• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAOLA RRAPAJ, NJË TALENT SHQIPTAR NË KONSERVATORIN E PRAGËS

November 20, 2021 by s p

Paola Rrapaj, pedagoge e pianos në Pragë, rrëfen për editorin e Diellit të Vatrës Sokol Paja, rrugëtimin e saj artistik, shkollimin në Universitetin e Karlit dhe Konservatorin e Pragës, pjesëmarrjet e saj në koncerte në shtet më kryesore në botë dhe përgatitjet për audicione doktorature në University of North Texas dhe Southern Methodist University në Dallas.

PAOLA RRAPAJ, NJË SHQIPTARE PEDAGOGE E PIANOS NË PRAGË

Fillimisht ju falenderoj për mundësinë për të qenë pjesë e shkrimeve tuaja, veçanërisht kur redaksia e kësaj gazete ndër vite mban emrat e vizionarëve shqiptarë si F. Noli e F. Konica apo A. Frashëri. Aktiviteti im si mësuese e më pas pedagoge e pianos ka nisur rreth 9 vjet më parë. Mësimdhënia është një ndër pasionet e mia prandaj kur ka nisur në fillim ka qenë në mënyrë vullnetare, më pas privatisht atje ku jetoja, vend të cilin e ktheva në studio personale në një farë mënyre, e më vonë mu ofrua puna në një shkollë muzike çeke ku jepja veç bazat e pianos, sëbashku me teori e këndim. Ndjesë nëse po mburrem pakëz tani, për të arritur në shkollat e muzikës shtetërore, lice apo konservator nuk mu desh asnjëherë të kërkoja punë e të aplikoja por puna vinte tek unë dhe kisha mundësi zgjedhje, kjo pasi rrethi i muzikantëve ështe i vogël e për mua, shqiptaren, se ç’thuhej se isha e përgjegjeshme dhe e mire në punën me studentët. Shkollimi im nga Universiteti i Karlit ishte “double master” dhe përveç mësimdhënies në lice artistik , praktikat për mësimdhenie teorike në histori muzike, analizë forme e harmoni nuk kanë munguar. Mendoj se të qenurit mësues, pedagog, edukator nuk është një profesion por një mision. Kemi në dorë formimin e brezave të ardhshëm për ti frymëzuar, ndikuar apo ndryshuar sado pak. Mësimdhënia është dashuri e madhe siç është edhe përgjegjësi e madhe.

PASIONI PËR KËNGËN DHE MUZIKËN KLASIKE

Dëshira për të kënduar ka nisur në fëmijërinë e hershme. Kam në memorie kujtime të çmuara që lidhen me këtë rrugëtim që nga festivalet e fëmijeve në Vlorë ku babai e vëllai im, Maks e Mario Rapaj, kryesisht kompozonin këngët e mia, më pas më kujtohen festivalet e këngëve popullore, apo “Sofra Vlonjate” ku ishte vërtet privilegj ti bashkohesha muzikantëve e këngëtarëve të afirmuar të qytetit në atë moshë. Nuk mund të shmang figurat drejtuese të festivaleve në Vlorë si Vahit Kuçaj, drejtuesi artistik apo prof. Guri Gjeçi që me shumë dashuri e karizëm prezantonte hyrjet e mia në skenë. Më pas kam pas qenë soliste në korin e ashtu quajtur “Zërat e paqes” në kishën katolike të Vlores, aty ku edhe jam pagëzuar e është një ndër vendet shumë të dashura të qytetit tim. Kjo nën drejtimin e këngëtares shumë të dashur jo vetëm për mua por për gjithë shqiptarët, Rovena Ibrahimit. Nga ana tjetër muzika klasike ka qenë dashuri e sfidë më vete. Pasioni për muzikën klasike ka ardhur me kohën. Vështirë një 6-vjeçar të kuptojë mjeshtërinë e Bachut apo Mozartit. Shumë kanë besuar e influencuar tek une këshillat e Prof. Krenar Zanko, prof. Vasil Çuni e prof. Alqi Lepuri (artist i merituar). Pra u deshën vite studimi e leximi e këshillash të vyera e patjetër edhe rrugëtimi im në Pragë që ti jepte botëkuptim e sy më të mprehtë perceptimit tim për muziken klasike. U jam mirënjohëse kujtdo mësuesi , kolegu apo miku që me lojën e tyre, me njohuritë e tyre kanë ndikuar në formimin tim artistik.

STUDIMET NË UNIVERSITETIN E KARLIT DHE KONSERVATORIN E PRAGËS

Edhe pse jetojmë në shekullin e filtrave më lejoni të flas pa filtra. Studimet në Universitetin e Karlit dhe Konservatorin e Pragës kanë qenë të gjata e të mundimshme. Në moshen 18 vjecare, ashtu ëndërrimtare dhe moskokëçarëse vendosa të studioj në Pragë e të mësoj gjuhën çeke e të hyj në audicione në këto shkolla prestigjioze që kanë shënjuar muzikën klasike botërisht. Po studioja aty ku Dvořák e Smetana kanë lindur, aty ku Mozart ka patur premieren e operës “Don Giovanni”,aty ku kanë performuar Liszt, Chopin e Tchaikowsky, aty ku kanë lindur Franz Kafka, Gustav Mahler apo Milan Kundera. Ndryshimet kulturore nuk ishin të pakta por sipas çekëve, çekishtja ime ishte shumë e mirë dhe kjo më bëri të isha më lehtë pjesë e tyre, të kuptoja më mirë kulturën , ndjeshmërinë në poezi por edhe shakatë. Ndoshta duket sikur e egzagjeroj por 10 vjeçari im në Pragë, studimet, eksperiencat e sakrificat që mu deshën të kaloj aty janë aq të shumta sa do të më duhej të shkruaja libër për to. Autori amerikan Alan Levy kur ka jetuar në Pragë ka pas thënë : Mrekullia e jetës sime është, të ngrihem çdo mëngjes në shekullin e 21 në Pragë. Përtej atyre çka përmenda, kështu ndihem edhe unë kur flasim për Pragën.

RRUGËTIMI ARTISTIK DHE PERFORMANCA TË SHKËLQYERA NË ÇEKI, ITALI, SUEDI , SLLOVAKI, AUSTRI , ZVICËR, GJERMANI DHE AMERIKË

U bë 22 vjet që merrem me piano. Konkurset kanë qenë pjesë e rëndëshme e motivimit tim si fëmijë por me kohën kjo u zbeh. Kam marrë çmime të para por edhe inkurajuese kjo nuk është domosdoshmërisht një matës nëse je apo jo i mirë. Muzika është relative dhe gjithmonë do të jetë dikush që do ta sjellë një interpretim ndryshe nga ti. Të jesh autentik në loje, dhe jo perfeksionist për mua ështe më e rëndësishme. Të arrish të gjesh prekjen dhe tingullin tënd është suksesi më i madh. Gjithsesi nga ana pedagogjike dhe roli i mësuesit, konkurset motivojnë dhe zhvillojnë rrugëtimin artistik, ku perballim aftësitë tona dhe frymëzohemi për zhvillim të mëtejshëm.
Kam patur fatin e mirë të luaj në Çeki, Itali, Suedi, Sllovaki, Austri, Zvicër, Gjermani e Amerikë. Deri më tani, eksperienca e Verbier Festival në Zvicër ka qenë ndër më shënjueset për mua nga ana emocionale por absolutisht edhe ajo profesionale. Të isha duke mësuar e përjetuar atë eksperiencë në orkestrën e festivalit nën drejtimin e muzikantëve më të mirë botëror si Valery Gergiev, Gianandrea Noseda, Esa-Pekka Salonen, apo Daniel Barenboim ishte ëndërr më vete.

PËRGATITJE PËR AUDICIONE DOKTORATURE NË UNIVERSITY OF NORTH TEXAS DHE SOUTHERN METHODIST UNIVERSITY NË DALLAS

Momentalisht jam në Amerikë, periudha e covid për muzikantët nuk ka qene e lehtë dhe ky vendim erdhi si dëshirë e të paturit familjen time afër. Momentalisht po përgatitem për audicione doktorature në University of North Texas dhe Southern Methodist University këtu në Dallas, që do të jenë vazhdimësi e studimeve pianistike me degë minore “music business” ose “music production”. Jam ende në proces kështu që planet do të stabilizohen pas disa javëve të tjera.
Pas publikimit në YouTube të këngëve të mia “Mon Amour” dhe “Ti” po shkruaj këngë e po punoj për një duet që dua ta finalizoj nga pranvera, kur të kthehem shkurtimisht në Shqipëri.

ARTI DHE MUZIKA SI AMBASADORË TË KOMBIT SHQIPTAR

Shqipëria jonë, ai vend i bukur e i dielltë mbart shumë muzikalitet, ka nxjerrë shumë talente ndër vite që sot gjenden në skenat botërore e na bejnë krenar, kjo nga muzika pop e deri tek ajo klasike. Më besoni sa krenari kam ndjerë kur si studente e konservatorit shtetëror të Pragës, përpara një provimi oral, pasi morrën vesh nga vija, është përmendur emri i të ndjerit Mustafa Krantja, themeluesit të shkollës se dirizhimit në Shqipëri, dhe ish student i konservatorit të Pragës në vitet e komunizmit shqiptar, e bashkë me të në Pragë kanë studiuar e lënë gjurmët e tyre muzikantë e artistë të tjerë shqiptarë si Simon Gjoni, Ferdinand Deda, Kristaq Antoniu, Kadri Roshi, Pirro Milkani, por edhe Marie Kraja e cila edhe pse studionte në Graz të Austrisë, performonte shpesh në Pragë.

NJË MESAZH I FORTË PËR ARTISTËT E RINJ

Mesazhi im për artistët e rinj është të mos heqin dorë edhe kur ndihen të pafuqishëm për ta vazhduar këtë rrugëtim. Të bërit art e muzikë nuk kërkon vetëm inteligjencë, koordinim, vullnet e shumë aftësi që jo domosdoshmërisht lidhen me njëra tjetrën por kërkon gjithë energjinë e brendshme, pra ndonjëherë nuk është vetëm lodhje mendore por edhe emocionale. Kjo rrugë është e gjatë dhe ka uljet e ngritjet e saja por kurrë nuk duhet të dorëzoheni kur gjërat vështirësohen. Artistët e rinj apo edhe femijet e vegjel që i kanë hyrë botës së artit duhet ta dinë që kjo rrugë s’është aspak e lehtë, dhe jo, me kalimin e kohës nuk vjen duke u lehtesuar dhe ky fakt duhet pranuar ama shpërblimi shpirtëror, që të jep çdo lloj arti që bëni ,dëgjoni apo krijoni vet s’ta jep asgjë tjetër. Arti ynë , instrumenti, piktura a poezia, na lejon të shprehim veten e ndjesitë tona në mënyrën më të sinqertë. Arti është një ndër bekimet më të mëdha që na është dhënë ne, humanëve.

NJË MESAZH PATRIOTIK PËR SHQIPTARËT NË DIASPORË

Në çdo cep të botës, nga Europa, nga ndonjë qytezë çeke, nga rrugicat e Venecias e deri në mes të Manhattan, ashtu pa plan ndodh që takon shqiptar kudo e dëshira e shqiptarëve për të punuar e për tu përmirësuar është e pamasë. Vërtet besoj se shqiptarët janë popull me inteligjencë dhe mprehtësi e kur këtë energji dinë ta venë në punë bejnë mrekullira. Nuk kam domosdoshmërisht mesazh por vlerësim e respekt për të gjitha sakrificat qe shqiparët e diaspores kanë kaluar. Ndoshta kjo e vërtetë dhemb por mendoj se s’jam e vetmja. Të jetuarit jashtë, na bën pak të huaj në vendin tonë, sa herë kthehemi çdo gjë ndryshon, shokët e fëmijërisë janë larguar gjithashtu , e me kohën humbim gjyshërit e pjesën tjetër të familjes që kemi lënë pas . Ndonjëherë ndihemi më të huaj në vendin tonë se sa aty ku jetojmë prandaj ndoshta mesazhi im modest do të ishte të mos e harrojmë rrugëtimin tonë, sakrificat, atë nga kemi ardhur dhe sot, mundësinë të barazohemi e punojmë krah njerëzve që vijnë nga vende shumë më të zhvilluara sesa Shqipëria. Mikpritja dhe bujaria e shqiptarëve më bëjnë të mendoj se shqiptarët në vend të zemrës kanë diell e ky diell s’duhet të shuhet kurrë. A mos ndoshta kjo është edhe një ndër arsyet e emrit të gazetës suaj?

Filed Under: Featured Tagged With: Paola Rrapaj, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT