*Presidenti Nishani: Pajisja e përgjimit kërcënoi sigurinë kombëtare, kush pengon hetimet do përballet me ligjin/
*Ministri i Brendshem Tahiri: Policia e Shtetit nuk ka pajisje përgjimi./
*Basha: Zbardhja e përgjimeve emergjencë, Rama mban përgjegjësi/
Presidenti Bujar Nishani i kërkon prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë autoritetet që kanë përdorur pajisjen e paligjshme të përgjimit ndërsa i bëri thirrje institucioneve të mos bëhen pengesë e hetimeve.“Shikoj tashmë por e konfirmuar dhe zyrtarisht se në institucionet shtetërore funksionon një pajisje përgjimi ilegale. Një instrument antikushtetues të cilin nuk e besoja kur e pashë në media para disa ditësh por tashmë i konfirmuar nga institucionet shtetërore që ky mekanizëm ilegal, antikushtetues, antiligjor qenka prezent e funksionin.
Atëherë ky përbën një shqetësim të madh për shoqërinë tonë për atë dimension të lirisë së shtetit të së drejtës. Nga kjo sallë bëj thirrje dhe i kërkoj zyrtarisht e publikisht prokurorisë së shtetit të mbrojë dinjitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Të mbrojë dimensionin e sigurisë tonë kombëtare.
I kërkoj zyrtarisht prokurorisë të hetojë gjithë procesin dhe procedurën e sjelljes në Shqipëri të kësaj pajisjeje ilegale që kërcënon mbi të gjitha dimensionin e lirisë tonë të përbashkët. Të hetojë kush ka qenë ai autoritet doganor që ka lejuar të vijë e të hyjë në Shqipëri një pajisje që në çdo rast nu mund të hyjë kurrë në Shqipëri pa lejen e autorizimin e prokurorisë.
I kërkoj prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë ata autoritete të shtetit që kanë përdorur këtë pajisje të paligjshme. Pajisja dhe veprimtaria e saj kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ka kërcënuar integritetin e të gjithë institucioneve të çdo qytetari.
Një pajisje e tillë as nuk mund të vijë në Shqipëri dhe as nuk mund të disponohet nga asnjë institucion pa lejen e vetme të prokurorisë së shtetit shqiptar. I bëj thirrje të gjithë atyre institucioneve ose personave të cilët pengojnë hetimet, nga ana e prokurorisë, të mos bëhen pengesë e funksionimit të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Cdo akt që pengon zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, cdo akt që përbën pengim të hetimit përmes dëmtimit apo tjetërsimit të provave do të përballet me ligjit.
***
*Ministri i Brendshem Tahiri: Policia e Shtetit nuk ka pajisje përgjimi./
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi sot se policia e shtetit nuk ka asnjë aparaturë përgjimi.Ai pranoi ekzistencën e një paisje me të cilën sipas tij policia e shtetit ka zhvilluar dhe vazhdon të zhvillojë trajnime me policitë europiane, në rastin konkret me atë italiane, por që nuk ka asnjë lidhje me përgjimin.Duke folur nën shoqërinë edhe të deputetëve socialistë të Komisionit të Sigurisë, Tahiri tha se opozita po kërkon të intimidojë policinë e shtetit.
Tiranë-“Policia e shtetit nuk ka patur dhe nuk ka një aparaturë përgjimi për sa kohë nuk ja lejon një gjë të tillë ligji”.
Nga Akademia e Policisë, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha se policia e shtetit bën herë pas here trajnime me policitë partnere për të parandaluar terrorizimin.
Ministri nuk dha detaje se ku ndodhet kjo aparaturë dhe se çfarë bën konkretisht ajo, por tha se opozita që përbalt policinë dhe të gjithë duhet të presin përgjigjen ligjore për këtë çështje.
I pyetur nëse do ti përgjigjet thirrjes së deputetëve demokratë për të raportuar nesër në Komsionin e Sigurisë, ai u përgjigj:
Tahiri: Dëgjova diçka në media por nuk kam marrë akoma ftesë zyrtare. Nëse më vjen ftesë zyrtare jam 24 orë në dispozicion të gjithkujt që ka veshë të dëgjojë.
Bashkëbisedimi i plotë me gazetarët
Gazetarja: Zoti. Ministër ku ndodhet paisja e përgjimit dhe si është futur ajo në Shqipëri?
Tahiri: Ju dini që ka një paisje përgjimi?
Gazetarja: Derisa Prokuroria ka nisur një hetim…
Tahiri: Më duhet tu sqaroj se policia e shtetit nuk disponon dhe as ka disponuar dhe as i lejohet të disponojë në të ardhmen një paisje përgjimi. Në policinë e shtetit nuk ka asnjë paisje përgjimi dhe policia bashkë me partnerët nuk ka punuar kurrë dhe as nuk do të punojë, të paktën sa jam unë në detyrë me një paisje përgjimi. Dhe unë jam në detyrë bashkë me drejtuesit e policisë për të garantuar që policia e shtetit bën detyrën pa shkelur ligjin. Ndërkohë në policinë e shtetit ka një trajnim që vazhdon prej disa javësh i cili zhvillohet mbi bazën e një marrëveshje të nënshkruar mes dy qeverive në 2007, ku parashikohet që mes policisë shqiptare dhe policive partnere, në rastin konkret asaj italiane të bëhet shkëmbimi i eksperiencave me metodologjinë më të mirë në rast të hetimit të krimit dhe veçanërisht të terrorizmit. Në këtë kuadër policia e shtetit ka zhvilluar dhe sot që flasim zhvillon dhe do të vazhdojë të zhvillojë në të ardhmen trajnime me policitë partnere. Siç ka bërë policia e shtetit me po të njëjtën paisje edhe në të kaluarën, edhe kur unë nuk kam qenë Ministër, edhe kur këta që flasin sot kanë qenë në qeveri dhe ju ritheksoj nuk bëhet fjalë për një paisje përgjimi. Bëhet fjalë për një paisje fare normale në punën e policisë.
