Ne jemi me ju Motra Shqiptare në Kosovë!/
Fort të dashura Nëna dhe Motra shqiptare në Kosovë, ju që thundra e armikut barbar ju dëmtoi, vrau e ju shkatërroi jetën!
Kemi qenë e jemi me ju në këto ditë, kur mbarë opinioni në Kosovë po mbron Kauzën e dhimbjes tuaj. Bëhuni të forta motra shqiptare, e ardhmja është me ju me fëmijët e familjet tuaja.
Ne si Organizatë e Gruas Shqiptare – Amerikane me qendër ne New York – The Women’s Organization “Hope & Peace” gjithmonë ju kemi patur në zemër, kemi vuajtur nga larg me brengat e dertet tuaja. Nën moton e misionit tonë: “Stop Dhunës Ndaj Grave” kemi ngritur zërin për ju e hallet tuaja, e do të vazhdojmë të flasim në të gjitha institucionet Amerikane e Ndërkombëtare për të drejtat tuaja.
Persekutimi serb që ra padrejtësisht direkt edhe mbi Ju nga makineria serbe shënoi pa diskutim edhe Pavarësine e Kosovës. Me këtë rast falenderojmë SHBA, Anglinë e të gjitha vendet demokratike që i dhanë Paqen e Lirinë Kosovës.
Ju jeni Heroinat e Kombit tonë, popullit tonë. Jeni trimëreshat dardane që me heshtjen, inteligjencën, bukurinë e fisnikërinë tuaj i ngritët vlerat femrës shqiptare e duhet të trajtoheni si të tilla.
Ne gjithashtu firmosim peticionin që është përpiluar në Kosovë nga Ministria për Dialog Znj. Edita Tahiri e gjithë populli i Kosovës drejtuar Sekretarit të OKB -së Z. Ban Ki Moon.
Mbetemi me shpresë se do t’ju vizitojmë nga afër e do të meret në konsideratë persekucioni serb mbi ju nga ana e OKB-së.
Me respekt
Mimoza Dajçi
Themeluese e Organizatës The Women’s Organization “Hope & Peace”
SHBA
New York
(Njëherësh mbesë nga Familja e Boletinëve – Kosovë)
New York, Mars 2016