithëse i parashikuar në Kodin Penal, përgatitja e këtij ligji që djallëzisht iu ngarkua ta pregatitnin pinjollë të ish gjerarkëve komunistë, jo vetëm që parashikonte një kalvar të gjatë për gjetjen e dokumentave, por u zgjat shumë në kohë duke synuar ta shfrytëzonin për qëllime propagandistikë për përfitime elektoralë. Pabesisht u suallën pastaj duke ndryshuar fshehurazi ligjin! Në fillim parashikohej ndarja në tetë këste, nga një për vit, kurse më vonë u tha që do të shlyhej në fund të 2017-ës, ndërsa për tetë vjet në pushtet dhanë vetëm dy këste për rreth pesëmijë dosje nga përmbi 22 mijë! Dhe vetvetiu bëhet e lodhshme pyetja: a ka qënë ndonjëherë e djathtë kjo parti që mban një qëndrim të tillë armiqësor ndaj shtresës më të vendosur e më besnike ndaj një programi politiko-shoqëror vërtet të djathtë?
Përfundimisht, PD-ja nuk ka qenë kurrë as antikomuniste dhe as e djathë! PD-ja ka qenë e mbetet një gënjeshtër, ka qenë e mbetet një mashtrim historik! Sot, mbas më shumë se dy dekadash, kemi parë lojën e ndyrë gjoja midis dy blloqesh me filozofi të ndryshme politike, kurse në të vërtetë ka qenë vetëm një tufë banditësh e ndarë në dy tarafe që kanë luftuar egërsisht kundra njëri-tjetrit se kush do të zhvaste copën më të madhe nga kjo Shqipëria jonë e pocaqisur. Kjo katrahurë nuk mund të vazhdojë më dhe nuk duhet të vazhdojë.
Si pasardhës i një familjeje me veprimtari të theksuar nacionaliste, si një ish i burgosur politik që nga viti i largët 1946, me të drejtën e moshës së avancuar, e ndjej si shtysë të brendëshme, si detyrim të ndërgjegjes sime, këtë parashtrim publik të bindjeve e të këndvështrimit tim se si mund të ecet në gjëndjen e krijuar. Si një i djathtë, i bindur që filozofia politike e së djathës në zbatimin e saj, është në interes të vendit, do të flas vetëm për të. Për sa i përket krahut tjetër, kur ata të zhvishen nga trashëgimia duke dënuar të kaluarën kriminale, do t’i konsideroja si kundërshtarë politikë. Duke vënë këto piketa, le të vazhdojmë.Me gjëndjen e krijuar mbas zgjedhjeve të 23 qershorit, me daljen hapur të kundërshtive brënda kryesisë së PD-së, ka ardhur koha që të djathtët e vërtetë që kanë ngelur në PD të shkunden, të mbajnë qëndrimin e duhur e të formojnë grupin e tyre parlamentar. Këtë mund ta bëjnë dhe duhet ta bëjnë ata që nuk e kanë prejardhjen familjare nga kasta komuniste, pra nuk kanë mëndësinë e botëkuptimin e banditit grabitqar. Po e konkretizoj mendimin: Deputetët e Durrësit, Gent Strazimiri e Igëll Cara, ata të Tiranës Dashamir Shehi, Halim Kosova e Florian Mima, deputeti i Shkodrës Nard Noka mund të gjejnë edhe një tjetër që plotëson kushtet e le të formojnë grupin. Ky grup parlamentar do të gjejë mbështetjë e bashkëpunim me Mark Markun, Visar Zhitin, Gilman Bakallin, Shefqet Deliallisin, Genc Jukën e të tjerë që nuk më kujtohen tani. Nuk njoh asnjërin personalisht, por mendoj që këta e kanë brumin dhe hirin për të bërë këtë veprim. Edhe le të marin kontakt me figurat dinjitoze të FRD-së që me qëndrimin që mbajtën me zgjedhjet e 23 qershorit treguan vizion të qartë politik, vendosmëri, integritet, forcë karakteri dhe sëbashku le të krijojnë të djathtën e vërtetë, atë që në formën e saj të mirëfilltë s’ka egzistuar asnjëherë tek ne por për të cilën atdheu ynë ka aq shumë nevojë. E di që do të ngrihen zëra të shumtë që nuk do të lenë gjë pa thënë për personat e lartpërmëndur e për FRD-në. E di, gjithashtu, që të gjithë ata që kanë kaluar nëpër baltovinën politike të PD-së të mos kenë ca stërkala balte mbi kurriz. Por jam i bindur gjithashtu që zhytja me zemër të hapur në ujrat shkumbëzuese të dlirta të Shqiptarizmës, pastron çdo stërkalë që mund të kesh pasur mbi shpinë. Jam i ndërgjegjshëm që ka vështirësi, që ka inate, hatërmbetje, keqkuptime të shkaktuara nga thashethemet të zakonshme për ne, por kemi një gjë të madhe që nuk duhet ta harrojmë, kemi shëmbullin e shkëlqyer të të parëvë tanë, kemi amanetin e madh të tyre dhe duhet të tregojmë që mëndësia 70 vjeçaree banditizmit komunist na ka dëmtuar shumë po nuk ka mundur të na e ndryshojë ADN-në stërgjyshore.
Një parti e tillë e djathtë, pa asnjë lidhje me të infiltruar nga kasta komuniste, me një grup parlamentar në Kuvënd, do të ketë një peshë të mirë në skenën politike të vendit. Baza shoqërore e saj do të jenë shtresa e pronarëve të shpronësuar dhe ish të burgosurit e të përndjekurit politikë. Po sa janë këta? Në gjoja-garën për kryetar të PD-së Basha i quajti ata “palca e partisë”, kurse Olldashi i saktësoi si 11.8 % të elektoratit. Sipas shifrave të deklaruara të Agjensisë së Kthimit të Pronave, janë dorëzuar 80 mijë kërkesa për kthim prone. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë mbi 22 mijë kërkesa për dëmshpërblim për burgim të padrejtë. Për të rrumbullakosur shifrën po i bëjmë tok 100 mijë. Pa llogarira të zellshme bëhen rreth 300 mijë votues që mund të dërgojnë në Kuvend 30 deputetë!
Realizimi I kësaj çështjeje do te ketë shumë vështirësi dhe do të kërkoje kohe. Po kryesisht kërkon durim, vendosmëri, bindje të thella, forcë karakteri. Mbi të gjitha kërkon përkushtim dhe ata që do të luftojnë për ta sendërtuar ta konsiderojnë vehten jo politikanë të zakonshëm, por luftëtarë misionarë. Misioni i tyre ka në thelb një kumt amanet që vjen nga thellësia e kohës: Shqipëria do të bëhet, kur të bëhen shqiptarët dhe shqiptarët do të bëhen kur ata të formojnë e të zhvillojnë ndërgjegjen kombëtare! Gjithmonë kam besuar në këtë kauzë e vazhdoj të besoj. Shpresoj ta shoh të fillojë të ecë përpara para se unë të kapërcej pragun që e shoh se po i afrohem. Besoj dhe lutem: Zoti na bekoftë!
Nju Jork 7 Tetor 2013
SHQIPERIA ETNIKE “NJIHET” NGA KESHILLI BASHKIAK I NEW YORK-ut
Shqipëria Etnike në Këshillin e Bashkisë së New Yorkut: ceremoni në 100 vjetorin e pavarësisë: nderohen me Proklamatën e Bashkisë së New Yorkut, disa përfaqësues të komunitetit shqiptarë, të cilët në mënyrë simbolike përfaqësonin Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trevat shqiptare. Nderohet, edhe i biri i konsullit të parë shqiptarë në Nju Jork/
NGA BEQIR SINA, New York/
CITY HALL NEW YORK CITY : Dhjetëra mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e sheshet në disa qytetet kryesore të SHBA, të mërkurën (28 nëntor) për të kremtuar 100 vjetorin e pavarësisë,- “Dita e Flamurit” e cila shënon ndarjen e Shqipërisë nga perandoria otomane në 1912 pas pesë shekujsh sundimi.
Manifestimet më të mëdha u mbajtën në “kryeqendrën” e tanishme të shqiptarëve të Amerikës, në New York, qyteti ku shqiptarët mblidhen shpesh her në atë që thirret Tri- Shtetet, duke ngritur simbolikisht edhe flamurin kuq e zi në zemër të qytetit. Ndërkohë që në Times Square disa mijëra shqiptarë e “mbuluan” kuqezi sheshin për disa orë duke festuar 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë – Dita e Flamurit ose Ditëlindja e Shqipërisë mblodhi në sallën e Kuvendit të Bashkisë së Nju Jorkut, e njërit ndër qytetet më të mëdha të Amerikës dhe një ndër më të medhejtë në botë, një grup shqiptarësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria, Presheva, Bujanovci, Medvegja dhe disapora, për të nderuar këtë ditë të shejtë të kombit shqiptarë. Disa nga krerët e këtij Këshilli Bashkiak, përfshirë kryetaren e Këshillit të Bashkisë, së qytetit të New Yorkut, Christine C. Quinn, anëtarët e Këshillit të Bashkisë, James Vacca, Joel Rivera dhe Eric Gioa, së bashku me anëtarë të tjerë të Këshillit të Bashkisë, personalitete të njohur të qytetit, autoritet lokale në shenjë nderi të Ditës së Flamurit 28 Nëntorit 1912 e ndërprenë seancën e zakonëshme, për të mbajtur zyrtarisht një ceremoni kushtuar 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë …
James Vacca është një anëtar i Këshillit të Bashkisë së qytetit të New Yorkut dhe Kryetari i Komitetit tëTransportit. Ai përfaqëson zonën elektorale 13-të në Këshillin e Qarkut Bronx, e cila përfshin lagjet ku jeton edhe një pjesë e madhe e komunitetit shqiptarë: Throgs Neck, Pelham Bay, Country Club, City Island, Westchester Square, Zerega, Morris Park, Pelham Parkway, and Allerton.
Në këtë ceremoni festive u nderuan me Proklamatën e Bashkisë së New Yorkut, disa përfaqësues të komunitetit shqiptarë, të cilët në mënyrë simbolike përfaqësonin Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trevat shqiptare .Kjo ceremoni i bashkoi të gjitha trojet Shqiptare nën një flamurë kuqezi – . Mbasi Këshilli i Bashkisë së New Yorkut, zgjodhi për të nderuar çdo njerin prej tyre me Proklamatën e Këshillit të Bashkisë së New Yorkut me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,. Presonalitete që morën këtë proklamat ishin : Dom Pjetër Popaj, nga shqiptarët e Malit të Zi, Xhim Xhema nga Lugina e Preshevës, Agim Karagjozi dhe Niko Kirka, nga Shqipëria, Agim Rexhaj, nga Kosova, Sali Bollati nga Çamëria dhe Ibrahim Kolari nga Dibra e Madhe.
Në këtë ceremoni u nderua dhe Niko Kirika, njeriu i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në burgjet famëkeqe të regjimit të Enver Hoxhës,. Ai është i biri një tjetër figure me përmasa kombëtare, e cila vetëm në demokraci ka filluar të nxirret nga humbellat e historisë së deformuar shqiptare. Bëhet fjalë për Kristo Kirkën (1883-1955), patriotin shqiptar, një nga themeluesit e shoqërisë “Vatra” në SHBA, bashkëpunëtor i Nolit e Konicës, deputet i Parlamentit shqiptar (1921-1924), konsullin e parë shqiptarë në Nju Jork, zv.prefekt i Bilishtit, kryetar i Bashkisë së Korçës, më pas nënprefekt i Korçës, gjatë pushtimit fashist e nazist, nacionalist, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me komunistët dhe të vihej në krye të Frontit Demokratik.Kjo ishte arsyeja pse në vitin 1946 ai u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burgim. Vdiq pasi kishte kryer 10 syresh në Burgun e Burrelit në moshën 72-vjeçare. Nuk dihet akoma se ku i prehen eshtrat.
Duhet cekur me këtë rast se Kristo Kirka është “një figurë me përmasa kombëtare, por fatkeqësisht e harruar, e lënë mënjanë. Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, pas një pune të gjatë në arkivat e Shqipërisë, të SHBA-së dhe sidomos të ‘Vatrës’, studiuesit shqiptarë kanë bërë përpjekje që të nxjerrë në dritë këtë figurë madhore të kombit tonë. Në Këtë ceremoni morën pjesë dhe përfaqësuesit diplomatik të shtetit Shqipërisë, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, zoti Dritan Mishto edhe disa bashkatdhetarë nga emigracioni shqiptar i këtushëm, i vjetër e i ri, si dhe media shqiptare TV21, Albanian Culture dhe gazeta Dielli..
Ceremonia zyrtare u zhvillua në sallën qendrore (sallën e kuvendit të qytetit) të Bashkisë së qytetit 12 milion banorësh, i njohur ndryshe edhe metropoli i botës. Kjo ceremoni ishte e veçantë, për të nderuar Ditën e Flamurit kuqezi , në këtë 100 vjetor dhe për të shprehur me këtë rast mirënjohjen dhe respektin e thellë për mikun tonë të madh SHBA-ës. Kjo ngjarje e cila u zhvillua në kuadrin e aktiviteteve që u mbajtën në New York, me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e përshëndeti edhe kryetarja e Këshillit të Bashkisë, zonja Christine C. Quinn, dhe miku i shqiptarëve anëtari i Këshillit të Bashkisë, James Vacca. Ndërkohë që në emër personaliteteve të nderuara ka përshëndetur kryefamullitari i Kishës Katolike shqiptare Zoja e Shkodrës në New York, i Përndershmi dom Pjetër Popaj. Më pas ceremoninë e përshëndeti edhe veprimtari i dalluar çështjes Çame në Amerikë, zoti Sali Bollati, i cili duke falenderuar për vlerësimin e Bashkisë, ka përmendur edhe faktin se krahina e Çamërisë, është shprehje e padrejtësive historike të Evropës ndaj Kombit shqiptar. Ndërkohë, që nën kryetari i Vatrës zoti Agim Rexhaj ka faleminderuar veçanërishtë me këtë rastë SHBA rolin dhe kontributin e saj prej pavarësisë së Shqipërisë, rënjen e komunizmit dhe lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Rexhaj sipas shtypit shqiptarë thuhet se ka thënë : “Shqiptarët, kudo në botë, të gjithë i janë mirnjohës SHBA-ës, për ndihmes e çmuar që dhanë në çështjen shqiptare në përgjethësi dhe së fundi me pavarësinë e Kosovës, duke realizuar edhe atë ëndërrën shekullore të shqiptarëve”
Ndërsa James Vacca (prouncimi Xhimi Vaca) Anëtar i Këshillit, të Qarkut 13 Bronx – New York, nderoi me një proklamtë të veçantë 100 Vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në të cilën thuhet :
Këshilli Bashkiak i qytetit të New York-ut është i kënaqur të nderojë sot ditën e pavarësisë të Shqipërisë, e cila sot feston ditën e flamurit – Albanian Flag Day; dhe Këshilli i Bashkisë së Qyetiti të New Yorkut është krenar për të nderuar njujorkezët me origjinë shqiptareditën kombëtare të Shqipërisë, në njohjen e 100 vjetorit të saj të Pavarësisë.
Shqipëtarët kan qenë të njohur gjerësisht si raca më e lashtë në Evropën Juglindore në kuadër tëPerandorisë Bizantine, ku populli shqiptar ka zhvilluar një luftë të madhe për identitet kombëtar në një gjuhënë një flamur dhe të trashëgimisë së saj kulturore të cilat njerëzit e saj i mishërojnë, edhe në këtë ditë
Shqiptarët kan një histori të pasur kulturore, që datojnë që prej ilirëve dhe para-Helenike dhe popullsisëTyrrhenopelasgian –
Perandoria Osmane filloi sundimin e saj në 1506 dhe vazhdoi atë për më shumë se katër shekuj…
Në 1909 Shqipërët filluan një rezistencë të armatosur tre vjeçare e cila kulmoi në 28 nëntor 1912 meshpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
Për çdo vit që nga viti 1912, shqiptarët e festojnë “Ditën e Flamurit” më 28 nëntor 2012, së bashku me shqiptarët në SHBA dhe në Shqipëri ata janë duke festuar 100 vjetorin e kombit shqiptar dhe vlerat elirisë me optimizmin dhe prosperitetin e tyre.