• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRMENDORET E PANGRITURA TË MASAKRAVE SERBE NË DUMRE

April 2, 2016 by dgreca

  Kujtese historike/

NGA  PËLLUMB  GORICA/

Historitë e masakrave ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit të kaluar janë ende të paharruara. Aq të pashoqe ishin këto sa nuk mbetën pa u vënë re nga udhëtarët e studiuesit e huaj, duke përmendur fakte interesante me vërtetësi, të cilat i bën të njohura. Ato kanë vlerë të madhe historike, sepse e shkruara mbetet. Veçse është e pamundur që në një shkrim modest të shprehesh me hollësi, por shkurtazi do të paraqesim disa nga këto momente.

Një fillimshekull tragjik

Trojet tona kanë vuajtur gjithmon nga pushtuesi. Ndonëse e kanë copëtuar dhe grabitur shekujve, si një trup i plagosur kanë lënguar gjithmonë. Pas Shpalljes së Pavarësisë, ekzistenca e shqiptarëve qëllimisht po tkurrej me shkëputje të trojeve të tjera, dhe rreziku u shfaq më shpejt se sa mendohej. Kjo periudhë e fillimshekullit të kaluar ka qënë një nga momentet më të trishtuara në historinë shqiptare, e cila nuk mund të kalohej pa lënë gjurmë. Drejt trojeve tona u derdhën kafshimet e bishave që na rrethonin, të grekëve në Jug, bullgarëve në Lindje, serbo-malazezëve në Veri-lindje. Krahina të tëra shqiptare u kërcënuan nga mësymjet e tyre pushtuese e shkatërruese, me  ngjarje të hidhura. Sidomos në ditët e para pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e cila shënoi edhe momentin kyç për krijimin e shtetit shqiptar, situatat u rrokullisën me një shpejtësi të madhe. Shteti i sapo krijuar shqiptar, në terësinë e tij të brishtë territoriale ku shtrihej, po krijonte institucionet, të cilat punuan për hapjen e shkollave, postë telegrafisë, të strukturave ushtarake, e xhandarmarisë, etj.  Ndërkohë, Qeveria e Përkohshme e Vlorës e nisi veprimtarinë diplomatike për të njohur Shqipërinë në Europë. Ajo protestoi pranë Fuqive të Mëdha kundër monarkive ballkanike të etura për cënimin e kufijve të Shqipërisë.

Forcat serbe kishin pushtuar Kosovën dhe shumë krahina në Veri të Shqipërisë, po me inkursionet e tyre në fund të vitit 1912, dhe fillim të vitit 1913 kërcënuan edhe Shqipërinë e Mesme. Erdhën tek dera siç thonë shqiptarët. Serbët kërkonin pushtimin e territoreve deri në Shkumbin, duke bërë edhe reprezalje të panumërta në popullsinë e pambrojtur. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën një varg ngjarjesh të rënda. Përshkrimi i imtësishëm i tyre, përmasat, dëmet, natyrisht janë të dokumentuara me kohë, ku janë shkruar në studime, libra, veçse këtu me anë të disa fakteve kuptimplote, të rrëfyera nga histori të shumta gojore prej bashkohësve, trasmetuar brez pas brezi, na mundësojnë t’i përmendim. Një kujtesë kokëforte, e ngjeshur ngjarjesh, e dhunshme që të kujton krimet e shumtuara të ushtrisë serbe, si gjithë ushtritë fqinje me orekset e tyre lakmitare.

Edith Durhami, kjo, njohëse e trojeve tona, dhe një mike e madhe e kombit tonë, bëri të mundur ndërkombtarizimin e çështjes shqiptare në botë për të thënë të vërtetën e hidhur ndërmjet përshkrimit të gjallë të këtyre ngjarjeve barbare. Le të citojmë disa radhë nga botimi i saj, “Njëzet vitet e trazirave të mëdha”

“Gjatë kësaj kohe Shqipëria ishte e shqetësuar për vdekje. Serbët dhe Grekët si do që ishin ngopur me gjak kërkonin të thithnin edhe gjakun e saj. Nga krahinat e pushtuara na vinin lajme të dhimbshura mbi mizoritë e panumërta që bënin si serbët dhe malazezët në popullsinë shqiptare. Në lezhë duke kaluar nëpër fshatrat e djegur dëgjova rrëfime macabre të serbëve. Në Krujë merrnin njerëz nga rruga dhe i varnin pa gjyq. Pothuajse pesëdhjetë vetë e patën këtë fat. Oficerët serbë përgjegjës për këto mizori ishin Dragoslav Voivoniç dhe Dragoljub Petroviçi. Në Tiranë dhe në Elbasan gjenden mijëra njerëz të shkretuar, me këmbë të copëtuar dhe të këputur nga rruga. Ata janë dibranë e lumjanë të ikur prej barbarive të shkaktuara. Në Kavajë dhe në Peqin mësuam për masakra të tjera serbe.  Dhe në vend që t’i mbulonin krimet e tyre, serbët përkundrazi mburreshin me këto dhe vazhdonin të thërrisnin: Vdekje shqipëtarëve!.

“ Gjëra të tmerrshme po ngjajnë. Unë po tmerrohem para tyre… nuk dua të them më gjatë, por Luma u shua krejt. Në ato anë nuk shikohet gjë tjetër veç kufoma dhe hirit.” Letra e një ushtari serb në fletoren “Radniçkë Novinar.”

Një përmbledhje të shkurtër, të këtyre ngjarjeve, i trajtoi edhe Lef Nosi  në “Dokumentet historike”. Ky botim i rëndësishëm, që është bërë i njohur vetëm pas viteve ’90, tregon për këtë periudhë të vrullshme, ecuritë kronologjike të shtrira në kohë e hapësirë, figura patriotike qoftë të njohur, por edhe pak të njohur, gadishmërinë e tyre në shërbim të çështjes kombëtare, dhe vet historinë tragjike shqiptare, të këtij fillimshekulli. Këto Lef Nosit ja mundësonte qenësia e tij në detyrën e Ministrit të parë të Postë Telegraf në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe si një intelektual i mprehtë, i gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Po sjellim tekstualisht një pjesë nga libri në fjalë i tij, të korrespodencave të kohës, për të dhënë sadopak atmosferën e kësaj periudhe.

“ Vlonë, 16 Vjeshta e Tretë 1328-1912

 Me anë të zyrës telegrafike t’Elbasanit

 Komandantit Serb Gjeneral Metoviçit

 Tyke qenë se gjithë Mbretniët e Mbretnia e Juej e pohojnë qenjen kombëtare të kombit Shqiptar, edhe ai e ka shpallë Indepedencën e Tija e i  ka njoftue zyrtarisht Mbretnivet të Mëdha, Mbretnivet të Ballkanit dhe Ministriës së Punvet të Jashtme të Serbiës, marr vesht ndashti, se Fuqia Ushtarake qi asht ndën komandën Tuej, po ecën përpara e ka vu mend me Shkelë Elbasanin. Asht e ditun se sikur shkelja e tokës Shqiptare asht kundër së drejtës, asht edhe shkelja e Elbasanit prej Jush do me thanë se kërkoni me i nngelë mbë qafë nji vendi independent, i cili nuk dishron me luftue me Serbiën. Protestoj vepërimin Tuej edhe lutem të prapseni nga ky vepërim.

 Kryetari i Qeverriës së Përkohshme Indepedente Shqiptare

 Ismail Qemali”

“Berat, 14 Vjeshta e tretë 1328-1912

 Shërbesë telegrafike me randësië të madhe e urgjente Shkëlqesiës Tija Ismail Qemal Beut Vlorë

 Sikurse ju tregova edhe ma parë, ushtria qi asht tyke ardhë pa pushim, nuk asht vetëm ajo e Trupit Ushtarak të Vardarit, por ashtë edhe e fuqiave të ndryshme. Numri i saj si duket, nuk asht sikurse ju asht thanë… Ndo nga vështirësia e mulkimit të nji shumice të jashtëzakonshme qi shtohet përditë, ndo nga vrevat e rreziqet qi mund të lejnë, pa dyshim nuk e shof në sigurim vendin. Lutemi me na tregue ç’duhet të bajmë edhe presim ma parë nga Zoti e pastaj nga Shkëlqesia e Juej, qi të shpëtojmë nga këto vreva e nga këto rreziqe. Aziz Vrioni”

“ Elbasan 19 Vjeshta e Tretë 1328-1912

Të Naltës Kryesië të Qeverriës së Përkohshme Shqiptare Vlonë

Pas të thanmes s’Ahmet BejMatjes, i cili erth këtu, populli i Lumës edhe nji pjesë e Malsiës së Dibrës qi asht njitë me të, të ndezun nga hymja e Serbvet në Lumë me vrasje e me djegje shpiash, i kanë ndenjun kundër edhe kanë vramë afro gjashtë batalione ushtarë. Fuqiën tjetër qi ka mbetë e kanë shporrë e largue nga Luma tyke pushtue edhe disa topa e mitraloza. E ranmja e Serbvet më qafë me këtë mënyrë, nji populli qi nuk do me qënë në luftë me ‘ta asht kundër detyravet njerzore e të Drejtës Ndërkombëtare. Mirpo nji sjellje e këtillë kundrejt nji popullsie të Shqipniës sikurse asht Çermenika – qi nuk i uka bind e shtrue kurrë regjimit të parë – mendojmë se do të shkaktojë nji situatë si ajo e Lumës. Këtu, pa ditë gja Qeverria e Vendit, ushtarët Serbë po vijnë nga dhetë e nga tridhetë edhe sot a nesër pritet nji fuqië ushtarake, numrin e së cilës nuk e dimë.

 Pasi situata e sotme asht tepër e padallueshme, lutemi qi tyke bame me të shpejtë hapa dipllomatike përanë kabinetevet, t’i epet nji përfundim i shpejt i çashtjes edhe të merren masa sa ma shpejt, qi ushtria Serbe të mos e konsiderojë popullin e kësaj ane si armik e si Ottoman, edhe të na bani me ditë.

 Kryetari i Qeverrisë se Përkohshme të Shtetit

Indepedent të Shqipnisës n’Elbasan

 Aqif Pashë Biçaku”

Përballë rrezikut që kanoste invadimi i forcave pushuese me qëllimet e tyre shkatrrimtare u ngritën patriotët mes një lufte të brendëshme të elementëve antishqiptarë. Në Durrës ushtria serbe jo vetëm pushtoi qytetin dhe rrethinat, por burgosi dhe torturoi dhjetra patriotë. Pamjen tragjike të këtyre ditëve në Durrës e përshkruan shkurt patrioti durrsak, Stefan Kaçulini në gazetën “Liri e Shqipëris” botuar më datë 30 nëndor 1912:  “Durrsi masi i pa Serbt te dera e shpis, mendoj t’i dërgoj një deputacion te komandanti i ushtrisë , për me i lajmëru se Serbia po shkelte tokën e flamurin e Shqipëris dhe jo të Turkis, tuj ju lutë t’ndaloj operasionin deri sa t’ merreshin vesht. Serbët ju përgjigjën; Ne kemi shumë ditë qi e kemi marrë këtë rrugë dhe se kemi urdhën, t’mrim ja gjallë ja vdekë n’Durrës e ne nuk njofim ndonji Shqipni vetqeverisun. Mos me shku më gjatë, kalorsia e Serbiëve mriti n’Durrës më 29 arriti ushtria kamësore e urdhërume nga komandanti Boliç…”

             Historia e harruar e masakrave serbe në Dumre dhe Sulovë

  Me veçantitë e tyre, ngjarjet kryesore kanë përshkrime interesante, por edhe për të tjera pak të njohura, e të trazuara nuk duhet heshtur. Në konteksin historik paraqet interes për t’u trajtuar, mungesa e shkrimit të historisë, të disa ngjarjeve e momenteve të veçanta që kanë ndodhur. Ndonëse ka kaluar një shekull, për këto ngjarje të rënda me krimeve të shumtuara të ushtrive serbe ndaj popullsisë së trevave të Elbasanit, që kujtesa historike është akoma e freskët dhe kokëforte, mjegulla e harresës për fatin e mirë nuk mund t’i lerë në heshtje ato dhe t’i anashkalojë. Historianët e trevës në fjalë janë përpjekur të sjellin fakte të hulumtuara për këto zhvillime, por më shumë rreth masakrave barbare të shkaktuara nga serbët në Allajbeg të Dumresë dhe në Linas të Elbasanit, të cilat janë vetëm një kapitull i vogël ngjarjesh në territoret shqiptare. Është për të ardhur keq që historiografia e Shqipërisë deri në fillim të viteve ’90  nuk dihet për ç’arsye, edhe pse shkroi dy rreshta rreth ngjarjes në Dumre, e deformoi vendndodhjen e saj në një vendbanim tjetër, ndërsa për ngjarjen në Linas të Sulovës nuk u ka kushtuar asnjë rresht!?. Kur historia dokumentohet, nuk ka më mirë dhe ajo nuk duhet të harrohet, por as nuk duhet të tjetërsohet, veç të përjetësohet.

Në një dokument që gjendet në Arkivin Qendror Shqiptar, dosja 4/1, faqe 101 shkruhet për një njoftim nga Gramsh, më 9 mars 1913, për kryesinë e Qeverisë së Vlorës “Ushtria serbe okupoi Prefekturën e Elbasanit në dhjetor të 1912. Serbët kanë arritur deri dy orë afër Gramshit”. Përballë kërcënimit u ngritën patriotët e trevës, duke hedhur kushtrimin për të grumbulluar trupa të armatosura vullnetare, si i vetmi mjet ndaj këtij rreziku të madh. Thirrjes iu përgjigjën të gjithë dhe çdo shtëpi dërgoi nga një luftëtar. Por, të shkruash sado shkurt për këto ngjarje duhet patjetër të përmendësh shumë patriotë, që me ndikimin e tyre të padiskutueshëm kanë luajtur rol të rëndësishëm në ngjarjet madhore të historisë tonë, ndaj nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohet kurrsesi kontributi i Aqif Pashë Elbasanit, i cili ka meritën e kushtrimit dhe organizimit të luftëtarëve nga treva e Elbasanit për t’i paraprirë uraganit pushtues serb. Natyrisht luftëtarët e krahinave të Dumresë dhe Sulovës së bashku me ata të Vërçës, Shpatit, e Darsisë së Peqinit nën drejtimin e Çeç Cërrikut, Beqo Gjinit, nga Sulova, i Hasan Hysës, Sul Zdravës, nga Dumreja, i Musa Cakanit, Dervish Plakës nga Shpati etj, në kohë kishin zënë shtigjet, duke parandjerë rrezikun që u kanosej atyre. Të vendosur në kodrat e Cërrikut, Malasenit, Shtërrmenit, Gostimës, Shtëpanjës, serbët të komanduar nga gjenerali Metoviç kërkonin një rrugëkalimi drejt bregdetit për eleminimin e shtetit të sapo krijuar shqiptar. Ata bënë përpjekje të shumta për të vazhduar rrugën për në Berat e më tej në Vlorë po kudo u ndeshën me prita të banorëve. Luftëtarët nga Dumreja dhe Sulova, zunë kodrat e larta të Valasit, Broshkës, Gjyralës, Floqit, Banjës, Lumasit, dhe krijuan një brez mbrojtës me qëllim pengimin e përparimit të serbëve. Historitë gojore tregojnë se ata që morën pjesë në qëndrimin e përhershëm në pozicionet, nuk harrojnë të ftohtin e madh, shiun që nuk pushoi për javë të tëra, mungesën e ushqimeve dhe të tjera sende të nevojshme, e sidomos mungesën e armatimeve, por ishin mjaft të vendosur për të penguar serbët. Ndonëse qëndresa dhe pjesmarrja me sakrifica e përmendura të dumrasakëve dhe sulovarëve ishte e madhe, furia sebe me anë të ekspeditave ndëshkimore hyri në Dumre dhe Sulovë, duke shkaktuar masakra ndaj popullsisë. Le t’i bëjmë jehonë ngjarjes më barbare në trevën e Elbasanit, si ndër të shumtat në territoret shqiptare, të Allajbegut në Dumre. Çka ngjau në Allajbebeg të Dumresë i kaloi kufijtë e barbarisë.

