• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJURMË TË LASHTËSISË SË NJË VENDBANIMI

June 25, 2016 by dgreca

Një vështrim historik për Klosin e Sulovës/

 NGA PËLLUMB GORICA*/

Kushdo që kuturis të hulumtojë për historinë tonë, me siguri do t’i duhet të gërmojë në arkiva, bibloteka, botime historike, apo duke shkelur gjurmët e lashtësisë, dhe shpjeguar toponiminë e shumtë. Natyrisht nuk mund të zbulojë gjithçka… Veçse ato të shërbejnë për të larguar mjergullën që na ka penguar njohjen, sepse nuk ka mjerim më të madh kur e ke historinë dhe e harron atë.
Në territorin e krahinës së Sulovës ka ekzistuar një vendbanim i madh mesjetar. U ngrit ai pasi u ndërtua kalaja e Qafës, e cila kishte një sipërfaqe të kufizuar, prandaj, me shtimin e popullsisë, lindi nevoja e ndërtimeve jashtë kalasë.

Janë të dhënat e shumta, që sjellin deri në ditët tona, jo vetëm emrin tij, periudhën e largët, por edhe gjurmë, gjetjet arkeologjike, fragmentet murale, mikrotoponimet… Sepse, shumçka që ndërlidhet me këtë vendbanim, e ka një fillim, por edhe një fund.
Arkivat e gjalla, pikënisje për studime të historisë
Nisur nga faktet, po rrekem në një sprovë për të hedhur disa radhë për këtë vendbanim të lashtë. Pra, një punë që e kam nisur prej vitesh në gjurmët e rrënjve të humbura të Klosit, dhe historive të treguara natyrshëm për të, por edhe hulumtimeve në arkiva e botime të studiusëve: Neritan Ceka, Kol Luka, Valter Shtylla, Aleksandër Meksi, Ylli Cerova, bisedave me historianë e studiuesit Moikom Zeqo, Mark Tirta, Kreshnik Belegu etj. Sidomos, këto vitet e fundit, në kuadrin e botimit të librit “Sulova e Poshtme në shekuj”,  thellohem në hulumtimet  e mia për këtë vendbanim. Në fakt rrëfimet e bashkëvendasve të mi sulovarë, më nxitën kureshtjen në kërkim të gjurmëve të kaluarës së këtij vendbanimi historik. Eruditi Moikom Zeqo në parathënien e botimit “Sulova e Poshtme në shekuj” thekson se: “Aty ku duket se mbi historinë ka rënë pluhuri i harresës, ajo zbulohet e rizbulohet papushim në rikonstruktimin e burimeve gojore sipas llogjikës dhe vështrimit dokumentar. Klosi një vendbanim i vjetër, ku dëshmitë janë fakte të rëndësishme dhe kuptimplote. Përshkrimi i Klosit si një vendbanim i vjetër është parë sipas referencave historike të dokumentuara me rigorozitet dhe seriozitet maksimal.”
Këtu gjithçka ishte e bukur
Kur vështron vendosjen së tij në një pllajë, e cila vjen me ulje në luginën e Devollit, në pamjen e parë të krijohet përshtypja se nuk tregon asgjë, por kur përballesh me gërmadha, bindesh pa asnjë mëdyshje se ky ka qënë një vendbanim i madh. Qarkullon një histori e tillë në këto anë: “Aq të dendura ishin banesat sa ato ngriheshin njëra pas tjetrës nga kalaja deri te kasha, dhe keci shkonte nga çatia në çati pa prekur këmbët në tokë.” Kjo histori e të tjera si kjo, në Sulovë dëshmojnë se ka pasur një bazë reale lashtësia e vendbanimeve. Me kalimin e shekujve historitë gojore do të përziheshin, dhe nuk merret vesh ku fillonte njëra e ku përfundonte tjetra. Por, sado të hipërbolizuara të jenë, ato tregojnë për një vendbanim të madh dhe me shtrirje 3-4 kilometra. Të vjetërit tregonin se njëherë në një ditë dasme këtu kanë zbritur 72 nuse nga ky vendbanim. Për një fakt të tillë dëshmon edhe kjo histori: ”Një herë, dy banorë të këtij vendbanimi, por që nuk njiheshin, po ktheheshin nga larg. Pasi kishin udhëtuarsë bashku një farë kohe në heshtje, ia nisën bisedës me njëri-tjetrin:
-Nga je, or mik? Ku po shkon?
Përgjigjet e tyre treguan se ishin nga i njëjti vendbanim, por nuk ishin takuar më parë
.”

Një tjetër, nga historitë e shumta gojore, ka të bëjë me natyrën magjepse të këtij vendbanimi. “Këtu gjithçka ishte e bukur: kishte pemë frutore, ullinj, vreshta, pyje, burime,kope të mëdha bagëtish etj. Shtëpitë të ngritur njëra mbi tjetrën, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”.

Terreni shkëmbor,  i copëzuar si gunga,  i ndihmonte ata për t’u mbrojtur, ku rreziqet në kohëra nuk ishin të pakta. Lugina përmbytej nga vërshimi i lumit Devoll. Vijnë histori të një pylli të dendur, që fatkeqisht është prerë e djegur në rrjedhat e kohës,  ku aty mbarshtroheshin dele, dhi dhe një rracë e fuqishme kuajsh, të bëjnë të besosh se ky vend ishte zgjedhur për banim për këto kushte.

 

Gjetjet dhe gërmadhat dëshmojnë lashtësi

Gjurmët e Klosit humbasin në tymnajën e shekujve, megjithëse ato as që mund të vihen në dyshim. Aty- këtu të shëndërruara në grumbuj gurësh të gdhendur, e të veshur me ngjyrën e errët të myshkut, e diku me vulën e grimtë e të shplarë të agjentëve atmosferikë: shiut, diellit etj, por edhe të fshehur shkurreve, syri ndesh tjegulla e tulla, muret e një kishe bazilikale, rrethimet e kalasë antike të Qafës, diku fragmente të një nëndege të rrugës antike dëshmojnë se kemi të bëjmë me një vendbanim të lashtë. Ky është një vëzhgim sipërfaqësor, sepse gjatë punimeve bujqësore, banorët zbulojnë i vegla pune, shpata, mburoja, stoli, monedha, me dhjetëra ekzemplarë, që toka i ka ruajtur si dëshmitare të jetës së lashtë në këto troje. Sipas historive gojore, muret kanë qenë me të plota gjer shumë kohë më parë, dhe struktura e sotme e tyre nuk të le të përcaktosh se ç’janë, dhe ç’kanë qënë dikur, e ç’kohë i përkasin. Musa Deliu, një nga banorët e fshatit Selvias tregonte se; “kur ishte i vogël, shkonin këtu me bagëtitë dhe gjenin tjegulla me mbishkrime, amfora, enë prej balte, etj, me të cilat nga që nuk u a denim vlerën luanim me to deri në shkatërrim.” Është tragjike se si një vendbanim i tillë, të jetë shkatërruar plotësisht, por megjithatë këto gjetjejanë të dhëna me vlerë, të ekzistencës së ndërtimeve të lashta, dhe  të një popullsie me histori e kulturë.

