Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Po bëhen gati tre muaj që prej 25 gushtit 2015 që kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kanë nënshkruar në Bruksel me kryeministrin serb Vuçiç një marrëveshje antikombëtare që ka për qëllim copëtimin e trojeve të Kosovës apo, thënë ndryshe, bosnjëzimin e Kosovës. Kjo marrëveshje shënon aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare që kanë kryer këta mercenarë të shitur kokë e këmbë te Beogardi.
Pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje tradhtarësh, Thaçi me Mustafën, si dy argatë të bindur të Beogradit, gjatë kësaj periudhe që ka kaluar, janë munduar që asaj t’i japin fuqi ligjore, përmes votimit në parlament. Por deri tani nuk kanë mundur t’ia arrijnë qëllimit, për shkak të kundërshtimit të vendosur të opozitës.
Nga mjetet e informimit masiv, deri tani kisha mësuar në vija të përgjithshme se, sipas asaj marrëveshjeje, duhet të krijohet shoqata e komunave serbe (i shtuquajturi asociacion), me atribute autonomiste, me qëllim që hartës së Kosovës t’i japin pamjen e lëkurës së leopardit. Me fjalë të tjera, sipas asaj marrëveshjeje, serbët e Kosovës do të vetëqeverisen dhe varësinë do ta kenë drejtpërsëdrejti nga Beogradi, çka do të thotë se nuk e njohin autoritetin e Prishtinës.
Pra, pas gjithë atyre krimeve të rënda, pas gjithë atij gjenocidi të egër që shovinizmi serbomadh dhe kisha shoviniste serbe ushtruan ndaj popullit shqiptar të Kosovës, mbas gjithë atyre shkatërrimeve barbare që shovinizmi gjaksor serb kreu në mbarë territorin e Kosovës, ku minoriteti serb ishte mbështetja më e fuqishme e Millosheviçit në synimin e tij për zbrazjen e Kosovës nga banorët e saj shqiptarë, tradhtarët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa hedhin firmat për autonomizimin e minoritetit serb brenda territorit kosovar.
Në vend që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa të kishin menduar me kohë e me vakt për përgatitjen e një Rezolute të posaçme për gjenocidin serb, për vrasjet barbare, si në skenat e mesjetës, për djegiet dhe shkatërrimet, për përdhunimin e 20 mijë grave dhe vajzave, për vrasjet e mijëra qytetarëve dhe zhdukjen e kufomave të tyre, për kompensimin e të gjitha dëmeve të rënda që Beogradi i shkaktoi Kosovës, dhe këtë Rezolutë, të shoqëruar me prova dhe fakte konkrete, t’ia nisnin Këshillit të Sigurimit, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kongresit dhe Senatit Amerikam, si edhe Brukselit, ata, përkundrazi, vendosën t’i dhurojnë Beogardit vetadministrimin e komunave serbe, përmes autonomizimit të tyre.
Në këto kushte, vjen vetvetiu përfundimi se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë agjentë të regjur të Beogradit, të cilët me siguri që kanë hyrë në shërbim të tij këtu e shumë vite të shkuara.
Unë, siç e përmenda më lart, kisha marrë të dhëna se në themel të marrëveshjes ishte autonomia e komunave serbe. Por nuk e kisha informacionin e duhur se si duhet të konkretizohet kjo marrëveshje. Fatmirësisht, përmes faqeve të internetit u njoha me disa fakte konkrete që dëshmojnë për gjëmën qëi kanë përgatitur Kosovës dy kryetradhtarët e saj me damkë, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.
Nga një analizë e zotërisë Idriz Zeqiraj, të botuar në internet pak ditë më parë, mësova të vërtetën tragjike që përmban marrëveshja në fjalë. Në atë analizë, sa të argumentuar dhe profesionalisht të realizuar, zotëria i nderuar Idriz Zeqiraj shkruan:
“Mjaftojnë tri çështje që ngërthejnë marrëveshjen për “Zajednicën”:
1. Ushtria e Kosovës nuk lejohet të depërtojë në Veri.
2. Lejet për kthim dhe ndërtim të shtëpive të shqiptarëve, janë në varësinë ekskluzive të komunës, me shefa serbë;
3. Pikën doganore në Veri e vjel komuna, e cila e njeh për shtet Serbinë dhe jo Kosovën. Rrjedhimisht, një shtet i huaj, pra, Serbia, menaxhon pikën doganore!!! Ndërkohë që kudo në botë doganat janë monopol shtetëror” (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj. “Veprimet provokuese dhe tërbuese të Hashimit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 nëntor 2015).
Vetvetiu lind pyetja:
Po Brukseli, si ndërmjetës, ç’qëndrim po mban ndaj kësaj marrëveshjeje?
Nënkuptohet që, përderisa tradhtarët Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, në prani të përfaqësueses së Bashkimit Evropian Federika Mogherini, kanë pranuar kërkesat e Beogradit që i ka bërë publike zotëria Idriz Zeqiraj që e citova më lart, atëherë Brukseli s’ka pse të ketë ndonjë kundërshtim. Sepse Bashkimi Evropian, fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, mori tërësisht anën e Serbisë dhe atij i intereson vetëm fati i Serbisë, sespe prapa saj vigjëlon Rusia, armikja e betuar e kombit shqiptar. Për këtë përkrahje të Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian dhe braktisjen e Kosovës në mëshirën e fatit, dëshmon ish-shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zanieri, i cili, më shumë se katër vjet të shkuara, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, ka pasë deklaruar:
“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë. (Citohet sipas: Lamberto Zanier. “Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. Marrë nga faqja e internetit. 16 prill 2011).
Faktin që Brukseli është tërësisht në anën e Serbisë dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes së 25 gushtit 2015, informacioni i mëposhtëm e vërteton pa mëdyshjen më të vogël:
“Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që t’i implementojnë detyrat. të cilat i kanë shkruar në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës suspendoi këtë marrëveshje deri në marrjen e një vendimi pas kërkesës së Presidentes së Kosovës, Brukseli thotë se marrëveshja e arritur më 25 gusht ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandër Vuçiq, duhet të implementohet.Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogherini, tha se BE pret zbatimin e marrëveshjes së arritur.
“Ne nuk i komentojmë proceset gjyqësore që janë në rrjedhë, por presim që marrëveshja e 25 gushtit të implementohet.Të dyja palët janë përgjegjëse për pjesën e tyre të punës në implementim”” (Citohet sipas:“Çfarë thotë BE për suspendimin e Asociacionit?”. Faqja e internetit e gazetës “Bota sot”. 11 nëntor 2015).
Qëndrimi prej tradhtarësh me damkë i Hashim Thaçit dhe i Isa Mustafës, të cilët, për të pasur përkrahjen e Brukselit në ruajtjen e kolltuqeve të tyre të turpshme dhe duke shkelur si pa gjë të keqe mbi gjakun e të rënëve për lirinë e Kosovës, pranuan të ulen në dialog me Serbinë millosheviçiane, pa përgatitur paraprakisht Rezolutën e lartpërmendur, më kujton qëndrimin tradhtar të Enver Hoxhës ndaj shovinizmit grekokaragjoz, me të cilin ai pranoi të lidhte marrëdhënie diplomatike më 06 maj 1971, pa kërkuar paraprakisht prej tij abrogimin e ligjit të luftës. Meqenëse ky ligj është ende në fuqi edhe sot e kësaj dite, për shkak të qëndrimit tradhtar të Enver Hoxhës ndaj Athinës shoviniste, Greqia vazhdon të mos e njohë tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, popullsia shqiptare e Çamërisë nuk është kthyer në trojet e veta dhe minoriteti shqiptar në Greqi nuk gëzon asnjë të drejtë.
Analisti ushtarak shqiptaro-amerikan dhe atdhetari i shquar Aurel Dasareti shkruan:
“Qeveria kriminale antikombëtare e Hashim Thaçit dhe e Isa Mu(t)stafës domosdoshmërisht të ndërpresë dialogun me Serbinë dhe të shpallë të pavlefshme nënshkrimet për “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe“Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”” (Citohet sipas: Aurel Dasareti.“A po digjet Shqipëria?”. Faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 11 nëntor 2015).
Në kushtet e krijuara pas tradhtisë së hapur të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, i cili, me urdhër të Beogradit, hyri në aleancë qeverisëse me kryetradhtarin Hashim Thaçi, opozita kosovare, nëse është e zonja dhe udhëhiqet tërësisht nga mbrojtja e interesave të larta kombëtare, duhet të zgjojë popullin dhe ta ngrejë më këmbë, duke trokitur në derë të çdo qytetari të Kosovës, në krejt territorin e saj, për t’i sqaruar tradhtinë e lartë që kanë kryer krerët e dy partive kryesore, tradhti kjo, e cila ka rrezik që popullin shqiptar të Kosovës ta hedhë në një luftë civile, që do t’i vinte shumë në osh Serbisë. Opozita Kosovare tani ndodhet para Provës së Madhe.
Santa Barbara, Kaliforni
18 nëntor 2015