Gazetarja: Ku ndodhet kjo?
Tahiri: Nuk ka asnjë lidhje me përgjimin. E deklaroj me përgjegjësinë time të plotë. Nuk jam në detyrë për të bërë atë që kanë bërë ata që kanë qenë më parë.Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë paisje përgjimi.
Gazetarja: Ku ndodhet kjo paisje që bëhet trajnimi?
Tahiri: Janë të ftuar të gjithë ata që mendojnë se ka vend për të parë konkretisht se çfarë bëhet, janë të ftuar të vinë të asistojnë në të gjitha rrugët ligjore, të verifikojnë, të hetojnë 24 orë në 24, të shohin nëse policia e shtetit thotë të vërtetën dhe unë them të vërtetën në këtë deklaratë që po bëj, apo ne gënjejmë. Mjafton që të bëhet në rrugë ligjore duke lënë mënjanë thashethemet dhe keqkuptimet.
Gazetarja: Ku ndodhet kjo paisje që bëhet trajnimi? Pse nuk i është vënë në dispozicion Prokurorisë?
Tahiri: Për këto detaje duhet të pyesni instancat përkatëse.Prokuroria e Shtetit i ka të gjitha mundësitë trë verifikojë në cilëndo mënyrë të mundshme dhe ligjore. Jemi terësisht të hapur, në dispozicion dhe pa asnjë merak.
Gazetari: A do të merrni pjesë nesër në Komisionin e Sigurisë?
Tahiri: Dëgjova diçka në media por nuk kam marrë akoma ftesë zyrtare. Nëse më vjen ftesë zyrtare jam 24 orë në dispozicion të gjithkujt që ka veshë të dëgjojë.
Gazetari: A është kjo një paisje gjurmimi dhe prej cilit vit ndodhet në Akademinë e Policisë?
Tahiri: Bëni durim për të marrë detaje kur instancat përkatëse të bëjnë sqarimet e nevojshme. Qeveria e djeshmee ka shumë merak të merret me policinë e shtetit dhe mua personalisht. I mirëkuptoj dhe falenderoj që më kujtojnë detyrën që po bëj çdo ditë, madje dhe dy herë në ditë. I falenderoj për të gjithë konferencat e shtypit që kanë bërë deri më sot, madje i ftoj të nxiten më shumë sepse çdo konferencë e tyre për shtyp mua më nxit të bëj akoma më mirë detyrën. Këta duan të intimidojnë policinë e shtetit dhe nuk do t’ia arrijnë.
Gazetari: Me Balilin çfarë po bëhet?
Tahiri: I bashkohem kolegut tim Manjani, duhet të pyesni Prokurorinë.
Basha: Zbardhja e përgjimeve emergjencë, Rama mban përgjegjësi/
Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quajti emergjencë ligjore dhe politike zbardhjen e asaj që e quajti skandalin e përgjimeve me pajisjen e policisë së Shtetit.
Pajisjen e përgjimit e quajti kryeskandal i qeverisë për të cilin Rama sipas Bashes mban përgjegjësi direkte.
“Transaparenca për këtë skandal politik e kriminal është emergjencë” tha Basha në një prononcim për median sot në mesditë nga selia e PD-së.
Basha tha se Rama e Tahiri heshtin për këtë skandal pasi ‘janë ideatorët e përdorimit të kësaj pajisjeje. Me mbrojtjen e tyre pajisja është fuur në Shqipëri pa u regjistruar dhe
pa marrë lejen e prokurorisë njësoj siç veprojnë organziatat krimanele” tha Basha
Ai shtoi se Rama duhet të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të presidentit, ambasadorëve, gazertarëve e qytetarëve.
Përgjimi kriminal, provë e shtetit mafioz mbi shtetin
Një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve.
Ndërsa vetë policia e ka pranuar zyrtarisht se posedon një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, heshtin sepse janë ata ideatorët dhe urdhëruesit e përdorimit të kësaj metode kriminale.
Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale.
Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeveria, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë.
Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek kryeministri i vendit, Edi Rama.
Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur.
Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check-up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie.
Transparenca për ketë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend.
Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.
Ndaj, ne kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje e për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore.
Mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron përgjegjësia politike e Edi Ramës.
Ai duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të Presidentit të vendit, të opozitës, të krerëve të institucioneve, të deputetëve, të drejtuesve të medias, të ambasadorëve, të gazetarëve, të qytetarëve.
Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të kushtetutës – jo thjesht të një shteti brenda shtetit, por të një “shteti mafioz” mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e Republikës.