Nga Nuri Kulluri/Dukat/ Vlore/Unë Nuro Kulluri, pronar autokton në fshatin Dukat, të rrethit të Vlorës, që i kam kaluar 80 vjeç mbaj mend mirë gjithësa ka ndodhur prej viteve 1950 në krahinën dhe në fshatin tonë. Ndjek rregullisht shtypin e ditës dhe kënaqem që gazetarët po kritikojnë anarkinë e pronës të krijuar nëpërmjet ligjeve të miratuara në Kuvend nga deputetët e bindur kryetarëve të PD dhe PS .
Kujtoj vitin 2010-2011 kur djemtë e Dukatit, për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues, u bashkuan dhe i ndoqën me gurë policët e armatosur të forcave speciale të dërguar nga ish kryeministri Sali Berisha. Pas kësaj proteste Qeveria arrestoi dhe burgosi 16 burra, duke i mbajtur pa asnjë kusht qoftë edhe minimal për 72 orë. Pas 72 orësh personat e arrestuar u dërguan në gjyq, me duar të lidhura dy e nga dy, sikur të ishin super kriminelë. Kjo u bë për presion psikologjik, Gjyqi nuk dënoi asnjë prej protestuesve , protestuesit firuan, qeveria dhe policia mbajten turpin. Në vitin 2015 kur kryeministër ishte Edi Rama, në zonën e Shën Vsil të Karaburunit, ka janë prona të fisit Bodoj, deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli bleu 320 hektarë nga shtetasi Jakup Mëzi. Brënda këtyre pronave fisi Bodaj ka akoma shtëpitë të ndërtuara që nga koha e Turqisë. Eshtë detyrim i shtetit të gjejë se nga i bleu ky Jakup, këtë pronë që ka zot, kur dihet nga e gjithë krahina që vetë Jakupi nuk ka asnjë lidhje trashëgimie me fisin Bodoj ose ndonje fist jetër në Dukat. Ka ardhur koha që Prokuroria që gjejë se kush i ka fallsifikuar dokumentate këtij trafiku pronash që është shumë herë më i madh se vjedhja e pronës me fallsifikim dhe mashtrim e bërë në Lezhë. Prokuroria duhet ti hetojë dhe ti dërgojë ata në gjykatë duke kërkuar që Gjykata të shpalli të pavlefshme dhe të pa qena aktin e shitjes dhe të dënojë grupin e fallsifikatorëve që të paguajnë dëmin e shkaktuar. Deri sot, megjithse Bodojt e vërtetojnë pronësisnë me dokumenta që nga koha e Turqisë, problemi nuk ka marrë akoma zgjidhje. Po vjen koha që burrat e Dukatit të bashkohen dhe përsëri të flasin të gjithë me një zë dhe rreshtohen të gjithë me një komandë të vetme. Zoti Rama nuk po e kupton realitetin ose nuk është burrë shteti deri sa vetë ka deklaruar se janë disa mijëra të vrarë për shkak të gabimit me pronën që filloi Sali berisha dhe Fatos Nano. Edi Rama na premtoi për zgjidhje konform kushtetutës por nuk ka gjetur kohën të bëjë një takim me pronarët dhe me vendimet qe merr po na shtyn në luftë civile. Shpresuam tek Edi Rama por jemi thellësisht të zhgënjyer me këto që bëri dhe po bën për pronarët duke ju mohuar pronën e trashëguar. Sali Berisha sot Lunzim Basha dhe Edi Rama nuk duan të kuptojnë se mohimi i pronës është mohim i dinjitetit njerëzor dhe mohim i atdheut dhe për këtë le të sqarojnë popullin, kur të dalin në ekrane të TV. Ky grusht politikanësh padrejtësinë e filluar me ligjin 7501, po e thellojnë edhe më shumë me kompensimet që parashikohen me ligjin 133/2015. Miratimi i ligjit 133/2015 nga Kuvendi dhe nga Gjykata Kushtetuese janë turpi i drejtësisë sepse nuk ka asnjë nen të Kushtetutës që të justifikojë pse tokat turistike nuk i kthehen të zotit. Nëpërmjet gënjeshtrave që ju rerviren Strasburgut, kërkohet të na mbushin mendjen se kompensimi qënka njëlloj i mirë sa dhe kthimi dhe ne pronarët e pronave dhe kullotave tona në Karaburun dhe në bregdetin e Vlorës, duhet të mjafohemi me kompensimin pasi ato toka i kanë përfituar me ligj dhe pa ligj oligarkia politike. i bëj apel gazetarëve dhe analistëve politikë që të sqarojnë grupin e specialistëve amerimanë të DEA se e kanë shumë të lehtë të gjejnë se si është bërë pastrami i parave . Mjafton qe antimafia të bëjnë një shëtitje në bregdetin e Vlorës dhe pastaj kërkojnë dokumentacionet për ndërtimet pa leje të ndërtuara në këtë zonë turistike në prona të zaptuara. Me këto ndërtime pa leje është mbushur i gjithë bregdeti i Vlorës. Ligji për legalizimin e tyre që e miratoi ky Parlament, mos veprimi i policisë ndertimore për të mos lejuar pushtimin e trojeve dhe realizimin e ndërtimeve pa leje , regjistrimi ture në hipotekë dhe shitja e tyre për qytetarë të ndryshëm, është ligji për pastimin e parave për të cilën nuk ka nevojë të shkohet në bankat jashtë shtetit.
Politikanët tanë që dolën në krye pas vitit 1991, qëlluan të gjithë një fatalitet për Shqipërinë dhe Kombin tonë . Ne duhet t’i lutemi Zotit për politikën Amerikane që po e paralizon këtë pluralizëm kriminal që po bëhet 27 vjeçar. Por nëse tek drejtuesit e politikës së sotme Edi Rama dhe Lulzim Basha ndërgjegja kombëtare nuk është mposhtur nga nxitja për para dhe përvetësim, ata le të reagojnë dhe nëse kjo bëhet sot specialistët e Vetingut do të kenë të mbylur burimin e korrupsionit dhe të pastrimit të parave. Asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar gabimet.
Me shpresë se gjithmon[ do fitoj[ i ndershmi dhe drejt[sia.
Rreziku për popullin dhe Shqipërinë janë politikanët
PO NUK ZURI VEND PRONA-NUK ZE VEND SHTETI
“ DUKATI KA TË DREJTË“/
“Dukati ka te drejte”-Këtë shprehje e ka thënë me gojën e tij, në vitin 2001, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër. Në atë kohë djemtë e Dukatit, të rrethit të Vlorës, për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues , përlesheshin me gurë me policët e armatosur të forcave speciale të dërguar nga ish kryeministri Sali Berisha. Unë Nuro Kulluri , pronar autokton në fshatin Dukat, sot në moshën 80 vjeç kam provuar dhe përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin tonë dhe nuk mund të rri i heshtur dhe të largohem nga kjo jetë pa i thënë porositë e mija ashtu si i mendoj.
Dukati ka të drejtë të marë kur kërkon që secili të marrë pronën e tij. Janë ato prona që diktatura e Enver Hoxhës i grabiti me ligjet e diktaturës së proletariatit dhe Sali Berisha, donte t’ja falte Berluskonit për të ngritur bizneset e tyre. Janë po ato prona ku arkeologët thonë se të parët tanë, kanë qënë aty prej 10.000 vjetësh dhe dokumentat thonë se ata kanë mbajtur deri 150.000 kokë dhen e dhi dhe qindra gjedhe dhe prodhimet e tyre i eksportonin ne Brindizi. Janë po ato prona të dukatasve autoktonë, të cilat prej 20 vjetësh politikanët po synojnë ti quajnë prona publike, me hilenë lakmiqare që me to të kënaqin veten dhe miqtë e tyre. Janë po ato prona që mbajnë brenda vetes varret si dhe mijëra ton kocka të pronarëve të tyre autoktonë. Malet, bregoret dhe fushat tona kanë dëgjuar nga pronarët vendas meloditë e bukura baritore dhe kanë përjetuar shumë histori njerëzore, të cilat nuk i beson kollaj kur ti tregojnë.
Mohimi i pronës është mohim i dinjitetit njerëzor dhe mohim i atdheut. Padrejtësia e filluar me ligjin 7501, duhet të korigjohet, përndryshe vazhdimisht do të ketë korrupsion, konflikte, tensione sociale gjakderdhje , jetë të humbura. Ju lutem ju dhe kryetarëve të tjerë të majtë apo të djathtë, që ta dëgjoni edhe fjalën time se po merrni popullin në qafë. Ata që kanë përfituar e dijnë mirë se janë në pronë të botës, por vazhdojnë ta mbajnë pronën e tjetrit duke u justifikuar vetëm me faktin se atë pronë ja ka dhënë ligji dhe shteti. Por ku e gjeti Shteti atë pronë? Shumë mirë që kërkoni transparencë për pasurinë e politikanëve por pse nuk kërkoni transparencë për pasuritë që pretendohet se janë të shtetit kur ato asnjëherë nuk kanë qenë pasuri të shtetit. Prona, nuk fitohet me grabitje dhe as me legalizime, aq më tepër kur është pronë që ka zot. Atëhere pse Kuvendi nuk po e bllokon padrejtësinë me pronën? Ju keni detyrimin të bëni një ligj të vetëm dhe të drejtë ashtu siç thotë dhe Kushtetuta në nenin 41 dhe me këtë ligj të korigjohen paudhësitë e bëra pas vitit 1991.
Zoti Servet Pëllumbi , me vonesë por bëri shumë mirë, që e deklaroi publikisht politikën e Katovicës që është zbatuar pas vitit 1991 prej Ramiz Alisë me veglat që caktoi në krye të forcave politike. Qeveria e 1991 kishte detyrë të çrrënjoste diktaturën komuniste. Kjo do realizohej nëse do të ishte zbatuar Satuti i kooperativave bujqësore, që ngriti diktatori Enver Hoxha. Aty thuhet se në rast se kooperativa prishej çdo familje merr pronën që ka futur në kooperativë . Në 1991 deputetët duke shkelur mbi parimet morale dhe të drejtën, miratuan ligjin 7501, ligji më djallëzor që po e shkatërron Shqipërinë. Siç është deklaruar edhe në Kuvend, nga ju zoti Kryeministër dhe deputetë të tjerë, anarkia e pronës ka shkaktuar mbi 8000 viktima. Në breza dukatasit janë shquar si njerëz të ekuilibruar. Dukati një fshat i dalluar për respektimin e traditës ka filluar të ndjejë pasojat e këtij ligji. Janë ligjet që nuk e kthejnë pronën tek i zoti ato që , po e thyejnë traditën e nderit dhe të korrektësisë që është respektuar në breza. “Dukati ka të drejtë“ Të gjithë ne që jemi bij të këtij vendi e dimë mirë këtë, por këtë e harrojnë të zgjedhurit tanë menjëherë pasi bëhen deputetë. Pse? Mos vallë të drejtën tonë për pronat e trashëguara duhet ta kërkojmë nga SHBA , Gjermania, Italia, Greqia, Turqia, Beogradi, Moska apo kryetarë shtetesh të tjerë. Ata dhe Strasburgu është mjaftuar me vendimin Pilot por atje me siguri bëhen raportime krejt të zbeta dhe ata nuk mund ta imagjinojnë situatën e rëndë që është krijuar për shkak se shteti për 25 vjet po vazhdon të mashtrojë me fasadën e kompensimit dhe po vepron me ligje që shkelin detyrimet kushtetuese.
Nga këto ligje të padrejta po përfiton batakçiu dhe i pandershmi, por i ndershmi revoltohet. Ne jemi të revoltuar , por po presim se revolta sjell pushkën dhe pushka merr jetë njeriu, por kjo nuk na pëlqen se kështu humbasin të gjithë shqiptarët dhe mbyllen dhe dyert e Evropës.
Kemi nuhatur se Qeveritarët po hedhin sytë nga kullotat e maleve të Dukatit. Dihet se aty Shteti nuk ka prona dhe aty pronësinë e kanë familjet autoktone të dukatit. Po të jetë nevoja burrat e Dukatit flasin të gjithë me një zë dhe rreshtohen të gjithë me një komandë të vetme. Zoti Rama : bëhuni burrë shteti dhe kuptoni realitetin, mos na shtyni në luftë civile se do të ishte fatalitet për të gjithë Shqipërinë dhe Kombin tonë. Ky palo pluralizëm kriminal që po bëhet 25 vjeçar duhet të ketë respekt për Dukatin dhe dukatatasit që janë 10.000 vjeçarë në ato male.
Dëgjojmë të thuhet se nuk ka dokumenta pronësie. Kjo nuk është e vërtetë. Është e sigurtë se pushtuesit turq dhe ata italianë, i kanë regjistruar pronat e shqiptarëve. Mbreti Zog ngriti një kadastër shumë të rregullt për kohën, por edhe diktatori Enver Hoxha i ka regjistruar të gjitha pronat që shtetëzoi pas vitit 1945. Pra Shteti i kishte dhe i ka dokumentat e pronave të shqiptarëve. Nëse në krye të shtetit dhe në Kuvendin e Shqipërisë, do të kishte shqiptarë të ndershëm, nuk duhej të miratohej ligji 7501, por një ligj që pronarët të dorëzojnë kërkesën dhe të jetë detyrim i shtetit që duke hapur arkivat ti kthejë në origjinë pronat e grabitura nga diktura. Nëse tek drejtuesit e derisotëm ndërgjegja kombëtare është mposhtur nga nxitja për para dhe përvetësim, kjo le të bëhet sot. Asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar gabimet. Kjo është detyra kryesore e njerëzve të zgjedhur.
E kuptoj zoti Kryeministër revoltimin tuaj nga situata dhe uroj me gjithë zemër që ju të dëshironi me sinqeritet të bëni shtet ligjor. Atëhere , hapini arkivat, kadastrat dhe regjistrat e shtetëzimeve dhe ktheni në origjinë pronën tek i zoti. Pronarët nuk duan kompensim. Kompensoni ata që shkelën ligjin por pronarit kthejani tokën babait të tij. Por keni dhe një rrugë ndihmëse – mblidhni fshatin se dukatasit e dijnë se ku janë kufijtë e secilit dhe jepuni dokumentat e reja të pronave ashtu siç i kërkon koha e sotme moderne. Ju garantoj se në shumicën e rasteve në të gjithë Bregdetin pronarët i dijnë kufijtë e pronave të tyre. Në rastet ku ka vështirësi ose kufitarët nuk e gjejnë dot gjuhën e përbashkët duhet ndërhyrje Shteti me dokumentat që Shteti i disponon. Reforma që presim nga ju është që secili të gëzojë pronën e tij të trashëguar sa është i gjallë. Por kjo do të kundërshtohet nga të babëziturit apo të shiturit të ulur si deputetë në Kuvend , ata si puna e ujkut pëlqejnë mjegull për të shqyer dhe grabitur më lehtë.
Zoti Edi Rama Ju jeni shprehur se “Dukati ka të drejtë“ Kryeministrat pas vitit 1991, kanë lënë gjurmë negative dhe do mbahen mend si gënjeshtarë të mëdhej që e mashtruan popullin, që sabotuan demokracinë dhe i futën familjet shqiptare në konflikte dhe në gjak me njëra tjetrën. Si asnjë herë në historinë qindra shekullore të këtij vendi konflikti për pronën është futur edhe brenda famijes. Gazetat japin shpesh lajme të tilla. Zoti Edi Rama, ne jemi larguar nga Sali Berisha sepse ai mashtroi dhe punoi për tu pasuruar për veten e tij sipas udhezimeve të katovicës. Prona nuk ka vetëm vlerë si para, por është problem delikat që nuk mund të shlyhet me kompensime. Politika për pronat lidhet me fëmijët tanë dhe përcakton të ardhmen e kombit. Me politikën e kompensim/legalizimit, të nisur nga Saliu, brezi i ri, i lënë pa prona, si arixhiu pa atdhe do largohet nga vendi , sepse me forcën e shtetit prej 25 vjetësh, po i mohohet atdheu i të parëve. Kryeministrat pararendës, i kanë shtuar problemet që la pas diktatuta aq sa ndërkombëtarët ju venë si kusht dhe ju kërkojnë ju që t’a dekriminalizoni Shtetin. Ata kanë të drejtë por kanë edhe detyrim të orientojnë se nëse dekriminalizimi nuk fillon me drejtësinë mbi pronën edhe ju do të dështoni edhe me shumë se Sali Berisha. Me kompensime dhe legalizime Shqipëria do të vazhdojë të zhytet në kënetën e korrupsionit dhe në çorbën e politikës së mbrapshtë dhe antishqiptare të Katovicës që po vazhdon prej 1991, kur drejtonte Ramiz Alia. Ata që vijnë si reporterë të BE nga zoti Stefan Fyle deri tek gjermani Fleckenstain, duke qenë të edukuar ndryshe , mbase nuk arrijë ti kuptojnë në thellësi këto gjëra, por raportojnë për progress dhe lavdërojnë edhe kur Kuvendi bën ligje që shqiptarët të thellohen në anarkinë e Katovicës dhe të justifikohen kur vjedhin pronën e tjetrit. Kjo është e vërteta e hidhur.
Mos sakrifiko zgjidhjen e problemit të pronës për interesa elektorale . Turqina u bë shtet të fortë dhe shtet ligjor nga Qemal Ataturku, Italine e shpëtoi nga post fashizmi DeGasperi. Ju zoti Edi Rama keni mundësinë historike, që të ngrini themelin e shtetit demokratik nëse zbatoni parimin se “Prona e grabitur i kthehet të zotit” Zgjidhja bëhet me kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe kuptohet që edhe kompensimi duhet por kur bëhet fjalë për nevoja publike.
Kërkojmë të jeni shumë i kujdesshëm, i matur dhe largpamës. Siç themi në gjuhën e popullit: mat mendo e diskuto 7 herë dhe vendos e pre një herë. Drejtësinë e duan të gjithë, se drejtësia i qetëson të gjithë, ndaj duhet të vendosësh drejtësi duke filluar me pronën e trashëguar se kështu hapet dera që Shqipëria të pranohet në Evropë.
Me konsideratë dhe shpresë.
Nuro Kulluri