• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Delawie: Shtetet ta njohin Kosovën, pavarësia është e pakthyeshme

November 1, 2017 by dgreca

1 Delawy

Shkruajne: Bekim Bislimi & Amra Zejneli/ RFL/

Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash as nga Qeveria e Surinamit, përderisa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes”, është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Por, a do të paraqisnin probleme tërheqjet eventuale të njohjes së Kosovës nga vendet e caktuara që tashmë e kanë njohurat ? Në këtë pyetje, me shkrim është përgjigjur për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur formalisht këtë fakt, ta bëjnë një gjë të tillë dhe duke vepruar kështu, të ndikojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një Evrope të tërë, e cila do të jetë e lirë dhe në paqe. Të dyja, si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje mbi atë që njihet si normalizim i marrëdhënieve. Kjo kërkon kompromise në të dy anët”, ka thënë ambasadori Delawie.

Ndërkaq, Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “tërheqja e njohjes” së Republikës së Kosovës nga Republika e Surinamit, e cila nga autoritetet e Beogradit pretendohet të ketë ndodhur, nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit të Surinamit.

“Ne nuk kemi kurrfarë konfirmimi zyrtar nga shteti i Surinamit dhe as nga përfaqësuesit e këtij shteti në Uashington apo Nju Jork, për një veprim të tillë. Kështu që, përderisa nuk ka kurrfarë informacioni zyrtar, për ne ngelet vetëm një tendencë e Serbisë për të përfituar për nevoja të tyre politike. Por, të them të drejtën, këto përpjekje nuk i trajtojmë shumë seriozisht. Ne e shikojmë punën tonë dhe kemi agjendën tonë të fuqizimin e bërjes së shtetit”, ka thënë Zyberaj.

Të martën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq kishte deklaruar për mediat në Beograd se Qeveria e Surinamit e kishte informuar Serbinë se “e ka tërhequr njohjen” e pavarësisë së Kosovës. Ai madje mediave u ka prezantuar një dokument, me të cilin, sipas Daçiqit, Republika e Surinamit e njofton Ministrinë e Jashtme të Serbisë, por edhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, se e “ka tërhequr njohjen për Kosovën”.

Një dokument i tillë eventual, në adresën e institucioneve të Kosovës nuk ka arritur.

Deri më tash, Qeveria e Surinamit, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike, për të sqaruar nëse ka tërhequr ose jo njohjen për Kosovën.

Kërkesën për një sqarim të tillë e ka bërë edhe analisti dhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah.

“Thirrje Qeverisë së Surinamit… a mund ta konfirmoni se keni tërhequr njohjen e Kosovës”, ka shkruar Judah, të martën, në rrjetin social Twitter.

Tim Judah

✔@timjudah1

Calling Government of Suriname….Can you confirm you are derecognising Kosovo? https://twitter.com/SRBDiplomacy/status/925315111249686529 …

8:07 AM – Oct 31, 2017

Twitter Ads info and privacy

Republika e Surinami e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. Ky vend ndodhet në Amerikën Jugore, me sipërfaqe prej 163.820 kilometrash katrorë dhe ka mbi 550 mijë banorë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Delawie, është e pakthyeshme, pavaresia, Shtetet ta njohin Kosovën

Histori-Kosova para 26 viteve në Referendum, votoi 99,87% për Pavarësi

September 26, 2017 by dgreca

-Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%/

1 gjilan 1992

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: “Referendumi, një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/
1 Rilindja
-Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së/
1 kacaniku voton

 -Vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u organizua edhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 shtatorit 1991/1 agim mar dila Laura

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 ag mar muze

 PRISHTINË, 26 Shtator 2017/ Para 26 viteve kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

Kuv Kosov Iliaz Ramajli

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Iliaz Ramajli

Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

 “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), në shtatorin 1994, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: “Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendumka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë që kam zhvilluar ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror.

“Një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”, vlerëson Rifat Blaku, i cili atëherë ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit.Ai, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 tetor 1991, kur është shpallur edhe qeveria e Kosovës në ekzil.

Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e  para 26 viteve, në numrin e 4 tetorit 1991, në  ballinë me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, shkruante:“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punojnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatavë, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merrnim e botonim informacione në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Ndërsa, para më shumë se 25 viteve, raportimet që bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në Pallatin Rilinda u bë edhe zyrë e ATSH-së, prej nga raportoja ditë e natë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Pas Referendumit, në 11 tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

VATRANËT NGA SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA, KU U ORGANIZUA EDHE REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990),  Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).

 Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…

Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë vizites, së bashku vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i VATRËS, Behlul Jashari, përkujtonin  ngjarjet historike…

Filed Under: Featured Tagged With: 26 vjet pga Referendumi, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, pavaresia

Izrael-Pavarësia e Kosovës, rrugë e gjatë me sakrifica më sublime

May 1, 2017 by dgreca

-Ministrja Edita Tahiri qëndroi në Qendrën për Paqe “Shimon Peres” si dhe zhvilloi takime me përfaqësues të organizatave paqësore dhe mediave në Izrael/

1 pavaresia Tahiri2 tahiri me ate libra2 Tahiri3 Tahiri me ate

TEL AVIV, IZRAEL, 1 Maj 2017- Gazeta DIELLI/

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri gjatë qëndrimit të saj në Izrael, ka zhvilluar një varg takimesh me organizata dhe personalitete që angazhohen për paqe, duke përfshirë përfaqësues të Qendrës për Paqe “Shimon Peres”, të Lëvizjes së Grave për Paqe (Women Wage Peace) si dhe me analistë dhe gazetarë të Izraelit.Ministrja Tahiri vizitoi Qendrën për Paqe “ Shimon Peres” në Tel Aviv ku u prit nga Lara Portnoy, koordinatore për marrëdhënie me jashtë, nga e cila u njoftua për veprimtarinë e kësaj qendre  të themeluar në vitin 1996 nga vet presidenti i nëntë i Izraelit dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqen, Shimon Peres. z. Portnoy theksoi se Qendra për Paqe angazhohet për të jetësuar vizionin e ish-presidentit dhe liderit të paqes Shimon Peres për një Izrael të begatë brenda një Lindje të Mesme paqësore. Ajo njoftoi rreth programeve konkrete të kësaj qendre të përqendruar në ndërtimin e paqes duke krijuar mundësi të avancuara dhe inovative të dialogimit mes individëve nga një spektër i shumëllojshëm, duke përfshirë: hebrenjtë dhe arabët, izraelitët dhe palestinezët. Duke u fokusuar në interesa të përbashkëta, Qendra për Paqe vazhdon të krijojë me sukses partneritete dhe miqësi të qëndrueshme duke hequr barrierat dhe frikën, si dhe duke i hapur rrugën një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme midis popujve.

Ministrja Edita Tahiri nga ana e saj theksoi se presidenti Shimon Peres ka qenë një lider vizionar dhe inspirues për një botë më paqësore dhe më të drejtë, nga idetë e të cilit edhe vet Kosova është frymëzuar në përpjekjet për krijimin e shtetit të Kosovës dhe të paqes në rajon, mbi parimin e njohjes reciproke mes shteteve dhe të fqinjësisë paqësore në rajon.

Në vazhdim të vizitës në Izrael, ministrja Edita Tahiri mori pjesë në takimin e lëvizjes paqësore të grave Gratë Punojnë për Paqen (WWP) që është një lëvizje e re e grave, por mjaft e fuqishme në Izrael, që promovon paqen dhe zgjidhjen paqësore të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve. Ministrja Tahiri mbajti një fjalim para shumë pjesëmarrësve të takimit, ku me këtë rast theksoi se paqja është e mundshme prandaj duhet punuar me vendosmëri dhe guxim për një ardhmëri në paqe. Ajo foli për rrugën e popullit shqiptar për Pavarësinë e Kosovës.

“Ishte një rrugë e gjatë me sakrifica më sublime, por ia dolëm ta fitojmë lirinë dhe shtetin, që t’ua lëmë gjeneratave të reja ta gëzojnë dhe përparojnë. Gratë shqiptare ishin të guximshme sikur edhe ju që jeni dhe ne asnjëherë nuk reshtëm së punuari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne i arritëm qëllimit dhe tani po punojmë për ardhmërinë euroatlantike të Kosovës, ndërsa përvojat tona të luftës dhe paqes jemi të gatshme t’i ndajmë me të tjerët, me porosinë time për ju se proceset e vështira kërkojnë angazhime afatgjate por sjellin suksese të qëndrueshme” tha ajo.Në kuadër të këtij takimi, pas përfundimit të fjalimit të saj, ministrja Tahiri zhvilloi biseda me disa nga udhëheqëset e kësaj organizate  Lilian Weisberger, Anat Saragusti, Anat Negev, Huda Abu al-Arqub, Yael Admi, Yahaloma Zchut, Hiam Tanus, Saviona Rotlevi. Gratë udhëheqëse të Women Wage Peace theksuan se po punojnë për të sjellë një marrëveshje të qëndrueshme paqësore. “Ne synojmë që ta vendosim mundësinë e një zgjidhje paqësore në krye të agjendës nacionale të Izraelit, pasi është rezultati i vetëm që ofron jetë dhe shpresë, një realitet të ri dhe të ndryshëm në Lindjen e Mesme, besojmë se është e mundshme dhe ne duhet të përpiqemi për të” theksuan ato.Ministrja Tahiri po ashtu zhvilloi bisedime me analistë dhe gazetarë izraelitë, përfshirë këtu Alon Ben David, nga Channel 10 News, Eran Cicurel, Radioja Nacionale e Izraelt, Adar Primor, I123 News, Anat Saragusti.Në përfundim të vizitës së saj në Izrael, ministrja Edita Tahiri vizitoi Muzeun e Holokaustit të Hebrenjve “Yad Vashem” në Jerusalem, një muze që memorizon historinë tragjike dhe të vuajtjeve të papara të popullit hebrenj. Duke rikujtuar vuajtjet e freskëta të popullit shqiptar, ministrja Tahiri deklaroi se është koha që të themelojmë, një Yad Vashem në Kosovë, një muze të holokaustit shqiptarë, mbi historinë e gjenocidin serb kundër shqiptarëve, duke thënë se një propozim të tillë e kishte dhënë në Parlamentin e Kosovës qysh në vitin 2003./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Edita Tahiri, Izrael, kosova, pavaresia

Kosova nis organizimet për festën e 8 vjetorit të Pavarësisë

January 31, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës themelon Këshillin Organizativ/*
-Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, në seancën solemne u shpalos edhe Flamuri Shtetëror i Republikës së Kosovës, për herë të parë/
-Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës me shifren “Europa”, në konkurrencën e 134 propozimeve, u miratua në Kuvendin e Kosovës në 11 qershor 2008/
-Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua në Kuvend në 9 prill, ndërsa hyri në fuqi në 15 qershor 2008/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 31 Janar 2016/ Kosova nis organizimet për festimin e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundjavës, në prag të muajit të festimeve që nis nesër, themeloi Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Së shpejti Këshilli Organizativ do vendosë dhe njoftojë axhendën e festimeve. Tradicionalisht, në Ditën e Pavarësisë, 17 Shkurt, Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë solemne në orën 15:00 – orën kur është mbledhur për shpalljen e shtetit të ri evropian, ndërsa festimet që nisin ditë më parë përmbyllen me ndezjen e fishekzjarreve në mesnatë.
Organizohen edhe veprimtari të tjera në kryeqytet, Prishtinë, dhe në qytete tjera kosovare edhe me axhenda festimesh të komunave, përfshirë seancat solemne të tyre, si dhe koncertet. Në çdo 17 Shkurt njerëzit-qytetarët në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë organizohen edhe në të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës nën 1 theksohej: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.
Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, në seancën solemne u shpalos edhe Flamuri Shtetëror i Republikës së Kosovës, për herë të parë. Kuvendi miratoi njëzëri simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, që u përzgjodhën nga mëse 5.000 propozime-aplikime në konkursin e shpallur nga Ekipi i Unitetit, që bënte bashkë pozitën e opozitën në negociata për statusin e drejt shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës me shifren “Europa”, në konkurrencën e 134 propozimeve, u miratua në Kuvendin e Kosovës në 11 qershor 2008. Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua në Kuvend në 9 prill, ndërsa hyri në fuqi në 15 qershor 2008. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, përcaktohet në nenin 1 të Kushtetutës.
Kosova 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë e pret me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së, deri sot. Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.
Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, duke nisur nga 19 tetori 2012. Raundi i fundit ishte në 27 janar.
*Në foto: Prishtina në natën e 17 Shkurtit 2008 në festën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pamje nga shtëpia e vëllait Demë Jashari, ku, i ardhur nga Zvicëra festonte bashkë me njerëzit e familjes dhe gazetarë-reporterë specialë të ngjarjes historike të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të ardhur nga Shqipëria-Tirana – ATSH

Filed Under: Kronike Tagged With: 8 vjetori, Behlul Jashari, kosova, pavaresia

KOMUNITETI NE SHBA-SHOQATA “SHQIPE E ARIZONES” ME ENTUZIAZEM PUNE NE PRAG TE PAVARESISE

November 6, 2015 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/
Anetaret e devotshem te Bordit Drejtues te Shoqates “Shqipe e Arizones” ne nje atmosfere pune dhe entuziazmi,tash e disa dite po shtojne pergatitjet per Festen Kombetare te Pavaresise së Shqiperise.Festa e Flamurit eshte dita qe i bashkon te gjithe shqiptaret,ajo eshte festa me e rendesishme e kombit tone.Ajo eshte data ku shqiptaret Jane me te perbashkuar rreth flamurit,atdheut dhe idealit te tyre kombetar.Kjo feste e rendesishme e historise sone kombetare do te festohet ne menyre dinjitoze edhe nga komuniteti shqiptar i Arizones.Perkitazi,me rastin e kesaj feste kombetare e cila mbahet cdo vit ne shtetin e Arizones nen patronatin e Shoqates me te madhe dhe me te vjeter te ket in komuniteti “Shqipe e Arizones”,Kane filluar pergatitjet intensive per kremtimin sa me madheshtore te saj.Atmosfere pune,gezimi dhe entuziazmi verehet kudo ne mesin e bashkeatdhetareve tane me banim ne shtetin federal te Arizones.Vetem brenda nje periudhe te shkurter kohore,kjo Shoqate mbajti dy mbledhje radhazi qe i’u kushtuan pergatitjeve per kremtimin e festes së Pavaresise së shtetit shqiptar.Ketij
qellimi i sherbeu edhe mbledhja e radhes e cila u mbajt ne zyrat e “ALL STATE INSURANCE COMPANY ” ne qytetin Scottsdale te Arizones,prone e bashkeatdhetares tone,Paulina Kalaj.Se pari e shpalli te hapur mbledhjen kryetari i Shoqate,Burim Gashi, i cili Propozoi vetem nje pike te rendit te dites:
1)Pergatitjet dhe organizimi per mbremjen festive te Pavaresise së Shqiperise.
Me pas,sekretari ne detyre i Shoqates, mr.Lulzim Mulliqi,beri verifikimin e presences ne mbledhje te anetareve te Bordit Drejtues te Shoqates dhe konstatoi së ekziston kuorumi i nevojshem per vazhdimimin e mbledhjes ne harmonizim me rendin e dites.Ne vijim te mbledhjes fjalen e mori,Paulina Kalaj-financiere e Shoqates e cila beri nje analize te punes së Shoqates,si dhe i informoi te pranishmit lidhur me cmimet e ofruara te disa objekteve hoteliere per organizimin e mbremjes festive te Pavaresise ne njeren nga restorantet e qytetit.Ajo kishte sjellur me vete edhe nje kontrate qe kishte bere me njeren nga restorantet ku theksoi së cmimet e Ketij restoranti Ishin me te arsyeshme dhe me te perballueshme nga ana financiare per anetaret e Komunitetit tone.Lidhur me nje organizim sa me te mire dhe realizim te detyrave te marrura nga anetaret e Bordit ,diskutoi edhe ish kryetari Shoqates dhe personaliteti me i votuar ne zgjedhjet e fundit komunitare,prof.dr.Arben Lasku,I cili tha “së secili nga ne duhet te informoje anetaret e Komunitetit me kohe per daten dhe vendin e mbajtjes së Ketij eventi te rendesishem per vete specifiken dhe rendesine qe mbart ne vete kjo feste e madhe kombetare.Gjithashtu me diskutimet e tyre u angazhuan edhe anetaret e tjere te Bordit Drejtues te Shoqates si:Diellza Shkodra,Avni Hasani,Ahmet Sahiti etj.Ne vijim te mbledhjes anetaret e pranishem propozuan,qe te dhurojne nga 200 dollare si paradhenie per rezervimin e restorantit “Phoenix Airport Marriot Hotel” per organizimin e mbremjes festive te Pavaresise.Me kete rast,shumica e anetareve te pranishem dhuruan nje shume te caktuar prej 200 dollaresh si : Paulina Kalaj-200 dollare,dr.Arben Lasku-200 dollare,Burim Gashi- 200 dollare,Zeqir Gashi-200 dollare,Dhimiter Rrera-200 dollare,Avni Hasani-200 dollare,Ndue Frroku-200 dollare, dhe Diellza Shkodra-100 dollare,gjithesejt u grumbulluan-1500 dollare.Keshtu me nje shumice votash u vendos se manifesimi
qendror kushtuar Pavaresise së Shqiperise te mbahet me date,26 Nentor,2015.Ky event mbahet ne “Phoenix Airport Marriot Hotel” ne adresen:
1101. N.44 the Street,Phoenix,Arizona,zip code: 85008.USA.Biletat per te rritur-65 dollare,ndersa per femijet 6-12 vjet,30 dollare.Femijet deri ne 6 vjet,hyrja gratis.
Ne kete mbremje madheshtore do ti argetojne bashkeatdhetaret tone ne Arizona,kengetaret e mirenjohur si : Manjolla Nallbani,Edmond Nikolla,kengetar dhe instrumentist si dhe ne Saksafon,Astrit Dungu.Me pas puna ka vijuar me informimin e anetareve te Komunitetit me daten dhe vendin e mbajtjes se ketij eventi te rendesishem kombetar ne web-faqen e Shoqates,e-maile,fb etj.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lulzim Mulliqi, pavaresia, Shqipe e Arizones

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT