-Oda Amerikane dhe Konzullata e Kosovës në Nju Jork dakordohen për aktivitete të përbashkëta promovuese/
-Promovim mundësive për investime në Kosovë dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
PRISHTINË, 20 Qershor 2018-Gazeta DIELLI/ Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ishte nikoqire e konsullës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, me të cilën u bisedua për koordinimin e përpjekjeve ndërinstitucionale me qëllim të promovimit të mundësive për investime në Kosovë dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorja Sahatqija tha se pas realizimit të suksesshëm të aktivitetit të përbashkët për promovimin e verërave të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar në Nju Jork, ku mori pjesë edhe Ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Nickey Haley, duhet të vazhdohet me aktivitete të tjera, të cilat kanë për synim sigurimin e partneriteteve për bizneset kosovare në SHBA. Ajo foli në veçanti për mundësitë e shumta që ekzistojnë për kompanitë kosovare nga fusha e teknologjisë së informacionit, në aspekt të kontraktimit të proceseve afariste.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se përpjekjet institucionale për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, duhet të jenë të bashkërenduara dhe më të targetuara për biznese specifike amerikane, të cilat kanë mundësi për zgjerim të biznesit në Kosovë. Ai ofroi përkrahje Konzullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork për koordinimin e aktiviteteve promovuese të cilat do të mbaheshin përgjatë vitit në Nju Jork e të cilat do të kishin në fokus audienca më të targetuara të bizneseve dhe palëve të tjera të interesit, përfshirë këtu edhe autoritetet shtetërore amerikane, si dhe institucionet financiare amerikane e ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit u dakorduan për përpilimin e një plani të detajuar të punës për të gjitha aktivitetet e mundshme, në të cilin do të përfshiheshin edhe organizata të tjera që mbështesin aktivitetet e inovacionit dhe ndërmarrësisë si Qendra e Inovacionit e Kosovës./b.j/

-Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti prezantoi Pakon e re Fiskale dhe njëkohësisht falenderoi anëtarët e Odës Amerikane për inputin e tyre/ PRISHTINË, 16 Janar 2017-Gazeta DIELLI/ Për t’u informuar rreth Pakos së re Fiskale dhe përmbajtjes së saj si dhe rreth programit të reformave ekonomike, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një ngjarje me Ministrin e Financave Avdullah Hoti, Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës Fahri Gashi dhe Qemajl Marmullakaj Drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik nga Zyra e Kryeministrit.Drejtori Ekzekutiv Arian Zeka tha se Oda Ekonomike Amerikane vazhdimisht ka qenë e zëshme për nevojën e finalizimit të pakos fiskale duke kërkuar futjen në fuqi të pushimeve tatimore dhe zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore. Zeka përsëriti se Oda Ekonomike Amerikane do të kerkojë me ngulm edhe rifunksionalizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, si një mekanizëm i rëndësishëm për trajtimin e pavarur në shkallë të dytë të ankesave të bizneseve karshi ATK-së dhe Doganës.Ministri i Financave Avdullah Hoti prezantoi Pakon e re Fiskale dhe njëkohësisht falenderoi anëtarët e Odës Amerikane për inputin e tyre. Ministri Hoti theksoi se kjo pako përfshin shtatë masa bazike administrative të cilat kanë për qëllim lehtësimin e të bërit biznes në vend. Pakoja merr parasysh, mes tjerash, kërkesën e Odës Amerikane për zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga tatimet doganore, Udhëzimin Administrativ për pushimet tatimore si dhe rregullimin ligjor të çështjes së humbjeve.Drejtori i Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri tha se orientimi i ATK-së është në thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e komunikimit me tatimpaguesit, duke theksuar se ky institucion është duke punuar drejt ofrimit të një kanali të ri të komunikimit me tatimpaguesit e mëdhenj. Ndërsa, Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit prezantoi hollësisht programin e reformave ekonomike të cilat do t’i dorëzohen Komisionit Evropian në fund të këtij muaji./b.j/