Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, reagoi sot pas kërcënimeve që sipas tij, po merr dëshmitari okular i trafikut të drogës në Divjakë.
“Përmasat e skandalit qeveritar të drogës po rriten çdo ditë, dhe po bëhen çdo ditë e më të frikshme. Kërcënimi i dëshmitarit okular të Divjakës, tregon se skema kriminale është aq e fuqishme dhe aq e lidhur me pushtetin sa kërkon të mbyllë gojën e kujtdo që ka dijeni, e të fshijë kështu çdo fakt që do të ndihmonte në zbardhjen e të vërtetës nga drejtësia”, tha Ristani me aë të një deklarate për shtyp.
Sipas tij, “kërcënimi i dëshmitarit, është pjesë e skemës kriminale, që nis me djegien e dokumenteve të avionit në Rinas, me mosmbajtjen e përgjegjësisë nga askush, dhe me përpjekjen propagandistike të qeverisë për ta kthyer këtë kapitullim narkotik të shtetit, në gjasme sukses policor”.
“Dëshmitari okular i Divjakës thotë se është kërcënuar, dhe se policia nuk po i ofron mbrojtje. Kjo është një akuzë e rëndë, për qeverinë, për Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm”, theksoi deputeti demokrat.
Sipas deputetit Ristani, “kërcënuesit, organizatorët e trafikut të drogës, sigurisht janë të mbrojtur dhe mund të bëjnë gjithçka, pasi kumbarët e tyre në qeveri dhe në parlament u kanë krijuar të gjitha lehtësitë për të bërë trafikun e drogës, dhe për ta mbyllur më pas çështjen sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.
“Partia Demokratike i kërkon policisë së shtetit të zbatojë ligjin, dhe të marrë në mbrojtje dëshmitarin e trafikut të drogës. Mosreagimi i qeverisë e bën atë drejtpërdrejtë bashkëpunëtore me trafikantët kërcënues, dhe e bën përgjegjëse para ligjit. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të veprojë me shpejtësi, përpara se karteli kriminal të zhdukë provat dhe dëshmitë e skandalit qeveritar të drogës”, u shpreh deputeti, Arben Ristani.
PD – Vorpsi: Rama emëron drejtor në Korcë të dënuarin për falsifikim
Tirane-28 Mars- Zëdhënesja e Partisë Demokratke, Laura Vorpsi, doli të premten në një deklaratë për shtyp, duke akuzuar qeverinë Rama se vazhdon të punësojë njërëz me preçedente penale në poste kyçe, siç është rasti me emërimin e Florenc Tabakut në krye të zyrës së punës në Korçë, i dënuar me 6 muaj burg dhe 250 mijë lekë për falsifikim dokumentesh.
Në Korcë, sërisht një drejtor me preçedent penal, theksoi Vorpsi, duke shtuar se “Drejtori i Zyrës së punës në Korçë, Florenc Tabaku, rezulton se i plotëson kriteret për të gëzuar besimin e Edi Ramës në këtë detyrë dhe përgjegjësi të rëndësishme, ndonese i dënuar për falsifikim dokumentesh, është pjesë e krenarisë së Kryeministrit, sepse zyrat e punës duket se janë për momentin pasioni i tij i madh”.
Gjithashtu, zëdhënesja e PD-së, Vorpsi, tha se “që prej ditës që Rama ka ardhur në pushtet, janë humbur 40 mijë vende pune, shumë persona më preçedentë penalë kanë arritur të bëhen shefat e punësimi dhe gjithashtu të kapin të tjera poste kyçe në administratë”. “Rasti që po denoncojmë sot dhe rastet e tjera që kemi denoncuar, dëshmojnë se si funksionon në të vërtetë meritokracia e Edi Ramës dhe tregojnë për një mekanizëm të dyshimtë, gati kriminal të kapjes së administratës nga persona me precedentë penalë, të dënuar nga drejtësia për vepra të rënda”.
PD: Edi Rama po shkel vendimin e qeverisë dhe traditën për Ditën e Verës
TIRANË, 13 Mars/ Partia Demokratike akuzoi të enjten kryeministrin Edi Rama se po shkel vendimin e qeverisë për Ditën e Verës, duke urdhëruar shkollat në Tiranë që të thërrasin nxënësit nesër në aktivitetin e planifikuar, edhe pse është pushim zyrtar.
“Dita e Verës është pushim zyrtar, por dhe pse ka në fuqi një vendim të tillë, Edi Rama u ka kërkuar shkollave, që tashmë i ka të gjitha nën kontroll partiak, që të mbushin nesër radhët e eventit të tij. Me këtë përpjekje të dëshpëruar, në kohën kur ai vetë dhe qeveria e tij kanë humbur mbështetjen e publikut, kur pakënaqësia dhe protesta kanë zënë vend në gjithë Shqipërinë, Edi Rama kërkon të shfrytëzojë nxënësit e shkollave në Ditën e Verës, për t’u dukur se gëzon mbështetje”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.
Sipas saj, me këtë vendim, kryeministri Rama po shkel një nga premtimet e tij elektorale, më të zëshmin nga ato, kur përbetohej se nxënësit dhe shkollat nën qeverisjen e tij nuk do të shfrytëzoheshin politikisht.
KADELIZMI NË PD, PARLAMENT DHE SHOQËRI
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ne Foto: Gjovalin Kadeli me ish Kryeministrin dhe Kryetarin e PD, dr. Sali Berisha/
Merkatoja në Parlamentin e Shqipërisë e bëri deputetin e PD Gjovalin Kadeli të shitej rishtas. Është e treta shitje rradhazi. Brenda disa muajsh, ai kaloi nga deputet i PS, tek PD dhe tani tek LSI. Për këto lëvizje kaq energjike sa majtas djathtas e prapë majtas, Kadeli përbën prototipin e trafikut të deputetëve – ose ndryshe fenomenin e kadelizmit, i cili ka depërtuar në çdo qelizë të jetës shqiptare, duke filluar nga PD, Parlamenti dhe shoqëria, që është shit-blerja pa asnjë moral, vetëm me qëllim përfitimi personal.
E nisim nga PD – e cila u dënua nga verdikti i sovranit më 23 qershor sepse e aplikoi pa asnjë limit fenomenin e kadelizmit. Kopje si Kadeli, PD ka të paktën disa deputetë, që përfaqësojnë kahe të ndryshme politike, por e kanë fituar karriken e deputetit me votuesin e PD. Kastriot Islami është një tjetër syresh. Nard Ndoka po ashtu. Koncentruar tek numri dhe aspak tek vlerat, nga PD e 22 marsit 1992 nuk ka mbetur më asnjë shenjë. Tani ka filluar të përjetojë të tatëpjetën, konsekuencat dhe pasojat e makiavelizmit vulgar, se për hir të pushtetit nuk ka asnjë ligj dhe parim që e ndalon. PD jo vetëm që nuk blen më dot deputetë, por as nuk është në gjendje që t’i mbajë as ata që ka blerë dhe as të vetët, sepse merkatoja ka rënë fare, deri aty sa PD nuk e preferon më as skota Kadeli. Degradim, deklin, disfatë quaje si të duash. Pa ideale dhe me fuqi blerëse zero, sepse PD tani s’ka më kolltukë, s’ka më tendera, s’ka më as kredibilitet, s’ka më miq, s’ka më asgjë. Edhe nga këta 40 deputetë që ka de jure, shumica janë pa asnjë lloj kontributi, veç të katapultuar nga ish-lideri historik, të cilit klanet brenda PD-së ia llogarisin edhe blerjen e Kadelit. Edhe Kadeli vetë ashtu thotë për gazetat. „Kisha kontratë me Berishën“! Gallatë e madhe!
Kadeli nga një ish-deputet mediokër, tashmë është kthyer në një figurë interesante për kryetitujt dhe faqet e para të gazetave e lajmeve të televizioneve të Tiranës. Në fakt, ky është modeli bruto i deputetit të parlamentit të Shqipërisë. Që gdhihet majtas e ngryset djathtas, e pastaj mesnata e gjen në një tjetër parti. Kadeli po përrallis se largimi i tij nga PD tek LSI është kthim në origjinë. Tani problem është origjina e PD-së. Një gjë është e sigurt, se PD e sotme nuk ka lidhje me PD e para 23 viteve, kur populli i besonte dhe kur rreth saj afroheshin figura dhe njerëz me vlera, si Pjetër Arbnori me shokë. PD e sodit e ka kredibilitetin e Kadelit.
Ndërkohë largimi i Kadelit, i ka kthyer në shurdh-memecë, ata që u tradhtuan më së fundmi prej tij. Heshti edhe ai që e bëri për vete Kadelin përpara disa muajsh. Vetëm kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se „Kadeli iku për interesa vetjake, por nuk e dëmton PDnë“! Nuk ka deklaratë më qesharake se kjo. Ndërsa të tjerët në PD menduan se mbrojtja më e mirë për t’ia bërë vetes së tyre nga Afera Kadeli është rritja e agresivitetit të deklaratave kundër maxhorancës. Berishës i takonte të parit që të bënte një koment. Sepse ai i ka shumë qejf komentet. Kujtoni se me çfarë triumfalizmi folklorik ish-kryeministri do të shpallte deri në Facebook fitoren e votës së blerë të Kadelit. Ja çfarë prodhoi largpamësia e liderit historik. Shiheni vetë se si Kadeli fluturoi nga ish-blerësi tek blerësi i ri dhe kadelizmi është kthyer në sindromën malinje të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Në muajin prill 2013 Sali Berisha ishte në ekstazë nga blerja e Kadelit, ndërsa tani në fundtetori 2013 hesht. Në fillim prilli Berisha ishte në apoteozë të retorikës, ndërsa tani rastin Kadeli e kalon në retiçensë të plotë. Po ku i shkoi ironia Berishës? Ku i vajtën kalamburet? Sepse largimi i Kadelit meriton një koment prej oratorisë së tij gjëmuese. Koment pritej edhe prej Jozefina Topallit, e cila na pozon rezëllitëse në Facebook nga një zyrë luksoze që posa ia ka dhuruar Ilir Meta. Me meritokraci padyshim! Se e çoi Shkodrën në humbje! Por opinioni publik dëshiron që t‘ia dëgjojë zërin se si zonja Topalli do ta komentojë trafikimin më të freskët të Kadelit, i cili sot është deputet i LSI, me votat e PD-së. E pra, flisni, ku shkoi elokuenca e lidërshipit të PD-së, ku mbetën shpotitë, talljet, rromuzet. Kllouniadat ku mbetën. Apo prapë në sulm për t’u mbrojtur, duke e përçunduar moton e njohur të gjeneralit dhe strategut ushtarak prusian Carl von Clausewitz sipas të cilit “Sulmi është Mbrojtja më e mirë” – “Der Angriff ist die beste Verteidigung.” Carl von Clausawitz ishte shefi i shtabit në luftrat Franko-Prusiane kundër Napoleonit deri në betejën përfundimtare të Waterlosë. Teoria e tij e luftës mbështetej në një moral të pastër, por ajo u shfrytëzua si nga marksistë leninistët deri tek akademitë ushtarake sovjetike. Në kuptimin e von Clausewitz, mbrojtja më e mirë bëhet përmes sulmit, por jo si metodologji ortodokse për t’i dezertuar së vërtetës. Ashtu si vepron sot opozita. Së cilës nuk i skuqet më faqja për asgjë.
Këto ditë Presidenti Obama paraqiti shefin e ri të FBI-së. Në mbi 100 vite histori, Jim Comey është shefi i shtatë i Byrosë Federale Investigative. Në takimin prezantues Obama tha se: “Besnikëria, Trimëria dhe Integriteti që është Motoja e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për sigurinë e vendit, ndërkohë që Jim Comey, lideri i ri i saj i jeton në çdo moment të ditës principet e përmendura në moton më lart”.
E pra, në fjalorin e politikës shqiptare nuk ekzistojnë më fjalët, “kompetencë”, “aftësi”, “meritokraci”,”talent”, “besnikëri”, “ndershmëri”, “integritet”. Këto fjalë politika i ka hequr edhe nga falori i gjuhës shqipe, duke ushtruar ndikimin fuqishëm që këto fjalë t’i harrojë se ekzistojnë edhe vetë shqoëria shqiptare e cila po ashtu është infektuar nga kadelizmi. Por kësisoj nuk mund të vazhdohet më. Kadelizmi duhet të izolohet në karantinë.
DASHAMIR SHEHI DO TE KTHEHET TEK SHTEPIA E VJETER
Ndoshta se shpejti do të themi se na ishte dikur LZHK-ja që tentoi të bëhej parti, por që nuk u bë dot as lëvizje sic pretendoi dhe as Parti, mbeti partickë. Madje në zgjedhjet e fundit parlamentare përfitoi vetëm nga futja në nënsqetullën e Partisë Demokratike dhe aleatëve, duke shënuar një rezultat më të ulët se në zgjedhjet e mëparshme.Mjafton që të përmendim Tiranën, ku mendohej se LZHK kishet oazin e vet, u morën më pak vota se ne të gjitha zgjedhjet e mëparshme parlamentare apo locale, qe merreshin ne kryeqytet nga kjo force politike.Kthimi në shtëpi i plangprishësit Dashamir Shehi është veprimi më i mirë politik që ai ka bërë në karrierën e vet. Fundja më në fund, ai shkoi dhe në Parlament dhe këtë as për meritë të vet, as për meritë të Partisë, vetëm të PD-së.
Shënjën për kthim tek formacioni i Bashës e ka dhënë vetë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi i cili thotë se është i gatshëm që partia e tij dhe strukturat të bëhen një me Partinë Demokratike e kjo do të varet nga negociatat gjatë ditëve në vijim.
Shehi ka thënë se me kryetarin e ri të PD-së duhet nisur një fillim i ri për çuarjen e opozitës së djathtë drejt mazhorancës.
“Duhen bërë ndryshime kushtetuese -thotë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ndërsa i referohet jo vetëm pavarësisë së institucioneve dhe situatës së krijuar në parlament ku pjesa më e madhe e deputetëve janë preferancat e kryetarit të partisë por edhe për vendime të tilla siç ishte ai i qeverisë për heqjen e fotos së presidentit nga institucionet.
Ndërsa flet për ofertën e kryeministrit Rama për të bashkëpunuar për çështjen e pronave, Shehi thotë se nuk ishte një mesazh që i drejtohej posaçërisht atij por opozitës në tërësi.
Shehi thotë se opozita do të jetë e gatshme të bashkëpunojë në çdo kohë për sa i përkret procesit integrues të Shqipërisë, pasi shumë vite ky proces është zvarritur më së shumti nga politika.