Nga PAOLO VALENTINO– Perktheu:Eugjen Merlika/
“Zoti sekretar, po nëse Shtetet e Bashkuara do të sulmoheshin nga një fuqi jashtëtokësore, ju do të vinit në ndihmën tonë”, pyeti Ronald Regani një Mihail Gorbaçov të habitur. Drejtuesi sovjetik u përgjigj me një frymë: “Pa dyshim, zoti president”. “Edhe ne do të ju kishim ndihmuar” i a ktheu kreu I Shtëpisë së Bardhë. Ndodhte më 19 nëndor 1985, në shëtitoren buzë liqenit të parkut La Grange në Gjenevë. “Në vënd që të hynin në vilën ku ishte parashikuar takimi formal, kryetarët e dy Mbifuqive kishin befasuar protokollin, duke vendosur të bënin një shëtitje në breg të Lemanit për të shkëmbyer katër lloqe. Filloi kështu, me një premtim të ndërsjelltë aleance kundër jashtëtokësorve, takimi I nivelit të lartë SHBA – BRSS, i pari ndërmjet Reganit dhe Gorbaçovit, hyrja në një stinë të jashtzakonëshme që në rrjedhën e një pesëvjeçari do të kishte çuar në fundin e Luftës së Ftohtë dhe në shëmbjen e Bashkimit Sovjetik.
Tridhjetëegjashtë vite më mbrapa genius loci i qytetit zviceran bëhet sfondi për Joe Biden-in e Vladimir Putin-in që, të mërkurën e ardhëshme do të kërkojnë të rimarrin perin e bisedimit, në kulmin e një faze të rëndë tensioni në marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Moskës. Edhe në takimin e lartë të vitit 1985, Regani dhe Gorbaçovi arritën mbi valën e gjashtë viteve të jetuara rrezikshmërisht. I zgjedhur më 1980, presidenti amerikan kishte filluar programin më të madh të armatimit të Mbasluftës, në përgjigje të vijës gjithënjë e më agresive të Kremlinit, që kishte arritur majën me mësymjen e Afganistanit në 1979. Lajmërimi amerikan i një shqyti yjor mbrojtës, projekti i “Luftërave Yjore”, e kishte vënë në një qoshe xherontokracinë sovjetike, që kishte parë tre sekretarë të përgjithshëm – Brezhnjevin, Andropovin dhe Çernjenkon – të vdisnin brënda tre vitesh.
Zgjedhja e Gorbaçovit në prill kishte hapur një fazë të re. Rruga që çoi në takimin në Leman ishte e mbjellur me pengesa. Regani ishte nën trysninë e skifterëve të qeverisë së tij për të mos pranuar asnjë propozim sovjetik. Gorbaçovi haste ende qëndresa të fuqishme në brëndësi të Byrosë politike. Por Regani, edhe në sajë të Margaret Thatcher-it që e kishte takuar, dinte se Gorby ishte një drejtues i ndryshëm. Dhe ai vetë që e kishte vulosur BRSS si Perandoria e së Keqes, ishte bindur se holokausti bërthamor ishte “një rrezik i vërtetë e i shpejtë”. Jashtëtokësorët shërbyen për të thyer akullin. Gjeneva qe vetëm fillimi. M’e mira do të vinte mbrapa.
“Corriere della Sera”, 16 qershor 2021 Përktheu Eugjen Merlika