Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
„Harram vota jonë nëse nuk na paguan gjelin“. Kështu mallkoi sot një pensioniste nga Gjirokastra përmes emisionit shumë popullor të Bashkim Hoxhës „Ora për t’u zgjuar“ – tek News24.
Ka 23 vjet që të gjitha qeveritë e Shqipërisë tallen me popullin shqiptar, sidomos me shtresën më vulnerabile që janë pensionistët. Popullsia e moshës së tretë që përbën rreth gjysmë milioni votues mbijeton me 100 Euro në muaj. Me 100 Euro mund të mbash vetëm frymën gjallë, si skllav por jo si qytetar.
Të jetosh me 100 Euro do të thotë të jetosh nën diktaturën e varfërisë.
Ka dy lloj diktaturash. Diktatura e frikës nga regjimet totalitariste dhe diktatura e varfërisë nga regjimet e korruptuara, të vendeve në tranzicion, si Shqipëria, ku klasa politike pasurohet ndërsa populli shkon në zgrip të varfërisë.
Ka 23 vjet që klasa politike e ka shpërdorur votën e popullit shqiptar, e sidomos të pensionistëve të Shqipërisë, duke u pasuruar në kurriz të shtresës më të përvuajtur të shoqërisë.
Pensionistët e Shqipërisë, ose një e gjashta e popullsisë së mbetur në Shqipëri, pasi 3 milionë të tjerë jetojnë në emigracion, janë prindërit tanë të cilët mbijetuan kalvarin e diktaturës dhe tani në vend që të gëzojnë qetësinë e merituar në kapitullin e fundit të jetës, kur i kanë kryer të gjitha detyrimet si prindër e shtetas, u duhet të luftojnë për bukën e gojës.
100 Euro sa paguhen në muaj pensionistët, për deputetët, ministrat dhe klasën politike të Shqipërisë është një fjalë goje, një kapriçio e vogël nga jeta e tyre e mbuluar nga lluksi dhe kamja përmes taksapaguesve, abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni.
100 Euro për klasën politike të Shqipërisë kushton një kollare, një palë të brendshme Victoria Secret, apo një mani-pedicure, manikyri për duart e këmbët në një sallon bukurie, ndërsa për pensionistët e Shqipërisë 100 Euro do të thotë torturë, sepse duhet të ndahen në 30 ditë të muajit, me të cilat duhet të paguajnë ushqimin,energjinë elektrike, telefonat, veshjet dhe gjithçka.
100 Euro për klasën politike kushton qeni apo macja nëpër vilat dhe apartamentet e tyre, ndërsa për pensionistët janë ankthi i çdo muaji, në epilogun e jetës së tyre.
100 Euro për klasën politike janë lojë fjalësh, ndërsa për gjysmë milioni shqiptarë, të shtresës vulnerabile janë luftë për ekzistencë!
Qeveria e mëparëshme i mëshironte pensionistët e Shqipërisë dhe u paguante nga 50 $ me rastin e festave të fundvitit, për të blerë gjelin dhe për të festuar! Vitin e fundit gjelin e bëri gjysmagjel. Dhe kryeministri i atëhershëm krenohej me këtë gjest të tij bamirësie!
Çfarë ironie! Pushtetarët e Shqipërisë të mbuluar në lluks prej taksave dhe shpërdorimit të pushtetit, u hedhin pensionistëve si lëmoshë gjelin e Vitit të Ri! Dhe pastaj krenohen sikur t’ua kenë falur nga xhepat e tyre të fryrë si derrat e dhjamosur.
Por klasa politike e Shqipërisë harron kryesoren se pushteti i tyre do t’i ketë gjithnjë orët e numëruara kur populli vuan dhe ata pasurohen!
Klasa politike e Shqipërisë ta vari vath në vesh se pensionistët e Shqipërisë nuk lypin mëshirë! Pensionistët e Shqipërisë lypin të drejtat e tyre. Pensionistët e Shqipërisë kanë të drejtë të jetojnë një jetë me dinjitet.
Sepse rroga mujore e një deputeti, ministri apo kryeministri, përveç përfitimeve dhe privilgjeve, është mesatarisht të paktën sa pensioni mujor i 20 pensionistëve të Shqipërisë. Po ashtu, vendet e punës, privilegjet i përfitojnë familjarët e pushtetarëve, rrethi i ngushtë klientelist e kështu hendeku midis pakicës profitere prej votës të popullit edhe vetë popullit bëhet i tillë ku populli kthehet në skllav dhe pushtetari në skllavopronar.
Tani Edi Rama ka vendosur që t’ua heqi edhe gjelin e Saliut pensionistëve, e t’i lejë pa festë e festime, ndërsa vetë të zdërhallet, i përkëdhelur nga shpura e servilëve të rinj të pushtetit!
Si ai do të zdërhallen edhe klasa politike e Shqipërisë, pas së cilës vjen mallkimi i asaj zonjës pensioniste nga Gjirokastra, që i tha Edi Ramës, „harram votën që të dhamë më 23 qershor“.
Edi Rama të mos e harrojë se ai fitoi më 23 qershor 2013, jo se populli votoi për të, por sepse populli votoi kundër regjimit të korruptuar të Sali Berishës. Nëse Edi Rama do të jetë kopje e atij regjimi, aq më keq, do të jetë kopje e keqe, sepse mesa duket po kërkon që të mbushë gropat e krizës, duke u prerë paret e gjelit pensionistëve, është e sigurt se kësisoj do të presë ditët e tij si kryeministër i Shqipërisë!
Shqiptarët kanë 23 vjet që rrëzuan diktaturën totalitariste, tani do t’u duhet të rrëzojnë diktaturën e varfërisë, shkaktuar nga shpërdorimi i votës, shpërdorimi i besimit, shpërdorimi i pushtetit!