Nga Frank Shkreli/
Siç dihet, Asamblea e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) para disa ditësh ka përfunduar punimet e sesjonit të 73-të të saj në Nju Jork. Ky takim vjetor konsiderohet si mbledhja më e rëndësishme botërore, ku marrin pjesë udhëheqsit më të lartë të shteteve anëtare të OKB-ës. Çdo vit, Asamblea e Përgjithshme përcakton, paraprakisht, temat me të cilat do të merret OKB-ja për vitin që pason dhe njëkohësisht përcakton edhe rendin e çështjeve prioritare të cilat shqetësojnë OKB-ën dhe vendet anëtare të saj.
Përveç përfaqusesve të lartë të shteteve anëtare të organizatës botërore në Nju Jork, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-ës marrin pjesë edhe individë dhe organizata të ndryshme jo-qeveritare nga mbarë bota, të cilat e përdorin këtë rast për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj shqetësimeve të tyre — mbi çështjet me të cilat ata merren, si individë dhe si profesionistë — para OKB-ës si organizatë dhe udhëheqsve më të lartë të botës dhe përfaqsuesve të tyre.
Një ndër këto organizata jo-qeveritare e cila mori pjesë në një grup diskutimi, – në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-ës – ishte edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. (Instituti Mbretëror i Londrës për Punët Ndërkombëtare sa po ka njoftuar se fituesi i çmimit prestigjoz “Catham House” për vitin 2018 është pikërisht, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Ky çmim u jepet çdo vit, një personi, personave ose organizatave që sipas antarëve të Catham House kanë dhënë kontributin më të madh drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve sipas një njoftimi për shtypin, e fitoi këtë çmim prestigjoz për përpjekjet e tij në mbrojtje të drejtës së gazetarëve për të raportuar lajmet pa frikë nga ndëshkimet, në një kohë jur liria e shtypit është nën trysni në shumë pjesë të botës. Duke reaguar ndaj këtij njoftimi, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Joel Simon u shpreh se, “Ky nderim është një afirmim i rolit të gazetarëve – sidomos i atyre vendas – për të informuar botën. E vërteta nuk është një koncept që vendoset nga udhëheqsit politikë, por është një koncept që formohet nga kuptimi dhe nga vrojtimi i ngjarjeve që vetëm mund t’i japë gazetaria”, tha Z. Simon duke komentua dhënjen e çmimit prestigjoz, Catham House” organizatës që ai kryeson
Komiteti për Mbrojtjen e gazetarëve është një organizatë ndërkombëtare me prestigj me qendër në Nju Jork, i cili promovon lirinë e shtypit anë e mbanë botës dhe mbron të drejtën e gazetarëve që të shkruajnë dhe të raportojnë lajmet lirisht dhe pa frikë se do të ndëshkohen nga autoritetet qeveritare, në cilindo vend të botës qoftë. Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Gazetarëve, Joel Simon mbajti një fjalim në Nju Jork, para një grupi ndërkombëtar të interesuar për gjëndjen e lirisë së shtypit në botë dhe mbrojtësish të gazetarëve. Kjo mbledhje kishte për qëllim që, në kuadër të sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, të viheshin në dukje shkeljet flagrante të lirisë së shtypit në botë, si dhe për të të tërhequr vëmendjen e të fuqishëmve ndaj praktikave të papranueshme të disa qeverive, që burgosin gazetarët anë e mbanë botës, vetëm e vetëm sepse bëjnë punën e tyre. “Për vite me radhë”, tha Z. Simon, “Kemi diskutuar me OKB-ën si dhe me institucionet dhe me entet e saja përkatëse, për çështje që kanë të bëjnë me lirinë e shtypit dhe me të drejtat e gazetarëve…Ne kemi shprehur shqetësimet tona për vrasjet e gazetarëve anë e mbanë botës, dhe për çështjen e mosndëshkimit të atyre në autoritet që abuzojnë me lirinë dhe me të drejtën e gazetarëve. Kemi biseduar gjithashtu edhe mbi mbrojtjen e gazetarëve të cilët punojnë në zona konflikti” ka thënë ai. Ai është shprehur se kemi venë re një gatishmëri në rritje nga ana e disa zyrtarëve të OKB-ës për të biseduar për këto çështje, por shtoi Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve se, njëkohsisht, “Ne jemi të detyruar të pranojmë se kushtet e këqia në punën e përditshme nuk kanë ndryshuar pothuaj aspak për gazetarët, anë e mbanë botës.”
Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Joel Simon duke folur në Nju Jork më 28 Shtator. (CPJ/Gulnoza Said)
Simon theksoi vështirsitë me të cilat ndesh organizata e tij për mbrojtjen e gazetarve dhe të lirisë së fjalës, sidomos kur është fjala për burgosjen e pa drejtë të gazetarëve, anë e mbanë botës. Kjo situatë, nënvijoi ai, ekziston sepse për këto abuzime të rënda — siç është burgosja e pa drejtë e gazetarëve — janë përgjegjëse, drejtë për drejtë, qeveritë e ndryshme dhe se Organizata e Kombeve të Bashkuara mishëron një kulturë, në bazë të cilës rradhë ndodhë që ajo të kritikojë vendet anëtare për abuzime të tilla, ka theksuar Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve në mbledhjen mbi lirinë e shtypit dhe mbi të drejtat e gazetarëve, që u mbajtë në fillim të punimeve të sesionit të 73-të Asamblesë së OKB-ës, muajin që kaloi në Nju Jork. Z. Joel Simon u tha të pranishëmve se numri i gazetarëve të burgosur në botë ka arritur nivele të një ngjarjeje të pa precedent. “Në mbarim të vitit që kaloi, anë e mbanë botës ishin të arrestuar 262 gazetarë, numri më i madh që është shënuar ndonjë herë nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve” informoi ai të pranishmit. “Burgosja e gazetarëve është një formë brutale e cenzurës dhe po afekton shumë negativisht në përhapjen e lirë të informacionit në mbarë botën. Ka ardhur koha që (Organizata e Kombeve të Bashkuara) të ngrejmë zërin për këtë brutalitet dhe t’i thërrasim me emër abuzuesit, cilët do qofshin ata”, ka përfunduar fjalën e tij Z. Joel Simon, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe të lirisë së fjalës. Ai tha se Turqia është në vend të parë për burgosjen e gazetarëve, e cila, sipas tij, në fund të vitit të kaloi kishte 73 gazetarë të burgosur.
Simon u kujtoi të pranishëmve, Nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut – që është dokumenti themelor i Organnizatës së Kombeve të Bashkuara – në bazë të cilit tha ai, “Secili prej nesh ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë informacion nepërmjet cilido burim ose medium qoftë dhe përtej kufijve ndërkombëtarë. Por, si mund të ushtrojmë këtë të drejtë kur gazetarët të cilët na informojnë nga dita në ditë, futen në burg për përpjekjet e tyre për të na informuar”?, ka pyetur ai.
Ndërkohë që ka bërë thirrje që kjo çështje të diskutohej urgjentisht nga udhëheqësit botërorë në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara. “Është kjo një çështje shumë me rëndësi e cila nuk mund të injorohet më gjatë, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai.
Ndërkohë që në kuadër të sesjonit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po diskutohej, si më lartë, për lirinë e fjalës dhe për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve kudo në botë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama njoftoi në Tiranë paketën ligjore të quajtur “Antishpifje”, me qëllim të kufizimit të fjalës së lirë. Nuk e di nëse Z. Rama e ka menduar seriozisht këtë paketë ligjore, pasi mund të bie ndesh me ligjet kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe të lirisë së të shprehurit, siç është, ndër të tjera, edhe Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, që citoi Z. Simon. A po është kjo nismë një përpjekje solo e Kryeministrit shqiptar që me këtë paketë ligjore — pa u konsultuar me askënd – ka vendosur të kufizojë kritikat ndaj qeverisë dhe punës së enteve shtetërore. Ashtu siç ka thekësuar edhe Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve, në diskutimin për lirinë e shtypit në botë (në kuadër të punimeve të OKB-ës në Nju Jork), është detyrë e qeverive që këto të drejta, përfshirë lirinë e shtypit, të fjalës së lirë dhe shpërndarjes së lirë të informacionit – të drejta këto të sanksionuara edhe në Kushtetutën e Shqipërisë dhe nga dokumente të shumta kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare – të mos kufizohen me paketa ligjesh, por të mbrohen dhe të kultivohen. Pa marrë parasysh se cili mund të jetë qëllimi përfundimtar i Z. Rama me një propozim të tillë, fatkeqësisht, janë nisma si ajo e Kryeministrit të Shqipërisë për një projekt-ligj, siç e ka quajtur ai, “Antishpifje” — dhe deklarata të udhëheqsve të tjerë si ai anë e mbanë botës, për të vendosur me ligj kufij ndaj shprehjes së lirë — që e bëjnë punën e gazetarëve gjithnjë e më të vështirë dhe më të rrezikshme, kudo në botë, pa përjashtuar edhe Shqipërinë. Thonë se liria e shtypit është e para që e pëson në radhën e humbjes së lirive të tjera. “Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet, pa e humbur fare”.
(Thomas Xheferson, autori kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe Presidenti i tretë i këtij vendi, mbrojtës i flakët i demokracisë dhe i të drejtave të individit).