“Fol, ja këtu nxirre qumështin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!”/
“Rrno për me tregue”/ Torturat çnjerëzore në hetuesinë komuniste dhe mesazhi në murin e bugut që tmerroi At Zef Pllumin: “Un Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinën time për mos me dekë etjet. U tmerrova. A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha?”/
“Rrno për me tregue” nga At Zef Pllumi:
Dr. Paulin Pali, jurist. Ishte nji emën i ndigjuem për mirë, në të mbështeteshin shpresat e shumkuj prej atyne intelektualeve që thurrshin plane të bukura për të ardhmen e atdheut. E takova për të dytën herë aty ku nuk duhej.
Nën shkallë ishte WC-ja alaturka; ngjitun hamamxhiku i vogël; të dyjave u kishin hjekë dyert për t’i kontrollue polici edhe prej së largu. Aty në hamamxhikun e vogël ishte nji burrë i gjatë, i madh, me nji mjekër të zezë deri në gjoks. Kambët e zbathuna të shterngueme në zinxhirë kali me dry e të kapuna në murin mbrapa me nji hallkë, duerët të lidhuna para.
Kush je ti? – ndigjova zanin e tij, ndersa po i avitesha WC-së. Ai e persriti nen zâ emnin që i thashë.
– A të njof un ty?…
Vetëm kaq se pjesën tjetër e zuni zani i egër i gardjanit që bërtiti prej së largu: Paulin… Paulin, he derr as aty nuk rrin urtë, – dhe e mbylli frazen me nji të shame të turpshme. Gjithë natën e gjatë e kalova i varun aty n’atê pjeshkë, mes oborrit të vogël në cegmen e Dhetorit. Sytë i drejtoshem te ai burri në hamarnxhikun e vogël: A ishte ky Paulini?.. Për bishtin e shkurtë të trumës, aty pranë derës, nji tjetër i lidhun kambësh, në nji pozicion që as nuk rrinte drejt në kambë, as i ulur kacuk. Kushedi sa kohë ishte i lidhun ashtu, sepse lëshonte ulurima të tmerrshme, kishte kalue nga mendja dhe fliste fjalë të ndyta papushim. Mâ vonë e mora vesht se ai ishte Taipi. Perbrí meje disa tjerë largas njeni-tjetrit të shtrimë përtokë, të mbledhun palmuç të mbluem me nga nji batanije leckë; ndërsa, përballë me fëtyrë të sjellun nga muri kater tjerë, në kambë drejt qiri, të mbuluem me batanije leckë. Në atê heshtje nate të tronditej kryet nga hapat e randë të rojes që sillej aty me automatik ngrehë, dhe të gjamave, pshertimave e ulurimave t’atyne që vuejshin n’atê oborr dhe të disa tjerëve që nuk shiheshin se ku ishin.
O Zot i madh, – thashe me vedi, – a thue ndoshta kam dekw e gjindem n’atê ferrin real, “ku nuk ka tjeter, por vajë e kërcllim dhambësh”? N’atê moment mund ishte ora 1 mbas mesnate; po zbrisnin nga pvetjet apo torturat nji tjeter të mjerë. Kadale e ulnin shkallëve; rojet kqyren pjeshkën ku ishem i varun un, njani kthej vrap përpjetë, mandej zbriti. Atëherë të mjerin tjetër e lidhën afër WC- së ndër parmakët e shkallëve. E kishin sakatue. Gjithë naten gjimonte, ndërsa roja i avitej e kërcnonte dhe e shante me fjalët mâ të ndytat. Atê natë nuk pat asnji krismë automatiku.
Në mëngjes herët filloi radha për WC. Rojet u shtuan ndër të gjitha anët. Para orës 7 ra qetsi, mandej u ndrruen rojet. Kah ora 10 erdhën e më zgjidhën nga pjeshka. Kur kalova nga WC-ja përsri ai Paulini aty në hamamxhik, ndërsa ai i varuni ndër parmakët e shkallëve nuk ishte mâ i zoti me lshue kurrfare zani. Në krye të shkallve ishte nji salon, i cili shërbente për hymjen ndër kater dyer. Ndeja aty në kambë. Përballë meje ishin dy persona të lidhun, Cin Lezha dhe nji tjeter që nuk e njofta….
Vazhdoi nji heshtje, ndërsa ai sillej rrotull nëpër dhomë.
– Nuk don të flasësh?…
– Po shka të flas?
– Fol këtu, na trego përse të kemi arrestuar?
– Pse më keni arrestue, këtë e dini ju; un nuk dij gjâ, duhet të ma thoni ju mue.
– Si nuk ditke gjë? Kujt i thua ti? Mblidhe mendjen e fol!
– Po shka të flas? Ti më pvet shka don e un të përgjigjem.
– Ti të më përgjigjesh mua? Mejtohu mirë se këtu para meje kanë vdekur burra më të fortë se ti. – Fol, ja këtu nxirre qumshtin e mëmës ose përndryshe vdiqe. Fol!…Fol!…
– Nuk dij shka me folë.
– Nuk din ti ë?
Kapi shufren e hekurit, me të cilen shprishte zjarmin e sobës së ndezun dhe me të m’u versul mbi shpatulla, shpinë, kofshë e kambë. E vetmja fjale që thonte: Fol! Këtu nxirre qumshtin e mëmës!
Un nuk kishem shka me folë. Mbasi u lodh ai, edhe un ishem i dermuem, thirri kapterin dhe i tha: Merre. Kur më zbriti në oborr ajo pjeshka ishte e zanun, sepse kishin varë nji tjeter, atê që e kishin lanë ndër parmakët e shkallëve, e kështu mue më varen aty përballë WC-së e hamamxhikut. Paulini aty. Kqyrshim vazhdimisht shoqishojnë. Por gardjani sillej aty afer e nuk mund folej. Në murin e WC-së ishin shumë shkrime, pothuej të gjithë emna e data të grryeme në mur me prangat e duerve. Ajo që më mbeti e ngulun në mendje kje:
“Un, Dom Vlash Muçaj këtu më 22 korrik piva urinen time për mos me dekë etjet.”
U tmerrova.
A thua njeriu arrin deri aty, ma keq se kafsha? O Zot, mos na provo! /