Siguria e Izraelit nuk është e kërcënuar dhe ne do të jemi gjithmonë në anën tuaj në rast sulmi, i deklaroi popullit izraelit presidenti amerikan, Barack Obama, pas fjalëve të ashpra që kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu përdori lidhur me marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe 5+1-it, ku bën pjesë edhe Uashingtoni.
”Nëse dikush sulmon Izraelin, SHBA do të jetë në anën e tij”, përforcon presidenti amerikan.
Në një intervistë me Thomas Friedman, kolumnistin kryesor të gazetës amerikane ”New York Times”, Obama shpjegon nga Zyra Ovale se ndihej i keqardhur personalisht për akuzat e bëra nga Izraeli, sipas të cilit administrata e tij nuk kishte bërë sa duhej për të mbrojtur interesat e Izraelit.
”Rruga diplomatike dhe marrëveshje me Iranin janë mënyra më efikase për të parandaluar Teheranin të posedojë armën bërthamore”, thekson Obama.
”Marrëveshja është një rast që ndodh vetëm një herë në jetë për t’u përpjekur për ta larguar nga tryezat e bisedimeve çështjen e nxehtë bërthamore”, këmbungul presidenti amerikan.
”Izraeli ka çdo të drejtë për të qenë i shqetësuar për Iranin, një regjim që ka shprehur dëshirën për ta shkatërruar Izraelin apo që ka deklaruar se nuk e njeh Holokaustin”, shton ai.
”Nëse nuk bëjmë asgjë dhe nëse nuk mbajmë sanksionet, atëhere Irani do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën e tij bërthamore dhe ne do të jemi më pak në gjendje për të thënë se çfarë po ndodh”, thekson Obama.