Pëllumb Xhufi: Financimet dhe varësia nga Greqia, plagët që Klosi i zbuloi Kishës Ortodokse/
Janë dy çështjet që i kanë detyruar anëtarët e Sinodit të dalin, kësaj here të gjithë bashkë, si institucion, kundër deklaratave të z.Klosi. E para ka të bëjë me pikëpyetjet që lindin lidhur me origjinën e burimeve të financimit dhe e dyta, me dyshimet për një varësi të kreut të Kishës sonë Autoqefale
Historiani Pëllumb Xhufi e cilëson të paprecedent reagimin e Sinodit të Shenjtë të KOASH ndaj ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi. Në intervistën e tij për MAPO-n, Xhufi argumenton arsyet që detyruan anëtarët e Sinodit të dalin, kësaj here të gjithë bashkë, si institucion, me një kundërdeklaratë. Historiani e konsideron reagimin e Sinodit të Shenjtë si të paprecedent dhe shprehet se radikalizimi fetar, qoftë islamik, katolik apo ortodoks mund të izolohet vetëm atëherë kur politikanët shqiptarë të marrin guximin të hartojnë një ligj për komunitetet fetare
Zoti Xhufi, Sinodi i Shenjtë ka bërë një deklaratë (gjë e rrallë kjo), ku kundërshton qëndrimet e ish-shefit të SHISH-it, Fatos Klosi, në lidhje me rreziqet e radikalizmit të rrymave fetare. Si e keni përcjellë këtë debat dhe sipas jush, a ka ardhur momenti që opinioni dhe politika të përballet me këto tema?
Në radhë të parë, mendoj se është politika ajo që duhet të përballet me problemet në fjalë. Çështja e lirisë fetare, e marrëdhënieve ndërfetare dhe e marrëdhënieve mes fesë dhe shtetit, në Shqipëri janë një problem i bashkëjetesës dhe i paqes sociale. Akoma më shumë: janë një problem i mprehtë i sigurisë kombëtare. Paqja dhe siguria e Shqipërisë varen shumë nga ai ekuilibër mes shtetit dhe fesë dhe midis besimeve të ndryshme, që krijuesit e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me besimtarët shqiptarë dhe me klerikët patriotë, ditën ta projektojnë me mençuri në vitet e Rilindjes Kombëtare dhe ta realizojnë me guxim në fillimet e viteve 1920. Ndërtimi i shtetit mbi bazën e sekularizmit, pavarësimi i besimit mysliman nga Sheh-ul-Islami, shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse nga Patrikana e Stambollit, frymëzimi albano-centrik dhe angazhimi patriotik i kahershëm i shumë klerikëve katolikë, krahas të tjerëve, dhe në fund, hartimi i Ligjit për Komunitetet Fetare, më 1928, ishin një garanci e fortë në drejtim të arritjes së këtij ekuilibri.
Sot, për fat të keq, komunitetet fetare gëlojnë nga klerikë të huaj, të cilët më shumë se për bashkëjetesën, janë të interesuar të fitojnë terren në kurriz të besimeve të tjera dhe të vetë shtetit, ndonjëherë edhe për llogari të qendrave të huaja. Sot mungon një ligj për komunitetet fetare, i cili do përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e shtetit ndaj komuniteteve fetare, dhe anasjelltas. Politikanët tanë nuk marrin guximin të hartojnë një ligj të tillë, i cili do ta vinte shtetin dhe shoqërinë shqiptare në një balancë të drejtë me komunitetet fetare dhe drejtuesit e tyre, që kanë fituar një status imuniteti e paprekshmërie, të cilin e meriton vetëm feja, si e tillë, dhe jo njerëzit e fesë, që janë njerëz si gjithë të tjerët. Shteti, më në fund u bë i gjallë, dhe me shfaqjet e fundit të një radikalizmi islamik të paprecedent në Shqipëri, ndërhyri me forcë për goditjen dhe izolimin e tyre. Por, nuk duhet harruar se shfaqje të tilla janë gjithashtu pasojë e infiltrimeve, deformimeve dhe pozicionimeve ekstreme dhe përjashtuese, që vihen re edhe në segmente të caktuara të ortodoksisë e të katolicizmit shqiptar. Problemi bëhet edhe më akut, kur ideatorë e zëdhënës të “betejave të heshtura” ndërfetare bëhen ndonjëherë klerikë dhe intelektualë, nga ata që me bujë apo me sqimë deklarohen si “ushtarë” të Krishtit apo të Muhametit. Sjellje të tilla sjellin vetëm frustrime, reagime të egra dhe hapje llogoresh mes shqiptarësh. Besimet në Shqipëri janë si ato enët komunikuese: çfarë shtohet diku, hiqet diku tjetër.
Në këtë mënyrë e kuptoj unë shqetësimin e z. Klosi, i cili, si ish-kryetar i SHISH-it, me siguri është më i informuar se ne të tjerët, dhe me “të tjerët” guxoj të përfshij edhe anëtarët e nderuar të Sinodit të Shenjtë. Pikërisht, reagimi i paprecedent i Sinodit të Shenjtë të KOASH është një shenjë se z. Klosi e ka vënë gishtin në plagë.
Dhe plaga, sipas jush, janë Sinodi dhe kreu i KOASH-së?
Mund të thuhet edhe kjo, nëse merren parasysh mënyra si këta u gjendën në krye të KOASH. Hirësia e tij, Prof. A. Janullatos u imponua në krye tëKOASkreu KOASH pas presioneve dhe ndërhyrjeve brutale të Athinës zyrtare mbi politikanët shqiptarë. U shkelën hapur kanonet e Kishës së Shenjtë, të cilat e konsiderojnë të paligjshëm një peshkop të hipur në fron me ndërhyrjen e pushtetit laik. U shkelën hapur statutet e KOASH dhe vetë ligji i shtetit mbi komunitetet fetare, të cilët përcaktonin që kryetari i kishës duhet të ishte qytetar e kombas shqiptar dhe se shugurimi i tij nuk mund të bëhej pa u firmosur dekreti përkatës nga Presidenti i Republikës. Deri më sot ne dimë se Prof. Janullatos pati vetëm një “fjalë burri” nga z. Berisha për drejtimin e përkohshëm të KOASH, por jo ndonjë dekret apo firmë të tij. Dhe kjo është një arsye më shumë për ta konsideruar të paligjshëm e antikanonik fronëzimin e tij. Për të mos folur pastaj për mizanskenën e mesditës së vaposur të 2 gushtit 1992, e cila është më shumë se një plagë, është një njollë në historinë e KOASH dhe në vetë biografinë personale të Hirësisë së Tij.
Çfarë ju tërheq vëmendjen posaçërisht në përgjigjen e Sinodit ndaj deklaratave të z. Klosi, çfarë ka aty të paprecedent, siç shpreheni ju?
Me pak fjalë, dy janë çështjet që, siç më duket mua, i kanë detyruar anëtarët e Sinodit të dalin, kësaj here të gjithë bashkë, si institucion, kundër deklaratave të z. Klosi. E para ka të bëjë me pikëpyetjet që lindin lidhur me origjinën e burimeve të financimit të aktiviteteve të KOASH. E dyta ka të bëjë me dyshimet për një varësi të kreut të Kishës sonë Autoqefale nga qendra fetare e politike të huaja, përkatësisht greke. Të dyja çështjet atakojnë drejtpërsëdrejti sigurinë kombëtare dhe këtu e ka burimin trazimi i pazakontë i kreut të KOASH. Por, përgjigja me të cilën anëtarët e nderuar të Sinodit mundohen t’i “arkivojnë” këto dy çështje, vetëm sa i rrisin pikëpyetjet.
“Neootomanizmi”, nëse ekziston, do të ishte doktrina e një ekspansioni ekonomik e kulturor të Turqisë moderne në kufijtë e Perandorisë së dikurshme osmane. Bartës i kësaj doktrine është një shtet jo fqinj i Shqipërisë. “Helenizmi” është një doktrinë e përpunuar në shekuj dhe e asimiluar si ideologji politike e një shteti fqinj të Shqipërisë. Një doktrinë e tillë ka lënë plagë të rënda e të paharrueshme në vendin tonë
Të ndalemi këtu: ku e shihni ju të keqen e financimeve të huaja për ndërtimin e kishave në Shqipëri dhe ndërhyrjen e shtetit grek në punët e kishës ortodokse të Shqipërisë?
Në radhë të parë, duhet saktësuar se kujdesi i kreut të KOASH nuk është kufizuar vetëm në ngritjen e kishave, të cilat jo rastësisht ndjekin linjat stilistike të kishave greke. Bëhet fjalë edhe për ndërtime shkollash, varrezash e memorialesh, spitalesh, bankash e biznesesh greke, të inauguruara e të bekuara sistematikisht nga kreu i KOASH. E pra, Kryetarin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nuk e kemi parë ndonjëherë të asistojë në hapjen e shkollave, spitaleve, bankave e bizneseve të ngritura me kontribute të shtetit e të biznesmenëve shqiptarë. Për herë të parë, në dijeninë time, anëtarët e Sinodit të Shenjtë citojnë emrat e ndonjë fondacioni grek (ka edhe të tjerë) që kanë livruar fondet për ngritjen e kishave helenoide në Shqipëri. Së pari, këtu duhet sqaruar se fondacione si Onasis, Niarko, Laçis, Arsaqi, Kokalis etj.(këta dy të fundit i shtuam ne), janë fondacione të kolauduara mirë me institucionet e shtetit grek dhe që kanë kontribuar më së shumti në përhapjen e “helenizmit”. Dihet si funksionojnë këto fondacione greke dhe si janë realizuar veprat e financuara prej tyre në Shqipëri: fillimisht Athina zyrtare bënte presionin e duhur politik mbi qeveritarët e trembur, të paditur e të korruptuar shqiptarë, prej të cilëve merrej “leja e ndërtimit”. Pastaj vinin paratë e fondacioneve në fjalë, të cilave në këmbim të kontributeve në të mirë të “helenizmit”, qeveria greke u jepte favorizime e lehtësira të ndryshme tregtare e fiskale. Pra, në çdo rast, politika greke është e përfshirë kokë e këmbë në realizimin e projekteve të tilla në Shqipëri. Ajo që ka shqetësuar zotin Klosi dhe ka shqetësuar pjesë të mira të opinionit të informuar shqiptar, ka qenë roli prej protagonisti që Hirësia e Tij, Prof. A. Janullatos ka luajtur si në fazën “politike”, ashtu edhe në atë “teknike” të realizimit të këtyre projekteve (kujto rastin e “Memorialit” për ushtarët grekë në Kosinë të Përmetit dhe historitë e errëta që e shoqëruan atë).
Zoti Klosi, në intervistën e vet e cilësonte Kishën Autoqefale Shqiptare një zgjatim të Kishës greke. A e ndani dhe ju këtë bindje?
Z. Klosi ka të drejtë kur flet për një lidhje varësie të KOASH-së me Kishën greke. Unë do të flisja edhe për një lidhje e varësi nga politika greke, nga momenti që në Greqi, ashtu si në Bizantin mesjetar, kisha e shteti janë të lidhur ngushtësisht. Historikisht, shteti grek është përpjekur ta përdorë ortodoksinë në funksion të projekteve të veta për “helenizimin” e masës së ortodoksëve shqiptarë. Është një përrallë për naivë ajo që tregohet edhe në këtë rast nga krerët e Sinodit, sipas të cilëve, KOASH nuk ka të bëjë aspak, as me kishën e as me shtetin grek, dhe se “referenca” doktrinore e institucionale e saj është vetëm “kisha-mëmë” e Stambollit. Për fat të keq, nuk ka qenë e nuk është kështu. Qysh në dekadat e fundit të sundimit osman, krerët e mitropolive dhe të peshkopatave shqiptare caktoheshin nga qeveritë greke dhe, natyrisht, ishin grekë. Patrikana e Stambollit vetëm sa noterizonte zgjedhjet e Athinës. Nuk dua ta rëndoj me shembuj këtë intervistë, që është nisur për të qenë e shkurtër. Por, më mundon mendimi që anëtarët e nderuar të Sinodit të KOASH të mos dinë faktin që “transferimin”e mitropolitit Jakov nga Durrësi në Korçë më 1919, nuk e bëri Patriku i Stambollit, por Kryeministri i Greqisë, Venizelos. Sipas telegramit që ky i dërgonte Athinës nga Konferenca e Paqes në Paris, Jakovi duhej të paraprinte mbërritjen e trupave greke në Korçë, për të përgatitur kalimin “soft” të saj në duart greke, gjë për të cilën ishte marrë vesh në Paris edhe më ndonjë politikan të huaj. “Sa i përket miratimit të këtij transferimi nga Patriku”, udhëzonte Venizelos, “ky mund të bëhej më vonë, pasi situata kërkonte një veprim urgjent”. Por, interferenca të tilla të shtetit grek në punët e ortodoksisë shqiptare në funksion të projekteve politike, vazhduan edhe në periudhën pas krijimit të shtetit shqiptar dhe pas shpalljes së autoqefalisë së kishës sonë ortodokse. Duke shfrytëzuar dobësinë e regjimit të Zogut pas fërkimeve që ky pati me Italinë, në 1937, Athina zyrtare “gatoi” njohjen e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare nga ana e Patrikanës së Stambollit, duke kërkuar largimin e anëtarëve shqiptarë të Sinodit dhe zëvendësimin e tyre me prelatë grekë e grekomanë. Për të fituar ndonjë buzëqeshje (dhe ndonjë kredi) nga Athina, mbreti dallkauk shqiptar lejoi atë vit edhe hapjen e shkollave greke në Himarë, Dhërmi e Palasë.
Por ç’të shkojmë aq larg? E thamë më sipër, se si dhe pse, në krye të KOASH-it erdhi Hirësia e tij, Prof. Janullatos. Do të kalonin vetëm pak vite, dhe ky do të gjente rrugët dhe mënyrat për të krijuar një Sinod të tillë, ku mitropolitët me origjinë greke e me prirje grekomane mbizotërojnë dukshëm. Në këto kushte, do të ishte pretendim i tepërt të kërkoje prej tyre ndonjë gjest shqiptarësie. Hirësia dhe mitropolitët e tij thonë se janë njerëz të Zotit e nuk merren me politikë. E në këtë cilësi, Prof. Janullatos ka përligjur heshtjet e tij kur në Bosnjë e më tej në Kosovë thereshin dhjetëra e qindra mijë krijesa të Perëndisë, gra, burra e fëmijë të pafajshëm. Madje një zëdhënës i tij shkoi në manastirin serb të Deçanit, për të deklaruar se “populli ortodoks shqiptar” i priti me keqardhje bombardimet e NATO-s kundër vëllezërve serbë! Hirësia e Tij vrapoi të dalë i pari në media për të paralajmëruar “përplasjet etnike” pas rastit të fatkeqit Guma. Por nuk tha asnjë fjalë keqardhjeje, kur tri gra me mbiemrin Guma, gjithashtu, por të besimit mysliman, u hodhën në greminë nga një shofer grek me sjellje kriminale. E kur kujton gjëra të tilla, vjen vetvetiu pyetja: cui prodit, të kujt janë dhe kujt i shërbejnë Kreu dhe Sinodi i KOASH-it?
Cila doktrinë kërcënon më shumë Shqipërinë: neootomanizmi apo helenizimi?
Si t’ju them… I ashtuquajturi “neootomanizëm”, nëse ekziston e nëse quhet kështu, do të ishte doktrina e një ekspansioni ekonomik e kulturor të Turqisë moderne në kufijtë e Perandorisë së dikurshme osmane. Pra, do kishim të bënim me një ambicie të pranueshme e të kuptueshme në kuptimin e ideologjisë së kohës, që është ajo e globalizmit. Mos të harrojmë, gjithashtu, që bartës i kësaj doktrine (nëse ekziston e nëse quhet kështu) është një shtet jo fqinj i Shqipërisë, Turqia, e cila qysh nga koha e themelimit të shtetit shqiptar më 1912, ka ofruar gjithmonë gjeste e qëndrime miqësore ndaj tij.
Nga ana e tij, “helenizmi”, apo i njohur ndryshe si “Megali Idhea” është një doktrinë e përpunuar në shekuj dhe e asimiluar si ideologji politike e një shteti fqinj të Shqipërisë, e shtetit grek, qysh prej krijimit të tij. Thelbi i tij është shtrirja politike e Greqisë në kufijtë e Perandorisë së dikurshme Bizantine. Një doktrinë e tillë ka lënë plagë të rënda e të paharrueshme në Shqipëri: territore të pushtuara, fshatra të djegura, popullsi të dëbuara e të masakruara. Nën shtytjen e kësaj doktrine, Greqia e kundërshtoi si askush tjetër krijimin e shtetit shqiptar, dhe kur ky u krijua tej vullnetit të saj, e njohu atë e fundit, me kushte dhe me prapamendimet e përhershme megalo-ideiste. Është dëshira e ne të gjithëve, jo vetëm e anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, që Greqia të jetë mentori dhe vektori i Shqipërisë në integrimet evropiane. Por, si ta shpjegojmë faktin e hidhur që Greqia, ajo që ne e kemi zgjedhur si aleaten tonë strategjike, nuk ishte vendi i parë, por ishte vendi i fundit që votoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE dhe hyrjen e saj në NATO? Një votë kjo, që për më tepër u kushtëzua me Marrëveshjen grabitqare të Detit dhe me ngritjen e komplekseve monumentale “në kujtim të heronjve të Greqisë, të rënë për Vorio-Epirin” (po përdor përkufizimin që u jepet atyre nga mediat greke).
SHQIPTARËT I LAJTHISIN NË KAOS – MIT’HAT FRASHËRI,PËLLUMB XHUFI, FATOS LUBONJA ETJ
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Tek Opinion, Blendi Fevziu kishte ftuar të zakonshmit duke patur si temë të bisedës Mit’hat Bej Frashërin, të birin e Abdyl Frashërit, të nipin e Naim e Sami Frashërit, publicistin, shkrimtarin, përkthyesin, albanologun, diplomatin, veprimtarin e çështjes kombëtare, kryetarin e Ballit Kombëtar dhe kryetarin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, një antikomunist me bindje europiane. Alias Lumo Skëndo, i cili më 1929 në testamentin e tij do të shkruante: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.” Një kokë e madhe nga ato që i bëjnë kombet. Që njihen me emrin si “Baballarë të Kombit”. I përndjekur në gjallje dhe pas vdekjes nga regjimi monstruoz dhe i lënë në harresë, i mbuluar nga hija e pluhuri nga tranzicioni makabër.
Nuk kisha kohë që të harxhoja kohë tek Blendi Fevziu, por qëllova të isha e pranishme gjatë dalldisjes së Pëllumb Xhufit një historian i njohur, që në plot raste mban qëndrime serioze, por edhe në plot të tjera lajthit. Siç ishte rasti në fjalë, kur në “tentativën” në thojza për ta zbardhur figurën poliedrike të burrështetasit të madh, nga ata që duhen dekada të tjera që të rilindin prapë, Xhufi e akuzoi Mit’hat Frashërin se paskish dërguar grupe diversantesh për të kryer “akte terroriste” në Shqipërinë komuniste!!!!
Skile ky Pëllumb Xhufi, i cili si njeri me format të plotë profesional, do të duhej të ishte nga ata intelektualë që të përgatiste dosjen e krimeve të diktaturës komuniste, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të mbuluara e të fshehura, sepse historianët shqiptarë kanë lidhje me të shkuarën në një nivel të tillë sa nuk i lejojnë vetes të bëjnë as katharsis.
Pëllumb Xhufi është bashkëshorti i mbesës së kunatit të Enver Hoxhës, burrit të motrës së diktatorit, Bahri Omarit, të cilin diktatori e pushkatoi, por ndërkohë mori në mbrojtje të bijtë e Bahriut, siç është Luan Omari, me vajzën e të cilit është i martuar Xhufi. Luan Omari duke patur një jetë komode dhe me plot privilegje gjatë regjimit komunist asnjëherë nuk e ka denoncuar krimin e dajës së tij kundër të jatit. Dhe sot Pëllumb Xhufi në vend të merret me krimet e diktaturës, na del me pretendime se krime paska kryer Mit’hat Bej Frashëri që sa pati frymë e luftoi regjimin kriminal të dajës të vjehrrit të tij!
Pëllumb Xhufi, me formatin e një shkencëtari të mirëfilltë, i dërdëllis publikut shqiptar broçkulla që nuk i beson assesi për vete dhe sot 23 vite pas deklarimit të rrëzimit të diktaturës, ai me arrogancë dhe në mënyrë të pacipë na del me teza të cilat janë mbrojtur nga historia e diktaturës për 50 vite, me qëllim që të justifikoheshin krimet e kryera. Kur diktatori ka shkuar në ferr, të lajë hesapet për shqiptarët që ka vrarë, Xhufi akuzon njërin nga Baballarët e Kombit për akte terroriste.
Në këtë show të neveritshëm të Pëllumb Xhufit reagoi Fatos Lubonja duke marrë si shembull një lajm që posa e kishte dëgjuar nga BBC, sipas të cilit disa të rinj në Poloni që kishin përdorur në një reklamë fotografinë e Leninit, ishin detyruar ta hiqnin menjëherë foton dhe t’i kërkonin ndjesë opinionit publik, i cili kishte reaguar menjëherë dhe shumë ashpër.
Fatos Lubonja duke iu referuar shoqërisë në Poloni tha se shoqëria atje është e një vendi normal. Sepse Shqipëria nuk ka shoqëri normale, jo se shqiptarët janë njerëz me bisht, por sepse kjo shoqëri ushqehet me një shtyp jo normal, nga opinionbërës jo normalë dhe udhëhiqet nga politikanë jo normalë.
Dhe një vend që nuk e di ende historinë vazhdon të mbetet në qorrsokak, sepse i lejon vetes të trushplahet nga historianë paskrupullt që vazhdojnë ta manipulojnë edhe historinë, edhe opinionin publik duke e mëkuar për çdo ditë me helmin e propagandës staliniste.
Pëllumb Xhufi po n’a shet librat e Hoxhës…
Opinion nga Ajet Nuro/
Historiani Pëllumb Xhufi, mori përsipër të bëj një vlerësim të figurës së Enver Hoxhës dhe kuptohet që nisja e shkrimit është vërtet simpatike nga ana e tij. Ai thotë pak a shumë, nuk mund të flasim sot për Enverit, është herët dhe e di që do më kritikoni por unë as që dua t’ia di…Kjo edhe për të thënë se ndonjë nga skllevërit e Hoxhës edhe mund të flasi por, ai e ka nga inati, nga emocionet etj etj. Madje për të mos u kritikuar ai n’a flet për të drejtat e njeriut të nëpërkëmbura nga Hoxha por kjo nuk ka rëndësi …
Po guxoj të jap një mendim ndonëse edhe unë do bie viktim e faktit që të kundërshtosh një historian është e paimagjinueshme, madje sipas mendimit popullor ne mund të hamë ç’do lloj produkti të servirur nga historianët shqiptarë. Pikë.
Por, po marr guximin e të them se z. Xhufi gabon dhe gabon rëndë. E para, kur shkruan një historian nuk shkruan llafe pazari si « filani e ka vlerësuar dhe ai tjetri e ka hedhur poshtë » por publikon dokumenta ku vërtetohet njëra dhe tjetra. Dhe të them të drejtën nuk më bënë përshtypje që historiani ka qenë dëshmitar kur është pyetur Sali Berisha se çfarë mendon për diktatorin Hoxha. Nuk më bënë përshtypje as fakti që pasardhësi i radhës së partisë së Hoxhës, Edi Rama është antienverist. Ajo që më bënë përshtypje është përkufizimi i nacionalizmit dhe sidomos fakti që në Shqipëri fjalën nacionalist (siç e njohim ne në kuptimin më të mirë të saj) nuk ka të drejtë t’a përdorin ata që u quajtën balli i kombit, as legalistës por pikërisht Hoxha. Dhe kjo me një përgjithësim absolut duke cituar edhe emra nacionalistësh që nuk ishin gjë tjetër veç ca provincial që shikonin veç interesat e ngushta të krahinës që i përkisnin. A nuk duket pak simplist (i thjeshtëzuar…) ky gjykim? A nuk n’a mëson të njëjtën gjë Enver Hoxha me librat e tij që i nxorri çuditërisht para se të vdiste? Hoxha nuk thoshte asgjë tjetër veç asaj që të gjithë nacionalistët që nga kunati i tij, ishin kundër interesave të Shqipërisë dhe që të gjithë ata që nuk iu bindën atij merituan plumbin. Pra, Xhufi, po n’a shet librat e Enverit?
Mund të ketë të drejtë z. Xhufi se shoqëria shqiptare nuk është e gjitha shoqëri historianësh dhe ata i gëlltisin të gjitha por, lutje, shkruani çfarë të doni veç mos shkruani se këtë e bëni në emër të së vërtetës historike. Sepse, do të duhej të shkruanit diçka për Mukjen, për ata bij nënash që u vranë pikërisht pse ishin nacionalist dhe e donin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën, se do të duhej të shkruanit se Enveri tërhoqi 2 divizione partizane nga Kosova fill pas çlirimit të saj për t’i hapur rrugë raprezaljeve të Tito-Rankoviçit, ndërsa, nacionalisti që vetquhej « internacionalist » që gjoja i qenka ankuar Stalinit e dinte mirë se pas ’45 kufijët nuk mund të ndryshoheshin me dhunë.
Sa ishte gjallë Hoxha, nuk linte rast pa thënë : « Ne jemi diktaturë e proletariatit ». Do të desha që historiani Xhufi, të më nxjerr një proletar që i doli para Enverit për t’i thënë « unë shuku Enver jam proletar dhe në pushtet, më lejon mos të shkoj në votime? Më lejon të ha bukë gruri dhe jo bukë misri, më lejon të shkoj të jetoj në Tiranë, aty ku ka edhe historianë? …» Nëse e gjeni këtë proletarin që ishte në pushtet, quajeni Enverin hero, se dekoratat i ka ai, veç përditësojani. Por, të gjitha këto diskutime për diktaturën dhe diktatorin bëhen sepse ai kurr nuk u gjykua dhe siç po duken punët po përgatitet edhe kthimi i tij triumfal. Mjerë proletarët që do vijnë në pushtet me të ….
Montreal, 26 shkurt 2014
“MË NGADALË, URATË”!
Nga Prof.Pëllumb Xhufi/
Me një titull provokativ (“Përsëri ju…”), ikonomi Spiro Katundi,nëpërmjet një shkrimi të gjatë, shprehet edhe ai lidhur me debatet e shumta që ndoqën “incidentin” e provokuar të Përmetit. Shkrimi është I mbushur me sulme personale, me shprehje të vrazhda, por kjo tashmë nuk përbën lajm apo shqetësim, qoftë edhe kur bëhet fjalë për njerëz të Perëndisë. Gjithsesi, meqenëse ndihemi të përfshirë në këtë histori, dhe meqenëse vetë ikonomi na grish, si me thënë, në duel (“Ç’doni ju me punët tona?”), po guxojmë edhe njëherë të themi tonën dhe t’i shpjegojmë, se punët e tij bëhen edhe punët tona, sa herë që tejkalohen kufijtë që Perëndia u ka caktuar zëdhënësve të saj në tokë.
Sigurisht, nuk do përdorim gjuhën e tij pagane. Po fillojmë duke botuar letrën që, në kohë të tjera, një tjetër ikonom, ikonomi Jerothe i Mitropolisë së Korçës, që njëherësh kryente edhe funksionin e arqimandritit të Përmetit, i dërgonte… Kryeministrit të Greqisë, J. Theotoqit. Jemi në kulmin e lëvizjes patriotike, kur në çdo cep të Shqipërisë po hapeshin shkolla, klube dhe po botoheshin gazeta e libra në gjuhën shqipe. Jemi, pra, në 29 shtator të vitit 1908: “Shumë i nderuar Kryetar i Këshillit të Ministrave të Greqisë! Ju drejtohem si drejtues shpirtëror në zonën e Përmetit, i cili ka një pozicion qendror mes qyteteve të asaj ane të Epirit, ku flitet gjuha shqipe dhe ku agjentë të paguar antigrekë të Austro-Hungarisë e Italisë kanë bërë për vete shumë muslimanë dhe tani, për shkak të lirisë së mendimit dhe të tolerancës së autoriteteve (osmane – P. Xh.) po punojnë fare hapur për arritjen e qëllimeve të tyre. Në këto kushte, Përmeti është sot i vetmi vend ku mund të mbrohen të drejtat e mëmës Greqi në Epir, në kohën kur Lëvizja shqiptare priret të zgjerohet për shkak të përpjekjeve të mëdha që po bën propaganda shqiptare për të ngritur shkolla shqipe dhe institute për kujdesin ndaj të vobektëve. Përmeti rrethohet nga katër rrethe të mëdha të banuara nga shqipfolës: Tepelena, Skrapari, Leskoviku dhe Gjirokastra.
Pra, megjithëse ka një shkollë greke me 6 klasë, Përmeti nuk mundet të mbrojë me sukses të drejtat greke dhe të realizojë misionin e tij në një rreze kaq të shtrirë. Udhëheqja e Kishës, e cila deri tani ka vigjiluar duke marrë të gjitha masat për shmangien e rreziqeve të tilla, aktualisht nuk di si të veprojë, pasi nga koha kur i paharruari Anagnostopullos nga Papingji fali gjithë pasurinë e tij për ngritjen e një gjimnazi në ndonjë qytet të Epirit, ne kemi dërguar letra të njëpasnjëshme, e ndër to, letrën e parë ia dërguam përunjësisht Qeverisë suaj të nderuar nëpërmjet Konsullit tonë në Gjirokastër. Aty shpjegonim rëndësinë e posaçme të qytetit tonë, i cili nëpërmjet ngritjes së atij gjimnazi do ishte në gjendje t’u shërbente më së miri interesave kombëtare dhe të bënte hi e pluhur veprimet e nacionalistëve shqiptarë. Letrën e dytë ia nisëm Patrikanës së Shenjtë, së cilës iu bashkëngjit edhe një telegram i nënshkruar edhe nga muslimanët. Këtë telegram ia përcollëm edhe Qeverisë suaj të nderuar… Ju lutemi, i nderuar z. Kryetar i Këshillit të Ministrave, bëni ç’është e mundur që ky gjimnaz të ngrihet në Përmet, dhe jo në Konicë: kjo e fundit banohet nga grekofonë dhe ka afër qytetin e Janinës, ku mund të dërgohen të rinjtë të studiojnë. Prandaj, I nderuar z. Kryeministër, thirrini urtësisë suaj politike dhe bëni që, nëpërmjet gjimnazit ‘Anagnostopullos’ apo ndonjë shkolle tjetër, të fuqizohet qyteti i Përmetit, I CILI NËPËRMJET ARSIMIT MUND TË KTHEHET NË BASTIONIN DHE NË FANARIN E HELENIZMIT” (nënvizimi ynë, P. Xh.).
Kushdo mund ta gjejë këtë letër në botimin dokumentar të historianit grek, V. Kondis: Elenizmos tou Voreiou Epeiroi kai elleno-alvanikes
scheseis, vëll. I, Athinë 1995, f. 143-144. Do të ishte një pandershmëri nga ana jonë, sikur të donim ta mbështesnim arsyetimin vetëm në një dokument, sado tronditës është ai.
Por unë e siguroj ikonom Spiron, se të tilla dëshmi ka me dhjetëra. Ndaj po e vazhdoj arsyetimin tim pa pasur frikë se e rëndoj ndërgjegjen për së koti. Çfarë tregon kjo letër? Tregon, më së pari, se ka pasur klerikë në vendin tonë, absolutisht të çdo besimi, e jo vetëm të atij ortodoks, të cilët, më shumë se njeriun e fesë, kanë bërë agjitatorin politik. Dhe, le të biem dakord: letrën e Jerotheut, për nga nervi e vizioni, do ta kishte zili çdo agjitator e strategy politik. Jep ide “të çmuara” si të frenohet lëvizja patriotike në Përmet e si të kthehet ai në një bastioni të helenizmit! Për befasinë e lexuesit, këto gjëra Jerotheu në fjalë nuk ia thotë eprorëve të tij të hierarkisë kishtare, Mitropolitit të Korçës, apo edhe Patrikut të
Stambollit. Jo. Ia thotë Konsullit grek të Gjirokastrës, dhe, hiç më pak, vetë Kryeministrit të Greqisë, Jorgo Theotoqit! Atëherë, vjen vetvetiu pyetja: Ky prift, prej të cilit përveç këtij pamfleti politik nuk njohim ndonjë vepër të shenjtë, ka qenë emërtesë e Patrikanës së Stambollit, apo e qeverisë greke? Përvoja që kemi nga njohja e kartave të vjetra, na tregon se shpeshherë, krerët e Kishës Ortodokse Shqiptare propozoheshin nga Athina, dhe konfirmoheshin rregullisht e pa fjalë nga Patrikana. Nuk mungojnë raste kur për arsye “urgjence”, Athina bënte vetë zotin e vetë shkopin, siç ndodhi në 1919 me emërimin e mitropolitit të Korçës, Jakob. Ato kohë, qeveria greke po punonte ethshëm që Korça të kalonte “kontrabandë” nga duart e francezëve në ato të grekëve, dhe në Korçë lipsej prania e një njeriu të besuar, i cili të përgatiste sa më qetë “tranzicionin” e pushtetit.
Kjo, pra, ishte situata me një pjesë të klerit ortodoks në prag të shpalljes së Autoqefalisë. Dhe, ndërsa kujtojmë këto gjëra të shkuara,
nuk mund të mos na shqetësojnë zhvillimet në KOASH në këtë periudhë të “ringjalljes” (Anastasit).
Problemi ynë me drejtuesin e huaj të KOASH dhe me ndonjë shqytar shqiptar të tij, është pikërisht ky: A janë ata një zgjedhje e komunitetit ortodoks shqiptar, siç e duan normat e Statutit (të çdo statuti) të kishës, apo kanë ardhur me presionin e pushtetit laik,d.m.th. të një shteti të huaj? Ekzistojnë, tashmë, të gjitha provat për ta siguruar ikonom Spiron e këdo tjetër, se Hirësia e Tij, u imponua në fronin e Kryepeshkopit të KOASH në sajë të presioneve e shantazheve që ish-Kryeministri i Greqisë, z. Micotaqis, ka bërë mbi ish-presidentët shqiptarë, z. Alia dhe z. Berisha. I pari, “komunisti”, e hodhi poshtë shantazhin. I dyti, “demokrati”, e gëlltiti atë. Pra, kreu i KOASH është i paligjshëm edhe për këtë
arsye. Kanonet e Kishës parashohin që, një peshkop a kryepeshkop që zgjidhet me ndihmën e pushtetit laik, konsiderohet i paligjshëm e
duhet të shkarkohet nga funksioni.
SË DYTI, Hirësia e tij e zuri fronin e kryepeshkopit në 2 gusht 1992, në sajë të një puçi të shëmtuar të organizuar gjatë një shërbimi të zakonshëm fetar. U shkel statuti i Kishës, që ia ndalonte kurorëzimin si qytetar i huaj. U shkelën kanonet e kishës, që kërkojnë një
ceremoni të rregullt e të pakontestuar.U njoh “de facto” një kryepeshkop, i cili, siç e donin statutet e kishës dhe ligjet e shtetit, duhej të ratifikohej “de jure” me dekret të veçantë nga Kryetari i shtetit, në rastin tonë S. Berisha. Në fakt, ky u mjaftua vetëm me “fjalën e tij të burrit”. Burracakëria e Berishës për të noterizuar një akt antishqiptar, i pari i akteve antishqiptare që ai kreu në këta 21 vjet, paradoksalisht e ka lënë të
palegalizuar postin e kryetarit të KOASH.
Por le ta lëmë Hirësinë në shenjtërinë e tij. Problemin sot e kishim me ndonjë parvenu të kishës, siç ishte Jerotheu i Përmetit në 1908,
apo siç është sot ndonjë shëmbëlltyrë e tij, i cili, për mercenari apo për padijeni, është bërë instrument i verbër i një politike kryekëput
laike, ku kryqi dhe veladoni shërbejnë vetëm si një titull imuniteti (noli me tangere). Për shkak të tyre, KOASH është bërë sot vatër e
veprimeve antiligjore e antikushtetuese. I fundit, në radhë, ishte pikërisht sulmi banditesk i disa priftërinjve “të fortë” e të
hakërruar kundër institucioneve dhe zbatuesve të ligjit. Pas zhvarrimeve të turpshme të Kosinës, pas përdhosjes së varreve të
Boboshticës, kjo ishte një ngjarje tjetër, që vë në dyshim integritetin dhe luajalitetin e KOASH-it ndaj shtetit dhe ndaj
besimtarëve të vet. Këtu buron edhe padurimi e zemërimi pagan i ikonom Spiros, kur dikush kritikon sjelljet e tij, apo të Hirësisë
Janullatos. A propos, do të kishim edhe një fjalë të fundit prej laiku për një nga ato punët, që ikonom Spiroja i quan “punët tona”. Dhe këtu
e kam sa me ikonomin, aq edhe me mjeshtrin, siç do ta quante Gëtja.
Kam parë edhe klerikë të tjerë që, njëri pas tjetrit, kanë dalë në mbrojtje të Hirësisë së tij, sa herë që ky është kritikuar për fjalë
apo për sjellje të caktuara të tij. Kjo është normale. Anormale më duket apologjia plot pasion e ikonom Spiros, i cili arrin deri aty sa
ta gdhendë Hirësinë e tij Janullatos si një mishërim të figurës së Zotit në tokën shqiptare. Më ngadalë, uratë! Dikur, në shek. IV, bota
e krishterë u kërlesh dhe u përgjak rreth debatit mbi natyrën e Krishtit: a ishte ai njëri, apo ishte perëndi? Në Koncilin e Nikesë
(325), teologët i dhanë kënd të shpikin formulën pajtuese, sipas së cilës Krishti nuk ishte “perëndi”, por ishte gatuar me të njëjtën
“substancë” që ishte gatuar edhe vetë Zoti (omoiousia). Nëse kokat e mendimit të krishterë u treguan aq të kursyer me Jezu Krishtin, kur ky
ishte martirizuar tashmë për njerëzimin e nuk jetonte më, ku e gjen bazën doktrinore ikonom Spirua për ta shpallur Hirësinë e tij, ende në
të gjallë e në krye të punëve të dyshimta, si “mishërim të Zotit në tokën shqiptare”?
Janullatos, si kryqtar i shekullit XII, stisi incidentin e Përmetit
Intervistoi: Fejzi Braushi/*
Historiani Pëllumb Xhufi analizon konfliktin në Përmet mes Kishës dhe autoriteteve vendore, por edhe marrëdhëniet 22-vjeçare të qeverive shqiptare me Janullatos. “Ai ia ka arritur, sepse atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990” . Pëllumb Xhufi mbështet kabinetin në moshë të re të Ramës, por bën apel që atë mos ta kapë dalldia e rinisë me çdo kush. Rama-Meta? “Kur janë bashkuar kanë bërë mrekullira, kur janë zënë, kanë bërë hatara me kosto për të majtën”
I vetëlarguar nga politika për t’iu përkushtuar historisë, Pëllumb Xhufi mbetet një zë i fortë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve sa herë që ai gjykon se ato cenohen nga ndërhyrje të vendeve fqinje, siç ishte dhe rasti i para disa ditëve me Kishën e Përmetit. Në një intervistë për MAPO-n, Xhufi denoncon rolin antishqiptar që luan kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, si dhe nënshtrimin e vazhdueshëm të qeverive shqiptare ndaj tij. Jashtë kësaj interviste nuk mbetet as qeveria e re, për të cilën Xhufi duket entuziast. “Nëse dyshja Rama-Meta do kenë vullnet për të bashkëpunuar, do dinë të bëjnë mrekullira”, – thotë ai.
Z. Xhufi, ditët e fundit në Përmet u krijua një situatë e rëndë, ku kleri ortodoks reagoi në mënyrë të ashpër duke u konfrontuar me forcat e policisë private. Çfarë ndjetë kur patë ato pamje?
Ndjenja e parë ishte ajo e simpatisë për efektivët e policisë private, që edhe pse djem të rreptë e të fuqishëm, duronin me stoicizëm e qetësi fyerjet dhe sulmet fizike të një turme besimtarësh (?) e priftërinjsh (?) fanatikë e të dhunshëm. Të parët ishin aty për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare. Të dytët ndodheshin aty, të organizuar e të paguar nga të huajt për të realizuar axhenda të huaja, duke krijuar një “casus belli”, që siç duket, i intereson dikujt në Athinë e dikujt në Tiranë. Më tërhoqën vëmendjen dy personazhe që më zuri syri mes asaj turme të hakërruar. Prifti Vasil Thomollari, ky “Tartarin i Taraskonit” përmetar, me të kaluar prej keqbërësi ordiner, si dhe “gazetari” minoritar me emrin Odise, që organizoi sjelljen me autobus të “përforcimeve” nga qytete të tjera të Shqipërisë. Janë figurat qendrore të skandalit të eshtrave të Kosinës, ku për të mbushur varret bosh të memorialit të ngritur ilegalisht në Këlcyrë, u hapën varret dhe u nxorën eshtrat e banorëve të atyre fshatrave. Kanonet e Kishës i dënojnë njësoj si vrasësit, ata që hapin varre dhe trazojnë eshtrat. Kështu ka përcaktuar një ndër etërit e hershëm të Kishës, Shën Gregor Nikeani (shek. IV). Hirësia e tij, kreu i KOASH-it, Janullatos, përkundrazi i përgëzoi dhe i promovoi autorët e atij kobi. Madje, at Vasil Thomollarin, i cili deri atëherë kishte qenë një dhjak i thjeshtë, e bëri ikonom të kishës së Përmetit. Dhe nëse ky post përputhet me atë të intendentit (ekonomistit), dhe nëse janë të vërteta ato që thuhen për të kaluarën e at Vasilit, mund të themi pa pasur frikë se e teprojmë, që Hirësia e tij i ka varur ujkut mëlçitë.
Kisha pretendon ndërkohë se pavarësisht debatit mbi pronësinë e objektit dhe truallit të kësaj kishe, në këtë ndërhyrje janë dhunuar simbolet e kishës ortodokse. Madje vetë kreu i kësaj kishe, Janullatos ka deklaruar ditët e fundit se, në rast se do t’u ndodhte kjo myslimanëve, gjysma e botës do ishte në flakë….
Hirësia është fare i pasaktë dhe i padrejtë kur bën pohime të tilla. Objektet dhe simbolet fetare, të futura në mënyrë të paligjshme në mjediset e Pallatit të Kulturës të Përmetit, u mblodhën dhe u transportuan me respektin dhe kujdesin e duhur nga punonjësit e Përmbarimit. Më kot ai rreket t’i japë ngjyra apokaliptike zbrazjes së pallatit të kulturës nga pushtues të paligjshëm, qofshin këta njerëz, priftërinj apo objekte fetare. “Gjysma e botës do të ishte në flakë po të ishte prekur një objekt i shenjtë mysliman”, kështu thotë Hirësia e tij, i cili mundohet t’i japë ngjyrat e një konflikti botëror një sherri të stisur qëllimisht nga ai vetë, këtu e 10 vjet më parë. Para dy vjetësh, pak minuta pas vdekjes tragjike të Aristotel Gumës dhe menjëherë pas deklaratës së ashpër të Ministrisë së Jashtme Greke, z. Janullatos paralajmëroi luftë civile mes “popullit ortodoks” dhe “popullit mysliman” të Shqipërisë. Sot, ai po bën përsëri Kasandrën dhe po paralajmëron shpërthimin e një konflikti botëror…për shkak të incidentit të Përmetit, të stisur personalisht nga ai! Pak mungon që të deklarojë, se “Përmeti është Jerusalemi i ortodoksisë”! Kjo është gjuha e një kryqtari të shek. XII. Vetëm në atë shekull mund të gjesh priftërinj e murgj që u prinin ushtrive pushtuese, që digjnin e piqnin popuj e qytetërime të lashta për të themeluar mbretëri e principata të krishtera. Vetëm në shek. XIII mund të gjesh shembuj kishash e priftërinjsh fanatikë, që vrisnin e digjnin në stivat e zjarrit “të ndryshmit”, heretikët, pavlikanët, manikeistët, bogomilët, ikonoklastët… Hirësia e tij po përcjell pikërisht këtë frymë intolerance e konfrontimi fetar mes shqiptarëve. Flet gjithnjë për një “popull ortodoks”, pa konotacion të qartë kombëtar, ose më saktë, me një konotacion të nënkuptuar grek, në një kohë që ndodhet rastësisht e fatalisht në një vend ku ortodoksit, katolikë, myslimanët apo ateistët janë të bashkuar mbi baza e parime moderne e laike dhe formojnë një popull të vetëm. Flet për viktimizim të kishës ortodokse, në një kohë që me fonde e financime të dyshimta janë ngritur me shumicë kisha, manastire e simbole fetare në toka e në vende që nuk i kanë takuar ndonjëherë kishës. Vetëm pak kohë më parë u inaugurua në Tiranë katedralja gjigante ortodokse, e ngritur në një truall publik (dikur edhe aty ngrihej kino-teatri “Brigada”) dhe fare ngjitur me institucione shtetërore të rëndësisë së parë, siç është Ministria e Mbrojtjes. Janë ngritur kisha e manastire të panumërta në rrethet Korçë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Sarandë e deri në Lezhë e Kukës. Hirësia e tij, që tinëzisht e krahason këtë kohë me vitin 1967, ka treguar kujdes të posaçëm të ndërtojë e të evidentojë objekte të reja fetare, sipas një modeli të huaj, ndërkohë që nuk tregon asnjë kujdes për mirëmbajtjen e kishave të vjetra aq shumë të identifikueshme e të dallueshme si kisha shqiptare. Por le të mbetemi në rrethin e Përmetit. Mjafton të kesh një palë dylbi e të ngjitesh në një pozicion dominues, si për shembull në sarejet e Këlcyrës, e do të vesh re se në të gjithë gjatësinë Përmet-Tepelenë vendi është i mbushur me kisha e me simbole fetare të krishtera, të ndërtuara këto vitet e fundit. Janë ngritur që të gjitha në truall publik dhe, shpesh herë, në fshatra të banuara nga popullsi jo-ortodokse. Mesazhin politik të këtij “riorganizimi fetar” të territorit, e kupton çdokush, dhe Hirësia e tij më kot kërkon të bëjë shenjtorin. Ai ia ka arritur, sepse atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990. Sidomos kjo e Sali Berishës. Pak mungoi që ky, pasi e zhveshi grykën e Këlcyrës nga çdo prani ekonomike, kulturore, ushtarake e policore shqiptare, të inauguronte në prani të Hirësisë së tij dhe të Konsullit grek të Gjirokastrës, një pllakë mermeri me shkrimin: “O udhëtar, këtu hyhet në Vorio-Epir”! Kjo pllakë do mund të vihej në hyrje të grykës së Këlcyrës, buzë fshatit Kodër, në vendin ku edhe sot një lapidar i harruar kujton masakrën e vitit 1914, kur andartët grekë, të prirë nga ndonjë prift e ndonjë besimtar ortodoks shqiptar, nga ta që i pamë në aksion edhe këto ditë në Përmet, masakruan plot 240 fshatarë të pafajshëm shqiptarë. Sigurisht, nuk i përkisnin popullit të Perëndisë, ishin “turq”! Pra, siç e shihni, shumë kujtime të hidhura na sjellin nëpër mend ngjarjet e këtyre ditëve në Përmet. Por, le ta lëmë me kaq. Le të shpresojmë që kjo ngjarje e hidhur dhe e turpshme, të harrohet sa më shpejt.
Debati për kishën e Përmetit ka shkaktuar dhe një reagim të ashpër të shtetit grek, ku me anë të disa deklaratave dhe të një note proteste ka denoncuar ngjarjen si të papranueshme dhe që cenon të drejtat e ortodoksëve….
Shikoni, edhe sot, pas 100 vjetësh të ekzistencës së shtetit shqiptar dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, shteti grek e ka të vështirë të pajtohet me realitetin. Vazhdon ta konsiderojë KOASH si një shtojcë të kishës greke, dhe po ashtu, ortodoksët shqiptarë vazhdon t’i konsiderojë grekë. Pa çka se ortodoksët kanë qenë në ballë të Rilindjes Kombëtare dhe të luftërave për liri e pavarësi, ku autoqefalia e kishës përbën një nga faqet më të lavdishme. Sot, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të politikanëve shqiptarë, ne kemi në kreun e KOASH-it një klerik grek. Z. Janullatos e pushtoi padrejtësisht atë post nën presionin e fortë që qeveria greke e Micotaqisit bëri mbi qeverinë e Sali Berishës, në 1992. Ja pra, edhe një kujtim tjetër i hidhur, që na zhvendos në fillimin e shek. XX, kur krerët e Kishës tonë ortodokse nuk i caktonin besimtarët shqiptarë, por Kryeministri grek, Eleuther Venizellos. Në këtë kuptim, deklarata e zëdhënësit të qeverisë greke mbi incidentin e Përmetit, të inkurajuar nga ajo vetë, takimi i djeshëm i Konsullit grek të Gjirokastrës me Kryetarin e Bashkisë së Përmetit, apo ndërhyrjet e parlamentarëve grekë në Parlamentin grek apo në atë evropian për këtë çështje, janë reminishenca të një kohe të largët, kur autoritetet greke i lejonin vetes të ndërhynin në mënyrë arrogante për çdo gjë që kishte të bënte me kishën dhe me besimtarët ortodoksë shqiptarë.
Për shkak të përplasjes në Përmet patëm një “ngrirje” të kufirit Shqipëri-Greqi, ku u bllokuan shumë emigrantë. Si e vlerësoni reagimin e qeverisë shqiptare rreth këtij konflikti dhe aktin në kufi, ku u ndaluan disa qytetarë grekë?
Për sa i përket sjelljes së qeverisë shqiptare, më duhet të them se është ajo vetë që ka gatuar jo një, por disa çorba si ajo e Përmetit. Nëse heqim mënjanë sjelljen dinjitoze e të përmbajtur të Përmbarimit e të policisë private, në çështjen e pallatit të kulturës, qeveria bashkë me policinë, me prokurorinë e me autoritetet lokale kanë mbajtur një qëndrim të turpshëm edhe në rastin në fjalë. Kujtoj këtu pamjet e dhimbshme, kur policia private u vu nën agresionin e çetës banditore të “priftit” Vasil, ndërkohë që policia e shtetit prehej nën hijen e pemëve të bulevardit. Kujtoj gjithashtu tulatjen dhe nënshtrimin që autoritetet shtetërore treguan në rastin e bujshëm të skandalit të Kosinës: të gjithë, policë, prokurorë, kryebashkiakë e kryekomunarë rrinin kokulur përballë arrogancës dhe provokacioneve të personazheve groteskë, siç ishin në atë histori Konsulli grek, “prifti” Vasil apo i kudondodhuri Odise, “gazetari” me fytyrë të vrerosur. Në atë rast, ata që e pësuan nuk ishin dhunuesit e varreve, as edhe nëpunësit e korruptuar, por nëpunësit e ndershëm të këtij shteti, si Prof. Sokrat Meksi, që u nxor fill e në pension, porsa certifikoi që eshtrat e zhvarrosura në Kosinë nuk ishin të ushtarëve grekë, por të pleqve, grave e fëmijëve të fshatit. Po ashtu, në rastin e “betejës” për pallatin e kulturës, ai që e pësoi nuk ishte “prifti” Vasil, dhunuesi e pushtuesi i një prone publike, tempull i kulturës, por Kastriot Bezati, drejtori patriot i atij pallati, i cili menjëherë u pushua nga puna.
Në këto kushte, “trimërimi” i vonuar i qeverisë së Sali Berishës, e cila më në fund u kujtua se marrëdhëniet me fqinjët bazohen në parimin e reciprocitetit, duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Qoftë vendimi për të zbatuar vendimin e gjykatave për lirimin e pallatit të kulturës nga pushtimi i një grushti mercenarësh të ndërkryer, qoftë edhe vendimi për t’iu përgjigjur me kthim të qytetarëve grekë, kthimit që autoritetet greke të kufirit u bënë në mënyrë të pamotivuar qytetarëve shqiptarë, më ngjajnë me një përpjekje të Berishës për t’i lënë edhe një tjetër patate të nxehtë qeverisë në ardhje të Edi Ramës. Në është kështu, kemi të bëjmë me poshtërsinë e fundit në radhën pafund të poshtërsive që kjo qeveri ka kryer në kurriz të interesave të vendit e të shqiptarëve. Por duke thënë këtë, nuk dua aspak të prek karakterin parimor e të drejtë të dy masave të fundit të qeverisë, të cilat kjo ishte dashur t’i merrte shumë më herët.
Si i konsideroni marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe në ç’rrjedhë duhet të zhvillohen ato?
Unë thjesht mendoj se marrëdhëniet me Greqinë janë shumë-shumë të rëndësishme, dhe si të tilla duhen ndërtuar me kujdes, mbi bazë parimesh dhe interesash. E kam thënë vite e vite më parë, që politika e paprinciptë e lëshimeve ndaj kërkesave të nacionalizmit grek, nuk i shërben aspak miqësisë dhe bashkëpunimit afatgjatë, por përkundrazi lë gropa të hapura, mbjell risentimente e armiqësi. Populli shqiptar e di fort mirë, se mbajtja e ligjit të luftës, mosnjohja e kufijve të Shqipërisë, ndërhyrjet në punët e shtetit e të kishës shqiptare e, në përgjithësi, kërkesat me sfond nacionalist nga ana e qeverisë greke, janë reminishenca të një politike që vetëm kanë sjellë ballafaqime të përgjakshme midis dy popujve tanë. Ai e di gjithashtu, se politika e dyerve të shqyera ndaj presionit nacionalist grek, përdhosja e dinjitetit të shtetit dhe të qytetarëve shqiptarë, ngritja dhe shkulja e varrezave, hapja e shkollave me konotacion nacionalist, falja e hapësirës detare etj., janë akte antishqiptare të një qeverie të korruptuar, që është nën shantazhin e mëkateve të veta. Humbja spektakolare e 23 Qershorit i detyrohet jo pak edhe kësaj vetëdije të pjekur popullore. Kjo është arsyeja që marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë duhet të ngrihen mbi një bazë të re, dhe në këtë pikë nuk mund veçse t’i japësh të drejtë zotit Rama. Duket se edhe nga pala greke ekziston bindja se shumëçka duhet të ndryshojë në sjelljet me fqinjin shqiptar. Nuk mund të vazhdohet më tej me arrogancën e më të madhit, me shantazhin e “bukës së gojës” apo me aleancën amorale me mjediset e korruptuara të politikës, mediave apo shoqërisë civile shqiptare. Si vend i BE, Greqia duhet të kërkojë partnerë të tjerë në Shqipëri, dhe të aplikojë sjellje të ndryshme, nga ato që ka aplikuar deri tani.
Zoti Xhufi, pas 8 vitesh në opozitë, e majta fitoi zgjedhjet, ndërkohë që Rama ka shpallur tashmë kabinetin e tij. Si e shikoni ju këtë qeveri, nisur edhe nga fakti që shumë figura të rëndësishme të PS janë lënë jashtë saj?
Jam ndër të shumtët që mbështes me forcë formimin e një kabineti kryesisht me të rinj, të cilët kanë edhe avantazhin se janë të aftë e të pastër. Në fund të fundit, Edi Rama i fitoi zgjedhjet dhe e rrëzoi Berishën pikërisht me ata djem e vajza. Në historinë e PS të këtyre 20 viteve, ka patur shumë beteja, sakrifica e fitore, por për fat të keq ka patur edhe shumë tradhti, papërgjegjshmëri, oportunizëm dhe jo pak korrupsion. Historia politike e Kastriot Islamit dhe i grupit të tij të “mendimit ndryshe” ishte thirrja e fundit që i bëhej së majtës për t’u ndarë një herë e mirë nga të përzgjedhurit e fatit, nga punëpakët e fjalëshumët, nga mjeshtrit e intrigës e të batutës, nga “liderët” e “themeluesit” e gatuar në kuzhinat e PD, nga “heronjtë” e dalluar vetëm për beteja dhe për trimëri brenda llojit. Me trima të tillë, fitorja e së majtës nuk do kishte qenë ajo që qe. Ç’është më e keqja, me ta në qeveri, do vazhdonte të vërtitej mbi kokat tona fantazma e Berishës, sponsorizuesit të palodhur e të pakursyer të “kolonës së pestë” brenda PS. Ndaj, njëmijë herë më mirë pa ta. Sigurisht, shteti është një aparat gjigant, ku ka vend si për rinjtë, ashtu edhe për të vjetrit. Dhe për fat të mirë, në administratë por edhe në radhët e të përjashtuarve politikë nga regjimi i Berishës, ka me bollëk nëpunës, mësues, pedagogë, mjekë, ushtarakë të aftë e të përkushtuar. Këta të fundit janë padyshim mishërim i përvojës, sigurisë dhe memories institucionale. Pa kontributin e 50 apo 60 vjeçarëve, makina shtetërore do të rrezikonte të shkonte në drejtim të paditur. Ndaj jam i bindur, se Edi Rama dhe ministrat e tij nuk do i kapë dalldia e rinisë me çdo kusht e nuk do veprojnë si dikur një kryeministër socialist, i cili duke qenë 28 vjeç, iu duk vetja aq i moçëm dhe i ditur, saqë kërkoi të mbledhë rreth tij këshilltarë që ende s’i kishin mbushur të 25 vjetët.
LSI-së në këtë qeveri iu dha mes të tjerave dhe Ministria e Drejtësisë, çka pati mjaft reagime për shkak se kjo parti është akuzuar gjatë qeverisjes së shkuar. Si e shihni këtë zgjedhje? Çfarë ndryshimi mund të ndodhë kur tre nga ministrat e Ramës kanë qenë 3 muaj më parë ministrat e Berishës?
Në fakt, drejtësia, si çdo sektor tjetër, në qeverisjen e shkuar u drejtua nga e njëjta dorë e hekurt, që ishte ajo e z. Berisha. Megjithatë, qeveria PS-LSI është një sfidë e një shans për këto dy forca politike, dhe posaçërisht ministrat e tyre. Kuptohet, në këtë qeverisje shumë prej ministrave vijnë me vullnetin dhe ambicien për të shkruar ex- novo një faqe të bukur në karrierën e tyre, duke i shërbyer vendit me ndershmëri. Këtu e kam fjalën për ministrat e rinj, pa përvojë të mëparshme në qeverisje. Sigurisht, në listën e ministrave ka edhe të tillë që kanë patur përvoja të mëparshme qeverisëse, madje edhe në qeverinë e fundit e të shumëpërfolur “Berisha”. Por edhe këtyre u ofrohet një shans i papërsëritshëm: duke punuar mirë për vendin, dhe jo për vete, mund të lajnë ndonjë mëkat të së kaluarës së afërt dhe mund të lenë edhe ata një emër të mirë në historikun e qeverive shqiptare.
Ka një lloj dyshimi në lidhje me funksionimin e kësaj qeverisjeje për shkak të dualitetit Rama-Meta, kjo edhe për shkak të konflikteve që ata kanë patur edhe më parë, por edhe për shkak të karakterit të fortë që ka Meta si një lider në të majtë. Ju shihni probleme në këtë drejtim?
Populli thotë: “Uthulla e fortë thyen enën e vet” (në fakt, kjo vlen edhe për rakinë e fortë). Karakteret, apo qëndrimet e forta ndodh të prishin punë në çështjet e politikës. Vetë historia e marrëdhënieve Rama-Meta e dëshmon një gjë të tillë. Kur kanë bashkëpunuar, kanë bërë mrekullira. Kur janë zënë, kanë bërë hatara dhe e kanë dënuar veten me opozitë të detyruar (Rama), apo me qeverisje të pistë (Meta). Të jemi të sinqertë, në një vend normal, si Rama ashtu edhe Meta, do të ishin ndëshkuar nga vetë zgjedhësit e tyre e sot do të ishin harruar për andrallat që i kanë shkaktuar së majtës dhe vetë vendit me sherret e tyre, egoiste e meskine. Por, ja që në një moment edhe ata e dëgjuan zërin e popullit opozitar, shkelën mbi sedrën e “karakterin” e tyre dhe u bashkuan në emër të së mirës publike. Tashmë të dy e dinë ku, kur e si kanë gabuar. E dinë gjithashtu mirë se sa të brishtë janë rezultatet dhe shifrat që realizuan së bashku e veç e veç në këto zgjedhje, në rast se fillojnë e merren me intrigat e deridjeshme kundër njeri-tjetrit. Dhe akoma më shumë, e dinë mirë se mbi ta vigjilon një opinion, i cili nuk është opinioni që shoqëroi me hosanara prej fanatikësh rrugëtimin drejt humnerës së qeverisjes Berisha. Si Rama ashtu edhe Meta e dinë fort mirë se ndaj një qeverie socialiste guxojnë të ngrenë zërin edhe më burracakët e këtij vendi, edhe ata që në këta 8 vjet kanë mbyllur gojën ndaj çdo padrejtësie e krimi. Përse? Sepse socialistët nuk të pushojnë nga puna, nuk të rrahin, nuk të vrasin, siç bëri qeveria e Sali Berishës në 21 janar 2011.
Si e shpjegoni faktin që LSI, pavarësisht akuzave të shumta për korrupsion gjatë qeverisjes së shkuar, arriti të shumëfishojë rezultatin e saj në zgjedhje? Sipas jush, sa humbi dhe sa fitoi PS nga bashkëpunimi me LSI në këto zgjedhje?
LSI e shumoi rezultatin e saj për disa arsye. Së pari, sepse diti të bëjë një fushatë pragmatiste, e cila ngjit gjithnjë në vende të varfra si Shqipëria, ku punësimi në shtet shihet si zgjidhje për të ardhmen e shumë familjeve. Nga ana tjetër, mos harrojmë se LSI nxori përfitim të majmë nga aleanca me PS. Mendoni që, për shkak të sistemit, PS morri vetëm një mandat më shumë në raport me zgjedhjet e 2009, edhe pse e rriti me 90 mijë vota kuotën e saj. Në të kundërtën, LSI, e cila, nëse nuk gaboj, mori rreth 110 mijë vota më shumë se në 2009, fitoi 13 mandate më shumë. Nga ana tjetër, bashkëqeverisja me PD i hapi LSI-së disa mundësi depërtimi në xhepa të pakënaqura të së djathtës, të cilat mund ta kenë votuar atë në 23 qershor, si një alternativë më e pranueshme e më “tolerante” ndaj së djathtës. Por thashë, të gjitha këto janë rrethana të brishta, që si për Ramën ashtu edhe për Metën mund të përmbysen brenda natës. Të dy kanë të bëjnë me një opinion të brendshëm e të jashtëm, i cili ndaj tyre do të jetë vigjilent e kritik si asnjëherë më parë.
Diçka për zhvillimet në opozitën e re. Si e shihni zgjedhjen e Bashës përballë Olldashit, dhe për më shumë, si e parashikoni opozitën e ardhshme?
Z. Berisha ka një meritë të madhe edhe në këtë drejtim. Nuk la mundësi zgjedhjeje kur doli problemi i pasardhësit. E ktheu PD në një parti njëdimensionale. Kështu që u ndërtua një alternativë mes Olldashit e Bashës, e cila nuk thotë e nuk premton asgjë. PD do të kishte një shans për të ndryshuar e për t’u riorganizuar demokratikisht në masën që pasardhësi i z. Berisha do gjente kurajën për t’u larguar sa më shumë nga fusha e tij manjetike. Këtë z. Basha do mund ta bënte vetëm kur i gjithëfuqishmi ta thërriste pranë vetes ideatorin dhe protektorin e tij. Z. Olldashi jepte shenja se mund t’i rezistonte disi sharmit vrastar të shefit të tij. Por pikërisht për këtë, “i gjithëfuqishmi” i vërtiti gjërat në mënyrë të tillë, që ai të mos fitonte. Dhe askush nuk u çudit, as ai vetë. Kështu ka qenë, e kështu do të jetë.
Për kishën e Përmetit
“Të parët ishin aty për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare. Të dytët ndodheshin aty, të organizuar e të paguar nga të huajt për të realizuar axhenda të huaja, duke krijuar një “casus belli”, që siç duket i intereson dikujt në Athinë e dikujt në Tiranë”
Për Janullatosin:
“Sot, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të politikanëve shqiptarë, ne kemi në kreun e KOASH-it një klerik grek. Z. Janullatos e pushtoi padrejtësisht atë post nën presionin e fortë që qeveria greke e Micotaqisit bëri mbi qeverinë e Sali Berishës, në 1992… Ai ja ka arritur, sepse atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990. Sidomos kjo e Sali Berishës.”
Për reagimin e qeverisë:
“Nëse heqim mënjanë sjelljen dinjitoze e të përmbajtur të përmbarimit e të policisë private, në çështjen e pallatit të kulturës, qeveria bashkë me policinë, me prokurorinë e me autoritetet lokale kanë mbajtur një qëndrim të turpshëm edhe në rastin në fjalë”
Për patriotizmin e Berishës:
“Në këto kushte, “trimërimi” i vonuar i qeverisë së Sali Berishës, e cila më në fund u kujtua se marrëdhëniet me fqinjët bazohen në parimin e reciprocitetit, duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Qoftë vendimi për të zbatuar vendimin e gjykatave për lirimin e pallatit të kulturës nga pushtimi i një grushti mercenarësh të ndërkryer, qoftë edhe vendimi për t’iu përgjigjur me kthim të qytetarëve grekë, kthimit që autoritetet greke të kufirit u bënë në mënyrë të pamotivuar qytetarëve shqiptarë, më ngjajnë me një përpjekje të Berishës për t’i lënë edhe një tjetër patate të nxehtë qeverisë në ardhje të Edi Ramës”
Për Greqinë:
“Nuk mund të vazhdohet më tej me arrogancën e më të madhit, me shantazhin e “bukës së gojës” apo me aleancën amorale me mjediset e korruptuara të politikës, mediave apo shoqërisë civile shqiptare. Si vend i BE, Greqia duhet të kërkojë partnerë të tjerë në Shqipëri, dhe të aplikojë sjellje të ndryshme, nga ato që ka aplikuar deri tani”
Për të vjetrit:
“Me trima të tillë, fitorja e së majtës nuk do kishte qenë ajo që qe. Ç’është më e keqja, me ta në qeveri, do vazhdonte të vërtitej mbi kokat tona fantazma e Berishës, sponsorizuesit të palodhur e të pakursyer të “kolonës së pestë” brenda PS. Ndaj, njëmijë herë më mirë pa ta”
Për Ramën:
“Ndaj jam i bindur, se Edi Rama dhe ministrat e tij nuk do i kap dalldia e rinisë me çdo kusht e nuk do veprojnë si dikur një kryeministër socialist, i cili duke qenë 28 vjeç, iu duk vetja aq i moçëm dhe i ditur, saqë kërkoi të mbledhë rreth tij këshilltarë që ende s’i kishin mbushur të 25 vjetët”
Për qeverinë e re:
“Megjithatë, qeveria PS-LSI është një sfidë e një shans për këto dy forca politike, dhe posaçërisht ministrat e tyre. Kuptohet, në këtë qeverisje shumë prej ministrave vijnë me vullnetin dhe ambicien për të shkruar ex novo një faqe të bukur në karrierën e tyre, duke i shërbyer vendit me ndershmëri”
Për ministrat e LSI:
“Sigurisht, në listën e ministrave ka edhe të tillë që kanë patur përvoja të mëparshme qeverisëse, madje edhe në qeverinë e fundit e të shumëpërfolur Berisha. Por edhe këtyre u ofrohet një shans i papërsëritshëm: duke punuar mirë për vendin, dhe jo për vete, mund të lajnë ndonjë mëkat të së kaluarës së afërt dhe mund të lenë edhe ata një emër të mirë në historikun e qeverive shqiptare”
Për dyshen Rama-Meta:
“Populli thotë: “Uthulla e fortë thyen enën e vet” (në fakt, kjo vlen edhe për rakinë e fortë). Karakteret, apo qëndrimet e forta ndodh të prishin punë në çështjet e politikës. Vetë historia e marrëdhënieve Rama-Meta e dëshmon një gjë të tillë. Kur kanë bashkëpunuar, kanë bërë mrekullira. Kur janë zënë, kanë bërë hatara dhe e kanë dënuar veten me opozitë të detyruar (Rama), apo me qeverisje të pistë (Meta”
Për rezultatin e LSI:
“LSI e shumoi rezultatin e saj për disa arsye. Së pari, sepse diti të bëjë një fushatë pragmatiste, e cila ngjit gjithnjë në vende të varfra si Shqipëria, ku punësimi në shtet shihet si zgjidhje për të ardhmen e shumë familjeve. Nga ana tjetër, mos harrojmë se LSI nxori përfitim të majmë nga aleanca me PS”-*Kortezi:MAPO