-Politika amerikane sa i përket Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti ka qenë shumë konsistente gjatë disa dekadave të fundit, pa marrë parasysh a ka qenë demokrat apo republikan në Shtëpinë e Bardhë. /
-Departamenti i Shtetit e ka shqyrtuar çështje e kufirit me shumë vëmendje, kufirin që komisioni e ka shënuar para një viti e gjysmë. Drafti i kufirit është identik me atë që e ka ndarë Kosovën me Malin e Zi të paktën qysh prej vitit 1974. Është kufiri që është në Kushtetutën e Kosovës, është kufiri që është në flamurin e Kosovës, është kufiri i duhur./
-Intervista e ambasadorit Delawie për emisionin Rubikon në KTV, 16 shkurt 2017/
KTV: Zoti ambasador, mirë se vini në Rubikon.
Ambasadori Delawie: Faleminderit shumë. Është kënaqësi që jam këtu.
KTV: Faleminderit. Ka kaluar pothuajse një muaj prej se SHBA-ja e ka presidentin e ri, Presidentin Donald Trump dhe dhe ka pasur shumë fjalë për vazhdimin e përfshirjes së SHBA-ve në Kosovë dhe në rajon. Si mendoni se do të zhvillohet kjo?
Ambasadori Delawie: E di se ka pasur shqetësime rreth kësaj kudo nëpër rajon. Por, jam duke e përcjellur me shumë vëmendje çka po ndodh në Uashington dhe mund të them se politika amerikane sa i përket Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti ka qenë shumë konsistente gjatë disa dekadave të fundit, pa marrë parasysh a ka qenë demokrat apo republikan në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kam parë asnjë indikacion që kjo do të ndryshojë tash për tash. Ende janë vetëm disa persona të emëruar në administratën e re. Natyrisht, të gjithë do të duhet të përcjellim se kush do të caktohet në nivelin e dytë të zyrtarëve të administratës. Por, deri tash mendoj se po veprojmë pak a shumë nën të njëjtën politikë si në të kaluarën, që është se SHBA-ja do të vazhdojë të përkrahë pavarësinë dhe rritjen e Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane.
KTV: Pra, nuk pritni që do të ndryshojë diçka në këtë zyrë të re?
Ambasadori Delawie: Nuk kam parë asgjë deri tash që do të bënte që të shqetësohem për ndonjë ndryshim.
KTV: E kemi parë një situatë të re në procesin e dialogut me Serbinë dhe po ashtu i kemi parë edhe disa manovra, që u karakterizuan si provokime që vijnë nga Serbia. I pari ishte arrestimi i Ramush Haradinajt në bazë të një aktakuze nga Serbia; i dyti ishte i ashtuquajturi “treni rus”; dhe i treti ishte muri që ishte ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Cili është komenti juaj për këtë? Ku po çon kjo?
Ambasadori Delawie: Sa i përket dialogut: mendoj se është shumë me rëndësi që të vazhdojë. Ka pasur arritje të njëmendta nga dialogu: integrimi i policisë në veri, mbledhja e të hyrave doganore në kufirin Kosovë-Serbi, kodi telefonik që u demonstrua, më duket, para dy javëve, shpresoj ta shoh hapjen e urës së Mitrovicës pas nja një muaji e ca… Mendoj se këto të gjitha janë dëshmi konkrete të përparimit nga dialogu dhe dëshiroj ta bëj një analogji. Nëse jetoni në një shtëpi në një lagje dhe nuk shkoni shumë mirë me fqinjin tuaj, natyrisht që mund të shpërnguleni në ndonjë shtëpi tjetër. Shtetet nuk mund ta bëjnë këtë. Është shumë me rëndësi që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë të punojnë drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tyre, drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Kjo i mbështet të dy vendet dhe ambiciet e tyre për tu integruar më thellësisht në institucionet evropiane dhe i mbështet përpjekjet e të dy vendeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre.
KTV: Por nëse i shohim këto vepra të provokimit siç ishte rasti me murin dhe trenin, a mendoni se kjo sjell më shumë besim ndërmjet të dy palëve apo më shumë tensione?
Ambasadori Delawie: Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se muri – zgjidhja e çështjes së murit në Mitrovicë ishte për të mirën e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa marrë parasysh prej cilës bashkësi etnike vijnë ata. Mendoj se zona e re për këmbësorë do të jetë e bukur. Ura po bëhet gati për tu hapur dhe mendoj se ajo zonë do të jetë ndër më të bukurat në Kosovë. Mendoj se kjo u zgjidh shumë mirë. Pati shumë punë për të gjithë, e kuptoj këtë… Kompromiset ishin të rëndësishme, por mendoj se në fund përfundoi në mënyrë pozitive. Duhet të vazhdojmë ta zbatojmë të njëjtën energji dhe të njëjtin optimizëm për çdo gjë të lidhur me dialogun ndërmjet dy vendeve.
KTV: Po shohim dhe dëgjojmë data të ndryshme se kur do të hapet ura. Ju pritni që ura më në fund të hapet muajin e ardhshëm, ashtu siç thatë?
Ambasadori Delawie: BE-ja po punon në projekt. Kjo ishte gjëja e fundit që kam dëgjuar. Pati probleme me murin dhe pati probleme me motin – ishte ishte aq ftohtë aq gjatë – dhe edhe kjo gjë vonoi punimet. Nuk jam plotësisht i njoftuar me të rejat e fundit, por mendoj se duket që punët po shkojnë mirë. Moti më në fund nuk është me ngrica dhe kjo do të mundësojë që punimet të vazhdojnë.
KTV: Ka pak padurim lidhur me ritmin e dialogut. Janë bërë pothuajse gjashtë vjet qysh ka filluar dhe ende nuk e kemi të qartë se kur do të përfundojë dhe nëse rezultati përfundimtar do të jetë kjo marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet të dy vendeve. A keni ndonjë pikëpamje se kur do të duhej të përfundojë me marrëveshje gjithëpërfshirëse?
Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi që të vazhdohet të punohet; të vazhdohen të përmbushen të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut, të cilat nuk janë zbatuar ende plotësisht e pastaj të shikohen mundësitë se në çfarë fushash të reja Kosova dhe Serbia mund të punojnë së bashku për t’i përmirësuar jetët e qytetarëve të tyre. Njerëzit janë duke punuar në integrimin e organeve të drejtësisë në veri ku po arrihet shumë përparim, por nuk është kryer tërësisht dhe duhet të përfundohet në tërësi. Pra, vetëm duhet të vazhdojmë të ecim përpara sepse kështu mbështeten ambiciet e të dy vendeve për tu bërë pjesë më e madhe e Evropës. Datat? Jërat ndodhin kur ndodhin, por unë do të vazhdoj t’i nxis gjërat këtu dhe të bëj më të mirën time për t’i mbështetur përpjekjet e të dy vendeve për përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
KTV: Çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi ende mbetet e pazgjidhur. Keni qenë i zëshëm lidhur me këtë çështje dhe i kemi disa nisma të reja si komisioni që u formua me përfaqësues të institucioneve të ndryshme për matjen e territorit të Kosovës. A mendoni se ky paraqet hap përpara në zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Ambasadori Delawie: Shpresoj që është hap përpara. Keni të drejtë, kam qenë shumë i zëshëm për këtë çështje. Departamenti i Shtetit e ka shqyrtuar këtë çështje me shumë vëmendje, kufirin që komisioni e ka shënuar para një viti e gjysmë. Drafti i kufirit është identik me atë që e ka ndarë Kosovën me Malin e Zi të paktën qysh prej vitit 1974. Është kufiri që është në Kushtetutën e Kosovës, është kufiri që është në flamurin e Kosovës, është kufiri i duhur. Më duhet të them se do të dëshiroja që një copëz e energjisë që është shpenzuar në këtë çështje t’i ishte përkushtuar zgjidhjes së çështjeve të vërteta në Kosovë, si trajtimi i çështjes së korrupsionit apo të papunësisë… për të gjetur mënyra që jeta e qytetarëve të rëndomtë të përmirësohet dhe të jetë më produktive. Po ashtu, vazhdoj ta konsideroj ironike se shumë prej njerëzve që e kundërshtojnë marrëveshjen për kufirin tashmë kanë pasaporta të huaja apo viza Shengen dhe po ua mohojnë bashkëqytetarëve të tyre të Kosovës mundësinë për të udhëtuar që ata vetë e gëzojnë.
KTV: Dhe për ju është e qartë se kufiri është në rregull sepse kemi dëgjuar po ashtu interpretime të pikëpamjes së ambasadës amerikane apo të Departamentit të Shtetit se në fakt jeni të zëshëm për të gjetur një marrëveshje si të vazhdohet tutje e jo se ky demarkacion është në rregull.
Ambasadori Delawie: Departamenti i Shtetit ka ardhur në përfundim se kufiri që komisioni e ka shënuar është në përputhje me kufirin që ka ekzistuar qysh prej vitit 1974, kur Kosova ishte krahinë, kur Mali i Zi ishte krahinë. Pra, ky është rast i bazuar në fakte. Ne sigurisht që e përkrahim këtë kufi. Mendoj se është për të ardhur keq që kjo çështje ka të bëjë me një vend që ka qenë shumë miqësor ndaj Kosovës. Mali i Zi e ka përkrahur Kosovës në themel qysh prej fillimit të pavarësisë. Pra, siç e thashë, është çështje e pakuptimtë, është çështje e rrejshme. Natyrisht, duam që shtetet të kenë marrëveshje dhe ne nuk do t’iu themi çfarë të bëjnë saktësisht. Kjo nuk është puna jonë. Por, kufiri që komisioni e ka shënuar është kufiri i duhur; është kufiri prej vitit 1974 dhe sigurisht që do t’i inkurajoja deputetët e Kuvendit dhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës për ta ratifikuar marrëveshjen ashtu që të merren me çështjet tjera më të rëndësishme për qytetarët.
KTV: Po e shohim që opozita thotë diçka krejt tjetër që na duhet një proces tjetër për shënimin e kufirit. Kemi pasur protesta dhe kemi dëgjuar sërish se nëse çështja kthehet në Kuvend, mund të ketë prapë protesta.
Ambasadori Delawie: Protestat nuk më shqetësojnë. Dialogu nuk më shqetëson. Mospajtimet nuk më shqetësojnë. Çka më shqetëson është dhuna politike. Natyrisht që kemi protesta edhe në Shtetet e Bashkuara dhe kemi pasur protesta me qindra vjet. Kemi mospajtime në Kongresin tonë; i kemi pasur qysh prej fillimit. Por, dhuna politike, kjo është çështje krejt tjetër. Dua të them, nëse dëshironi ta kontrolloni agjendën në një vend, në demokraci, duhet të fitoni në zgjedhje. E nëse nuk mund të fitoni në zgjedhje, atëherë përdorimi i dhunës në përpjekje për t’i arritur qëllimet nuk i ndihmon vendit.
KTV: Çka quani dhunë politike? Cilat janë vepra që bëjnë dhunë politike që i shihni në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Përdorimi i gazit lotsjellës, përdorimi i koktejve të Molotovit, hedhja e gjërave në Kuvend, kjo është dhunë politike.
KTV: Shumë veta argumentojnë se për shkak të këtyre mospajtimeve ndërmjet opozitës dhe qeverisë dhe partive në pushtet, ndoshta mënyra për ta zgjidhur këtë çështje është se do të duhet të organizojmë zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. A do ta zgjidhte kjo çështjen?