Klosi në Mesjetë, ishte qytet

Vështirë, se mund të shkruash më shumë për lashtësinë e tij, por historitë dhe ato pak dokumenta dëshmojnë se, Klosi në Mesjetë ishte qytet. Këtë dëshmi të një rëndësie të veçantë, e sjellë edhe historiani elbasanas, Dr.Shyqyri Demiri në librin “Vështrim i shkurtër historik i trevës së Elbasanit”, faqe 28. Me argumenta ai shkruan se: “Është shfaqur një mendim se këtu kemi të bëjmë me një qytet të lashtë, që u shkretua prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore: me pishtarët e ndezur mbi brirët e dhive’’, duke vazhduar më tej shkruan se: “para pushtimit turk këtu ka qenë një qytet i dinastisë së Muzakajve dhe kalaja ishte pjesë e këtij qyteti.” Njëri prej pinjollëve të saj, Andrea Muzaka, princ më në zë i Arbërisë, në gjysmën e shekullit XIV ka ngritur këtu objektet publike dhe fetare të këtij vendbanimi. Mbase, ky studim për këtë vendbanim nuk do të ishte i plotë, pa përmendur dimensionin historik të Muzakajve. Luftëtarë në zë, pronar territoresh, sundimtar autoritar këto ishin disa nga vyrtytet, të cilat kanë karakterizuar këtë familje fisnikësh mesjetarë arbëror. Zotërimet e saj, ishin shtrirë në Myzeqe, Berat, Tomorricë, Sulovë, etj.  Aty  sundoi princi Mentul Muzaka, që historinët na e sjellin gabim këtë qëndër të tij, duke e përcaktuar me Klisurën (Këlcyrën.)

Besohet se Klosi mund të jetë më i hershëm si vendbanim. Sipas ‘’Burimeve të zgjedhura të Historisë së Shqipërisë”, vëllimi I II, Tiranë 1962, faqe 111 është shkruar se: “Normanët në fillim të shekullit XII zbarkuan në Vlorë, e kanë zhvilluar luftime, duke shtënë në dorë një pjesë të territoreve tona, edhe një qytet të vogël, të quajtur qyteti i Mylit, që ndodhet mbi lumin Deabel (Devolli).’’ Rreth tij ka pasur vendbanime të lashta, dhe emërtimet e tyre janë të panjohura. Lind pyetja: Mos ndoshta ky qytet gjendej këtu, dhe ka  evoluar gjatë shekujve nga Myl-Mbyll-Klos? Emërtimi përputhet me pozitën gjeografike, të mbyllur nga lindja prej vargut shkëmbor.

Por studiuesi Kol Luka në “Etnografia Shqiptare”, nr 14, faqe 288, Tiranë 1985 shkruan për emërtimet e mjaft vendbanimeve të lashta në Shqipëri, e midis tyre edhe për Klosin: “Emërtimi Klos është vënë në kohën e pushtimit romak. Janë trajta latine (cludo, cusi, clusum) në vështrimin e mbylljes së një shtegu të hapur e rrethimit, dhe e ruajtjes së një rruge, të një qafe, që duket se vjen nga një pjesore e latinishtes klosum. Këto në fillim ishin qendra të vogla ushtarake, të formuara pikërisht në vendbanimet dhe morën këtë emërtim të vendosura nga krijuesi i temave bizantine Teofili, perandor bizantin 825-842, i cili formoi në kohën e vet këto qendra, me sisteme mbrojtje të përqendruar.”

Në shkrimet e Ana Komnenit, që flasin për ngjarjet e luftrave të normanëve dhe bizantinëve në Arbërinë e shekujve XI-XII ka disa të dhëna për vendet, dhe rrugët e lëvizjeve të perandorit Aleks Komneni. Perandori bizantin Aleks Komneni në shekujt XI-XII do t’i përdorë këto klose për t’u mbrojtur nga vërshimet e normadëve. Klosi ishte një ndër luginat të Arbërisë krahas asaj të Shkumbinit, ku normanët donin t’i zotëronin për të vazhduar rrugët drejt lindjes.

Klosi, emër i lashtë i sistemit të ruajtjes së rrugëve

Qenia e këtij vendbanimi këtu, me këtë emër tregon se ai kryente funksionin e ruajtjes së rrugës në itinerarin që kalonte luginës së Devollit (një degë jugore e rrugës Egnatia), pak e përshkruar në dokumente historike.  Në shtigjet, qafat, në luginat ku kalonte ajo ka pasur kala, kulla dhe klose.. Vinte nga Apolonina dhe Antipatrea e lidhej me Scampinin. “Kjo degë duke ndjekur anën e djathtë të Devollit arrinte në Gostimë, ku Devolli kthen drejtimin nga veri – perëndimi në jug- perëndim, e prej këtej, pasi takohej dhe me rrugën e Korçës në luginën e Devollit, vijonte për në veri-lindje dhe në Jagodinë pasi merrte e rrugën e Belshit, më pas vijonte për në Shkumbin, tek ura e Topçiasit, që e lidhte me Scampinin (Elbasanin). Rrugë që ka vazhduar deri në mesjetën e vonë”. (V. Shtylla “Rrugët dhe urat më të vjetranë Shqipëri”, faqe 25).
Nga kalaja zbriste një rrugë që lidhej me nëndegën jugore të rrugës Egnatia. Një rrugë e shkurtër me një gjerësi prej 1–1, 5 m, e cila kalonte në shpatin shkëmbor, ndofta në të djathtë të këtij vendbanimi , e ndofta edhe mespërmes tij, por që nuk ka gjurmë të gjata, që të shprehemi më qartë. Kjo rrugë njihet me emrin “Rruga e Kaurrit.” Ajo nuk duhet të ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe për arsye të terrenit të pjerrët, ku në disa vende vetëm dhija mund të kalojë. Gjurmët e kësaj rruge me gurë të mëdhenj e të shtruar me kujdes diku shfaqen diku humbasin mes shkurreve, dhe për të evituar gërryerjen nga shirat e shembjet ka pasur pragje në trajtën e shkallëve.
Kalaja, metaforë e historisë së këtij vendbanimi
Pothuajse një pjesë e historisë së Klosit, ndërlidhej me kalanë e Qafës. Cila është historia e kësaj kalaje dhe të dhënat arkeologjike për të? Kakaja e Qafës datohet si ndërtim i shekullit të VI, të erës sonë, e periudhës së perandorit bizantin Justiniani (526-565). Vendi i sheshtë, e mbizotërues, ku është ngritur ajo, në një nga lartësitë shkëmbore të kodrave të Sulovës, 624 m, është i mbrojtur nga jug-perëndimi prej shkëmbinjve, që e bënin të pamundur t’i afroheshin asaj, dhe vetëm pjesët lindore e veriore kanë mure. “Kalaja ka formën e një trapezi të ç’rregullt, dhe është e përbërë nga muri rrethues, 5 kulla që ndodhen 33, 5 m – 40 m larg njëra – tjetrës dhe një mur tjetër mbrojtës.” Ylli Cerova “Iliria” nr 2, viti 1987, faqe 159. Ajo përfshin një sipërfaqe  rrethuese prej 0.8 ha, ku ka pasur banesa, që kanë shërbyer për luftëtarët e kalasë, familjet e tyre, e në raste sulmesh edhe për mbrojtjen e popullsisë. Teknika e ndërtimit, pozicioni ku është ngritur po të marrim parasysh mjetet e sulmit të asaj kohe, dëshmojnë se ishte një fortesë ushtarake  në ruajtje të nëndegës së rrugës Egnatia. Kalaja e Qafës  ka tërhequr vëmendjen e historianëve dhe studiuesve të arkeologjisë. Neritan Ceka dhe Aleksandër Meksi në studimet e tyre e përmendin shpesh emrin e saj. Gjerak Karaiskaj ka trajtuar anën teknike të ndërtimit të saj. Në vitin 1987 arkeologët Y Cerova, R Hasa dhe A Papajani kryen gërmime këtu, ku kanë gjetur: monedha, stoli, qeramikë, amfora, pitosa, objekte metalike, vegla pune, që konsiderohen si ndër me të rëndësishmet gjetje arkeologjike këtu. Ato janë tregues i zhvillimit ekonomik të jetës dhe luftës aty.
Arkeologu Neritan Ceka në librin “Ilirët’’, faqe 245, shkruan: “Nga kalaja në raste rreziku shkëmbeheshin sinjale me kala të tjera se siç dihet Iliria ka qenë e mbushur me një rrjet kalash mbrojtëse. Nga pozicioni ku ndodhej kalaja shikoheshin një sistem i tërë kalash malore si ajo e Mengëlit, Gracenit, Valshit, Galigatit, Antipatraeas asaj fushore të Skampinit etj dhe sigurisht, formonin pjesën lindore të zinxhirit fortifikues për Durrahun) si një bazë e fortë e perandorisë bizantine në atë kohë”. Me copëtimin e perandorisë bizantine në shekullin XII, kalaja kaloi dora-dorës në duart e të huajve. Dy shekuj më vonë ajo zotërohej nga princa feudale të familjes së Muzakajve, të cilët nuk i rezistuan pushtuesve osmanë, ndaj dhe kalaja humbi rëndësinë si njësi mbrojtëse.

Një histori e njohur tregon qëndresën për të mbrojtur kalanë në kohën, kur Arbëria u pushtua nga turqit. “Hordhitë turke vijnë me mijëra ushtarë për të pushtuar kalanë. Betejë që u vazhdoi ditë e netë me radhë derisa një natë me dredhi ushtarët turq me të gjitha forcat arritën të thyejnë qëndresën e luftëtarëve. Hyrja e ushtrisë osmane, dhe marrja e kalasë u mundësua nga pjesa e përparme e saj.  Pushtuesit natën maskuan një tufë dhish, duke u vendosur në brirët e tyre qirinjtë të ndezur dhe i nisën nga perëndimi i saj. Luftëtarët u përqendruan nga ky krah. Ndërkohë u sulmuan nga lindja, që ishte lënë e lirë  dhe  turqit mësynë, duke bërë gjakderdhje. Pas pushtimit, luftëtarët dhe banorët, u tërhoqën nga kalaja e vendbanimi afër  saj, Klosi. Nuk i rezistuan barbarizmave, duke e lenë atë në dorë të pushtuesve.”  Sot, me përjashtim të një fragment muri të ruajtur mirë, pjesa tjetër e kalasë së Qafës është shndërruar në grumbuj gurësh. Fatkeqësisht ato sa vijnë e po dëmtohen nga moskujdesi, nga arkëkuesit, duke gërmuar e rrëmbyer thesare të shumta.

 

Rrënojat e kishës ende psaltojnë

 

Në një kodrinë të vogël të këtij vendbanimi, si tumul, dhe me fushëpamje ruhen themelet e një kishe mesjetare (tip bazilike). Ajo u përket ndërtimeve kishtare të shekujve XIII – XIV, që kishin një përhapje të madhe. Egziston një rrëfim nga i cili mësojmë se rreth e rrotull ka pasur mbi dhjetë kasha, për të cilat disa dihet se ku janë, kurse për disa të tjera askush nuk di më shumë se kaq. Sipas studimeve, Bazilika e Klosit ishte ndërtuar në periudhën e lulëzimit të plotë të këtij vendbanimi. Studiuesi i fushës kishtare, Aleksandër Meksi e ka hulumtuar, duke shkruar në botime të ndryshme. Në revistën “Monumentet’’, Nr 5- 6, viti 1973, faqe 190 ai shkruan: “Bazilika e Klosit përbën një dëshmi me rëndësi, si ndërtim, në një zonë fshatare, sepse ndodhte rrallë që larg qyteteve, qendrave të mëdha urbane të gjendej një bazilikë. Me një arkitekturë të thjeshtë ajo përbën një ekzemplar me rëndësi për studimin e arkitekturës bizantine te ne, sepse është e vetmja bazilikë trenëfëshe me arkiada mbi pilastra”. “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri”, faqe 149. Ajo sot ruan pak fragmente muresh, 1 m të lartë, të rrethuar nga ferra e shkurre. Duke parë fotografitë e para 50 vitesh, kur muret e saj ishin të larta, dhe, kur vëzhgon pamjen e sotme kthyer në gërmadhë, pezmatohesh për shkatërrimin që i është bërë qoftë asaj nga njerëzit, agjentët atmosferikë, qoftë prej heshtjes për ruajtjen e saj, të ndikimit nga ideologjia e sistemit komunist për ndërtime të tilla me propogandën se tempujt fetar i shërbenin fesë, si “opium për popullin.”

 

Mikrotoponimet një dokument i heshtur

 

Këtu ekzistojnë mikrotoponime të shumta, të cilat mbartin histori, të mbetur në kujtesë, por fatkeqsisht askush nuk është ndalur seriozisht me to. Kështu, po sjellim vetëm disa prej tyre si: “Lekri, Shpardha, Kroi i Kaurrit, Guri i Nuses, Ponepthi, Garroçi, Kloset, Burimi i Borës, Guri i Bardhë, Guri i Kuq, Gjurmë e Mushkës , Hurdha e Çobankës, Kllapa e Kuqe, Marozi, Çorovani,  Krorsi, Buzët e Bukura, Gjolla “etj

Aty, ku fillon Qafa e Madhe, në rrafshin e një pllake shkëmbore ishte një gjurmë mushke. Pranë saj fle legjenda, që ndër shekuj ka marrë trajta rrëfimi me njerëz fluturues, e cila thotë: “Në kohën e arbërisë, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka, e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë, Çobanka për t’i shpëtuar turqve, që e kishin rrethuar me një ushtri të madhe në numër, “fluturon” së bashku me mushkën nga kalaja në një pllakë të gjerë shkëmbore  e cila ende edhe sot identifikohet si Gjurma e Mushkës.” Interesant është edhe “Hurdha e Çobankës. “Këtu në këtë hurdhë (gropë për të mbledhur ujë) për të mos rënë në duart e turqëve fluturoi e ra me mushkën e saj, princesha e kalasë, nga kjo e mori emërtimin “Hurdha e Çobankës.” Toponimi “Kloset” ka rrjedhur nga fjala mbyllur, që me të vërtetë i përshtatet mjaft mirë vendit. Nga kjo ka rrjedhur edhe emërtimi në shprehjen e vetë popullit, Klose. Ndërsa “Lekri”, që do të thotë Leka i Ri, është një emër-vend i cili mund të ketë qenë pronë e një të pasuri.

Moria e mikrotoponimeve të këtij vendbanimi tregon shkallën e lartë të nivelit të jetesës e të organizimit shoqëror që ka pasur aty, por edhe një aspekt ku shpaloset lashtësia, e që ndriçon historinë e panjohur të kësaj treve.

 

Kur janë vendosur çengelat?

 

Afër këtij vendbanimi si mburojë është kreshta shkëmbor, e ndarë nga një qafë e madhe. Gjithkujt i tërheq vëmendjen një dukuri. Është fjala për disa shufra hekuri të ngulura në shkëmb, që në popull njihen si çengelat: Kush i ka vendosur ato? Përse ? Kur janë vendosur? Si i kanë vendosur? . Fakti është se, për këto hekura të ngulura, është folur shumë në Sulovë. Janë zmadhuar dhe hiperbolizuar ndoshta nuk kanë ekzistuar, por fryt i imagjinatës në kohëra.Thuhet, mos vallë, kanë shërbyer për ankorimin e anijeve në kohërat kur ujërat mbulonin këto lartësi?! Por, fakti që, materiali i hekurit është përdorur shumë kohë më vonë, e hedh poshtë këtë hipotezë. Për të janë thurur lloj-lloj historish, të cilat kanë marrë trajtën e një legjende. Ato janë përdorur nga banorët e vendbanimit, për të ndihmuar luftëtarët e kalasë në tërheqjen e ushqimeve dhe armatimeve me anë të litarëve. Sigurisht, për një dukuri të tillë fjalën e fundit e kanë studiuesit Por jo vetëm kaq. Në shpatin shkëmbor, ka guva të shumta (në popull “kllapa”), dhe një shpellë e njohur si “Shpella e Klosit”. Tek hyn brenda saj ke përshtypjen se futesh në një dimension me guva të thella. Disa banorë janë përpjekur, për të depërtuar në thellësi të saj, dhe asgjë më shumë se kaq. Aty janë gjetur skelete njerëzish, fosile kafshësh dhe objekte arkeologjike. Me këtë shpellë ndërlidhen histori interesante, që duhet të nxitë speleologët të bëjnë gërmime, për të vërtetuar nëse ka diçka nga ajo që përflitet aty, për lidhjen e këtij vendbanimi me kalanë e Qafës ndërmjet një tuneli enigmatik.

 

Kohët sollën luftëra dhe e rrënuan

 

Çfarë ndodhi me këtë vendbanim atëherë? Kur dhe përse është braktisur ai? Mos është shkatërruar nga ndonjë tërmet, epidemi kolere, apo mos vallë banorët janë larguar për t’iu shpëtuar barbarizmave të ushtrisë turke? Në rast se mund të qëndrojë kjo e fundit, ku mund të jenë shpërngulur ata, brenda apo jashtë trojeve shqiptare? Nuk përcaktohet koha e largimit, por në pamjen e përgjithshme të krijohet idea e një braktisje të kahershme. Disa dokumente na bëjnë të njohur faktin e shpërnguljes së popullsisë gjatë shekullit të XV në rrethanat e pushtimit turk, dhe banorët të gjendur në tmerrin e mizorive muarën rrugën për në terrirtoret e largëta të Epirit të Jugut. Një histori gojore tregon për shpërnguljen e banorëve. Ata “ikën me ato pak plaçka që mundën të merrnin me vete. Largoheshin, duke lënë pas një vend të begatë”. Kjo, të lind të drejtën të hamendësojmë se, ky vendbanim është rrënuar prej pushtuesve osmanë, atëherë kur u pushtua kalaja e Qafës . Nga thellësia e shekujve ka ardhur edhe historia se pas tërmetit aty u shua jeta dhe mbeti rrënojë.Si argument tjetër të largimit të banorëve mund të radhitet edhe epidemia e kolerës, për të cilën historitë dëshmojnë: “se një pjesë e mirë e banorëve vdiqën, ndërsa ata që shpëtuan zgjodhën për banim troje të tjera përreth, të mbuluar më keq nga varfëria”.

Pas largimit të banorëve gjithçka u kthye në gërmadhë, por në kujtesën e brezave qarkulloi historia e vendbanimit të dikurshëm shkëlqimtar. Me kalimin e kohës, ndodhi edhe proçesi i kundërt i ripopullimit, por jo aty, diku më poshtë në luginën e njohur të Devollit në dy fshatra të rinj, Klosi i Poshtëm dhe Selviasi.

 

Ps Ndalohet riprodhimi i materialit pa lejen e autorit.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Nje veshtrim historik, Pellumb Gorica, për Klosin e Sulovës

KUR VETMJAFTOHESH ME ATË QË TË DHURON FATI I JETËS

June 16, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA*/ Jeta është një rrjedhë e fuqishme në kohë dhe hapësirë. Atje ku mendohet se ajo është futur tërësisht në brigjet e saj, ngjarje tinëzare gremisin të natyrshmen. Në labirintet e realitetit të saj, në gurgullimat, oshëtimat dhe vështirësitë ndodh që njeriu burgoset brenda kornizave të ndjenjave dhe ndërgjegjes së tij të vrarë. Atëherë shumë pikëpyetje mbesin të ngrira në ajër. Ku është e keqja është edhe e mira. Aty ku është gëzimi është edhe trishtimi. Aty ku është ferri është edhe parajsa. Aty ku është humbja, është edhe lavdia. Aty ku të rrethon trishtimi, angështia, ku t’i thua se tani më mori lumi e u katandisa i pushtuar nga monotonia, duke u kokolepsur,një zë të orienton me urtësi për të dalë nga ky qerthull, dhe për të kapur njerëzoren e rrjedhës.
Të gjitha këto të papritura të larmishme të jetës, mundohet t’i ngërthejë brenda tregimit të saj, “Profil vetëmjaftueshmërie”autorja Lida Lazaj, e njohur tashmë për lexuesin tonë.
Një grua që i ka vdekur i shoqi e vret vetminë, duke i shkuar çdo ditë “në takim” tek varri me një tufë lule në dorë, me mendimin se jeton më shumë me të kaluarën se sa me të tashmen, e zbehur përkohësisht nga ndjenjat e shterpëzuara, dhe vitet e vështira të jetës, mundohet që përsëri kafen e mëngjesit ta pijë me bashkëmoshatarin e saj, Klitin. I tillë është subjekti i tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie”, ku jeta monotone ka strukur në një rreze të saj një grua fatkeqe me emrin Elenë. Ajo rri gjithë ditën brenda shtëpisë, fshin pluhura dhe shikon albume, mundohet të ndalë e rikthejë jetën pas, kohën që ka ikur. Mendimet e mbyllin në një zymti dërrmuese, dhe si një sëmundje që gërryen përbrenda shpirtin e ndjen ngushtësinë e tij. Ajo tashmë e thithur nga monotonia e jetës sikur është bërë materie e ngurtë, është sendërtuar. I ngjan vetja send ose objekt mes orendive të shtëpisë, me të vetmen ndryshim: “merrte frymë”, shkruan autorja, për Elenën. I duket se edhe krimbi i mërzitjes, rrezja e diellit që hyn nga dritarja e dhomës e bën të vuaj edhe më shumë, pasi mendon e kupton që bie në donkishotizëm, ndaj nis e loton. “Vajtonte me fjalë, në regjistrin më të ulët të zërit. Qaj-qaj i thoshte vetes, kush tjetër do t’i qajë ëndrrat dhe dëshirat tuaja të vdekura” -shprehet autorja, duke arritur të futet artistikisht në të fshehtat e ndërgjegjes së personazhit. A ka forcë të dalë nga kjo gjëndje rraskapitëse e shpirtit? Elena në butësinë trishtuese, por më shumë me vështrimin e sinqertë për atë që ndodh, përpiqet për një ndryshim të gjendjes shpirtërore, ndjenjë e cila përzihet me brengën dhe në këtë pushtim të vetmisë, ndjen keqardhje për këtë gjendje që nuk e fsheh dot. “Ditët rrokullisen pothuajse njësoj” me vetëmbylljen e saj. Duhet ndryshuar kjo gjendje. Takimi me bashkëmoshatarin e saj, Klitin sikur zgjon diçka shpresëdhënëse, megjithëse autorja këtu nuk thotë atë që lëngëzon zemrën e tharë të vejushës. ‘‘Dy të moshuar shquanin dhe në hapin më të ngadaltë ngutjen që tek ata e kish humbur prej kohësh kuptimin”. Por jo vetëm kaq, të moshuarit edhe pse pleq kanë nevojë të shijojnë jetën dhe më shumë të marrin hak për ato gjëra që u kanë mbetur pishman në jetë. Elena e kupton se jeta jashtë saj gjallon, përtërihet, ndryshon, ecën, herë me ritme të ngadalta e herë të vrullshme, por ajo nuk e ndjen veten zonjë më pas vdekjes së të shoqit, ta ndjekë me hapin e saj të mplakur. Autorja Lida Lazaj, këtu mundohet, duke e zhytur Elenën në kujtime rinore, madje, duke kujtuar libra që kishte lexuar për dashurinë, por edhe atë krahasimin me të dashurën e mplakur të shkrimtarit Gabriel Garsia Markez, në romanin “Dashuri në kohën e kolerës”. Elena mundohet kështu që të mbush boshllëqet e zemrës së saj me ç’të mundet dhe ‘‘që hyjnë si një refren i shkurtër gazmor në mes të një melodie monotone”, ku i ndërthur me takimet e bashkëmoshatarit të saj Klitit, por edhe më shumë, duke dërguar çdo ditë lule tek varri i të shoqit. Nostalgjia te ajo është kalimtare, e nuk i bëhet brengë. Jeton dhe shijon aq sa i premton mosha dhe aq sa i duhet. Kjo është Elena me gjithë vështirësitë e jetës së saj plot tallaze, me largimin e fëmijëve, humbjen e bashkëshortit, ekzistencializmin. Në fund të tregimit, Elena zgjohet dhe sikur rrezaton shpresa të reja. Por ajo nuk mjaftohet me të shkuarën e saj. Dëgjon tingëllimën e telefonit dhe mendon për fëmijët, për rrugën e së ardhmes që ecin ata. “Fëmijët me krahët si zogjtë e forcuar, kishin fluturuar në të tjerë qiej” – shkruan autorja. Ndaj autorja vë në gojën e Elenës edhe këto fjalë: “Koha që tjetërson gjithçka, lastarët i bën lisa, djelmoshat burra dhe vashëzat gra”. Ndaj sikur kënaqet në vetëmjaftueshmërinë e saj. Ëndërra që sheh shpirtin e vet si një shpend, i hyn e i del kraharorit dhe përmbyll profilin e saj të vetmjaftueshëm.

Jeta pulson me ritmin e kohës, dhe këto përmasa ndjesore sikur ja zbusin sëmbimet e dhimbjes. Ç’hapësira paska për dhimbjet koha kur kalon, sepse jeta ecën, vazhdon, e kurrë nuk ka vetëmjaftueshmëri.

*   (Lida Lazaj në tregimin “Profil vetmjaftueshmërie”)

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Profil vetmjaftueshmërie”, Lida Lazaj. Tregimi, Pellumb Gorica

THESARET ANTIKE TË SULOVËS

May 31, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi e mirë për të shfletuar faqe pas faqe “librin” e thesareve të saj, sidomos kur udhëton për herë të parë këtyre anëve. Kjo krahinë shtrihet në një reliev të copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, përrenj, dhe vendbanime me peizazhe magjepsës. Sapo shkel këtu përshëndetesh nga reflekset e rrezeve të diellit, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit mitik të perëndive të lashta, Tomorrit. Me Tomorrin përballë ke në vetvete një ndjesi plotësie dhe sigurie, pse jo edhe të një krenarie të brendshme që je kaq pranë tij. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë, e cila të godet bukurisht në këtë zonë ende të virgjër të Shqipërisë. Themi të virgjër pasi Sulova nuk është studiuar si duhet. Ajo përmban në vetvete dëshmi antike të kulturës së lashtë, thesare të qytetërimeve të vjetra, por edhe të mëvonshme. Veç historisë në trevën e Sulovës ndesh tradita, që s’i gjen gjetkë, tradita që kanë origjinë të hershme, ndoshta edhe mesjetare e përtej mesdhetare, në thelb të mira, me filozofi dhe mençuri brenda, me shpirt dhe një sinqeritet. E përmendim këtë fakt si një krenari të banorëve të këtyre anëve, si një pasuri që është ruajtur dhe pasuruar brez pas brezi. Dyert si dhe zemrat e banorëve të kësaj treve, janë të hapura, ato shndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin, muhabetin, këngët e rakinë.

                  Pamje që kërkon t’i shijosh thellë

Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha, që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, bashkudhëtar në këtë mëngjes vere, atje, në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe me shumë foto artistike. Kalojmë lumin Devoll që rrjedh në vazhdën e tij të stërlashtë ndërmjet brigjeve, diku pa u ngutur, diku i rrëmbyer e kumbues mbi zajet ngjyra-ngjyra. Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër, sytë prekin gjelbërimin e harlisur dhe ngrohtësinë e stinës. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara në qiell, pak nga pak iu zënë sytë rrezeve të diellit që ngrihen lart. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule tingëllojnë këmborët e një tufe delesh si melodi plot emocion.
Makina gjarpëron në rrugën plot kthesa malore, që herë i le vendbanimet në krah dhe herë kalon afër tyre. Secili nga këto vendbanime paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër: Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja. Me shtëpitë çatikuqe të zhytura mes gjelbërimit, janë shumë tërheqës. Tokat e parceluara janë të mbjella me rreshta të drejtë e të ndarë nga njëri-tjetri me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: dardhë, qershi, mollë, shegë, ftonj, kumbulla, rrush. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mendja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frytet e prodhimit. Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet natyrore, shto këtu edhe ato historike, impresionet janë të fuqishme, vetvetiu ndjen paqe e kënaqësi në shpirt.

                        Imazhe trishtuese

Ndërsa endesh nëpër këtë trevë të bukur, ndjen një mungesë të theksuar të kujdesit nga shteti. Infrastruktura rrugore është ajo e socializmit, madje në disa fshatra edhe më keq. Një pengesë për rrugët është edhe mosinteresim i pushtetarëve, me mendimin se ç’duhen rrugët atje kur fshatrat malorë po boshatisen.Mungesa e rrugëve ka sjellë një sërë problemesh ekonomike, por edhe sociale. Prodhimet nuk tregtohen, pasi tregu është larg, shkollat janë boshatisur, ambulanca shëndetësore nuk ka më. E vetmja rrugë mbetet braktisja e fshatit, ikja në qytete. Por edhe kjo tani është vështirësuar, nuk iket më me“xhaketë në krah”. Në pamundësi për të nxjerrë fitime me mënyra të ndershme, shumë njerëz u janë turrur pasurive natyrore, duke i shfrytëzuar barbarisht ato. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegia e tij dhe gërryerjet e tokës, një masakër që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit të kësaj zone.
Ndalojmë paksa për t’u çlodhur. Peizazhi është tepër trishtues. Kemi përballë një pamje rrëqethëse ku pylli është djegur, e diku më tej është rrafshuar nga prerjet. Një plagë e hapur që ndoshta edhe shekujt nuk do ta riparojnë dot. Një gjurmë rruge, krejtësisht e përpjetë, nëpër një peizazh gjelbërimi të harlisur, të çon në majën e kodrës më të lartë të Sulovës (980 m).Ndalemi në një burim, ku freskohemi, dhe thithim ajrin e ngarkuar me aromën e luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh: lis,frashër, panjë, akacje, mëretë, shkozë, etj kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra që nga thëllëzat, turtujt, mëllenja, guhaku, shkurtëza, murgëza, bilbili, qukapiku, sorra, skifteri, bufi, lepujt, derrat, dhelprat, ujqërit etj.

               Hap pas hapi në gjurmët e toponimeve

Përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti, i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron për vendet ku kalojmë, për vendbanimet anës rrugës e për çdo gjë tjetër. Si njohës i mirë i trevës, Petriti ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, njerëzit, virtytet e sulovarit ndër breza. “Ajo që të bën përshtypje në krahinën e Sulovës – të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Kohërat me luftërat rrënuese, epidemitë vdekjeprurëse, hasmëritë, ndryshimet sociale me largimet kanë bërë të vetën. Por toponimet, si besnike të historisë, kanë mbetur. Pa u marrë më shumë me etimologjinë e tyre, në shumicën e tyre kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra.
Kalojmë në pjesën juglindore të kodrës ku mendohet se ka pasur një liqen të vogël, vendi tani ka emrin Liqedhës. Ai duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (dheut) që përdorej për punishtet e qeramikës në qytetin antik të Kodrionit. Me kalimin e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera, por ruhet forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe. Dikur këtu jeta njerëzore ka lulëzuar, por sot ka pak gjurmë nga e kaluara e hershme. Siç ndodh me shumë vendbanime malore në Shqipëri edhe në këtë trevë është përhapur braktisja e vendbanimeve, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e Irmajt. Heshtja i ka mbuluar shtëpitë, arat, pyllin. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve në kërkim të një jete më të mirë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket, gjë që të bën të ndjesh keqardhje për këtë vend të braktisur nga papërgjegjshmëria e një kujdestari të pakujdesshëm dhe indiferent që quhet shtet.

              Shekujt, arkivë e historisë së këtyre trojeve

Nga kjo kodër e lartë ku jemi, nën këmbë kemi rrënojat e Kodrionit të lashtë, ndërsa vështrimi tej e rrok krahinën e Sulovës, Nahijen e Beratit, Vërçën, Shpatin, Tomorricën nën këmbët e malit Tomorr. Për studiuesin Petrit Basha, kjo kodër duhet kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa të mos i mbulojë me pluhurin e saj. Fatkeqësisht qyteti antik i Kodrionit dhe Kalaja e Irmajt po shndërrohen në rrënojë nga disa sharlatanë që kërkojnë ar.Të shkatërrosh, do të thotë të zhdukësh një vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh, ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po humbasin terren. Shëtitim mbi rrënojat e qytetit të Kodrionit të Dasaretëve të lashtësisë. Sipas autorëve antikë, Dasaretët banonin në një trevë të gjerë rreth liqenit të Ohrit, fusha e Korçës, krahinat e Kolonjës, Gorës, Oparit, Mokrës, Devollit, Skraparit, Tomorricës, Sulovës, Beratit dhe ishin të përmendur si bujq e blegtorë të mirë. Qyteti i harruar në përjetësi, i shkatërruar e i braktisur në kohëra, mendohet se është 2400-vjeçar. Ky fakt përmendet nga studiuesit Frano Prendi e Dhimosten Budina.
Për këtë qytet Petriti tregon se është themeluar në shek. IV–III p.e. sonë dhe ka vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Ka pasur lidhje me qytetet antike të Apolonisë, Dyrrahut, Amantias, Antipatreas, Bylisit, Pelionit, Dimalit etj. Gjatë gërmimeve janë gjetur tjegulla kolyptere, amfora, pitosa, pjata, kupa dhe solene, kandila vaji,etj; enë metalike, vegje enësh, kova, kullese bronzi, fibula bronzi, varëse zbukurimi. Në qytetin antik të Kodrionit janë gjetur edhe monedha të Apolonisë,Dyrrahut,Aleksandërit të Maqedonisë etj.
Shkelim në toponimet Erciros, Hija, Mullezë, Murza, Gropa e Thanës. Secila ka ndonjë histori. Psh, për kodrën Kunjëza e Madhe thonë se kur luftonte armiku që ishte jashtë mureve të Kalasë, nuk i shihnin dot se sa ishin aty brenda, ndaj për t’i parë, ngritën këtu këtë maj kodre si kunj. Në shpatin e pjesës jugore të kalasë gjendet një toponim tjetër interesant, Gjurma e Mushkës, ku në dy gurë të mëdhenj janë gjurmët e goditjeve të patkoit të kalit.
* * *
Historia shumë herë tregohet nga dëshmitë e gjalla, gurët, muret, mënyra e ndërtimit të tyre, që flasin shumë. Fragmentet e mureve të kalasë së Irmajt qëndrojnë në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i drurëve të lartë e të dendur. Ajo ndodhet 980 m mbi nivelin e detit. Historia e saj humbet në mjegullnajën e kohërave, rrethuar nga pëshpërima historish gojore e legjendash, të cilat janë të shumta. Shumë pak është shkruar për të dhe muret ciklopikë, me gurë të vendosur në radhë njëri mbi tjetrin. Mure të ngjashëm, dhe po aq madhështore i hasim edhe në Daoroson (Hercegovinë) në Medun (Mal të Zi), por edhe në Tirsës afër Mikenës. Këta mure janë ndërtuar prej shekullit XIII para krishtit dhe ndoshta më herët. Por nga kush janë ndërtuar do pyesnim? Arianët do kishim thënë, Kurganët, një tezë e besueshme se nga “kur” në “gur”, ku “G” është bërë “K”. Pra këta kurganët (gurmanët), ndërtuesit e mureve prej guri, dolën prej brigjeve të detit Kaspik rreth vitit 2000 para krishtit. Ata erdhën edhe në Ballkan e shkuan deri edhe në Skoci. Njëherë shkatërruan çdo gjë, por pastaj ndërtuan. E dyta hipotezë; para se të vinin Kurganët, i gjithë Ballkani ishte popullsi e ardhjes së Skitve të bardhë, që pa dyshim ishin pellazgët rreth 500 vite para Kurganëve, që edhe këta vinin nga ato vendet e Kaspikut. Mirëpo kemi edhe një popull tjetër para tyre, ishin Kimerianët, të cilët kishin ardhur pas Hiberve të lindjes e që nuk qëndruan kohë të gjatë në Ballkan. Ata ikën në Apenine e që andej në gadishullin Iberik. Të gjitha këto migracione të tri shtresave që i përmendëm, kanë ndodhur prej 2700 para krishtit e deri më 1900 para krishtit, kur erdhën edhe nga Anatolia popuj të tjerë. Nuk ka mundësi që këta të kishin ndërtuar këto mure, sepse qëndruan vetëm tre shekuj, por, nga pozita gjeografike e Sulovës përputhet kjo teori me kohën e Deukalionit që pushtoi Greqinë e sotshme. Ai ishte persekutuesi i pellazgëve që kishin ardhur para 400 vitesh (-1900 para krishtit) nga Anatolia dhe ndoshta këto mure janë të kësaj periudhe, prej 1400 para krishtit e deri 1200 kur ndodhën invadimet doriane drejt Mikenës e ishujve Egje. Pra, janë këto tri mundësi, pa e harruar edhe tjetrën, se populli më i vjetër në Ballkan si autokton duhet të ishin Lapitët dhe Molopët, por, tepër interesante është se edhe këta ishin armiq të përbetuar të pellazgëve të ardhur nga Anatolia, dhe me disa sulme që morën i ndoqën tej Thesalisë. Studiuesi Mathieu Aref mendon se edhe këta ishin pellazgë. Lapitët ishin malësorë shumë të ngjashëm me Hiberët, pra nga ky grupi i parë i migracioneve që një pjesë e tyre vijoj rrugëtimin drejt Italisë së sotme, arriti në vendin e Baskëve, ku për nga veshjet popullore kanë ngjashmëri mes baskëve dhe labëve. Të gjitha sa thamë më sipër, për pozitën gjeografike të Sulovës, janë të mundura, edhe ato të kohës kur ndërtoheshin muret ciklopikë.
***
Në hapësirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet dhe mrekullitë rreth e rrotull, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mbyllet me drekën tradicionale të njerëzve të mirë të Sulovës, që edhe këtu nuk harruan “rakinë me opingë” me “dollinë sulovarçe”, që zë emër për emër, që përmend e ngre shëndete për të vegjël e për të mëdhenj, për të afërt e për të largët…

Filed Under: Histori Tagged With: Pellumb Gorica, TË SULOVËS, THESARET ANTIKE

‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT …

May 17, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/

Një ndenjë e bukur dhe e këndshme kënaqësie e shoqëroi udhëtimin tonë drejt juglindjes, mes një grupi miqsh të penës, me të cilët shpesh jemi të pandarë në takimet letrare. Mëngjesi gëzimdhënës, plot dritë, por edhe me aromë kundërmuese lulesh gjithfarësoj. Udhëtojmë luginës piktoreske të Shkumbinit plak. Malet, me madhështinë e tyre, e rrethojnë luginën e thellë. Thyrjet e relievit, diku me një ashpërsi tërheqëse, e diku të mbytur nga deti i gjelbërimit të drurëve të lartë e të shumëllojshëm me blerimin e harlisur, i japin një bukuri të veçantë. Pa fjalë një natyrë e magjishme shqiptare!

Kalojmë Elbasanin, Librazhdin, Përrenjasin. Makina duket sikur fluturon në peizazhet interesante, që të emocionojnë për çdo metër udhëtim. Herë pas here shfaqen e zhduken vendbanime të vogla, të shtrira në shpate kodrash. Po gjithsesi, me gjarpërimet  e saj është një rrugë që ecet shpejt dhe këndshëm. Ajo kalon ngjitur rrjedhës së stërlashtë të lumit Shkumbin, gurgullues e i kaltër si një shirit argjendi, me vërshimin e ujrave drejt detit Adriatik.

Në liqen mahnitja dashuruar

Kur kalon Qafën e Thanës, një ndjesi e këndshme të kaplon si asosacion me malet e hirta në horizont, të mbuluara me qeleshen e bardhë dhe liqenin e Ohrit. Një peizazh magjeps si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite. Mes qiellit e tokës, ky liqen, një bukuri që natyra e krijoi, zemër e bukurive të Ballkanit. Re puplore era i lodron në hapësirën qiellore. Dielli, duke i sfiduar ato me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyeheshin në liqen, e reflekton mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Kur vjen këtu në një ditë të tillë, e shijon më bukur prarimin magjik të liqenit, dhe natyrën rrethqark tij. Ndaj me syrin e aparatit fotografik e përjetojmë këtë peizazh të shushurimës së patrajtshëm të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos pasqyrën liqenore. Kodrat, malet, vendbanimet, si roje, i shtrohen në gjunjë. Qytetet e Ohrit, Strugës, Pogradecit, por edhe perlat turistikë: Shën Nauni, Lini, Driloni etj, me peizazhet e tyre të mrekullueshme, të mahnitin veçanërisht në ditë të kthejllta qiellore. Natën, dritat e tyre vezullojnë si yje uji në liqen. Lini, me shtëpi të ngjeshura rreth kodrës, të rrethuara me pemë të llojeve të ndryshme, të magjeps me pozicionin e tij tërheqës. I shoqëruar me peisazhin piktoresk buzë liqenit ai ngjason si një vapor i ankoruar prej kohësh. Ecim drejt Pogradecit, qytet i vendosur në skajin jugor të liqenit. Tablotë e natyrës kalojnë me radhë. I soditim këndshëm, duke thithur ajrin e freskët të stinës. Aty këtu shfaqen shtëpi dhe lokale midis mozaikut të kulturave bujqësore, dhe pemëve frutore të gjelbëruara. Buzë liqenit bari mbulon tokën si qylym i blertë. Bregut në ca kallamishte nositët cicërijnë. Valët numërojnë njëra-tjetrën në breg me një shushurimë të lehtë. Tutje ca varka lëkunden në sipërfaqen e pastër të ujit. Peizazhi tërheqës e piktoresk i  qytetit të Pogradecit, të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kam pasur rastin të vizitoj qytetin e Pogradecit shumë herë në fillim të viteve ’90, ndaj dhe shumëllojshmëria e objekteve të memories me kujtimet e asaj kohe, kaq natyrshëm më rrjedhin si ujëvarë. Godina të pakta disa katëshe, rrugë të shkatërruara, parqe të rrënuara, dritat e venitura… Qyteti sot më shfaqet më i mrekullueshëm e impresionues si një kartolinë shumëngjyrëshe. Ndërtimet e vjetra ndërthuren me simbolet e reja të zhvillimit modern të këtij qyteti. Pallate shumëkatëshe me modele të ndryshme arkitekturore, lokale, skulptura, parku, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë të tjerë dekorativë.

Shijojmë me ecjaket tona pastërtinë, ngjyrat, flladin e liqenit. Koloriti i ngjyrave të stinës i jep një tjetër hijeshi Pogradecit.  Rugët e qytetit gumëzhijnë nga lëvizjet e vizitorëve. Pogradecarët, banorë të dashur e mikpritës ndjehen të lumtur që janë nga ky vend kaq i bukur, e me trashëgimi të pashtershme kulturore, historike dhe fisnikëri vlerash, që meritojnë pa dyshim respekt. Ata krenohen me qytetin e tyre, dhe figurat e njohura të tij. Liqeni, jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, por, është një lloj pasqyre për Pogradecin dhe bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve nacionaliste, atyre u pëlqen ta emërtojnë liqenin me emrin e qytetit të tyre. Monumenti i Lasgushit, i ngritur fare pranë liqenit me vështrimin nga ai, plot hir dhe pak metra më tutje i Mitrush Kutelit, dy korifejve të penës, bij të këtij qyteti, përbëjnë simbolet e Pogradecit. U ndala pak çaste, buzë liqenit, atje ku valët e tij e flladitin fytyrën time të emocionuar, por edhe Lasgush Paradecin me Cucin, qenin e tij.  Liqeni dhe Lasgush Poradeci identifikojnë njëri-tjetrin. Duke e kundëruar Pogradecin, malin e Thatë, liqenin, që llokoçit valët lehtë në breg, të kumbojnë vargjet e Lasgushit,  kur derdh dhëmbjen për plagët e nositit:

“Un’ ik liqerit zemërak 
Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,
Dh’ u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari.

Liqeni i shkretë e rrit tallazi porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Magjia ka zbritur në Drilon

Të shkosh në Pogradec e të mos vizitosh Drilonin është sikur të mos kesh ardhur fare aty. Kjo sepse Driloni është një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare. Ky vend, që dikur  quhej një “mollë e ndaluar”, sot është një mrekulli për t’u shijuar nga gjithkush. Ai ka një panoramë qetësuese të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë, dhe me shtrirje përgjatë ujrave të kristalta e të qeta. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja është ë vështirë, sepse imazhet të rrëmbejnë befasishëm. Kundërmimi i luleve, romantika mahnitëse sa reale, dhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit, shto këtu përjetimin e pllaquritjes së pulëbardhave, të peshqve të veçantë, që marrnin shikimin e vizitorëve të shumtë, dhe varkave të vogla, apo simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pemë, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia. Ajo të pushton aq shumë mes këtij pejzazhi tërheqës, duke të bërë gati të dalldisur me ngjyrat, aromat, freskinë… Nën rrezet shëndritëse të diellit ujrat e freskëta dhe hijeshia e natyrës të jep kënaqësi ripërtëritëse. Është peisazh i bukur, por, që e humbet atë kur dëmtohet. Përballë këtij peizazhi të bukur e të mirëmbajtur spikatin ndërtimet e vjetra, por e trishtuar është ajo që vështron buzë liqenit në Tushemisht. Një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim me ndërtime të reja, e betonizim pa kriter buzë liqenit, duke e ngushtuar hapësirën e plazhit. Edhe pse me nota jete në zhvillim, ndërtimet e zbukurojnë këndshëm këtë vend, por vlerat nuk mund të kthehen kurrë në antivlera duke i shkatërruar.

E padyshim krahas të tjerave këtu nuk mungojnë bar kafetë, restorantet dhe hotelet me shije të ndryshme, të cilat ofrojnë pushime, por dhe zbavitje të këndshme. Kryesisht aty gjen një shërbim të kulturuar, dhe ajo që është me rëndësi, përkujdesjen e veçantë. Driloni është i preferuar edhe për gatimet tradicionale, sidomos të koranit, peshkut që gjendet vetëm në liqenin e  tij.

Në Drilon, në çdo stinë të vitit shijohet freskia e mëngjezeve, puhiza e mbrëmjeve,por mbi të gjitha mikpritja pogradecare.

– Driloni i mbushur me aromë natyre, të jep një ndjesi mjaft pozitive si një privilegj i së bukurës,- të thotë Besniku, bashkëbiseduesi dhe miku ynë pogradecar.

Driloni është një poezi që meriton të interpretohet. Këtu natyra të përkëdhel aq bukur, edhe kur qielli është gri, apo në ditët e dimrit me borë është më fantastik, aq sa të josh ta vizitosh atë përherë. Se ska si të ndodh ndryshe, në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare  gjithkush që e viziton e gjen parajsën e shpirtit të munguar.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘‘ LIQERI ’’ I LASGUSHIT, PARAJSA E SHPIRTIT, Pellumb Gorica

POETI QË S’KA KOHË PËR TË VDEKUR

May 12, 2016 by dgreca

NGA  PËLLUMB  GORICA/

Nexhip Bashllari në vëllimin poetik “S’kam kohë të vdes”/

Në vëllimin poetik me një titull, të cilin do e fut në kurth,“S’kam kohë të vdes” poeti i vargut plot mall e jetë, Nexhip Bashllari, i ledhaton krahët një lajtmotivi shumë domethënës, jo vetëm për krijuesit, por për të gjithë ata që janë rreshtuar në llogoret e jetës:  Poeti s’ka vdekje. Sepse edhe kur ajo e gjen fizikisht nuk e gjen kurrë shpirtërisht e moralisht. Poeti i fshihet vdekjes herë te një lot i sinqertë shoku dhe herë te një zukatje blete, herë te një fëshfërimë gjetheje, e herë te një iso kënge. Në tërë vëllimin rreh pulsi i jetës dhe për poetin s’ka as moshë, as lodhje e as vdekje. “Kur hapa sytë ishte bërë mëngjes/ I thashë vdekjes : S’kam kohë të vdes”.

Poeti nuk përpiqet të maskohet me sforcime, por ai merr një arrati të pranueshme, për t’u mbushur me më shumë nerv jete, e për të qenë sa më i denjë për një shoqëri, që ta meritojë ai, e ta meritojnë atë. Atë e ka thithur jeta deri në intimitetet më të padukshme, sepse ai është njerëzor, është i zoti të veshë këngën si “bërruc çobani”, por edhe të fluturojë në lartësi e të “përflakë shpirtin” me rreze diellore, ai di t’i bëjë thirrje erës “ta rrëmbejë me vete”, por di të derdhë edhe lot malli për strehëzën e tij, por edhe kur ai kthehet në fluid, kur e “fut vjeshta në brendësi“ të saj, ai nuk lejon askënd t’i prekë palcën, që e specifikon si qenie të gjallë: dashurinë për jetën. Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon plogështia apo pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj.

Nexhip Bashllari edhe pse e ka dashur dhe e do shumë jetën, nuk e ka lejuar kurrë atë ta marrë zvarrë e të tallet me të. Ai ka kënduar këngë me pleqtë, ka zbutur rakinë që e pinë ata në sofra, e ka pirë me ta gota të mbushur rrafsh, dhe na ngjan nga pak me Dritëro Agollin e me Omer Khajamin, gjithmonë brenda origjinalitetit të tij. Ai ka thithur ajër mali, e ka pirë ujë burimi, por asnjëherë s’ka lejuar të luajnë me dinjitetin e tij. Ai është kockë e fortë, i pangopur me gjithçka që i shërben njerëzimit e të ardhmes, ndaj ai rrallë edhe zemërohet, e vihet roje në shërbim të një jete të ndershme e nuk bën asnjë kompromis: “Vras e pres veç terr të zi/ I çoj djajtë në skëterrë”. Por kjo kockë e fortë, dorëzohet shpejt para mallit që ndjen për strehëzën e tij dhe ngre duart e kërkon falje: “Me përkundje nanuriste/ Më ke dhënë flatrim krahësh/ Që të ika të lashë vetëm/ Oh të lutem të më falësh”. Dhe ky mall që fryn në tërë librin si fllad mbi plagë, e bën nganjëherë dhe si antipod të gjithçkaje, e të duket sikur ecën kundra rrjedhës dhe kërkesave të natyrshme të jetës: “Më vriten brinjët/ në dyshek sfungjeri”. Por, prapë poeti Nexhip Bashllari nuk e fsheh krenarinë, që edhe ai me vargun e tij modest la gjurmë, e u shërbeu njerëzve. Vargu i tij gërryen zemra të sinqerta e i bën “lisat të ulin kryet”, e i bëhet shok një emigranti dhe provon ndenjat e tij të shkrirë me fatin e mijëra të tjerëve, dënon mëkatarët dhe e bën nënën që të derdhë lot, ndaj ai si poet ka një merak të madh:  Fjala të jetë e lirë si ajri i pastër i maleve: “Trupin le të ma digjni/  Mos ma digjni fjalën”.

Në shumicën e poezive të këtij vëllimi, poeti përgjithëson vlerat e së mirës, dhe gëzimit, duke shprehur ndenjat më të thella të shpirtit, dhe nuk është nga ata poetë, ku mendimi poetik i të cilëve rend fantazive, por i buron natyrshëm kënga, e që lexuesin e bën të meditoj bashkë me të. Poezia e Nexhip Bashllarit është e veçantë edhe përsa i përket metrikës, muzikalitetit, por edhe tempit e rimës, që të rrëmbejnë si pa u ndjerë e të fusin në larminë plot frymëmarrje të këngës popullore: “Bie të flesh e s’të zë gjumi/ Sa të zë të del dhe prapë/ Buçet mendja porsi lumi/ Dallgë fryrë trap më trap”.

Edhe në ciklin e poezive nga Kanadaja, poeti thekson me forcë atë që e bren, jeta bëhet më e bukur në vendin tënd, por çdo njeri, i çdo ngjyre e vendi qoftë, ka jetën e tij dhe e meriton ta jetojë atë  kudo, dhe sipas koncepteve të veta.

Në zemrën e tij ka vend për të gjitha edhe për “retë e ndezura nga dashuria rinore”, edhe për manushaqet, që mezi dalin nga fund-dimri, edhe për guguçen faqehënë, edhe për puthje gjethesh fëshfërimë vjeshte. Duke qenë i shkrirë natyrshëm pa qibër, me natyrën, me shoqërinë, me brengat dhe gëzimet, me cinizmin dhe sinqeritetin, poetin është vështirë ta kapësh, është vështirë ta gjejë edhe vdekja pa lëre më ata që nuk i duan të mirën. Ndaj ai deklaron pa mburrje : “Të më gjeni s’është e mundur/ S’ju mjafton e gjithë jeta”.

Në këtë vëllim në çdo varg jeta sfidon vdekjen. Ndaj, poeti duke bërë thirrje ta duam jetën, nuk harron të kujtojë se ka dhe vdekje. Edhe loti bleron-thotë poeti. Edhe te malli që përlot, jeta gjen vitalitetin e saj. Por, specifika e poetit qëndron në atë se ai jep një këshillë shumë të vlefshme për vdekjen: të mos kujtohemi vetëm kur vdes ndonjë i afërm. Njeriu jeton me vdekjen çdo ditë, por merita është se di ta sfidojë atë. Ndaj poeti di të bëjë shumë mirë edhe balancë jete: “Si jam ndjerë tek kjo botë/ Nga u nisa e rrugë mora/Nga ç’kam bërë çfarë ka mbetur/ Ç’farë kam mbjellë dhe ç’farë korra”.

Dhe njeriu që di të bëjë bilanc nuk humbet kurrë. Vitet që vijnë i zbulojnë veç shkëlqim të ri.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nexhip Bashllari, Pellumb Gorica, POETI QË S’KA KOHË PËR TË VDEKUR

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT