• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Unifikimi i shqiptarëve dhe faktorit shqiptar në Mal të Zi, mesazhi më i qartë se ne dimë, duam dhe ia dalim

June 15, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka ndjekur me vemendje procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Malit të Zi, në të cilat shqiptarët e këtyre trevave etnike arritën rezultate historike duke u përfaqësuar me 6 deputetë shqiptar të zgjedhur.

Në cilësinë e kryetarit të “VATRËS”, së bashku me bashkëpunëtorët e mi kemi qenë aktiv dhe me mundësitë tona kemi ndihmuar faktorin politik shqiptar atje. Fitorja plebishitare e komunës së Tuzit dhe tani ky përfaqësim dinjitoz në Parlamentin e Malit të Zi, është një tregues real se shqiptarët në Mal të Zi dita ditës po forcohen, konsolidohen dhe janë në rrugë të mirë për avansimin e të drejtave të tyre nacionale.

Ne apelojmë dhe do të japim kontributin tonë që deputetët e zgjedhur shqiptarë atje të koordinohen, pa marrë parasysh orientimet politike, të ndërtojnë një platformë politike reale që avanson të drejtat nacionale dhe të fokusohen në zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor si dhe prosperitetin e gjithmbarshëm të shqiptarëve atje. Unë personalisht dhe “VATRA” do të jemi me ju dhe do ju mbështesim pa rezervë për secilën nismë që avanson të drejtat nacionale të bashkëkombasve tanë në Mal të Zi. Paqja, stabiliteti rajonal, orientimi pro perëndimor dhe euro – atlantik i Malit të Zi pa dyshim që ka rëndësi jetike edhe për prosperitetin e shqiptarëve atje.

Së bashku më një grup të veprimtarëve të “VATRËS” do të vizitojmë së shpejti zyrtarisht viset shqiptare në Mal të Zi ku do të takojmë përfaqësuesit politik të shqiptarëve si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal në mënyrë që të intensifikojmë bashkëpunimin dhe të koordinohemi së bashku në interes të prosperitetit të gjithmbarshëm të bashkëkombasve tanë në Mal të Zi.

Si kryetar i Federatës Panshqiptare “VATRA” uroj nga zemra këtë sukses kulminant të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi dhe ju garantojmë se do të jemi me ju dhe përkrah jush në sukseset e radhës.

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Pashko Camaj, Elmi Berisha, Nikolle Camaj

Deputeti Nikollë Camaj, një përfaqësues dinjitar i mbrojtjes e realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi

June 13, 2023 by s p

Shkruan: Ramiz TAFILAJ, Houston, Texas

13 Qershor 2023/

Lajmin e mirë për fitoren e Shqiptarëve me 6 ulëse në Kuvendin disa etnishë të Malit të Zi (4 prej tyre të partive nacionale shqiptare) e pritëm me interes të veçantë dhe na përcjelli gëzim të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan të Huostonit e të Dallasit në Teksas dhe në të gjithë SHBA, sepse tashti ma shumë e ma mirë se asnjëherë tjetër në historinë politike postkomuniste të këtij shteti të vogël ballkanik do të jenë një fuqi, faktor, forcë politike përcaktuese në përbërjen e Parlamentit, në formimin e Qeverisë së re, në zhvillimet politike-diplomatike-ekonomike-sociale-kulturore-ushtarake në Malin e Zi.

Sot, dua të ndaj me Ju, zoti Nikollë Camaj, lumturimin tim për zgjedhjen Tuaj deputet meritor në Kuvendin e Malit të Zi, si një përfaqësues dinjitar i mbrojtjes e afirmimit të të drejtave universale, kushteteuese dhe etnike të Shqiptarëve në Malin e Zi, si një zë i fuqishëm me përvojë e dituri i Koalicionit tuaj trepartiak “Forumi Shqiptar”; si politikan i njohur shqiptar e kombëtar në 34 vite veprimtari politike, nga sekretar i parë i subjektit të parë politik shqiptar, Lidhjes Demokratike në Malin e Zi (LDnëMZ, themelue në Tuz, 09.09.1990), prej kohësh Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare në MZ (themelue në Tuz/Malësi), ma herët edhe kryesues i “Forumit Shqiptar” dhe i Kuvendit Komunal të Tuzit, po edhe si zyrtar i lartë në komunën e re me shumicë shqiptare të Tuzit, etj.

Dëshirojmë që Kuvendi i ri i Malit të Zi në seancën e tij më të parë të legjislaturës së re dhe Qeveria e re e Malit të Zi t’i vlerësojnë e t’i çmojnë përpjekjet, kontributet, vlerat e meritat tuaja të veprimtarisë politike e shoqërore në mbi 30 vite, duke iu dhënë Ju, vendin e funksione të merituara në legjislativ e ekzekutiv, pasi jeni një personalitet shumëdimensional, me integritet të lartë njerëzor e politik, keni një emër të mirë si njeri i traditës e bashkëkohësisë, si profesor në mbi 20 vite i letërsisë shqipe në gjimnazin e Tuzit, si politikan në dekadat e fundit, si përkthyes, si studiues, si publicist, si një personalitet mjaft i njohur e nderuar në Rajonin Ballkanik Shqiptar, në Mërgatën Shqiptare në Amerikë, ndër Shqiptarët në Europë.

I nderuari ynë, deputeti Nikollë Camaj, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të “Gazeta e Alpeve”– media PanShqipatre e NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak-Maqedoni e Veriut), dua t’iu faleminderoj për punën Tuaj me plot përkushtim e sakrifica, me bashkëpunime cilësore, në detyrën tuaj misionare e vullnetare si Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi, duke arritë që kjo gazetë të jetë e dyta në Malin e Zi (pas “Koha Javore”) në shpërndarje ndër lexuesit shqiptarë në Tuz e Podgoricë, në Ulqin e Tivar, në Plavë e Guci dhe në Rozhajë, duke kontribuar me shkrime mjaft cilësore nga ana Juaj, duke u përpjekur që edhe kjo gazetë t’iu shërbejnë sa më shumë e më mirë integrimeve e zhvillimeve panshqiptare e ndërballkanike në Malin e Zi e në Sanxhak.

Gjithashtu e çmojmë shumë edhe pjesmarrjen tuaj elitare si një ndër përfaqësuesit kryesorë të Shqiptarëve në Malin e Zi në veprimtaritë kombëtare, ndërballkanike e ndërkombëtare të “Gazeta e Alpeve”, si në “Takimi i Madh i Shkodres” me 23 tetor 2021, ku mbajtët edhe një kumtesë me mjaft interes kombëtar e rajonal; në “Takimin e Parë të Plavë-Gucisë”(2019) dhe në “Takimi i Dytë i Plavë-Gucisë” (2021)-ku në këtë të fundit e mbajtët Fjalën e Hapjes; në “Takimi i Madh i Prishtinës” (13 maj 2022)- ku edhe përshendetët në emër të Shqiptarëve në Malin e Zi; në “Kuvendin e Madh të Ulqinit” (29 prill 2023), ku e mbajtët Fjalën e Mbylljes të këtij Kuvendi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik.

Meqë po flasim për “Kuvendin e Madh të Ulqinit” dua të them edhe një herë tjetër, se kishim kënaqësi të madhe kur në sallën e Kuvendit e ndamë Çmimin e Lartë “Fisnikëri Shqiptare” për babain Tuaj, Rrok Pjetër Zeku i Camajve të Hotit e Tuzit/Malësisë, me motivacionin: “Personalitet i profilit e formatit të lartë për burrërinë tipike malësore, për virtytin e shquar njerëzor të humanizmit, për aktin fisnik të 19 dhjetorit 1972 të pajtimit të dy familjeve në Tuz deri përtej sakrificës; për vajtimet (brimtaritë) e tij me famë që kanë hyrë dhe në botime antologjike të Shqiptarëve në Malin e Zi”. Edhe më e madhe ishte kjo kënaqësi e imja dhe e ne të gjithëve në Kuvendin e Madh të Ulqinit, kur djali i juaj, Dr. Klement Camaj– profesor i rregullt në “University of the West Scotland” në Londër, e mori këtë vlerësim të madh për gjyshin e tij të nderuar e të paharruar.

Edhe tek ky fakt i 29 prillit 2023 në Ulqinin historik, kulturor e turistik, pashë edhe një herë tjetër, se ndër breza genesh jeni një familje e mirënjohur në Malësi e Shqiptari; me tradita, virtyte, vlera atdhetare kombëtare dhe njerëzore; që rrezatoni me kontributet tuaja në Tuz e Malin e Zi, në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe me djalin tuaj Klementin, në Shtetet e Bashkuara me vllaun tuaj elitar, dr. Pashko R. Camaj i Federatës PanShqiptare “Vatra”, i mjekësisë amerikane, i Komunitetit Shqiptar në Amerikë. Ju, të gjithë si familje, ndër breza, jeni një familje e nderuar shqiptare, por edhe një familje anglo-saksone, që i shërbeni Kombit Shqiptar, miqësisë me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, me botën Euro-Atlantike.

Në përfundim të kësaj letre urimi, të kësaj mirënjohje, më lejoni miku im i çmuar, deputeti ynë i nderuar, Nikollë Camaj, që t’iu uroj suksese në detyrën e lartë si përfaqësues i Shqiptarëve në Kuvendin e Malit të Zi, si përfaqësues i të gjithë Shqiptarëve në trojet etnike në Malin e Zi, i Shqiptarëve në mërgatat shqiptare në Amerikë e Europë dhe kudo tjetër; i të gjithë shqiptarëve në shekuj që kontribuan për këtë vend e kohë, për viset etnike shqiptare në Malin e Zi.

Unë e di, i nderuari ynë, deputeti i ri Nikollë Camaj, se në Kuvendin e ri keni shumë përgjegjësi e mjaft angazhime të larta e të përditshme si përfaqësues i Shqiptarëve, si përfaqësues i partive nacionale shqiptare, i Forumit nacional Shqiptar, në mbrojtjen e realizimin e të Drejtave të Shqiptarëve në Kuvendin dhe në republikën e Malit të Zi, po jam e mbetemi të bindur se do t’ia dilni me sukses të plotë, në bashkari me deputetët e tjerë shqiptarë e me partitë e tjera shqiptare nacionale e qytetare, në kryerjen e këtyre detyrave misionare, kombëtare shqiptare, euroatlantike.

_______

Ramiz Tafilaj Drejtor i Përgjithshëm i “Gazetës së Alpeve”, është aktivist shqiptaro-amerikan që jeton e vepron në Houston, TX. Për kontributin e tij për kauzën kombëtare, ai është nderuar edhe nga Presidenti i SHBA-ve me Medaljen e Arritjes Jetësore. Ai është gjithashtu anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe mban Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Filed Under: Mergata Tagged With: Nikolle Camaj

“BALLKANI I HAPUR” ËSHTË I PA PRANUESHËM PA KOSOVËN DHE MALIN E ZI

November 22, 2021 by s p

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi, shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze, sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar, iniciativën “Ballkan i Hapur” pa Kosovën e Malin e Zi dhe takimet me diasporën shqiptare në Amerikë. Me z. Nikollë Camaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E PËRGJITHSHME POLITIKE NË MAL TË ZI

Asnjëherë më e ndërlikuar, dhe me më shumë të panjohura. Me një qeveri “ekspertësh”, e cila nuk gëzon përkrahjen e shumicës që e ka zgjedhë, por e cila nuk merr guximin për ta shkarkuar, edhe pse, gjasat janë se shkarkimi është i pashmangshme. Pastaj parlamenti me retorikën e viteve të 90-ta, nuk premton asgjë të mirë. Një situatë e këtillë nuk mund të mbahet gjatë, por askush nuk e di zgjidhjen. Se a do ketë rekonstruktim të kësaj qeverie, rikuperim forcash politike për një qeveri të re, apo zgjedhje të parakohshme, si epilog i krejt kësaj,  nuk i dihet, por shpresoj të mos pritet gjatë.

SHQIPTARËT SI FAKTOR POLITIK NË MAL TË ZI

Statusi i shqiptarëve edhe tutje mbetet i pazgjedhur. Them edhe se jemi në një pozitë të pa lakmueshme, mes dy blloqeve të papranueshme për të ardhmen e vendit. Në njërën anë pushtetarët klero-fashistë , në anën tjetër opozita e krimit të organizuar,  e që pret përkrahjen tonë për të rrëzuar këtë qeveri, e për të formuar të renë. Në një situatë të re, që shpresojmë se do të ndoll, duhet të prihemi nga interesat tona kombëtare, e assesi nga ajo që është “interes i madh shtetëror” siç ishte rasti më 1997-ta, pastaj në kohën e referendumit për pavarësi të Malit të Zi, apo të integrimit në NATO. 

“BALLKAN I HAPUR” PA MALIN E ZI DHE KOSOVËN, SI ËSHTË PRITUR NË PODGORICË DHE CILI ËSHTË GJYKIMI JUAJ

Podgorica zyrtare nuk e ka mbështetur, ndërkohë që nënkryetari i Qeverisë D. Abazoviq, gjatë një vizite në Tiranë i ka premtuar përkrahje në këtë drejtim, z. Rama. Për mua është një projekt e papranueshëm, derisa të mos zgjidhen raportet Kosovë Serbi. Nuk mund të krijohet një bashkësi e tillë, me dikë që ka pretendime territoriale. Duaje kojshinë, por mos e prish portën, thotë një fjalë e urtë. Sidoqoftë, jam për bisedimet të çdo lloji me fqinjët, por të vendoset vetëm për variante, të leverdishme e të pranueshme për kombin në përgjithësi, e jo të pjesëve të tij.

ÇDO NDODH NË TUZ? SI PO E QEVERISIN SHQIPTARËT KOMUNËN SHQIPTARE

Tuzin po e qeverisin subjektet që u angazhuan, disa prej tyre me dekada, për themelimin e komunës së plotë, dhe kjo ishte jo vetëm e arsyeshme, por është gjëja më e mirë që ka mundur t’i ndodhë Tuzit, në mandatin e parë të administrimit autonom. Kryesisht jemi të orientuar në rregullimin e infrastrukturës,  të lënë mbas dore me dekada, si edhe në mirëmbajtjen e ambientit. Po ashtu, jemi në bisedime edhe me investues,  për hapje të vendeve të reja të punës, e që disa janë në fazën përfundimtare. 

TAKIMET ME DIASPORËN NË AMERIKË

Takimet me diasporën janë gjithherë të veçanta dhe kuptimplote. Përpos takimeve të drejtpërdrejta, ata na hapin shumë dyer të administratës amerikane, aq të nevojshme për ne. Siç dihet, diaspora jonë, përpos ndihmave materiale vendlindjes, që janë të shumta, dha kontribut të madh në jetësimin e idesë për komunë të plotë, si edhe në marrjen e pushtetit nga partitë që po e qeverisin. Nga kjo vizitë, do të veçoja takimet me shoqatat shqiptare ne New York,  Michigan e Californi, si edhe vizitën Federatës panshqiptare Vatra. Një pritje të ngrohtë organizoi edhe majori i qytetit-motër Rochester Hills. Po ashtu, isha edhe në departamentin e Shtetit, për të shkëmbyer informacione mbi statusin tonë. Të gjitha këto dëshmojnë se Malësidashësit përherë i rrinë pranë vendlindjes së vet.

THIRRJE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA QË TË BASHKOHEN DHE TË KONTRIBUOJNË PËR VENDLINDJEN

Ata nuk kanë nevojë për thirrje; kanë nevojë vetëm për sinqeritetin tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nikolle Camaj, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI SI FAKTOR PËRCAKTUES NË SKENËN POLITIKE MALAZEZE

September 28, 2020 by dgreca

Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon situatën politike në Mal të Zi pas zgjedhjeve dhe shqiptarët si faktor politik përcaktues në skenën politike malazeze. Kryetari z.Camaj analizon fenomenin politik “Abazoviq”, orientimin pro-perendimor të qeverisë së re, shëmbjen e perandorisë së pushtetit politik Gjukanoviq, dhe sfidat e Komunës së Tuzit me administrim shqiptar. Me z. Nikollë Camaj bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

POZICIONI I SHQIPTARËVE PAS ZGJEDHJEVE NË MAL TË ZI

Ne dolëm në zgjedhje me premtimin se do jemi pjesë e qeverisë, dhe se nga ajo pozitë do zgjedhim shumë çështje të pazgjidhura deri më tani,  e në rend të parë çështjet ekonomike dhe zhvillimore të trevave ku jetojnë shqiptarët. Pritnim, dhe dëshironim, që të jemi çelësi i qeverisë së re, por ja se ajo nuk ndolli. Zgjedhjet krijuan një shumicë të re, shumicë që bëhet edhe pa ne. Mirëpo, për faktin se kjo qeveri i ka të nevojshme pakicat brenda, besoj se jemi në pozitë mjaft të favorshme, nëse sjellim vendim që të bëhemi pjesë e sajë. Për të qenë i qartë, LDSH është e mendimit se duhet të hyhet në qeveri, sepse, ku pikon çatia mund të vërehen nga brenda, edhe pse të ndërtohet duhet nga jashtë. Për ne pra, ka rëndësi të pozicionohemi në favor të zgjidhjes së çështjeve të shqiptarëve, e me qëndrim në opozitë, nuk besoj se mund të zgjedhim gjë. Por, se a do të jemi më të fortë, apo më të dobët, shumëçka do të varet edhe nga aftësitëe liderëve që do të bëjnë bisedimet. Natyrisht, pozicionet tona do të ishin edhe më të favorshme, sikur në zgjedhje të kishim dalë me një listë.

SHEMBJA E PERANDORISË SË PUSHTETIT 30 VJEÇAR TË GJUKANOVIQ

Rezultati i zgjedhjeve sikur i ka habitur njerëzit. Derisa një pjesë e madhe e shoqërisë në Malin e Zi e ka kuptuar si çlirim; një pjesë tjetër,  ndër ta edhe shumë shqiptarë, për fat të keq edhe në diasporë,  e kanë kuptuar si humbje të veten. Personalisht, nuk mund ta kuptoj prej nga e gjithë kjo nostalgji për humbësit e zgjedhjeve. Edhe pse, ndoshta ne nuk kemi tepër arsye për t’u gëzuar, por aq më pak kemi arsye që të bashkë-vuajmë humbjen e një oligarku, duke e arsyetuar atë me faktin se në taborin fitues ka dhe parti me prefiksin serb. Kjo më kujton kohën kur një pjesë e shqiptarëve kërkontebanën sulltan, pas shpërbërjes së perandorisë turke. Sindromi i Stokholmit, duket! LDSH,  si parti e vërtet opozitare,  e vetme ndër shqiptarët, që parapëlqen ndryshimet, e kupton si ajo pjesa e madhe, pra, si çlirim! 

QEVERIA E RE NË MAL TË ZI DHE RAPORTET ME SHQIPËRINË E KOSOVËN

Mendoj se qeveria s’do të ketë orientim as pro-serb, as pro-rus,  por pro-perëndimor. Ne rast se tenton te marr atë drejtim, forcat pro-perëndimore, brenda bllokut, janë të mjaftueshme, dhe tejet të qëndrueshme në kursin e vet pro-evropian, saqë forcat eventuale të cilat do provonin të ndërronin drejtim, do mbeteshin të pakta dhe pa përkrahje. Prandaj frikësimi me gogolin pro-serb e pro-rus, është më tepër në favor të arsyetimit të atyre që qajnë për humbësin. 

DRITAN ABAZOVIQ SI FENOMEN POLITIK SHQIPTAR

Ai vërtet nuk është i mbështjellë me flamurin shqiptar, por si një kozmopolitevropian,  ndoshta edhe utopik,  për kohën dhe vendin, nuk ngurron të mburret se është shqiptar. Është fenomen, edhe si njeri edhe si politikan. I mençur e  parimor, besnik ndaj idealeve të veta. Paraqitjet e tij teatrale tashmë kane fituar simpatinë e një rrethi të gjerë,  por e di fare mirë se as malazezët as serbet, hero s’do ta shpallin, prandaj zor se do të lejojë të dalë i shfrytëzuar, siç pretendon ta paraqes ndokush, por do të çojë deri në fund idealin e vet për një Mal të Zi evropian, në kuptimin e plotë të fjalës. Si person, nuk ka nevojë as ta mbroj, e as ta këshilloj, por duhet ta kemi para sysh se një shqiptar e bëri të mundur ndryshimin e qeverisë dhe rënien e perandorisë Gjukanoviq, çka nuk besoj se ka ndodhur pa bekimin e Perëndimit. Përçarjet ndërnacionale, të shkaktuara gjatë 30 viteve, dhe grabitja e pasurisë, dhe resurseve kombëtare, në emër të ruajtjes së shtetit , më në fund e morën hakun. 

SFIDAT E KOMUNËS TUZ ME ADMINISTRIM SHQIPTAR

Deri më tani ia kemi dal mirë, edhe përkundër problemeve që na ka shkaktuar procesin i ndarjes me Podgoricën, të cilit nuk po i shihet fundi. Podgorica akoma vazhdon të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë; vazhdon të marrë pagesat nga banorët e Tuzit, kurse shërbimet i bën sikur Tuzi të ishte një lagje e parëndësishme e Podgoricës. Kjo kërthizë thithëse, me Podgoricën, duhet të ndërpritet urgjentisht, nëse mendojmë të zhvillojmë trevën, siç e meriton Malësia dhe banorët e sajë. Përpos kësaj, ajo në çka,tutje duhet të fokusohemi, është ruajtja, mirëmbajtja dhe rregullimi i hapësirave publike dhe vënia e resurseve lokal në funksion të zhvillimit të Malësisë, e jo të Podgoricës, siç është rasti deri më tani. Mirëpo, përkundër këtij realiteti, duhet apostrofuar një realitet tjetër; se administrata shqip po funksionin me entuziazmin, frymën dhe përkushtimin fillestar. Përndryshe, vlerësimet janë se, edhe përkundër obstruksionit që vjen nga kryeqyteti,  më shumë është bërë për Malësinë tash 2 vite se për 50 vitet e fundit. Malësia, shtëpia jonë, e lënë tepër gjatë mbas dore, ka nevojë, dhe e meriton dorën e kujdesshme të atyre që e duan.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E “DIELLIT” DHE DIASPORËN, NË USA

Qëndroni pranë vendlindjes siç keni qëndruar deri më tani.  Keni besimin në ne, se do t’i shërbejmë vendit pa hile, me aq sa kemi mundësi e dije. Ndikimi juaj në jetën ton është i madh,  prandaj kujdes, si e shfrytëzoni atë ndikim. Duhet ta kuptojmë se gjerat mund t’i shohim ndryshe,  por qëllimet i kemi të njëjta; që shqiptarët të shkëlqejnë në çdo drejtim. Ndërsa për ata që po kanë frik nga ndryshimet: duhet ditur se ndryshimet është dashur që njëherë të ndodhin,  dhe pa votën e atyre që i mbajmë për çetnik, ajo s’mund të ndodhte. Prandaj, ndarjen në çetnikë,ballistë e partizanë t’ia lëmë të së kaluarës dhe pushtetit aktual që i ka krijuar. Mendoj se për ne janë njëlloj, prandaj ne duhet të fokusohemi në interesat e shqiptarëve dhe jo në zënkat hileqare ndër-sllave. Por, që shqiptarët të shkëlqejnë është e paimagjinueshme pa faktorin diasporë. E ka thënë Noli, e ka dëshmuar Kosova, e madje edhe komuna jonë. E thash edhe në fillim: se ku pikon çatia shihet nga brenda, por të ndreqet, mundet vetëm nga jashtë! Pra, që të mos pikojë shtëpia jonë, e quajtur Shqiptari, njëlloj duhen njerëzit që rrinë brenda, dhe ata që rrinë jashtë!

Ju faleminderit

Filed Under: Featured Tagged With: Nikolle Camaj, Shqiptaret ne Mal te Zi, Sokol Paja

A E DËGJOI TUZI KËMBANËN E ULQINIT?

May 2, 2014 by dgreca

*NIKOLLË CAMAJ: MAKINERIA NACIONALISTE E QEVERISË MALAZEZE PRODHON VETËM ASIMILIM PËR SHQIPTARËT/

*Intervistë e Editorit të Diellit, Dalip Greca, me z. Nikollë Camaj, Kryetar i LD-Dega e Malesisë dhe këshilltar i kesaj partien ne Kuvendin e KU te Tuzit/
Një ndër veprimtarët më të spikatur të çështjes Kombëtare në Mal të Zi, Këshilltar i LD në Kuvëndin e KU të Tuzit në Mal të Zi, z. Nikollë Camaj, ishte për vizitë në SHBA. Ai ishte pjesmarrës aktiv dhe folës në protestën e madhe kundër qeverisë së Gjukanoviçit-shkelëse e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, organizuar në Uashington me 8 prill 2014. Para largimit ai u takua edhe me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj.Editori i Diellit iu lut z. Camaj për një intervistë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga qeveria Malazeze. Ndiqeni:

-Me çfarë mbresash u kthyet nga vizita që realizuat në SHBA?

Nikolla Camaj: Ishte kjo një pervojë e re, në dallim me vizitat e mëparshme. Pjesëmarrja në protestë në Washington, për mua qe një ngjarje tejet e veçantë, të cilën që në fillim dua ata vlerësoj si të organizuar mire. Ishte ky një rast për të takuar shumë persona e personalitete të shquara nga diaspora jonë, të cilët nuk do t’i takoje po të mos ishte ky eveniment. Natyrisht se mbresat si gjithnjë janë pozitive, përpos dhimbjes që shkakton ndarja nga të afërmit që i kam përtej Antlantikut. Edhe pse më së tepërmi më gëzojnë rrugët që më çojnë drejt shtëpisë sime, dua të them se ndarjet kanë mall, prandaj sado që kthehem i mbushur me kënaqësi, me vete marr një barrë të rëndë dhimbjeje dhe malli për njerëzit që lë andej.
Le të përqëndrohemi tek demonstrata e shqiptarëve të Amerikës para Shtëpisë së Bardhë dhe para Ambasadës së Malit të Zi. Cili është vlerësimi juaj për këtë demonstratë? Ai ia arriti ajo qëllimin?
N.Camaj- Veç e thash se demostarta ishte në nivel. Ishte ky një udhëtim dhe aktivitet jo pa sakrifica, i gjithë atyre burrave e burrneshave që shkuan në Washington për të kërkuar drejtësi për shqiptarët në Mal të Zi. Aty u dëgjuan shumë fjalë me vend, shume porosi të qëlluara, kërkesa të artikuluara shumë mire, andaj si e atillë ajo e plotësoi objektivin që i kishte vënë vehtes. U dëgjua zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare, zëri i dinjitetit malësor. Gjithë ajo masë, me perovoja jo të mira me Malin e Zi dhe të sillet me aq dinjitet, vëretet është për çdo lëvdatë. Por protesta nuk do të duhej të përfundoj me kaq. Ajo do te arrijë qëllimin vetëm nëse edhe ne në vendlindje do të jemi të gatshëm të sakrifikojmë diçka, duke hequr dorë nga privilegjat që i ofron partia në pushet, e që janë privilegje personale, në dëm të çështjes kombëtare. Protestuesit duhen të jenë më aktiv me të afërmit e vet në vendlindje, në mënyrë që të ndikojnë që të mos e përkrahin partinë e kryeministrit Gjukanoviq, kundër të cilit ishte protesta.
Ju folët në demonstratë. Cili ishte mesazhi që përcollët?
N. Camaj- Të folurit spontan nganjëherë mund edhe të mos artikulojë mesazhe krejt të qarta, mirëpo duke qenë se protesta kishte të bënte me të (pa)drejtat tona në Mal të Zi, dhe pasi që i njoh fort mirë rrjellat politike te ne, besoj se arrita të përcjell mesazhin mbi nevojat tona kryesore, mbi problemet tona, e mbi të gjitha, mbi nevojën e fuqizimit të zërit që flet për padrejtësitë tona. Derisa Mali i Zi shpenzon milionat në zërat që flasin se Mali i Zi është shteti ideal, atëhere ekzston nevoja të bëhet çmosi që të fuqizohen zërat që e thonë të kundërten, pra të vërtetën. Protesta ishte në favor të kësaj, por nuk duhet ndalur vetëm tek ajo. Po ashtu edhe para ambasadës pata një prononcim të shkurter drejtuar atyre që ishin pas mureve të atij pallati, të cilësuar si pallati i mashtrimeve, përkunder Shtëpisë së Bardhë, apo Pallatit të demokracisë. Ajo që kërkova nga z. Gjukanoviq ishte që të mësojë diçka nga demokracia amerikane, nga e cila ne shqiptarët kemi mësuar shumë, dhe të kthehet në Malt të Zi e të përmbushin, jo vetëm obligimet kushtetuese, por edhe premtimet dhënë shqiptarëve që nga viti 1997, e sidomos nga koha kur ata i krijuan shtetin.
Nëse do të ndalemi në detaje çfarë të drejtash të Shqiptarëve shkel Qeveria e Gjukanoviqit?
N. Camaj- Shkurt, pyetja është se çka nuk shkel? Kjo qeveri shkelë pothuajse çdo të drejtë. Të drejtën në punësim, në përfaqësim, në shfrytëzim të resurseve lokale (të mirat detare, kryporja, vreshtat, pyjet etj.) dhe në shpërndarje të të ardhurave të përgjithshme; në investime (ku janë repartet e prodhimit, ku është kopshti fëminor, tregu i gjelbërt, palestra sportive në Tuz etj, të premtuara vite me radhë); në shkollim, që nga ai parashkollor e deri në superior, por edhe në shpërndarje të pushtetit përmes pengimit të themelimit të komunës për Malësinë, e cila jo vetëm se paraqet obligim kushtetues, por edhe premtim e zotim para të gjitha zgjedhjeve të deritashme, të cilat i ka fituar mbi platformën e komunës për Malësinë. Për këtë afati i fundit ishte viti 2013, e sot na paraqiten me një eksperiment të ri që ka për qëllim që edhe më tutje të zvarrisë status quon për Malësinë. Për fat të keq, në këtë drejtim aleatë po gjen edhe ndër shqiptarë, madje edhe në subjekete nacionale shqiptare.
Është folë gjatë për Komunën e Tuzit. Përse nuk e kanë ende shqiptarët këtë të drejtë, kur Kushtetuta e Malit të Zi ua njeh të drejtën e vetëqeverisjes lokale?
N. Camaj- Mali i Zi është një njerkë ndaj shqiptarëve. Por, ai ka gjetë servilët e vet, të cilët situatën në Mal të Zi e paraqesin si të favorshme për pakicat. Përmes tyre Mali i Zi po paraqitet si shembull i tolerancës, çka në të vërtet nuk është. Mali i Zi është një shfrytëzues i pashembullt i pakicave, sepse oligarhija në pushtet përmes pakicave po ruan pushtetin, gjithnjë duke i frikësuar ato me ardhjen e të tjerëve në pushtet. Frikë kjo krejt e parasyeshme, e cila po jep rezultate. Kjo është edhe njëra nga arsyet që nuk jepet komuna. Spese përmes votave që i vijnë nga Malësia, në formë të votës së dyfishtë (ne votojmë për asamblenë e Tuzit dhe të Podgoricës) ajo qeverisë Podgoricën. Pra, Podgoricës i duhen votat e Tuzit, por edhe resurset. Në ndërkohë, me të madhe punohet në ndërrimin e strukturës etnike, kështu që së shpejti një mjedis me mbi 90% shqiptarë, do të shndërrohet në një mjedis ku shqiptarët do të jenë pakicë, gjë që po ashtu mund të radhitet në arsyenat për mosdhënie të komunës.
Po shqiptarët vetë a e kanë “ndihmuar” ndopak Gjukanoviçin me mosbashkrendimin mes tyre në mosplotësimin e kërkesave elementare të Shqiptarëve atje?
N. Camaj: Natyrisht se e kanë ndihmuar dhe janë bashkëfajtor. Por duhet dalluar viktimën nga xhelati! Sepse nuk ka qenë e lehtë t’i rezistohet makinerisë asimiluese që prodhohet në laboratoret malazeze. Me parullën devide et impera, që po jep rezulatet si pak ku, ata po arrijnë të formojnë shumë subjekte shqiptare dhe pastaj një pjesë të mirë të tyre t’i kontrollojnë, kurse pjesën tjetër pothuaj t’a neutralizojnë, duke e ushqyer masën me psudoinformacione diskredituese, me të cilat tentojnë që të gjitha të paraqitet si aleate të pushtetit, kështu që votuesi nuk e ka të lehtë dhe shpesh dënon atë që nuk duhet dënuar dhe përkrahë atë që nuk guxon ta përkrahë. Me këto manipulime e hile, ky pushtet po qëndron tash 24 vite. Mali i Zi është rast unikal në Ballkan për faktin se pushteti nuk ëshë ndërruar që nga viti 1990, e edhe si i tillë paraqet kontinuitet të pushtetit të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
Në takim me disa përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, pas demonstratës, Gjukanoviçi ka thënë se përfaqësues të disa partive shqiptare janë dakort për projektin e një komune të Tuzit në vartësi të Kryeqytetit. A thotë të vërtetën ai në këtë rast?
N. Camaj- Po ai e thotë të vëretetën dhe këtë për fat të keq e kanë nënshkruar shumnica e aktorëve politike në Malësi. Cila ishte arsyeja nuk e them dot, por i vjen era tregti. Dhe ne e kemi këtë problem. Të gjithë ata që e nënshkruan kërkesën për një nënkomunë, mandatet i kishin fituar me projektin për komunë të plotë. Pra, ata e hiluan zgjedhesin e vet dhe shpresoj se do t’i dënojnë në zgjedhjet e 25 majit. Nëse kjo nuk ndodhet atëher manipulimi ka arritur kulmin, së bashku me korrupsionin politike. Por ajo në çka nuk ka të drejtë z. Gjukanoviq është se ai me këtë tenton ta arsyetojë edhe zvarritjet e mëparshme. Ai nuk kishte asnjë arsye që këtë ta zvarriste me realizimin e komunë së Malësisë, përpos atyre që i përmenda më parë, pra arsyeja e mbijetesës së vet politike.
Zoti Camaj, ju keni 25 vjet në politikë dhe keni qenë një luftëtar i të drejtave të shqiptarëve. Pyetja ime: Në dekadën e fundit, është në ulje asimilimi i bashkatdhetarëve tanë atje, apo në rritje?
N.Camaj- Për fat të keq, edhe pse nevoja kurrë nuk ishte më e vogël, mundësitë janë më të mëdha se kurr më parë, kështu që asimilimi është në rritje, në rend të parë për shkak të prezencës së madhe të elementit boshnjak dhe bashkndiesisë kombëtare të “sheherlinjëve” të Tuzit, në bazë të përkatësisë fetare. Përpos ardhacakëve boshnjakë edhe ky fenomen ka ndikur dukshëm në ndryshimin e strukturës etnike në Malësi.
A ishte një këmbanë alarmi situata që u krijua në zgjedhjet e fundit lokale me partitë shqiptare në Ulqin?
N. Camaj- Do të duhej të ishte, por nuk e di nëse është. Druaj se Tuzi nuk mësoi gjë nga Ulqini, dhe këmbanave nuk u arriti zëri këndej. Vet fakti se në koalicion parazgjedhor kemi një parti shqiptare me një parti boshnjake dhe me partinë e Millo Gjukanboviq, fletë më së miri se ku gjendet “patriotizmin” i disa partive shqiptare dhe se sa të interesuara janë që në Malësi të qeverisin shqiptarët. Si duket disa shqiptarë, për pak privilegje personale, më hall kanë si të ruajnë pozitat e Millo Gjukanoviqit se të vetat, e të popullit të vet.
Para demonstratës pat kundërshtarë të organizmit të demonstratës, pat prononcime në rrjetet sociale, ndërkohë që kishte nga ata që mendojnë se shqiptarët e Malit të Zi duhet t’i kërkojnë fajet dhe tek vetja, tek boshatisja e vendlindjes, tek shitja e pronave, etj. Si mendoni ju, kanë të drejtë zëra të tillë?
N. Camaj- Nëse duhet të kërkohen fajet edhe te ne, kjo s’do të thotë se nuk duhet të protestojmë për te drejtat që na takojnë. Protesta është legjitime dhe duhet drejtuar gjithë atyre që mbahen për fajtorë, por po e përsësrisë, nuk është mirë të nivelizohen viktima dhe xhelati. Në këtë drejtim duhet pasur kujdes që të dallohen viktimat e vëreteta nga ato “viktima” që janë strukur nën fustanellën e Millo Gjukanoviqit dhe rrinë nën hijne e lisit pushtet. Përgjithësimi se “të gjithë janë njësoj” ndoshta bënë edhe më shumë dëm se vet aktivitete e partisë në pushtet. Por duhet ditur se edhe këtë “përgjithësim” e kurdisin strukturat e pushtetit, të përgaditura për të manipuluar me masat. Personalisht jam munduar me gjithë forcën që të dëshmoj se jo të gjithë jemi njësoj dhe se, jo që të gjithë jemi të gatshëm të bëjmë kompromise të kalbura me pushtetin. Edhe fakti se ne nuk e nënshkruam kërkesën për eksperimentin “komunë e kryeqytetit” dëshmon se dijmë të ruajmë dinjitetin tonë dhe se nuk bëjmë pazardhiqe në dëm të popullatës sonë.
Federata Vatra e Amerikës i ka propozuar ansambleistit të Shtetit të NY, z. Mark Gjonaj, që është me origjinë nga trevat shqiptare në Mal të Zi, që t’i prijë një delegacioni shqiptaro-amerikan për një vizitë në Ambasadën Amerikane në Podgoricë. Mendoni se do të jetë efekte një vizitë e tillë, nëse bëhet?
– Propozimi është shumë me vend, por kam një sygjerim; duhet pasur para syshë se malezazët premtojnë shumë dhe nuk e kanë fare problem që të mashtrojnë dhe për mashtrimet e veta shpikin “fajtorë”.
Një mesazh përmes Diellit për shqiptarët e Amerikës?
N. Camaj- Për fund do të përkujtoja vetëm vargjet e Nolit: “Mbaju nëno mos kij frik’, se i ke djemtë në Amerikë”, të cilat janë akom aktuale. Nëna Malësi gjithnjë ka nevojë për bijtë e vet kudo që janë. Edhe pse ka zëre që dëshirojnë t’i menjanojnë, ata asesi nuk guxojnë të pranojnë një rol të tillë. Ata kanë lindur këtu, kanë pronat këtu, kanë eshtrat e të parëve këtu, prandaj kujdesi për Malësinë është më se i natyrshëm.

Filed Under: Interviste Tagged With: A E DËGJOI TUZI, dalip greca, KËMBANËN E ULQINIT?, Nikolle Camaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT