• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me Kongresin e Lushnjes nis historia e Shqiperise moderne

January 21, 2017 by dgreca

Kongresi Kombëtar i Lushnjes dhe zgjedhjet e para Parlamentare pluraliste/

1 Kongresi Lushnjes-21 Janar 1920 nisi punimet ne qytetin e Lushnjes Kongresi Historik Kombetar i Lushnjes/
-Kongresi Kombëtar i Lushnjës solli rimëkëmbjen dhe rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike
– Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar
– Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni
– Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim
-Përse u tërhoq grupi i Koço Kotës nga kanditimi
/

Shkruan: Harallamb Kota, studiues i historisë/

Situatat Politiko –Shoqërore dhe Kongresi i Lushnjës
Vitet 20-të, me vendimet që mori Kongresi Kombëtar i Lushnjës lidhur me Rimëkëmbjen dhe Rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike, një epokë e re, ku procesi historik kishte përmbajtje e synime të reja. Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve më 9 nëndor 1921, u forcuan pozitat ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Sadopak u lehtësua barra e madhe që u diktonte shqiptarëve nevoja e mbrojtjes së vëndit dhe shtetit. Kjo situatë e re, krijoi kushte të favorshme që gjithë forcat politike të shtetit shqiptar të saporimëkëmbur, tu kushtoheshin zgjidhjes së problemeve të brendshme. Në skenën politike shqiptare, dominoi lëvizja për demokraci liberale, që mori tiparet, madje të shprehura fuqishëm në shtypin e atyre viteve si “Lëvizja për OKSIDENTALIZIM”. Gazeta “Fjal e Lirë”, që botohej në Vlorë, duke shprehur dhe zbërthyer në mënyrë origjinale konceptin e qarqeve liberalo-reformatore për Oksidentalizimin e Shqipërisë, bënte këtë zbërthim: Operacione (shkurtime) në nëpunësa, Koncensione për zhvillimin ekonomik, Shkurtime në çdo degë të administratës, Veçim i të ligut dhe të pamoralit, Demokraci me fakte e jo me fjalë, Energji në Legalitet të Drejtësisë, Nacionalizëm me tru e jo me ngjyrë, Taksa të lehta sipas fuqisë, Asamble Kushtetuese në rast të favorshëm, Liri për shtyp por me frana llastiku, Irredentizëm për moralin kombëtar, Sinqeritet në shpenzime e në urdhra, Miqësi me shtetet që u shkon fjala, Afrim i elementit të duhur të opozitës në bashkëpunim.
Situatë problematike parazgjedhore
Në situatat politiko-shoqërore të krijuara pas Kongresit të Lushnjës, Shqipëria po i drejtohej zgjedhjeve të para për legjislativin. Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 dhjetor 1920. Sipas ligjit zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, dyshkallësh. Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas, i cili dinte shqipen me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Të varfërit përjashtoheshin nga konkurimi, ndërsa gratë dhe ushtarakët nuk kishin të drejtë vote. Emëri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votusi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emërin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë. Kjo mënyrë votimi do krijonte mundësi për të shkelur vullnetin e lirë të pjesës më të madhe të zgjedhësve. Nën trysninë e forcave të jashtme e të brendshme, qeveria dhe Këshilli Lartë pranuan të drejtën e komuniteteve fetare që të dilnin në zgjedhje me listë të veçantë deputetësh. “Ligji për zgjedhjet, -shënohet në f.178 të volumit Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave viti 2007, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, sidomos nenet që në procesin e zgjedhjeve i ndanin shtetasit sipas përkatësisë fetare, ç’ka nuk i shërbente bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Por këto kundërshtime nuk arritën të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.
Zgjedhjet e para pluraliste
Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni, sipas listave të miratuara nga prefekturat e Shqipërisë. Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arësimuar në europë e amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”, i cili sipas Dr.Prof. Hysen Kordhës shënuar në referimin Studime Historike, solli kthesën historike për fatet e popullit tonë dhe nisën përpjekjet për ndërtimin e forcimin e shtetit të saporiformuar shqiptar, për demokratizimin e jetës socialo-politike, për zgjidhjen e problemit agrar dhe sidomos për afrimin e Shqipërisë me Evropën, ose siç thuhej atëhere për oksidentalizimin e Shqipërisë. Veç të kandituarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga klasa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistët dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”. Megjithatë, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, krijuan edhe situata problematike, sidomos në zonat e Shqipërisë së Mesme, ku ende qarkullonin mjaft elementë turkoman, të cilët nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata frynin urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar.
Krahas elementit turkoman….
Krahas elementit turkoman, në Shqipërinë Juglindore vepronte energjikisht elementi grekoman. Më 3 shkurt 1921, sipas Kastriot Dervishit shkruar në librin e tij “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005” botim i v.2006, nëprefekti i Gjirokastrës Kolë Tromara, i telegrafonte MPB, se shtypi grek shkruante se: “ishin bërë përpjekje deri në Konferencën e Paqes për të mos zhvilluar zgjedhje në jug të Shqipërisë dhe se ky lajm kishte bërë përshtypje të thellë në Shqipëri”. Përfaqësuesi i prefektit, Hasan Dosti, telegrafonte po ato ditë se klubet “vorioepirote” kishin protestuar për shkak të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Lufta politike, citohet në librin “Historia e Popullit Shqiptar” faqe 179, botim i Akademisë së Shkencave, gjatë fushatës zgjedhore qe tepër e ashpër. Madje në dy prefektura, në atë të Korçës e të Shkodrës, u spekulua edhe me ndarjen fetare të popullsisë. Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bënë thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet.
Nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas teorisë së këtyre propogandistëve, shprehet Sejfi Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”. Më tej Sejfiu deklaron:Mustafa Kruja ka mendimin dhe çfaqur me bindje se; “gegët duhet të sundojnë toskët”. Për këtë qëllim, qysh në kohën e shpalljes së idipedencës kombëtare, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, krijuan “Kuadrumviratin”.
Komisioneve zgjedhore i diktohen listat Qeveritare
Bazuar në librin “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare në vitet 1918-1924” botim i Institutit të Historisë e Gjuhësisë të USHT, në Korçë “lufta elektorale mori një karakter të ashpër”. Në Korçë, ndryshe nga krahinat e tjera, kishte një nivel më të lartë politik dhe pregatitjet për zgjedhjet u ndien më shumë se kudo. Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një luftë midis personerve të të njënjtit grup politik, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, kurse grupi Cale-Frashëri ishin për zgjedhje parlamentare. Prefekti i Korçës dr.Koço Kotta dhe Kryetari i Bashkisë Sotir Kotta, ngritën Komisionin Zgjedhor dhe morën të gjitha masat e duhura që kandidatët për deputet, pjesëmarës në këto zgjedhje të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Për të shmangur keqkuptimet midis kandidatëve për tu zgjedhur deputet, Koço Kota i kërkoi Ministrit të P.Brëndëshme z.Fuad Dibra, dorheqjen nga detyra e Prefektit të Korçës, me arësyetimin e kandidimit si deputet, kërkesë e cila u pranua. Në vendin e tij, prefekt i prefekturës së Korçës u caktua provizorisht Nikolla Zoi, që ishte përkrahës i Pandeli Cales. Lidhur me emërat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, referuar sa shënon Sejfi Vllamasi, ato u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref Frashëri dhe Pandeli Cale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Prandaj, thotë Vllamasi; “Ata më zëvëndësuan mua me Xhafer Ypin”. Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kanditat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i “Krahut Kombëtar”, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë. Kundërshtia e tij me ta, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 muslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Cale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës. Pasi përfunduan zgjedhjet e para, të zhvilluara nëpër fshatra, katunde dhe qytete, komisioni zgjedhor shpalli zgjedhjet e dyta. Sipas ligjit zgjedhor, zgjedhësit e dytë u thirrën në godinën e prefekturës dhe në prani të titullarëve përkatës të prefekturës, të këshillave administrative e të katunarive e të gjykatës vendore u ftuan të hedhin votën e tyre në kutinë e votimit me emërat e aq deputetëve sa kishte prefektura.
Grupi i Koço Kotës tërhiqet nga kanditimi
Në kulmin e kësaj situate, për të ruajtur qetësinë dhe unitetin kombëtar shqiptar të popullit Korçar, i cili sapo ishte mëvehtësuar nga francezët e grekët dhe sapo i ishte bashkuar shtetit shqiptar, Koço Kota me cilësitë patriotike që karakterizonin pinjollët e familjeve Kota, me moton “Shqipëria mbi Gjithçka”, e tërhoqi listën e grupit që përfaqësonte. Komisioni Zgjedhor, mori në shqyrtim vetëm Listën e paraqitur nga Pandeli Cale, e cila përbëhej nga: Tefik Mborja, Loni Kristo, Pandeli Cale, Pandeli Evangjeli, Sejfi Vllamasi, Sotir Peci, Banush Hamdi, Eshref Frashëri, Tefik Panariti e Kristo Kirka. Sipas kësaj liste, grupi i përfaqësuar nga Koço Kota, kaloi në minorancë.
Për votusit korçarë kishin mbetur vetëm dy mundësira: -Ose të votonin kandidatët sipas listës qeveritare ( lista e paraqitur nga Pandeli Cale), – Ose nuk duhej të mernin pjesë në votim ( pasi Koço Kota e tërhoqi listën me kandidatët e grupit të tij). Në këto kushte, kur u panë haptazi edhe favorizimet e qeverisë për kandidatët e sajë të përfshirë në listën e Pandeli Cales, grupi i përfaqësuar nga dr.Koço Kota, më 10 shkurt 1921 dha orientimin që të krishterët shqiptar të mos mernin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas kësaj deklarate botuar në shtypin ditor “Gazet e Korçës” date 16 shkurt 1921, thuhet: “Si lajmërohemi, Shqiptarët e Krishterë të Qarkut t’onë, duke parë se Qeverimi i Shtetit Shqiptar, që kur se u njojt Shqipëria si shtet më vehte, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit të Turqisë, gjë që shkaktoj gjer më sot shum’herë rrëzike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke qënë të sigurtë se vazhdimi në këtë mënyrë qeverimi, ka për ti sjellë vdekjen Shtetit e Kombit t’onë, për të shpëtuar Atdheun e dashur nga rrëziqe të sigurta, vendosnë për mosmarje pjesë në votimet e pa-ligjshme, q’u krijuan prej Qeverisë, dhe ti shfaqim kësaj me anë të një permendoreje kërkimet e tyre të bazuara mbi themele të provuarë e të sigurtë për shpëtimin e vetëm shpëtimin t’Atdheut, përndryshe, duke u a lënë përgjegjësinë Qeverisë dhe elementit Muhamedan, Shqipëtarët e Krishterë do të heqin dorë fare dhe do mos marrin pjesë në organizimin e Shtetit. Si po lajmërohemi, përmendorja po i paraqitet Prefekturës në këto dy a tri ditë”.

Filed Under: Histori Tagged With: e Shqiperise, Harallamb Kota, Kongresi i Lushnjes, nis Hitoria moderne

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT