• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI – NJË JETË NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË ETNIKE

February 11, 2019 by dgreca

 

1 Rexhep Krasniqi Libri.JPG1 Besimi 12 libri Krasniqi

Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Prof.Dr. Rexhep Krasniqit, në Kosovë botohet libri “Prof.Dr. Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike”/

 Nga BESIM MUHADRI/

Në vend të parathënies së librit/

Më 12 shkurt bëhen njëzet vjet nga ikja në përjetësi e profesorit, intelektualit, atdhetarit, politikanit dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare shqiptare, prof. dr. Rexhep Krasniqit (28 shtator 1906 – 12 shkurt 1999). Njëzet vjet nga ikja në përjetësi e njërit prej figurave më të shquara të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili tërë mundin, dijen dhe gjithçka kishte nga vetja e dha për Shqiptarinë në përgjithësi dhe, për çështjen e Kosovës, në veçanti. Njeriu që tërë jetën punoi dhe luftoi për një Shqipëri natyrale, për një Shqipëri etnike. Njeriu i cili kurrë nuk e ndali luftën kundër së keqes që kishte pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët, si ata që jetonin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ashtu edhe ata që jetonin në trojet e veta etnike e që kishin ngelur padrejtësisht brenda së ashtuquajturës Jugosllavi, të cilët i ishin nënshtruar dhunës, represionit, shtypjes së egër komuniste dhe serbo-sllave, deri në përmasa asimilimi dhe shfarosjeje.

Njëzet vjet nga vdekja e prof. dr. Rexhep Krasniqit, i cili këtu e pothuajse një shekull më parë kishte filluar veprimtarinë e tij intelektuale e atdhetare.

Kush ishte Rexhep Krasniqi?

 I lindur më 28 shtator të vitit 1906 në Gjakovë, nga babë Musli Qerimi i Margegajve të Malësisë së Gjakovës dhe nënë Gjyla nga  Gjakova, Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbshme, sepse që në moshën 8 vjeçe mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si bir shpirti. Ai edhe do ta shoqërojë për herë të parë me rastin e  regjistrimit në shkollë në Vjenë. Sipas informacioneve që kemi, i vëllai i Rexhepit, Imeri, bashkë me kushërinjtë e tij, të bijtë e Niman Sylës, ishin familje e njohur dhe mbështetës të Bajram Currit, ndërkaq Kulla e Maxhun Nimanit ishte jataku kryesor i Bajram Currit në Malësi të Gjakovës. Ata kishin edhe relata të vjetra fisnore[1].

Në qytetin e lindjes, në Gjakovë, ai mbaroi 4 vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Shkollën e Mesme e kreu në “Theresianum” të Vjenës (Austri), e cila ishte një ndër shkollat më të njohura të Evropës Qendrore. Më 1934 merr titullin e Doktorit të Shkencave, me temën “Kongresi i Berlinit e Verilindja e Shqipërisë”, ndërsa për relator kishte prof. dr. Carl Patsch-in, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës, albanolog dhe historian i mirënjohur.

Pas përfundimit të studimeve, dr. Krasniqi kthehet në atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe i gjeografisë në shkollën qytetëse të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Më 1939, ai emërohet Drejtor i Arsimit dhe më vonë Inspektor Epror pranë po asaj Ministrie. Më 1941, ishte Komisar i Lartë i shkollave shqipe në Kosovë si dhe drejtor i Gjimnazit të gjuhës shqipe në Prishtinë. Më 1943, merr pjesë në qeverinë e Mehdi Frashërit si Ministër i Arsimit.

Në vitin 1943 zgjidhet Kryetar i Kuvendit Kombëtar (Parlamentit), ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e viseve që padrejtësisht u lanë jashtë trungut amë, përkatësisht nën sundimin e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë (trevat e verilindjes shqiptare). Në këtë Kuvend, shpallet bashkimi me shtetin shqiptar i tokave të zaptuara si dhe pavarësia e neutraliteti i Shqipërisë përkundrejt fuqive luftuese.

Dr. Krasniqi u zgjodh dy herë Nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që drejtohej nga Musa Shehu e Xhafer Deva.

Me ardhjen e komunizmit në fuqi, Rexhep Krasniqi u detyrua të largohej nga atdheu e, së bashku me grupin kosovar të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e mërgimit. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe, prej andej, emigroi në Australi. Aty kah fundi i vitit 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme Amerikane për të marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju Jork dhe zgjidhet Kryetar i Komitetit, të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht, deri në rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Prof. dr. Rexhep Krasniqi vdiq më 12 shkurt të vitit 1999, në Nju Jork, pasi që arriti të shihte rënien e komunizmit në Shqipëri, fillimin dhe vazhdimin e luftës për çlirimin e Kosovës dhe “me bindjen e patundur se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta mbronte edhe me gjak vijën e kuqe që i vuri Serbisë”[2].

“Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore” apo trajtimi i temës së gllabërimit të tokave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha

Siç u përmend edhe më lart, Rexhep Krasniqi në vitin 1934, në Vjenë, mbrojti doktoratën e tij, me tezën “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”, ndërsa për relator kishte prof. dr. Carl Patsch-in, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës. Teza e doktoraturës së Rexhep Krasniqit, është punimi i parë i përmasave shkencore, i trajtimit të temës së gllabërimit të tokave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha dhe dhënies “peshqesh” shteteve përreth Shqipërisë, si Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Kongresi i Berlinit, në këtë punim, në vizionin e Rexhep Krasniqit na del si një nga padrejtësitë dhe tradhtitë më të mëdha që i janë bërë popullit shqiptar, duke e ndarë padrejtësisht dhe duke e sjellë deri në zgrip të ekzistimit të tij.

Punimi i Krasniqit është i ndarë në dy pjesë dhe në katër kapituj. Në kapitullin e parë të pjesës së parë ai trajton temën e prejardhjes (zanafillën) dhe shtrirjes së popullit shqiptar në Siujdhesën Ballkanike si dhe zhvillimin e kësaj popullate brenda hapësirës së vet historike. Pastaj, temën e  Kongresit të Berlinit dhe pasojat e këtij Kongresi për Verilindjen e Shqipërisë; Temën e vrasjes së Mehmet Ali Pashës në Gjakovë me përmasa tragjike, pushtimin e Podgoricës, Shpuzës e Zhabliakut nga ana e Malit të Zi; Temën e shpërthimit të konfliktit për marrjen e Plavës dhe Gucisë si dhe të përfundimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe aspektin e zhvillimit të kombit shqiptar brenda hapësirës së vet historike, për ta përmbyllur këtë kapitull me çështjen e kufirit etnografik të Kombit Shqiptar në Verilindje.

Në Kapitullin II Krasniqi trajton temën e luftërave për lirinë e popujve kristianë të Ballkanit, ku shpërfaq arsyet e shpërthimit të këtyre luftërave dhe zhvillimin e tyre, duke trajtuar me këtë rast edhe problemin bullgar, grek etj.

Në Kapitulli III, flet për zhvillimin dhe përparimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve si dhe përpjekjet e sllavizmit; për arsyet e vonesës së zhvillimit të idesë kombëtare të popullit shqiptar; për rrjedhimet e menjëhershme të ngjarjeve para luftës Ruso-Turke; për shpërthimin e luftës Ruso-Turke etj.

Në pjesën e dytë të punimit të Rexhep Krasniqit, përkatësisht në kapitullin e katërt që është edhe i fundit i tërë punimit, autori duke elaboruar Kongresin e Berlinit si një ngjarje të përmasave politike evropiane e botërore në përgjithësi dhe, Shqipërinë Verilindore në veçanti, ai elaboron me mjaft përpikëri dhe këndvështrim shkencor ngjarjet e ndodhura para formimit të Lidhjes Shqiptare, pastaj krijimin e kësaj Lidhjeje, udhëzimet dhe vendimet e kësaj Lidhjeje etj., që janë mjaft me interes jo vetëm për kohën kur u shkruan ato, por edhe për vendin ku u shkruan dhe në gjuhën në të cilën u shkrua kjo temë.

Lexuesi, edhe pas gati një shekulli të shkrimit të kësaj teme doktorature, e ka me interes që ta lexojë dhe të informohet me konceptimin intelektual dhe kombëtar të autorit, atëherë relativisht të ri në lidhje me të gjitha ato ngjarje dhe rrethana, politike e shoqërore, nëpër të cilat kishte kaluar populli shqiptar si dhe pasojat e vendimeve të shteteve të fuqishme të botës, të cilat përveç që punuan në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ato sollën ose thelluan edhe më shumë problemin shqiptar në Ballkan, problem që mbeti i pazgjidhur sot e asaj dite.

Punimi në fjalë i dr. Rexhep Krasniqit pati dy botime: një në Nju Jork në vitin 1998, derisa ishte gjallë autori, ndërsa tjetri në Tiranë në vitin 2007, pra pas vdekjes së autorit. Me rastin e promovimit të botimit të Tiranës, historianët e vlerësuan lart kontributin e Krasniqit, ndërsa botimin e saj në Tiranë, pas kaq shumë vitesh të mbrojtjes së saj në Vjenë e cilësuan si një ndihmesë të njohjes së një periudhe shumë të rëndësishme, siç ishte ajo e zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare pas gjysmës, përkatësisht të pjesës së tretë dhe të fundit të shekullit XIX:

“Risjellja e kësaj vepre përpara publikut shqiptar, i ndihmon njohjes së një periudhe shumë të rëndësishme, asaj të lëvizjes kombëtare shqiptare, të nacionalizmit shqiptar, pra shekullit 19, kohë kur nacionalizmi shqiptar lindi, u zhvillua, kur pati edhe zhvillime të tjera kulmore si Lidhja Shqiptare e Prizrenit” – do të shprehej në mes të tjerash historiani Ferid Duka. Ndërsa historiani Beqir Meta, duke shprehur konsideratat më të mëdha për kontributin e Krasniqit në fushën e shkencës dhe atë politik në favor të atdheut dhe kombit që e bëjnë atë një figurë të nderuar e të respektuar, në mes të tjerash thotë se: “Dr. Krasniqi e provoi veten që ishte një njeri brilant si në fushën e shkencës ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe të kombit të tij. Pikërisht, për këto dy kontribute të mëdha që nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra, por janë pjesë e njëra-tjetrës, ai mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për gjithë brezat e shqiptarëve të sotëm”[3].

Siç shohim, gjatë leximit të punimeve të tij si dhe të aktivitetit të tij kombëtar, me këtë temë, Krasniqi do të merret në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa puna dhe aktiviteti i tij rreth çështjes së pazgjidhur shqiptare, do të jenë mision deri në fund të jetës së tij që do ta realizojë përmes Komitetit “Shqipëria e Lirë”, një organizatë e themeluar në vitin 1949, me kryetar Mithat Frashërin, ndërsa nga viti 1957 këtë Komitet derisa mbylli aktivitetin e vet më 1992, e udhëhoqi Rexhep Krasniqi. Mirëpo, këtu nuk përfundon aktiviteti dhe angazhimi i Krasniqit për zgjidhjen e çështjes shqiptare, e në mënyrë të veçantë të çështjes së Kosovës, për internacionalizimin e së cilës çështje ndër qarqet diplomatike amerikane roli i Krasniqit është i pakontestueshëm dhe i pamohueshëm. Ai është roli i një misionari të palodhur, i cili tërë dijen dhe mundin e shkriu për një Shqipëri të natyrshme dhe normale, ndërkaq çështja e Kosovës, aty ku shtypeshin të drejtat njerëzore dhe kombëtare të një populli të tërë, do të jetë prioritet i të gjitha prioriteteve të këtij kolosi të atdhetarizmit shqiptar.

Shkrime me interes të profesor Krasniqit, në librin që po e sjellim para lexuesit, përveç “Kongresi i Berlinit dhe Shqipëria Verilindore”, janë edhe: “Ngjarje vendimtare historike në Shqipëri dhe në Kosovë 1916-1920 – Kujtime personale”,“Skënderbeu dhe kontributi i popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës”, pastaj “Zhvillimi arsimor dhe popullsia shqiptare në Jugosllavi” dhe shkrimi i fundit është ai me titull “Një vështrim i shkurtër historik i robërimit komunist”. Ndërkaq, ky libër do të ishte i mangët sikur në të të mos përfshiheshin shkrimet biografike dhe analitike të Idriz Lamajt në lidhje me personalitetin e profesor Krasniqit. Po ashtu, në këtë libër sjellim edhe dy shkrime të historianëve nga Kosova, Nuridin Ahmetit e Shpend Avdiut si dhe ai i Hamdi V. Thaçit që janë punime të prezantuara në Konferenca Shkencore, të mbajtura në Prishtinë dhe Shkup dhe të botuara po ashtu në revistat shkencore “Gjurmime albanologjike” të IAP-së (Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe “Scupi”, një revistë po ashtu shkencore e ITSHKSH-së (Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, Shkup).

Kur jemi te shkrimi ose studimi historik “Ngjarje vendimtare historike në Shqipëri dhe në Kosovë 1916-1920”, përmes kujtimeve personale dhe autentike autori shkruan me shumë besnikëri për këtë periudhë historike katërvjeçare dramatike të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, në të cilën flet për gjendjen e asaj kohe në Shqipëri dhe Kosovë, për politikën hegjemoniste të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve fqinje të Shqipërisë që rrezikuan shtetin shqiptar, për Kosovën, e cila për të dytën herë bëhet pre e kësaj hegjemonie, duke mbetur jashtë trungut të shtetit të sapoformuar shqiptar, për shkeljen e të gjitha të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës etj.

Po ashtu, profesor Krasniqi në këtë shkrim flet edhe për rrethanat politike, shoqërore dhe ekonomike që e përcollën shtetin shqiptar, i cili me gjithë pengesat dhe hegjemoninë po shkonte drejt ringjalljes dhe konstituimit të tij, për Kongresin e Lushnjës si një nga aktet më të rëndësishme dhe më serioze të riorganizimit dhe forcimit të themeleve të shtetit shqiptar etj.

 Zbërthimi i figurës së Skënderbeut dhe historia pesëshekullore e Shqipërisë

Pa dyshim se një ndër studimet më serioze, pas atij të tezës së doktoraturës, është studimi me titull “Skënderbeu dhe kontributi i popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës”, ku përveç analizës së figurës së fatosit shqiptar, Skënderbeut, ai vë në pah edhe kontributin e popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës. Në këtë studim, me premisa të fuqishme shkencore, ai jep informacione për tokën, popullsinë, gjuhën dhe letërsinë shqipe. Pastaj, flet për etnogjenezën ilire të shqiptarëve, ndërkaq në pjesën e tretë të këtij studimi i qaset periudhës, siç do ta quajë ai heroike atë të invadimit turk dhe të luftës së Skënderbeut në mbrojtje jo vetëm të tokave shqiptare, por edhe të vlerave të civilizimit evropian.

Ai flet po ashtu edhe për familjen Kastrioti, gjenezën e kësaj familjeje, për Shqipërinë nën udhëheqjen e Skënderbeut, për luftërat e Skënderbeut, aleancat, për martesën, për vdekjen dhe natyrisht edhe për personalitetin e Skënderbeut. Studimin e thellon dhe e pasuron edhe me të dhëna për kohën e pasvdekjes së Skënderbeut, pra për kohën e sundimit osman, për të përshkuar një periudhë pesëshekullore deri në kohën e pavarësisë së Shqipërisë. Shikuar në tërësi, studimi në fjalë, i shkruar nga një penë e rëndësishme, është një material i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe i pajisur me argumente shkencore.

Gjendja e arsimit shqip dhe i shtypja koloniale serbe e jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës

Në shkrimin analitik “Zhvillimi arsimor dhe popullsia shqiptare në Jugosllavi”, i botuar te “Shejzat” e Koliqit, me të cilin kishte bashkëpunuar që në kohën kur Koliqi ishte ministër i Arsimit dhe në bashkëpunim me të kishin sjellë edhe 200 mësues në Kosovë. Në këtë shkrim të publikuar në nr. 1 të vitit 1974 të kësaj reviste, një vit para se të vdiste Koliqi, profesor Krasniqi, përveç që jep informacione të sakta për gjendjen e mjerë të arsimit të shqiptarëve që kishin mbetur padrejtësisht nën Jugosllavi, dalin në pah edhe akte të tjera të shtypjes koloniale të Serbisë dhe të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve, të cilët “kishin mbetur në mëshirën e sunduesve të Beligradit, të burokracisë dhe të xhandarit gjysmanalfabet të tyre”.

Te “Një vështrim i shkurtër historik i robërimit komunist”, autori ka si qëllim kryesor të paraqitë në formë të përmbledhur një pasqyrë të qartë dhe objektive gjendjen e atëhershme të popujve të robëruar dhe të shtypur nga regjimet e instaluara komuniste të asaj kohe në shtetet e tyre, regjime të cilat nuk kishin ardhur në fuqi në asnjë vend në mbështetje të vullnetit të lirë të popujve. Partitë komuniste në vendet, si: Estonia, Lituania, Letonia, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Çekosllovakia dhe Shqipëria, sipas Krasniqit “kishin imponuar sistemin e tyre me akte të drejtpërdrejta ose të tërthorta agresioni, duke përdorur forcën, terrorin dhe frikën, me komplote të shëmtuara kriminale”.

Shkrime me interes, të cilat edhe thellojnë informacionin në lidhje me personalitetin e Rexhep Krasniqit, janë pa dyshim ato të Idriz Lamajt, njërit prej miqve dhe njohësve më të mirë të jetës dhe të veprimtarisë së Krasniqit, pastaj shkrimet analitike dhe studimore të Nuridin Ahmetit, Shpend Avdiut dhe Hamdi Thaçit, të cilat ndonëse mbështeten fort në të dhënat që ofron Lamaj, megjithatë janë me interes, sepse sadopak mundohen të japin kontribut në ndriçimin e figurës së profesor Krasniqit, të pastudiuar e të pahulumtuar sa e si duhet, sado që një figurë me vlera të pakontestueshme intelektuale e kombëtare.

Shikuar në përgjithësi, përmes këtij libri, i pari i këtij lloji në Kosovë që shpërfaq kontributin e profesor Rexhep Krasniqit, qoftë përmes shkrimeve të tij, qoftë edhe përmes atyre shkrimeve të pakta për të, është një kontribut modest për të hapur rrugë në ndriçimin e kësaj figure të rëndësishme kombëtare, të etiketuar e të anashkaluar padrejtësisht për pesëdhjetë vjet të sundimit komunist, qoftë në Shqipëri, qoftë në Jugosllavi, pavarësisht se ai, bashkë me Xhafer Devën, një tjetër personalitet i diskutueshëm dhe po ashtu i etiketuar “ishin dy burra të shtetit etnik shqiptar që ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës pranë diplomacisë amerikane më mirë dhe me më kompetencë se askush tjetër, duke i shërbyer me nder e dinjitetshëm kauzës kombëtare dhe përpjekjeve për realizimin e Shqipërisë etnike. Ata vdiqën me bindje të plotë se një ditë jo të largët do të realizohet shteti i lirë etnik shqiptar”, do të thoshte Idriz Lamaj, ish-gazetar i njohur i Zërit të Amerikës dhe njëherësh mik i ngushtë i të dyve për një periudhë të gjatë kohore dhe që për profesor Krasniqin u kujdes deri në momentet e fundit të jetës, të cilin edhe e varrosi pranë varrezave të tij familjare në Nju Jork. Duhet përkujtuar opinionit se Idriz Lamajt, si profesor Krasniqi, ashtu edhe Xhafer Deva ia besuan dhe ia lanë tërë arkivat e tyre personalë që përmbajnë dokumente të shumta të jetës dhe veprimtarisë së këtyre dy figurave tashmë të njohura të historisë sonë dhe po u shikuan me kujdes, do të ofronin dëshmi të rëndësishme për historinë më të rë të popullit shqiptar.

[1]Për jetën dhe veprimtarinë e prof. dr. Rexhep Krasniqit u referohemi shënimeve të Idriz Lamajt, gazetar dhe publicist i njohur, i cili një kohë të gjatë punoi te Zëri i Amerikës, ndërsa Rexhep Krasniqit i qëndroi pranë me vite të tëra. Meqenëse, Rexhepi në Amerikë nuk kishte askënd tjetër të familjes (sepse nuk krijoi kurrë familje), Idriz Lamaj atë edhe e varrosi në varrezat familjare në Nju Jork, ndërsa tani posedon tërë arkivin personal të Rexhep Krasniqit.

[2]Idriz Lamaj, “Përpjekjet e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,https://www.ballikombetar.info/.

 

[3]https://www.zeriamerikes.com– Dr. Rexhep Krasniqi “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”. Feb 26, 2010.

Filed Under: Emigracion Tagged With: BEsim Muhadri, nej jete en sherbim, Prof. Rexhep Krasniqi, Shqiperia Etnike

Shqiperia etnike deri tek Molla e kuqe

June 11, 2016 by dgreca

Nga Prof Hyzri Salihu/ Bashkëpunimi në mes të fuqive të mëdha është esencial në vend të konflikteve për të përballuar krizat ekonomike dhe politike që sfidojnë njerëzimin sot në shek XXI – Rusia fashiste perfide që punon haptas kundër vendosjes së Rendit të ri botrorë, sipas vizionit të Njeriut vertikal universal, po e kundërshton edhe ndaljen e Luftës në Siri dhe vendosjen e Paqes në atë vend për arsye se, ka të instaluar në Siri sistemin raketor Rus andaj, pyetja  e madhe shtrohet “Bota sot eshte ne prag të Luftës së Tretë botërore apo jo” ?

Albert Pike i shkroi letër Mazzinit me 15 gusht 1871 ” Lufta e tretë botërore do të nxitet prej agjentëve tonë në mes të Cionistve Politikë( Izraelit) dhe liderëve të botës muslimane që do të nxitet prej nihilistëve dhe ateistëve”

Lufta e tretë botërore për momentin është e bllokuar për arsye të Dokumentit të Drejtave të Njeriut i nënshkruar nga fuqitë e mëdha dhe shumica e vendeve të botës, në  kohën kur e kanë nënshkruar nuk e kanë kuptuar pergjegjësinë  që kanë, në  raport me obligimet ndaj parimeve që shtrohen në atë dokument  përndryshe po të ishte në ndergjegjjen e tyre, nuk do ta nënshkruanin nga frika e humbjes së dominimit karshi vendeve të vogla. Dokumenti krijoji baraspeshë botërore ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit ,mos zbatimi i tij nga vet ata që e kanë nënshkruar, po krijon tensione ndërmjet fuqive të mëdha dhe pasojat po i vuajnë vendet e vogla.

Përgjegjësine që kanë marrë  Amerika për të zbatuar dhe implementuar Dokumentin është dashur të kenë  parasysh rreziqet e pengesat që dalin gjatë rrugës.

  • Për të pasur zbatim të Drejtat e Njeriut duhet të kenë vulën e Njeriut universal, por që ka një origjinë kombëtare që i takon një Kombi dhe që ka besim në Zotin.

“Deklarata e KSBE tani më OSCE përmban edhe tri principe të reja, të përcaktuar në mardhëniet ndërmjet shteteve: së pari, principin e moscenimit të kufijëve, me të cilin shtetet-pjesëmarrëse të Konferencës, konsiderojnë – të pacënueshëm të gjithë kufijtë e vetë, si edhe kufijtë* (shih, aprovimin e Dokumenteve) e të gjitha shteteve në Evropë;

së dyti, principin e respektimit të integritetit territorial, me të cilin shtetet pjesëmarrëse, obligohen që të – përmbahen nga ajo, që territorin e shtetit tjetër pra pjesëmarrëse, ta bëjnë objekt të okupimit ushtarak ose të masave tjera, ose ta përvetësojnë …,

së treti, principin e respektimit të të drejtave njerëzore dhe të lirive themelore, me të cilat shtetet pjesëmarrëse obligohen se do ta përparojnë dhe inicojnë realizimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe lirive, që dalin prej dinjitetit të personalitetit të njeriut. Në këto pika shprehet qartë rruga dhe alternativa e zgjidhjes me kërkesën e drejt dhe rrugën e politikës dhe shtetndërtimit. Në marrëdhëniet e këtilla të ndërlikuara të botës bashkëkohore, gjenden kufijtë e detantit, por edhe fillimi i epokës së re në marrëdhëniet ndërkombëtare.”

Nëna shqiptare Lindi Njeriun që i qëndrojë sfidave të kohës, vuajtjeve,robrisë,varfrisë,luftave shekullore etj – Njeriu që i dha botës ndërgjegjje,Dashuri,Paqe, mirësi etj  prandaj Kombit shqiptar meritonë të i’u njifet e Drejta njerëzore për Liri bashkim kombtar ,e i siguruar.

Duhet të kultivohet një vetëdijësim kombtar shqiptar me tradita tona duke respektuar  të gjitha religjionet në hapsirën tonë etnike.

Politikanët që po e pengojnë procesin e bërjes së Shqipris Etnike duhet të largohen nga skena, duhet të zgjidhen atdhetar intelektual që kan guxim ,që jan të lidhur me popullin si mishi me eshtra, ndërsa  komunizmi dhe pasuesit e tij nuk kan çka lypin në proceset politike.

Urime 10 Qershori dita e Lidhjes së Prizrenit,sukse ekipit kombëtar të Shqiprise etnike në Paris.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: deri tek Molla e kuqe, Hyzri Salihu, Shqiperia Etnike

SHQIPËRIA ETNIKE ËSHTË NJË REALITET DHE JO ËNDËRR ROMANTIKE

May 26, 2016 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/

Kohëve të fundit jemi dëshmitar që në trojet etnike shqiptare po ndodhin shumë gjëra të pahishme, po ndodhin shumë pabesi, janë përzier shumë rryma politike aziatike dhe karpatjane të cilat po mundohen t’i nxën frymën idealit të shenjët kombëtar Shqipërisë Etnike. Madje këto rryma nuk lënë asnjë instrument destruktiv pa përdorur për të krijuar huti dhe mbjellë defitizëm në popullin shqiptar se Shqipëria Etnike qenka një ëndërr romantike dhe se ajo ëndërr nuk do të realizohet asnjëherë sepse situatat politike në botë qenkan të tilla sa nuk po e lejuakan bashkimin e Shqiptarëve në një shtet të përbashkët. Edhe në prag të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë para 28 Nëntorit 1912, shumë grupe politike me mendësi aziatike e kishin hedhur parullën tashë të mirnjohur „ Duam Babën e jo Shkabën“, që në gjuhën politike do të thotë se e duam baba sulltanin dhe jo shqiponjën dykrenare. Për inati të kësaj mendesie aziatike, që fatkeqësisht persona te till,  flisnin shqip por vepronin arabisht e turqisht Shqipëria u bë por jo e tëra. U shpëtua gjysma e Shqipërisë aq sa u mundë të shpëtohet nga miqët tanë Perëndimor dhe nga rezistenca kombëtare shqiptare që prej vitit 1910-1912 , kjo rezistencë ishte mjaftë aktive dhe nuk u pushua asnjëherë. Shteti Shqiptarë e vazhdoi shtegtimin edhe pse më zemër të plagosur dhe më plagë në shpirt për pjesët e saja që mbetën jashtë Shqipërisë. Idealistët shqiptarë nuk e ndalën turrin e tyre. Por dikush me penë e dikush me kobure vazhduan në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit Shqiptarë. Quditërisht ata që e donin më shumë babën se shkabën, u infiltruan në të shumtën e rasteve nëpër pozicione të ndryshme politike saqë atdhetarët e mirfilltë që e krijuan Shqipërinë shpesh herë shikonin me habi se cka ndodhi më adhuruesit e baba Sulltanit, a thua iu kthyn në mbrojtës të atdheut, apo prap vazhdojnë më politikën e barkut .

Koha kalonte rezistencat shqiptare vazhdonin përseri dhe erdhi fundi i viteve të nëntëdhdhjeta. Filloi një rezistencë e madhe Kombëtare për themelimin e shtetit të dytë Shqiptar të Kosovës. Edhe në këtë rast nipat e atyre që e donin babën e jo shkabën, e kishin ndryshuar stratëgjin. Ata për rreth pesë dekada ishin në shërbim të Beogradit dhe pjesmarrës në masakra kundër Shqiptarëve në përiudhnën kohore 1944-1999 kohë kur u ripushtua Kosova dhe viset e tjera Etnike Shqiptare nga regjimet pushtuse Titiste dhe Millosheviqiste. Edhe kësaj radhe bijtë e proletarve komunistë filluan me parollën „Nuk mundet mu Shkatrru Jugosllavia !“ , ’’A e dini se sa shtet i Fuqishem është ?“, „e ka në krahë Rusinë “, dhe shumë pallavra tjera Udbasho – komuniste. Por edhe në këto raste ata që tash hoqën dorë prej shkabës, dhe e puthnin yllin e kuq komunistë me një besnikëri i mbronin dhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i mbrojnë baballarët e tyre të kuq. Por për fatin e tyre të keq shteti i tyre që kishin ngrën me lug të arit iu shkatrru. Ju ba copë e grim. E të tillët përdorën të njëjtën strategji sikurse në vitin 1912 – të , ata filluan uzurpimin e institucioneve Shtetërore në Kosovë, dhe morën komplet në dorë frerët e shtetit, me ndonjë ndryshim të vogël. Filluan të flasin me zë të lart se ata kanë qenë dhe janë mbrojtësit e Pavarsisë së Kosovës. Sa që edhe kësaj radhe mbetën të hutuar elita e Nacionalizmës Shqiptare se cka po ndodh kështu. E tash ata e kanë filluar një strategji dhe propagandë tjetër politike. Ata thonë se asesi nuk mund të arrihet  bashkimi i Trojeve Shqiptare se duhët të shkatrrohën shumë shtete, dhe kjo nuk është në planet e Evropës dhe të Amerikës. E unë iu them direkt se edhe për të tretën herë ju pasardhës të babës e jo të shkabës, ju që e perqafuat yllin komunsit në vend të shqiponjës dykrenare, do të digji keq edhe herën e tretë . Planet afatshkurtera dhe afatmesme të Bashkimit Evropian, dhe të Amerikës, parashohin një Evrop Juglindore apo siq quhet ndryshe Ballkan, të qetë. Qetësia në Ballkan nuk mund të arrihet me krijimin e shteteve artificale por vetëm , me krijimin e shteteve nacionale. Me këtë rast adhuruesit e babës dhe adhuruesit e yllit të kuq komunist, do të bien serish. Por Nacionalizma nuk guxoj të bëj edhe për të  tretën herë gabimin e dy herave tjera që ata sërish të dalin në krye të vendit, dhë të thonë se ne kemi qenë bab e babgjysh për bashkimin kombëtar, por që kohërat kanë qenë të tilla, dhe nuk kemi guxu me fol haptas. Të tillët që bëjnë propagandë kundër Bashkimit Kombëtar,duhet  të evidentohen, dhe nuk duhet t’u lejohet kurrsesi që në të ardhmën, të infiltrohen nëpër Partitë Politike që synim e kanë Shqipërinë Etnike. Adhuruesit e baba Sulltanit, si dhe ata të yllit të kuq komunistë, do të dëshprohen edhe kësaj radhe. Evropa dhe Amerika tani më e ka caktuar, në projektet afatshkurtera dhe afatmesme, që në Evropën Juglindore të krijohet një Shtet i fortë shqiptarë. Madje Shqipërinë Etnike do ta bëjmë edhe për inat të disa Shqiptarve që këtë shtet që është i lejuar me cdo konvent ndërkombëtare e shohin si utopizëm romantik, e jo realitet politik.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mr.sc.Nue Oroshi, Shqiperia Etnike

Shqipëria etnike po jetësohet

June 9, 2015 by dgreca

Nga Kastriot Bushi/
Dikur thuhej nga njerëzit e pendës se …Kosova si është sot, do të jetë edhe nesër ! – Apo shqiptarët si janë sot , sa të drejta kanë dhe si e përcjellin Demokracinë si proces e sistem , ashtu duhet të jetë edhe premtimi i tyre për të ardhmën e ndryshme e të afërt, por jo edhe të pasigurtë .
Ne si popull, edhe në historinë tonë nuk kemi qenë asnjëherë të mashtruar sikurse disa nga popujt sllavë. Marrim shembull , serbët kanë jetuar me shekuj duke ëndërruar se gjoja ; Kosova është djepi tyre , por kanë harruar se , ‘’fëmia që përkundet nuk do të thotë domosdo se është i yti “, thoshte dikur Akademiku Esat Stavileci . Edhe pse për këtë kauzë , janë shkruar e derdhur pasuri marramendëse e janë zhvilluar luftëra , prapë ne jemi nxjerrur para vetë Historisë , të pastër sepse ; Pavarësia e Kosovës e shpallur para gjithë botës e njohur, është tani më fakt edhe juridik , dhe çështja e pazgjidhur shqiptare, që kërkohet nga e gjithë Mërgata shqiptare e mekanizmat e shoqërive të ndryshme kulturore dhe tani më ,së fundmi edhe raportet e dy qeverive për bashkëpunim në nivel shtetesh .
Përkundër kësaj panorame dhe gjendjes në të cilën po kalojmë si popull shtrohet një pyetje , thelbësore ; ku janë shqiptarët sot, dhe përgjigjia e saj ka një bazë , që shfaqë indeksin e tyre real në një nga dimensionet e saj në raport me politikën e SHBA-së në Ballkan ?
Disa nga këto raporte nuk përkojnë me mesazhet të cilat vetë bashkësia ndërkombëtare , kohë paskohe shfaq dhe organizon për Ballkanin, theksi i problemit janë shqiptarët, ku në fakt është e kundërta .
Rasti i fundit për rivarrimin e kolosit të madh Isa Boletini , ku idea e Kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm z Thaçi se : Në Vlorë për ta lidhur historinë kjo përkthehet shumë thjeshtë “ ky akt e t`kurrë teritorin e Shqipërisë etnike, derisa Sërbia dëshiron ta mbanë peng veriun e Kosovës dhe shtypë shqiptarët në Luginë të Preshevës “ , andaj Trimi ka vendin në Boletin dhe ka datën e tij 10 Qershorin e Lidhjes . Aty ku mungon hallka , duhet të forcohet .
Çfarë po ndodhë me sistemin e drejtësisë dhe informacionit, kur çdo lëvizje në rajon “arsyetohet “, me mbajtjen e balancës së paqës, dhe prapë mungon baza dhe konkudimi për x –gjendjen , dhe tanimë spektakli medial duhet ta ngarkojë vetëdijen publike , sikurse të informohesh donë të thotë, të keq-informohesh , ose po të mos jesh i informuar , do të thotë të mos ekzistosh ! Shteti nuk duhet të ju bjerë në qafë njerëzve që kanë edukim e arsimim për të cilin nuk kanë as denime për komunikacion e lëre më vepra të cilat as që duhet të diskutohen , por si mekanizëm të tij që ka forcën për ta zbatuar Ligjin ,e përdorë për ta konsumuar kohën të cilën nuk mundet ta shfrytëzoj kundër krimit partiak , korrupcionit publik , diskriminimit të llojllojshëm e shumë të tjera . Andaj kjo masë duhet që Prokurori i shtetit z Aleksandër Lumnezi të bëhet Aleksandri për qytetarët tanë . Vetë procesin politik që nga fillimi SHBA-të janë munduar me të gjitha mekanizmat ta këshillojnë dhe të japin gjithëçka nga përvoja e tyre , me të vetmin qëllim ; që ta rrisin vetëdjien për Demokracinë , sepse demokracia do të thotë edhe se si duhet të edukohet qytetari , çfarë është të jesh një tjetër për të . Pra thjeshtë korrupcionin në nivel vendi të mos e bëjnë politikanë trend, dhe prapë të na lodhin për vote . Ose të bindemi se jemi të lire një herë , edhe atë gjatë zgjedhjeve vetëm 5 minuta .
Çfarë ju mungon sot shqiptarëve : Një Anton Çetë që ta pajtojë këtë popull , dhe ta mbledhë në një Pikë , pastaj një Gjeneral ushtarak që nuk shqetesohet shumë për deklarata të papjekura që historia u ka vënë vulë , edhe pse pregaditja e tij ofron siguri për vetë sistemin e sigurisë . Dhe së fundmi një President që ; populli e sheh vetën tek ai , është fjala dhe besa e tij për të ardhmën ku dora e tij që shtrëngon homologut të tij, ta kujton fotografinë e munguar të zingjirit historik, atë të çështjes së pazgjidhur të çështjes shqiptare , pra çështja e çështjes !
Neve jemi mirë, kur shqiptarët : mendojnë , flasin dhe veprojnë Shqip . Edhe shqipëria do të jetë mirë .

Kastriot Bushi
Arbëri 10 06 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Kastriot bushi, Shqiperia Etnike

SHQIPËRIA ETNIKE

December 6, 2012 by dgreca

NGA VULLNET MATO/

Dëgjojmë të lakohet fjala “Shqipëri e Madhe”,/
epiteti keqdashës kundër dëshirës për bashkim,/
që na kanë ngjitur gojët e liga të grabitqarëve,/
nga koha kur ata shqyen trojet tona me tërbim. /
Dhe u ranë daulleve me gjëmime të frikshme, /
duke shpërthyer nga armët flakë dhe tym të zi, /
për t’i mbyllur gojën klithmës sonë të ligjshme, /
sa herë padrejtësive të mëdha u kërkuam liri./

Nuk ka dhe nuk ekziston “Shqipëria e madhe”,/
por në hapësirën e lashtë të shtrirjes ballkanike,/
mbijeton në mijëravjeçarë atdheu i shqiptarëve,/
kombi me rrënjë natyrale, Shqipëria jonë etnike. /  

Ashtu siç nuk ka në Evropë, Gjermani të madhe,/
Vietnam të madh, e Kore që kërkon rritje në Azi,/
nuk ka e s’mund të ketë pretendime territoriale, /

aty ku kombi me gjuhë dhe troje quhet Shqipëri./

Jo më kot në ndarjen kufitare, i mençuri Telini,/
hidhte mbi turma fëmijësh monedhat e argjendit,/
të vërtetonte te britmat e tyre gjuhën që flisnin,/
deri sa e vranë pabesisht, trojet të na rrëmbenin. /

Kudo ku flitet shqip dhe buka s’ka emra të tjerë,  /
nuk quhet “hleb” as “leba”as “psomi”nuk i thonë, /
ku nusen e prin flamuri që ka shqipen me dy krerë,/
gjendet përjetësisht e patjetërsuara Shqipëria jonë. /

Pavarësisht nga piramidat dhe tabelat orientuese,/
që vunë zhvatësit në trojet e të parëve të këtij vëndi, /
nuk mund t’i mohohet shqiptarit gjeneza ekzistuese,/    
aty ku bën hije mbi shkëmb, qëkur u krijua shkëmbi. / 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: poezi, Shqiperia Etnike, Vullnet Mato

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT