Siguria e Izraelit nuk është e kërcënuar dhe ne do të jemi gjithmonë në anën tuaj në rast sulmi, i deklaroi popullit izraelit presidenti amerikan, Barack Obama, pas fjalëve të ashpra që kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu përdori lidhur me marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe 5+1-it, ku bën pjesë edhe Uashingtoni.
”Nëse dikush sulmon Izraelin, SHBA do të jetë në anën e tij”, përforcon presidenti amerikan.
Në një intervistë me Thomas Friedman, kolumnistin kryesor të gazetës amerikane ”New York Times”, Obama shpjegon nga Zyra Ovale se ndihej i keqardhur personalisht për akuzat e bëra nga Izraeli, sipas të cilit administrata e tij nuk kishte bërë sa duhej për të mbrojtur interesat e Izraelit.
”Rruga diplomatike dhe marrëveshje me Iranin janë mënyra më efikase për të parandaluar Teheranin të posedojë armën bërthamore”, thekson Obama.
”Marrëveshja është një rast që ndodh vetëm një herë në jetë për t’u përpjekur për ta larguar nga tryezat e bisedimeve çështjen e nxehtë bërthamore”, këmbungul presidenti amerikan.
”Izraeli ka çdo të drejtë për të qenë i shqetësuar për Iranin, një regjim që ka shprehur dëshirën për ta shkatërruar Izraelin apo që ka deklaruar se nuk e njeh Holokaustin”, shton ai.
”Nëse nuk bëjmë asgjë dhe nëse nuk mbajmë sanksionet, atëhere Irani do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën e tij bërthamore dhe ne do të jemi më pak në gjendje për të thënë se çfarë po ndodh”, thekson Obama.
Obama kërkon nga Kongresi autorizim për forcë kundër IS-it
Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje përmes një rezolute Kongresit që të autorizojë përdorimin e forcës kundër Shtetit Islamik.
Autorizimi, që nuk përmban kufizime gjeografike, ka afat prej tre vjetësh, dhe mundësinë e ripërtëritjes.
“Rezoluta që kemi dërguar nuk bën thirrje për zbarkim të trupave tokësorë të Shteteve të Bashkuara në Irak apo në Siri. Nuk është autorizim për një tjetër luftë në terren, sikur që ishte në Afganistan apo Irak”, ka thënë Obama, në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
“Njëkohësisht, kjo rezolutë mundëson një balans të domosdoshëm, duke na thënë fleksibilitetin që na duhet për rrethana të paparashikueshme. Për shembull, nëse do të kishim informacione nga inteligjenca për një tubim të liderëve të Shtetit Islamik, dhe nëse partnerët tanë nuk do të kishin kapacitet për ta trajtuar këtë informacion, unë do të isha i gatshëm të urdhëroj forcat tona speciale për të vepruar, sepse nuk do të lejoj që këta terroristë të kenë vend-strehim të sigurtë”, ka thënë Obama.
Forcat ushtarake amerikane, në përbërje të një koalicioni më të gjerë, janë duke sulmuar nga ajri caqet e Shtetit Islamik në Irak që nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe ato në Siri, që nga shtatori.
Derisa shumë ligjvënës mirëpritën vendimin e zotit Obama për të dërguar një kërkesë për autorizim disa muaj pas nisjes së sulmeve ajrore, disa të tjerë kërkonin më shumë qartësi nga Shtëpia e Bardhë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, republikan nga Ohio, tha se plani i zotit Obama do të mund të pësojë ndryshime, duke shprehur dyshimet e tij nëse plani aktual mund të përmbushë objektivat e presidentit.
Senatori republikan nga Tennessee, Bob Corker, i cili është kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, tha në një deklaratë se mirëpret autorizimin e dërguar nga presidenti dhe shpreson në miratimin e tij.
Corker ka paralajmëruar nisjen e seancave dëgjimore “rigoroze, për t’i dhënë mundësi administratës që t’i ofrojë Kongresit dhe popullit amerikan më shumë qartësi mbi strategjinë e Shteteve të Bashkuara për ta adresuar çështjen e Shtetit Islamik, veçanërisht në Siri”.
Senatori demokrat, Tim Kaine, nga Virginia, i cili ka kritikuar për një periudhë të gjatë presidentin për mos-dërgimin e autorizimit më herët, tha në një deklaratë se mirëpret vendimin e administratës për ta bërë një gjë të tillë, porse “ka shqetësime për mungesën e qartësisë në fjalorin që bën fjalë për trupat tokësore”.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka mbrojtur këtë “mungesë qartësie” në fjalorin e autorizimit.
“Ajo çfarë Obama nuk ka në plan është çfarëdo angazhimi afat-gjatë i trupave tokësore siç ka qenë rasti më herët me Irakun dhe Afganistanin. Por, ajo çfarë ai dëshiron të ruajë si mundësi është reagimi ndaj situatave të paparashikueshme, dhe në disa raste, reagimi i shpejtë ndaj situatave që kërkojnë urdhër për aksion ushtarak, për të cilin do të ishin të domosdoshme trupat tokësore”, ka thënë zoti Earnest.
Vetë presidenti Obama ndërkaq është optimist se “koalicioni kundër Shtetit Islamik është në ofensivë, Shteti islamik është në defansivë dhe do ta humbë këtë betejë”.
Ndryshe, autorizimi i propozuar do të shfuqizojë masën e vitit 2002 që ka autorizuar luftën në Irak, por mban në fuqi një autorizim të vitit 2001 që u miratua pak pas sulmeve të 11 shtatorit për një fushatë kundër al-Qaedas dhe degëve të saj
Presidenti Obama: Kombet e vogla të mos frikësohen nga të mëdhatë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se siguria në Azi nuk duhet të bazohet në frikësimin e shteteve të vogla nga ato të mëdhatë.
Obama u ka thënë studentëve në Brizbën të Australisë, ku po merr pjesë në samitin e vendeve më të industrializuara G20, se siguria në rajon duhet të varet nga aleancat reciproke.
Ai po ashtu ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim” në përkushtimin e tij ndaj aleatëve të Azi-Paqësorit, duke iu refereuar përpjekjeve amerikane për të forcuar lidhjet strategjike me këtë rajon.
Obama i ka kushtuar një pjesë të fjalimit krizës në Ukrainë. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, i cili është kërcënim edhe për botën.
Ai ka thënë se kërcënimi rus është dëshmuar me hedhjen poshtë të një aeroplani malajzian të pasagjerëve, më 17 korrik. Aeroplani është goditur me raketa nga një territor në pjesën lindore të Ukrainës, i cili kontrollohet nga separatistët pro-rusë.
Të 298 njerëzit në bord, në mesin e tyre 38 shtetas të Australisë, kanë humbur jetën.
“Si aleate dhe mike e juaja, Amerika ndan pikëllimin e këtyre familjeve australiane. Ne ndajmë edhe vendosmërinë e vendit tuaj për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka thënë Obama.
Presidenti amerikan është zotuar para studentëve se vendi i tij do të ndihmojë në adresimin e të gjitha sfidave që kërcënojnë botën.
“Si super-fuqia e vetme në botë, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi të veçanta. Ne jemi duke udhëhequr komunitetin ndërkombëtar në luftë kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik. Ne jemi duke udhëhequr trajtimin e Ebolës në Afrikën perëndimore dhe jemi duke kundërshtuar agresionin rus në Ukrainë”, është shprehur Obama.
Roli i Rusisë në konfliktin në Ukrainë është duke zënë vend të rëndësishëm edhe në samitin dy ditor të G20-ës – që ka nisur sot – edhe pse nuk ka qenë në agjendën formale të tij.
Ka qenë e paraparë që liderët e G20-ës të përqendrohen më shumë në nxitjen e rritjes ekonomike. Por, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka thënë se Moska ka dërguar trupa dhe armatim të rëndë në lindje të Ukrainës. Ai ka kërcënuar me aksione të mëtejshme ndëshkuese, nëse Rusia nuk ndalon këtë praktikë dhe nuk i tërheq të gjitha asetet ushtarake nga Ukraina.
Duke folur në Brizbën, Rompuy ka thënë se ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen më 17 nëntor për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm kundër Rusisë. Moska tashmë po përballet me sanksione nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të aneksimit të Krimesë dhe ndihmës që u jep separatistëve pro-rusë në lindje.
Samiti i G20-ës është duke u zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, me rreth 6,000 policë të vendosur në rrugë. Njëzeteshtatë grupeve të ndryshme u është dhënë leja për të protestuar në zona të caktuara.
Qeveria e Australisë është duke u përballur me kritika për shkak të poltikave të saj për klimën.