Ambasadori Delawie: E dini, është ide e keqe për të mbajtur zgjedhje veç pse nuk mund të mendoni çka tjetër të bëni. Mendoj se njerëzit janë zgjedhur në Kuvend në vitin 2014 dhe deputetët e Kuvendit duhet të punojnë në emër të qytetarëve; zyrtarët qeveritarë duhet të punojnë për të mirën e qytetarëve dhe i nxis ta bëjnë këtë. Ka ende kohë për punë të njëmendtë për çështjet si liria fetare, papunësia, sundimi i ligjit dhe më me dëshirë do t’i shihja politikanët dhe zyrtarët duke u marrë me këto çështje se sa të hyjnë në një vit të një periudhe të pacaktuar të etheve zgjedhore gjatë së cilës nuk arrihet shumëçka.
KTV: Këtë javë pamë se Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën e shtyn Qeverinë e Kosovës për të punuar në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. A mendoni se kjo është mënyra për të ecur përpara?
Ambasadori Delawie: Mendoj se nëse pyetni këdo në Forcat e Sigurisë së Kosovës se cili [shtet] i huaj ju ka mbështetur më së shumti, mendoj se të gjithë do të thonë Shtetet e Bashkuara. Ne i mbështesim dhe i kemi mbështetur për një kohë të gjatë Forcat e Sigurisë së Kosovës. Ne e mbështesim transformimin nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Mendojmë se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese që mundësojnë transformimin. Ne do ta mbështesim atë në tërësi.
KTV: Por, po e shohim se tash për tash, për shkak të serbëve, për shkak të bojkotit të Kuvendit dhe qeverisë nga Lista Serbe, kjo gjë nuk mund të bëhet lehtësisht. A ka mënyrë tjetër për ta bërë këtë gjë?
Ambasadori Delawie: Sigurisht që e inkurajoj Listën Serbe për tu kthyer në Kuvend dhe për të filluar, për të rifilluar punën për zgjedhësit e tyre në Kosovë, siç i inkurajoj edhe serbët e Kosovës që kanë pozita qeveritare të kthehen në qeveri. Mendoj se ekziston mënyra për të arritur ku duam. Natyrisht kjo përfshin diskutim, përfshin bashkëpunim, përfshin kompromis. Por, sigurisht ne mbështesim përdorimin e ndryshimeve kushtetuese për ta mundësuar transformimin.
KTV: Dhe ju pritni që deputetët e Listës Serbe do të votojnë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës?
Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi për të gjitha partitë në Kuvend që ta diskutojnë këtë çështje. Nuk do të bëj parashikim se kush do të votojë për çka, kjo do të ishte e papërshtatshme nga ana ime. Por, është e sigurtë se nëse nuk flisni për këto çështje, atëherë nuk do të arrini ku doni. Duhet t’ua bëjmë të mundshme deputetëve të Listës Serbe për tu kthyer në Kuvend, zyrtarëve për tu kthyer në qeveri dhe për ta rinisur dialogun ashtu që të gjithë të mund të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
KTV: Kemi parë që përfaqësuesit serbë në Kosovë dhe nga Beogradi po kërkojnë që të lëvizet më shpejt drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si mendoni se duhet të vazhdojë ky proces?
Ambasadori Delawie: Marrëveshja e Brukselit shpjegon mjaft qartë se çka duhet të ndodhë. Nëse ia filloj t’i përmend të gjithë hapat do ta harroj ndonjë, prandaj më falni, por marrëveshja është në internet, mund ta gjeni aty. Shpresoj që fillon shumë shpejt. Kjo çështje është zvarritur qe një vit e gjysmë dhe mendoj se duhet ta nisim atë. Është me rëndësi të kuptohet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është edhe në Planin e Ahtisaarit, që solli pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi i qeverisë sime është se asociacioni nuk është në nivel ekzekutiv të çështjeve qeveritare, është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Natyrisht që e mbështesim që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kur Përfaqësuesje e Lartë e BE-së, Mogherini ishte këtu në pranverë, ajo po ashtu tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ka mënyrë. Procesi është sqaruar në marrëveshjen e Brukselit dhe mendoj se ka ardhur koha që njerëzit të ulen e të punojnë dhe të fillojnë ta zbatojnë këtë ujdi.
KTV: Por, pjesë të marrëveshjes thonë që Serbia duhet t’i shpërbëjë strukturat paralele. Ka ende struktura parelele në veri të Kosovës dhe kemi dëgjuar zyrtarët qeveritarë të Kosovës duke thënë se nuk mund të vazhdojmë të punojmë në çfarëdo asociacioni para se të ndodhë kjo, para shpërbërjes së atyre strukturave paralele sepse kjo do të rrezikonte funksionalitetin e Kosovës si tërësi.
Ambasadori Delawie: Asociacioni është rruga drejt shpërbërjes së strukturave paralele. Arsyeja për Asociacionin, arsyeja për tërë këtë marrëveshje është për të shtuar sovranitetin e Kosovës mbi tërë territorin e saj dhe për të marrë parasysh, në veçanti, fushat e shëndetësisë dhe arsimit ku gjuha është aq e rëndësishme për ofrimin e shërbimeve. Që të ndodhë kjo, duhet të ndodhë edhe gjëja tjetër. Duhet të shkojnë së bashku.
KTV: Z. Delawie, folëm në pjesën e parë të kësaj interviste për izolimin e Kosovës për shkak të procesit të liberalizimit të vizave. Kosova është i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave Shengen. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje? A është kushti i vetëm shënimi i vijës kufitare? Kemi dëgjuar po ashtu se edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është ndër kushtet kyçe.
Ambasadori Delawie: Mendoj se Kosova ka arritur përparim të mirë në përmbushjen e listës së kërkesave të BE-së për liberalizimin e vizave. Kanë qenë rreth 90 e ca kërkesa dhe pothuajse të gjitha janë përmbushur. Siç e dini, dy gjërat e fundit që BE-ja i kërkon janë kufiri me Malin e Zi, për të cilin tashmë folëm dhe rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Sa i përket kufirit, siç e thashë më parë, do të nxisja parlamentarët që ta ratifikojnë. Është në interes të vendit që ta bëjnë këtë dhe sigurisht kjo do të hapë derën për procesin e liberalizimit të vizave që BE-ja do ta bëjë.
Sa i përket rezultateve: nuk më takon mua të gjykoj, i takon Bashkimit Evropian t’i diskutojë proceset dhe përpjekjet, por personalisht, do të arsyetoja se në vitin 2016 kemi parë që është bërë punë e rëndësishme kundër korrupsionit. Në një rast ishin 57 zyrtarë policorë të arrestuar, pastaj ka pasur një numër i deputetëve që kanë dhënë dorëheqje kur ndaj tyre u ngrit aktakuzë për korrupsion; kemi pasur zyrtarë komunalë që janë arrestuar ose akuzuar për korrupsion. Mendoj se ky është progres. Tani, qartazi që këto duhet të përcillen ashtu që prokurorët të ndërtojnë rastin më të mirë të mundshëm, gjykatësit të mundësojnë ndarje të shpejtë të drejtësisë sido që të përfundojë rasti. Por, po të isha Kosova, do të argumentoja se po arrijmë përparim. Ende ka punë, por megjithatë po arrihet përparim.
KTV: E pastaj do të duhej të presim liberalizimin e vizave?
Ambasadori Delawie: Duhet të pyesni BE-në për këtë sepse nuk më takon mua kjo gjë.
KTV: Siç keni paralajmëruar, ambasada amerikane po punon për ndërtesën e re në Prishtinë. Si po shkon puna, kur do të kryhet?
Ambasadori Delawie: Kam mësuar prej ndërtimit të shtëpive të mia që nuk është zgjuarsi të parashikohet se kur do të kryhet një projekt ndërtimi. Por, presim që të hapet në 2018-tën. Ndërtimi po shkon mirë, po ngritet gjithnjë e më lart mbi atë rrethojë prandaj jemi optimistë. Do të jetë shumë mirë që të bartemi në një ndërtesë të ndërtuar enkas për zyre sepse ambasada jonë tash për tash është në një grumbull shtëpish, të cilat janë shtëpi të mira, por nuk janë ndërtuar për të qenë zyre që na duhen neve. Në vitin 2018, jam i bindur do të jetë ndër ndërtesat më të bukura në Kosovë, e sigurisht do të jetë ndër ndërtesat më miqësore ndaj mjedisit dhe me energji efiçente, me burime gjeotermale dhe gjëra të tilla, pra do të jetë mjaft e mirë. Kjo po ashtu do t’na mundësojë hapjen e shërbimeve të plota për viza për qytetarët kosovarë. Tash për tash, shumica e qytetarëve të Kosovës duhet të shkojnë në Shkup për t’u pajisur me vizë amerikane. Na vjen keq për këtë, por tash për tash thjesht nuk mund t’i shërbejmë të gjithë në sektorin tonë konsullor.
KTV: Ju i lëshoni disa lloje të vizave në Prishtinë?
Ambasadori Delawie: Po, si dhe po përpiqemi t’i zgjerojmë shërbimet. Qytetarët mbi moshën 60-vjeçare mund të vijnë këtu në Prishtinë në vend se të shkojnë në Shkup. Para disa ditëve lajmëruam se do t’i bëjmë intervistat për viza për studentë për programin veror për punësim dhe udhëtim, që është program i posaçëm i punës sezonale në Shtetet e Bashkuara. Këtu natyrisht shumica janë të rinjë, që do të thotë diku rreth 500-600 më shumë kërkues për viza që do të shqyrtohen në Prishtinë e jo në Shkup. Po përpiqemi t’ua lehtësojmë qytetarëve kosovarë për të ardhur këtu për intervista për viza, por çelësi vërtetë do të jetë përfundimi i ambasadës së re.
KTV: E atëherë të gjitha vizat do të jepen në Prishtinë?
Ambasadori Delawie: Por, kur ta hapim ndërtesën e re; kur ta hapim sektorin e ri të konsullatës, çdo qytetar kosovar që dëshiron të aplikojë për vizë do të mund ta bëjë këtë në Prishtinë pa shkuar në Shkup.
KTV: Ambasador, nesër është ditë e madhe për Kosovën. Është përvjetori i nëntë i Pavarësisë së Kosovës. Për shikuesit e mi është me rëndësi të dëgjojnë porosinë nga ambasadori i njërit prej vendeve që na ka mbështetur më së shumti që ta kemi këtë ditë dhe që ta kremtojmë atë në mënyrën që duam. Pra, cila është porosia e qeverisë amerikane për Ditën e Pavarësisë së Kosovës?
Ambasadori Delawie: Së pari dua të them: Urime ditëlindjen. Kemi qenë me Kosovën prej fillimit dhe e kemi mbështetur rritjen e saj, zhvillimin e saj ekonomik, zhvillimin e saj kulturor dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Gjithashtu, dëshiroj t’ju ngacmoj pak e t’ju them se të premten do ta kemi një video të re në faqen tonë në Facebook, prandaj përcilleni atë.
Por, më seriozisht, dëshiroj të shpreh shqetësimin që e kemi dëgjuar në 2016-tën: shumë njerëz flasin për qeverisjen si proces për ndarjen e hises së përfitimeve dhe unë ndjej se shërbimi publik nënkupton besimin e publikut dhe obligimi i parë për çdo shërbyes publik, pa marrë parasysh a është politikan, shërbyes civil, gjyqtar apo prokuror duhet të jetë që interesat e qytetarëve të Kosovës të jenë në krye. Për 2017-tën, sigurisht që do të dëshiroja të nxis të gjithë që janë në shërbimin publik në Kosovë, pa marrë parasysh çfarë roli luajnë ata, që të pyesin veten: çka po bëj sot për qytetarët e vendit tim? Jo për partinë time, jo për familjen apo miqtë e mi. Këto janë të rëndësishme në baza personale, por në rolin tonë si shërbyesë publikë, duhet të kujdesemi për publikun së pari. Shpresoj të shoh përkushtim nga të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës duke pyetur veten: çka po bëj sot për vendin tim? Ju faleminderit shumë.
KTV: Ambasador Delawie, ju faleminderit shumë për intervistën.