Historiani nga Belshi, Shefqet Hysa në gazetën “Dumreja” mars 2006 shkruan rreth masakrës së Allajbegut: “Në javën e fundit të marsit 1913, ushtria serbe pas përpjekjeve që bëri, vendosi të sulmoi në drejtim të Belshit. Me topa gjuajti kodrat e Shalësit, Cërrikut, Xibrrakës për të frikësuar e terrorizuar popullsinë e krahinës. Këmbsoria serbe u prit me plumba nga luftëtarët e Dumres,  të grupuar në një cetë e drejtuar nga Sulë Zdrava, Hasan Hysa dhe Abaz Bali. Përplasja qe e ashpër, duke i shkaktuar ushtrisë serbe dhjetra të vrarë e shumë të plagosur. Plagosen edhe dhjetra luftëtarë nga Dumreja, ku vritet Kamber Xhemal Dervishi nga Belshi. Municioni i luftërarëvë nga Dumreja mbaroi dhe u detyruan të tërhiqen. Ushtria serbe e tërbuar nga humbjet vërshoi pas tërheqjes së luftëtarëve, duke bërë terror. Ajo hyri nëpër shtëpi e lagje të Shalësit dhe Belshit, duke djegur, plaçkitur bagëti, por edhe kapën e vranë burra e djem të rinj. Siç ndodh zakonisht në kushte të tilla banorët u larguan për të shpëtuar kokën në pyje nga kjo murtaje shfarosëse. Tmerri e terrorri që kishte shkaktuar ushtria serbe në gjithë zonën bëri që nuk guxonte kush të lëviste nëpër rrug, dhe kush kapnin e vrisnin në vend.Vranë disa prej tyre, por, edhe kapën shumë të tjerë, duke i terrorrizuar, të cilët i grumbulluan në kodrën e Monrës, dhe pasi zgjodhën më të rinjtë i nisën në shtabin e ushtrisë serbe të vendosur në Allajbeg. Atje i mbajtën tre ditë, duke i vënë të punonin për të hapur dy gropa të mëdha. Një pasdite vonë,  i afruan tek gropat, të lidhur dhe i qëllojnë me plumba njëherësh. Sikurse të mos mjaftonte kjo i shponin me bajoneta, një për një ashtu të vrarë. Nga dyzet burra, dy me plagët që kishin marrë nuk kishin vdekur, por shpëtuan, dhe në mbrëmje pasi ushtria serbe u largua, ata të lidhur në errësirën e natës më shumë zvarrë se në këmbë rrëshqasin drejt një përroi, ku gjenden nga barinjtë e fshatit Grykësh në gjëndje gjysëm të vdekur. Ata ishin Isuf Sulë Dervishi dhe Hasan Bejte Sina, të cilët panë me sy e vuajtën në shpirt atë masakër dhe e tregonin më pas. I mjekon mjeku Cane Hoxha nga Belshi, dhe pasi u shëruan e mbijetuan edhe shumë vite si dëshmitarë të  barbarisë ç’njerzore, që shkaktoi ushtria serbe në Dumre.”

Edhe pse e harruar nga historia, populli i Dumresë e përjetsoi këtë masakër në këngë:

“Aqif Pasha ka çu fjalë/ Po vjen servbi me taborrë/ T’i dalim para për ta ndalë/ Rrugën t’ja presim për në Vlorë/ Në Cërrik lufton nji çetë/ Serbi me top ata me dyfekë/ Lart në kodër në Allajbeg/ Serbi bëri një mysybet/ Dyzet djem lidhur në brez/ I theri i la të gjithë mbi dhet/  Ti o kral me gjithë ushtri/  Dogje Belëshin e bani hi/ Por Dumreja s’të la kurrë/  Që në Vlorë të rrëzosh flamurë/ E gjithë bota ta mësoj/ Ç’bani serbi në këto anë/ Vrau dogji e shkatërroj/  Të zaptojë vendin nuk e lanë.”

Pa hyrë në hollësi të tjera, të fakteve të përmendura më sipër, të kësaj masakre dhe dëmeve nga ana e serbëve, le të shkruajmë edhe për ngjarjen makabre të shkaktuar në mars të 1913 në Linas të Sulovës. Është tronditëse që pushtuesi zgjedh viktimat e radhës krejtësisht të pafajshme. Prej dëshmive historike të rrëfyera ne kemi shkëputur ato të treguara nga 75 vjeçari, Sadik Metushi, nipi i njërit prej atyre që u masakruan nga ushtria serbe në Linas të Sulovës. Natyrisht një rrëfim i interpretuar me emocionin e ngjyrave të kohës:

“Ishte mars dhe gjethi kishte çelur në pyje. Duheshin siguru ushqimet për ditë të këqija. Duhej të mbilleshin edhe arat. Xhaxhallarët  e mi dhe të tjerë nga fisi ynë kishin shkuar në pazarin e Beratit, të shisnin djath, duhan e lëkura bagëtish, të blinin sende të nevojshme, dhe  miell e misër farë për të mbjellë arat. Në Sulovë kishte ardhur haberi që vendit i kishin msy ushtritë e huaja, greku e serbi. Në Qafën e Blirit ushtarët serbë i kapën teksa po ktheheshin nga pazari i Beratit. Në mënyrë të rrufeshme pasi i kontrolluan, i vunë përpara, dhe duke i torturuar i dërguan në Linas, në breg të lumit  Devoll, në vendin e quajtur Dushku i Madh. Pastaj gjithçka ndodhi shumë shpejt. I masakruan barbarisht me thika e bajoneta, duke vrarë katër prej tyre: Ismail Osman Metushin, Hysen Braush Metushin, Kalem Braush Metushin, Sadik Braush Metushin. Por, Haxhi Sulo Metushi në çastin e kësaj gjëme shpëton në kacafytje e sipër me një ushtar serb, dhe si dëshmitar i kësaj ngjarje vjen në fshat, duke lajmëruar burrat që të organizohen dhe t’i ndjekin. Sapo kryen masakrën serbët ikin në drejtim të Dumresë.”

Pëllumb Gorica”Sulova e Poshtme në shekuj”, ADA 2009

Çuditërish kjo ngjarje në historinë e shkruar, që do t’i hyj në kohë asaj, dhe emrat e këtyre burrave të pafajshëm, që u a morën jetën në mënyrë ç’njerëzore, i ka mbuluar pluhuri i harresës. As edhe një përmendore  për të kujtuar masakrën e këtij episodi barbar të pushtuesëve serbë në krahinën e Sulovës. Dhe nuk ka gjë më të pavlerë se harresa. Ndaj, organizimi i aktiviteteve përkujtimore të këtyre masakrave rikuperon historinë e harruar nga ata që ngrohin karriket e institucioneve akademike. Mjaft është heshtur një shekull të tërë. Asnjë masakër nuk mund të krahasohet me një tjetër, veç ato mbeten fakte të pakundërshtueshme, të cilat vazhduan prej serbëve një shekull të tërë në viset e Kosovës, dhe kulmin e arritën në vitin 1998  me barbari në Prekaz, Gjakovë, Reçak, Rahovec e Krushë të Madhe, e me varre masive kudo trojeve të saj, por për fat të mirë, as u shua rraca shqiptare në Kosovë, e as nuk mbeti nën pushtimin serb. Asgjë nuk është me e dhimbëshme se kjo kohë e përgjakshme, ku lotët akoma rëndojnë për jetët e prera në mes nga makuteria e syve të kuçedrës, që kërkonte viktima. Kosova tani ka fituar lirinë dhe ka formuar shtetin e vet, por përmendoret e kujtesës së barbarëve serbë, të përbindshave, që krijuan Sebrenicën e Mostarin në Bosnje, janë atje, për të folur dhe kujtuar.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: NË DUMRE, Pellumb Gorica, PËRMENDORET E PANGRITURA, TË MASAKRAVE SERBE

URIMET – SHPIRTI FISNIK I KOMBIT

February 20, 2016 by dgreca

Ruajtja e traditës së urimeve është shprehje e qytetarisë së kombit tonë/

NGA PËLLUMB GORICA/

Urimet, si elemente të bukura të filozofisë së vlerave njerëzore dhe gurra të mençurisë së popullit tonë në shekuj, janë shpirti fisnik i tij. Janë krijime të tilla që i përmbahen rrënjeve të thella të tabanit popullor, të trashëguara brez pas brezi, duke fituar përjetësi. Të gdhendura bukur ato fluturojnë me dashamirësi aty ku flet gjuha e zemrës dhe gjithmonë të ngazëllejnë me ëmbësinë që sjellin në shpirt. Më tepër se urime, ato janë mençuri me ndjenja të bukura për jetën, dashurinë, rininë, miqësinë, punën e sa fusha të tjera që ngërthen shpirti i njeriut. Janë të vlefshme, madje ne disa raste te domosdoshme, pasi traditat janë si një thesar me vlerë për çdo komb. I dëgjon jehonat e tyre kumbueshëm, më shumë në festat popullore e ceremonitë e gëzueshme familjare, në dasma, fejesa, ditëlindje, në festa kombëtare, në përurime vlerash krijuese, sikundër ndonjëherë me zë të lehtë e plot intimitet të ngrohtë në shenjë nderimi për njeri – tjetrin edhe si falenderim për miresinë, bukurinë e shpirtit njerëzor. Urimet në vetvete janë pjesë e një kohe dhe psikologjie konkrete. Të veshura me frymë dhe një kostum etnik, ato tashmë kanë arritur të bëhen edhe një lloj identiteti kombëtar. Brenda tyre pulson pjesa më e bukur e atij që, sëbashku me folklorin mund të konsiderohet edhe etnosi ynë kombëtar, tradita e kultivuar dhe e sotmja e tij. Mahnitesh se si urimet kanë përshkuar shekuj, kanë përballuar mugëtirat e kohëve, sistemet shoqërore, luftrat dhe pushtuesit me kulturat e tyre të larmishme për të asimiluar gjuhën, traditat dhe vlerat etnokulturore.
Kombi ynë ka trashëgimi të hershme baritore dhe rurale. Lidhjet dhe organizimi i tyre shoqëror janë aq të hershme dhe të stabilizuara, sa që çdo ndërhyrje dhe dorëvenie dorë mbi to do të ishte një shkatërrim. Nëqoftëse nuk i konsolidojmë ato do të harrohen, sepse po zbehet çdo gjë nga zhvillimi  modern. Për fat të keq, rrjedhat e kohës me mardhënie shumë të ngushta mes kombeve e kulturave të ndryshme po sjellin dukuri e prirje të ashtëquajtura kozmopolite për të vendosur mbi shtresime në traditën. Dalangadalë po ua marrin frymën atyre, duke synuar t’i kthejnë në qënie pa shpirt. Edhe pse ndërhyrja e tij në trupin e shëndoshë të kësaj tradite është i ngadaltë dhe i maskuar me fraza brilante, dëmi që po i shkakton kësaj kulture është i barazvfleshëm me dëmin e një tumori si gjithandej në kulturën tonë. Në vend të tyre gazetarë dhe korrierë të padukshëm e të pavedijshëm në shumcën e rasteve po krijojnë një fjalor dhe shprehësi të papranueshme për psikologjinë e kombit tonë. Puna e dobët që bëhet nëpër shkollat tona për edukimin e brezave, si edhe prirja për t’u dukur perendimorë kanë dhënë “ndihmën” negative në këtë të keqe të madhe. Në vend të urimeve e përshëndetjeve të bukura, po zenë vend urime të deformuara të gjuhës sonë shqipe, fjalë përshëndetëse të huaja, mallkime, fjalë të sajuara. Dihet që etnosi kulturor i një vendi mbahet fort në respektin që ushqehet ndaj tij, jo vetëm në ruajtjen, por edhe në pasurimin e vet, duke e ripërtërirë dhe eveditentuar atë herë pas here si vlera të çmuara shpirtërore, por edhe shoqërore. E kundërtërta do të ishte një faj dhe gabim i pakorrigjueshëm. Është detyrë e shenjtë e brezit tone, të intelektualëve, specialistëve të fushës gjuhësore, të mediave qoftë të shkruara apo edhe vizive të edukojmë pasardhësit me këtë trashëgimi të patjetërsueshme.
Populli ynë ka një pasuri të madhe shprehjesh e urimesh dialektore, të cilat i praktikon edhe sot. Le të përmendim disa urime të tilla:
Në të mira e gëzime ua shpërblefshim!
Me trashëgime e jetë të lumtur!
Të dëgjofsha zonë e mirë!
T’u bëftë rruga dritë!
Të vesh e vish shëndoshë!
Rrugë të mbarë dhe u kthefsh shëndoshe e mirë!
Vafsh e ardhsh shëndoshë!
Të lumshin duart!
Të marrtë e mira!
Të lumtë krahu!
Mos të të gjeçj e keqja!
Me bukë të ëmbël!
Të dëgjofsha zonë e mirë! (Të dëgjoj zërin për të mirë)
Punë e mbarë e të vaftë mbarë!
Marrsh një nuse të mirë! (Djalit)
Marrsh një burrë të mirë! (Vajzës)
U trashëgofshi e u shtofshi, u bëfshi një mëhallë!(Çiftit të ri)
Mirëseardhët, në të mira e gëzime! (Miqve)
Bujrëm e mirëseardhët! (Miqve)
Për të mira u ardhshim!
Me bukë të ëmbël!
Paç dorën e mbarë!
Mbetsh në këngë!
Të ju rrojë vogali! (fëmija)
Të trashëgoheni me nga një djalë! (për çiftin që martohet)
Pafsh hair nga fëmija!
Ju këndoftë zemra!
Bereqet paç!
Bëfsh gjumin e ëmbël!
E mbajtsh me shëndet! (rrobën)
E hëngsh me të shëndoshë!
E mira të gjet!
E paç këm(b)ën e mbarë! (për mysafirin, nusen)
T’pastë pru Zoti me t’mira! (mysafirit) Ishalla bëhesh më mirë! (të sëmurit)
Mos raftë me u harrue! (për një ngjarje të rëndë)
Të presësh e hash pej tyre! (plakut që mbjell fidanë pemësh)
Ju shtjen Zoti lezet ndërmjet vedi! (çiftit bashkëshortor)!
Të lumtë dora!
Të lumtë këmba!
Të lumtë goja!
Prej gojës tënde n’vesh t’Zotit! (kur dikush ndjell një mbarësi)
Paç faqen e bardhë!
T’priftë e mbara!
Jetë të gjatë! ( për fëmijën që lind)
T’raftë goja n’mjaltë!
U rritsh me nder! (fëmijës)
Zemra t’kënoftë (këngëtarit)
Zoti t’ndihmoftë!
Zoti t’qoftë n’hajër!
Paç ymër t’gjatë!
T’ardhtë pleqëria e mbarë!
I djegsh me të shënosh! (për drutë e dimrit)
Të ngonte goja mjaltë!
T’u boftë pija gjak e dhjamë!
Gëzofsh të ritë!
Si këto edhe shumë e shumë të tjera, të mira e më të bukura urime, të gdhendura si lapidar në çdo kohë, rrethanë janë vlerë e traditave të mrekullueshme shqiptare, që rrallë i gjen në ndonjë vend tjetër të botës, kaq me vlerë e të vyera, sepse mbi të gjitha janë shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Pellumb Gorica, SHPIRTI FISNIK I KOMBIT, URIMET -

SI MUND TË VESHË NIMFA – POEZI, KËMISHËN E PARASË!?

February 6, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Zhvillimet e vrullshme të kohës drejt teknologjise dhe informacionit e kanë bërë Njerëzimin të rendë përpara për ta sfiduar. Kompjuterizimi dhe interneti, dominuese në këtë kohë si ekperiencë e re e me vlerë klasike, kanë krijuar dembelosje në përgjithësi. Kjo ka bërë të mundur që kontakti me librin të jetë i paktë, ose krejtësisht i mënjanuar. Edhe pse duhet pranuar se sot shumë pak lexohet libri artistik, vitrinat e librave mbushen plot përditë me tituj të rinj. Në fakt, katrahura e kohës po tregon një realitet tjetër. Një realitet të prekshëm që çdokush i dashuruar pas fjalës së shkruar ndjen keqardhje dhe dhimbje tek sheh se, ashtu si mielli i përzier me krundet, ka rendje drejt sasisë në dëm të cilësisë. Sepse interesi e kamercializmi,në një shoqëri të sëmurë janë bërë dhe po bëhen dominues. Pra, duke parë këmishën e parasë kësisoj shmangin krijuesin e vërtetë, atë që prodhon vlera.
Kështu, sot është bërë tregimtar, poet, romancier, apo monograf, ai që hedh para, duke u futur gjer në antologji, në varësi kjo edhe prej lulëzimit të biznesit mediatik e në dëm të artit, por edhe prej plagjiaturave të krijimeve. Sidoqoftë, të shkruarit masiv ka një të mirë të madhe se shtohet numri i njerëzve që komunikojnë artistikisht dhe poetikisht, por është bërë tepër shqetësuese, për ngritjen e ativlerave, si një nga plagët e “tregut të lirë”. Më shqetësuese është fabrikimi i librave e tregëtia fame që tregojnë me se miri fytyrën realitetit botues. Ky fenomen do vazhdojë përderisa merr penën në dorë kushdo që mundohet të lërë diçka pas në emër të krijimit artistik, e me një etje për lavdi, por që ka errësuar vlerat, ndaj është e vështirë të përcaktosh talentin e vërtetë. Po shkruajte libra, pretendimi i cilido është se ndjehet tregimtar, romancier poetë me delir madhështie. Ndodh që, redaktorët i pasurojnë krijimet e këtyre mediokërve me figuracione të errta, të cilët edhe ai që ka emrin në kapakët e librit nuk i kupton. Por, edhe e një morie artikullshkruesish, që bubërrijnë kafeneve, të shfaqen për të thurur kaq shumë lavde ndaj tyre, duke i bërë të njohur npërmjet reklamimeve publike në gazeta, portale, dhe ato vizive. Shkrimet kritike që gatuajnë këta redaktorë janë me superlativa për këta krijues mediokër dhe aq formale sa që rrallë, në vend të zhbirohen në to vlera me prirje analitike të mirfilltë, modifikojnë më shumë fjali të ngjeshura strukturale e estetikisht të dobëta. Jo rrallë këto shkrime nga mënyra e të kompozuarit, thellësia e konceptimit të mendimeve dhe këndvështrimit, janë kopje e njëra-tjetrës.
Gjithçka mund të ndodh në këtë botë rrëfenjash që, organizime krijuese dhe individë drejtues, redaktorë, të cilët në fakt nuk janë të tillë, pa asnjë nivel artistik e sekserë, kanë vënë në evidencë fitimin me marifete, që bien ndesh me moralin shoqëror. Kush mundet të shfrytëzojë me shumë rastin për “promovim vlerash”, ndërkohë që bëhet spekulative ajo e disa klubeve letrare, të cilat grumbullojnë rreth vetes fillestarë entuziastë për suksese krijuese. Ky është produkti i sotëm i “zhvillimit” të demokracisë dhe globalizmit. Para pak kohësh në Tiranë u botua nga një organizëm krijues, pompoz në dukje e gjoja të përhapur në botë, një antologji poetike (që e tillë nuk ishte) si shumë nga antologjitë private dhe miqësore, të cilat janë shfaqur si këpurdhat pas shiut. Shumica e emrave të antologjive janë të panjohur për lexuesit. Natyrisht nuk guxoj t’i quaj poetë, por thjesht bejtexhinj, mbasi ata, edhe pse kanë botuar, nuk kanë arritur të shpalosin para nesh profile vlerash poetike. Duhet pranuar se i njohur mund të bëhesh edhe thjesht me një poezi ose libër. Ndonëse këtë e kanë vërtetuar më së miri shekujt, dhe jehona e një poezie, apo një libri, vjen vetëm ndërmjet magjisë artistike. Poet, apo shkrimtar nuk të bën botimi në antologji e as elozhet e format e propogandë mashtruese të X organizëm krijues, apo X autori në rrjetet sociale internetike e mediat e shkruara. Nuk mund t’i ndalësh njerëzit të shkruajnë apo botojnë, por mund të kontrollohen dhe vlersohen konkurset me çmimet që u jepen gjithkujt dhe nga gjithkush. Koha po tregon se po mbushemi me “poetë, shkrimtar, historian”, që seicili lexon ato që ai vet ka shkruar. Natyrisht më vonë këto “talente” humbasin pa nam e nishan. Koha do t’i seleksionojë. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Ç’mund të presësh kur në një gazetë botohen në çdo numër mbi njëqind autor (ejani se u bë deti kos), dhe thuajse të gjithë marrin çmime! Autorët e tillë mediokër botojnë me shumicë e u shitet pak libri, thuajse në kufijtë e asgjës, dhe përfundojnë si stoqe, e i gjejmë rrugëve në tortuare si mall i skaduar, madje, edhe aty ku dhurohen midis miqve e të njohurve, të cilët zverdhen kur marin në dorë një libër të dobët ato mbesin të palexuara. Ndërsa, të talentuarit e vërtetë, në përgjithësi, nuk kanë mbështetje financiare dhe përkrahje shoqërore për të botuar në gazeta, revista dhe librat e tyre. Në mëndje më vijnë fjalët e një poeti të njohur që kujton Migjenin, kur në fundvitet ’30 të shekullit të kaluar, i botonin në pak vend andej nga fundi i faqeve të gazetës vargjet e lira, sepse mbusheshin me paçavure poetësh, që sot koha i ka harruar. Ndërsa, vërejmë se poetë dhe shkrimtarë, që kanë një traditë të konsoliduar në art janë diferencuar e nuk po nxjerrin vëllime të shpeshta për të bërë bujë. Shtrydhin pjekurinë dhe librat e tyre lenë gjurëm tek lexuesi.
Ndaj, drejt vijueshmërisë së letërsisë së sotme, kjo prirje që, jo vetëm po thellohet e po shkon kah denigrimit, por, edhe po humb gjithnjë e më shumë e me tej besueshmërinë si te krijuesit e mirfilltë edhe te lexuesit që janë barometri i cili mat klimën artistike, ndaj duhet të minizohet si dukuri. Shpresojmë që koha të korrigjojë shumë gjëra, duke bërë një seleksionim më të mire të vlerave letrare, sepse gjithë kjo prurje shkrimesh pa fund shërben si dheu ku fshihen grimcat e arta. Duhet të ndëgjegjësohemi, që krijimtaria me vlera të mos shitet aq lirë tek matrapazët, që si qëllim kanë fitimin dhe jo vlerat e atyre që botojnë. Nuk ka rrugë tjetër në këtë kohë lirie pa limit, përveçse të kalohet indiferent para mediokritetit. Me anomalitë e theksuara, vlerat letrare, herët apo vonë, dalin në sipërfaqe, duke e gdhendur emrin në mermerin klasik të memorialit të letersisë sonë, në të gjitha gjinitë në përgjithësi. Një shoqëri e shëndoshë matet edhe nga fakti sesa ndihmohen e përparojnë të talentuarit. Për rolin paraprijës që ka arti kërkohet inkurajim, evidentim, por edhe origjinalitet. Kërkohet jo vetëm të zbulohen, afirmohen me realizëm të talentuarit, por edhe t’u krijohen hapësirat, klima e nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e tyre, inkurajimin dhe konsolidimin e vet si një pikënisje përkrahëse të të aftëve, duke çelur udhë të reja në ecjen e bukur drejt majave që, në të ardhmen, të jenë vërtet një vlerë e krijimtarisë sonë letrare.

Filed Under: ESSE Tagged With: KËMISHËN E PARASË!?, Pellumb Gorica, poezi, Si mund, TË VESHË NIMFA

PIKTAKIME TË ARTIT MODERN NË PIKTURAT E MERVAN MUSTAFËS

February 1, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Të kesh dëshirë e pasion për të pikturuar do të thotë se atë që ndjen e kthen në art. Kjo vlerë e pamatë krijon një botë eksidenciale krejtësish të veçantë. Pikturat e Mervan Mustafës janë interesante jo vetëm për këndvështrimet origjinale, por edhe për tendencat e reja, që ky krijues i ri arrin të shpërfaq. Në një cikël pikturash, të titulluar “Jeta në kuadrat”, e Mervan Mustafës të ekspozuara kohët e fundit, shpërfaqen dy element të veçantë me një trajtim modern: porta dhe femra të konceptuara brenda botës së tyre, duke bërë përpjekje për të dalë në dritë. Janë tabllo kryesisht të krijuara dy vitet e fundit, të cilat flasin për një talent dhe ambicje artistike, si paralajmërim i bukur i rrugëtimit krijues dhe prezantimit të botës shpirtërore të autorit. Ndaj, krijimet e Mervan Mustafës mbajnë në vetvete aromë përjetimesh. Një frymëzim i sinqertë nën shtysën e mbresave dhe përshtypjeve nga vëzhgimet dhe zhbirimet e thella. Habinë që të shkakton mënyra e tij e të pikturuarit tanimë e kanë pranuar shumë kritikë dhe studiues arti kudo në Kosovë. Dr. Hivzi Muharremi shprehet se “Burim frymëzimi i botës shpirtërore të autorit anasillet nga kuadrati, simbol filozofik i izolimeve botërore, përkatësisht një miniaturë e jetës, ku njeriu përballet me sfida të formave të ndryshme jetësore. Andaj, edhe shprehja e tij figurative mplekset nga momentet e përjetësimeve që nga të dy skajet e margjinave të jetës, të cilat herë herë synojnë të afrohen, por diametralisht qëndrojnë larg njëra tjetrës.” 
Arti i veçantë i Mervan Mustafës sikur të largon nga monotonia dhe mediokriteti. Inspirimin ai e merr nga ngjarjet kudo në botë, por edhe luftrat, fenomenet, trazirat, botkuptimet. Ngjyrat me ndërthurjen e lehtë të tyre, ku dominojnë grija, e zeza dhe portokallia, ndonëse paraqiten të pakta, ekspresionet dhe prirja për të depërtuar vertikalisht në brendësi të qënies, por edhe objektit virtual, flasin jo vetëm për qenësinë e formës, e cila është një karakteristikë e dukshme e artit të tij të bukur, por edhe të larmisë e lirisë së shprehjes, pasi liria është ajo që dikton mendimin e artistit në ndjesitë e thella. Tabllot i ngjajnë poezive me ndjenjë, figuracion, intimitete, me thellësi mendimi, kontraste, përjetime e emocione të përthyera, në dëshira, dhimbje, koncepte për jetën, dashurinë, mosqënien për të shkuarën, të djeshmen dhe të ardhmen. Ato janë të thjeshta, të sinqerta me prirjen për të pasqyruar në këtë cikël jetën në kuadrat, problemet, shqetësimet, thjeshtësinë dhe kërkesat e kohës depërtuese në llogjikën e objektit. Ndjen veçanërisht në disa punime thellësi shpirtërore, thellësi psikologjike dhe një ngarkesë emocionale dinamike. Spikat kjo thellësi e ndjenjave në trajta interesante të hedhura në penelata të shpejta. Këndvështrimet e freskëta, por edhe teknika me një vëzhgim të çiltër dhe strukturë të kompozicionit të impresionojnë, edhe nga një brishtësi drite me hollësi të vogla të jetës rreth nesh. Sfondi i bardhë me ndjeshmëri poetike i shkrin natyrshëm komponentët e mësipërm në teknika të reja, me mjete lakonike bashkohore ku mbizotëron rrethi pa formë dhe i ndryshëm nga njëri – tjetri. Autori ka përdorur akrilik, pastel, laps, si edhe grafik digitale, një teknikë e kombinuar me letër. 
Njerëzit me fuqinë e tyre kanë krijuar kuadrate, duke shpjeguar kështu konturet e botës reale, vazhdimësinë në dekada e shekuj. Kur vështron këto punime ke përshtypjen se ndodhesh në të kaluarën e ndonjë rrugicë shkodrane me porta të rënda, apo pranë kullave të Anamoravës në Kosovë, të cilat përbëjnë thelbin e ndërtimeve origjinale të këtyre trevave, si gjetje interesante, kur çdo gjë sot po shkatërrohet e shkon drejt modernizimit në emër të globalizmit. Detajet e gjurmëve të suvasë së rrëzuar zbulojnë kuadratet e tullave si dëshmi vjetërsie. Të impresionojnë portikët me reflekset e mureve gri, si pjesë e parë dekorative e një ndërtese, mbishkrimet, por edhe motivet e gdhendjeve.
Në pikturën e Mervan Mustafës, vëren edhe një gërshetim të jetësuar dhe fantazi në trajtimin e temës së femrës, por edhe zbulesën e një vëzhgimi të hollë, të një kohe me simbolikën e dhimbjes përmes imazheve të padukshme, të diktuara nga deformimet shpirtërore. Në balsamin e jetës nuk vështrohen plagët e dhimbjes tërsisht, veç ndjehet vuajtja shpirtërore dhe në këtë kohë të plasaritur përballja është indeks reflektues brenda saj. Dëshirat, ndjenjat, shpirtizimi janë shprehur me një shumësi kodesh në këto punime, duke shpalosur zbehjen universale të dashurisë. Me një trishtim të pakapshëm, por që përbrenda tyre ndjen lëvizje jete e dritëhije të përmbajtur, kalvari i dhimbjes shpirtërore të pacak të femrës më shumë shihet si objekt epshi e jo si një krijesë e lirë brenda kuadratit jetë. Depërtimi në skuta të fshehta të kaluarës ndikohet nga grimca dhimbje dhe frustacioni (zemërimi, zhgënjimi), e cila kërkon të prek ëndërrat e detajuara imtësisht.
Pikturat e Mervan Mustafës fokusojnë jetë në shpërthim, dimesione të paevidentuara, dhe mesazhe të tilla se jeta asnjëherë nuk është e hapur, por e mbyllur në kuadrat. Kornizat që e kufizojnë atë, shpesh janë aq të vështira për tu shembur, sa një njeriu të zakonshëm do t’i duheshin qindra vite dritë. Piktori është në kërkim të lirisë së mjaftueshme, por edhe kuadrateve të qiellit të tij fluturues. Dhe pse në fillimet për një pikturë në vijmësi të brendisë e zhbirimit estetike, individualiteti i tij është impresionues.

Filed Under: ESSE Tagged With: E MERVAN MUSTAFËS, NË PIKTURAT, Pellumb Gorica, PIKTAKIME, TË ARTIT MODERN

TRADITË-VEÇORITË E VESHJEVE POPULLORE TË SULOVËS

January 23, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA/
Sulova e shtrirë gjeografikisht midis Elbasanit dhe Beratit, është një krahinë me veçori të shumta etnografike. Pjesë të kulturës së pasur materiale e shpirtërore të kësaj krahine janë edhe veshjet popullore. Veçori kryesore e tyre është se kanë qenë të thjeshta, të gërshetuara me ngjyra, forma dhe, në përshtatje me kushtet natyrore e klimën mesdhetare. Sulovarët e kanë dashur dhe e duan të bukurën, pastërtinë, kulturën, të cilën e kanë shprehur në veshjet e larmishme, të zbukuruara, e me shije artistike.
Studiusi Petrit Basha, autor i disa librave për traditat e Sulovës thekson se: “ Në veshjen e popullsisë së krahinës kanë ndikuar rritja e mirqënies dhe e nivelit kulturor të banorëve. Veshjet ata i kanë përpunuar në përshtatje me veçoritë e jetës e të historisë, që ka kaluar kjo krahinë. Këto veshje kanë variante të shumllojta, që ndryshojnë sipas moshës, seksit, kushteve të punës, zakoneve e festave”.
Deri vonë veshja popullore ishte shenjë dalluese, që tregonte krahinën etnografike. “Sulova bashkë me fushën e Elbasanit dhe Dumrenë për kostumet popullore bënë pjesë në një njësi etnografike”. (“Enciklopedia Elbasani”, faqe 306) .Tashmë ajo e ka humbur gati kudo këtë domethënie të dikurshme, dhe tek tuk e gjen të ruajtur në veshjet e grave. Veshjet popullore janë përdorur në përditshmëri deri në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, duke u zëvendësuar më pas me veshje të kohës. Rrallë janë mbajtur ndër të moshuar deri në fund të viteve ‘80.
    Veshja popullore e krahinës së Sulovës ka qenë e zakonshme dhe endej e gjitha me dorë, e mbushur me zbukurime të shumta, që të befasojnë për bukurinë dhe teknikën e punimit. “Për t’i prerë, qepur e zbukuruar veshjet popullore prej shajaku, me katër dhe dy lisa në tezgja, ishin grate që dinin t’i bënin mire këto punë, nga disa të tilla në fshat, jo të gjitha.” (Petrit Basha “Tunja pranë kalasë”, faqe 128) Ka zotëruar veshja prej leshi e bërë me avlëmend, e prerë dhe e qepur nga gratë në shtëpi. Me lesh përgatiteshin më shumë veshjet e burrave, kryesisht ato që përdoreshin kryesisht në dimër. Më shumë qepeshin guna, tirqe, shallvare, xhedikë etj. Pas leshit vijnë veshjet prej liri, e cila ishte lëndë jo vetëm për pregatitjen e veshjeve të brendëshme, por edhe e shtrojeve të fjetjes. Nga të moshuarit ruhet në kujtesë përdorimi i lirit. Në  krahinën e Sulovës dikur është kultivuar shumë bima e lirit për vet kushtet e mira klimaterike e toksore që ka ajo. Këtë e tregojnë edhe toponimet: “Linore”; “Lëmi i Lirit”; “Arat e Lirit”; “Bregu i Lirit” etj.  Shumica e pjesëve të veshjes popullore, e veçanërisht veshja e grave punohej me pëlhura pambuku të endura nga vet ato. Me pëlhura pambuku qepnin linjat, përparëset, lëveret, mëngët etj.
    Veshjet popullore të Sulovës kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të fushës së etnografisë, në mënyrë të veçantë veshja e grave. Sipas tyre, përparësja e nuseve sulovare (bokshja) është e veçantë,por, në përgjithësi, veshja e grave të Sulovës është identike me veshjen populloren gjithë trevat, e sidomos të Myzeqesë. Në veshjen e grave bie më tepër në sy linja e gjatë prej pëlhure, përparëset aq të bukura dhe lëveret e kokës punuar me mjeshtëri nga vet gratë. Si gratë dhe burrat mbanin brezin me motive të ndezura, më shumë kuq e zi që mbështillej rreth belit disa herë. Brezi i burrave ishte më i gjatë. “Pas Luftës së Parë Botërore veshja popullore e burrave të Sulovës pësoi ndryshime, duke u zëvendësuar me veshje të kohës, ndikim direkt i veshjeve qytetare” (Abas Dojaka “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 182.) Ndërsa tek grate veshja popullore u përdor deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Tregtia që bënin banorët, kryesisht në pazaret e  njohura të Elbasanit, e sidomos të Beratit, prej ndarjes që krijonte lumi i Devollit me pazare të tjera, por edhe prej afërsisë gjeografike me këtë qytet të njohur tregëtar i kohës, i detyronte të blinin pëlhura, dhe pjesë veshjesh të përgatitura. Natyrish që lëvizjet e shumta demografike nga njëra krahinë në tjetrën, për shkak të kushteve ekonomike, por edhe prej faktorëve të tjerë si hasmëritë, fatkeqësitë, krizat e bukës, epidemitë dhe lidhjet e krushqive detyruan vendosjen në krahinën e Sulovës, të jo pak familjeve nga Shpati, Vërça, Nahija e Beratit, Tomorrica, të cilat ndikuan edhe në veshjet popullore me elementë të tjerë.
    Veshja popullore e grave të Sulovës
Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, gratë e Sulovës preferonin veshje të gjata, të linjta, e me zbukurime të shumta. Ishin veshje të bukura, të punuara me aq mjeshtri nga vet ato. Më shumë të përhapura kanë qenë përparëset e endura me motive të veçanta, që në gjithë sipërfaqen shkëlqenin nga kombinacione ngjyrash, formash. Në përgjithësi janë dalluar dy variante kryesore: veshja me linjë e me jelekë dhe veshja me linjë e me gufe.
Veshja me linjë
Ajo që bënte përshtypje në veshjen e grave tëSulovës dhe pjesë kryesore e saj është fundi (linja) prej pëlhure pambuku dhe me kinda. Gjerësia e saj shkon deri në nyja e këmbës. Në krye të linjës qepej një copë e kthyer që futej ushkuri, me gjerësi 5 cm. Pjesë tjetër e veshjes ishin bluza (mëngët), prej pëlhure me vija ngjyrash të ndryshme të kuqe, bardha, verdha të zeza. Ajo paraqiste ca tipare të veçanta në prerje. Nën mëngë vishej këmisha prej pambuku, e bërë me pëlhurë vegle jo të bardhë, por me vija e motive të thjeshta e me krahë të gjerë, që vinte duke u ngushtuar në afërsi të duarve. E zbukuruar me qëndisma e penj, me ngjyra të ndryshme e me temina ato ijepnin një konfiguracion interesant. Jeleku prej stofi i zbukuruar me fije ari, vishej më tepër nga nuset dhe në të shumtën e rasteve qepej në qytet e Elbasanit e Beratit. Përparësja e pambuktë që mbahej në krahinën e Sulovës ishin ndër më të mëdhatë që janë mbajtur në territoret shqiptare, dhe më të bukurat e më të ngarkuarat për sa i përket kompozimit të ngjyrave. Ajo zbukurohej në gjithë sipërfaqen e saj, e ndërmjet të cilave endeshin motive rombike, ku mbizotëronte ngjyra e kuqe, e verdha, portokallia, kafe dhe të zeza. Mbulesa e kokës (lëverja) bëhej prej pëlhure pambuku, në formë katërkëmbëshi, kënd drejtë, mjaft e gjerë dhe e gjatë njëkohësisht. Hidhej mbi kokë dhe lëshohej lirshëm për t’u varur prapa shpatullave që shkonte deri tek thembrat e këmbëve. Përmasat e saj mbi 150 cm e sipas gjatësisë së gruas që e mbante në kokë . Mbulesa e kokës zbukurohej në të katër anët me vija e motive rombike, e të ngjyrave të ndryshme. Kjo vishej më shumë nga nuset dhe grate e moshës së mesme, ndërsa gratë e moshuara e mbanin lëveren më pak të zbukuruar, ku në të katër anët e mbushnin me ngjyrë blu e të zezë.
Veshja me gufe
E njohur në veshjen e grave të krahinës së Sulovës ka qenë edhe veshja e linjës me gufe (bluzë), që zakonisht nuk ndryshon nga veshja e treguar më lart, të cilën e vishte nusja e re pas disa ditë martese deri në moshën e mesme. Gufja ishte prej pambuku me ngjyra të ndryshme, mëngët e së cilës janë mjaftë të gjerë dhe të fryra në pjesën e parakrahut. Rrallë në stinën e ftohtë gratë vishnin një xhoke të shkurtër shajaku me prerje e thjesht në ngjyrë të bardhë. Në shtresën e pasur të kësaj krahine gratë përdornin përveç xhokës së bardhe prej leshi, e ngjashme me atë të Dumresë dhe Myzeqesë, edhe mëngoren e bardhë të zbukuruar anash me gajtanë. Por, xhokës së bardhë i shtohej edhe guna e ngjashme me atë të barinjve. Në veshjet e grave të Sulovës janë edhe elementë të tjerë, që plotësohen me veshjet e brendëshme: Të mbathura ishin të gjata deri te thembra e këmbës dhe prej pëlhure liri ose pambuku, ndërsa çorapet prej leshi e të zbukuruara me motive rombike, kurse opingat (qosolet) bëheshin prej lëkure lope. Stolitë në Sulovë kanë qenë të pakta, të cilat ishin: Unazë, vathë, varëse qafe me rruaza. Veshja popullore e Sulovës kishte edhe elementë të tjerë në periudhën e dimrit, që ishte brezi i leshtë, i cili ngjishej sipër linjës, i punuar me vegjë dhe me fije leshi të hollë e me ngjyrë të kuqe, por edhe me vija të holla kafe.
Veshja popullore e burrave të Sulovës
Në krahinën e Sulovës dikur janë mbajtur disa tipa veshjesh për burra: Veshje me fustanellë, me xhedikë dhe me shallvare. “Veshja me fustanellë është mbajtur deri në prag të Pavarësisë, e cila përdorej në një masë mbizotëruese në Sulovë si në shumicën e krahinave jugore në Shqipëri. Fustanella e bërë prej pëlhure pambuku, e punuar në shtëpi, me gjatësi deri në gju, dhe me 30- 100 pala”, shkruan Abaz Dojaka në librin “Të njohim veshjet tona popullore”, faqe 188. Ajo është mbajtur sipas gjendjes ekonomike dhe shtresës shoqërore. Dhe përbën një element të kostumit kombëtar shqiptar. Sa i përket veshjes me fustanellë mbështetur në dokumenta, por edhe histori gojore del se është përdorur në raste festash, gëzimesh, fejesa, dasma etj dhe nuk ishte veshje pune. Elementët që e plotësonin këtë veshje ishin: Jeleku dhe mëngoret prej shajaku të bardhë e të zbukuruar me gajtanë. Në krahinën e Sulovës janë mbajtur edhe jelekë e mëngore prej cope të qëndisur me gajtanë ari, të blerë në pazaret e Elbasanit, Beratit, Korçës, që më shumë këto i mbanin shtresat e pasura. Në kokë burrat sulovarë mbanin takie të bardhë e ngjashme me atë të Myzeqesë. Më vonë është përdorur qeleshe prej haseje. Kjo më shumë si depërtim i saj nga krahina e Shpatit. Këmisha pregatitej prej kambriku me mëngë të gjëra të gjata. Fanella  thurej prej leshi. Në këmbë  visheshin opinga me lëkurë kafshësh me majë të kthyer me një xhufkë leshi të kuqe ose të zi. Si mbathje në këmbë janë mbajtur çorape leshi. Mbi çorapet vishnin deri në gju tirqe të bardha prej shajaku, që ishin një tjetër pjesë e kostumit popullor. Kostumi gjithashtu kishte të veçantë një brez të leshtë, që ngjishej pas belit. Ai ishte i gjatë deri 2 m, dhe i gjerë 15 cm, i thurur me ngjyra të ndezur e të punuar nga vet gratë në shtëpi.
Veshja me xhedikë
Pas daljes nga përdorimi i fustanellës, edhe në Sulovë si krahinat rrotull saj filloi të përhapet kryesisht veshja me xhedikë. Xhedikët ishin një lloj pantallonash shajaku të bardhë, të cilat më vonë u bënë të zeza deri në nyje të këmbës. Kjo veshje plotësohej me këmishën, të mbathurat, jelekun, mëngoren, opingat, takien e bardhë. Kjo veshje e thjeshtë popullore është mbajtur me disa ndryshime në jetën e përditshme të banorëve që nga fëmijët deri tek të moshuarit.
Veshja me shallvare
Për veshjen me shallvare, specialistët e etnografisë kanë theksuar se shtë përdorur në Sulovë dhe në shumë krahina të tjera në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Ajo është mbajtur nga të gjitha moshat. Ajo pregatitej në tezgja prej leshit të deles dhe qepeshin në shtëpi nga gratë me një prerje të thjeshtë. Pjesë përbërëse të kësaj veshje ishte këmisha prej pëlhure të pambuktë, xhamadani, mëngorja prej shajaku të zbukuruar me gajtanë, të mbathurat prej liri, çorape të ngjashme me të Myzeqesë, opinga prej lëkure lope, dhe takie prej pëlhure. Veshja e mësipërme në dimër plotësohej me gunën prej lesh dhie.
Me zhvillimet social – ekonomike, që solli gjysma e dytë e shekullit të kaluar, veshjet popullore edhe në krahinën e Sulovës, dolën nga përdorimi gradualisht, duke mbetur kujtime të një kaluare të largët. Veçse, do të jenë festat popullore, fejesat, dasmat, festivalet folklorike, këto ngjarje të shënuara të shpirtit të popullit, që të nxirren nga arkëzat këto veshje popullore. Janë vlera, të cilat i flasin kohës, për të pasur çfarë t’u tregojmë brezave, si thesare të trashëgimisë kulturore.

Filed Under: Featured Tagged With: Pellumb Gorica, Sulove, veshjet popullore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT