Nga Genc Pollo, deputet/
Për të përshkruar si e shpjegoi qeveria firmën e saj në dokumentet antimerikane të samitit të Organizatës së Bashkepunimit Islamik (OBI) në Stamboll si dhe votën e saj në Asamblenë e Pëgjithshme pro rezolutës, që dënonte vendimin e Presidentit të ShBA për të transferuar ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, të vjen në ndihmë edhe humori i novelistit anglez Jerome K. Jerome, romani i të cilit “Tre vetë në një barkë, pa llogaritur qenin”, shumë popullor në Tiranë në vitet 80′, shpalos groteskun njerëzor me ironi të pamëshirshme dhe shembuj të pakohë. Por kujt nuk i ka rënë rasti të shfletojë këtë libër mund t’i ketë vajtur mendja tek një personazh edhe më i njohur e popullor ndër breza, tek Shvejku i shkrimtarit çek Hashek me batutat e tij alogjike e naïve, teksa dëgjonte Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës tonë të deklaronte më 22 dhjetor se rezoluta në fjalë “nuk ishte votë kundër ShBA”; përkundrazi ishte votë në linjë me “konsensusin ndëkombëtar” si dhe me vendet anëtare të plot organizatave ndër të cilat edhe “NATO”! Po ky ministër, më 14 dhjetor në Kuvend e quajti “mungesë gjigandomanie” sulmin ballor kundër Amerikës, që i dërguari i qeverisë kishte nënshkruar të djeshmen në Stamboll, në fund të samitit urgjent të OBI. Lipset mbase t’i kërkohet ndjesë për krahasimin jo shumë të merituar personazhit Shvejk, të cilin shumëkush e kujton si shejtan-budalla simpatik. Në fund të fundit, të qenit ministër i Republikës është diçka shumë serioze edhe pse publikut, nën dritën e gjërave që ka parë së fundmi, mund ti ketë dalë nga mendja ky fakt. Edhe më serioze është se si vepron qeveria në të tilla raste në raport me ShBA-në e me shtete të tjera. Këtë do të orvatem të shtjelloj, duke u nisur fillimisht jo nga nga paradigma e debatit të deritashëm, “a i bëmë apo jo pabesi aleatit të madh përtej oqeanit“, por nga merita e çështjes në vetvete. Dhe si do të lipsej të formulohej qëndrimi i Shqipërisë edhe sikur, ruajna Zot, të mos ishte në lojë luajaliteti historik i yni ndaj Amerikës.
Izraeli, Palestina e Jeruzalemi
Shteti i Izraelit u themelua pas nje vendimi të OKB në vitin 1947 që parashikonte dy shtete: Izrael e Palestinë duke synuar, nën efektin e Holokaustit, korrigjimin e një padrejtësie mijëvjeçare e zgjidhjen e një problemi aktual. Por në Tokën e Premtuar e të caktuar, hebrenjtë hasën armiqësinë e fqinjëve arabë. Pas konfliktesh me armë, Izraeli, ushtarakisht i suksesshëm, arriti të kontrollonte Jeruzalemin Perëndimor (1948) dhe dy vite më vonë, pasi vendosi aty selinë e parlamentit e të qeverisë, e shpalli kryeqytet të shtetit. Po ashtu në 1967 zgjeroi kontrollin mbi të gjithë qytetin e më tej deri në lumin Jordan. Por ambasadat e huaja në Izrael të vendosura fillimisht në Tel Aviv mbetën atje në pritje të një zgjidhje të negociuar e akorduar të konfliktit izraelito-palestinez. Por meqë kjo zgjidhje nuk ka ndodhur dhe nuk dihet se kur mund të ndodhë, Presidenti Trump vendosi të bëjë atë që i kërkonte Kongresi prej dy dekadash dhe që qysh atëherë e kishte premtuar çdo President amerikan para tij. Pra që të njihte realitetin faktik dhe të transferonte ambasadën aty ku ajo kishte punën, dmth pranë selisë së qeverisë izraelite. Bëhet fjalë për Jeruzalemin perëndimor që sido që të jetë zgjidhja e ardhshme e akorduar mes palëve, me të gjitha gjasat do të mbetet pjesë e shtetit të Izraelit, gjë që sot pranohet nga palesinezët si „kufijtë para 1967“. Ky veprim është qartazi një gjest miqësie dhe demonstrim përkrahjeje për një shtet aleat të ShBA-së dhe që ka ekzistuar nën kërcënimin e fqinjëve Disa syresh deri vonë (disa ende sot) kishin në kushtetutat e tyre një nen për shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe hedhjen e hebrenjve në det. Indirekt bazohet edhe në argumentin historiko-fetar, për aq sa vlen ky, se pretendimi i hebrenjeve mbi Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit është gati tremijëvjecar nga koha e mbretërve izraelitë David e Solomon, të cilët e përzgjodhën kryeqytet të Izraelit të unifikuar dhe ndërtuan aty të parin tempull judaik. Ndërsa ringjallja e Krishtit tre ditë pas kryqëzimit, që përbën thelbin e doktrinës së krishterë, ka ndodhur aty në të sotshmen Kisha e Varrit të Shenjtë pas 9 shekujsh. Edhe ngjitja në qiell e shpirtit të Muhametit ka ndodhur 15 shekuj më vonë aty ku është xhamia Al Haram al Sharif, çka e bën Jeruzalemin për muslimanët qytetin e tretë më të shenjtë pas Mekës e Medinës.
Kritikët shohin këtë veprim si një shkëndijë të mundëshme për shpërthimin e dhunës në territoret palestineze, në Izrael dhe ndoshta në Lindjen e Mesme dhe si një rrezik, apo të paktën pengesë, për procesin e paqes dhe gjetjen e zgjidhjes së akorduar pasi palestinezët e kampi pro tyre do të ndjeheshin të provokuar e do të ishin më pak të gatshëm të negocionin
Përkrahësit vënë në dukje se ShBA e ka bërë të qartë se transferimi i ambasadës amerikane në Jeruzalem nuk kushtëzon a paragjykon statusin e ardhshëm të ketij qyteti në një zgjidhje të negociuar dhe as vetë përmbajtjen e zgjidhjes, pra kryesisht territoret ku do të shtrihet shteti palestinez në të ardhmen. Gjithashtu një muaj pas shpalljes së vendimit, megjithë reagimet pro-palestineze e kritikat nga një tufë vendesh e aktorësh, nuk është regjistruar as dhunë e as trazirë e madhe përjashto akte sporadike në territoret palestineze; i vetmi hap mbrapa në procesin e paqes është pezullimi i kontakteve me ShBA nga ana e Autoritetit Palestinez, por edhe kjo konsiderohet e përkohshme.
Në fakt ShBA gjithmonë e ka mbrojtur Izraelin e përballur me kërcënime ekzistenciale nga fqinjët dhe ka bërë gjënë e duhur! Por Amerika ka qenë edhe ndërmjetës i ndershëm midis dy palëve si përshembull gjatë negociatave finale 17 vjet më parë nën kujdesin e Presdentit Clinton në Camp David, ku paqja e shumëpritur nuk u arrit në rradhë të parë për faj të intranzigjencës së liderve palestinezë. Kjo qasje e skajshme nuk buron nga populli palestinez, i cili meriton patjetër një arranzhim të qëndrueshëm e territore të mjaftueshme. Ajo është injektuar nga shtetet arabe, më së shumti nga regjimet baathiste e filosovjetike nga Algjeri në Bagdad, të cilët çështjen palestineze e përdornin si gur shahu për interesat e veta. Fakti është që sot udhëheqësit palestinezë e mbështetësit e tyre kërkojnë me ngulm pranimin e kufijve të para 1967, të cilat vetë i refuzuan dhunshëm që nga viti 1947. Sa për pretendimin e njëanshmërisë amerikane le të kujtojmë edhe se bisedimet e paqes prej gati dy dekadash ndërmjetësohen nga Kuarteti i Lindjes së Mesme ku veç ShBA bëjnë pjesë OKB, Bashkimi Europian por edhe Rusia me preferencat, në mos njëanshmëritë e saj.
Shqipëria, Izraeli, Palestina
Dhe tashti po orvatem të përkufizoj premisën mbi të cilën mund të formulohet qëndrimi i Republikës së Shqipërisë. Së pari po bëj një digresion historik të shkurtër duke sjellë në kujtesë që Shqipëria komuniste ishte përkrahëse absolute dhe e pakushtëzuar e luftës “me të gjitha mënyrat” të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Regjimi i Enver Hoxhës, përveçse trajnonte ushtarakisht militantët e OÇP-së famëkeqe për terrorizëm në v. 70-80, votonte rregullisht pro rezolutave anti Izrael në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këto rezoluta miratoheshin në sajë të shumicës së numrave që arrinin në Asamble, shtetet e Traktatit të Varshavës, ish kolonitë me regjime filosovjetike e marksiste në Afrikë, Azi e gjetiu e sidomos vendet e Lëvizjes të të Paangazhuarve duke i lënë në minorancë anëtarët e NATO-s e aleatët e tyre. Edhe këtyre rezolutave u referohet ministri ynë kur deklaron seriozisht se ai është “në linjë me “konsensusin ndërkombëtar historik”, me shtetet e NATO-s (!?) dhe se kurrsesi nuk doli “kundër SHBA-së”!
Në periudhën çerekshekullore të demokracisë tonë ndodhi që në fillim një ballancim i pozicionit duke vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin e duke shkëmbyer vizita të nivelit të lartë. Do të veçoja shkembimet e viteve të para, si pjesëmarrjen e Shimon Perez, asokohe ministër i punëve të jashtme i Izraelit në ceremoninë zyrtare të 28 nëntorit në Tiranë si dhe vizitën tek ne të liderit palestinez Jaser Arafat. Në OKB, vota e Tiranës në tërësi ka qenë pro rezolutave që kërkojnë avancimin e procesit të paqes dhe zgjidhje të drejtë për çështjen e Palestinës. Por kur iniciativat atje kishin gjuhë ekstreme apo përmbajtje përjashtuese dhe hapnin konflikt me Washingtonin vota jonë në kthehej në abstenim siç ishte dhe rasti i shpeshcituar i vitit 2012.
Premisa e pozicionimit të Shqipërisë mund të shqyrtohet përmes prizmit të katër parimeve:
1- Parimi humanitar; shumëkush, edhe javët e fundit, ka përmendur vuajtjet e popullit palestinez në kampet e refugjatëve në rajon si arsye e justifikim për një qëndrim të qartë pro palestinez të Tiranës madje edhe të pozicionimit akut gjatë dhjetorit në Stamboll e New York. Është njerëzore të ndjesh empati për vuajtjet njerëzore dhe e drejtë ta demostrosh atë; por është më e dobishme të kontribuosh, qoftë edhe modestisht, për ti lehtësuar vuajtjet. Një zgjidhje kompromisi larg intranzigjencës “ose të gjitha, ose asgjë” do të kishte shërbyer më mirë për njerëzit në Cisjordani, Gaza apo kampe. Është shumë e diskutueshme, ta themi butë, që rezoluta e OKB-së dhe akoma më pak komunikata e OBI-së do të sjellë një përmirësim qoftë edhe minimal. Për më tepër problemi palestinez duhet vënë në perspektivë: shekulli i 20 fatëkeqësisht ka parë me bollëk zhvendosje popullsie e valë refugjatësh si pasojë e luftrave ndërshtetërore e civile, dhunës qeveritare apo të faktorëve të tjerë. Armenët gjatë Luftës së Parë Botërore, çamët e pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore, gjermanët e Sudeteve, Silezisë e Prusisë Lindore pas kapitullimit nazist, boshnjakët në vitet 90 madje deri në ditët tona sirianët që lanë pas tmerret e dhunës pa kufi e rohingat e përzënë nga ushtria birmaneze, janë shembuj nga një listë e gjatë dhe tragjike. Por zor se gjen ndër ta ndonjë rast tjetër që të ketë marrë më shumë vëmendje nga opinioni botëror, më shumë përpjekje për zgjidhje nga aktorët ndërkombëtarë e më shumë ndihma humanitare se sa palestinezët që nga viti 1948!
2- Parimi Kopenhagen: demokracitë pëlqejnë e përkrahin njera tjetrën! Ato bazohen në të njëtat vlera të cilat edhe i promovojnë në botë. Prandaj edhe mbështetja reciproke e bashkëpunimi i ngushtë janë të vetëkuptueshëm. Kështu të paktën besojnë në Europë. Si dhe që regjimet shtypëse nuk i duan demokracitë pasi i shohin si rrezik: ekspozimi ndaj tyre shkakton procese politike me pasojë humbjen e pushtetit. Tiparet e demokracisë si votën e lirë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut e ekonominë e tregut (BE i quan Kriteret e Kopenhagenit), në Lindjen e Mesme i përmbush vetëm Izraeli. Ndoshta i afrohet deri diku Libani. Ndërkohë që shtetet arabe janë autokratike e teokratike, ku liderët ndërrohen kur vdesin ose kur rrëzohen me dhunë. Kurse në Izrael vetëm pasi voton populli merret vesh tamam se kush është lideri. Pakica arabe 20 përqindëshe në Izrael mund të dëshëroje ose jo të jetojë në një shtet palestinez. Por të drejtat politike e civile të saj në Izrael përmbushen shumë më mirë se në çdo shtet arab. E kështu me rradhë. Prandaj nëse besojmë tek demokracia është rasti për të konsideruar qëndrimet tona me vendet e Lindjes së Mesme bazuar në parimin Kopenhagen.
3- Parimi i interesit shtetëror si me i vjetri e klasiku është mbase edhe më i thjeshti për të shyrtuar në rastin tonë. Republika e Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik, është 1800 km larg në vijë ajrore nga Jeruzalemi prandaj nuk mund të ketë, dhe faktikisht nuk ka, interesa thelbësore aty. Shkëmbimet ekonomiko-tregtare me biznesin palestinez janë minimale nëse jo zero; me Izraelin diçka më shumë por përsëri jo domethënëse. Mund të shtojmë këtu një komunitet të vogël por plot gjallëri të hebrejve shqiptarë që emigruan në Izrael në vitin 1991, nderimin në Yad Vachem të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë L2B (një nga gjërat tona për të cilat mund të krenohemi) e kështu me rradhë por prapë kandari nuk lëviz e parimi në shqyrtim do të rekomandonte ekuidistancë. Por nëse shohim si janë punët me Kosovën atëherë kandari lëviz përpjetë. Tirana e ka konsideruar njohjen ndërkombëtare të Kosovës si detyrim kombëtar e si kontribut për stabilitetin rajonal dhe ka bërë sa ka mundur në këtë drejtim. Pa sukses me Izrealin e Palestinën pasi asnjë syresh nuk e ka njohur. Por ka një dallim: mosnjohja nga Izraeli është e natyrës inerciale, pa ndonjë motiv të qartë dhe prandaj mund të ndryshojë. Por nga ofiqarët palestinezët kur janë në Beograd, prej Ambasadorit deri tek Presidenti, dëgjojmë vetëm betime patetike se kurrë nuk do e njohin Kosovën si shtet dhe se Serbinë e njohin në kufijtë e paraluftës. Peshqesh nga nostalgjia për Titon e të Paangazhuarit. Në këtë perspektivë parimi i interesit shtetëror flet vetë.
4- Parimi fetar është përmendur këto javë nga persona afër qeverisë njëlloj si ai humanitar: si arsye për një qëndrim të qartë pro palestinez të Shqipërisë, pasi kemi popullsi myslimane në shumicë, dhe si justifikim për Stambollin e New York-un. Është hera e parë që shprehet si motiv! Unë nuk e kam dëgjuar as në luftën e NATO-s në Afganistan (2001), as në luftën e ShBA në Irak (2003), as në luftën kundër Al Qaedas (2001-2015) dhe as në atë kundër Kalifatit Islamik DAESh ose ISIS (2015-2017) ku Shqipëria u rreshtua me unanimitet politik, e sipas ratit me kontribute konkrete, përkrah Fuqive Perëndimore. Do të ishte me interes të hulumtonim pse ndodh kështu. Është hera e parë që tentohet të konfesionalizohet politika e jashtme e një shteti laik me popullsi multifetare. Do të ishte shumë mirë po të ishte edhe hera e fundit. Pasi nuk sjell asgjë të hajrit vetëm se do të nxisë radikalizimin fetar, instrumentalizimin politik të tij e do të trondisë orientimin euroatlantik çerekshekullor të republikës tonë. Pastaj askush nuk mori mundimin t’i pyesë qytetarët tanë, ata që janë besimtarë myslimanë por edhe të tjerët, se çfarë mendojnë apo ndjejnë për këtë çështje; nëse vërtet mendojnë a ndjejnë diçka të qartë e të ndryshme nga politikanët e zgjedhur prej tyre.
Le të kthehemi një çast tek Kosova, me popullsi myslimane në përqindje më të larta se Shqipëria. Nëse parimi fetar është i vlefshëm, atëhere ai duhet të jetë edhe reciprok. Por si shpjegohet që nga 57 vendet anëtare të OBI-t, ata që kanë njohur Kosovën janë gati gjysma? Edhe këta në përgjithësi pas disa vitesh e pas shumë përçapjesh diplomatike? A është kjo nga dashuria nostalgjike për Jugosllavinë e Titos e Beogradin e sotëm? A e bëjnë këtë për inat të Amerikës dhe të Europës? Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta lëmë për më vonë ashtu si dhe një debat të shtruar mbi dobinë kombëtare të antarësisë në OBI. Por një gjykim i qetë mbi qëndrimin zyrtar tonin në raportet Izrael-Palestinë e çështjet e nxehta të Lindjes së Mesme nuk do të çonte në llogore pro palestineze. Normalisht kandari i diplomacisë do të anonte disi nga Izraeli apo me pak sforco do të rrinte në barazpeshë.
Po me Amerikën ç’patën?
Komunikata Finale pesëfaqëshe e samitit të OBI-së që siç thotë preambula e saj “u mblodh në Stamboll, Republika e Turqisë, në 25 Rabi’ Awwal 1439 AH (sipas hixhres, kalendarit islamik; shën. i autorit) – 13 dhjetor 2017 (sipas kalendarit a la frënga; shën. i autorit) përmban këto pasazhe:
Pika 1: Samiti OBI refuzon e dënon në mënyrën më të ashpër vendimin unilateral të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të njohur Al Kuds-in (emri arab i Jeruzalemit; shën. i autorit), si të ashtuquajturin kryeqytet të Izraelit, të fuqisë pushtuese….
Pika 9: Samiti OBI ….dhe dënon, përsa i përket kësaj çështjeje, njëanshmërinë e plotë e të pajustifikuar të Kongresit të ShBA-ve në favor të politikave imperialiste e raciste të Izraelit, fuqisë pushtuese.
Rezoluta e këtij Samiti, pika 6: Konsideron Administratën e Shteteve të Bashkuara plotësisht përgjegjëse për të gjitha pasojat e mosanullimit të kësaj deklarate ilegale dhe e sheh atë si një deklarim të tërheqjes së Administratës së Shteteve të Bashkuara nga roli që ka luajtur në dekadat e fundit si një sponsor i paqes.
Ndërsa në pikën 3 bëhet thirrje për të bojkotuar anëtarët e Kongresit të ShBA, të cilët mbështesin Izraelin, dmth shumicën e stërmadhe të legjislatoreve amerikanë
Nëqoftëse këto deklarata nuk janë antiamerikane, siç na siguroi ministri përgjegjës atëherë çfarë mendon ai se janë të tilla? Vetëm thirrjet për të vrarë amerikanë kudo që të jenë e me çdo mjet që nga thika e deri tek kamioni?!
Kurrë ndonjëherë Bashkimi Europian shtetet anëtare të tij nuk do të nënshkruanin komunikata si kjo! Le të gënjejë ministri me “linjëzimet” e tij, por një shtet që aspiron anëtarësinë në BE dhe që miraton këto tekste, vetëm e dëmton aspiratën e tij. Edhe për rezolutën në OKB nuk kishte vendim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që do të ishte detyrues për ne si shtet kandidat. E tregoi numri jo i vogël i vendeve abstenuese, ndoshta me kujtesë të freskët të kontributit amerikan në lirinë e tyre e të ndërgjegjshëm për rolin aktual të ShBA-së në sigurinë e tyre. Rezoluta në OKB nuk ishte nismë e amerikanëve arrogantë për t’ju imponuar gjithë botës që të ndiqnin shembullin e tyre e të çonin ambasadat në Jeruzalem sikurse e paraqesin propagandistët sofistë. Kjo rezolutë e iniciuar nga Turqia e Jemeni (mirë Turqia, po Jemeni copë-copë, në luftë civile e pa qeveri ç’neh?!) megjithëse jo me tonet e Stambollit përsëri është si një lloj fletë-rrufeje e kohës së Enverit që pasohet me një mbledhje ku i kritikuari bëhet qepaze para kolektivit e në fund duhet të bëjë autokritikë të thelluar! Pse kështu Amerikës? Sepse ambasadën e vet diku e lëvizi nga qyteti A në qytetin B. Këtë lloj poshtërimi publik jo Amerika por as vetë Jemeni nuk kishte pse ta toleronte. Ambasadorja e ShBA-së në OKB Nikki Haley, siç deklaroi vetë, i ka dërguar dy herë email çdo misioni shtetëror në New York duke i paralajmëruar se rezoluta ishte e papranushme për qeverinë e saj. Ky shënim I fundit edhe në vemendje të apologjetëve të qeverisë tonë që pëshpërisin se Washingtoni nuk i kishte kërkuar Tiranës të mos votojë pro teksti turko-jemenit. Dhe Nikki Haley është në të drejtën e saj pasi ShBA nuk ka ndonjë detyrim hyjnor të financojë shtetet që në mëngjes e shohin nga duart dhe mbasdite ja pështyjnë ato duar.
Rrugës për tek bananet
Një lavdërim që i bëhet me të drejtë Shqipërisë demokratike është se, që nga mesi i viteve 90 kur PS e kapërceu sindromin e bartur antiperëndimor, ka patur konsensus ndërpartiak të qëndrueshëm për politikën e jashtme e të sigurisë të bazuar në vektorin euroatlantik. Kritikat në Kuvend e më gjerë mbi këto tema më së shumti kanë qenë për paaftësinë qeveritare për të arritur synimet e shpallura e jo për vetë synimet. Në këtë kontekst, konsultimet parlamentare kanë peshë politike relative. Por në rastin e mësipërm kur shfaqet një deviacion serioz çdo qeveri e mençur do të tentonte një dialog me palët e tjera edhe po të mos kishte shpresë për ujdi. Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtëme, të majtë e të djathtë, gjatë dhjetorit e ftuan ministrin të shpjegohej e të konsultohej. Jo për të marrë leje siç thonë zëdhënësit e tij, por për të informuar ligjvënësit e për të dëgjuar mejtimet e tyre për temën. E njëjta vlen për Presidentin e Republikës, i cili u la qëllimisht në errësirë edhe pasi kërkoi informacion. E këtu trashet zullumi: nga praktika e keqe shkohet tek shkelja ligjore. Jam i sigurt që konsultimi me palët edhe në rast se nuk do të ndryshonte pozicionet, (abstenimi në New York e distancimi në Stamboll do të kishte qenë rrugëdalje), të paktën mund të moderonte reagimet që pasuan. Dhe që i treguan gjithkujt që kemi qeveri bananesh e cila edhe marrëdhëniet ndërshtetërore i vë në dispozicion të autokratëve të huaj e në shërbim të interesave të veta personale e partiake.