Përgatiti: Valona Tela
Obama u uroi të gjithë besimtarëve myslimanë fillimin e Ramazanit
Në emër të popullit amerikan, Michelle dhe unë ju përcjellim urimet më të mira për të gjitha komunitetet muslimane këtunë Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në fillim të muajit të bekuar të Ramazanit. /
Nga BEQIR SINA, New York/
WHITE HOUSE : Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka uruar myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën, fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.Në deklaratën e zotit Obama theksohen kontributet e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, përfshirë arsimin, punën humanitare dhe reduktimin e dallimeve në të ardhura dhe në varfëri.
Muaji i shenjë i Ramazanit fillon sot dhe karakterizohet me agjërim prej agimit e deri në muzg të ditës.Ramazani përfundon me festën myslimane të Bajramit të Madh.Presidenti Obama tha se ai i pret me nderim myslimanët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë për iftarin tradicional, me të cilin përfundon një ditë e agjërimit.
Në emër të popullit amerikan, Michelle dhe unë ju përcjellim urimet më të mira për të gjitha komunitetet muslimane këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në fillim të muajit të bekuar të Ramazanit.
Një kohë për vetë-reflektim dhe përkushtim nëpërmjet lutjes dhe të agjërimit, Ramazani, thotë në dekleratë Presidenti Oabama është gjithashtu një rast kur muslimanët në tërë botën riafirmojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar njerëzit me më pak fat, duke përfshirë edhe ato të luftojnë për shkak të vështirësive ekonomike dhe pabarazisë. Këtu në Shtetet e Bashkuara, ne jemi mirënjohës për shumë organizata muslimane amerikane, individëve dhe bizneseve që janë të përkushtuar për të krijuar mundësi për të gjithë duke punuar për të reduktuar pabarazinë e të ardhurave dhe varfëri, jo vetëm nëpërmjet përpjekjeve të tyre të bamirësisë, por edhe përmes iniciativave të tyre për fuqizojë studentët, punëtorët dhe familjet me arsim, aftësitë dhe kujdesin shëndetësor që ata meritojnë.
“Ramazani, gjithashtu na kujton përgjegjësinë tonë të përbashkët për të parë të tjerët si ne dëshirojmë ashtu si dhe veten tonë dhe parimet bazë që lidhin njerëzit e besimeve të ndryshme janë së bashku: një dëshirë e zjarrtë për të parë vetëm paqe, drejtësisë dhe barazisë njerëzore. Në një moment kur shumë njerëz në mbarë botën vazhdojnë të vuajnë nga konflikti pakuptimtë dhe dhuna, edhe këtë herë ky muaj i shenjtë na përkujton obligimet tona të përbashkëta për të parë drejtësinë dhe paqen dhe për tëmbrojtur dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”.
Në fund të kësaj Deklarate nga Presidenti i SHBA, Barack Obama me rastin e Ramazanit thuhet se :”Ashtu si unë e kam bërëçdo vit si President, unë shoh përpara për të përshëndetur myslimanët amerikanë nga gjithë Shtetet e Bashkuara nnga Shtëpia e Bardhë duke shtruar një darkë Iftari. Që kjo të jetë një tjetër mundësi për mua për të përcjellë vlerësimin e Amerikës për kontributin eamerikanëve myslimanë në vendin tonë dhe të uroj myslimanëve në botë, një muaj i bekuar me gëzimet më të mira të familjes,komunitetit, paqeja dhe mirëkuptimi. Ramadan Kareem.” thotë Presidenti Obama
Obama: Ditët e shenjta na kujtojnë përgjegjësitë ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit
Presidenti amerikan Barack Obama foli sot në fjalimin e tij të përjavshëm për kuptimin e Javës së Shenjtë dhe Pashkëve për të krishterët.
Zoti Obama tha sot se ditët e shenjta na kujtojnë për “përgjegjësitë tona ndaj Zotit dhe, si fëmijë të Zotit, për përgjegjësitë ndaj njëri-tjetrit”.
Presidenti tha se ai dhe shumë të krishterë të tjerë, gjatë Javës së Shenjtë dhe Pashkëve, “kujtojnë mirësinë e një Zoti të jashtëzakonshëm, që na deshi aq thellësisht saqë na dhuroi birin e tij”.
Zoti Obama tha se në këtë periudhë të vitit është e udhës të kujtojmë “fillin e përbashkët të njerëzimit që na lidh të gjithëve, jo vetëm të krishterë dhe hebrenj, por edhe myslimanët, hindutë dhe sikët, i cili është përkushtimi ynë i përbashkët për të dashur fqinjët dhe veten”.